BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • nwt Galatasve 1:1-6:18
  • Galatasve

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Galatasve
  • Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re 2019
Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re 2019
Galatasve

LETRA DREJTUAR GALATASVE

1 Unë Pavli, apostull i emëruar, jo nga njerëzit a falë ndonjë njeriu, por nga Jezu Krishti+ dhe Perëndia, Ati,+ që e ngriti atë nga të vdekurit, 2 u drejtohem, bashkë me gjithë vëllezërit që janë me mua, kongregacioneve* të Galatisë:

3 Mirësia e pamerituar* dhe paqja nga Perëndia, Ati ynë, si edhe nga Zotëria Jezu Krisht, qofshin me ju! 4 Krishti e dha veten për mëkatet tona,+ që të na çlironte nga ky sistem i lig,*+ në përputhje me vullnetin e Perëndisë, Atit tonë,+ 5 të cilit i qoftë lavdia në jetë të jetëve! Amin!

6 Çuditem që po i ktheni shpinën kaq shpejt Atij* që ju thirri me anë të mirësisë së pamerituar të Krishtit, për të ndjekur një tjetër lajm të mirë.+ 7 Jo se ka një tjetër lajm të mirë, por ka disa njerëz që po ju hapin telashe+ dhe duan ta shtrembërojnë lajmin e mirë për Krishtin. 8 Gjithsesi, edhe sikur ne a ndonjë engjëll nga qielli t’ju shpallte një tjetër lajm të mirë e jo lajmin e mirë që ju shpallëm ne, qoftë i mallkuar! 9 Ashtu siç e thamë më përpara, po e them prapë: kushdo që ju shpall një tjetër lajm të mirë e jo atë që pranuat, qoftë i mallkuar!

10 Mos po përpiqem tani të fitoj miratimin e njerëzve apo të Perëndisë? Mos po përpiqem t’u pëlqej njerëzve? Po t’u pëlqeja ende njerëzve, nuk do të isha skllav i Krishtit. 11 Dua që të dini, vëllezër, se lajmi i mirë që ju shpalla, nuk vjen nga njerëzit,+ 12 sepse as e mora e as e mësova nga njerëzit, por e mora nëpërmjet një zbulese nga Jezu Krishti.

13 Sigurisht që keni dëgjuar si sillesha më parë në judaizëm,+ që e përndiqja egërsisht* kongregacionin e Perëndisë dhe doja ta shuaja krejt.+ 14 Në judaizëm po përparoja më tepër se shumë moshatarë të kombit tim, sepse isha tejet i zellshëm për traditat e etërve të mi.+ 15 Por, kur Perëndisë, që më ndau nga barku i nënës* e më thirri nëpërmjet mirësisë së tij të pamerituar,+ iu duk mirë 16 të zbulonte Birin e tij nëpërmjet meje, që t’u shpallja kombeve* lajmin e mirë për të,+ nuk u konsultova menjëherë me ndonjë njeri.* 17 As u ngjita në Jerusalem, tek ata që ishin apostuj para meje, por ika në Arabi dhe më pas u ktheva sërish në Damask.+

18 Pastaj, tre vjet më vonë, u ngjita në Jerusalem+ që të vizitoja Kefën*+ dhe ndenja me të 15 ditë. 19 Por nuk pashë asnjë apostull tjetër, përveç Jakovit,+ vëllait të Zotërisë. 20 Për këto që po ju shkruaj, ju siguroj para Perëndisë se nuk po gënjej.

21 Pastaj shkova në rajonet e Sirisë e të Kilikisë.+ 22 Mirëpo kongregacionet e Judesë që ishin në unitet me Krishtin, nuk më njihnin personalisht. 23 Ato vetëm kishin dëgjuar: «Njeriu që më parë na përndiqte,+ tani po shpall lajmin e mirë për besimin, të cilin më parë donte ta shuante krejt.»+ 24 Kështu kongregacionet filluan t’i jepnin lavdi Perëndisë për shkakun tim.

2 Pas 14 vjetësh, u ngjita sërish në Jerusalem me Barnabën+ dhe mora me vete edhe Titin.+ 2 U ngjita se pata një zbulesë dhe u tregova vëllezërve për lajmin e mirë që u predikoj kombeve.* Për këtë u fola privatisht atyre burrave shumë të respektuar, që të sigurohesha se nuk po vrapoja ose nuk kisha vrapuar më kot. 3 Gjithsesi, as Titin+ që ishte me mua, nuk e detyruan të rrethpritej,+ ndonëse ishte grek. 4 Por atë çështje e ngritën vëllezërit e rremë që kishin hyrë tinëz+ dhe pa u ndier si spiunë për të parë ç’liri+ gëzojmë ngaqë jemi në unitet me Krishtin Jezu, që të na skllavëronin plotësisht.+ 5 Mirëpo ne nuk iu dorëzuam e nuk iu nënshtruam+ atyre as edhe për një çast,* me qëllim që ju të qëndroni të patundur në të vërtetën e lajmit të mirë.

6 Por ata vëllezër që konsideroheshin të rëndësishëm,+ (sido që të ishin, për mua s’ka rëndësi, sepse Perëndia nuk niset nga pamja e jashtme e njeriut) po, këta burra shumë të respektuar, nuk më treguan ndonjë gjë të re. 7 Përkundrazi, kur e panë se më ishte besuar lajmi i mirë për të parrethprerët,+ ashtu si Pjetrit i ishte besuar për të rrethprerët​—8 sepse ai që i dha fuqi Pjetrit si apostull për të rrethprerët, më dha edhe mua po këtë fuqi për kombet+—​9 dhe, kur e kuptuan që më ishte treguar mirësi e pamerituar,+ Jakovi,+ Kefa* dhe Gjoni, të njohur si shtylla të kongregacionit, më dhanë mua dhe Barnabës+ dorën e djathtë në shenjë bashkëpunimi,* që ne të shkonim te kombet, kurse ata te të rrethprerët. 10 Ata kërkuan vetëm që të mos harronim të varfrit, dhe për këtë gjë jam përpjekur me zell.+

11 Megjithatë, kur Kefa*+ erdhi në Antioki,+ u ballafaqova hapur me të,* sepse pa dyshim e kishte gabim.* 12 Pasi, përpara se të vinin disa njerëz që shoqëroheshin me Jakovin,+ ai hante me njerëz të kombeve të tjera.+ Por, kur mbërritën ata, ai as hante e as rrinte më me ta nga frika e përkrahësve të rrethprerjes.+ 13 Edhe judenjtë e tjerë u shtirën* si ai, aq sa me shtirjen* e tyre bënë për vete edhe Barnabën. 14 Kështu, kur pashë se nuk po ecnin në një hap me të vërtetën e lajmit të mirë,+ i thashë Kefës* përpara të gjithëve: «Nëse ti, ndonëse jude, jeton si kombet dhe jo si judenjtë, si vallë i detyron njerëzit e kombeve të jetojnë sipas zakoneve judaike?»+

15 Ne që jemi judenj nga lindja dhe jo mëkatarë nga kombet, 16 e pranojmë se njeriu shpallet i drejtë, jo falë veprave që kërkon ligji, por vetëm nëpërmjet besimit+ te Jezu Krishti.+ Prandaj kemi treguar besim te Krishti Jezu, që të shpallemi të drejtë falë besimit te Krishti e jo falë veprave të ligjit, sepse asnjeri* nuk do të shpallet i drejtë falë veprave të ligjit.+ 17 Mirëpo, nëse quhemi mëkatarë edhe ne që po kërkojmë të shpallemi të drejtë me anë të Krishtit, mos është atëherë edhe Krishti në shërbim të mëkatit?! Pa diskutim që jo! 18 Nëse ndërtoj sërish po ato gjëra që dikur i shemba, tregoj se jam shkelës i ligjit. 19 Ngaqë ndoqa ligjin, unë vdiqa për sa i përket ligjit,*+ që të bëhem i gjallë për Perëndinë. 20 Jam gozhduar në shtyllë bashkë me Krishtin,+ prandaj nuk jetoj më unë,+ por jeton Krishti në unitet me mua. Vërtet, jetën që kam tani prej mishi e gjaku, e jetoj me anë të besimit te Biri i Perëndisë,+ i cili më deshi dhe e dorëzoi veten për mua.+ 21 Unë nuk e hedh poshtë mirësinë e pamerituar të Perëndisë,+ sepse, sikur drejtësia të vijë nëpërmjet ligjit, në të vërtetë Krishti ka vdekur më kot.+

3 O galatas të pamend! Kush jua mori mendtë me ligësi?+ A nuk u përshkrua qartësisht para jush Krishti si i gozhduar në shtyllë?+ 2 Vetëm këtë dua të di* nga ju: frymën* e morët falë veprave që kërkonte ligji apo falë besimit që treguat tek ajo që dëgjuat?+ 3 Kaq të pamend jeni?! Pasi ndoqët fillimisht drejtimin e frymës së shenjtë,* tani në fund po ndiqni arsyetime njerëzore?!*+ 4 A thua hoqët kaq shumë vuajtje më kot? S’e besoj se keni vuajtur më kot! 5 Ai që ju jep frymën dhe kryen vepra të fuqishme mes jush,+ a e bën këtë ngaqë bëni veprat e ligjit apo ngaqë tregoni besim tek ajo që dëgjuat? 6 A nuk është e vërtetë që Abrahami «tregoi besim te Jehovai,* dhe për këtë u konsiderua i drejtë»?!*+

7 Me siguri e dini se ata që kapen fort pas besimit, janë bij të Abrahamit.+ 8 Tani, shumë kohë më parë, shkrimi tregoi se Perëndia do t’i shpallte të drejtë njerëzit e kombeve* nëpërmjet besimit, prandaj i shpalli paraprakisht këtë lajm të mirë Abrahamit: «Nëpërmjet teje do të bekohen të gjitha kombet.»+ 9 Prandaj, ata që kapen fort pas besimit, po bekohen njësoj si Abrahami që kishte besim.+

10 Të gjithë ata që mbështeten te veprat që kërkon ligji, janë nën mallkim, sepse është shkruar: «Mallkuar qoftë kushdo që nuk u bindet dhe nuk i zbaton gjithë gjërat e shkruara në rrotullën e Ligjit.»+ 11 Veç kësaj, është e qartë që nëpërmjet ligjit askush nuk shpallet i drejtë para Perëndisë,+ pasi «i drejti do të jetojë falë besimit».+ 12 Tani, Ligji nuk bazohet në besim. Përkundrazi, «kush i zbaton urdhërimet e tij, do të jetojë falë tyre».+ 13 Meqë na bleu,+ Krishti na çliroi+ nga mallkimi i Ligjit dhe u bë ai i mallkuar e jo ne, sepse është shkruar: «I mallkuar është çdo njeri i varur në shtyllë!»+ 14 Kjo ndodhi që bekimi i Abrahamit të vinte te kombet me anë të Jezu Krishtit+ dhe që ne të merrnim frymën e premtuar+ nëpërmjet besimit tonë.

15 Vëllezër, po marr një shembull nga jeta e njerëzve: kur një besëlidhje shpallet e vlefshme, ndonëse është besëlidhje e bërë nga njeriu, askush nuk e anulon dhe as i shton gjë. 16 Tani, premtimet iu thanë Abrahamit dhe pasardhësit* të tij.+ Nuk thuhet «dhe pasardhësve* të tu», sikur të ishin shumë, por thuhet «dhe pasardhësit* tënd», domethënë një të vetmi, që është Krishti.+ 17 Po ju them edhe këtë: Ligji që erdhi në jetë 430 vjet më vonë,+ nuk e zhvleftëson besëlidhjen e mëparshme të Perëndisë dhe nuk e shfuqizon premtimin. 18 Faktikisht, nëse trashëgimia jepet në bazë të ligjit, nuk jepet më në bazë të një premtimi; mirëpo Perëndia ia ka dhënë përzemërsisht trashëgiminë Abrahamit nëpërmjet një premtimi.+

19 Pse duhej Ligji, atëherë? Ai u shtua për të bërë të qarta shkeljet,*+ derisa të vinte pasardhësi,*+ të cilit i ishte bërë premtimi, dhe u përcoll me anë të engjëjve+ nga dora e një ndërmjetësi.+ 20 Por nuk ka ndërmjetës kur ka vetëm një palë, dhe Perëndia është e vetmja palë. 21 A është, pra, Ligji kundër premtimeve të Perëndisë? Patjetër që jo! Se po të ishte dhënë një ligj që mund të jepte jetë, drejtësia do të vinte në të vërtetë nëpërmjet ligjit. 22 Por Shkrimi e dorëzoi çdo gjë nën kontrollin e mëkatit, që premtimi i bazuar në besimin te Jezu Krishti, t’u jepej atyre që tregojnë besim.

23 Megjithatë, para se të vinte besimi, ishim nën ruajtjen e Ligjit, të dorëzuar nën kontrollin e tij, me sytë nga besimi që do të zbulohej.+ 24 Kështu, Ligji u bë kujdestari* ynë dhe na çoi te Krishti,+ që të shpallemi të drejtë nëpërmjet besimit.+ 25 Mirëpo, tani që besimi ka ardhur,+ nuk jemi më nën një kujdestar.*+

26 Të gjithë ju jeni, në të vërtetë, bij të Perëndisë+ nëpërmjet besimit tuaj te Krishti Jezu,+ 27 sepse të gjithë ju që u pagëzuat në Krishtin, keni veshur* Krishtin.+ 28 Nuk ka as jude e as grek,+ as skllav e as të lirë,+ as mashkull e as femër,+ sepse ju jeni të gjithë një në unitet me Krishtin Jezu.+ 29 Për më tepër, nëse i përkitni Krishtit, jeni vërtet pasardhës* të Abrahamit,+ trashëgimtarë+ sipas një premtimi.+

4 Tani them se, për sa kohë trashëgimtari është fëmijë, nuk ka asnjë ndryshim nga skllavi, ndonëse është zotëri i gjithçkaje, 2 sepse ai dhe shtëpia e tij janë nën kujdesin e kujdestarëve deri ditën që ka caktuar paraprakisht i ati. 3 Po ashtu edhe ne, kur ishim fëmijë, ishim skllevër të gjërave elementare të botës.+ 4 Mirëpo, kur erdhi koha e caktuar, Perëndia dërgoi Birin e vet, i cili lindi nga një grua+ dhe ishte nën ligj,+ 5 me qëllim që t’i çlironte ata që ishin nën ligj+ duke i blerë, e kështu ne të birësoheshim.+

6 Meqenëse jeni bij, Perëndia ka dërguar në zemrat tona+ frymën+ e Birit të tij, dhe ajo thërret: «Abba,* o Atë!»+ 7 Kështu ju nuk jeni më skllevër, por bij, dhe nëse jeni bij, Perëndia ju ka bërë edhe trashëgimtarë.+

8 Megjithatë, kur nuk e njihnit Perëndinë, ishit skllevër të atyre që nuk janë vërtet perëndi. 9 Mirëpo, tani që keni arritur ta njihni Perëndinë, ose më mirë tani që Perëndia ju ka njohur,* si vallë ktheheni përsëri te gjërat elementare të dobëta+ e të varfra dhe doni të bëheni prapë skllevër të tyre?!+ 10 Ju kremtoni pikë për pikë ditë, muaj,+ stinë* dhe vite. 11 Kam frikë se mos jam përpjekur më kot për ju.

12 Ju lutem, vëllezër, bëhuni si unë, sepse edhe unë isha dikur si ju,+ e prapëseprapë ju nuk më trajtuat keq. 13 Ju e dini se u bë shkak një sëmundje që m’u dha rasti t’ju shpallja lajmin e mirë për herë të parë. 14 Edhe pse sëmundja ime ju krijoi vështirësi, ju nuk më përbuzët e nuk më përçmuat,* por më pritët si një engjëll të Perëndisë, si Krishtin Jezu. 15 Ku shkoi ajo lumturi që kishit? Jam i sigurt se, po të ishte e mundur, do t’i kishit nxjerrë sytë tuaj dhe do të m’i kishit dhënë mua.+ 16 E pra, mos jam bërë armiku juaj ngaqë ju them të vërtetën? 17 Disa përpiqen me zell t’ju bëjnë për vete, por jo për ndonjë qëllim të mirë; ata duan t’ju ndajnë nga unë, që të ndiqni me zell ata. 18 Megjithatë është bukur kur dikush përpiqet gjithnjë t’ju bëjë për vete për një qëllim të mirë, e jo vetëm kur unë jam mes jush, 19 o fëmijët e mi të vegjël,+ për të cilët po provoj sërish dhembjet e lindjes derisa Krishti të pasqyrohet* te ju. 20 Do të doja të isha mes jush pikërisht tani dhe t’ju flisja ndryshe, sepse s’di si të veproj me ju.

21 Më thoni, ju që doni të jeni nën ligj, nuk e dëgjoni ç’thotë vetë Ligji? 22 Për shembull, është shkruar se Abrahami pati dy djem, njërin nga shërbëtorja+ dhe tjetrin nga gruaja e lirë.*+ 23 Megjithatë, djali i shërbëtores lindi në mënyrë të natyrshme,*+ kurse i gruas së lirë lindi nëpërmjet një premtimi.+ 24 Këto gjëra kanë kuptim simbolik, sepse dy gratë përfaqësojnë dy besëlidhje. Një prej tyre u bë në malin Sinai+ dhe solli në jetë fëmijë për skllavëri; kjo është Agara. 25 Tani, Agara përfaqëson Sinain,+ një mal në Arabi, dhe përkon me Jerusalemin e sotëm që është në skllavëri bashkë me fëmijët e vet. 26 Kurse Jerusalemi lart është i lirë dhe është nëna jonë.

27 Faktikisht është shkruar: «Gëzohu, ti grua shterpë që nuk lind! Brohorit me gëzim, ti grua që nuk ke pasur dhembje lindjeje, sepse fëmijët e gruas së braktisur janë më të shumtë se fëmijët e asaj që e ka burrin.»+ 28 Ju, vëllezër, jeni fëmijë të premtimit, njëlloj siç ishte Isaku.+ 29 Por, ashtu si në atë kohë ai që lindi në mënyrë të natyrshme,* filloi të përndiqte atë që lindi nëpërmjet frymës,*+ po kështu ndodh edhe tani.+ 30 Gjithsesi, çfarë thotë Shkrimi? «Dëboje shërbëtoren dhe djalin e saj, sepse djali i kësaj shërbëtoreje nuk do të jetë kurrsesi trashëgimtar bashkë me djalin e gruas së lirë.»+ 31 Prandaj, vëllezër, ne nuk jemi fëmijë të shërbëtores, por të gruas së lirë.

5 Për një liri të tillë na çliroi Krishti. Prandaj, qëndroni të patundur+ dhe mos lejoni të futeni përsëri nën zgjedhën e skllavërisë.+

2 Ja, unë, Pavli, po ju them se, nëse rrethpriteni, Krishti nuk do t’ju sjellë asnjë dobi.+ 3 I kujtoj edhe një herë kujtdo që rrethpritet, se është i detyruar të zbatojë gjithë Ligjin.+ 4 Ju që përpiqeni të shpalleni të drejtë me anë të ligjit,+ jeni ndarë nga Krishti, jeni larguar nga mirësia e tij e pamerituar. 5 Kurse ne, me anë të frymës,* po presim me zjarr e po shpresojmë të quhemi të drejtë në bazë të besimit. 6 Vërtet, për ata që janë në unitet me Krishtin Jezu, as rrethprerja nuk ka ndonjë vlerë, as parrethprerja,+ por besimi që vepron nëpërmjet dashurisë.

7 Ju po vraponit mirë.+ Kush ju pengoi që të mos i bindeni më së vërtetës? 8 Ky lloj arsyetimi nuk vjen nga Ai që ju thërret. 9 Pak majá e bën të vijë gjithë brumin.+ 10 Jam i sigurt se ju që jeni në unitet me Zotërinë,+ nuk do të mendoni ndryshe, por ai që po ju hap telashe,+ kushdo qoftë, do të marrë gjykimin që meriton. 11 Po mua, vëllezër, po të predikoja ende rrethprerjen, pse do të vazhdonin të më përndiqnin? Po të ishte vërtet kështu, shtylla e torturës*+ nuk do të ishte më gur pengese për ata që më kundërvihen. 12 U tredhshin* njerëzit që po përpiqen t’ju prishin mendjen!

13 Ju u thirrët në liri, vëllezër, vetëm mos e përdorni këtë liri si një rast për të kënaqur dëshirat mëkatare,*+ por shërbejini si skllevër njëri-tjetrit nga dashuria.+ 14 Faktikisht i gjithë Ligji është përmbushur* në një urdhërim të vetëm: «Duaje të afërmin tënd* si veten.»+ 15 Por, nëse vazhdoni të kafshoni dhe të shqyeni njëri-tjetrin,+ ruhuni se mos shfarosni njëri-tjetrin.+

16 Megjithatë ju them: vazhdoni të ecni sipas frymës*+ dhe nuk do të kënaqni asnjë dëshirë mëkatare.+ 17 Vërtet, trupi mëkatar* me dëshirat e tij është kundër frymës dhe fryma është kundër trupit; këto i kundërvihen njëra-tjetrës, prandaj nuk bëni ato që doni të bëni.+ 18 Për më tepër, nëse drejtoheni nga fryma, nuk jeni nën ligj.

19 Tani, veprat e trupit mëkatar* duken qartë, dhe ato janë: imoraliteti seksual,*+ ndyrësia, sjellja e pacipë,*+ 20 idhujtaria, spiritizmi,*+ armiqësitë, grindjet, xhelozia,* shpërthimet e zemërimit, konfliktet, përçarjet, sektet, 21 zilia, dehja,+ festat* e shfrenuara dhe gjëra si këto.+ Për këto gjëra po ju paralajmëroj, ashtu siç ju paralajmërova edhe më parë, se ata që vazhdojnë të bëjnë gjëra të tilla, nuk do ta trashëgojnë Mbretërinë e Perëndisë.+

22 Nga ana tjetër, fryti i frymës së shenjtë është dashuria, gëzimi, paqja, durimi,* zemërmirësia,* mirësia,+ besimi, 23 butësia, vetëkontrolli.+ Kundër gjërave si këto nuk ka ligj. 24 Për më tepër, ata që i përkasin Krishtit Jezu e kanë gozhduar në shtyllë trupin mëkatar bashkë me pasionet dhe dëshirat e tij.+

25 Nëse po jetojmë sipas frymës së shenjtë, sipas kësaj fryme të vazhdojmë të ecim me rregull.+ 26 Të mos jemi egoistë,+ të mos ngjallim konkurrencë mes nesh+ e të mos kemi zili njëri-tjetrin.

6 Vëllezër, edhe nëse dikush hedh ndonjë hap të gabuar, pa qenë i vetëdijshëm për të, ju që jeni të kualifikuar nga fryma,* përpiquni ta ndreqni me butësi.+ Por jini vigjilent për veten,+ se mos tundoheni edhe vetë.+ 2 Vazhdoni të mbani barrët e njëri-tjetrit+ dhe në këtë mënyrë do të përmbushni ligjin e Krishtit.+ 3 Vërtet, nëse dikush mendon se është diçka, kur s’është asgjë,+ mashtron veten. 4 Por secili të shqyrtojë veprimet e tij,+ dhe atëherë do të ketë arsye për t’u gëzuar vetëm për veten e jo të krahasohet me një tjetër,+ 5 sepse secili do të mbajë ngarkesën e vet.*+

6 Gjithashtu, kushdo që merr mësim* për fjalën e Perëndisë, le të ndajë çdo gjë të mirë me atë që e mëson.+

7 Mos u mashtroni: Perëndia nuk vihet në lojë! Çfarëdo që të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë.+ 8 Ai që mbjell për dëshirat mëkatare,* do të korrë nga këto dëshira shkatërrim,* por ai që mbjell për frymën e shenjtë, do të korrë nga fryma jetë të përhershme.+ 9 Prandaj të mos dorëzohemi duke bërë atë që është e shkëlqyer, sepse në kohën e duhur do të korrim, nëse nuk lodhemi.*+ 10 Kështu, për sa kohë që kemi mundësi,* le t’i bëjmë mirë gjithkujt, por sidomos atyre që janë të lidhur me ne në besim.

11 Shihni me ç’shkronja të mëdha ju shkrova me dorën time.

12 Ata që duan të lënë përshtypje të mirë, përpiqen t’ju detyrojnë që të rrethpriteni, vetëm e vetëm që të mos përndiqen për shtyllën e torturës* të Krishtit. 13 Madje as vetë ata që rrethpriten, nuk e zbatojnë Ligjin,+ por duan që ju të rrethpriteni, që të kenë arsye për t’u mburrur me trupin* tuaj. 14 Larg qoftë që unë të mburrem, përveçse me shtyllën e torturës* të Zotërisë tonë Jezu Krisht,+ nëpërmjet të cilit bota është e vdekur* për mua, dhe unë për botën. 15 As rrethprerja s’është gjë, as parrethprerja,+ por një krijesë e re, po.+ 16 Paqja dhe mëshira qofshin mbi të gjithë ata që jetojnë në përputhje* me këtë normë sjelljeje, po, mbi Izraelin e Perëndisë!+

17 Që sot e tutje, askush të mos më hapë telashe, sepse mbaj në trupin tim damkën e një skllavi të Jezuit.+

18 Mirësia e pamerituar e Zotërisë tonë Jezu Krisht qoftë me frymën* që tregoni, vëllezër! Amin!

Shih Fjalorthin.

Ose «Dashamirësia e pamerituar». Shih Fjalorthin.

Ose «kjo kohë e ligë». Shih Fjalorthin.

Ose «që po largoheni kaq shpejt nga Ai».

Ose «tej mase».

Ose «që më dha jetë».

Shih Fjalorthin.

Fjalë për fjalë «me mishin dhe gjakun».

Quhet edhe Pjetër.

Shih Fjalorthin.

Fjalë për fjalë «një orë».

Quhet edhe Pjetër.

Ose «marrëveshjeje».

Quhet edhe Pjetër.

Ose «iu kundërvura ballë për ballë».

Ose «e kishte hak dënimin».

Ose «u treguan hipokritë».

Ose «hipokrizinë».

Quhet edhe Pjetër.

Fjalë për fjalë «asnjë mish».

Ose «u çlirova nga ligji».

Fjalë për fjalë «të mësoj».

Ose «frymën e shenjtë».

Fjalë për fjalë «u nisët në frymë».

Fjalë për fjalë «po përfundoni në mish?!» Shih Fjalorthin.

Shih Shtojcën A5.

Ose «dhe kjo iu llogarit si drejtësi?!» Domethënë, u konsiderua i drejtë në kuptimin relativ.

Shih Fjalorthin.

Fjalë për fjalë «farës». Në greqisht kjo fjalë mund të nënkuptojë edhe shumësin. Shih Fjalorthin.

Fjalë për fjalë «farërave».

Fjalë për fjalë «farës». Në greqisht kjo fjalë mund të nënkuptojë edhe shumësin. Shih Fjalorthin.

Shih Fjalorthin.

Fjalë për fjalë «fara». Shih Ga 3:16.

Ose «edukatori».

Ose «edukator».

Ose «keni imituar».

Fjalë për fjalë «farë». Shih Ga 3:16.

Një fjalë hebraike ose aramaike që do të thotë «o Atë!»

Ose «ju ka pranuar».

Domethënë, kohët e caktuara për festa.

Ose «nuk më pështytë me neveri».

Ose «të marrë formë».

Domethënë, një grua që nuk ishte skllave.

Fjalë për fjalë «sipas mishit».

Fjalë për fjalë «sipas mishit».

Ose «frymës së shenjtë».

Ose «frymës së Perëndisë».

Shih Fjalorthin.

Ose «u zhburrërofshin; u bëfshin eunukë», që të skualifikoheshin nga zbatimi i po atij ligji që po përkrahnin.

Fjalë për fjalë «e mishit». Shih Fjalorthin.

Një mundësi tjetër «është përmbledhur».

Ose «tjetrin». Shih Fjalorthin.

Ose «sipas drejtimit të frymës së shenjtë».

Fjalë për fjalë «mishi». Shih Fjalorthin.

Fjalë për fjalë «e mishit». Shih Fjalorthin.

Greqisht porneía. Shih Fjalorthin.

Ose «sjellja e paturp; përbuzëse». Greqisht, asélgeia. Shih Fjalorthin.

Ose «shtrigëria; përdorimi i drogave».

Ose «smira».

Ose «ahengjet».

Ose «shpirtgjerësia».

Ose «mirëdashja».

Ose «nga fryma e shenjtë; ju që jeni të krishterë të pjekur».

Ose «ngarkesën e përgjegjësive të veta».

Ose «që merr mësim gojarisht».

Fjalë për fjalë «për mishin». Shih Fjalorthin.

Fjalë për fjalë «prishje».

Ose «nuk dorëzohemi».

Ose «kohë të volitshme».

Shih Fjalorthin.

Fjalë për fjalë «mishin».

Shih Fjalorthin.

Ose «është vënë në shtyllë».

Fjalë për fjalë «ecin me rregull».

Shih Fjalorthin.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo