Fjalë të ashpra, frymëra të dërrmuara
«Breshkë budallaqe!»a Një grua në Japoni i mban mend shumë mirë këto fjalë; ato ia kishin përplasur në fytyrë shpesh kur ishte një fëmijë e vogël. Nga kush? Nga fëmijët e shkollës? Nga vëllezërit apo motrat? Jo. Nga prindërit e saj. Ajo sjell ndër mend: «Dëshpërohesha, sepse kjo sharje më lëndonte thellë.»
Një burrë në Shtetet e Bashkuara kujton se kur ishte fëmijë, ai ndihej i frikësuar dhe në ankth sa herë që i ati kthehej në shtëpi. «Edhe sot e kësaj dite e kam të gjallë në vesh zhurmën e rrotave të makinës së tij në rrugën para shtëpisë,—kujton ai,—dhe më ngjethet mishi. Motra ime e vogël fshihej. Babai ishte tepër kërkues dhe na kërcënonte vazhdimisht se nuk i bënim aq mirë sa duhej të gjitha punët që na ishin ngarkuar.»
Motra e këtij burri shton: «Nuk kujtoj asnjë nga prindërit tanë të na përqafonte ndonjëherë, të na puthte apo të na thoshte ndonjë gjë të tillë si ‘të dua’ ose ‘krenohem me ty’. Dhe për një fëmijë, të mos dëgjojë kurrë shprehjen ‘të dua’ është njësoj sikur të dëgjonte ‘të urrej’, çdo ditë të jetës së tij.»
DISA mund të thonë se brenga që kanë vuajtur këta njerëz kur ishin fëmijë ishte e papërfillshme. Sigurisht që nuk është e pazakontë për fëmijët që të marrin fjalë të ashpra, të panjerëzishme dhe keqtrajtim. Kjo gjë nuk është argumenti kyç i kryeartikujve ngjethës të gazetave dhe as i spektakleve sensacionale televizive. Dëmi nuk është i dukshëm. Por nëse prindërit keqtrajtojnë fëmijët e tyre në këtë mënyrë ditë për ditë, pasojat mund të jenë sidoqoftë shkatërruese dhe mund të zgjasin për gjithë jetën.
Shqyrtoni trajtimin e mëtejshëm të vitit 1990 që iu bë një studimi të 1951-shit, i cili kishte analizuar metodat e përdorura nga prindërit në një grup fëmijësh pesë vjeçarë. Studiuesit arritën që të bënin hulumtime mbi shumë prej këtyre fëmijëve, tani në moshën mesatare, për të zbuluar pasojat afatgjata të edukimit në fëmijërinë e tyre. Studimi i ri nxori si konkluzion se fëmijët që përfunduan duke pasur më shumë vështirësi në jetë, të cilëve u mungoi mirëqenia emocionale dhe që patën vështirësi në martesë, në shoqëri e madje në punë, nuk ishin medoemos fëmijët me prindër të varfër, as ata me prindër të pasur dhe as ata që kishin prindër me shqetësime të dukshme. Ata ishin fëmijë, prindërit e të cilëve kishin qenë indiferentë, të ftohtë dhe kishin treguar pak ose aspak dashuri të përzemërt.
Ky zbulim është vetëm një pasqyrim i dobët i një të vërtete të shkruar afro 2.000 vjet më parë: «Ju etër, mos provokoni për zemërim [acaroni, BR] bijtë tuaj, që të mos i lëshojë zemra.» (Kolosianëve 3:21) Abuzimi gojor dhe emocional nga prindërit, pa dyshim i acaron fëmijët dhe mund të shkaktojë vërtet që si rezultat t’i lëshojë zemra.
Sipas librit Të rritesh i trishtuar (Growing Up Sad), jo shumë kohë më parë mjekët mendonin se depresioni i fëmijërisë nuk ekzistonte. Por koha dhe përvoja kanë provuar të kundërtën. Sot, pohojnë autorët e këtij libri, depresioni i fëmijërisë është i njohur dhe aspak i pazakontë. Midis shkaqeve që e shkaktojnë atë janë mospranimi dhe keqtrajtimi nga prindërit. Autorët shpjegojnë: «Në disa raste prindi e ka nënshtruar fëmijën ndaj një breshërie të vazhdueshme kritikash dhe poshtërimesh. Në raste të tjera ka vetëm një boshllëk në marrëdhëniet prindër-fëmijë: prindi nuk e shpreh asnjëherë dashurinë e tij për fëmijën. . . . Rezultati është veçanërisht tragjik për fëmijët e këtyre prindërve, sepse për një fëmijë, ashtu si edhe për një të rritur, dashuria është njësoj si drita e diellit dhe uji për një bimë.»
Përmes dashurisë prindërore, nëse ajo është e shprehur qartë dhe pa rezerva, fëmijët mësojnë një të vërtetë të rëndësishme: Janë të denjë për t’u dashur, vlejnë diçka. Shumë e ngatërrojnë këtë koncept për një formë arrogance, një dashuri për veten më shumë se për të tjerët. Por në këtë kontekst, nuk është kjo domethënia. Një autore thotë në librin e saj mbi këtë temë: «Opinioni që ka fëmija juaj për veten ndikon në llojin e miqve që zgjedh, si ia del mbanë me të tjerët, llojin e personit me të cilin do të martohet dhe se sa produktiv do të jetë.» Bibla e njeh se sa e rëndësishme është të kesh një pikëpamje të ekuilibruar, jo egoiste për veten pasi rendit si të dytin urdhër më të madh: «Duaje të afërmin tënd porsi vetveten.»—Mateu 22:38, 39.
E kemi të vështirë të imagjinojmë që një prind normal të dëshirojë të shkatërrojë një gjë kaq të rëndësishme dhe delikate, siç është vlerësimi që ka fëmija i tij për veten. Atëherë, përse kjo gjë ndodh kaq shpesh? Dhe si mund të parandalohet ajo?
[Shënimi]
a Në japonisht, noroma baka!