BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • nwt Filipianëve 1:1-4:23
  • Filipianëve

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Filipianëve
  • Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re 2019
Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re 2019
Filipianëve

LETRA DREJTUAR FILIPIANËVE

1 Pavli dhe Timoteu, skllevër të Krishtit Jezu, drejtuar gjithë të shenjtëve* në Filipi+ që janë në unitet me Krishtin Jezu, si edhe mbikëqyrësve e shërbëtorëve të kongregacionit:*+

2 Mirësia e pamerituar* dhe paqja nga Perëndia, Ati ynë, si edhe nga Zotëria Jezu Krisht, qofshin me ju!

3 E falënderoj gjithnjë Perëndinë tim kur ju kujtoj 4 në çdo përgjërim që bëj për të gjithë ju, dhe çdo herë i përgjërohem me gëzim+ 5 për kontributin që keni dhënë për lajmin e mirë* që nga dita e parë e deri në këtë çast. 6 Në fakt, jam i sigurt se ai që nisi një vepër të mirë mes jush, do ta vazhdojë derisa ta përfundojë+ në ditën e Krishtit Jezu.+ 7 Është më se e drejtë ta mendoj këtë për të gjithë ju, pasi ju kam në zemër, meqë të gjithë merrni pjesë me mua në mirësinë e pamerituar të Perëndisë, qoftë në vargonjtë e mi,+ qoftë në mbrojtjen e në themelimin ligjërisht të lajmit të mirë.+

8 Vërtet, kam dëshmitar Perëndinë sa mall kam për të gjithë ju, me një përzemërsi të ngrohtë si ajo e Krishtit Jezu. 9 E për këtë lutem vazhdimisht, që t’ju shtohet gjithnjë e më shumë dashuria+ nga njohuria e saktë+ dhe aftësia e plotë dalluese,+ 10 që të siguroheni për gjërat më të rëndësishme+ në mënyrë që të jeni të patëmetë e të mos pengoni të tjerët+ deri në ditën e Krishtit 11 dhe që të jepni fryt drejtësie me bollëk nëpërmjet Jezu Krishtit, në lavdi e lëvdim të Perëndisë.+

12 Vëllezër, dua të dini se ato që më ndodhën mua, në të vërtetë dolën për përparimin e lajmit të mirë, 13 aq sa, në mbarë Gardën Pretoriane* e mes gjithë të tjerëve, u bë e ditur gjerësisht se jam në vargonj+ për hir të Krishtit.+ 14 E tani pjesa më e madhe e vëllezërve në Zotërinë po tregojnë edhe më shumë guxim për ta thënë fjalën e Perëndisë pa frikë, ngaqë kanë fituar siguri prej vargonjve të mi.

15 Vërtet që disa po predikojnë për Krishtin nga zilia e rivaliteti, por të tjerët po e bëjnë nga motive të mira. 16 Këta të fundit po e bëjnë të njohur Krishtin nga dashuria, pasi e dinë se unë jam caktuar për të mbrojtur lajmin e mirë;+ 17 kurse të parët e bëjnë të shtyrë nga fryma e kundërshtimit e jo me motiv të pastër, pasi duan të më hapin telashe ndërsa jam në vargonj. 18 E me ç’rezultat? Me çdo mënyrë, qoftë me shtirje, qoftë me të vërtetë, Krishti po bëhet i njohur, e për këtë gëzoj. Madje do të vazhdoj të gëzoj, 19 sepse e di se kjo do të më sjellë shpëtimin nëpërmjet përgjërimeve tuaja+ dhe mbështetjes së frymës së Jezu Krishtit.+ 20 E në përputhje me këtë, pres me padurim e shpresoj të mos turpërohem për asgjë, por me liri të plotë fjale, Krishti të madhërohet tani, sikurse edhe më parë, me anë të trupit tim, jetofsha a vdeksha.+

21 Vërtet, për mua Krishti është jetë+ dhe vdekja është fitim.+ 22 Tani, edhe po të jetoj gjatë si njeri në tokë,* do të vazhdoj të jap fryt në veprën time; megjithatë, nuk e them çfarë do të zgjidhja. 23 Jam në dilemë: nga njëra anë dëshiroj shumë të çlirohem dhe të jem me Krishtin,+ pasi, patjetër, kjo është shumë më mirë.+ 24 Por, nga ana tjetër, është më e nevojshme të qëndroj si njeri në tokë për të mirën tuaj. 25 Prandaj, i sigurt për këtë, e di se do të jetoj dhe do të vazhdoj të qëndroj me të gjithë ju, që të përparoni dhe të ndieni gëzimin që vjen nga besimi, 26 e kështu ngazëllimi juaj si dishepuj të Krishtit Jezu të vërshojë edhe më shumë kur të jem përsëri i pranishëm mes jush.

27 Ju veç silluni* në mënyrë të denjë për lajmin e mirë rreth Krishtit,+ që, edhe nëse vij e ju shoh, edhe nëse s’jam mes jush, të dëgjoj se po qëndroni të patundur, se jeni në një mendje e të bashkuar si një trup i vetëm,*+ duke u përpjekur krah për krah për besimin tuaj te lajmi i mirë, 28 pa u trembur kurrsesi nga kundërshtarët. Kjo për ta është provë se do të shkatërrohen,+ kurse për ju është provë se do të shpëtoni,+ e kjo vjen nga Perëndia. 29 Në fakt, juve ju është dhënë privilegji që jo vetëm të tregoni besim te Krishti, por edhe të vuani për të,+ 30 përderisa po bëni të njëjtën betejë që bëra edhe unë, siç e patë vetë,+ e për të cilën dëgjoni se po bëj akoma.

2 Prandaj, nëse mund ta inkurajoni njëri-tjetrin në unitet me Krishtin, ta ngushëlloni nga dashuria, të tregoni merak,* përzemërsi të ngrohtë e dhembshuri, 2 bëjeni atëherë të plotë gëzimin tim dhe jini në një mendje, tregoni të njëjtën dashuri, jini plotësisht të bashkuar* e në një linjë arsyetimi.+ 3 Mos bëni asgjë nga fryma e kundërshtimit+ a nga egoizmi,+ por me përulësi* konsiderojini të tjerët më të lartë se veten,+ 4 duke mos kërkuar vetëm interesat tuaja,*+ por edhe të të tjerëve.+

5 Mbani po atë prirje mendore që kishte edhe Krishti Jezu,+ 6 i cili, edhe pse ishte me natyrë hyjnore,+ as që i shkoi nëpër mend të përpiqej të ishte i barabartë me Perëndinë.+ 7 Jo, përkundrazi e zbrazi veten,* mori natyrë skllavi+ dhe u bë njeri.*+ 8 Për më tepër, kur erdhi si njeri në tokë,* e përuli veten dhe u bind deri në vdekje,+ po, vdekje në një shtyllë torture.*+ 9 Pikërisht për këtë arsye, Perëndia e ngriti në një pozitë më të lartë+ e me zemërmirësi i dha emrin që është mbi çdo emër,+ 10 në mënyrë që, në emër të Jezuit, të gjunjëzohet kushdo​—ata në qiell, ata mbi tokë e ata nën tokë+—​11 dhe çdo gjuhë të pranojë hapur se Jezu Krishti është Zotëri+ në lavdi të Perëndisë, Atit.

12 Prandaj, o të dashur, ashtu sikurse jeni bindur gjithnjë, jo vetëm gjatë pranisë sime, por me më shumë gatishmëri tani, gjatë mungesës sime, vazhdoni të punoni për shpëtimin e vetes me frikë e dridhma. 13 Në fakt, sipas pëlqimit të tij, vetë Perëndia ju fuqizon duke ju dhënë si dëshirën, edhe fuqinë që të veproni. 14 Vazhdoni të bëni çdo gjë pa murmuritje+ e pa debate,+ 15 që të jeni të paqortueshëm e të pafaj, fëmijë të Perëndisë+ pa asnjë të metë mes një brezi dredharak e të shtrembër,+ ku po shkëlqeni si ndriçues në botë,+ 16 duke u mbajtur fort pas fjalës së jetës.+ Atëherë do të kem arsye për të gëzuar në ditën e Krishtit, duke e ditur se nuk vrapova e nuk u mundova më kot. 17 Por, edhe sikur të derdhem si një blatim në pije*+ mbi flijimin+ dhe shërbimin e shenjtë* që bëni nga besimi juaj, jam prapë i lumtur dhe gëzoj me të gjithë ju. 18 Po njësoj, edhe ju duhet të jeni të lumtur e të gëzoni me mua.

19 Tani, shpresoj që, në qoftë vullneti i Zotërisë Jezu, t’ju dërgoj së shpejti Timoteun,+ që të marr zemër* kur të dëgjoj ç’të reja kemi nga ju. 20 Vërtet, nuk kam askënd tjetër me natyrë si e tija, që të kujdeset sinqerisht për ju, 21 pasi gjithë të tjerët po kërkojnë interesat e veta, jo ato të Jezu Krishtit. 22 Por ju e dini si dha prova për veten kur, si një fëmijë+ me të atin, u skllavërua bashkë me mua për të çuar përpara lajmin e mirë. 23 Atë, pra, shpresoj të dërgoj sapo të shikoj si do të vejë puna ime. 24 Gjithsesi, jam i sigurt se edhe unë do të vij së shpejti, në qoftë vullneti i Zotërisë.+

25 Mirëpo, tani për tani më duket e nevojshme t’ju dërgoj Epafroditin, vëllanë, bashkëpunëtorin e bashkëluftëtarin tim, që ma dërguat për të më shërbyer kur kisha nevojë,+ 26 sepse ka shumë mall t’ju shohë të gjithëve dhe ndihet përtokë, ngaqë e morët vesh se kishte qenë sëmurë. 27 Po, vërtet, u sëmur, aq sa ishte buzë vdekjes. Por Perëndia pati mëshirë për të, e jo vetëm për të, por edhe për mua, që të mos kisha hidhërim pas hidhërimi. 28 Kështu po jua dërgoj pa vonesë, që, kur ta shihni, të gëzoni përsëri, dhe unë të kem më pak ankth. 29 Prandaj mikpriteni gjithë gëzim, siç e kanë zakon ata që i shërbejnë Zotërisë, dhe vazhdoni t’i keni të shtrenjtë këta lloj njerëzish,+ 30 sepse për hir të veprës së Krishtit,* ai gati sa s’vdiq duke vënë kokën në rrezik që të më shërbente në vendin tuaj.+

3 Së fundi, vëllezërit e mi, vazhdoni të gëzoni në unitet me Zotërinë.+ Nuk më rëndon t’ju shkruaj për të njëjtat gjëra, por kjo është mbrojtje për ju.

2 Ruhuni nga njerëzit e neveritshëm,* ruhuni nga ata që bëjnë të këqija, ruhuni nga ata që gjymtojnë trupin,*+ 3 sepse të rrethprerët e vërtetë jemi ne,+ ne që bëjmë shërbim të shenjtë me anë të frymës së Perëndisë, që krenohemi me Krishtin Jezu+ e që nuk e mbështetim sigurinë te gjërat njerëzore,* 4 edhe pse unë, më shumë se kushdo tjetër, kam arsye të ndihem i sigurt falë këtyre gjërave.

Nëse ndonjë tjetër mendon se ka arsye ta mbështetë sigurinë te këto gjëra, unë kam edhe më shumë: 5 i rrethprerë ditën e tetë,+ nga kombi i Izraelit, nga fisi i Beniaminit, hebre i lindur nga hebrenj;+ për sa i përket ligjit, farise;+ 6 për sa i përket zellit, përndjekës i kongregacionit;*+ për sa i përket drejtësisë që bazohet te ligji, njeri që tregoi se ishte i paqortueshëm. 7 Megjithatë, ato që për mua ishin fitim, i kam konsideruar si humbje* për hir të Krishtit.+ 8 Madje, çdo gjë e konsideroj humbje për hir të vlerës së shkëlqyer të njohurisë për Krishtin Jezu, Zotërinë tim. Për hir të tij pranova të humb çdo gjë dhe i konsideroj sikur të jenë shumë plehra,* që të fitoj Krishtin 9 dhe të jem në unitet me të, jo falë drejtësisë sime ngaqë zbatoj ligjin, por falë drejtësisë që vjen nga besimi+ te Krishti,+ drejtësisë që buron nga Perëndia dhe bazohet te besimi.+ 10 Synoj që ta njoh atë dhe fuqinë e ringjalljes së tij,+ si dhe të heq të njëjtat vuajtje si të tijat,+ duke iu nënshtruar një vdekjeje si e tija,+ 11 që, po të jetë e mundur, të jem mes atyre që do të kthehen në jetë në ringjalljen e parë.+

12 Jo se e kam marrë tashmë çmimin ose jam bërë tashmë i përsosur, por po bëj çmos+ që të marr atë për të cilën më zgjodhi Krishti Jezu.+ 13 Vëllezër, nuk e konsideroj veten sikur tashmë e kam marrë atë, por një gjë është e sigurt: po i harroj gjërat që lashë pas,+ po synoj drejt atyre që kam përpara,+ 14 e po sulem me zjarr drejt qëllimit, që, me anë të Krishtit Jezu, të marr çmimin+ e thirrjes qiellore+ të Perëndisë. 15 Prandaj, të gjithë ne që jemi të pjekur,+ le të kemi këtë prirje mendore, por, nëse prireni të mendoni ndryshe për ndonjë aspekt, Perëndia do t’jua tregojë prirjen e duhur. 16 Sidoqoftë, nga këtu ku kemi përparuar, le të vazhdojmë të ecim me rregull në të njëjtën udhë.*

17 Vëllezër, bëhuni të gjithë së bashku imituesit e mi+ dhe mbajini sytë tek ata që ecin sipas shembullit që ju lamë ne, 18 sepse ka shumë nga ata që unë i përmendja shpesh, por që tani i përmend duke qarë, të cilët ecin si armiq të shtyllës së torturës* të Krishtit. 19 Fundi i tyre është shkatërrimi, perëndia i tyre është barku,* lavdia e tyre është në të vërtetë turpi i tyre dhe mendjen e kanë te gjërat e kësaj bote.+ 20 Kurse ne e kemi qytetarinë+ në qiej,+ dhe prej andej po presim me zjarr një shpëtimtar, Zotërinë Jezu Krisht,+ 21 i cili do ta transformojë trupin tonë të përulur, që të bëhet si trupi i tij i lavdishëm,+ nëpërmjet fuqisë së tij të madhe, me të cilën nënshtron çdo gjë.+

4 Prandaj, vëllezërit e mi, që ju dua e mezi pres t’ju shoh, gëzimi dhe kurora ime,+ qëndroni kështu të patundur+ në Zotërinë, o të dashur!

2 E nxis Evodinë, e po ashtu edhe Sintikinë, që të jenë në një mendje në Zotërinë.+ 3 Të kërkoj edhe ty, o bashkëpunëtor i vërtetë,* të vazhdosh t’i ndihmosh këto gra që janë përpjekur* krah për krah me mua për lajmin e mirë, bashkë me Klementin dhe me bashkëpunëtorët e mi të tjerë, emrat e të cilëve gjenden në librin e jetës.+

4 Gëzoni përherë në Zotërinë! Edhe një herë jua them: gëzoni!+ 5 Arsyetueshmërinë tuaj+ le ta njohin të gjithë njerëzit. Zotëria është pranë. 6 Mos jini në ankth për asgjë,+ por për çdo gjë, bëjani të njohura Perëndisë kërkesat tuaja me lutje, përgjërime dhe falënderime.+ 7 Kështu paqja+ e Perëndisë, që tejkalon çdo mendim, do të ruajë zemrën+ dhe mendjen tuaj* me anë të Krishtit Jezu.

8 Së fundi, vëllezër, vazhdoni të mendoni* për çdo gjë të vërtetë, çdo gjë serioze, çdo gjë të drejtë, çdo gjë të dëlirë,* çdo gjë të dashur, çdo gjë për të cilën flitet mirë, çdo gjë të virtytshme dhe të denjë për t’u lëvduar.+ 9 Ato që mësuat, pranuat e dëgjuat nga unë, si edhe gjërat që më patë të bëja, zbatojini,+ dhe Perëndia i paqes do të jetë me ju.

10 Gëzoj shumë në Zotërinë që më në fund po tregoni përsëri merak për mua.+ Faktikisht, edhe më parë ju kishit merak, por nuk kishit rast ta tregonit. 11 Nuk e them këtë ngaqë jam në nevojë, pasi kam mësuar të kënaqem* me aq sa kam, pavarësisht nga rrethanat.+ 12 Di të jetoj me pak+ dhe di të jetoj me bollëk. Kam mësuar sekretin si të jem i kënaqur në çdo gjë e në çdo rrethanë, edhe kur jam i ngopur, edhe kur jam i uritur, edhe kur kam me bollëk, edhe kur kam nevojë. 13 Për çdo gjë kam forcë falë atij që më jep fuqi.+

14 Gjithsesi, ju bëtë mirë që më ndihmuat në vuajtjet e mia.* 15 E siç e dini edhe vetë, o filipianë, pasi e mësuat për herë të parë lajmin e mirë, kur ika nga Maqedonia,* asnjë kongregacion veç jush nuk më mbështeti e as nuk pranoi mbështetjen time.+ 16 Madje, edhe kur isha në Selanik, ju më dërguat diçka për nevojat e mia, jo një, por dy herë. 17 Jo se po kërkoj dhurata, por dua që veprat tuaja të mira të japin edhe më shumë fryt në sytë e Perëndisë. 18 Gjithsesi, s’më mungon asgjë, madje kam me bollëk; tani kam gjithçka më nevojitet falë asaj që më sollët nëpërmjet Epafroditit+—një flijim të pranueshëm, një aromë të këndshme+ e të pëlqyeshme për Perëndinë. 19 Nga ana e vet, Perëndia im, që ka pasuri të lavdishme, do t’ju japë me anë të Krishtit Jezu gjithçka ju nevojitet.+ 20 Perëndisë dhe Atit tonë i qoftë lavdia në jetë të jetëve! Amin!

21 Bëjini të fala nga unë gjithë të shenjtëve që janë në unitet me Krishtin Jezu. Vëllezërit që janë me mua ju bëjnë të fala. 22 Gjithë të shenjtët, por sidomos ata të shtëpisë së Cezarit,*+ ju dërgojnë të fala.

23 Mirësia e pamerituar e Zotërisë Jezu Krisht qoftë me frymën* që tregoni!

Shih Fjalorthin.

Shih Fjalorthin.

Ose «Dashamirësia e pamerituar». Shih Fjalorthin.

Ose «për pjesëmarrjen tuaj në përhapjen e lajmit të mirë».

Shih Fjalorthin.

Fjalë për fjalë «në mish».

Ose «silluni si qytetarë».

Fjalë për fjalë «në një frymë, me një shpirt».

Fjalë për fjalë «pjesëmarrje në frymë».

Ose «të bashkuar në shpirt».

Ose «përulësi mendjeje».

Ose «të mirën tuaj».

Ose «hoqi dorë nga gjithçka».

Fjalë për fjalë «u bë ngjashëm njerëzve».

Fjalë për fjalë «kur u gjend në trajtë njeriu».

Shih Fjalorthin.

Shih Fjalorthin.

Ose «shërbimin publik».

Ose «të inkurajohem».

Një mundësi tjetër «të veprës së Zotërisë».

Fjalë për fjalë «qentë».

Fjalë për fjalë «mishin». Shih Fjalorthin.

Fjalë për fjalë «mishi». Shih Fjalorthin.

Shih Fjalorthin.

Një mundësi tjetër «i kam braktisur me dëshirë».

Ose «mbeturina».

Ose «drejtim».

Shih Fjalorthin.

Ose «dëshirat e trupit».

Fjalë për fjalë «shok i vërtetë zgjedhe».

Ose «kanë luftuar».

Ose «fuqitë tuaja mendore; mendimet».

Ose «të meditoni; të mendoni thellë».

Ose «të pastër».

Ose «të mjaftohem».

Ose «shtrëngimin tim».

Shih Fjalorthin.

Ose «së perandorit».

Shih Fjalorthin.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo