Shkatërrimet natyrore: Ndihmojeni fëmijën që t’i përballojë ato
TËRMETET, uraganet, zjarret, përmbytjet, stuhitë: sa të pafuqishëm jemi para furisë së natyrës! Shpesh, të rriturit kanë parë se mund të kalojnë vite para se imazhet e tmerrshme të ngulitura në mendje si pasojë e një shkatërrimi natyror, të fillojnë të zhduken nga kujtesa. Nuk është për t’u çuditur fakti që fëmijët mund të kenë nevojë për një ndihmë më të madhe që të marrin veten nga përvoja të tilla.
Agjensia Federale Amerikane për Emergjencat (FEMA) komenton se menjëherë pas një shkatërrimi, fëmijët normalisht kanë frikë se (1) do të mbeten vetëm, (2) do të ndahen nga familja, (3) ngjarja do të ndodhë përsëri dhe (4) ndokush do të mbetet i plagosur apo i vrarë. Çfarë mund të bëni ju si prind për t’i pakësuar ankthin fëmijës suaj nga pasojat e një shkatërrimi? FEMA jep këto sugjerime.a
Përpiquni ta mbani familjen së bashku. Qëndrimi së bashku e bën fëmijën të ndihet më i sigurt dhe ia zvogëlon frikën se do të braktiset. Është më mirë të mos i lini fëmijët me të afërmit, miqtë apo pranë ndonjë qendre evakuimi, ndërsa kërkoni ndihmë. «Fëmijët janë në ankth,—vëren FEMA,—dhe do të shqetësohen se prindërit nuk kthehen.» Nëse ju duhet të shkoni diku, po të jetë e mundur merreni fëmijën me vete. Në këtë mënyrë, «ka më pak mundësi që fëmija të zhvillojë zakonin që të ngjeshet pas jush gjithë frikë».
Gjeni kohë për të shpjeguar situatën me qetësi dhe në mënyrë të vendosur. Tregojini fëmijës gjithë sa dini rreth shkatërrimit. Nëse është e nevojshme, përsëritini shpjegimet disa herë me radhë. Thuajini se çfarë do të ndodhë më pas. Për shembull, mund të thoni: «Sonte do të qëndrojmë të gjithë së bashku në një strehim.» Flitni me fëmijët, duke u përkulur për t’i parë në sy, duke u ulur në gjunjë nëse shihet e nevojshme.
Inkurajojeni fëmijën të flasë. «Komunikimi është shumë i dobishëm për t’i ulur ankthin fëmijës»,—thekson FEMA. Dëgjoni se çfarë ju thotë secili nga fëmijët mbi shkatërrimin dhe mbi frikën që ka. (Krahaso Jakovit 1:19.) Thuajini se frika është normale. Nëse duket se fëmija ngurron për t’u shprehur, bëjeni të kuptojë se edhe ju keni frikë. Duke vepruar kështu, mund të jetë më e lehtë për të që të shprehë frikën, duke i ulur në këtë mënyrë ankthin. (Krahaso Proverbat 12:25.) «Nëse është e mundur, përfshij gjithë familjen në bisedë.»
Përfshijini edhe fëmijët në punët për pastrim. Kur pastroni apo riparoni shtëpinë, caktojuni fëmijëve detyrat e veta. «Duke u marrë me diçka, do ta kenë më të lehtë të kuptojnë se gjithçka do të rregullohet.» Megjithatë, një fëmijë shumë i vogël zakonisht ka nevojë për një kujdes të veçantë. FEMA shpjegon: «Fëmija i vogël mund të ketë nevojë për më shumë kujdes fizik, për t’u mbajtur më shumë në krahë dhe kjo gjë e bën më të vështirë për prindërit që të merren me gjëra të tjera që duhen bërë. Mjerisht, s’ka rrugë tjetër. Nëse nevojat e fëmijës nuk plotësohen, problemi do të vazhdojë për një kohë më të gjatë.»
Duhet mbajtur në mend një pikë e fundit. FEMA i këshillon prindërit: «Në fund të fundit, jeni ju që duhet të vendosni se çfarë është më e mirë për fëmijët tuaj.» Zbatimi i këtyre udhëzimeve mund t’ju ndihmojë që ta zgjidhni një situatë të vështirë në mënyrën më të mirë.
[Shënimi]
a Të marra nga botimet Të ndihmojmë fëmijët për të përballuar shkatërrimin dhe Të përballojmë reagimet e fëmijëve ndaj stuhive dhe shkatërrimeve të tjera, botuar nga FEMA.