LETRA E DYTË E PJETRIT
1 Simon Pjetri, skllav dhe apostull i Jezu Krishtit, drejtuar atyre që tani kanë të njëjtin besim të çmuar* si tonin, falë drejtësisë së Perëndisë tonë, si edhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht:
2 Paçi gjithnjë e më shumë mirësi të pamerituar* dhe paqe nëpërmjet njohurisë së saktë+ për Perëndinë dhe për Jezuin, Zotërinë tonë! 3 Me fuqinë e tij, Perëndia na ka dhënë* gjithçka na nevojitet që të kemi jetë e të jemi të përkushtuar ndaj tij, ngaqë kemi fituar njohuri të saktë për Atë që na thirri+ nëpërmjet lavdisë dhe virtytit të vet. 4 Me anë të tyre ai na ka dhënë* premtimet e tij të çmuara e madhështore+ që, nëpërmjet këtyre premtimeve, të mund të keni natyrë hyjnore,*+ përderisa jeni çliruar nga mbrapshtia e botës, ky fryt i dëshirave të gabuara.*
5 Pikërisht, për këtë arsye, bëni çmos+ që t’i shtoni besimit tuaj virtytin,+ virtytit njohurinë,+ 6 njohurisë vetëkontrollin, vetëkontrollit+ qëndrueshmërinë, qëndrueshmërisë përkushtimin ndaj Perëndisë,*+ 7 përkushtimit ndaj Perëndisë përzemërsinë vëllazërore, përzemërsisë vëllazërore, dashurinë.+ 8 Po t’i keni këto cilësi, madje po të vërshojnë te ju, ato nuk do të lejojnë të bëheni joaktivë a të pafrytshëm,+ por do t’ju nxitin ta vini në zbatim njohurinë e saktë për Zotërinë tonë Jezu Krisht.
9 Kush nuk i ka këto cilësi, është i verbër, i mbyll sytë para dritës*+ dhe ka harruar që është pastruar nga mëkatet+ e dikurshme. 10 Prandaj, vëllezër, përpiquni gjithnjë e më shumë që të siguroheni për thirrjen+ dhe zgjedhjen tuaj, sepse, nëse vazhdoni t’i zhvilloni këto cilësi, nuk do të dështoni kurrsesi.+ 11 Madje, në këtë mënyrë do t’ju hapet udha për të hyrë gjithë lavdi* në Mbretërinë e përjetshme+ të Zotërisë dhe të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht.+
12 Për këtë arsye, kam ndër mend t’jua kujtoj këto gjëra gjithnjë, ndonëse tashmë i dini dhe jeni të rrënjosur në të vërtetën. 13 Më duket me vend që t’ju nxit nëpërmjet përkujtuesve të mi+ për sa kohë të jem në këtë tendë,*+ 14 sepse e di që së shpejti do të më duhet ta lë këtë tendë, sikurse ma tregoi fare qartë edhe Zotëria ynë, Jezu Krisht.+ 15 Prandaj do të bëj gjithnjë të pamundurën, që të mund t’i kujtoni vetë këto gjëra edhe pasi të largohem.
16 Jo, nuk shkuam pas përrallave të sajuara me mjeshtëri kur ju treguam për fuqinë dhe praninë e Zotërisë tonë Jezu Krisht, por ishim dëshmitarë okularë të madhështisë së tij,+ 17 sepse Perëndia, Ati, burimi i lavdisë madhështore, i dha nder dhe lavdi kur tha këto fjalë:* «Ky është Biri im, Biri im i dashur, që unë vetë e kam miratuar.»+ 18 Po, këto fjalë i dëgjuam nga qielli ndërsa ishim bashkë me të në malin e shenjtë.
19 Prandaj, për ne fjala profetike është edhe më e sigurt, dhe ju bëni mirë t’i kushtoni asaj vëmendje si një llambe+ që ndriçon në një vend të errët, në zemrat tuaja, derisa të agojë dita e të ngrihet ylli i mëngjesit.+ 20 Mbi të gjitha, ju e dini se asnjë profeci e Shkrimit nuk buron nga ndonjë interpretim personal, 21 sepse profecitë nuk kanë ardhur kurrë nga iniciativa e njerëzve,+ por njerëzit kanë thënë mesazhin e Perëndisë, të shtyrë nga fryma e shenjtë.+
2 Megjithatë, edhe mes popullit të Izraelit kishte profetë të rremë, sikurse edhe mes jush do të ketë mësues të rremë.+ Këta do të krijojnë tinëzisht mes jush sekte shkatërrimtare për besimin e do të mohojnë madje edhe pronarin që i bleu,+ duke sjellë kështu mbi veten një shkatërrim të shpejtë. 2 Veç kësaj, shumë do të imitojnë sjelljen e tyre të pacipë*+ dhe, për shkak të tyre, udha e së vërtetës do të shahet.+ 3 Gjithashtu, meqë janë lakmitarë, do t’ju bëjnë për vete me fjalë të rreme për t’ju shfrytëzuar. Megjithatë gjykimi kundër tyre, ndonëse u vendos kohë më parë,+ nuk po vonon, dhe shkatërrimi i tyre nuk po dremit.+
4 Pa dyshim, Perëndia nuk ua kurseu ndëshkimin engjëjve që mëkatuan,+ por i hodhi në Tartar*+ dhe i vuri në vargonjtë* e errësirës së dendur, që të ruhen për gjykim.+ 5 Gjithashtu, nuk ia kurseu ndëshkimin një bote të lashtë,+ por Noenë, një predikues drejtësie,+ e shpëtoi bashkë me shtatë të tjerë+ kur solli përmbytjen kundër një bote me njerëz që shpërfillnin Perëndinë.+ 6 E po njësoj, i dënoi qytetet e Sodomës e të Gomorrës duke i bërë shkrumb e hi,+ e kështu Perëndia u la njerëzve që e shpërfillnin një model të gjërave që do të vijnë.+ 7 Por e çliroi Lotin e drejtë,+ që vuante shumë nga sjellja e pacipë* e të ligjve, 8 sepse ditë për ditë këtij njeriu të drejtë i helmohej shpirti* nga veprat e liga* që shihte e dëgjonte ndërsa banonte mes tyre. 9 Kështu, pra, Jehovai* di t’i çlirojë nga sprovat njerëzit e përkushtuar ndaj tij+ dhe t’i ruajë për shkatërrim të padrejtët në ditën e gjykimit,+ 10 e sidomos ata që përbuzin autoritetin+ dhe që jepen pas epsheve për t’i ndotur të tjerët.*+
Këta kokëkrisur dhe kryeneçë nuk kanë frikë të flasin keq për të lavdishmit. 11 Kurse engjëjt, edhe pse më të fortë e më të fuqishëm, nuk flasin keq e nuk ngrenë asnjë akuzë kundër tyre nga respekti që kanë për* Jehovain.*+ 12 Por këta njerëz, si kafshë të paarsyeshme që veprojnë me instinkt dhe kanë ardhur në jetë* vetëm për t’u zënë si gjah, flasin keq për gjërat që faktikisht nuk i dinë.+ Ata do të shkatërrohen për udhën e tyre vdekjeprurëse 13 dhe i presin veç vuajtje si shpërblim për udhën e tyre të mbrapshtë.
Për ta është kënaqësi të jepesh pas një jete luksoze,+ madje në mes të ditës. Janë njolla dhe plagë! E ndërsa festojnë me ju, dëfrehen me mësimet e tyre mashtruese.*+ 14 Sytë i kanë plot epsh,*+ nuk heqin dot dorë nga mëkati dhe joshin të lëkundurit në besim. Zemrat i kanë gatuar* në lakmi. Janë fëmijë të mallkuar. 15 Kanë braktisur shtegun e drejtë dhe kanë hyrë në rrugë të shtrembër. Kanë ndjekur shtegun e Balamit,+ birit të Beorit, i cili lakmoi shpërblimin e ligësisë,+ 16 por u qortua ngaqë shkeli drejtësinë.+ Një kafshë barre e pagojë i preu rrugën çmendurisë së profetit kur i foli me zë njeriu.+
17 Këta janë burime pa ujë, mjegull që davaritet nga stuhi të furishme. Për ta ruhet terri i errësirës.+ 18 Ata thonë fjalë të fryra, por krejtësisht boshe. Me anë të dëshirave mëkatare*+ dhe sjelljes së pacipë,* i joshin ata që sapo janë çliruar nga kthetrat e njerëzve që ecin në udhë të shtrembër.+ 19 Atyre u premtojnë lirinë, por vetë janë skllevër të mbrapshtisë,+ sepse kushdo që mposhtet nga një tjetër, bëhet skllav i tij.*+ 20 Sigurisht, nëse përzihen përsëri me ndyrësitë e botës e mposhten prej tyre, pasi janë çliruar me anë të njohurisë së saktë+ për Zotërinë dhe Shpëtimtarin tonë Jezu Krisht, gjendja e tyre në fund është më e keqe se në fillim.+ 21 Për ta do të kishte qenë më mirë të mos e kishin njohur saktësisht shtegun e drejtësisë, sesa ta kishin njohur e pastaj t’ia kthenin krahët urdhërimit të shenjtë që morën.+ 22 Atyre u ndodhi ajo që thotë me të drejtë proverbi: «Qeni u kthye tek e vjella e vet dhe dosa e larë u kthye të zhgërryhet në llucë.»+
3 Të dashur, kjo është letra e dytë që po ju shkruaj, në të cilën, ashtu si në të parën, po ju nxis me anë të një përkujtuesi+ ta keni mendjen të kthjellët, 2 që të kujtoni fjalët që thanë më parë* profetët e shenjtë dhe urdhërimin që ju dha Zotëria e Shpëtimtari ynë nëpërmjet apostujve tuaj. 3 Së pari, mbani parasysh se në ditët e fundit do të ketë tallës që do të rendin pas dëshirave të veta,+ do të tallen 4 e do të thonë: «Ku është kjo prania* e tij e premtuar?!+ Se ja, që nga dita që paraardhësit tanë ranë në gjumin e vdekjes, të gjitha gjërat po vazhdojnë tamam siç ishin që në fillim të krijimit.»+
5 Mirëpo qëllimisht ata e shpërfillin faktin se, shumë kohë më parë, me anë të fjalës së Perëndisë,* u bënë qiejt dhe një tokë që qëndronte e patundur mbi ujë e në mes të ujit,+ 6 dhe me anë të këtyre bota e asaj kohe u shkatërrua kur u përmbyt.+ 7 E po me anë të fjalës së Perëndisë, qiejt dhe toka që ekzistojnë tani, janë rezervuar për zjarrin, dhe për këtë do të ruhen deri në ditën e gjykimit e të shkatërrimit të njerëzve që shpërfillin Perëndinë.+
8 Gjithsesi, të mos ju shpëtojë pa vënë re kjo, o të dashur, se për Jehovain* një ditë është si një mijë vjet, dhe një mijë vjet, si një ditë.+ 9 Jehovai* nuk vonon të plotësojë premtimin e tij,+ siç mendojnë disa, por është i duruar me ju, sepse nuk dëshiron që të shkatërrohet ndonjë, por dëshiron që të gjithë të pendohen.+ 10 E megjithatë, dita e Jehovait*+ do të vijë si një hajdut,+ në të cilën qiejt do të zhduken+ duke gjëmuar,* çdo element do të shkrihet nga nxehtësia tejet e madhe dhe toka e veprat e saj do të jenë të ekspozuara.*+
11 Meqë të gjitha këto gjëra do të shpërbëhen në këtë mënyrë, mendoni ç’lloj personash duhet të jeni: të shenjtë në gjithë sjelljen tuaj dhe të përkushtuar ndaj Perëndisë në çdo gjë që bëni, 12 ndërsa prisni dhe mbani gjithnjë në mend* praninë e ditës së Jehovait,*+ nëpërmjet së cilës qiejt do të shkatërrohen+ mes flakëve dhe elementët do të shkrihen nga nxehtësia tejet e madhe! 13 Mirëpo, sipas premtimit të tij, ne presim qiej të rinj e një tokë të re,+ ku do të mbretërojë* drejtësia.+
14 Prandaj, o të dashur, meqenëse pritni këto gjëra, bëni çmos që në fund ai t’ju gjejë të panjollë, të patëmetë e në paqe.+ 15 Veç kësaj, konsiderojeni durimin e Zotërisë tonë si shpëtim, sikurse ju shkroi edhe vëllai ynë i dashur Pavël sipas mençurisë që iu dha.+ 16 Ai ju ka folur për këto gjëra, siç bën në gjithë letrat e tij, edhe pse në to ka gjëra të vështira për t’u kuptuar, të cilat njerëzit e paditur* dhe të lëkundur në besim po i shtrembërojnë, siç bëjnë edhe me pjesën tjetër të Shkrimeve, dhe për këtë i pret shkatërrimi.
17 Prandaj, ju, o të dashur, duke pasur paraprakisht këtë njohuri, ruhuni që të mos mashtroheni nga mësimet e rreme të këtyre njerëzve të ligj dhe të mos humbitni qëndrimin tuaj të palëkundur.*+ 18 Përkundrazi, vazhdoni të merrni gjithnjë e më shumë mirësi të pamerituar dhe njohuri për Zotërinë dhe Shpëtimtarin tonë Jezu Krisht. Atij i qoftë lavdia tani dhe në përjetësi! Amin!
Ose «të privilegjuar».
Ose «dashamirësi të pamerituar». Shih Fjalorthin.
Ose «na ka dhënë falas».
Ose «na ka dhënë falas».
Ose «të bëheni krijesa qiellore».
Ose «epshore».
Ose «përkushtimin hyjnor». Shih Fjalorthin.
Një mundësi tjetër «është i verbër, dritëshkurtër».
Ose «do t’ju sigurohet një hyrje e lavdishme».
Ose «tabernakull», pra, trupi i tij si njeri në tokë.
Fjalë për fjalë «i tha ky zë».
Ose «sjelljen e tyre të paturp; përbuzëse». Shumësi i fjalës greke asélgeia. Shih Fjalorthin.
Shih Fjalorthin.
Një mundësi tjetër «në humnerat».
Ose «sjellja e paturp; përbuzëse». Greqisht, asélgeia. Shih Fjalorthin.
Ose «ky njeri e mundonte shpirtin». Shih Fjalorthin, «Shpirti».
Fjalë për fjalë «e paligjshme».
Shih Shtojcën A5.
Fjalë për fjalë «mishin e të tjerëve».
Ose «nuk ngrenë asnjë akuzë kundër tyre përpara».
Shih Shtojcën A5.
Ose «kanë ardhur në jetë prej natyre».
Ose «jepen me kënaqësi të shfrenuar pas mësimeve të tyre mashtruese».
Ose «plot kurorëshkelje».
Ose «stërvitur».
Fjalë për fjalë «të mishit». Shih Fjalorthin.
Ose «sjelljes së paturp; përbuzëse». Shumësi i fjalës greke asélgeia. Shih Fjalorthin.
Ose «që mposhtet nga diçka bëhet skllav i saj».
Ose «gjërat që parathanë».
Shih Fjalorthin.
Ose «me urdhër të Perëndisë».
Shih Shtojcën A5.
Shih Shtojcën A5.
Shih Shtojcën A5.
Ose «duke ushtuar».
Domethënë, të ekspozuara ndaj zjarrit.
Ose «dëshironi me zjarr». Fjalë për fjalë «shpejtoni».
Shih Shtojcën A5.
Fjalë për fjalë «do të banojë».
Ose «e pamësuar».
Ose «qëndrueshmërinë».