BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • nwt 2 Timoteut 1:1-4:22
  • 2 Timoteut

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • 2 Timoteut
  • Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re 2019
Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re 2019
2 Timoteut

LETRA E DYTË DREJTUAR TIMOTEUT

1 Pavli, apostull i Krishtit Jezu falë vullnetit të Perëndisë, në përputhje me premtimin e jetës që vjen përmes Krishtit Jezu,+ 2 drejtuar Timoteut, një biri të dashur:+

Mirësia e pamerituar,* mëshira dhe paqja nga Perëndia, Ati, si edhe nga Krishti Jezu, Zotëria ynë, qofshin me ty!

3 I jam mirënjohës Perëndisë, të cilit po i bëj shërbim të shenjtë si paraardhësit e mi dhe me ndërgjegje të pastër, ndërsa të kujtoj pa pushim në përgjërimet e mia natë e ditë. 4 Sa herë kujtoj lotët e tu, më pushton malli që të të shoh e të më mbushet zemra me gëzim, 5 sepse sjell ndër mend besimin tënd pa hipokrizi,+ që në fillim e kishte gjyshja jote Loida dhe nëna jote Eunika, e që jam i sigurt se e ke edhe ti.

6 Për këtë arsye të kujtoj ta mbash të ndezur si zjarr dhuratën e Perëndisë, e cila t’u dha kur vura duart mbi ty,*+ 7 sepse Perëndia nuk na dha frymën e frikacakëve,+ por të fuqisë,+ të dashurisë dhe të mendjes së shëndoshë. 8 Prandaj, të mos të vijë turp as nga dëshmia për Zotërinë tonë,+ as nga unë, i burgosur për hir të tij, por ji gati të vuash edhe ti+ për lajmin e mirë, duke u mbështetur te fuqia e Perëndisë.+ 9 Ai na shpëtoi dhe na thirri me një thirrje të shenjtë,+ jo falë veprave tona, por falë qëllimit dhe mirësisë së tij të pamerituar.+ Kjo mirësi na u dha shumë kohë më parë nëpërmjet Krishtit Jezu, 10 por tani është bërë qartësisht e dukshme nëpërmjet shfaqjes së Shpëtimtarit tonë, Krishtit Jezu,+ i cili ka shfuqizuar vdekjen+ dhe na ka treguar nëpërmjet lajmit të mirë+ si të kemi jetë+ e një trup që nuk shkatërrohet.+ 11 E për këtë lajm unë u emërova predikues, apostull dhe mësues.+

12 Pikërisht për këtë arsye po i vuaj këto gjëra,+ por nuk më vjen turp,+ sepse e njoh Perëndinë* të cilit i kam besuar dhe jam i sigurt se ai është në gjendje ta ruajë atë që i kam lënë nën kujdes deri në ditën e caktuar.+ 13 Vazhdo t’i përmbahesh modelit* të fjalëve të dobishme*+ që dëgjove nga unë, ndërsa tregon atë besim e dashuri që vjen kur je në unitet me Krishtin Jezu. 14 Këtë gjë të shkëlqyer që të është besuar, ruaje nëpërmjet frymës së shenjtë që është te ne.+

15 Ti e di se të gjithë njerëzit në provincën e Azisë+ më kanë kthyer krahët, ndër ta edhe Figeli e Hermogeni. 16 Zotëria u dhëntë mëshirë atyre të shtëpisë së Onesiforit,+ sepse ai më ka sjellë shpeshherë freskim dhe nuk i ka ardhur turp për vargonjtë e mi. 17 Përkundrazi, kur ishte në Romë, më kërkoi me ngulm dhe më gjeti. 18 Zotëria Jehova* i dhëntë mëshirë ditën e caktuar! E ti e di fare mirë sa shumë më shërbeu kur isha në Efes.

2 Ti, biri im,+ vazhdo të marrësh fuqi falë mirësisë së pamerituar që tregon Krishti Jezu. 2 Gjërat që dëgjove nga unë, të mbështetura nga shumë dëshmitarë,+ besojua burrave të besueshëm, të cilët pastaj do të jenë të kualifikuar aq sa duhet për të mësuar edhe të tjerë. 3 Ji gati të vuash+ edhe ti si ushtar i shkëlqyer+ i Krishtit Jezu. 4 Kush është ushtar, nuk përfshihet* në çështjet tregtare* të jetës, sepse do që të fitojë miratimin e atij që e ka rekrutuar si ushtar. 5 Madje, edhe një atlet nuk kurorëzohet po të mos marrë pjesë në garë* sipas rregullave.+ 6 Bujku që punon fort, duhet të jetë i pari që i shijon frytet e tokës së vet. 7 Mendoji vazhdimisht këto që po të them. Zotëria do të të japë aftësi për të kuptuar* gjithçka.

8 Mos harro se Jezu Krishti u ngrit nga të vdekurit+ dhe ishte pasardhës* i Davidit,+ e ky është lajmi i mirë që po predikoj,+ 9 për të cilin po vuaj e jam burgosur si kriminel.+ Megjithatë, fjala e Perëndisë nuk është e lidhur me vargonj.+ 10 Për këtë arsye vazhdoj të duroj gjithçka për hir të të zgjedhurve,+ që edhe ata të shpëtojnë nëpërmjet Krishtit Jezu, si edhe të fitojnë lavdi të përhershme. 11 E besueshme është kjo thënie: pa dyshim, nëse vdiqëm bashkë me të, edhe do të jetojmë bashkë me të;+ 12 nëse vazhdojmë të qëndrojmë, edhe do të mbretërojmë bashkë me të;+ nëse e mohojmë, edhe ai do të na mohojë;+ 13 nëse nuk jemi besnikë, ai mbetet besnik, sepse nuk e mohon dot veten.*

14 Vazhdo t’ua kujtosh këto gjëra, duke i udhëzuar* përpara Perëndisë të mos zihen për fjalë, sepse kjo s’ka asnjë dobi dhe i dëmton* ata që i dëgjojnë. 15 Bëj çmos të paraqitesh para Perëndisë i miratuar, si një punëtor që s’ka pse t’i vijë turp për asgjë, që e përdor drejt fjalën e së vërtetës.+ 16 Por hidhi poshtë fjalët boshe, që shpërfillin atë që është e shenjtë,+ sepse ato* do të nxisin gjithnjë e më shumë një qëndrim shpërfillës ndaj Perëndisë. 17 Fjalët e këtyre njerëzve do të përhapen si gangrenë; ndër ta janë Himeneu dhe Fileti.+ 18 Këta njerëz janë larguar nga e vërteta dhe thonë se ringjallja ka ndodhur tashmë,+ e po minojnë besimin e disave. 19 Megjithatë, themeli i fortë i Perëndisë qëndron i patundur dhe ka këtë vulë: «Jehovai* i njeh ata që i përkasin»,+ dhe: «Kushdo që mban emrin e Jehovait,*+ të heqë dorë nga padrejtësia.»

20 Tani, në një shtëpi të madhe nuk ka vetëm enë ari e argjendi, por edhe druri e balte, dhe disa janë për përdorim të veçantë,* por të tjerat për përdorim të zakonshëm.* 21 Kështu, nëse dikush u rri larg këtyre të fundit, do të jetë enë* për përdorim të veçantë, e shenjtëruar,* e dobishme për të zotin dhe e përgatitur për çdo vepër të mirë. 22 Prandaj ik nga dëshirat rinore. Kërko me ngulm drejtësinë, besimin, dashurinë e paqen, bashkë me ata që me zemër të pastër tregojnë besim te Zotëria.

23 Gjithashtu, hidh poshtë debatet e marra prej injoranti,+ duke ditur se ato sjellin zënka. 24 Pasi skllavi i Zotërisë nuk duhet të luftojë, por duhet të jetë i ëmbël* me të gjithë,+ i kualifikuar për të mësuar, ta frenojë veten kur t’i bëjnë ndonjë padrejtësi+ 25 dhe t’i mësojë me butësi ata që kanë prirjen të mos ia vënë veshin.+ Ndoshta Perëndia u jep këtyre mundësi të pendohen,* e kështu të rifitojnë njohurinë e saktë për të vërtetën+ 26 si edhe të vijnë në vete e të dalin nga laku i Djallit, ku ai i ka zënë të gjallë që të bëjnë vullnetin e tij.+

3 Por dije se në ditët e fundit do të ketë kohë kritike,+ të vështira për t’u përballuar. 2 Njerëzit do të jenë të dashuruar me veten,* lakmues parash,* mburravecë, fodullë, blasfemues,* të pabindur ndaj prindërve, mosmirënjohës, të pabesë, 3 pa përzemërsi të natyrshme, nuk do të jenë të gatshëm për asnjë marrëveshje, shpifës, pa vetëkontroll, të egër, pa dashuri për mirësinë, 4 tradhtarë, kokëkrisur, të krekosur, që duan kënaqësitë dhe jo Perëndinë, 5 që duket sikur janë të përkushtuar ndaj Perëndisë, por fuqia e këtij përkushtimi nuk ndikon në jetën e tyre.+ Nga këta largohu. 6 Nga mesi i këtyre dalin ata njerëz që futen dhelpërisht nëpër familje dhe bëjnë për vete gra të dobëta, të ngarkuara me mëkate, që e lënë veten në dorë të dëshirave të ndryshme, 7 të cilat mësojnë vazhdimisht, e prapëseprapë nuk janë kurrë në gjendje të fitojnë njohurinë e saktë për të vërtetën.

8 Ashtu si Janesi dhe Jambresi iu kundërvunë Moisiut, edhe këta vazhdojnë t’i kundërvihen së vërtetës. Këta janë njerëz me mendje krejt të korruptuar dhe të pamiratuar për sa i përket besimit. 9 Sidoqoftë, ata nuk do t’ia dalin mbanë, sepse marrëzia e tyre* do të duket fare qartë për të gjithë, si në rastin e atyre dy njerëzve.+ 10 Kurse ti ke ndjekur hap pas hapi mësimin tim, mënyrën time të të jetuarit,+ qëllimin tim, besimin tim, durimin tim, dashurinë time, qëndrueshmërinë time, 11 përndjekjet dhe vuajtjet e mia, si ato që hoqa në Antioki,+ në Ikoni+ e në Listër.+ U bëra ballë këtyre përndjekjeve, e Zotëria më çliroi nga të gjitha.+ 12 Në të vërtetë, të gjithë ata që dëshirojnë të jetojnë me përkushtim ndaj Perëndisë* në unitet me Krishtin Jezu, do të përndiqen.+ 13 Kurse njerëzit e ligj dhe mashtrues do të shkojnë keq e më keq, duke mashtruar të tjerët e duke u mashtruar edhe vetë.+

14 Mirëpo ti vazhdo në gjërat që mësove dhe u binde të besoje,+ duke ditur se prej kujt i mësove 15 dhe se që nga foshnjëria+ i ke njohur shkrimet e shenjta,+ të cilat janë në gjendje të të bëjnë të mençur e të sjellin shpëtimin nëpërmjet besimit në Krishtin Jezu.+ 16 I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia+ dhe i dobishëm për të mësuar,+ për të korrigjuar, për të ndrequr* dhe për të disiplinuar* në drejtësi,+ 17 që njeriu i Perëndisë të jetë krejtësisht i zoti, plotësisht i pajisur për çdo vepër të mirë.

4 Të urdhëroj solemnisht përpara Perëndisë dhe Krishtit Jezu, i cili do të gjykojë+ të gjallët e të vdekurit+ kur të shfaqet qartë+ dhe të jetë në Mbretërinë e tij:+ 2 prediko fjalën,+ bëje këtë me urgjencë në kohë të favorshme e në kohë të vështira, korrigjo,+ hiq vërejtje, nxit me shumë durim dhe me art mësimdhënieje.+ 3 Sepse do të vijë koha kur ata njerëz nuk do ta durojnë dot mësimin e shëndoshë,*+ por në përputhje me dëshirat e veta, do ta rrethojnë veten me mësues që t’u gudulisin veshët.*+ 4 Ata nuk do ta dëgjojnë më të vërtetën e do t’ua vënë veshin përrallave. 5 Kurse ti, ruaj gjykimin në gjithçka, qëndro përballë vështirësive,+ bëj veprën e ungjillëzuesit,* kryeje plotësisht shërbimin tënd.+

6 Se tashmë jam derdhur si blatim në pije*+ dhe koha e caktuar për çlirimin tim+ është në prag. 7 Luftën e shkëlqyer e bëra,+ garën e përfundova,+ besimin e ruajta. 8 Që tani e tutje, për mua ruhet kurora e drejtësisë,+ të cilën Zotëria, gjykatësi i drejtë,+ do të ma japë si shpërblim ditën e caktuar,+ madje jo vetëm mua, por edhe të gjithë atyre që u digjet zemra për shfaqjen e tij.

9 Bëj çmos të vish sa më shpejt tek unë, 10 sepse Dema+ më braktisi, ngaqë donte këtë botë* dhe shkoi në Selanik. Kurse Kreshenci është në Galati e Titi në Dalmaci. 11 Me mua është vetëm Luka. Merre me vete Markun, sepse është i dobishëm për shërbimin tim. 12 Kurse Tikikun+ e dërgova në Efes. 13 Kur të vish, sill mantelin që lashë në Troadë, te Karpi, dhe rrotullat, sidomos pergamenat.*

14 Aleksandri, bakërpunuesi, më bëri shumë të këqija. Jehovai* do ta shpërblejë sipas veprave.+ 15 Ruhu edhe ti nga ai, sepse i është kundërvënë jashtë mase mesazhit tonë.

16 Në mbrojtjen time të parë, askush nuk m’u gjend pranë dhe të gjithë më braktisën​—Perëndia mos u kërkoftë llogari për këtë. 17 Gjithsesi, Zotëria më qëndroi pranë, më mbushi me fuqi, që nëpërmjet meje predikimi të kryhej plotësisht e të gjitha kombet ta dëgjonin,+ dhe më shpëtoi nga goja e luanit.+ 18 Zotëria do të më çlirojë nga çdo ligësi e do të më shpëtojë për Mbretërinë e tij qiellore.+ Atij i qoftë lavdia në jetë të jetëve! Amin!

19 Bëju të fala Priskës e Akuilës+ dhe atyre të shtëpisë së Onesiforit.+

20 Erasti+ qëndroi në Korint, kurse Trofimin+ e lashë të sëmurë në Milet. 21 Bëj çmos të mbërrish para dimrit.

Të bën të fala Eubuli, si dhe Pudenci, Lini, Klaudia dhe të gjithë vëllezërit.

22 Zotëria qoftë me frymën* që ti tregon! Mirësia e tij e pamerituar qoftë me ju!

Ose «Dashamirësia e pamerituar». Shih Fjalorthin.

Shih Fjalorthin, «Vënia e duarve».

Fjalë për fjalë «Atë».

Ose «standardit».

Fjalë për fjalë «të shëndosha».

Shih Shtojcën A5.

Fjalë për fjalë «nuk ngatërrohet».

Një mundësi tjetër «në aktivitetet e përditshme».

Fjalë për fjalë «lojëra». Këtu përfshihen lloje të ndryshme sportesh.

Ose «aftësi dalluese për».

Fjalë për fjalë «farë».

Ose «nuk del dot jashtë natyrës së vet».

Fjalë për fjalë «duke u dhënë dëshmi të plotë».

Ose «i shkatërron; i rrëzon».

Një mundësi tjetër «ata».

Shih Shtojcën A5.

Shih Shtojcën A5.

Fjalë për fjalë «të nderuar».

Fjalë për fjalë «pa nder».

Ose «mjet».

Shih Fjalorthin, «Shenjtërimi».

Ose «duhet të ketë takt».

Ose «u jep mundësi të ndryshojnë mendje».

Ose «egoistë».

Ose «të dashuruar pas parave».

Shih Fjalorthin.

Ose «budallallëku i tyre».

Ose «përkushtim hyjnor». Shih Fjalorthin.

Ose «për të vënë gjërat në vijë».

Shih Fjalorthin.

Ose «e dobishëm».

Ose «që t’u thonë atë që duan të dëgjojnë».

Ose «prediko vazhdimisht lajmin e mirë».

Shih Fjalorthin.

Ose «këtë sistem; këtë rend». Shih Fjalorthin.

Domethënë, rrotullat prej lëkure.

Shih Shtojcën A5.

Shih Fjalorthin.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo