BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • nwt 2 Selanikasve 1:1-3:18
  • 2 Selanikasve

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • 2 Selanikasve
  • Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re 2019
Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re 2019
2 Selanikasve

LETRA E DYTË DREJTUAR SELANIKASVE

1 Pavli, Silvani* dhe Timoteu,+ drejtuar kongregacionit* të selanikasve, që është në unitet me Perëndinë, Atin tonë, dhe me Zotërinë Jezu Krisht:

2 Mirësia e pamerituar* dhe paqja nga Perëndia, Ati, si edhe nga Zotëria Jezu Krisht, qofshin me ju!

3 E ndiejmë për detyrë ta falënderojmë gjithmonë Perëndinë për ju, vëllezër, e kjo është me vend, sepse besimi juaj po rritet gjithnjë e më shumë dhe dashuria e secilit prej jush për njëri-tjetrin po shtohet.+ 4 Kështu, ne krenohemi me ju+ nëpër kongregacionet e Perëndisë për qëndrueshmërinë dhe besimin që po tregoni në të gjitha përndjekjet dhe vështirësitë që po hasni.*+ 5 E gjithë kjo është provë se Perëndia gjykon me drejtësi, e falë kësaj do të quheni të denjë për Mbretërinë e Perëndisë, për të cilën vërtet po vuani.+

6 Faktikisht, është e drejtë nga ana e Perëndisë t’i ndëshkojë me shtrëngim* ata që ju shkaktojnë shtrëngime.+ 7 Kurse juve që hasni shtrëngime, do t’ju lehtësojë bashkë me ne kur të zbulohet nga qielli Zotëria Jezu+ me engjëjt e tij të fuqishëm+ 8 në një zjarr flakërues, që të hakmerret kundër atyre që nuk e njohin Perëndinë dhe kundër atyre që nuk i binden lajmit të mirë lidhur me Zotërinë tonë Jezu.+ 9 Këta do të ndëshkohen me shkatërrim të përhershëm,+ do të flaken larg syve të Zotërisë dhe nuk do ta shohin më fuqinë e tij të lavdishme 10 kur ai të vijë për të marrë lavdi bashkë me të shenjtët* e tij. Atë ditë, të gjithë ata që treguan besim, do ta shohin të mrekulluar, ngaqë e mirëpritën plot besim dëshminë që dhamë.

11 Prandaj lutemi gjithnjë për ju, që Perëndia ynë t’ju quajë të denjë për thirrjen e tij,+ që të bëjë me fuqinë e tij çdo gjë të mirë që dëshiron dhe që veprat tuaja të besimit të japin fryt. 12 Kështu, emri i Zotërisë tonë Jezu do të marrë lavdi prej jush dhe ju do të merrni lavdi në unitet me të, sipas mirësisë së pamerituar të Perëndisë tonë dhe të Zotërisë Jezu Krisht.

2 Megjithatë, vëllezër, për sa i përket pranisë së Zotërisë tonë Jezu Krisht+ dhe kohës kur do të mblidhemi bashkë me të,+ ju kërkojmë 2 të mos e humbni shpejt gjykimin, as të mos alarmoheni nga ndonjë thënie e frymëzuar*+ ose nga ndonjë fjalë a nga ndonjë letër gjoja e shkruar nga ne, sikur dita e Jehovait*+ tashmë ka ardhur.

3 Askush të mos ju largojë nga rruga e drejtë* në ndonjë mënyrë, sepse ajo ditë nuk do të vijë pa ardhur më parë apostazia+ dhe pa u zbuluar njeriu i paligjshmërisë,*+ biri i shkatërrimit.+ 4 Ai është një kundërshtar që e lartëson veten mbi këdo që quhet «perëndi» e mbi çdo objekt adhurimi, aq sa ulet në tempullin e Perëndisë dhe e paraqet veten para të gjithëve si perëndi. 5 A nuk ju kujtohet se kur isha ende me ju, jua thosha këto gjëra?

6 Tani, pra, e dini kush po vepron si forcë frenuese, me qëllim që njeriu i paligjshmërisë të mos zbulohet para kohës së caktuar. 7 Vërtet, kjo paligjshmëri, që tashmë është në veprim,+ do të mbetet mister deri kur të mos jetë më ai që tani vepron si forcë frenuese. 8 Atëherë do të zbulohet vërtet njeriu i paligjshmërisë, të cilin Zotëria Jezu do ta zhdukë me forcën e fjalës së tij*+ dhe do ta asgjësojë kur prania e Tij të shfaqet qartë.+ 9 Megjithatë, prania e njeriut të paligjshmërisë është vepër e Satanait,+ sikurse edhe çdo vepër e fuqishme, shenjë e mrekulli* e rreme+ 10 dhe çdo mashtrim e padrejtësi.+ Këto gjëra i mashtrojnë ata që do të shpaguhen me shkatërrim, ngaqë nuk e pranuan dhe nuk e deshën me gjithë zemër të vërtetën, që të shpëtonin. 11 Ja pse Perëndia lejon që ata të ndikohen nga mashtrimet, e kështu t’i besojnë gënjeshtrës,+ 12 me qëllim që të gjithë të gjykohen, pasi nuk e besuan të vërtetën, por u kënaqën me padrejtësinë.

13 Megjithatë, ne e ndiejmë për detyrë ta falënderojmë gjithnjë Perëndinë për ju, o vëllezër të dashur për Jehovain,* sepse që në fillim Perëndia ju zgjodhi+ që të shpëtonit dhe ju shenjtëroi*+ me frymën e tij ngaqë e besuat të vërtetën. 14 Nëpërmjet lajmit të mirë që ne shpallim, ai ju thirri që të merrni lavdi si Zotëria ynë Jezu Krisht.+ 15 Prandaj, vëllezër, qëndroni të patundur+ dhe përmbajuni ngushtësisht traditave* që ju kemi mësuar,+ me fjalë a me ndonjë letër prej nesh. 16 E Zotëria ynë Jezu Krisht dhe Perëndia, Ati ynë, i cili na deshi+ e na dha ngushëllim të pashtershëm e shpresë të mrekullueshme+ me anë të mirësisë së pamerituar, 17 ngushëllofshin zemrat tuaja dhe ju bëfshin të patundur* për çdo vepër e fjalë të mirë!

3 Së fundi, vëllezër, vazhdoni të luteni për ne,+ që fjala e Jehovait* të vazhdojë të përhapet me shpejtësi+ e të marrë lavdi, siç po merr edhe mes jush, 2 dhe që ne të shpëtojmë nga të mbrapshtët e të ligjtë,+ pasi besimi nuk zotërohet nga të gjithë.+ 3 Por Zotëria është besnik dhe do t’ju forcojë e do t’ju mbrojë nga i Ligu. 4 Për më tepër, si dishepuj të Zotërisë, kemi besim se po i zbatoni dhe do të vazhdoni t’i zbatoni udhëzimet tona. 5 Zotëria u priftë gjithnjë zemrave tuaja në udhën e duhur, që të keni dashuri për Perëndinë+ dhe qëndrueshmëri+ për hir të Krishtit!

6 Tani, vëllezër, në emër të Zotërisë Jezu Krisht, po ju udhëzojmë të rrini larg nga çdo vëlla që sillet* në mënyrë të çrregullt+ e që nuk ecën sipas traditave* që morët* nga ne.+ 7 Pasi ju vetë e dini si duhet të na imitoni,+ sepse ne nuk u sollëm në mënyrë të çrregullt mes jush, 8 as hëngrëm falas* bukën e ndokujt.+ Përkundrazi, me mund e përpjekje punuam natë e ditë, që të mos i bëheshim barrë e rëndë asnjërit prej jush.+ 9 Jo se ne nuk kemi autoritet,+ por donim të bëheshim shembull për ju, që të na imitoni.+ 10 E në fakt, kur ishim me ju, ju jepnim këtë urdhërim: «Nëse ndokush nuk do që të punojë, as të mos hajë!»+ 11 Se kemi marrë vesh që disa mes jush po sillen në mënyrë të çrregullt,+ nuk punojnë fare e i fusin hundët në gjëra që nuk u takojnë.+ 12 Ata njerëz i urdhërojmë dhe i nxitim në emër të Zotërisë Jezu Krisht që të punojnë qetësisht e të hanë bukën që fitojnë vetë.+

13 Kurse, ju vëllezër, mos u dorëzoni duke bërë të mirën. 14 Por, nëse ndokush nuk i bindet fjalës sonë në këtë letër, mbajeni të shënuar dhe mos u shoqëroni më me të,+ që të turpërohet. 15 E megjithatë, mos e shihni si armik, por vazhdoni ta këshilloni+ si vëlla.

16 Tani, Zotëria i paqes ju dhëntë paqe pa pushim në çdo gjë!+ Zotëria qoftë me të gjithë ju!

17 Ja përshëndetja ime, e Pavlit, që e shkrova me dorën time,+ që është shenjë për çdo letër, pasi kështu shkruaj unë.

18 Mirësia e pamerituar e Zotërisë tonë Jezu Krisht qoftë me të gjithë ju!

Quhet edhe Sila.

Shih Fjalorthin.

Ose «Dashamirësia e pamerituar». Shih Fjalorthin.

Ose «shtrëngimet që po duroni».

Ose «vështirësi».

Shih Fjalorthin.

Ose «nga ndonjë frymë». Shih Fjalorthin.

Shih Shtojcën A5.

Ose «të mos ju joshë».

Kjo fjalë shpesh nënkupton shpërfillje ndaj ligjeve të Perëndisë.

Fjalë për fjalë «me frymën e gojës së tij».

Ose «çudira».

Shih Shtojcën A5.

Shih Fjalorthin, «Shenjtërimi».

Ose «udhëzimeve».

Ose «të fortë».

Shih Shtojcën A5.

Ose «ecën».

Ose «udhëzimeve».

Një mundësi tjetër «që morën».

Ose «pa paguar».

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo