LETRA E JAKOVIT
1 Jakovi,+ skllav i Perëndisë dhe i Zotërisë Jezu Krisht, drejtuar 12 fiseve të shpërndara anekënd:
Ju uroj shëndet!
2 Konsiderojeni veçse gëzim, vëllezërit e mi, kur hasni sprova* të ndryshme,+ 3 sepse e dini se cilësia e besimit tuaj të sprovuar sjell qëndrueshmëri.+ 4 Gjithashtu, lejoni që qëndrueshmëria ta kryejë plotësisht punën e saj, që të jeni të plotë dhe të përkryer në çdo aspekt, e të mos ju mungojë asgjë.+
5 Prandaj, nëse ndonjëri nga ju nuk ka mjaft mençuri, t’ia kërkojë pareshtur Perëndisë,+ e do t’i jepet,+ sepse ai u jep të gjithëve bujarisht dhe pa i kritikuar.*+ 6 Por, të vazhdojë t’ia kërkojë me besim,+ pa dyshuar aspak,+ sepse ai që dyshon, është si dallgët e detit që era i shtyn dhe i hedh andej-këtej. 7 Në fakt, ai njeri të mos pretendojë se do të marrë ndonjë gjë nga Jehovai,* 8 sepse është njeri i pavendosur,+ i paqëndrueshëm në gjithçka bën.
9 Vëllai i varfër të gëzojë* që është lartësuar,+ 10 dhe vëllai i pasur të gëzojë që është përulur,+ sepse të pasurit do të marrin fund si lulet e fushës; 11 ashtu si bima thahet nga të nxehtët përvëlues të diellit, dhe lulet i bien e bukuria i venitet, po kështu do të shuhen edhe të pasurit në kërkim të pasurisë.+
12 Lum kush tregon qëndrueshmëri kur has sprova,+ sepse kur të miratohet, do të marrë kurorën e jetës,+ të cilën Jehovai* ua premtoi atyre që e duan pareshtur!+ 13 Kur has sprova,* askush të mos thotë: «Po më sprovon Perëndia», sepse Perëndia nuk mund të sprovohet me gjëra të liga e as ai vetë nuk sprovon njeri me gjëra të liga. 14 Por secili sprovohet, sepse tërhiqet dhe joshet* nga dëshira e vet.+ 15 Kështu, pasi bëhet pjellore,* dëshira lind mëkatin, dhe mëkati pasi kryhet, sjell vdekjen.+
16 Mos u mashtroni, vëllezërit e mi të dashur! 17 Çdo dhuratë e mirë dhe e përsosur që na jepet, vjen nga lart,+ sepse zbret nga Ati i dritave qiellore,+ që nuk ndryshon siç ndryshon hija.*+ 18 Ishte vullneti i tij të na sillte në jetë me anë të fjalës të së vërtetës,+ që të bëheshim fryte të para të njerëzimit.+
19 Dijeni vëllezërit e mi të dashur se çdo njeri duhet të jetë i shpejtë* për të dëgjuar, të mos nxitohet për të folur+ e të mos zemërohet shpejt,+ 20 sepse zemërimi i njeriut nuk sjell drejtësinë e Perëndisë.+ 21 Prandaj, flakni tej çdo fëlliqësi dhe gjurmë ligësie,*+ dhe me butësi pranoni që në zemrat tuaja të rrënjoset fjala e Perëndisë, e cila është në gjendje t’ju shpëtojë.
22 Mirëpo, bëhuni zbatues të fjalës+ dhe jo vetëm dëgjues që gënjejnë veten me arsyetime të rreme. 23 Faktikisht, nëse dikush është dëgjues i fjalës dhe jo zbatues,+ është si një njeri që shikon fytyrën e vet* në pasqyrë, 24 dhe, pasi shihet, ikën dhe harron menjëherë ç’lloj njeriu është. 25 Por ai që shikon me kujdes në ligjin e përsosur+ që sjell liri dhe i bindet vazhdimisht, bëhet zbatues i fjalës dhe jo dëgjues harraq; ai do të jetë i lumtur në atë që bën.+
26 Nëse dikush mendon se e adhuron Perëndinë,* por nuk e mban nën fre gjuhën,*+ gënjen veten* dhe adhurimi i tij është i kotë. 27 Adhurimi* i pastër dhe i pandotur nga pikëpamja e Perëndisë, Atit tonë, është ky: të kujdesesh për jetimët+ dhe vejushat+ në vështirësitë e tyre+ dhe ta ruash veten të panjollë nga bota.+
2 Vëllezërit e mi, mos vallë po tregoni besim te Zotëria ynë i lavdishëm, Jezu Krisht, e ndërkohë po mbani me hatër?+ 2 Nëse në mbledhjen tuaj hyn një njeri me unaza floriri në gishta e me rroba luksoze, por hyn edhe një i varfër me rroba të fëlliqura, 3 mos vallë favorizoni atë me veshje luksoze dhe i thoni: «Ulu këtu, te ky vend nderi!», kurse të varfrit i thoni: «Rri në këmbë!» ose: «Ulu atje poshtë, afër stolit të këmbëve të mia!»+ 4 Në qoftë kështu, a nuk keni mes jush dallime klasore?+ A nuk jeni bërë gjykatës që japin vendime të padrejta?*+
5 Dëgjoni, vëllezërit e mi të dashur. A nuk i zgjodhi Perëndia ata që janë të varfër për botën, që të jenë të pasur në besim+ dhe trashëgimtarë të Mbretërisë, të cilën ua premtoi atyre që e duan?+ 6 Por ju i keni poshtëruar të varfrit. A nuk janë të pasurit ata që ju shtypin+ dhe ju tërheqin zvarrë përpara gjykatave? 7 A nuk janë ata që blasfemojnë* kundër emrit të shkëlqyer që ju është dhënë? 8 Tani, nëse zbatoni ligjin mbretëror sipas shkrimit: «Duaje të afërmin tënd* si veten»,+ bëni shumë mirë. 9 Por nëse vazhdoni të mbani me hatër,+ bëni mëkat, dhe ligji ju dënon* si shkelës.+
10 Vërtet, kush i bindet gjithë Ligjit, por hedh një hap të gabuar vetëm në një pikë, bëhet fajtor kundër gjithë Ligjit,+ 11 sepse ai që tha: «Mos kryej kurorëshkelje»,*+ tha edhe: «Mos vrit.»+ Tani, nëse nuk kryen kurorëshkelje, por ama vret, bëhesh shkelës i Ligjit. 12 Vazhdoni, pra, të flitni dhe të silleni si ata që do të gjykohen nga ligji i një populli të lirë,*+ 13 sepse ai që nuk tregon mëshirë, pa mëshirë do të gjykohet.+ Mëshira triumfon mbi gjykimin.
14 Ç’dobi ka, vëllezërit e mi, nëse dikush thotë se ka besim, por nuk bën vepra?+ A e shpëton dot ai besim?+ 15 Nëse një vëlla a motër nuk ka rroba* dhe ushqimin e nevojshëm çdo ditë, 16 e megjithatë një nga ju i thotë: «Shko në paqe! Rri ngrohtë dhe ngopu!», por nuk i jep çka i nevojitet për të jetuar, ç’dobi ka?+ 17 Kështu, edhe besimi në vetvete, pa vepra, është i vdekur.+
18 Megjithatë dikush mund të thotë: «Ti ke besim, por unë kam vepra. Ma trego besimin tënd pa vepra dhe unë do të ta tregoj besimin tim me anë të veprave.» 19 Ti beson se ka një Perëndi të vetëm, apo jo? Shumë mirë bën. Edhe demonët e besojnë këtë dhe dridhen nga frika.+ 20 O i pamend, nuk e kupton se besimi pa vepra është i kotë? 21 Abrahami, ati ynë, a nuk u shpall i drejtë nga veprat pasi e paraqiti Isakun, të birin, në altar?+ 22 Ti e sheh që besimi i tij shoqërohej me vepra dhe, me anë të veprave, besimi+ iu përsos.* 23 Kështu u përmbush shkrimi që thotë: «Abrahami tregoi besim te Jehovai,* dhe për këtë u konsiderua i drejtë»*+ e u quajt mik i Jehovait.*+
24 Ju e shihni se njeriu shpallet i drejtë nga veprat dhe jo vetëm nga besimi. 25 Po njësoj, a nuk u shpall e drejtë nga veprat edhe Rahaba, prostituta, pasi i mirëpriti vëzhguesit dhe i nisi nga një udhë tjetër?+ 26 Vërtet, ashtu si trupi pa frymë është i vdekur,+ edhe besimi pa vepra është i vdekur.+
3 Vëllezërit e mi, të mos bëhen shumë prej jush mësues, sepse e dimë se ne do të marrim një gjykim më të ashpër.*+ 2 Në fakt, të gjithë ne gabojmë* shumë herë.+ Nëse dikush nuk gabon kur flet, është njeri i përsosur, i zoti t’i vërë fre edhe gjithë trupit. 3 Për shembull, kur u vëmë frerë në gojë kuajve që të na binden, u drejtojmë gjithë trupin. 4 Shihni edhe anijet: sa të mëdha janë dhe ç’erëra të forta i shtyjnë! E prapëseprapë, një timon fare i vogël i drejton atje ku do timonieri.
5 Po njësoj, edhe gjuha është një pjesë e vogël e trupit, e prapëseprapë mbahet me të madh. Mjafton një zjarr fare i vogël për t’i vënë flakën një pylli të madh. 6 Po, edhe gjuha është një zjarr.+ Ajo përfaqëson një botë padrejtësie* mes gjymtyrëve tona, sepse ndot gjithë trupin+ dhe, e ndezur nga Gehena,* i vë flakën gjithë rrjedhës së jetës.* 7 Në fakt, çdo lloj kafshe e egër, zogu, zvarraniku* dhe krijese deti, mund të zbutet dhe janë zbutur nga njeriu. 8 Por gjuhën asnjë njeri nuk mund ta zbutë; është rebele dhe mizore, plot helm vdekjeprurës.+ 9 Me të lëvdojmë Jehovain,* po, Atin, e megjithatë, me të mallkojmë edhe njerëzit që erdhën në jetë «në ngjashmëri të Perëndisë».+ 10 Nga e njëjta gojë dalin bekimi dhe mallkimi.
Nuk është mirë, vëllezërit e mi, të ndodhë kështu.+ 11 A buron nga i njëjti burim edhe ujë i ëmbël, edhe ujë i hidhur?! 12 Vëllezërit e mi, fiku s’ka sesi të japë ullinj, as hardhia fiq, apo jo?+ Kështu, as burimi me ujë të kripur s’ka sesi të japë ujë të ëmbël.
13 Kush ndër ju është i mençur dhe me mend? Le të tregojë me sjelljen e vet të shkëlqyer se çdo gjë e bën me butësinë që vjen nga mençuria. 14 Por nëse zemrat i keni plot helm e xhelozi*+ dhe frymë kundërshtimi,*+ mos u mburrni për mençurinë tuaj,+ sepse do të gënjenit kundër së vërtetës. 15 Kjo nuk është mençuri që zbret nga lart, por vjen nga kjo botë+ dhe është shtazarake e demonike, 16 sepse ku ka xhelozi dhe frymë kundërshtimi,* ka edhe trazirë dhe çdo gjë të poshtër.+
17 Por mençuria nga lart është para së gjithash e dëlirë,+ pastaj paqësore,+ e arsyeshme,+ e gatshme të bindet, plot mëshirë dhe fryte të mira,+ nuk mban anë+ dhe nuk është hipokrite.+ 18 Veç kësaj, drejtësia jep fryt kur mbillet në paqe+ për të mirën e atyre* që bëjnë paqe.+
4 Nga burojnë luftërat dhe grindjet mes jush? A nuk vijnë nga dëshirat tuaja egoiste* që luftojnë brenda jush?*+ 2 Ju dëshironi, por ende nuk keni; ju vritni e lakmoni, por ende nuk arrini të merrni; ju grindeni e bëni luftë vazhdimisht;+ ju nuk keni, sepse nuk i kërkoni Perëndisë. 3 Edhe kur kërkoni, ju nuk merrni, sepse kërkoni për një qëllim të gabuar, që të kënaqni dëshirat tuaja egoiste.
4 O kurorëshkelës!* A nuk e dini se miqësia me botën është armiqësi me Perëndinë? Prandaj, kush dëshiron të jetë mik i botës, bëhet armik i Perëndisë.+ 5 Apo kujtoni se shkrimi thotë kot: «Fryma* që ka zënë rrënjë brenda nesh, digjet nga dëshira ziliqare.»+ 6 Megjithatë, mirësia e pamerituar* që jep Ai, është më e madhe se kjo frymë. Ja pse thuhet: «Perëndia u kundërvihet fodullëve,+ por u jep mirësi të pamerituar të përulurve.»+
7 Prandaj, nënshtrojuni Perëndisë+ dhe kundërvijuni Djallit,+ e ai do të ikë nga ju.+ 8 Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet.+ Pastroni duart, o mëkatarë,+ dhe dëlirni zemrat,+ o të pavendosur! 9 Trishtohuni, vajtoni dhe qani!+ U ktheftë e qeshura juaj në vajtim dhe gëzimi juaj në dëshpërim! 10 Përuluni para Jehovait,*+ dhe ai do t’ju lartësojë.+
11 Mjaft folët kundër njëri-tjetrit, vëllezër!+ Kush flet kundër vëllait ose e gjykon atë, flet kundër ligjit dhe gjykon ligjin. E nëse gjykon ligjin, ti nuk je zbatues i ligjit, por gjykatës. 12 Një i vetëm është Ligjdhënës dhe Gjykatës,+ ai që është në gjendje të shpëtojë e të shkatërrojë.+ Po ti, kush je që të gjykosh tjetrin?*+
13 Dëgjoni tani, ju që thoni: «Sot ose nesër do të shkojmë në këtë qytet, do të kalojmë atje një vit, do të merremi me tregti e do të nxjerrim fitime.»+ 14 Në të vërtetë, ju nuk e dini ç’do të bëhet nesër me jetën tuaj,+ sepse jeni veç mjegull që shfaqet për pak kohë e pastaj zhduket.+ 15 Në vend që të thoni: «Në dashtë Jehovai,*+ do të jetojmë e do të bëjmë këtë ose atë», 16 ju krenoheni dhe mburreni gjithë arrogancë. Gjithë kjo mburrje është e ligë. 17 Prandaj, nëse dikush di të bëjë të mirën dhe nuk e bën, mëkaton.+
5 Dëgjoni tani, ju të pasur! Qani e vajtoni për gjithë të zezat që ju presin!+ 2 Pasuritë tuaja janë kalbur; rrobat tuaja i ka grirë mola;+ 3 ari dhe argjendi që keni grumbulluar, janë ndryshkur; ndryshku i tyre do të jetë si dëshmi kundër jush dhe do t’jua brejë mishin. Në të vërtetë ju keni grumbulluar zjarr për ditët e fundit.+ 4 Ja, pagat që nuk u dhatë punëtorëve që korrën arat tuaja, thërrasin e thërrasin, dhe klithmat e korrësve për ndihmë i kanë vajtur në vesh Jehovait* të ushtrive.+ 5 Ju keni jetuar në tokë mes lukseve për t’i bërë qejfin vetes. I keni majmur zemrat si bagëtitë për ditën e therjes.+ 6 Keni dënuar e keni vrarë të drejtin. Ja pse ai po ju kundërvihet.
7 Tregoni, pra, durim, vëllezër, deri në praninë e Zotërisë.+ Ja, bujku e pret me durim frytin e çmuar të tokës derisa të vijë shiu i parë dhe shiu i fundit.+ 8 Edhe ju prisni me durim+ dhe forcojini zemrat, sepse prania e Zotërisë është afruar.+
9 Mos murmuritni* kundër njëri-tjetrit, vëllezër, që të mos gjykoheni.+ Ja, Gjykatësi është afër, te dera. 10 Vëllezër, merrni si shembull vuajtjet+ dhe durimin+ e profetëve që folën në emër të Jehovait.*+ 11 Vërtet, ne i konsiderojmë të lumtur* ata që treguan qëndrueshmëri.+ Ju keni dëgjuar për qëndrueshmërinë e Jobit+ dhe e keni parë si e shpërbleu Jehovai,*+ se Jehovai* është shumë i dhembshur* e i mëshirshëm.+
12 Mbi të gjitha, vëllezërit e mi, mos u betoni më as për qiellin, as për tokën dhe as për ndonjë gjë tjetër. Por «po-ja» juaj të jetë «po» dhe «jo-ja» juaj, «jo»,+ që të mos ju presë gjykimi.
13 A ka mes jush ndonjë që po vuan? Le të lutet pareshtur.+ A ka ndonjë që e ka zemrën të gëzuar? Le të këndojë psalme.+ 14 A ka mes jush ndonjë të sëmurë? Le të thërrasë pleqtë+ e kongregacionit,* dhe ata le të luten për të e ta lyejnë me vaj+ në emër të Jehovait.* 15 E lutja me besim do ta shërojë të sëmurin,* dhe Jehovai* do ta rimëkëmbë. E nëse ka kryer mëkate, do t’i falen.
16 Prandaj, rrëfejani hapur mëkatet+ njëri-tjetrit dhe lutuni për njëri-tjetrin, që të shëroheni. Përgjërimi i të drejtit ka shumë forcë.*+ 17 Elija ishte njeri me ndjenja si tonat, e megjithatë kur u lut me ngulm të mos binte shi, në vend nuk ra shi për tre vjet e gjashtë muaj.+ 18 Pas kësaj, ai u lut përsëri, e nga qielli ra shi, dhe toka dha fryt.+
19 Vëllezërit e mi, nëse dikush nga ju largohet* nga udha e së vërtetës dhe një tjetër e kthen, 20 dijeni se ai që kthen një mëkatar nga udha e tij e gabuar,+ do ta shpëtojë* nga vdekja dhe do të mbulojë një shumicë mëkatesh.+
Ose «vështirësi».
Ose «pa i qortuar».
Shih Shtojcën A5.
Fjalë për fjalë «të krenohet».
Shih Shtojcën A5.
Ose «vështirësi».
Ose «tundohet; zihet si me karrem».
Fjalë për fjalë «ngjizet».
Ose «siç ndryshon hija gjatë rrotullimit».
Ose «i gatshëm».
Një mundësi tjetër «bollëkun e ligësisë».
Fjalë për fjalë «fytyrën me të cilën ka lindur».
Ose «se është besimtar (fetar)».
Ose «nuk i vë fre gjuhës».
Fjalë për fjalë «zemrën e vet».
Ose «Feja».
Fjalë për fjalë «të liga».
Shih Fjalorthin.
Ose «tjetrin». Shih Fjalorthin.
Ose «ju qorton».
Ose «tradhti bashkëshortore».
Fjalë për fjalë «ligji i lirisë».
Fjalë për fjalë «është lakuriq».
Ose «iu bë i plotë».
Shih Shtojcën A5.
Ose «dhe kjo iu llogarit si drejtësi?!» Domethënë, u konsiderua i drejtë në kuptimin relativ.
Shih Shtojcën A5.
Ose «më të rëndë».
Ose «pengohemi».
Ose «është vetë thelbi i padrejtësisë».
Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «rrotës së lindjes (origjinës)».
Ose «krijese zvarritëse».
Shih Shtojcën A5.
Ose «smirë».
Një mundësi tjetër «ambicie egoiste».
Një mundësi tjetër «ambicie egoiste».
Një mundësi tjetër «nga ata».
Fjalë për fjalë «e mishit». Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «në gjymtyrët tuaja».
Ose «O të pabesë!» Fjalë për fjalë «O kurorëshkelëse!» U referohet njerëzve që nuk janë besnikë ndaj Perëndisë.
Shih Fjalorthin.
Ose «dashamirësia e pamerituar». Shih Fjalorthin.
Shih Shtojcën A5.
Ose «të afërmin tënd». Shih Fjalorthin.
Shih Shtojcën A5.
Shih Shtojcën A5.
Ose «Mos u ankoni». Fjalë për fjalë «Mos psherëtini».
Shih Shtojcën A5.
Ose «të bekuar».
Shih Shtojcën A5.
Shih Shtojcën A5.
Ose «ka shumë përzemërsi të ngrohtë».
Shih Fjalorthin.
Shih Shtojcën A5.
Një mundësi tjetër «të lodhurin».
Shih Shtojcën A5.
Ose «ka efekt të fuqishëm». Fjalë për fjalë «ka shumë forcë kur vepron».
Ose «dikush nga ju largon dikë tjetër».
Ose «do t’ia shpëtojë shpirtin».