BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • nwt 1 Gjonit 1:1-5:21
  • 1 Gjonit

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • 1 Gjonit
  • Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re 2019
Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re 2019
1 Gjonit

LETRA E PARË E GJONIT

1 Po ju shkruajmë për atë që ekzistonte që nga fillimi, që e dëgjuam të fliste, që e pamë me sytë tanë, që e vështruam e që duart tona e prekën, po, për fjalën e jetës+ 2 (në fakt jeta u shfaq dhe ne e pamë, e për të po japim dëshmi+ e po ju flasim, po, kjo jetë e përhershme,+ që erdhi nga Ati, na u shfaq neve). 3 Atë që pamë e që dëgjuam po jua shpallim edhe juve,+ që edhe ju të lidheni ngushtë* me ne, sepse ne jemi lidhur ngushtë me Atin dhe me Birin e tij, Jezu Krishtin.+ 4 Këto gjëra po jua shkruajmë që gëzimi ynë të jetë i plotë.

5 Lajmi që dëgjuam nga Jezui dhe që po jua shpallim juve, është ky: Perëndia është dritë,+ dhe tek ai nuk ka kurrfarë errësire. 6 Nëse themi: «Ne jemi të lidhur ngushtë me të», mirëpo vazhdojmë të ecim në errësirë, po gënjejmë dhe nuk po jetojmë sipas së vërtetës.+ 7 Por, nëse ecim në dritë, sikurse ai vetë është në dritë, jemi të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin, dhe gjaku i Jezuit, Birit të tij, na pastron nga çdo mëkat.+

8 Nëse themi: «Nuk kemi asnjë mëkat», mashtrojmë veten+ dhe nuk e kemi të vërtetën në zemrat tona. 9 Por, nëse i rrëfejmë mëkatet tona, Perëndia është besnik* dhe i drejtë, e kështu do të na i falë mëkatet dhe do të na pastrojë nga çdo padrejtësi.+ 10 Nëse themi: «Nuk kemi mëkatuar», e nxjerrim atë gënjeshtar dhe nuk e kemi fjalën e tij në zemrat tona.

2 Fëmijët e mi të vegjël, këto gjëra po jua shkruaj që të mos kryeni mëkat. Megjithatë, edhe nëse ndonjëri kryen mëkat, ne kemi një ndihmës* pranë Atit: Jezu Krishtin,+ që është i drejtë.+ 2 E ai është një flijim pajtues*+ për mëkatet tona,+ madje jo vetëm për tonat, por edhe për ato të të gjithë botës.+ 3 Nga kjo e kuptojmë që kemi arritur ta njohim atë: nëse vazhdojmë të zbatojmë urdhërimet e tij. 4 Ai që thotë: «Unë kam arritur ta njoh», por nuk i zbaton urdhërimet e tij, është gënjeshtar dhe nuk e ka të vërtetën në zemër. 5 Por ai që e zbaton fjalën e tij, e ka bërë vërtet të përsosur* në zemër dashurinë e Perëndisë.+ Nga kjo e dimë se jemi në unitet me të.+ 6 Ai që thotë se qëndron në unitet me të, e ka për detyrë të ecë* si Jezui.+

7 Të dashur, nuk po ju jap një urdhërim të ri, por po ju shkruaj për një urdhërim të vjetër, të cilin e keni pasur që në fillim.+ Ky urdhërim i vjetër është fjala që dëgjuat. 8 E prapëseprapë, urdhërimi për të cilin po ju shkruaj është i ri. Ashtu si ai,* edhe ju e keni zbatuar atë, e tani errësira po kalon dhe drita e vërtetë po ndriçon.+

9 Kush thotë se është në dritë, mirëpo urren+ vëllanë e vet, është ende në errësirë.+ 10 Kush e do vëllanë e vet, qëndron në dritë+ dhe s’ka asgjë që ta pengojë.* 11 Por, kush e urren vëllanë e vet, është në errësirë dhe ecën në errësirë,+ e nuk e di ku shkon,+ sepse errësira ia ka verbuar sytë.

12 Po ju shkruaj, o fëmijët e mi të vegjël, sepse mëkatet ju janë falur për hir të emrit të tij.+ 13 Po ju shkruaj, o etër, sepse keni arritur ta njihni atë që ekziston që nga fillimi. Po ju shkruaj, o të rinj, sepse e mundët të Ligun.+ Po ju shkruaj, o fëmijët e mi të vegjël, sepse keni arritur ta njihni Atin.+ 14 Ju shkruaj, o etër, sepse keni arritur ta njihni atë që ekziston që nga fillimi. Ju shkruaj, o të rinj, sepse ju jeni të fortë+ dhe fjala e Perëndisë qëndron në zemrat tuaja,+ e ju e mundët të Ligun.+

15 Mos e doni as botën, as gjërat që janë në botë.+ Nëse dikush e do botën, dashuria e Atit nuk është në të,+ 16 sepse gjithçka e botës—dëshirat e trupit mëkatar,*+ dëshirat e syve+ dhe mburrja* me të mirat materiale—nuk vjen nga Ati, por nga bota. 17 Veç kësaj, bota po kalon,* e po kështu edhe dëshirat e saj,+ por ai që bën vullnetin e Perëndisë, mbetet në jetë të jetëve.+

18 Fëmijët e mi të vegjël, është ora e fundit dhe, siç keni dëgjuar, duhet të vijë antikrishti.+ Por tashmë kanë dalë shumë antikrishtër,+ e nga kjo e kuptojmë se është ora e fundit. 19 Ata u larguan nga gjiri ynë, sepse nuk ishin nga tanët;*+ po të kishin qenë tanët, do të kishin qëndruar me ne. Por ata u larguan, që të tregohej qartë se jo të gjithë janë tanët.+ 20 Kurse ju jeni mirosur* me frymën e të Shenjtit+ dhe të gjithë ju e njihni të vërtetën. 21 Ju shkruaj, jo ngaqë nuk e njihni të vërtetën,+ por ngaqë e njihni, dhe ngaqë asnjë gënjeshtër nuk buron nga e vërteta.+

22 Kush është gënjeshtari, përveç atij që mohon se Jezui është Krishti?+ Ky është antikrishti,+ ai që mohon edhe Atin, edhe Birin. 23 Kushdo që mohon Birin, nuk ka lidhje me Atin.+ Por kushdo që pranon Birin,+ ka lidhje edhe me Atin.+ 24 Sa për ju, ajo që dëgjuat që në fillim, duhet të qëndrojë në zemrat tuaja.+ Nëse ajo që dëgjuat që në fillim, qëndron në zemrat tuaja, edhe ju do të qëndroni në unitet me Birin dhe Atin. 25 Për më tepër, ky është premtimi që ai vetë na bëri: jeta e përhershme.+

26 Këto gjëra po jua shkruaj për ata që po përpiqen t’ju mashtrojnë. 27 Dhe, sa për ju, i Shenjti ju ka mirosur me frymën e tij,+ dhe ajo qëndron te ju. Ja pse nuk keni nevojë t’ju mësojë dikush, sepse kjo mirosje, që është e vërtetë e jo gënjeshtër, po ju mëson gjithçka.+ Ashtu si ju ka mësuar ajo, qëndroni në unitet me të.+ 28 Prandaj, fëmijët e mi të vegjël, qëndroni në unitet me të, që kur ai* të shfaqet, të kemi liri fjale+ e të mos strukemi të turpëruar gjatë pranisë së tij. 29 Nëse e dini që ai është i drejtë, atëherë e dini edhe se, kush ecën në udhën e drejtësisë, ka lindur nga Perëndia.*+

3 Shihni sa e madhe është dashuria e Atit për ne,+ i cili na lejon të quhemi fëmijë të Perëndisë,+ dhe të tillë jemi. Ja pse bota nuk na njeh,+ sepse nuk ka arritur ta njohë atë.+ 2 Të dashur, tani ne jemi fëmijë të Perëndisë,+ por ende nuk është treguar qartë ç’do të jemi në të ardhmen.+ Dimë vetëm se, kur ai të shfaqet, ne do të jemi si ai, sepse do ta shohim ashtu siç është. 3 E kushdo që shpreson tek ai,* pastrohet+ sepse ai është i pastër.

4 Kush ecën në udhën e mëkatit, shkel edhe ligjin, sepse mëkati është paligjshmëri.* 5 Ju e dini gjithashtu, se ai u shfaq për të hequr mëkatet tona,+ dhe tek ai nuk ka mëkat. 6 Kush qëndron në unitet me të, nuk ecën në udhën e mëkatit;+ kush ecën në udhën e mëkatit, as e ka parë e as ka arritur ta njohë atë. 7 Fëmijët e mi të vegjël, askush të mos ju mashtrojë; kush ecën në udhën e drejtësisë, është i drejtë, siç është i drejtë edhe ai. 8 Kush ecën në udhën e mëkatit, vjen nga Djalli, sepse Djalli ka mëkatuar që nga fillimi.*+ Për këtë qëllim u shfaq Biri i Perëndisë, për të zhbërë* veprat e Djallit.+

9 Kush ka lindur nga Perëndia, nuk ecën në udhën e mëkatit,+ sepse fryma* e Perëndisë qëndron tek ai; ai s’mund të ecë në udhën e mëkatit, sepse ka lindur nga Perëndia.*+ 10 Nga kjo duken fëmijët e Perëndisë dhe fëmijët e Djallit: ai që nuk ecën në udhën e drejtësisë, nuk vjen nga Perëndia, dhe as ai që nuk e do vëllanë e vet,+ 11 sepse lajmi që dëgjuat që nga fillimi, është që ta duam njëri-tjetrin+ 12 e të mos jemi si Kaini që vinte nga i Ligu dhe vrau vëllanë e vet.+ E për çfarë e vrau? Ngaqë veprat e veta ishin të liga,+ kurse ato të vëllait të vet ishin të drejta.+

13 Vëllezër, mos u çuditni që bota ju urren.+ 14 Ne e dimë se kemi kaluar nga vdekja në jetë,+ sepse i duam vëllezërit.+ Ai që nuk ka dashuri, mbetet në kthetrat e vdekjes.+ 15 Ai që urren vëllanë e vet, është vrasës,+ dhe ju e dini se tek asnjë vrasës nuk mbetet shpresa e jetës së përhershme.+ 16 Nga kjo e kemi njohur ç’është dashuria, nga fakti që ai dha jetën* për ne.+ Prandaj edhe ne e kemi për detyrë të japim jetën* për vëllezërit tanë.+ 17 Por si mund ta dojë Perëndinë ai që ka gjithë të mirat e kësaj bote, e megjithatë, kur sheh vëllanë e vet në nevojë, e mbyll zemrën e nuk i tregon dhembshuri?+ 18 Fëmijët e mi të vegjël, le të mos duam veç me fjalë e me gojë të ëmbël,+ por me vepra+ e me të vërtetë.*+

19 Nga kjo dashuri do ta dimë se vijmë nga e vërteta dhe do të sigurojmë* zemrën tonë para tij 20 për gjithçka që zemra mund të na dënojë, sepse Perëndia është më i madh se zemra jonë dhe di gjithçka.+ 21 Të dashur, nëse zemra nuk na dënon, mund të flasim pa ndrojtje me Perëndinë,+ 22 dhe marrim nga ai çdo gjë që i kërkojmë,+ sepse zbatojmë urdhërimet e tij dhe bëjmë atë që është e pëlqyeshme në sytë e tij. 23 Vërtet, urdhërimi i tij është ky: të kemi besim në emrin e Birit të tij, Jezu Krishtit,+ dhe të duam njëri-tjetrin,+ ashtu si na urdhëroi ai. 24 Veç kësaj, kush zbaton urdhërimet e tij, qëndron në unitet me të, dhe ky në unitet me atë.+ Falë frymës së shenjtë që ai na dha, e kuptojmë se ai qëndron në unitet me ne.+

4 Të dashur, mos i besoni çdo thënieje* të frymëzuar,+ por vërini në provë ato për të parë nëse vijnë nga Perëndia,+ sepse shumë profetë të rremë kanë dalë në botë.+

2 Ja si mund ta kuptoni se thënia e frymëzuar vjen nga Perëndia: çdo thënie e frymëzuar që pranon se Jezu Krishti erdhi në tokë si njeri,* vjen nga Perëndia.+ 3 Por çdo thënie e frymëzuar që nuk e pranon hapur Jezuin, nuk vjen nga Perëndia.+ Në fakt, kjo është thënia e frymëzuar e antikrishtit, për të cilin keni dëgjuar se po vinte,+ e tashmë është në botë.+

4 Ju vini nga Perëndia, fëmijët e mi të vegjël, dhe i keni mundur* profetët e rremë,+ sepse Ai që është në unitet me ju,+ është më i madh se ai që është në unitet me botën.+ 5 Ata vijnë nga bota,+ prandaj thonë atë që vjen nga bota, dhe bota i dëgjon.+ 6 Ne vijmë nga Perëndia; kush arrin ta njohë Perëndinë, na dëgjon,+ kush nuk vjen nga Perëndia, nuk na dëgjon.+ Kështu e dallojmë thënien e frymëzuar të së vërtetës nga thënia e frymëzuar e mashtrimit.+

7 Të dashur, le të vazhdojmë të duam njëri-tjetrin,+ sepse dashuria buron nga Perëndia, e kush ka dashuri, ka lindur nga Perëndia* dhe e njeh Perëndinë.+ 8 Kush nuk ka dashuri, nuk ka arritur ta njohë Perëndinë, sepse Perëndia është dashuri.+ 9 Perëndia e tregoi dashurinë ndaj nesh duke dërguar Birin e tij të vetëmlindur*+ në botë, që ne të fitonim jetën nëpërmjet tij.+ 10 Ja çfarë do të thotë dashuri: jo se ne e deshëm Perëndinë, por se ai na deshi dhe dërgoi Birin e tij si një flijim pajtues*+ për mëkatet tona.+

11 Të dashur, nëse Perëndia na deshi në këtë mënyrë, atëherë edhe ne e kemi për detyrë ta duam njëri-tjetrin.+ 12 Askush nuk e ka parë kurrë Perëndinë.+ Por nëse vazhdojmë ta duam njëri-tjetrin, Perëndia qëndron me ne dhe dashuria e tij bëhet e përsosur* mes nesh.+ 13 Nga kjo e kuptojmë se po qëndrojmë në unitet me të dhe ai në unitet me ne, nga fakti që ai na dha frymën e tij. 14 Veç kësaj, ne e kemi parë me sytë tanë dhe japim dëshmi se Ati dërgoi Birin e tij si shpëtimtar të botës.+ 15 Kushdo që e pranon se Jezui është Biri i Perëndisë,+ është në unitet me Perëndinë, dhe Perëndia qëndron në unitet me të.+ 16 Ne e kemi kuptuar ç’dashuri ka Perëndia për ne dhe jemi të bindur për këtë dashuri.+

Perëndia është dashuri,+ dhe ai që tregon gjithnjë dashuri, qëndron në unitet me Perëndinë, dhe Perëndia qëndron në unitet me të.+ 17 Kështu dashuria është bërë e përsosur mes nesh, që të kemi liri fjale*+ në ditën e gjykimit, sepse, ashtu siç është ai,* kështu jemi edhe ne në këtë botë. 18 Nuk ka frikë në dashuri,+ përkundrazi dashuria e përsosur* e hedh tej* frikën, sepse frika vepron si fre. Vërtet, ai që ka frikë, nuk është bërë i përsosur në dashuri.+ 19 Ne kemi dashuri, sepse Perëndia na deshi i pari.+

20 Nëse dikush thotë: «Unë e dua Perëndinë», mirëpo urren vëllanë e vet, është gënjeshtar,+ sepse ai që nuk do vëllanë e vet,+ të cilin e sheh, nuk mund të dojë as Perëndinë, të cilin nuk e sheh.+ 21 Nga ai kemi këtë urdhërim: ai që do Perëndinë, duhet të dojë edhe vëllanë e vet.+

5 Kushdo që beson se Jezui është Krishti, ka lindur nga Perëndia,*+ dhe kushdo që e do Atin, i do edhe fëmijët e Perëndisë, 2 dhe e dimë se i duam fëmijët e Perëndisë+ kur duam Perëndinë dhe kur zbatojmë urdhërimet e tij. 3 Vërtet, kjo do të thotë dashuri për Perëndinë: të zbatojmë urdhërimet e tij.+ E megjithatë, urdhërimet e tij nuk janë të rënda,*+ 4 sepse kushdo* që ka lindur nga Perëndia, e mund botën,+ dhe kjo është fitorja që e mundi botën: besimi ynë.+

5 Kush është ai që mund botën?+ A nuk është ai që ka besim se Jezui është Biri i Perëndisë?+ 6 Jezu Krishti erdhi nëpërmjet ujit dhe gjakut; jo vetëm me ujë,+ por me ujë e me gjak.+ E për këtë jep dëshmi fryma e shenjtë,+ sepse fryma zbulon të vërtetën.* 7 Në fakt janë tre dëshmitarë: 8 fryma,+ uji+ dhe gjaku,+ dhe që të tre janë në përputhje me njëri-tjetrin.

9 Ne e pranojmë dëshminë që japin njerëzit, por sa më e madhe është dëshmia që jep Perëndia, sepse vetë Perëndia ka dhënë dëshmi për Birin e tij. 10 Ai që tregon besim te Biri i Perëndisë, e ka pranuar në zemër këtë dëshmi. Ai që nuk ka besim te Perëndia, e ka nxjerrë atë gënjeshtar,+ sepse nuk ka treguar besim te dëshmia që dha Perëndia për Birin e tij. 11 E kjo është dëshmia: Perëndia na dha jetën e përhershme,+ dhe kjo jetë vjen nga Biri i tij.+ 12 Ai që është në unitet me Birin e Perëndisë, ka jetë të përhershme; ai që nuk është në unitet me Birin, nuk ka jetë të përhershme.+

13 Këto gjëra jua shkruaj juve, që të dini se keni jetë të përhershme,+ juve që tregoni besim në emrin e Birit të Perëndisë.+ 14 E kjo është siguria që kemi tek ai:+ ai na dëgjon për çdo gjë që i kërkojmë sipas vullnetit të tij.+ 15 Nëse e dimë se ai na dëgjon për çdo gjë që i kërkojmë, e dimë edhe se do t’i marrim ato që kërkuam, sepse ia kërkuam atij.+

16 Nëse dikush sheh vëllanë e vet duke bërë një mëkat që nuk çon në vdekje, le të lutet për të, dhe Perëndia do t’i japë atij jetë;+ po, Ai do t’u japë jetë atyre që nuk bëjnë mëkate që çojnë në vdekje. Ama ka një mëkat që çon në vdekje.+ Për atë mëkat unë nuk i them të lutet. 17 Çdo padrejtësi është mëkat.+ Megjithatë, ka një mëkat që nuk çon në vdekje.

18 Ne e dimë se çdo njeri që ka lindur nga Perëndia, nuk ecën në udhën e mëkatit, dhe përderisa Biri i Perëndisë* e mbron, i Ligu nuk e prek dot atë me dorë.*+ 19 Ne e dimë se vijmë nga Perëndia, kurse e gjithë bota dergjet nën pushtetin e të Ligut.+ 20 Por ne e dimë se Biri i Perëndisë ka ardhur,+ dhe ai na ka dhënë gjykim të thellë* që të fitojmë njohuri për të Vërtetin. E me anë të Birit të tij, Jezu Krishtit, ne jemi në unitet me të Vërtetin.+ Ky është Perëndia i vërtetë dhe burimi i jetës së përhershme.+ 21 Fëmijët e mi të vegjël, ruhuni nga idhujt.+

Ose «të keni pjesë bashkë».

Ose «i besueshëm».

Ose «mbrojtës».

Ose «një flijim shlyes; flijim qetësues».

Ose «të plotë».

Ose «të jetojë».

Domethënë, Jezu Krishti.

Një mundësi tjetër «dhe nuk i pengon të tjerët».

Fjalë për fjalë «e mishit». Shih Fjalorthin.

Ose «kapardisja për t’u dukur».

Ose «po merr fund».

Ose «nuk na përkitnin neve».

Shih Fjalorthin.

Domethënë, Jezu Krishti.

Ose «është bërë fëmijë i Perëndisë».

Ose «që ka këtë shpresë».

Kjo fjalë shpesh nënkupton shpërfillje ndaj ligjeve të Perëndisë.

Ose «që kur filloi udhën e tij». Domethënë, që kur filloi udhën e tij të mbrapshtë.

Ose «për të asgjësuar».

Fjalë për fjalë «fara». Domethënë, një farë që jep fryt.

Ose «është bërë fëmijë i Perëndisë».

Ose «shpirtin».

Ose «shpirtin».

Ose «e me sinqeritet».

Ose «bindim».

Fjalë për fjalë «çdo fryme». Shih Fjalorthin.

Fjalë për fjalë «në mish».

Ose «i keni mposhtur».

Ose «është bërë fëmijë i Perëndisë».

Ose «të vetëm». Domethënë, i vetmi bir që u krijua drejtpërdrejt nga Perëndia.

Ose «një flijim shlyes; flijim qetësues».

Ose «e plotë».

Ose «që të mos kemi ndrojtje».

Domethënë, Jezu Krishti.

Ose «e plotë».

Ose «e largon».

Ose «është bërë fëmijë i Perëndisë».

Ose «nuk bëhen barrë».

Fjalë për fjalë «çdo gjë».

Fjalë për fjalë «është e vërteta».

Domethënë, Jezu Krishti.

Ose «nuk e shtie dot atë në dorë».

Ose «aftësi perceptuese; inteligjencë».

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo