Dashuria e krishterë mes katastrofave në Meksikë
NJË gazetë e qytetit Meksiko, raportonte: «Gjatë 20 ditëve të fundit, fenomenet natyrore si tufanet dhe një tërmet, janë shtrirë deri në brigjet meksikane, duke lënë pas vragën e vdekjes dhe të shkatërrimit.»—El Financiero, 17 tetor 1995.
Në tetorin e kaluar, shtetet meksikane të Kampeçit, Kuinta Roo dhe Tabaskos u dëmtuan rëndë nga tufani Opal. U vranë gati 200 njerëz, u plagosën më shumë se 150 të tjerë, 500.000 pësuan dëme dhe mijëra shtëpi u dëmtuan ose u shkatërruan plotësisht.
Menjëherë sapo zyra e degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Meksikë dëgjoi mbi dëmtimin, dërgoi një person për t’u informuar se cila ishte gjendja e Dëshmitarëve në zonat e prekura. U zbulua se më shumë se 2.500 prej tyre kishin qenë të detyruar të linin shtëpitë. Këta ishin mirëpritur me dashamirësi në shtëpitë e Dëshmitarëve të tjerë.
Ishin organizuar qendra për lehtësim. Për ata që ishin në nevojë u sigurua ushqim, veshmbathje dhe të holla. Pasi ujërat e përmbytjes u tërhoqën, Dëshmitarët filluan të rindërtonin shtëpitë e vëllezërve të tyre të krishterë.
Më 9 tetor, një tërmet i fuqishëm prej 7,6 ballë sipas shkallës Rihter, dëmtoi shtetet meksikane të Kolimës dhe të Jaliskos. U dëmtuan rëndë tetë Salla Mbretërie të Dëshmitarëve të Jehovait. Dymbëdhjetë nga shtëpitë e tyre u shembën dhe rreth 65 u dëmtuan. Edhe këtë herë u organizua një komitet lehtësimi dhe u sigurua ndihmë.
Më pas, më 20 tetor, ra një tërmet tjetër, i cili shkundi shtetin Kiapas. Shtëpitë e 88 Dëshmitarëve të tjerë u shkatërruan dhe 38 prej tyre u dëmtuan rëndë. Dy Salla të Mbretërisë ishin rrafshuar përtokë dhe katër të tjera ishin dëmtuar keq. Pothuajse në të njëjtën kohë, ujërat e shoqëruara me tufanin Roksan dëmtuan shtëpitë e rreth 80 Dëshmitarëve në shtetin Verakruz. Katër shtëpi u shkatërruan plotësisht. Për këto viktima u sigurua menjëherë një fond lehtësimi nga Dëshmitarët e Jehovait.
Megjithëse disa Dëshmitarë pësuan thyerje dhe mavijosje, asnjë nuk vdiq në këto katastrofa natyrore. U dërguan gjithsej rreth 24 tonë ushqim dhe 4 tonë veshmbathje për ata që ishin në nevojë. Shumë vëzhgues shprehën admirim për këtë vepër të dhënies së ndihmës. Një zonjë në Kolima, tha: «Kisha dëgjuar se Dëshmitarët e Jehovait janë shumë të bashkuar, por tani po e shoh me sytë e mi.»
Vazhdimisht njerëzit komentonin mbi Dëshmitarët dhe veprën e tyre të ndihmës: «Këta janë me të vërtetë vëllezër.» «Ata janë grupi më i organizuar.» Disa të tjerë dëgjoheshin tek thoshin: «Po të punonin të gjitha grupet e lehtësimit që erdhën si Dëshmitarët e Jehovait, i gjithë qyteti tani do të ishte i pastër.»
Tani, më shumë se 440.000 Dëshmitarë po u ndajnë meksikanëve të tjerë lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë. Dashuria që ata treguan për njëri-tjetrin gjatë këtyre katastrofave natyrore të kohëve të fundit, dha një dëshmi të fuqishme.—Gjoni 13:34, 35.