LETRA DREJTUAR EFESIANËVE
1 Pavli, apostull i Krishtit Jezu falë vullnetit të Perëndisë, drejtuar të shenjtëve* në Efes,+ besnikëve që janë në unitet me Krishtin Jezu:
2 Mirësia e pamerituar* dhe paqja nga Perëndia, Ati ynë, si edhe nga Zotëria Jezu Krisht, qofshin me ju!
3 Lëvduar qoftë Perëndia, Ati i Zotërisë tonë Jezu Krisht, sepse na ka dhënë çdo bekim në vendet qiellore nëpërmjet frymës së shenjtë, ngaqë jemi në unitet me Krishtin.+ 4 Ai na zgjodhi të jemi në unitet me të* përpara se të themelohej bota, me qëllim që të jemi të shenjtë e të patëmetë+ përpara Tij në dashuri. 5 Në të vërtetë, ai paravendosi+ të na birësonte+ nëpërmjet Jezu Krishtit, sipas pëlqimit dhe vullnetit të vet,+ 6 që të lëvdohet për mirësinë e tij të pamerituar e të lavdishme,+ të cilën na e dha përzemërsisht me anë të Birit të vet të dashur.+ 7 Falë Birit të tij jemi çliruar, nëpërmjet shpërblesës që pagoi me gjakun e vet,+ po, na janë falur shkeljet,*+ sipas pasurisë së madhe të mirësisë së pamerituar të Perëndisë.
8 Ai na e dha këtë mirësi të pamerituar pa kursim, si edhe plot me mençuri dhe aftësi për të kuptuar,* 9 duke na zbuluar sekretin e shenjtë+ të vullnetit të tij. E në përputhje me vullnetin* dhe qëllimin e tij, 10 ai vendosi një administrim* që, kur të përmbusheshin kohët e caktuara, të mblidhte së bashku në Krishtin të gjitha gjërat, gjërat në qiej dhe gjërat në tokë.+ Po, në Krishtin, 11 me të cilin jemi në unitet dhe u caktuam si trashëgimtarë,+—përderisa u paravendosëm sipas qëllimit të Perëndisë, i cili plotëson çdo gjë që vendos në bazë të vullnetit të vet—12 me qëllim që Perëndia të lëvdohej e të merrte lavdi përmes nesh, të parët që shpresuam te Krishti. 13 Por edhe ju shpresuat në të pasi dëgjuat fjalën e së vërtetës, lajmin e mirë për shpëtimin tuaj. E pasi besuat, ju u vulosët+ nëpërmjet tij me frymën e shenjtë të premtuar, 14 që është kapari* i trashëgimisë sonë,+ me qëllim që zotërimi i Perëndisë+ të çlirohej nëpërmjet një shpërblese,+ në lavdi dhe lëvdim të Tij.
15 Ja pse, edhe unë, meqë kam dëgjuar për besimin që keni te Zotëria Jezu dhe dashurinë që tregoni për gjithë të shenjtët, 16 e falënderoj pareshtur Perëndinë për ju. Vazhdoj t’ju përmend në lutjet e mia, 17 që Perëndia i Zotërisë tonë Jezu Krisht, Ati i lavdisë, t’ju japë mençuri dhe aftësi për të kuptuar gjërat që zbulon* ndërsa fitoni njohuri të saktë për të.+ 18 Ai ju ka hapur sytë e zemrës që të dini se për cilën shpresë ju thirri, se ç’pasuri të lavdishme ruan si trashëgimi për të shenjtët+ 19 dhe sa e jashtëzakonshme është forca e tij e madhe, e cila vepron te ne besimtarët.+ Kjo forcë e madhe u pa në veprim 20 kur ngriti Krishtin nga të vdekurit dhe e uli në të djathtën e vet+ në vendet qiellore, 21 shumë më lart se çdo qeveri, autoritet, pushtet, sundim dhe çdo emër që përmendet,+ jo vetëm në këtë sistem,* por edhe në atë që do të vijë. 22 Gjithashtu, Ai nënshtroi çdo gjë nën këmbët e tij+ dhe e bëri atë krye mbi gjithçka në kongregacion,*+ 23 që është trupi i tij,+ plotësia e atij që bën të plotë çdo gjë në gjithçka.
2 Për më tepër, Perëndia ju dha jetë, ndonëse ishit të vdekur për shkak të shkeljeve* e të mëkateve tuaja,+ 2 në të cilat ecnit dikur sipas modelit* të kësaj bote,+ kur ndiqnit sundimtarin që ushtron autoritet mbi ajrin,+ mbi frymën*+ që tani vepron në bijtë e mosbindjes. 3 Po, të gjithë ne silleshim dikur si këta në harmoni me dëshirat mëkatare,*+ duke bërë vullnetin e trupit e të mendjes,+ dhe ishim prej natyre fëmijë të zemërimit+ si të tjerët. 4 Por Perëndia është i pasur në mëshirë+ dhe, prej dashurisë së madhe që tregoi ndaj nesh,+ 5 na dha jetë bashkë me Krishtin edhe kur ishim të vdekur për shkak të shkeljeve tona+—falë mirësisë së pamerituar keni shpëtuar. 6 Për më tepër, na ngriti së bashku dhe na uli së bashku në vendet qiellore, ngaqë jemi në unitet me Krishtin Jezu,+ 7 që të tregojë me bujari në sistemet* që po vijnë, pasurinë tejet të madhe të mirësisë së tij të pamerituar ndaj nesh në unitet me Krishtin Jezu.
8 Falë kësaj mirësie të pamerituar keni shpëtuar nëpërmjet besimit,+ e kjo nuk vjen nga ju, por është dhuratë e Perëndisë. 9 Jo, nuk vjen nga veprat tuaja,+ që askush të mos ketë arsye për t’u mburrur. 10 Ne jemi vepër e duarve të Perëndisë* dhe u krijuam+ në unitet me Krishtin Jezu+ për të kryer vepra të mira, të cilat Perëndia i përcaktoi paraprakisht që ne t’i bënim.
11 Prandaj, mos harroni se ju, njerëz të kombeve* nga lindja,* dikur quheshit «të parrethprerë» nga ata që quhen «të rrethprerë»—rrethprerje që bëhet në mish nga duart e njeriut. 12 Në atë kohë ishit pa Krisht, të ndarë nga kombi i Izraelit, të huaj për besëlidhjet e premtimit;+ nuk kishit asnjë shpresë dhe ishit pa Perëndi në botë.+ 13 Kurse tani, në unitet me Krishtin Jezu, ju që dikur ishit larg, jeni afruar me anë të gjakut të Krishtit. 14 Në fakt, ai është paqja jonë,+ ai që i bashkoi të dyja grupet në një të vetëm+ dhe e shembi murin e mesit që i ndante.+ 15 Me anë të trupit* të vet, ai i dha fund armiqësisë, Ligjit të përbërë nga urdhërime e dekrete, që të krijonte nga të dyja grupet një njeri të ri në unitet me të,+ që të sillte paqe 16 e që t’i pajtonte plotësisht me Perëndinë të dy popujt në një trup të vetëm nëpërmjet shtyllës së torturës,*+ sepse ai e kishte asgjësuar armiqësinë+ me anë të vdekjes së vet. 17 Gjithashtu, erdhi e ju shpalli lajmin e mirë të paqes juve që ishit larg dhe paqen atyre që ishin afër, 18 sepse me anë të tij, ne, të dy popujt, mund t’i afrohemi lirisht Atit nëpërmjet së njëjtës frymë të shenjtë.
19 Prandaj nuk jeni më të panjohur, as të huaj,+ por jeni bashkëqytetarë+ të të shenjtëve dhe pjesëtarë të shtëpisë së Perëndisë,+ 20 dhe jeni ndërtuar mbi themelin e apostujve e të profetëve,+ ku vetë Krishti Jezu është guri i qoshes.+ 21 Në unitet me të, e gjithë ndërtesa, e lidhur në mënyrë të harmonishme,+ po rritet që të bëhet një tempull i shenjtë për Jehovain.*+ 22 Në unitet me të, edhe ju po ndërtoheni së bashku për të formuar një vend ku Perëndia të banojë me anë të frymës së tij.+
3 Për këtë arsye, unë, Pavli, i burgosur+ i Krishtit Jezu për ju, njerëz të kombeve. . .* 2 Patjetër keni dëgjuar se më është besuar detyra si kujdestar+ i mirësisë së pamerituar të Perëndisë, e cila m’u dha për të mirën tuaj, 3 dhe se m’u bë i njohur sekreti i shenjtë me anë të një zbulese, sikurse ju shkrova shkurtimisht pak më parë. 4 Prandaj, kur ta lexoni këtë që kam shkruar, do të dalloni se e kuptoj sekretin e shenjtë+ të Krishtit. 5 Në brezat e shkuar, ky sekret nuk iu bë i njohur bijve të njerëzve siç u është zbuluar tani apostujve dhe profetëve të shenjtë të Perëndisë me anë të frymës së tij,+ 6 domethënë, njerëzit e kombeve që janë në unitet me Krishtin Jezu, të jenë bashkëtrashëgimtarë e gjymtyrë të të njëjtit trup+ dhe pjesëmarrës me ne të premtimit nëpërmjet lajmit të mirë. 7 Unë u bëra shërbëtor i këtij sekreti falë dhuratës* së mirësisë së pamerituar të Perëndisë, e cila m’u dha në sajë të fuqisë së tij.+
8 Mua, më të voglit nga të gjithë të shenjtët,+ m’u tregua kjo mirësi e pamerituar,+ që t’u shpall kombeve* lajmin e mirë për pasurinë e pamatshme që vjen prej Krishtit 9 dhe të hedh dritë mbi administrimin e sekretit të shenjtë,+ të cilin Perëndia që krijoi gjithçka, e kishte fshehur gjatë epokave. 10 Kjo u bë me qëllim që, nëpërmjet kongregacionit,+ tani t’u bëhet e njohur qeverive dhe autoriteteve në vendet qiellore mençuria tejet e larmishme e Perëndisë.+ 11 Kjo përputhet me qëllimin e tij të përjetshëm në lidhje me Krishtin,+ Jezuin, Zotërinë tonë, 12 me anë të të cilit kemi mundësinë të flasim lirshëm e t’i afrohemi pa ndrojtje+ e me siguri Perëndisë, nëpërmjet besimit që kemi tek ai. 13 Prandaj, po ju lutem të mos ju lëshojë zemra nga vuajtjet* që heq për ju, sepse ato ju sjellin lavdi.+
14 Për këtë arsye, bie në gjunjë përpara Atit, 15 nga i cili merr emër çdo familje në qiell dhe në tokë, 16 dhe lutem që, nëpërmjet lavdisë së tij të pafundme, t’ju bëjë të fortë në njeriun e brendshëm,*+ me fuqinë që jep fryma e tij, 17 dhe që, nëpërmjet besimit tuaj, Krishti të banojë në zemrat tuaja me dashuri.+ Qofshi të rrënjosur+ dhe të vendosur në një themel të qëndrueshëm+ 18 që, bashkë me gjithë të shenjtët, të jeni krejtësisht në gjendje të kuptoni cila është gjerësia, gjatësia, lartësia dhe thellësia e së vërtetës 19 e të njihni dashurinë e Krishtit,+ e cila e tejkalon njohurinë, e kështu të bëheni të plotë me tërë plotësinë që jep Perëndia.
20 Atij që po vepron te ne me fuqinë e vet+ e që mund të bëjë shumë e shumë më tepër nga sa kërkojmë a konceptojmë ne,+ 21 i qoftë lavdia me anë të kongregacionit dhe me anë të Krishtit Jezu brez pas brezi, në jetë të jetëve! Amin!
4 Prandaj unë, i burgosuri+ për hir të Zotërisë, ju përgjërohem që të ecni denjësisht+ për thirrjen tuaj: 2 jini gjithnjë të përulur,*+ të butë, të duruar,+ tolerojeni njëri-tjetrin me dashuri+ 3 dhe bëni çmos të ruani njëjësinë* e frymës në lidhjen e paqes.+ 4 Ka një trup të vetëm+ dhe një frymë* të vetme,+ ashtu siç ka një shpresë të vetme+ në të cilën u thirrët. 5 Ka një Zotëri të vetëm,+ një besim të vetëm, një pagëzim të vetëm 6 dhe një Perëndi e Atë të vetëm të të gjithëve, i cili është mbi të gjithë, për të gjithë dhe në të gjithë.
7 Secilit nga ne iu tregua mirësi e pamerituar sipas mënyrës që Krishti e ndau këtë dhuratë,*+ 8 sepse Shkrimi thotë: «Kur u ngjit lart, ai mori me vete robër e dha dhurata në njerëz.»+ 9 Tani, a nuk nënkupton shprehja «u ngjit» se ai kishte zbritur më parë poshtë në tokë? 10 Ai që zbriti, është po ai që u ngjit+ shumë më lart se të gjithë qiejt,+ që t’i bënte të plota të gjitha gjërat.
11 Ai i dha disa si apostuj,+ disa si profetë,+ disa si ungjillëzues,*+ disa si barinj e mësues,+ 12 për të ndrequr* të shenjtët, për të shërbyer, për të ndërtuar* trupin e Krishtit,+ 13 derisa të gjithë të arrijmë njëjësinë* në besim e në njohurinë e saktë të Birit të Perëndisë, që të jemi tërësisht të rritur,*+ po, të arrijmë shtatin e plotë të Krishtit.* 14 Prandaj të mos jemi më fëmijë, të lëkundur nga dallgët e të çuar andej-këtej nga çdo erë mësimi,+ nga dredhitë e njerëzve, nga dinakëritë e atyre që sajojnë mashtrime. 15 Por, duke thënë të vërtetën, le të rritemi me dashuri në çdo gjë, që t’i ngjajmë kreut, Krishtit.+ 16 Nëpërmjet tij, i gjithë trupi+ është i lidhur në mënyrë të harmonishme dhe çdo gjymtyrë bashkëvepron falë mbështetjes së të gjitha nyjave,* e kur çdo gjymtyrë funksionon siç duhet, trupi rritet teksa ndërtohet* me dashuri.+
17 Prandaj ju them dhe ju nxis në emër të Zotërisë, që të mos ecni më siç ecin kombet,*+ në kotësinë* e mendjeve të tyre.+ 18 Ata janë mendërisht në errësirë dhe të ndarë nga jeta që vjen nga Perëndia, për shkak të padijes që vepron tek ata, për shkak të pandjeshmërisë* së zemrave. 19 E ngaqë humbën çdo ndjesi morale, u dhanë pas sjelljes së pacipë*+ për të bërë me lakmi ndyrësi të çdo lloji.
20 Mirëpo, ju nuk mësuat që Krishti është i tillë, 21 nëse vërtet e dëgjuat dhe u mësuat me anë të tij, në përputhje me të vërtetën që mësoi ai. 22 Ju mësuat të flakni tej personalitetin e vjetër,+ që përputhej me sjelljen tuaj të mëparshme e që korruptohej nga dëshirat e veta mashtruese,+ 23 si edhe të vazhdoni të rinoni prirjen tuaj mendore*+ 24 e të vishni personalitetin e ri,+ i cili u krijua sipas vullnetit të Perëndisë në drejtësi dhe besnikëri të vërtetë.
25 Prandaj, tani që keni flakur tej mashtrimin, secili t’i thotë të vërtetën tjetrit,*+ sepse ne jemi gjymtyrë që i përkasim njëri-tjetrit.+ 26 Zemërohuni, por mos mëkatoni;+ perëndimi i diellit të mos ju gjejë ende të inatosur,+ 27 e mos i jepni Djallit asnjë mundësi.*+ 28 Vjedhësi të mos vjedhë më, por më mirë të punojë pa u lodhur e të bëjë me duart e veta një punë të mirë,+ që të ketë diçka për t’i dhënë ndonjë nevojtari.+ 29 Nga goja juaj të mos dalë asnjë fjalë e kalbur,+ por vetëm fjalë të mira, që të forcojnë* sipas nevojës e t’u japin diçka të dobishme atyre që i dëgjojnë.+ 30 Veç kësaj, mos e hidhëroni* frymën e shenjtë të Perëndisë,+ me të cilën jeni vulosur+ për ditën kur do të çliroheni nëpërmjet shpërblesës.+
31 Hiqni çdo vrer shpirtlig,+ zemërim, furi, të bërtitur, sharje+ dhe çdo gjë të dëmshme.+ 32 Jini zemërmirë me njëri-tjetrin, zemërdhembshur,+ duke e falur bujarisht njëri-tjetrin, ashtu si edhe Perëndia ju fali bujarisht nëpërmjet Krishtit.+
5 Bëhuni, pra, imitues të Perëndisë,+ si bij të dashur, 2 dhe vazhdoni të ecni në udhën e dashurisë,+ ashtu si Krishti na* deshi+ dhe e dorëzoi veten për ne* si blatim e flijim, si një aromë e këndshme për Perëndinë.+
3 Imoraliteti seksual* e çdo lloj ndyrësie a lakmie as të mos përmenden ndër ju,+ ashtu siç u ka hije të shenjtëve;+ 4 as sjellja e turpshme, as të folurit pa mend, as shakatë e ndyra+—gjëra që janë të papërshtatshme. Por më mirë t’i jepen falënderime Perëndisë,+ 5 sepse ju e dini dhe e kuptoni vetë se asnjë imoral,*+ i ndyrë a lakmitar+—që do të thotë të jesh idhujtar—nuk ka asnjë trashëgimi në Mbretërinë e Krishtit dhe të Perëndisë.+
6 Askush të mos ju mashtrojë me fjalë boshe, sepse zemërimi i furishëm i Perëndisë po vjen mbi bijtë e mosbindjes për shkak të këtyre gjërave. 7 Mos kini, pra, asgjë të përbashkët me ta, 8 se dikur ishit errësirë, por tani jeni dritë+ ngaqë i përkitni Zotërisë.+ Vazhdoni të ecni si fëmijë të dritës, 9 sepse fryti i dritës përbëhet nga çdo lloj mirësie, drejtësie dhe të vërtete.+ 10 Vazhdoni të siguroheni çfarë është e pranueshme+ për Zotërinë 11 dhe mos merrni më pjesë me ta në veprat e pafrytshme të errësirës,+ por më mirë demaskojini, 12 sepse gjërat që ata bëjnë në fshehtësi, janë të turpshme edhe për t’u zënë në gojë. 13 Tani, të gjitha gjërat që dalin sheshit, bëhen të dukshme nga drita, sepse gjithçka që bëhet e dukshme, është dritë. 14 Prandaj Shkrimi thotë: «Zgjohu, ti që fle, e ngrihu nga të vdekurit,+ dhe Krishti do të ndriçojë mbi ty.»+
15 Bëni shumë kujdes, pra, që të mos ecni si të pamendët, por si të mençurit, 16 duke e shfrytëzuar sa më mirë kohën,*+ sepse ditët janë të liga. 17 Prandaj, mjaft u bëtë të paarsyeshëm, por vazhdoni të dalloni cili është vullneti i Jehovait.*+ 18 Gjithashtu, mos u dehni me verë,+ në të cilën ka shfrenim,* por vazhdoni të mbusheni me frymë të shenjtë. 19 Flitini njëri-tjetrit* me psalme, me lavde e me këngë adhurimi, duke kënduar+ e duke luajtur melodi+ për Jehovain* me gjithë zemër,*+ 20 duke falënderuar gjithmonë+ Perëndinë dhe Atin tonë për gjithçka, në emër të Zotërisë tonë Jezu Krisht.+
21 Jini të nënshtruar ndaj njëri-tjetrit+ nga nderimi i thellë që keni për Krishtin.* 22 Gratë të jenë të nënshtruara ndaj burrave të tyre,+ si ndaj Zotërisë, 23 sepse burri është kreu i gruas së tij,+ ashtu si Krishti është kreu i kongregacionit,+ shpëtimtari i këtij trupi. 24 Po, ashtu si kongregacioni është i nënshtruar ndaj Krishtit, ashtu të jenë edhe gratë ndaj burrave të tyre në gjithçka. 25 Burra, vazhdoni t’i doni gratë tuaja,+ ashtu si edhe Krishti e deshi kongregacionin dhe e dha veten për të,+ 26 që ta shenjtëronte,* ta pastronte nëpërmjet larjes me ujë, nëpërmjet fjalës,+ 27 e kështu ta paraqiste kongregacionin para vetes plot shkëlqim, pa asnjë njollë, rrudhë a diçka të tillë,+ por të shenjtë e të patëmetë.+
28 Në të njëjtën mënyrë, burrat duhet t’i duan gratë e tyre si vetë trupat e tyre. Burri që do gruan, do veten, 29 se asnjë burrë nuk e urren kurrë trupin* e vet, por e ushqen dhe përkujdeset për të, ashtu siç bën Krishti për kongregacionin, 30 sepse ne jemi gjymtyrë të trupit të tij.+ 31 «Për këtë arsye, burri do të lërë babanë dhe nënën e do të lidhet ngushtë* me gruan e vet, dhe të dy do të jenë një mish i vetëm.»+ 32 Ky sekret i shenjtë+ është i madh; e kam fjalën për Krishtin dhe për kongregacionin.+ 33 Megjithatë, secili nga ju duhet ta dojë gruan+ si veten, dhe gruaja duhet të ketë respekt të thellë për burrin.+
6 Fëmijë, bindjuni prindërve+ në unitet me Zotërinë,* sepse kjo është e drejtë. 2 «Ndero babanë dhe nënën tënde»+ është urdhërimi i parë me premtimin: 3 «Që të kesh sukses* dhe të jetosh gjatë në tokë.» 4 Dhe ju, etër, mos i acaroni fëmijët tuaj,+ por vazhdoni t’i rritni me disiplinën*+ dhe me këshillat* e Jehovait.*+
5 Ju skllevër, jini të bindur ndaj zotërinjve tuaj në tokë*+ me frikë e dridhma, me zemër të çiltër, si ndaj Krishtit, 6 e jo vetëm në sy të të tjerëve,* sa për t’u pëlqyer njerëzve,+ por si skllevër të Krishtit që bëjnë me gjithë shpirt* vullnetin e Perëndisë.+ 7 Shërbejuni zotërinjve tuaj me gatishmëri, si për Jehovain*+ e jo si për njerëzit, 8 sepse e dini që Jehovai* do t’ia shpërblejë secilit çfarëdo të mire që do të bëjë,+ skllav a i lirë qoftë. 9 Edhe ju, zotërinj, trajtojini në të njëjtën mënyrë, pa i kërcënuar, sepse e dini se Zotëria i tyre dhe juaji është në qiej,+ dhe ai nuk është i anshëm.
10 Së fundi, vazhdoni të merrni forcë+ nga Zotëria dhe nga fuqia e tij e madhe. 11 Vishni armaturën e plotë+ që jep Perëndia, që të jeni në gjendje të qëndroni të patundur përballë intrigave* të Djallit, 12 sepse ne nuk kemi një betejë*+ me krijesat prej mishi e gjaku, por me qeveritë, me autoritetet, me sundimtarët botërorë të kësaj errësire, me forcat e liga qiellore+ lart në qiej. 13 Prandaj merrni armaturën e plotë që jep Perëndia,+ që të jeni në gjendje t’u bëni ballë në ditë të ligë dhe, pasi të jeni bërë plotësisht gati, të qëndroni të patundur.
14 Qëndroni, pra, të patundur, me brezin e së vërtetës të ngjeshur në mes,+ të veshur me parzmoren e drejtësisë,+ 15 me këmbët të mbathura, gati për të shpallur lajmin e mirë të paqes.+ 16 Përveç tyre, merrni mburojën e madhe të besimit,+ me të cilën do të jeni në gjendje të shuani të gjitha shigjetat* e zjarrta të të Ligut.+ 17 Merrni edhe helmetën* e shpëtimit+ dhe shpatën e frymës, domethënë, fjalën e Perëndisë.+ 18 Ndërkaq, vazhdoni të luteni në çdo rast nën drejtimin e frymës së shenjtë+ me çdo lloj lutjeje+ e përgjërimi. Me këtë në mendje, rrini zgjuar që të përgjëroheni pareshtur për gjithë të shenjtët. 19 Lutuni edhe për mua, që të më vijnë fjalët e duhura kur ta hap gojën për ta bërë të njohur pa frikë sekretin e shenjtë të lajmit të mirë,+ 20 për të cilin po veproj si ambasador+ nën vargonj, dhe që të flas për të me guxim, siç duhet të flas.
21 Tani, që edhe ju të dini si jam e si po ia kaloj, Tikiku,+ një vëlla i dashur dhe shërbëtor besnik në Zotërinë, do t’ju tregojë gjithçka.+ 22 Pikërisht për këtë qëllim po e dërgoj te ju, që të dini si jemi dhe t’ju ngushëllojë zemrat.
23 Vëllezërit paçin paqe dhe dashuri plot besim nga Perëndia Atë dhe nga Zotëria Jezu Krisht! 24 Mirësia e pamerituar e Perëndisë qoftë me të gjithë ata që e duan Zotërinë tonë Jezu Krisht me dashuri të pashtershme!
Shih Fjalorthin.
Ose «Dashamirësia e pamerituar». Shih Fjalorthin.
Domethënë, me Krishtin.
Ose «fajet».
Ose «gjykim të shëndoshë».
Ose «pëlqimin».
Ose «të administronte gjërat».
Ose «parapagesa (paradhënia); garancia (pengu)».
Fjalë për fjalë «frymën e mençurisë dhe të zbulesës».
Ose «në këtë kohë; në këtë rend». Shih Fjalorthin.
Shih Fjalorthin.
Ose «të fajeve».
Ose «sistemit».
Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «e mishit». Shih Fjalorthin.
Ose «kohët». Shih Fjalorthin.
Ose «fryt i punës së Tij».
Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «mishi».
Fjalë për fjalë «mishit».
Shih Fjalorthin.
Shih Shtojcën A5.
Duket se mendimi vazhdon në vargun 14.
Ose «dhuratës falas».
Shih Fjalorthin.
Ose «shtrëngimet».
Ose «t’ju forcojë zemrën e mendjen».
Ose «jini me përulësi të plotë mendjeje».
Ose «unitetin».
Shih Fjalorthin.
Ose «dhuratën falas».
Ose «si predikues të lajmit të mirë».
Ose «për të stërvitur».
Ose «për të forcuar».
Ose «unitetin».
Ose «të pjekur».
Ose «të bëhemi plotësisht të pjekur si Krishti».
Ose «kyçeve».
Ose «forcohet».
Shih Fjalorthin.
Ose «zbrazëtinë».
Fjalë për fjalë «mpirjes».
Ose «sjelljes së paturp; përbuzëse». Greqisht, asélgeia. Shih Fjalorthin.
Ose «prirjen mbizotëruese të mendjes; forcën që vë në veprim mendjen tuaj». Fjalë për fjalë «frymën e mendjes suaj».
Ose «të afërmit». Shih Fjalorthin.
Ose «as mos i lini vend Djallit».
Ose «të inkurajojnë; të ndërtojnë».
Ose «mos e brengosni».
Një mundësi tjetër «ju».
Një mundësi tjetër «ju».
Greqisht porneía. Shih Fjalorthin.
Shih Fjalorthin, «Imoraliteti seksual».
Fjalë për fjalë «duke blerë kohën e caktuar».
Shih Shtojcën A5.
Ose «ka shthurje».
Një mundësi tjetër «vetes».
Shih Shtojcën A5.
Ose «në zemrat tuaja».
Fjalë për fjalë «në frikën e Krishtit».
Shih Fjalorthin, «Shenjtërimi».
Fjalë për fjalë «mishin».
Ose «do të jetojë».
Ose «në përputhje me vullnetin e Zotërisë».
Ose «Që të të vejë mbarë».
Shih Fjalorthin.
Ose «mësimet; drejtimin». Fjalë për fjalë «t’u vini mendjen».
Shih Shtojcën A5.
Fjalë për fjalë «sipas mishit». Shih Fjalorthin.
Ose «sa për sy e faqe».
Shih Fjalorthin.
Shih Shtojcën A5.
Shih Shtojcën A5.
Ose «kurtheve».
Fjalë për fjalë «përleshje».
Ose «heshtat; shtizat».
Ose «përkrenaren».