LETRA DREJTUAR HEBRENJVE
1 Kohë më parë, Perëndia u foli paraardhësve tanë me anë të profetëve në mjaft raste e në shumë mënyra.+ 2 E tani, në fund të këtyre ditëve, na ka folur edhe neve me anë të Birit të vet,+ të cilin e emëroi trashëgimtar të të gjitha gjërave,+ e nëpërmjet tij bëri sistemet.*+ 3 Ai është pasqyrimi i lavdisë së Perëndisë+ dhe paraqitja e saktë e vetë qenies së tij,+ e me anë të fjalës së tij të fuqishme ai mban çdo gjë në jetë. Pasi na pastroi nga mëkatet,+ ai u ul në të djathtën e Perëndisë së Madhërishëm, në lartësitë e qiejve.+ 4 Prandaj është bërë më i madh se engjëjt,+ përderisa ka trashëguar një emër* më të shkëlqyer se emri i tyre.+
5 Për shembull, cilit prej engjëjve i ka thënë ndonjëherë Perëndia: «Ti je biri im, sot unë jam bërë ati yt»,+ ose: «Unë do të bëhem ati i tij dhe ai do të bëhet biri im.»+ 6 E për kohën kur do të sjellë përsëri në tokën e banuar të Parëlindurin e tij,+ ai thotë: «Le t’i bëjnë nderime* të gjithë engjëjt e Perëndisë!»
7 Gjithashtu, për engjëjt thotë: «Engjëjt i bën si erë e stuhishme* dhe shërbëtorët+ si zjarr flakërues.»+ 8 Kurse për Birin thotë: «Perëndia është froni yt+ në jetë të jetëve, dhe skeptri i Mbretërisë sate është skeptër drejtësie. 9 Ti e deshe drejtësinë dhe e urreve paligjshmërinë.* Ja pse Perëndia, Perëndia yt, të mirosi*+ me vaj e të mbushi me më shumë gëzim* se mbretërit e tjerë.»+ 10 E vazhdon: «Zotëri, në fillim hodhe themelet e tokës, dhe qiejt janë vepër e duarve të tua. 11 Toka dhe qielli do të zhduken, si një rrobë do të vjetrohen, por ti do të mbetesh përgjithmonë. 12 Si mantel do t’i mbështjellësh e si një rrobë të vjetër do t’i ndërrosh. Por ti je gjithnjë i njëjti, dhe vitet e tua nuk do të shterojnë kurrë.»+
13 Mirëpo, për cilin engjëll ka thënë ndonjëherë: «Ulu në të djathtën time derisa t’i vë armiqtë e tu si stol për këmbët e tua.»+ 14 A nuk janë të gjithë ata krijesa qiellore*+ që kryejnë shërbim të shenjtë,* të dërguar për t’u shërbyer atyre që do të trashëgojnë shpëtimin?
2 Ja pse është e nevojshme t’u kushtojmë më shumë vëmendje se zakonisht gjërave që kemi dëgjuar,+ që të mos na marrë kurrë rryma.+ 2 Nëse fjala* që u përcoll nëpërmjet engjëjve+ pati fuqi, aq sa në përputhje me drejtësinë ndëshkoi çdo faj e mosbindje,+ 3 si vallë do të shpëtojmë nëse nuk ia kemi vënë veshin mesazhit të shpëtimit?!+ Në fakt, këtë shpëtim, që në fillim na e shpalli Zotëria ynë,+ më pas na e konfirmuan ata që e dëgjuan vetë Zotërinë. 4 Ndërkohë, edhe Perëndia dha dëshmi bashkë me ta me anë të shenjave, të mrekullive*+ e të veprave të fuqishme, si edhe duke shpërndarë frymën e shenjtë sipas vullnetit të tij.+
5 Ai nuk ua ka nënshtruar engjëjve botën* që do të vijë,+ për të cilën po flasim. 6 Por një dëshmitar tha: «Ç’është njeriu që ta mbash në mendje?! Ç’është biri i njeriut që të kujdesesh për të?!+ 7 Ti e bëre pak më të ulët se engjëjt, e kurorëzove me nder e lavdi dhe e caktove mbi veprat e duarve të tua. 8 Çdo gjë e nënshtrove nën këmbët e tij.»+ Duke ia nënshtruar çdo gjë atij,+ Perëndia nuk la asgjë pa ia nënshtruar.+ Megjithatë, tani nuk shohim ende që çdo gjë t’i jetë nënshtruar atij,+ 9 por ama shohim se Jezui, i cili u bë pak më i ulët se engjëjt,+ tashmë është kurorëzuar me nder e lavdi ngaqë vuajti deri në vdekje,+ që me anë të mirësisë së pamerituar* të Perëndisë të provonte vdekjen për të gjithë.+
10 Prandaj, që t’u jepte lavdi shumë bijve,+ Ai, për të cilin dhe nëpërmjet të cilit ekzistojnë të gjitha gjërat, e pa me vend ta bënte të përsosur* nëpërmjet vuajtjeve+ Kryepërfaqësuesin* e shpëtimit të tyre.+ 11 E përderisa ai që i shenjtëron* dhe ata që shenjtërohen,+ vijnë të gjithë nga i njëjti Atë,+ atij nuk i vjen turp t’i quajë vëllezër,+ 12 sikurse thotë: «Unë do t’ua shpall emrin tënd vëllezërve të mi; në mes të kongregacionit* do të të lëvdoj me këngë.»+ 13 Gjithashtu thotë: «Do të kem besim tek ai.»+ E shton akoma: «Ja, unë dhe fëmijët që më dha Jehovai.»*+
14 Prandaj, përderisa «fëmijët» janë prej mishi e gjaku, edhe ai u bë prej mishi e gjaku,+ që nëpërmjet vdekjes së vet të asgjësonte atë që ka mundësi të shkaktojë vdekjen,+ domethënë Djallin,+ 15 dhe që të çlironte të gjithë ata që ishin tërë jetën nën skllavëri nga frika e vdekjes.+ 16 Në të vërtetë, ai nuk po u vjen në ndihmë engjëjve, por pasardhësve* të Abrahamit.+ 17 Si rrjedhim, ai duhej të bëhej si «vëllezërit» e tij në çdo aspekt,+ që të bëhej një kryeprift i mëshirshëm e besnik në shërbim të Perëndisë, me qëllim që të paraqiste një flijim pajtues*+ për mëkatet e popullit.+ 18 E meqë vuajti vetë kur u vu në provë,+ ai është në gjendje t’u vijë në ndihmë atyre që po vihen në provë.+
3 Prandaj, vëllezër të shenjtë, pjesëmarrës të thirrjes* qiellore,+ mendoni për shembullin e Jezuit, të cilin ne e pranojmë* si apostull* dhe kryeprift.+ 2 Ai ishte besnik ndaj Atij që e emëroi si të tillë,+ siç ishte edhe Moisiu teksa kujdesej për tërë shtëpinë* e Atij.+ 3 Megjithatë, ai* konsiderohet i denjë të marrë më shumë lavdi+ se Moisiu, përderisa ai që ndërton një shtëpi, nderohet më shumë se vetë shtëpia. 4 Sigurisht, çdo shtëpi ndërtohet nga dikush, por ai që ka ndërtuar gjithçka, është Perëndia. 5 Tani, Moisiu ishte besnik si shërbëtor teksa kujdesej për tërë shtëpinë e Atij, dhe shërbimi që kreu, ishte dëshmi e gjërave që do të shpalleshin më pas. 6 Kurse Krishti ishte besnik si bir+ teksa kujdesej për shtëpinë e Perëndisë. Ne jemi shtëpia e Atij,+ nëse vazhdojmë të kemi liri fjale dhe nëse e mbajmë të patundur deri në fund shpresën për të cilën krenohemi.
7 Prandaj, siç thotë fryma e shenjtë:+ «Sot, nëse e dëgjoni zërin e tij, 8 mos i ngurtësoni zemrat si në rastin kur paraardhësit tuaj provokuan zemërimin tim të hidhur, si ditën kur më vunë në provë në shkretëtirë.+ 9 Atje, ata më vunë në provë e më sfiduan, ndonëse i kishin parë veprat e mia për 40 vjet.+ 10 Prandaj m’u neverit ai brez dhe thashë: ‘Ndjekin gjithnjë me kokëfortësi tekat e zemrës së tyre dhe nuk i kanë njohur udhët e mia.’ 11 Kështu i zemëruar, u betova: ‘Nuk do të hyjnë* në pushimin tim.’»+
12 Hapni sytë, vëllezër, se mos ndonjëri nga ju, duke u larguar nga Perëndia i gjallë, zhvillon një zemër të ligë që i mungon besimi.+ 13 Por vazhdoni të inkurajoni çdo ditë njëri-tjetrin, për sa kohë të quhet «sot»,+ që asnjërit nga ju të mos i ngurtësohet zemra nga fuqia mashtruese e mëkatit. 14 Vërtet, ne marrim pjesë me Krishtin,* vetëm nëse e mbajmë të patundur deri në fund sigurinë që patëm në fillim,+ 15 sikurse thuhet: «Sot, nëse e dëgjoni zërin e tij, mos i ngurtësoni zemrat si në rastin kur paraardhësit tuaj provokuan zemërimin tim të hidhur.»+
16 Cilët ishin ata që e dëgjuan, e megjithatë provokuan zemërimin e tij të hidhur? A nuk ishin në fakt të gjithë ata që dolën nga Egjipti nën drejtimin e Moisiut?+ 17 Për më tepër, cilët iu neveritën Perëndisë për 40 vjet?+ A nuk ishin ata që mëkatuan, kufomat e të cilëve ranë në shkretëtirë?+ 18 Dhe cilëve iu betua se nuk do të hynin në pushimin e tij? A nuk ishin ata që s’u bindën? 19 Kështu, shohim se ata nuk mundën të hynin në pushimin e tij, ngaqë u mungonte besimi.+
4 Prandaj, përderisa mbetet premtimi për të hyrë në pushimin e tij, të bëjmë kujdes* se mos ndonjë nga ne konsiderohet i padenjë për këtë premtim.+ 2 Në fakt, edhe ne e dëgjuam lajmin e mirë,+ ashtu si paraardhësit tanë. Mirëpo atyre nuk u solli dobi fjala që dëgjuan, sepse nuk u bashkuan me ata që ia vunë veshin dhe që treguan besim. 3 Ndaj, ne që kemi treguar besim, hyjmë në atë pushim. Kurse për ata, ai tha: «Kështu i zemëruar, u betova: ‘Nuk do të hyjnë në pushimin tim’»,+ edhe pse i kishte përfunduar veprat e tij që nga themelimi i botës,+ 4 sepse në një shkrim ai ka thënë për ditën e shtatë: «Ditën e shtatë Perëndia pushoi nga gjithë veprat e tij.»+ 5 E përsëri ai thotë: «Nuk do të hyjnë në pushimin tim.»+
6 Prandaj, përderisa ata që e dëgjuan së pari lajmin e mirë, nuk hynë në të për shkak të mosbindjes,+ mbetet mundësia që disa të hyjnë në të. 7 Ja pse shumë kohë më pas, ai cakton përsëri një ditë duke thënë në psalmin e Davidit, «sot», ashtu siç është thënë më lart: «Sot, nëse e dëgjoni zërin e tij, mos i ngurtësoni zemrat.»+ 8 Faktikisht, sikur Josiu+ t’i kishte çuar drejt atij pushimi, Perëndia nuk do të kishte folur më pas për një tjetër ditë pushimi. 9 Kështu mbetet ende një «sabat» për popullin e Perëndisë,+ 10 sepse kush ka hyrë në pushimin e Perëndisë, ka pushuar edhe vetë nga veprat e tij, ashtu si Perëndia nga veprat e veta.+
11 Prandaj, le të bëjmë çmos që të hyjmë në atë pushim, që asnjë të mos ndjekë të njëjtin shembull mosbindjeje,+ 12 sepse fjala e Perëndisë është e gjallë dhe ushtron fuqi;+ është më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe+ dhe depërton aq sa ndan shpirtin* dhe frymën,* nyjat* dhe palcën, dhe është në gjendje të dallojë mendimet dhe qëllimet e zemrës. 13 Vërtet, nuk ka krijesë që të jetë e fshehur nga sytë e Perëndisë,+ por të gjitha gjërat janë lakuriq dhe fare sheshit në sytë e atij që duhet t’i japim llogari.+
14 Prandaj, meqenëse kemi një kryeprift të madh, që ka kaluar përmes qiejve, Jezuin, Birin e Perëndisë,+ le të vazhdojmë të dëshmojmë për të para të gjithëve,+ 15 sepse ne nuk kemi si kryeprift një njeri që nuk na kupton dot* për dobësitë tona,+ por kemi dikë që është sprovuar në çdo aspekt si ne, por pa mëkatuar.+ 16 Prandaj, le t’i afrohemi pa ndrojtje fronit të mirësisë së pamerituar,+ që Perëndia të na tregojë mëshirë e mirësi të pamerituar për të na ardhur në ndihmë në kohën e duhur.
5 Çdo kryeprift që zgjidhet nga gjiri i popullit, emërohet që t’i shërbejë Perëndisë+ në dobi të tyre duke paraqitur dhurata dhe flijime për mëkatet.+ 2 Ai është në gjendje t’i trajtojë me dhembshuri* ata që janë në padije e që gabojnë,* përderisa edhe vetë përballet me dobësitë e tij,* 3 dhe për këtë arsye i duhet të bëjë blatime për mëkatet e veta, ashtu siç bën edhe për mëkatet e popullit.+
4 Një njeri nuk e merr këtë detyrë të nderuar me iniciativën e vet, por vetëm kur Perëndia e thërret, ashtu si thirri Aronin.+ 5 Kështu, edhe Krishti nuk i dha lavdi vetes+ duke u bërë kryeprift me iniciativën e vet. Përkundrazi, lavdinë ia dha Ai që tha për të: «Ti je biri im, sot unë jam bërë ati yt»,+ 6 ashtu si thotë edhe në një vend tjetër: «Në jetë të jetëve, ti do të jesh prift si Melkisedeku.»+
7 Gjatë jetës së tij në tokë,* me klithma të forta dhe lot, Krishti iu përgjërua dhe i bëri kërkesa+ Atij që ishte në gjendje ta shpëtonte nga vdekja, dhe lutjet e tij u dëgjuan ngaqë nderonte thellësisht Perëndinë.* 8 Edhe pse ishte i biri, ai mësoi bindjen nga gjërat që vuajti+ 9 dhe, pasi u bë i përsosur,*+ u bë mjeti për shpëtimin e përhershëm të të gjithë atyre që i binden,+ 10 sepse Perëndia e ka caktuar kryeprift si Melkisedeku.+
11 Për të kemi shumë gjëra për të thënë, por janë të vështira për t’u shpjeguar ngaqë juve ju është mpirë dëgjimi. 12 Edhe pse tashmë* duhej të ishit mësues, ju përsëri keni nevojë t’ju mësojnë nga fillimi gjërat elementare+ të thënieve të shenjta të Perëndisë dhe kërkoni prapë qumësht e jo ushqim të fortë. 13 Në fakt, kushdo që vazhdon të ushqehet me qumësht, nuk e njeh fjalën e drejtë të Perëndisë, sepse është foshnjë.+ 14 Kurse ushqimi i fortë u përket njerëzve të pjekur, atyre që nëpërmjet përdorimit kanë stërvitur aftësinë dalluese,* që të dallojnë si të drejtën, edhe të gabuarën.
6 Prandaj, tani që e kemi lënë prapa doktrinën fillestare+ për Krishtin, le të sulemi drejt pjekurisë+ e të mos hedhim nga e para themelin, domethënë, pendimin për veprat e vdekura dhe besimin te Perëndia, 2 llojet e ndryshme të pagëzimeve dhe vënien e duarve,*+ ringjalljen e të vdekurve+ dhe gjykimin e përhershëm. 3 E kështu do të bëjmë, në e lejoftë Perëndia!
4 Për sa u përket atyre që dikur Perëndia u ndriçoi mendjen,+ që kanë provuar dhuratën qiellore,* që kanë marrë frymën e shenjtë 5 e fjalën e shkëlqyer të Perëndisë dhe që kanë provuar bekimet* që lidhen me sistemin* që po vjen, 6 por që janë larguar nga besimi,+ është e pamundur t’i sjellësh prapë në vete që të pendohen, sepse ata e gozhdojnë përsëri në shtyllë Birin e Perëndisë dhe e turpërojnë botërisht.+ 7 Për shembull, toka merr një bekim nga Perëndia kur thith shirat e shumtë dhe u jep prodhime të mira atyre që e kanë kultivuar. 8 Mirëpo, po të prodhojë gjemba dhe gjembaçë, ajo nuk vlen për asgjë: shpejt do të mallkohet, dhe në fund do t’i vihet zjarri.
9 Megjithatë, edhe pse flasim kështu, o të dashur, jemi të bindur se ju jeni në një udhë më të mirë, po, jeni në udhën e shpëtimit, 10 sepse Perëndia nuk është i padrejtë, që të harrojë veprat tuaja dhe dashurinë që treguat për emrin e tij+ duke u shërbyer të shenjtëve,* sikurse po vazhdoni të bëni. 11 Gjithsesi, dëshirojmë që secili nga ju të jetë i papërtuar si në fillim, që të jeni plotësisht të sigurt për shpresën tuaj+ deri në fund,+ 12 e kështu të mos bëheni të plogësht,+ por të imitoni ata që, nëpërmjet besimit dhe durimit, trashëgojnë premtimet.
13 Kur i bëri premtimin Abrahamit, meqenëse nuk mund të betohej për dikë më të madh, Perëndia u betua për veten+ me këto fjalë: 14 «Me siguri do të të bekoj dhe me siguri do të të shumoj.»+ 15 Kështu, pasi priti me durim, Abrahami e mori këtë premtim. 16 Tani, njerëzit betohen për dikë më të madh se vetja, dhe ky betim është për ta një garanci ligjore që i jep fund çdo debati.+ 17 Prandaj, kur vendosi t’ua bënte më të qartë trashëgimtarëve të premtimit+ se qëllimi* i tij është i pandryshueshëm, Perëndia e garantoi atë* po njësoj me një betim, 18 që nëpërmjet këtyre dy gjërave* të pandryshueshme—për të cilat është e pamundur që Perëndia të gënjejë+—ne që kemi gjetur strehë tek ai, të mund të marrim shumë zemër për të rrokur shpresën që na është vënë përpara. 19 Këtë shpresë+ e kemi si një spirancë për shpirtin,* të sigurt e të patundur, dhe ajo të çon brenda perdes,*+ 20 ku ka hyrë për ne një pararendës, Jezui,+ që është bërë kryeprift si Melkisedeku, në jetë të jetëve.+
7 Tani, Melkisedeku, mbreti i Salemit, prifti i Perëndisë Më të Lartë, doli ta takonte Abrahamin kur po kthehej nga disfata që u shkaktoi mbretërve dhe e bekoi.+ 2 Atëherë Abrahami i dha* atij të dhjetën e çdo gjëje. Para së gjithash, ai është «mbret i drejtësisë», sikurse përkthehet emri i tij, si edhe mbret i Salemit, domethënë, «mbret i paqes». 3 Atij nuk i dihet babai, nëna a gjenealogjia, si edhe kur lindi e kur vdiq, por meqë u bë ngjashëm Birit të Perëndisë, ai mbetet prift përgjithmonë.*+
4 Shihni sa i madh ishte ky njeri, të cilit patriarku* Abraham i dha të dhjetën e pjesës më të mirë të plaçkës.+ 5 Është e vërtetë që, sipas Ligjit, bijtë e Levit+ që caktohen si priftërinj, urdhërohen të mbledhin të dhjetat nga populli,+ domethënë nga vëllezërit e tyre, ndonëse edhe ata janë pasardhës* të Abrahamit. 6 Ndërsa ky njeri, që nuk vinte nga familja* e Levit, mori të dhjetën nga Abrahami dhe e bekoi atë që kishte premtimet.+ 7 Tani, s’ka dyshim se më i vogli bekohet nga më i madhi. 8 Në njërin rast, ata që marrin të dhjetat, janë njerëz të vdekshëm, kurse në rastin tjetër është një njeri për të cilin dëshmohet se jeton.+ 9 E mund të thuhet se edhe Levi, që merr të dhjetat, i ka paguar të dhjetat nëpërmjet Abrahamit, 10 sepse ishte ende një pasardhës i ardhshëm* i Abrahamit kur këtë e takoi Melkisedeku.+
11 Prandaj, nëse përsosmëria do të arrihej nëpërmjet priftërisë levite,+ (e cila ishte një aspekt i Ligjit që iu dha popullit), ç’nevojë do të kishte të dilte një prift tjetër, për të cilin thuhet se është si Melkisedeku+ dhe jo si Aroni?! 12 Tani, me ndryshimin e priftërisë, lind nevoja të ndryshohet edhe Ligji,+ 13 sepse njeriu në fjalë, vinte nga një fis tjetër, dhe askush nga ai fis nuk ka shërbyer në altar.+ 14 Faktikisht, dihet se Zotëria ynë është pasardhës i Judës,+ dhe Moisiu nuk tha gjëkundi se nga ai fis do të vinin priftërinj.
15 Ky fakt bëhet akoma më i qartë kur del një prift tjetër,+ që është si Melkisedeku+ 16 dhe që nuk është bërë prift falë ndonjë kërkese ligjore që bazohet te prejardhja familjare,* por falë fuqisë që i jep jetë të pashkatërrueshme,+ 17 sikurse dëshmohet për të: «Në jetë të jetëve, ti do të jesh prift si Melkisedeku.»+
18 Kështu, urdhërimi i mëparshëm shfuqizohet ngaqë është i dobët dhe i pafrytshëm,+ 19 sepse Ligji nuk përsosi asgjë,+ kurse shpresa më e mirë që na dha Perëndia,+ po, dhe falë saj po i afrohemi atij.+ 20 E përderisa kjo nuk u bë pa një betim, 21 (se faktikisht ka njerëz që janë bërë priftërinj pa një betim, kurse ky u bë prift falë betimit që bëri Ai që tha për të: «Jehovai* është betuar dhe nuk do të ndryshojë mendje:* ‘Në jetë të jetëve, ti do të jesh prift’»),+ 22 me të drejtë Jezui është bërë garant për një besëlidhje më të mirë.+ 23 Veç kësaj, shumë priftërinj pasonin njëri-tjetrin,+ sepse vdekja i pengonte të shërbenin përgjithmonë. 24 Kurse ai nuk ka asnjë pasues, meqenëse jeton përgjithmonë.+ 25 Prandaj është në gjendje t’i shpëtojë vërtet ata që i afrohen Perëndisë nëpërmjet tij, sepse është gjithmonë gjallë për të ndërmjetësuar për ta.+
26 Një kryeprift i tillë na duhet: besnik, i pafaj, i panjollë,+ i ndarë nga mëkatarët dhe që është lartësuar përmbi qiejt.+ 27 Ndryshe nga ata kryepriftërinj, ai nuk ka nevojë të paraqitë flijime përditë,+ së pari për mëkatet e veta dhe pastaj për ato të popullit,+ sepse këtë e bëri një herë e mirë kur paraqiti veten si flijim.+ 28 Vërtet, Ligji emëron si kryepriftërinj njerëz që kanë dobësi,+ kurse betimi solemn+ që u bë pasi u dha Ligji, emëron një Bir, i cili është bërë i përsosur*+ në jetë të jetëve.
8 Tani, pika kryesore e asaj që po themi, është kjo: ne kemi një kryeprift të tillë,+ që është ulur në të djathtën e fronit të Perëndisë së Madhërishëm, në lartësitë e qiejve,+ 2 shërbëtor i vendit të shenjtë*+ dhe i tendës së vërtetë,* të cilën e ngriti Jehovai* e jo njeriu. 3 Çdo kryeprift emërohet që të paraqitë dhurata dhe flijime, prandaj ishte e nevojshme që edhe Jezui të kishte diçka për të paraqitur.+ 4 Po të ishte në tokë, ai nuk do të ishte prift,+ sepse tashmë ka priftërinj që paraqitin dhurata, siç e kërkon Ligji. 5 Këta burra po bëjnë shërbim të shenjtë,* që është një pasqyrim dhe hije+ e gjërave qiellore,+ sikurse tregohet nga urdhri hyjnor që iu dha Moisiut kur ishte gati të bënte tendën:* «Ki kujdes që t’i bësh të gjitha sipas modelit që të tregova në mal.»+ 6 Kurse Jezuit tani i është caktuar një shërbim më i mirë, sepse është edhe ndërmjetësi+ i një besëlidhjeje më të mirë,+ e themeluar ligjërisht mbi premtime më të mira.+
7 Sikur besëlidhja e parë të kishte qenë e patëmetë, nuk do të kishte qenë e nevojshme një e dytë,+ 8 sepse ai faktikisht e qorton popullin kur thotë: «Ja, po vijnë ditët,—thotë Jehovai,*—kur unë do të bëj një besëlidhje të re me shtëpinë e Izraelit dhe me shtëpinë e Judës. 9 Ajo nuk do të jetë si besëlidhja që bëra me paraardhësit e tyre ditën që i kapa për dore për t’i nxjerrë nga vendi i Egjiptit,+ sepse ata nuk i qëndruan besnikë besëlidhjes sime, prandaj unë nuk u kujdesa më për ta,—thotë Jehovai.*
10 Kjo është besëlidhja që do të bëj me shtëpinë e Izraelit pas atyre ditëve,—thotë Jehovai.*—Do t’ua vë ligjet e mia në mendje dhe do t’ua shkruaj në zemër.+ Unë do të jem Perëndia i tyre, e ata do të jenë populli im.+
11 Asnjë prej tyre nuk do ta mësojë më fqinjin dhe vëllanë e vet: ‘Njih Jehovain!’,* sepse të gjithë do të më njohin, nga më i vogli e deri te më i madhi, 12 dhe unë do të jem i mëshirshëm me ta për padrejtësitë që kanë bërë e nuk do t’i sjell më ndër mend mëkatet e tyre.»+
13 Duke thënë «një besëlidhje të re», ai e ka nxjerrë nga përdorimi të mëparshmen.+ Tani, ajo që del nga përdorimi e vjetrohet, është pranë zhdukjes.+
9 Besëlidhja e mëparshme kishte rregulla për shërbimin e shenjtë, si edhe një vend të shenjtë*+ në tokë. 2 Në ndarjen e parë të kësaj tende, të quajtur e Shenjta,+ ishin shandani,+ tryeza dhe bukët e paraqitjes.*+ 3 Kurse prapa perdes* së dytë,+ ishte ndarja e dytë e tendës, e quajtur Më e Shenjta.+ 4 Atje ishte një temjanicë ari+ dhe arka e besëlidhjes,+ e gjitha e veshur me ar,+ brenda së cilës ndodheshin shkopi i Aronit që kishte nxjerrë sythe,+ pllakat+ e besëlidhjes dhe qypi i artë ku mbahej mana.+ 5 Kurse mbi të ndodheshin dy kerubinët e lavdishëm, që me krahët e tyre i bënin hije kapakut të pajtuesit.*+ Megjithatë, tani nuk është koha për të folur me hollësi për këto gjëra.
6 Kështu, pasi çdo gjë u ndërtua në këtë mënyrë, priftërinjtë hynin rregullisht në ndarjen e parë të tendës që të kryenin shërbim të shenjtë.+ 7 Kurse në ndarjen e dytë të tendës hynte vetëm kryeprifti, një herë në vit,+ sigurisht jo pa gjak,+ të cilin e paraqiste për veten+ dhe për mëkatet që populli+ i bënte nga padija. 8 Me këto, fryma e shenjtë e tregon qartë se, kur ekzistonte tenda e parë, udha për në vendin e shenjtë* nuk ishte hapur ende.+ 9 Kjo tendë është një ilustrim për gjërat që po ndodhin tani,+ dhe sipas këtij organizimi paraqiten dhurata e flijime.+ Megjithatë, këto nuk mund t’i japin një ndërgjegje të përsosur atij që i paraqet*+ 10 dhe kanë të bëjnë vetëm me ushqime, pije e pastrime të ndryshme ceremoniale.*+ Po, ishin veçse kërkesa të Ligjit në lidhje me trupin,+ që duheshin zbatuar derisa të vinte koha e caktuar për t’i vënë gjërat në vijë.
11 Por, kur erdhi si kryeprift për të sjellë gjërat e mira që tashmë kemi provuar, Krishti hyri në tendën më të rëndësishme dhe më të përsosur, jo të bërë nga duart e njeriut, domethënë, që nuk i përket këtij krijimi. 12 Ai hyri në vendin e shenjtë* një herë e mirë, jo me gjakun e cjepve dhe të demave të rinj, por me gjakun e vet,+ dhe na siguroi çlirim* të përhershëm.+ 13 Faktikisht, nëse gjaku i cjepve dhe i demave,+ si dhe hiri i një mëshqerre, me të cilin spërkaten ata që janë ndotur, shenjtëron dhe pastron trupin,*+ 14 aq më shumë gjaku i Krishtit+—i cili nëpërmjet frymës së shenjtë,* ia paraqiti veten Perëndisë si një flijim të patëmetë—do t’i pastrojë ndërgjegjet tona nga veprat e vdekura,+ që t’i bëjmë shërbim të shenjtë Perëndisë së gjallë.+
15 Prandaj ai është ndërmjetës i një besëlidhjeje të re,+ me qëllim që ata që janë thirrur, të marrin premtimin e trashëgimisë së përhershme,+ sepse ai vdiq si shpërblesë për t’i çliruar+ nga fajet që kryen nën besëlidhjen e mëparshme. 16 Tani, kur bëhet një besëlidhje me Perëndinë, është e nevojshme të vdesë njeriu që e bën besëlidhjen,* 17 sepse një besëlidhje bëhet e vlefshme me anë të vdekjes dhe s’hyn në fuqi ndërkohë që njeriu që bën besëlidhjen është gjallë. 18 Prandaj, edhe besëlidhja e mëparshme nuk hyri në fuqi* pa gjak, 19 sepse, pasi i tha popullit gjithë urdhërimet e Ligjit, Moisiu mori gjakun e cjepve dhe të demave të rinj, si edhe ujë, lesh në të kuqe të ndezur dhe hisop,* spërkati rrotullën* dhe gjithë popullin, 20 e tha: «Ky është gjaku i besëlidhjes që Perëndia ju ka urdhëruar të respektoni.»+ 21 Po njësoj, spërkati me gjak tendën dhe të gjitha enët e shërbimit të shenjtë.*+ 22 Po, sipas Ligjit, thuajse të gjitha gjërat pastrohen me gjak+ dhe, nëse nuk derdhet gjak, nuk ka falje.+
23 Kështu, ishte e nevojshme që gjërat që pasqyronin+ realitetet qiellore, të pastroheshin me anë të flijimeve në kafshë.+ Kurse vetë gjërat qiellore pastrohen me flijime shumë më të mira, 24 sepse Krishti nuk hyri në një vend të shenjtë* të bërë nga duart e njeriut,+ i cili është kopje e realitetit,+ por në vetë qiellin,+ që tani të paraqitet përpara* Perëndisë për ne.+ 25 E këtë nuk e bëri që ta flijojë veten shumë herë, siç hyn vit për vit kryeprifti në vendin e shenjtë*+ me gjak që nuk është i veti. 26 Përndryshe do t’i duhej të vuante shumë herë që nga themelimi i botës. Por ai është shfaqur një herë të vetme tani, në përfundim të këtyre sistemeve,* që të heqë mëkatin duke flijuar veten.+ 27 Sikurse njerëzit i pret vdekja një herë të vetme dhe pas kësaj, gjykimi, 28 kështu edhe Krishti u flijua një herë të vetme për të mbartur mëkatet e shumë vetave.+ Herën e dytë që do të shfaqet, nuk do të vijë për mëkatin,* dhe ata që e kërkojnë me ngulm për shpëtimin e tyre,+ do ta shohin.
10 E meqë Ligji është një hije+ e gjërave të mira që do të vijnë,+ por jo vetë realiteti i tyre, ai* nuk mundet kurrë që, nëpërmjet të njëjtave flijime që paraqiten vazhdimisht, vit për vit, t’i bëjë të përsosur ata që i afrohen Perëndisë.+ 2 Përndryshe, a nuk do të kishin pushuar paraqitjet e flijimeve, përderisa ata që i paraqitin* nuk do të ishin më të vetëdijshëm për mëkatet e tyre pasi të pastroheshin? 3 Përkundrazi, me anë të këtyre flijimeve, mëkatet kujtohen vit për vit,+ 4 sepse është e pamundur që gjaku i demave dhe i cjepve t’i heqë mëkatet.
5 Prandaj, kur erdhi në botë, Krishti tha: «Flijime dhe blatime nuk deshe, por më përgatite një trup. 6 Ti nuk miratove blatime të plota të djegura dhe as blatime për mëkatin.+ 7 Prandaj unë thashë: ‘Ja, unë kam ardhur (në rrotull* është shkruar për mua) të bëj vullnetin tënd, o Perëndi.’»+ 8 Siç shohim, pasi thotë: «Ti nuk deshe dhe as nuk miratove flijime, blatime, blatime të plota të djegura dhe blatime për mëkatin»—flijime që bëhen sipas Ligjit—9 ai shton: «Ja, unë kam ardhur të bëj vullnetin tënd.»+ Kështu, ai i jep fund të parës, që të vendosë të dytën. 10 E prej këtij «vullneti»+ jemi shenjtëruar një herë e mirë nëpërmjet blatimit të trupit të Jezu Krishtit.+
11 Gjithashtu, çdo prift paraqitet ditë për ditë në vendin e vet, që të kryejë shërbim të shenjtë*+ dhe të bëjë shpesh të njëjtat flijime,+ të cilat nuk mund t’i heqin kurrë plotësisht mëkatet.+ 12 Kurse ky njeri paraqiti një herë e mirë një flijim të vetëm për mëkatet dhe u ul në të djathtën e Perëndisë,+ 13 e që nga ajo kohë po pret derisa armiqtë t’i vihen si stol për këmbët.+ 14 Vërtet, me anë të një flijimi të vetëm, ai i ka bërë përgjithmonë të përsosur ata që po shenjtërohen.+ 15 Për më tepër, edhe fryma e shenjtë dëshmon për këtë, sepse, pasi thotë: 16 «Kjo është besëlidhja që do të bëj me ta pas atyre ditëve,—thotë Jehovai.*—Do t’ua vë ligjet e mia në zemër dhe do t’ua shkruaj në mendje»,+ 17 ajo shton: «Nuk do t’i sjell më ndër mend mëkatet dhe veprat e tyre të paligjshme.»+ 18 Prandaj, nëse këto falen, nuk nevojitet më një blatim për mëkatin.
19 Prandaj, vëllezër, përderisa kemi siguri të plotë se falë gjakut të Jezuit mund ta përdorim udhën e hyrjes për në vendin e shenjtë,*+ 20 të cilën ai e hapi* për ne si një udhë të re që çon në jetë nëpërmjet perdes,*+ domethënë trupit* të tij, 21 dhe përderisa kemi një prift të madh në krye të shtëpisë së Perëndisë,+ 22 le t’i afrohemi me zemër të sinqertë e me besim të plotë, sepse na janë pastruar* zemrat nga një ndërgjegje e keqe+ dhe na janë larë trupat me ujë të pastër.+ 23 Le të vazhdojmë të dëshmojmë publikisht për shpresën tonë pa u lëkundur,+ sepse Ai që e premtoi, është besnik. 24 E le të interesohemi* për njëri-tjetrin, që të nxitemi* për të shfaqur dashuri dhe për të bërë vepra të shkëlqyera,+ 25 e të mos i lëmë pas dore* mbledhjet tona,+ siç e kanë zakon disa, por t’i japim zemër njëri-tjetrit,*+ aq më tepër tani që e shohim se dita po afrohet.+
26 Tani, nëse vazhdojmë të mëkatojmë me dashje, pasi kemi marrë njohurinë e saktë të së vërtetës,+ s’ka më asnjë flijim për mëkatet,+ 27 por na pret një gjykim i frikshëm dhe indinjata e zjarrtë e Perëndisë, e cila do t’i përpijë ata që i kundërvihen.+ 28 Kush shpërfill Ligjin e Moisiut, dënohet me vdekje pa mëshirë, me dëshminë e dy ose tre vetave.+ 29 Ç’mendoni, pra, a nuk meriton një ndëshkim më të ashpër ai që e shkel me këmbë Birin e Perëndisë, që e konsideron si të zakonshëm gjakun e besëlidhjes,+ me anë të të cilit u shenjtërua, dhe që e nëpërkëmb me përbuzje frymën* nëpërmjet së cilës Perëndia tregon mirësi të pamerituar?!+ 30 Faktikisht, ne e njohim Atë që tha: «Hakmarrja më përket mua, unë do të shpaguaj», dhe: «Jehovai* do ta gjykojë popullin e tij.»+ 31 Sa e tmerrshme është të biesh në duart e Perëndisë së gjallë!
32 Megjithatë, mos harroni ditët e mëparshme kur përballuat një betejë të madhe mes shumë vuajtjesh, pasi Perëndia ju kishte ndriçuar mendjet.+ 33 Ndonjëherë ju ekspozuan publikisht* para fyerjeve dhe vuajtjeve,* e herë të tjera ju vetë iu bëtë krahë atyre* që po i provonin këto në kurriz. 34 Ju treguat se ju vinte keq për vëllezërit që ishin në burg dhe pranuat me gëzim t’jua plaçkitnin zotërimet,+ sepse e dini që keni një zotërim të qëndrueshëm e më të mirë.+
35 Prandaj, mos e humbni guximin,* sepse falë tij do të shpërbleheni me bollëk.+ 36 Vërtet, ju keni nevojë për qëndrueshmëri,+ që, pasi të keni bërë vullnetin e Perëndisë, të shijoni përmbushjen e premtimit, 37 sepse «edhe pak fare»+ dhe «ai që po vjen, do të mbërrijë e nuk do të vonojë».+ 38 «Por i drejti do të jetojë falë besimit»+ dhe «nëse ai sprapset, unë nuk kënaqem me të».+ 39 Megjithatë, ne nuk jemi lloji që sprapset e shkon drejt shkatërrimit,+ por lloji që ka besim dhe e shpëton jetën.
11 Besimi është siguria e plotë se ajo që shpresojmë do të realizohet,+ dëshmi e qartë* e realiteteve që nuk shihen. 2 E me anë të tij, njerëzit në lashtësi* morën dëshmi se kishin miratimin e Perëndisë.
3 Me anë të besimit, ne kuptojmë se sistemet* u themeluan me anë të fjalës së Perëndisë;* kështu, ajo që shihet, ka ardhur në jetë nëpërmjet asaj që nuk shihet.
4 Me anë të besimit, Abeli i paraqiti Perëndisë një flijim me vlerë më të madhe se i Kainit,+ e nëpërmjet këtij besimi mori dëshmi se ishte i drejtë, sepse Perëndia i miratoi* dhuratat e tij.+ Edhe pse vdiq, ai ende flet+ nëpërmjet besimit.
5 Me anë të besimit, Enoku+ u mor* që të mos shihte vdekjen, dhe nuk u gjet më, sepse e mori Perëndia.+ Megjithatë, përpara se ta merrte Perëndia, ai mori dëshmi se kishte vërtet pëlqimin e tij. 6 Gjithashtu, pa besim është e pamundur të kesh vërtet pëlqimin e Perëndisë, sepse kush i afrohet Perëndisë, duhet të besojë se ai ekziston dhe se bëhet shpërblyesi i atyre që e kërkojnë me ngulm.+
7 Me anë të besimit, Noeja,+ pasi u paralajmërua hyjnisht për gjëra që ende nuk shiheshin,+ tregoi nderim të thellë për Perëndinë* dhe ndërtoi një arkë+ për shpëtimin e familjes së vet. E nëpërmjet këtij besimi, ai e dënoi botën+ dhe u bë trashëgimtar i drejtësisë që vjen nga besimi.
8 Me anë të besimit, Abrahami,+ kur e thirri Perëndia, u bind të shkonte në një vend që do ta merrte si trashëgimi; ai shkoi, edhe pse nuk e dinte ku po shkonte.+ 9 Me anë të besimit, ai banoi në tokën e premtimit si i ardhur në dhé të huaj+ duke jetuar në tenda+ me Isakun e Jakobin, bashkëtrashëgimtarë të të njëjtit premtim si ai,+ 10 sepse ai priste qytetin që ka themele të vërteta, të cilin e projektoi dhe e ndërtoi Perëndia.*+
11 Me anë të besimit, edhe Sarës iu dha aftësia të lindte një pasardhës,* ndonëse e kishte kaluar tashmë moshën,+ ngaqë besonte se Ai që i kishte bërë premtimin, ishte besnik.* 12 Prandaj, nga një njeri i vetëm, që ishte thuajse i vdekur,+ lindën fëmijë+ të shumtë si yjet e qiellit dhe të panumërt si kokrrizat e rërës në breg të detit.+
13 Të gjithë këta vdiqën me besim, ndonëse nuk e shijuan përmbushjen e premtimeve,+ por i panë ato nga larg+ dhe i pritën me gëzim, si edhe shpallën botërisht se ishin të huaj e banorë të përkohshëm në atë vend. 14 Vërtet, kushdo që shpall gjëra të tilla, tregon qartë se po kërkon me ngulm një vend për veten. 15 Por, sikur ata ta kishin mbajtur mendjen te vendi nga ikën,+ do të kishin gjetur rast të ktheheshin. 16 Mirëpo njerëz të tillë synojnë një vend më të mirë, domethënë, një vend që i përket qiellit. Prandaj, Perëndisë nuk i vjen turp të quhet Perëndia i tyre,*+ madje ai ka bërë gati një qytet për ta.+
17 Me anë të besimit, Abrahami, kur u vu në provë,+ thuajse e flijoi Isakun. Po, ai që me gëzim kishte marrë premtimet, provoi të flijonte birin e tij të vetëm,*+ 18 edhe pse i ishte thënë: «Pasardhësi* yt i premtuar do të vijë nëpërmjet Isakut.»+ 19 Por ai besonte se Perëndia ishte në gjendje ta ngrinte atë edhe nga të vdekurit, e kështu i biri iu hoq vdekjes nga duart, dhe kjo shërben si një ilustrim.+
20 Me anë të besimit, edhe Isaku bekoi Jakobin+ dhe Esaun+ për gjërat që do të vinin.
21 Me anë të besimit, Jakobi, kur ishte në prag të vdekjes,+ bekoi secilin nga bijtë e Jozefit+ dhe adhuroi Perëndinë teksa mbështetej në shkopin e vet.+
22 Me anë të besimit, Jozefi, tek po i vinte fundi, përmendi eksodin e bijve të Izraelit dhe la amanete për eshtrat* e tij.+
23 Me anë të besimit, prindërit e fshehën Moisiun për tre muaj pasi lindi,+ sepse panë që fëmija ishte i bukur+ dhe nuk u frikësuan nga urdhri i mbretit.+ 24 Me anë të besimit, Moisiu, kur u rrit,+ nuk pranoi të quhej biri i bijës së faraonit+ 25 dhe zgjodhi të keqtrajtohej me popullin e Perëndisë, në vend që të gëzonte kënaqësitë e përkohshme të mëkatit, 26 sepse e konsideroi poshtërimin si i Mirosuri,* një pasuri me vlerë më të madhe se thesaret e Egjiptit dhe i mbante sytë të ngulur te shpërblimi. 27 Me anë të besimit, ai la Egjiptin+ pa iu frikësuar zemërimit të mbretit,+ sepse qëndroi i palëkundur si të shihte Atë që është i padukshëm.+ 28 Me anë të besimit, ai kremtoi Festën e Kalimit* dhe spërkati me gjak kornizat e dyerve,* që shkatërruesi* të mos u bënte keq* të parëlindurve të tyre.+
29 Me anë të besimit, ata kaluan përmes Detit të Kuq si të ishte tokë e thatë.+ Megjithatë, kur egjiptianët u përpoqën të bënin po njësoj, deti i përpiu.+
30 Me anë të besimit, muret e Jerikosë u rrëzuan pasi populli kishte marshuar rreth e qark për shtatë ditë.+ 31 Me anë të besimit, Rahaba, prostituta, nuk mori fund bashkë me ata që nuk u bindën, sepse i priti paqësisht vëzhguesit.+
32 E ç’të them më? Nuk do të më dilte koha po të vazhdoja të tregoja për Gideonin,+ Barakun,+ Samsonin,+ Jefteun,+ Davidin,+ si edhe për Samuelin+ e profetët e tjerë. 33 Nëpërmjet besimit ata mposhtën mbretër,+ vunë në vend drejtësinë, morën premtime,+ u mbyllën gojën luanëve,+ 34 shuan forcën e zjarrit,+ i shpëtuan tehut të shpatës,+ nga të dobët u bënë të fuqishëm,+ u bënë trima në luftë+ dhe shpartalluan ushtri pushtuese;+ 35 disa grave iu ringjallën të afërmit e vdekur;+ disa të tjerë i torturuan ngaqë refuzuan lirinë që iu ofrua,* me qëllim që të fitonin një ringjallje më të mirë. 36 Po, disa të tjerë i sprovuan, i bënë objekt talljesh dhe i fshikulluan, e madje më shumë se kaq, i vunë në vargonj+ dhe i futën në burgje,+ 37 i vranë me gurë,+ i sprovuan, i sharruan më dysh,* ranë të vdekur nga shpata,+ u endën të veshur me lëkurë deleje e me lëkurë dhish,+ ishin të keqtrajtuar,+ në hall e në vështirësi,*+ 38 dhe bota nuk ishte e denjë për ta. U endën nëpër shkretëtira e male, nëpër shpellat+ e zgavrat e tokës.
39 E megjithatë, edhe pse Perëndia u dha dëshmi se falë besimit të tyre kishin miratimin e tij, të gjithë ata nuk e shijuan përmbushjen e premtimit, 40 sepse Perëndia kishte menduar që më parë një shpërblim më të mirë për ne,+ që ata të mos bëheshin të përsosur* pa ne.
12 Prandaj, meqenëse na rrethon një re kaq e madhe dëshmitarësh, le të flakim edhe ne çdo peshë dhe mëkatin në të cilin ngecim lehtësisht,+ e të vrapojmë me qëndrueshmëri në garën që kemi përpara,+ 2 ndërsa e mbajmë shikimin të ngulur te Kryepërfaqësuesi dhe Përsosësi i besimit tonë, Jezui.+ Për gëzimin që iu vu përpara, ai duroi një shtyllë torture* pa e përfillur fare turpin dhe është ulur në të djathtën e fronit të Perëndisë.+ 3 Vërtet, mendoni me kujdes për atë që duroi fjalët armiqësore të mëkatarëve,+ që ata i thanë kundër vetë interesave të tyre, me qëllim që të mos lodheni e të mos dorëzoheni.*+
4 Në betejën kundër atij mëkati, ende nuk ju është dashur të luftoni deri në vdekje* 5 dhe e keni harruar fare nxitjen që ju drejtohet juve si bij: «Biri im, mos e nënvlerëso disiplinën* e Jehovait,* as mos u ligështo kur ai të ndreq, 6 sepse Jehovai* disiplinon atë që ka për zemër dhe ndëshkon* këdo që pranon si bir.»+
7 Keni nevojë të tregoni qëndrueshmëri, sepse është pjesë e disiplinës.* Perëndia po ju trajton si bij.+ Vërtet, a ka bir që i ati nuk e disiplinon?+ 8 Por, nëse të gjithë ju nuk do ta kishit marrë këtë disiplinë, do të ishit vërtet fëmijë të paligjshëm e jo bij. 9 Për më tepër, edhe etërit tanë, gjaku ynë,* na disiplinonin, dhe ne i respektonim. A nuk duhet të jemi edhe më të gatshëm t’i nënshtrohemi Atit që na drejton në jetë me frymën e tij të shenjtë, dhe të jetojmë?+ 10 Ata na disiplinuan për pak kohë, ashtu si u dukej më mirë, kurse ai e bën këtë për dobinë tonë, që të bëhemi të shenjtë si ai.+ 11 Vërtet, për momentin asnjë disiplinë nuk duket se sjell gëzim, përkundrazi sjell dhembje.* Por më pas u jep fryt paqeje dhe drejtësie atyre që stërvit.
12 Prandaj, forconi duart e lëshuara dhe gjunjët e këputur,+ 13 dhe vazhdoni t’i bëni të drejta shtigjet për këmbët tuaja,+ që, ajo që është e çalë, të mos bëhet më keq, por të shërohet. 14 Ndiqni udhën e paqes me të gjithë+ dhe bëni çmos të jeni të shenjtë,+ sepse askush nuk do ta shohë Zotërinë po të mos jetë i tillë. 15 Kini kujdes që asnjëri të mos e humbë mirësinë e pamerituar të Perëndisë, me qëllim që mes jush të mos mbijë asnjë rrënjë helmuese, e kështu të hapë telashe dhe të helmojë* shumë veta.+ 16 Bëni kujdes që mes jush të mos ketë asnjë imoral* e as ndonjë që nuk i vlerëson gjërat e shenjta, si Esau, i cili hoqi dorë nga të drejtat e tij si i parëlindur vetëm për një gjellë.+ 17 Se ju e dini që më pas, kur deshi të trashëgonte bekimin, ai bekim iu mohua dhe, ndonëse u përpoq me lot e me ngulm t’ia ndryshonte mendjen të atit,+ nuk ia doli dot.
18 Ju nuk i jeni afruar një mali të prekshëm+ e që është në flakë,+ të rrethuar me një re të zezë, me errësirë të thellë e furtunë,+ 19 as një buçitjeje trumbetash+ a një zëri nga qielli.+ Tek dëgjonte këtë zë, populli u përgjërua të mos i thuhej më asnjë fjalë,+ 20 sepse ishte i tmerruar nga urdhri: «Edhe sikur një kafshë ta prekë malin, duhet të vritet me gurë.»+ 21 Skena ishte kaq e frikshme, saqë Moisiu tha: «Po dridhem nga frika.»+ 22 Mirëpo ju i jeni afruar malit Sion+ dhe qytetit të Perëndisë së gjallë, Jerusalemit qiellor,+ si edhe dhjetëra mijë engjëjve* 23 në asamblenë e tyre të madhe,+ kongregacionit të të parëlindurve, që i kanë emrat të shkruar në qiej, Perëndisë, Gjykatësit të të gjithëve,+ të drejtëve që jetojnë në harmoni me frymën e shenjtë+ e që janë bërë të përsosur,+ 24 Jezuit, ndërmjetësit+ të një besëlidhjeje të re,+ dhe gjakut me të cilin na spërkati, që flet më mirë se gjaku i Abelit.+
25 Bëni kujdes se mos nuk ia vini veshin* atij që po flet, sepse, nëse nuk shpëtuan ata që nuk ia vunë veshin atij që jepte paralajmërimin hyjnor në tokë, aq më shumë nuk do të shpëtojmë ne po t’ia kthejmë krahët atij që flet nga qiejt!+ 26 Në atë kohë zëri i tij shkundi tokën,+ por tani ai ka premtuar: «Unë do të shkund edhe një herë, jo vetëm tokën, por edhe qiellin.»+ 27 Shprehja «edhe një herë» tregon se Perëndia do të heqë gjërat që shkunden, gjëra që nuk i ka bërë vetë, që të mbeten gjërat që nuk shkunden. 28 Prandaj, meqë do të marrim një Mbretëri që nuk mund të shkundet, le të vazhdojmë të nxjerrim dobi nga mirësia e pamerituar e Perëndisë, nëpërmjet së cilës mund t’i bëjmë shërbim të shenjtë e të pranueshëm, me frikë* e nderim të thellë, 29 sepse Perëndia ynë është një zjarr që përpin.+
13 Vazhdoni të tregoni dashuri vëllazërore.+ 2 Mos harroni mikpritjen,*+ sepse nëpërmjet saj disa, pa e ditur, pritën engjëj.+ 3 Kujtoni ata që janë në burgje,*+ sikur të ishit të burgosur me ta,+ dhe ata që keqtrajtohen, sikur të vuanit me ta.* 4 Martesa të nderohet nga të gjithë dhe shtrati martesor të jetë pa ndyrësi,+ sepse Perëndia do të gjykojë imoralët* dhe kurorëshkelësit.+ 5 Jetesa juaj të jetë pa lakmi* për pará!+ Jini të kënaqur me atë që keni,+ sepse ai ka thënë: «Kurrsesi nuk do të të lë dhe kurrsesi nuk do të të braktis.»+ 6 Kështu mund të themi plot guxim: «Jehovai* është ndihma ime, nuk do të kem frikë. Ç’mund të më bëjë njeriu?!»+
7 Kujtoni ata që marrin drejtimin mes jush,+ të cilët ju kanë mësuar fjalën e Perëndisë, dhe ndërsa shihni me kujdes rezultatin e sjelljes së tyre, imitoni besimin e tyre.+
8 Jezu Krishti është i njëjti, dje, sot dhe përgjithmonë.
9 Mos u mashtroni nga mësime të ndryshme të huaja, sepse është më mirë që zemra të forcohet me anë të mirësisë së pamerituar e jo me anë të ushqimeve,* të cilat nuk u sjellin asnjë dobi atyre që u japin tepër rëndësi.+
10 Ne kemi një altar, dhe ata që kryejnë shërbim të shenjtë në tendë,* nuk janë të autorizuar të hanë prej tij,+ 11 sepse trupat e atyre kafshëve, gjakun e të cilave kryeprifti e çon në vendin e shenjtë* si blatim për mëkatin, digjen jashtë kampit.+ 12 Ja pse edhe Jezui vuajti jashtë portës së qytetit,+ që të shenjtëronte popullin me gjakun e vet.+ 13 Prandaj, le të shkojmë tek ai, jashtë kampit, dhe të mbajmë mbi vete poshtërimin që mbajti ai,+ 14 sepse ne nuk kemi këtu një qytet të qëndrueshëm, por po kërkojmë me ngulm qytetin që do të vijë.+ 15 E nëpërmjet tij, le t’i paraqitim gjithnjë Perëndisë një flijim lëvdimi,+ po, frytin e buzëve tona,+ duke shpallur publikisht emrin e tij.+ 16 Gjithashtu, mos harroni të bëni mirë dhe të ndani me të tjerët atë që keni,+ sepse Perëndia kënaqet shumë me flijime të tilla.+
17 Jini të bindur ndaj atyre që marrin drejtimin mes jush+ dhe jini të nënshtruar,+ sepse rrinë zgjuar për ju* e do të japin llogari,+ që ta bëjnë këtë me gëzim e jo me psherëtima, sepse kjo do të ishte në dëmin tuaj.
18 Vazhdoni të luteni për ne, sepse jemi të bindur që kemi një ndërgjegje të pastër* dhe duam të sillemi me ndershmëri në çdo gjë.+ 19 E sidomos ju nxit të luteni që të kthehem sa më shpejt te ju.
20 Tani, Perëndia i paqes, që me gjakun e një besëlidhjeje të përhershme, ngriti nga të vdekurit bariun e madh+ të deleve, Zotërinë tonë Jezu, 21 ju pajistë me çdo gjë të mirë për të kryer vullnetin e tij dhe, nëpërmjet Jezu Krishtit, realizoftë te ne ç’është e pëlqyeshme në sytë e tij, të cilit i qoftë lavdia në jetë të jetëve! Amin!
22 Ju nxit, vëllezër, që t’i dëgjoni me durim këto fjalë inkurajimi, se një letër të shkurtër ju kam shkruar. 23 Dijeni se vëllanë tonë Timote e kanë liruar dhe, nëse ai vjen shpejt, do të vijmë bashkë t’ju takojmë.
24 Bëjuni të fala nga unë të gjithë atyre që marrin drejtimin mes jush dhe gjithë të shenjtëve. Vëllezërit në Itali+ ju çojnë të fala.
25 Mirësia e pamerituar e Perëndisë qoftë me ju të gjithë!
Ose «kohët». Shih Fjalorthin.
Ose «një pozitë».
Ose «Le të përkulen para tij».
Fjalë për fjalë «frymë». Shih Fjalorthin.
Kjo fjalë shpesh nënkupton shpërfillje ndaj ligjeve të Perëndisë.
Shih Fjalorthin.
Ose «me vajin e ngazëllimit më shumë».
Fjalë për fjalë «frymë». Shih Fjalorthin.
Ose «shërbim publik».
Domethënë, Ligji i Moisiut.
Ose «të çudirave».
Ose «tokën e banuar».
Ose «të dashamirësisë së pamerituar». Shih Fjalorthin.
Ose «ta kualifikonte plotësisht».
Shih Fjalorthin.
Shih Fjalorthin, «Shenjtërimi».
Shih Fjalorthin.
Shih Shtojcën A5.
Fjalë për fjalë «farës».
Ose «një flijim shlyes; që të bënte shlyerjen».
Ose «të ftesës».
Ose «e rrëfejmë».
Shih Fjalorthin.
I referohet kombit të Izraelit.
Domethënë, Jezui.
Ose «Nuk do të bashkohen me mua».
Ose «bëhemi pjesëmarrës të Krishtit».
Fjalë për fjalë «të kemi frikë».
Ose «njeriun e jashtëm». Shih Fjalorthin.
Ose «njeriun e brendshëm». Shih Fjalorthin.
Ose «kyçet».
Ose «nuk i vjen keq».
Ose «me butësi; me maturi».
Ose «e që janë në rrugë të gabuar».
Ose «është rob i dobësive të tij».
Fjalë për fjalë «Në ditët e mishit të tij».
Fjalë për fjalë «i frikësohej Perëndisë». Shih Fjalorthin.
Ose «pasi u kualifikua plotësisht».
Fjalë për fjalë «Duke pasur parasysh kohën».
Ose «aftësitë perceptuese; mendjen».
Shih Fjalorthin, «Vënia e duarve».
Ose «dhuratën qiellore falas».
Fjalë për fjalë «fuqitë».
Ose «të kohës; të rendit». Shih Fjalorthin.
Shih Fjalorthin.
Ose «vullneti».
Ose «ndërhyri». Fjalë për fjalë «ndërmjetësoi».
Domethënë, premtimit dhe betimit të Jehovait.
Ose «për jetën».
Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «i ndau».
Ose «në vazhdimësi».
Ose «kreu i familjes».
Fjalë për fjalë «kanë dalë nga ijët».
Fjalë për fjalë «gjenealogjia».
Fjalë për fjalë «ishte ende në ijët».
Fjalë për fjalë «sipas mishit».
Shih Shtojcën A5.
Ose «nuk do të bëhet pishman».
Ose «është kualifikuar plotësisht».
Ose «i Më të Shenjtës».
Ose «i tabernakullit të vërtetë».
Shih Shtojcën A5.
Ose «shërbim publik».
Ose «tabernakullin».
Shih Shtojcën A5.
Shih Shtojcën A5.
Shih Shtojcën A5.
Shih Shtojcën A5.
Ose «tendë adhurimi; tabernakull».
Shih Fjalorthin.
Shih Fjalorthin.
Ose «vendit të shlyerjes». Shih Fjalorthin, «Kapaku i pajtuesit».
Ose «Më të Shenjtën».
Ose «atij që kryen shërbim të shenjtë».
Fjalë për fjalë «pagëzime të ndryshme».
Ose «Më të Shenjtën».
Fjalë për fjalë «shpërblesë; shpengim». Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «mishin».
Fjalë për fjalë «një fryme të përhershme».
Ose «të vdesë flijimi ndërmjetësues».
Fjalë për fjalë «nuk u përurua».
Shih Fjalorthin.
Ose «librin».
Ose «e shërbimit publik».
Ose «Më të Shenjtën».
Fjalë për fjalë «përpara fytyrës».
Ose «Më të Shenjtën».
Ose «të këtyre kohëve». Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «do të jetë veçmas mëkatit».
Një mundësi tjetër «njerëzit».
Ose «ata që kryejnë shërbim të shenjtë».
Fjalë për fjalë «në rrotullën e librit».
Ose «shërbim publik».
Shih Shtojcën A5.
Ose «Më të Shenjtën».
Fjalë për fjalë «e përuroi».
Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «mishit».
Fjalë për fjalë «janë spërkatur», pra, janë spërkatur me gjakun e Jezuit.
Ose «le të kujdesemi; le të kemi merak».
Ose «të motivohemi».
Fjalë për fjalë «të mos i braktisim».
Ose «të inkurajojmë njëri-tjetrin».
Shih Fjalorthin.
Shih Shtojcën A5.
Fjalë për fjalë «ju ekspozuan si në teatër».
Ose «shtrëngimeve».
Ose «vuajtët si ata».
Ose «mos e flakni tej lirinë e fjalës».
Ose «provë bindëse».
Ose «paraardhësit tanë».
Ose «kohët». Shih Fjalorthin.
Ose «me urdhër të Perëndisë».
Ose «dha dëshmi se i pranoi».
Ose «u hoq».
Fjalë për fjalë «frikë Perëndie». Shih Fjalorthin.
Ose «arkitekti dhe ndërtuesi i të cilit është Perëndia».
Fjalë për fjalë «një farë».
Ose «i besueshëm».
Ose «ta thërrasin për ndihmë si Perëndinë e tyre».
Fjalë për fjalë «të vetëmlindur».
Fjalë për fjalë «Fara». Në greqisht kjo fjalë mund të nënkuptojë edhe shumësin. Shih Fjalorthin.
Ose «udhëzime për varrimin».
Fjalë për fjalë «e Krishtit». Shih Fjalorthin, «Krishti».
Ose «kremtoi Pashkën». Shih Fjalorthin.
Ose «shtalkat».
Ndoshta i referohet një engjëlli të Perëndisë.
Fjalë për fjalë «të mos i prekte».
Ose «të çliroheshin nëpërmjet ndonjë shpërblese».
Ose «në mes».
Ose «në shtrëngim».
Ose «të plotë».
Shih Fjalorthin.
Ose «që shpirti juaj të mos lodhet e të mos ligështohet».
Fjalë për fjalë «në gjak».
Shih Fjalorthin.
Shih Shtojcën A5.
Shih Shtojcën A5.
Fjalë për fjalë «fshikullon».
Ose «e stërvitjes».
Fjalë për fjalë «mishi ynë».
Ose «hidhërim».
Ose «të ndotë».
Shih Fjalorthin, «Imoraliteti seksual».
Ose «një morie engjëjsh».
Ose «mos i nxirrni justifikime; mos e shpërfillni».
Shih Fjalorthin, «Frika nga Perëndia».
Ose «Mos harroni të tregoheni zemërmirë me të huajt».
Fjalë për fjalë «në vargonj».
Fjalë për fjalë «meqë edhe ju vetë jeni prej mishi e gjaku».
Shih Fjalorthin, «Imoraliteti seksual».
Ose «pa dashuri».
Shih Shtojcën A5.
Domethënë, rregullave për ushqimet.
Ose «tempull».
Ose «Më të Shenjtën».
Ose «vigjilojnë për shpirtin tuaj».
Fjalë për fjalë «të mirë».