BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • nwt Marku 1:1-16:8
  • Marku

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Marku
  • Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re 2019
Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re 2019
Marku

SIPAS MARKUT

1 Fillimi i lajmit të mirë për Jezu Krishtin, birin e Perëndisë, 2 sikurse është shkruar në librin e profetit Isaia: «(Ja, unë po dërgoj përpara teje lajmëtarin tim, i cili do të të përgatitë udhën!)+ 3 Dëgjohet zëri i dikujt që thërret në shkretëtirë: ‘Përgatitni udhën për Jehovain!* Drejtojini rrugët për të!’»+ 4 Gjon Pagëzori ishte në shkretëtirë dhe predikonte pagëzimin si simbol të pendimit për faljen e mëkateve.+ 5 Gjithë territori i Judesë dhe tërë banorët e Jerusalemit shkonin tek ai. Ai i pagëzonte* njerëzit në lumin Jordan, dhe ata i rrëfenin hapur mëkatet.+ 6 Gjoni vishte një rrobë me lesh deveje, mbante në mes një brez lëkure+ dhe ushqehej me karkaleca e me mjaltë bletësh të egra.+ 7 Ai predikonte: «Pas meje po vjen një më i fortë se unë, dhe unë nuk jam i denjë as të ulem e t’i zgjidh lidhëset e sandaleve.+ 8 Unë ju pagëzova me ujë, kurse ai do t’ju pagëzojë me frymë të shenjtë.»+

9 Ato ditë, Jezui erdhi nga Nazareti i Galilesë, dhe Gjoni e pagëzoi në Jordan.+ 10 Sapo doli nga uji, ai* pa qiejt të hapeshin dhe frymën e Perëndisë të zbriste mbi të porsi një pëllumb.+ 11 Nga qiejt u dëgjua një zë: «Ti je Biri im, Biri im i dashur; unë të kam miratuar.»+

12 Menjëherë fryma e Perëndisë e nxiti të shkonte në shkretëtirë. 13 Ai qëndroi 40 ditë në shkretëtirë, ku e tundoi Satanai.+ Atje kishte kafshë të egra, por engjëjt kujdeseshin për të.*+

14 Tani, pasi Gjoni u arrestua, Jezui shkoi në Galile+ dhe predikonte lajmin e mirë të Perëndisë:+ 15 «Koha e caktuar është përmbushur dhe Mbretëria e Perëndisë është afruar. Pendohuni+ dhe kini besim te lajmi i mirë.»

16 Kur po ecte përgjatë detit të Galilesë, pa Simonin me të vëllanë, Andrean,+ që po hidhnin rrjetat në det,+ sepse ishin peshkatarë.+ 17 Atëherë Jezui u tha: «Ejani pas meje, dhe unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzish.»+ 18 Ata i lanë menjëherë rrjetat dhe e ndoqën.+ 19 Pak më tutje pa Jakovin, birin e Zebedeut, dhe Gjonin, vëllanë e tij, duke arnuar rrjetat në varkën e tyre,+ 20 dhe i thirri menjëherë. Kështu, ata e lanë te varka të atin, Zebedeun, bashkë me punëtorët dhe shkuan pas tij. 21 Pastaj ikën në Kapernaum.

Sapo filloi Sabati, Jezui hyri në sinagogë dhe nisi të mësonte.+ 22 Njerëzit mahniteshin me mënyrën si mësonte, sepse ai mësonte si njeri me autoritet e jo si skribët.+ 23 Në atë moment, në sinagogën e tyre gjendej një burrë i pushtuar nga një frymë e ndyrë,* i cili bërtiti: 24 «Ç’punë ke me ne, o Jezu nazareas?+ Erdhe të na shkatërrosh? Unë e di shumë mirë kush je ti: i Shenjti i Perëndisë.»+ 25 Por Jezui e qortoi frymën e ndyrë: «Hesht dhe dil nga ai!» 26 Atëherë fryma e ndyrë, pasi e përpëliti burrin dhe ulëriti sa t’i hante zëri, doli nga ai. 27 Njerëzit ishin kaq të befasuar, saqë nisën të flisnin me njëri-tjetrin: «Ç’të jetë vallë?! Një mësim i ri?! Ai ka autoritet madje të urdhërojë edhe frymërat e ndyra, e ato i binden.» 28 Kështu lajmi për të u përhap menjëherë në mbarë rajonin e Galilesë.

29 Pas kësaj ikën nga sinagoga dhe shkuan në shtëpinë e Simonit e të Andreas bashkë me Jakovin dhe Gjonin.+ 30 Mirëpo vjehrra e Simonit+ dergjej në shtrat me ethe, dhe ata i treguan menjëherë për të. 31 Ai iu afrua, e kapi për dore dhe e ngriti. Atë e lanë ethet dhe nisi t’u shërbente.

32 Kur u ngrys, pas perëndimit të diellit, njerëzit filluan të çonin tek ai gjithë të sëmurët dhe ata që ishin të pushtuar nga demonët.+ 33 Tërë qyteti ishte mbledhur para derës, 34 prandaj ai shëroi shumë njerëz që vuanin nga sëmundje të ndryshme+ dhe dëboi shumë demonë. Por nuk i linte demonët të flitnin, ngaqë e dinin se ai ishte Krishti.*

35 Herët në mëngjes, pa zbardhur ende, ai u çua, doli përjashta dhe shkoi në një vend të veçuar, e atje nisi të lutej.+ 36 Mirëpo Simoni dhe ata që ishin me të, e ndoqën nga pas. 37 Kur e gjetën, i thanë: «Po të kërkojnë të gjithë.» 38 Por ai ua ktheu: «Le të shkojmë diku tjetër, në qytezat këtej afër, që të predikoj edhe atje, sepse për këtë kam ardhur.»+ 39 Atëherë i ra përqark mbarë Galilesë duke predikuar në sinagogat e tyre dhe duke dëbuar demonët.+

40 Atje vajti edhe një i lebrosur, që i ra në gjunjë dhe iu përgjërua: «Po të duash, ti mund të më pastrosh.»+ 41 I shtyrë nga keqardhja, ai zgjati dorën, e preku dhe i tha: «Po, dua! Pastrohu.»+ 42 Menjëherë lebra iu zhduk, dhe ai u pastrua. 43 Mirëpo para se ai të ikte, Jezui e urdhëroi prerazi: 44 «Shiko se mos i tregon njeriu! Por shko, paraqitu te prifti dhe jep për pastrimin tënd ato që udhëzoi Moisiu,+ si dëshmi që je shëruar.»*+ 45 Megjithatë pasi iku, ai filloi të hapte fjalën për këtë gjithandej, aq sa Jezui nuk mund të hynte më në ndonjë qytet pa rënë në sy,* por qëndronte jashtë në vende të veçuara. Prapëseprapë tek ai shkonin njerëz nga çdo anë.+

2 Megjithatë, pas disa ditësh, Jezui hyri përsëri në Kapernaum, dhe u mor vesh se ai ishte në shtëpi.+ 2 Prandaj u mblodhën aq shumë njerëz, sa nuk kishte më vend, madje as afër derës. Atëherë ai filloi t’u predikonte lajmin e mirë.+ 3 Disa njerëz sollën një të paralizuar që e mbanin katër burra.+ 4 Por, meqë nuk e çonin dot drejt e te Jezui për shkak të turmës, ata hoqën një pjesë të çatisë sipër vendit ku ndodhej Jezui. Pastaj hapën një të çarë në të dhe ulën vigun* ku ishte shtrirë i paralizuari. 5 Kur pa besimin e tyre,+ Jezui i tha të paralizuarit: «Bir, mëkatet e tua janë falur.»+ 6 Tani, aty ishin disa skribë, që rrinin ulur e mendonin me vete:+ 7 «Ç’po flet kështu ky njeri? Ai po blasfemon.* Kush mund të falë mëkatet, përveç njërit, Perëndisë?!»+ 8 Por Jezui e nuhati* menjëherë ç’po mendonin, prandaj u tha: «Pse keni këto mendime në zemër?+ 9 Çfarë është më e lehtë t’i thuash të paralizuarit: ‘Mëkatet e tua janë falur’, apo: ‘Ngrihu, merr vigun dhe ec.’ 10 Megjithatë, që ta dini se Biri i njeriut+ ka autoritet të falë mëkatet në tokë . . .»,+ ai i tha të paralizuarit: 11 «Unë të them, ngrihu, merr vigun dhe shko në shtëpi.» 12 Atëherë ai u ngrit, mori menjëherë vigun dhe u largua në sy të të gjithëve. Të gjithë mbetën gojëhapur dhe i dhanë lavdi Perëndisë: «Kurrë s’kemi parë një gjë të tillë.»+

13 Jezui doli sërish buzë detit dhe e gjithë turma i shkoi pranë, e ai filloi t’i mësonte. 14 Më vonë, teksa po ecte, vuri re Levin, birin e Alfeut, të ulur në zyrën e taksave, dhe i tha: «Bëhu dishepulli im.»* Ai u çua menjëherë dhe e ndoqi.+ 15 Më vonë Jezui dhe dishepujt po hanin* në shtëpinë e Mateut bashkë me shumë taksambledhës e mëkatarë, sepse shumë nga këta kishin filluar ta ndiqnin.+ 16 Me të parë që ai po hante me mëkatarët dhe taksambledhësit, skribët e farisenjve filluan t’i pyesnin dishepujt e tij: «Pse ha ai me taksambledhësit dhe mëkatarët?» 17 Kur e dëgjoi këtë, Jezui u tha: «Të shëndetshmit nuk kanë nevojë për mjek, kurse të sëmurët, po. Unë nuk erdha të thërras të drejtët, por mëkatarët.»+

18 Tani, dishepujt e Gjonit dhe farisenjtë e kishin zakon të agjëronin. Prandaj disa erdhën dhe e pyetën: «Pse dishepujt e Gjonit dhe dishepujt e farisenjve e kanë zakon të agjërojnë, kurse dishepujt e tu jo?»+ 19 Atëherë Jezui iu përgjigj: «Miqtë e dhëndrit+ s’kanë pse të agjërojnë ndërsa dhëndri është me ta, apo jo? Për sa kohë dhëndri është me ta, ata s’mund të agjërojnë. 20 Por do të vijnë ditët kur do t’ua marrin dhëndrin,+ dhe atëherë, atë ditë, do të agjërojnë. 21 Askush nuk e arnon një rrobë të vjetër me një copë të re,* sepse copa e re futet në ujë dhe mblidhet, e kështu rroba griset edhe më keq.+ 22 Po ashtu, askush nuk hedh verë të re në kacekë të vjetër, sepse vera e re i çan kacekët, e kështu shkojnë dëm si vera, edhe kacekët. Por vera e re hidhet në kacekë të rinj.»

23 Tani, në Sabat, ai po kalonte përmes arave me grurë dhe, gjatë rrugës, dishepujt nisën të këputnin kallinj gruri.+ 24 Atëherë farisenjtë i thanë: «Pa shiko! Pse dishepujt e tu po bëjnë atë që nuk është e ligjshme në Sabat?» 25 Por ai u tha: «Asnjëherë nuk e keni lexuar çfarë bëri Davidi kur e mori uria atë dhe burrat që ishin me të?+ 26 Në tregimin për Abiatarin,+ kreun e priftërinjve, a nuk hyri ai në shtëpinë e Perëndisë dhe a nuk hëngri bukët e paraqitjes,* të cilat nuk është e ligjshme t’i hajë askush përveç priftërinjve,+ e u dha edhe burrave që ishin me të?» 27 Ai vazhdoi: «Sabati u bë për njeriun,+ dhe jo njeriu për Sabatin. 28 Prandaj, Biri i njeriut është Zotëri edhe i Sabatit.»+

3 Ai hyri përsëri në një sinagogë, ku ishte një burrë me dorë të tharë.*+ 2 Prandaj farisenjtë po e shikonin me kujdes nëse do ta shëronte në Sabat, që ta akuzonin. 3 Ai i tha burrit me dorë të tharë:* «Ngrihu dhe hajde këtu në mes.» 4 Pastaj i pyeti ata: «A është e ligjshme të bësh mirë apo të bësh keq në Sabat, ta shpëtosh apo ta vrasësh dikë?»*+ Mirëpo ata heshtën. 5 Pasi i pa të gjithë rreth e rrotull, i indinjuar dhe krejt i hidhëruar për zemrën e tyre të pandjeshme,+ Jezui i tha burrit me dorë të tharë: «Shtrije dorën!» Ky e shtriu dorën, dhe ajo iu shërua. 6 Atëherë farisenjtë dolën dhe menjëherë u mblodhën me përkrahësit e partisë së Herodit,+ që të komplotonin për ta vrarë.

7 Kurse Jezui u nis drejt detit bashkë me dishepujt, dhe një turmë e madhe nga Galilea e Judea i shkoi pas.+ 8 Kur dëgjuan sa shumë gjëra po bënte, tek ai erdhi edhe një turmë e madhe nga Jerusalemi, nga Idumea, nga zonat përtej Jordanit dhe nga rrethinat e Tirit e të Sidonit. 9 Ndaj u tha dishepujve të kishin gati një varkë të vogël për të, që turma të mos ngjishej pas tij. 10 Ngaqë shëroi shumë veta, të gjithë ata me sëmundje të rënda u mblodhën rreth tij dhe shtyheshin që ta preknin.+ 11 Edhe frymërat e ndyra*+ kur e shihnin, përkuleshin me fytyrë përtokë para tij dhe thërritnin: «Ti je Biri i Perëndisë.»+ 12 Por, herë pas here, ai i urdhëroi prerazi ato të mos tregonin kush ishte.+

13 Jezui u ngjit në mal, thirri disa nga dishepujt,+ dhe ata shkuan tek ai.+ 14 Zgjodhi* 12 veta, të cilët i quajti apostuj, që ta shoqëronin, t’i dërgonte për të predikuar 15 dhe të kishin autoritet për të dëbuar demonët.+

16 Në grupin me 12 veta+ që zgjodhi,* ishin: Simoni, të cilin e quajti Pjetër,+ 17 Jakovi, i biri i Zebedeut, Gjoni, vëllai i Jakovit, (këta i quajti Boanerges, që do të thotë «bij të bubullimës»),+ 18 Andrea, Filipi, Bartolomeu, Mateu, Thomai, Jakovi, i biri i Alfeut, Tadeu, Simon i Zellshmi* 19 dhe Judë Iskarioti, i cili më vonë e tradhtoi.

Pastaj shkoi në një shtëpi, 20 por turma u mblodh përsëri, kështu që ata nuk mundën as të hanin bukë. 21 Mirëpo, kur e morën vesh çfarë po ndodhte, njerëzit e vet dolën ta kapnin, sepse thoshin: «Ai ka luajtur mendsh.»+ 22 Edhe skribët që erdhën nga Jerusalemi, thoshin: «Ai ka Belzebubin* dhe i dëbon demonët me anë të sundimtarit të demonëve.»+ 23 Por ai u tha të afroheshin dhe u foli me ilustrime: «Si mund ta dëbojë Satanai Satanain? 24 Nëse një mbretëri përçahet, nuk qëndron dot.+ 25 Edhe një shtëpi nuk do të jetë në gjendje të qëndrojë nëse përçahet. 26 Po ashtu, nëse Satanai është ngritur kundër vetes dhe është përçarë, nuk qëndron dot, por po i vjen fundi. 27 Në të vërtetë, askush që futet në shtëpinë e një burri të fortë, nuk mund ta grabitë nëse nuk e lidh më parë. Vetëm atëherë mund t’ia plaçkitë shtëpinë. 28 Vërtet po ju them se bijve të njerëzve do t’u falet gjithçka, pavarësisht nga mëkatet që bëjnë dhe blasfemitë* që thonë. 29 Por kushdo që blasfemon kundër frymës së shenjtë, nuk do të falet kurrën e kurrës.+ Ai është fajtor për mëkat të përhershëm.»+ 30 Ua tha këtë, sepse ata thoshin: «Ai ka një frymë të ndyrë.»+

31 Ndërkohë, erdhën nëna dhe vëllezërit e tij,+ të cilët qëndruan jashtë dhe dërguan dikë brenda që ta thërriste.+ 32 Atë e kishte rrethuar një turmë, prandaj i thanë: «Nëna jote me vëllezërit e tu janë jashtë dhe po të kërkojnë.»+ 33 Por ai u përgjigj: «Kush është nëna ime dhe cilët janë vëllezërit e mi?» 34 Pastaj pa ata që ishin ulur përreth tij dhe tha: «Ja, nëna ime dhe vëllezërit e mi!+ 35 Vëllai im dhe motra e nëna ime është kushdo që bën vullnetin e Perëndisë.»+

4 Ai nisi t’i mësonte përsëri njerëzit buzë detit dhe një turmë shumë e madhe iu mblodh pranë. Prandaj hipi në një varkë dhe u ul në të, larg bregut, kurse e gjithë turma qëndroi në breg, buzë detit.+ 2 Kështu ai filloi t’u mësonte shumë gjëra me ilustrime+ dhe, teksa i mësonte, u tha:+ 3 «Dëgjoni! Një mbjellës doli për të mbjellë.+ 4 Ndërsa po mbillte, disa fara ranë përgjatë rrugës, dhe zogjtë vajtën e i hëngrën. 5 Të tjera ranë në një vend shkëmbor, ku nuk kishte shumë dhé, prandaj mbinë menjëherë, sepse toka nuk ishte e thellë.+ 6 Por, kur lindi dielli, bimët e njoma u zhuritën dhe, meqë s’kishin rrënjë, u thanë. 7 Disa fara të tjera ranë mes gjembave, të cilët u rritën e i mbytën, prandaj ato nuk dhanë fryt.+ 8 Kurse disa të tjera ranë në tokë të mirë dhe, pasi mbinë e u rritën, filluan të jepnin fryt: 30, 60 dhe 100-fish.»+ 9 Pastaj shtoi: «Ai që ka veshë, le të dëgjojë.»+

10 Tani, kur mbeti vetëm, ata që ishin rreth tij bashkë me të Dymbëdhjetët, filluan ta pyetnin për ilustrimet.+ 11 Ai u tha: «Juve ju është lejuar të kuptoni sekretin e shenjtë+ të Mbretërisë së Perëndisë, kurse për të tjerët, gjërat që dëgjojnë, mbeten thjesht ilustrime,+ 12 me qëllim që të shohin me sy, por të mos dallojnë, të dëgjojnë me veshë, por të mos e kapin kuptimin, e as nuk do të kthehen kurrë te Perëndia që t’i falë.»+ 13 Veç kësaj u tha: «Nëse nuk e kuptoni këtë ilustrim, si do t’i kuptoni gjithë ilustrimet e tjera?!

14 Mbjellësi mbjell fjalën.+ 15 Disa njerëz janë si farat që ranë përgjatë rrugës; sapo e dëgjojnë fjalën, vjen Satanai+ dhe ua rrëmben atë që u mboll në zemrat e tyre.+ 16 Disa të tjerë janë si farat që ranë në një vend shkëmbor; sapo e dëgjojnë fjalën, e pranojnë me gëzim,+ 17 mirëpo ajo nuk zë rrënjë në zemrat e tyre. Prandaj vazhdojnë për njëfarë kohe, por sapo vijnë shtrëngimet* ose përndjekjet për shkak të fjalës, ata heqin dorë. 18 Disa fara të tjera ranë mes gjembave. Këto janë njerëzit që e dëgjojnë fjalën,+ 19 por ankthet+ e kësaj bote,* fuqia mashtruese e pasurisë+ dhe dëshira+ për çdo gjë tjetër, futen në zemrat e tyre dhe e mbytin fjalën, e ajo nuk jep fryt. 20 Së fundi, farat që ranë në tokë të mirë, janë njerëzit që e dëgjojnë fjalën, e pranojnë dhe japin fryt: 30, 60 dhe 100-fish.»+

21 Pastaj vazhdoi: «Një llambë nuk merret që të vihet nën shinik* a nën shtrat, apo jo? A nuk merret që të vihet në mbajtësen e vet?+ 22 Vërtet, nuk ka asgjë të mbuluar që nuk do të dalë në dritë dhe asgjë të fshehur me kujdes që nuk do të dalë sheshit.+ 23 Ai që ka veshë, le të dëgjojë.»+

24 Më tej u tha: «Kushtojini vëmendje asaj që po dëgjoni,+ sepse me atë masë që jepni, do t’ju jepet, madje edhe më shumë. 25 Atij që ka, do t’i jepet edhe më shumë,+ por atij që nuk ka, do t’i merret edhe ajo që ka.»+

26 Pas kësaj shtoi: «Kështu, Mbretëria e Perëndisë është tamam si një njeri që mbjell farë në tokë. 27 Ai fle natën e çohet ditën, dhe farat mbijnë e rriten—se si, ai nuk e di. 28 Toka vetvetiu jep fryt dalëngadalë: më parë filizin, pastaj kallirin e së fundi kokrrën e pjekur në kalli. 29 Dhe, sapo të korrat janë gati, ai u vë draprin, sepse ka ardhur koha e korrjes.»

30 Më tej vazhdoi : «Me çfarë ta krahasojmë Mbretërinë e Perëndisë apo me çfarë ilustrimi ta shpjegojmë? 31 Ajo është si një kokërr sinapi, që kur mbillet në tokë, është më e vogla e të gjitha farave mbi dhé.+ 32 Por, pasi mbillet, mbin dhe bëhet më e madhe se gjithë bimët* e tjera dhe lëshon degë aq të mëdha, sa zogjtë e qiellit mund të gjejnë strehë nën hijen e saj.»

33 Ai ua shpalli fjalën me shumë ilustrime+ të tilla, aq sa ata mund të kuptonin. 34 Në fakt, pa ilustrime s’u fliste atyre, kurse dishepujve të tij u shpjegonte gjithçka më vete.+

35 Atë ditë, kur kishte rënë mbrëmja, u tha: «Le të kalojmë në bregun tjetër.»+ 36 Kështu, pasi shpërndanë turmën, dishepujt e morën me vete në varkë.* Atje kishte edhe varka të tjera.+ 37 Ndërkohë shpërtheu një stuhi e egër dhe e fortë, dhe dallgët përplaseshin pas varkës, aq sa po e mbulonin krejt.+ 38 Kurse ai ishte në kiç dhe po flinte në jastëk.* Prandaj e zgjuan dhe i thanë: «Mësues, s’do t’ia dish që po marrim fund?!» 39 Atëherë ai u zgjua, qortoi erën dhe i tha detit: «Pusho! Hesht!»+ Era ra dhe u bë qetësi e madhe. 40 Pastaj u tha atyre: «Pse keni kaq frikë?* Akoma s’keni besim?» 41 Por ata i kishte pushtuar një frikë e madhe dhe i thoshin njëri-tjetrit: «Kush është ky, që i binden edhe era, edhe deti?!»+

5 Më pas mbërritën në anën tjetër të detit, në rajonin e gerazenëve.+ 2 Sapo zbriti nga varka, nga varrezat* erdhi një njeri që ishte nën fuqinë e një fryme të ndyrë.* 3 Ai strehohej atje dhe deri në atë kohë askush nuk ishte në gjendje ta mbante të lidhur, as me zinxhir. 4 Shpeshherë e kishin lidhur me vargonj e zinxhirë, por zinxhirët i kishte këputur dhe vargonjtë i kishte bërë copë-copë. Askush nuk e bënte dot zap. 5 Natë e ditë, bërtiste nëpër varre e nëpër male dhe e gjakoste veten me gurë. 6 Por, sapo vuri re nga larg Jezuin, vrapoi dhe u përkul me fytyrë përtokë para tij.+ 7 Pastaj thirri me zë të lartë: «Ç’punë ke me mua, o Jezu, Bir i Perëndisë Më të Lartë? Të vë në be për Perëndinë, mos më mundo!»,+ 8 ngaqë Jezui i kishte thënë: «Dil nga ai njeri, ti, frymë e ndyrë!»+ 9 Mirëpo Jezui e pyeti: «Si e ke emrin?» Dhe ai iu përgjigj: «Legjion, sepse jemi shumë.» 10 Pastaj iu përgjërua shumë herë Jezuit që të mos i dërgonte frymërat jashtë atij rajoni.+

11 Aty afër malit po kulloste një tufë e madhe derrash.+ 12 Kështu ata iu përgjëruan: «Na dërgo te derrat që të futemi tek ata.» 13 Dhe ai i lejoi. Atëherë frymërat e ndyra dolën, u futën te derrat, dhe tufa u turr drejt greminës* e ra në det; u mbytën rreth 2.000 krerë. 14 Kurse çobanët e tyre ia mbathën dhe e çuan lajmin në qytet e në fshat, prandaj njerëzit erdhën të shihnin ç’kishte ndodhur.+ 15 Erdhën te Jezui dhe panë njeriun e pushtuar nga demonët, atë që kishte pasur legjionin, të ulur, të veshur e me mendje në rregull, dhe i zuri frika. 16 Ata që e kishin parë ngjarjen, u treguan ç’kishte ndodhur me të pushtuarin nga demonët dhe me derrat. 17 Atëherë ata filluan t’i përgjëroheshin që të ikte nga rajoni i tyre.+

18 Tani, kur Jezui po hipte në varkë, njeriu që kishte qenë i pushtuar nga demonët, iu përgjërua të shkonte me të.+ 19 Por ai nuk e la dhe i tha: «Shko në shtëpi te njerëzit e tu dhe tregoju të gjitha gjërat që bëri Jehovai* për ty dhe si të tregoi mëshirë.» 20 Ai iku dhe filloi të shpallte në Dekapoli* tërë ato që bëri Jezui për të, dhe të gjithë njerëzit u mahnitën.

21 Jezui kaloi sërish me varkë në bregun tjetër dhe, kur ishte buzë detit, pranë tij u mblodh një turmë e madhe.+ 22 Aty erdhi një nga të parët e sinagogës me emrin Jair dhe, kur e pa, i ra ndër këmbë+ 23 e iu përgjërua shumë herë: «Vajza ime e vogël është shumë rëndë.* Të lutem, eja e vër duart mbi të,*+ që të shërohet e të jetojë.» 24 Dhe Jezui vajti. Një turmë e madhe e ndiqte dhe shtyhej pas tij.

25 Aty ishte edhe një grua që kishte rrjedhje gjaku+ nga 12 vjet.+ 26 Ajo kishte vuajtur tepër nga shumë mjekë dhe kishte harxhuar gjithë pasurinë, por nuk ishte bërë më mirë, përkundrazi, ishte bërë më keq. 27 Kur dëgjoi për Jezuin, ajo iu afrua nga pas përmes turmës dhe i preku rrobën,+ 28 sepse thoshte: «Sikur vetëm rrobat t’i prek, do të shërohem.»+ 29 Rrjedhja e gjakut u ndal në çast dhe ajo e ndjeu në trup se u shërua nga sëmundja e rëndë.

30 Menjëherë Jezui e kuptoi se nga ai doli fuqi,+ prandaj u kthye nga turma dhe pyeti: «Kush m’i preku rrobat?»+ 31 Por dishepujt iu përgjigjën: «Ti e sheh turmën që po shtyhet pas teje dhe thua: ‘Kush më preku?!’» 32 Megjithatë ai po shikonte rreth e rrotull që të kuptonte kush e preku. 33 Por gruaja, e trembur dhe duke u dridhur, ngaqë e dinte ç’i kishte ndodhur, erdhi e ra në gjunjë para tij dhe i tregoi gjithë të vërtetën. 34 Ai i tha: «Bijë, besimi yt të shëroi. Shko në paqe+ dhe qofsh shëndoshë e mirë, sepse sëmundja jote e rëndë kaloi.»+

35 Ai ishte ende duke folur, kur nga shtëpia e të parit të sinagogës erdhën disa burra dhe thanë: «Vajza jote vdiq! Pse ta shqetësosh akoma Mësuesin?!»+ 36 Por, me t’i kapur veshi këto fjalë, Jezui i tha të parit të sinagogës: «Mos ki frikë, vetëm trego besim.»+ 37 Pastaj nuk la asnjë që ta ndiqte, përveç Pjetrit, Jakovit dhe Gjonit, vëllait të Jakovit.+

38 Kur arritën në shtëpinë e të parit të sinagogës, ai pa rrëmujën dhe njerëzit që qanin e vajtonin me të madhe.+ 39 Pasi hyri brenda, u tha atyre: «Pse po qani dhe po bëni gjithë këtë rrëmujë? Fëmija nuk ka vdekur, por po fle.»+ 40 Atëherë ata nisën të qeshnin me të dhe ta tallnin. Mirëpo ai i nxori të gjithë jashtë, mori me vete të atin dhe të ëmën e fëmijës, bashkë me ata që ishin me të, dhe hyri aty ku ishte fëmija. 41 Pastaj e kapi për dore fëmijën dhe i tha: «Tálitha kúmi», që kur përkthehet, do të thotë: «Vogëlushe, po të them: ngrihu!»+ 42 Menjëherë vajza u ngrit e nisi të ecte. (Ajo ishte 12 vjeçe.) Kur panë këtë, ata nuk i mbante vendi nga gëzimi. 43 Por ai i urdhëroi shumë herë* që të mos e merrte vesh askush.+ Pastaj u tha t’i jepnin asaj diçka për të ngrënë.

6 Ai u largua që andej, vajti në vendin e vet+ dhe dishepujt i shkuan pas. 2 Kur erdhi Sabati, filloi të mësonte në sinagogë. Shumica e atyre që e dëgjonin, u habitën dhe thanë: «Ku i mësoi ky njeri këto gjëra?+ Pse t’i jetë dhënë këtij njeriu kjo mençuri dhe pse duart e tij kryejnë vepra kaq të fuqishme?+ 3 Ky është zdrukthëtari,+ i biri i Marisë+ dhe vëllai i Jakovit,+ i Jozefit, i Judës dhe i Simonit,+ apo jo? A nuk jetojnë motrat e tij mes nesh?» Për këtë arsye nuk besuan tek ai.* 4 Por Jezui u tha: «Vetëm në vendin e vet, në farefisin dhe në shtëpinë e vet nuk nderohet profeti.»+ 5 Prandaj atje nuk bëri asnjë vepër të fuqishme, por shëroi vetëm disa të sëmurë duke vënë duart mbi ta.* 6 Në të vërtetë, u çudit që atyre u mungonte besimi. Pastaj u ra qark fshatrave duke mësuar.+

7 Më pas thirri të Dymbëdhjetët, filloi t’i dërgonte dy e nga dy+ dhe u dha autoritet të dëbonin frymërat e ndyra.*+ 8 Gjithashtu i udhëzoi që, përveç një shkopi, të mos merrnin asgjë udhës​—as bukë, as trastë buke, as pará* në brezat* e tyre+—​9 por të vishnin sandale e të mos merrnin* dy palë veshje.* 10 Veç kësaj u tha: «Në cilëndo shtëpi që të hyni, qëndroni atje derisa të ikni nga ai qytet.+ 11 Atje ku nuk ju pranojnë e nuk ju dëgjojnë, me të dalë që andej, shkundni dheun nga këmbët, si dëshmi kundër tyre.»+ 12 Kështu ata u nisën e predikuan që njerëzit të pendoheshin,+ 13 dëbuan shumë demonë,+ lyen me vaj shumë të sëmurë dhe i shëruan.

14 Tani, mbreti Herod dëgjoi të flitej për këtë, sepse emri i Jezuit u bë i njohur dhe njerëzit thoshin për të: «Gjon Pagëzori është ngritur nga të vdekurit, prandaj është në gjendje të kryejë gjithë këto vepra të fuqishme.»+ 15 Kurse të tjerë thoshin: «Është Elija.» Të tjerë akoma thoshin: «Është profet, si gjithë profetët në lashtësi.»+ 16 Por, kur Herodi dëgjoi për këtë, tha: «Është ngritur Gjoni, të cilit i preva kokën.» 17 Se vetë Herodi kishte dërguar njerëz që ta arrestonin Gjonin, ta vinin nën vargonj dhe ta futnin në burg për shkak të Herodiadës, gruas së Filipit, të vëllait, ngaqë e kishte marrë për grua.+ 18 Gjoni i kishte thënë Herodit: «Nuk është e ligjshme të kesh gruan e vëllait tënd.»+ 19 Prandaj Herodiada e kishte halë në sy Gjonin dhe donte ta vriste, por nuk po i dilte rasti. 20 Në të vërtetë, Herodi kishte frikë nga Gjoni, ngaqë e dinte se ishte njeri i drejtë dhe i shenjtë,*+ prandaj e mbronte. Sa herë që e dëgjonte, nuk dinte çfarë të bënte me të, gjithsesi e dëgjonte me kënaqësi.

21 Por dita e volitshme për Herodiadën erdhi kur Herodi shtroi për ditëlindjen+ e vet një darkë për zyrtarët e lartë, për komandantët e ushtrisë dhe për parinë e Galilesë.+ 22 Atje shkoi vajza e Herodiadës; ajo kërceu dhe i pëlqeu Herodit e atyre që po hanin* me të. Prandaj mbreti i tha vajzës: «Më kërko ç’të duash dhe unë do të ta jap.» 23 Madje iu betua: «Çfarëdo që të më kërkosh, do të ta jap, po, edhe gjysmën e mbretërisë sime.» 24 Kështu ajo doli dhe pyeti të ëmën: «Çfarë t’i kërkoj?» E ëma iu përgjigj: «Kokën e Gjon Pagëzorit.» 25 Menjëherë vajza shkoi me vrap te mbreti dhe i bëri këtë kërkesë: «Dua të më japësh tani, në një tabaka, kokën e Gjon Pagëzorit.»+ 26 Edhe pse mbretit nuk i erdhi fare mirë, nuk deshi ta shpërfillte kërkesën e saj për shkak të betimit që kishte bërë në sy të të ftuarve.* 27 Prandaj mbreti dërgoi menjëherë njërin nga truproja dhe e urdhëroi të sillte kokën e Gjonit. Kështu ai iku, i preu kokën në burg, 28 e solli në një tabaka, ia dha vajzës dhe ajo ia dha së ëmës. 29 Kur e dëgjuan këtë, dishepujt e Gjonit erdhën, e morën trupin dhe e futën në varr.*

30 Tani, apostujt u mblodhën para Jezuit dhe i treguan të gjitha ato që kishin bërë dhe u kishin mësuar njerëzve.+ 31 Ai u tha: «Ejani të shkojmë në një vend të veçuar që të rrimë vetëm e të pushoni pak»,+ sepse shkonin e vinin aq shumë veta, sa s’u dilte koha as për të ngrënë. 32 Kështu u nisën me varkë që të shkonin në një vend të veçuar, që të rrinin vetëm.+ 33 Por njerëzit i panë kur po iknin dhe shumë veta e morën vesh këtë. Prandaj njerëz nga të gjitha qytetet u dhanë këmbëve dhe mbërritën atje para tyre. 34 Kur po zbriste nga varka, Jezui pa një turmë të madhe dhe u prek thellë,*+ sepse ishin si dele pa bari+ dhe nisi t’u mësonte shumë gjëra.+

35 Tashmë kishte vajtur vonë, prandaj dishepujt erdhën e i thanë: «Vendi është i veçuar dhe tani është bërë vonë.+ 36 Thuaju njerëzve të shkojnë nëpër rrethinat dhe fshatrat këtu afër që të blejnë diçka për të ngrënë.»+ 37 Ai iu përgjigj: «Jepuni ju diçka për të ngrënë.» Por ata i thanë: «Të ikim e të blejmë 200 denarë* bukë që t’ua japim njerëzve të hanë?!»+ 38 Ai i pyeti: «Sa bukë keni? Shkoni e shihni!» Pasi kontrolluan, ata thanë: «Pesë, dhe dy peshq.»+ 39 Ai u tha të gjithëve të shtroheshin në grupe në barin e blertë.+ 40 Kështu ata u ulën në grupe prej 100 dhe 50 vetash. 41 Ai mori pesë bukët e dy peshqit, ngriti sytë nga qielli dhe falënderoi Perëndinë.*+ Pastaj theu bukët dhe filloi t’ua jepte dishepujve që t’i shpërndanin; i ndau edhe dy peshqit për të gjithë. 42 Kështu të gjithë hëngrën dhe u ngopën. 43 Pastaj mblodhën copat: 12 shporta plot, përveç peshqve që mbetën.+ 44 Ata që hëngrën bukët, ishin 5.000 burra.

45 Atëherë, pa vonuar, u tha dishepujve të hipnin në varkë e të shkonin përpara në bregun tjetër, drejt Betsaidës, ndërkohë që ai niste turmën.+ 46 Pasi përshëndeti turmën, iku në mal që të lutej.+ 47 Kur ra mbrëmja, varka ishte në mes të detit, kurse ai ishte vetëm në tokë.+ 48 Por, në orët e para të mëngjesit,* kur pa se ata po lundronin me mundim të madh, sepse erën e kishin kundër, ai shkoi drejt tyre duke ecur mbi det, dhe dukej sikur donte t’i kalonte.* 49 Kur e vunë re që po ecte mbi det, ata menduan: «Është një vegim!»* Dhe filluan të bërtisnin, 50 ngaqë të gjithë e panë dhe u trembën. Por ai u tha menjëherë: «Merrni zemër! Jam unë, mos kini frikë.»+ 51 Pastaj hipi në varkë me ta, dhe era ra. Me të parë këtë, ata u mahnitën shumë, 52 sepse nuk e kishin kapur domethënien e mrekullisë së bukëve, ngaqë ende nuk e kishin hapur zemrën që të kuptonin.

53 Kur kaluan në bregun tjetër, mbërritën në Genesaret dhe ankoruan aty afër.+ 54 Por, sapo zbritën nga varka, njerëzit e njohën Jezuin. 55 Ata shkuan shpejt e shpejt nëpër gjithë rajonin dhe filluan t’i sillnin të sëmurët me vigje* atje ku dëgjonin se ishte ai. 56 Kudo që hynte ai, nëpër fshatra, qytete ose rrethina, i vinin të sëmurët në sheshet e pazarit dhe i përgjëroheshin t’i preknin vetëm thekët e rrobës.+ Kështu të gjithë ata që i prekën thekët, u shëruan.

7 Tani, farisenjtë dhe disa skribë që kishin ardhur nga Jerusalemi, u mblodhën rreth tij+ 2 dhe panë disa nga dishepujt që hanin bukë me duar të ndotura, të palara.* 3 (Faktikisht farisenjtë dhe të gjithë judenjtë, ngaqë ruajnë me fanatizëm traditat e të parëve, nuk hanë po të mos i lajnë duart deri në bërryl 4 dhe, kur kthehen nga pazari, nuk hanë pa u larë më parë. Ata ruajnë me fanatizëm edhe shumë tradita të tjera, si zhytjen në ujë* të kupave, të brokave dhe të enëve prej bakri.)+ 5 Prandaj farisenjtë dhe skribët e pyetën: «Pse dishepujt e tu nuk ruajnë traditat e të parëve, por hanë me duar të ndotura?»+ 6 Ai iu përgjigj: «Mirë profetizoi Isaia për ju, o hipokritë, kur shkroi: ‘Ky popull më nderon me buzë, por zemra e tyre është larguar shumë nga unë.+ 7 Më kot vazhdojnë të më adhurojnë, sepse doktrinat që mësojnë, janë veçse urdhërime njerëzish.’+ 8 Ju lini pas dore urdhërimet e Perëndisë, por ruani me fanatizëm traditat e njerëzve.»+

9 Ai u tha akoma: «Ju i shpërfillni me marifet urdhërimet e Perëndisë, që të ruani traditat tuaja.+ 10 Për shembull, Moisiu tha: ‘Ndero babanë dhe nënën tënde’+ dhe ‘Ai që shan* babanë ose nënën, do të vdesë.’+ 11 Kurse ju thoni: “Nëse dikush i thotë babait ose nënës: ‘Gjithçka me të cilën mund të të ndihmoja, është kurban (domethënë, dhuratë kushtuar Perëndisë)’”, 12 ju nuk e lini më të bëjë asgjë për babanë ose nënën.+ 13 Kështu e zhvleftësoni fjalën e Perëndisë për shkak të traditave që përcillni,+ dhe bëni edhe shumë gjëra të ngjashme me këto.»+ 14 Ai e thirri përsëri turmën pranë dhe u tha: «Më dëgjoni të gjithë dhe kapni kuptimin e asaj që po ju them.+ 15 Njeriun nuk e ndot asgjë që hyn tek ai, por e ndotin gjërat që dalin prej tij.»+ 16 *——

17 Tani, kur hynë në një shtëpi, larg turmës, dishepujt filluan ta pyetnin për ilustrimin.+ 18 Prandaj u tha: «As ju nuk jeni në gjendje ta kuptoni?! A nuk e kuptoni se njeriun nuk e ndot asgjë që hyn tek ai, 19 sepse nuk hyn në zemrën e tij, por në stomak, dhe pastaj del jashtë?!»* Kështu ai i shpalli të pastra të gjitha ushqimet. 20 Përveç kësaj u tha: «Njeriun e ndot çfarë del nga ai,+ 21 sepse nga brenda, nga zemra e njerëzve,+ dalin arsyetime të dëmshme, të cilat çojnë në imoralitet seksual,* vjedhje, vrasje, 22 kurorëshkelje,* lakmi, veprime të liga, mashtrime, sjellje të pacipë,* sy ziliqar, blasfemi,* fodullëk dhe paarsyetueshmëri. 23 Të gjitha këto gjëra të liga burojnë nga brenda dhe e ndotin njeriun.»

24 Nga aty, ai u çua e shkoi në rajonin e Tirit dhe të Sidonit.+ Hyri në një shtëpi, mirëpo nuk donte ta merrte vesh njeri, e prapëseprapë e vunë re. 25 Sapo dëgjoi për të, një grua erdhi dhe i ra ndër këmbë, sepse vajza e saj e vogël kishte një frymë të ndyrë.*+ 26 Gruaja ishte greke, por kishte lindur në Sirofeniki.* Ajo i kërkoi me ngulm që të dëbonte demonin nga e bija. 27 Mirëpo ai i tha: «Më parë të ngopen fëmijët, se nuk është e drejtë të marrësh bukën e fëmijëve e t’ua hedhësh të vegjëlve të qenve.»+ 28 Megjithatë ajo iu përgjigj: «Po, imzot, por edhe të vegjlit e qenve hanë poshtë tryezës nga thërrimet e fëmijëve të vegjël.» 29 Atëherë ai i tha: «Meqë the këtë, shko, demoni ka dalë nga vajza jote.»+ 30 Kështu ajo iku në shtëpi dhe e gjeti fëmijën të shtrirë në shtrat, kurse demoni kishte dalë prej saj.+

31 Kur po kthehej nga rajoni i Tirit, Jezui shkoi përmes Sidonit drejt detit të Galilesë, mes për mes rajonit të Dekapolit.*+ 32 Në atë vend i çuan një njeri të shurdhër e që i mbahej goja+ dhe iu përgjëruan të vinte dorën mbi të.* 33 Ai e mori veçmas, larg turmës. Pastaj i futi gishtat në veshë dhe, pasi pështyu, i preku gjuhën.+ 34 Ngriti sytë nga qielli, psherëtiu thellë dhe i tha: «Éffatha», që do të thotë «hapu». 35 Menjëherë veshët iu hapën+ e gjuha iu zgjidh, dhe ai filloi të fliste normalisht. 36 Jezui urdhëroi të mos i tregonin askujt,+ mirëpo, sa më shumë që i urdhëronte, aq më shumë flitnin për të.+ 37 Në të vërtetë, ata ishin jashtëzakonisht të mahnitur+ dhe thoshin: «Të gjitha veprat e tij janë të mrekullueshme. Ai i bën edhe të shurdhrit të dëgjojnë dhe të pagojët të flasin.»+

8 Ato ditë u mblodh sërish një turmë e madhe dhe nuk kishin asgjë për të ngrënë, prandaj Jezui i thirri dishepujt dhe u tha: 2 «Më vjen keq për turmën,+ sepse tashmë kanë tri ditë që qëndrojnë me mua dhe nuk kanë ç’të hanë.+ 3 Nëse i nis pa ngrënë në shtëpi, do t’u bjerë të fikët rrugës, meqë disa prej tyre vijnë nga larg.» 4 Por dishepujt iu përgjigjën: «E ku mund të gjendet bukë në këtë vend të veçuar për të ngopur gjithë këta njerëz?» 5 Atëherë ai i pyeti: «Sa bukë keni?» Ata iu përgjigjën: «Shtatë.»+ 6 Kështu ai i tha turmës të shtrohej përtokë, mori shtatë bukët, falënderoi Perëndinë, i theu dhe nisi t’ua jepte dishepujve që t’ia shpërndanin turmës.+ 7 Kishin edhe ca peshq të vegjël dhe, pasi falënderoi Perëndinë,* Jezui u tha t’i shpërndanin edhe këta. 8 Kështu ata hëngrën e u ngopën, dhe mblodhën copat që kishin tepruar: shtatë shporta të mëdha të mbushura plot.+ 9 Ata ishin rreth 4.000 burra; pastaj ai e nisi turmën.

10 Ai hipi menjëherë në varkë bashkë me dishepujt dhe shkoi në rajonin e Dalmanutës.+ 11 Atje shkuan farisenjtë dhe nisën të bënin fjalë me të e t’i kërkonin një shenjë nga qielli, për ta vënë në provë.+ 12 Prandaj ai psherëtiu nga thellësia e shpirtit* dhe tha: «Pse kërkon një shenjë ky brez?+ Vërtet po ju them: këtij brezi nuk do t’i jepet asnjë shenjë.»+ 13 Pastaj u largua nga ata, hipi përsëri në varkë dhe iku në bregun tjetër.

14 Mirëpo dishepujt harruan të merrnin bukë me vete, prandaj në varkë kishin vetëm një bukë dhe asgjë tjetër.+ 15 Ai i paralajmëroi qartë: «Mbajini sytë hapur dhe ruhuni nga majaja e farisenjve dhe e Herodit.»+ 16 Dhe ata nisën të flisnin mes tyre që nuk kishin bukë. 17 Kur e vuri re këtë, Jezui u tha: «Pse flisni mes jush që nuk keni bukë? Akoma nuk e kuptoni dhe nuk e keni të qartë çfarë po ju them? Ende nuk e keni hapur zemrën që s’kuptoni?! 18 ‘Keni sy dhe nuk shihni, keni veshë dhe nuk dëgjoni?’ A nuk ju kujtohet 19 sa shporta plot me copa mblodhët, kur theva pesë bukë+ për 5.000 burra?» Ata iu përgjigjën: «Dymbëdhjetë.»+ 20 «Po kur theva shtatë bukë për 4.000 burra, sa shporta të mëdha plot me copa mblodhët?» Ata i thanë: «Shtatë.»+ 21 Atëherë ai i pyeti: «Akoma nuk po e kuptoni?»

22 Më pas arritën në Betsaidë. Njerëzit atje i sollën një të verbër dhe iu përgjëruan që ta prekte.+ 23 Ai e mori për dore të verbrin dhe e çoi jashtë fshatit. Pasi i vuri pështymë në sy,+ vuri duart mbi të* dhe e pyeti: «A sheh gjë?» 24 Burri ngriti sytë dhe tha: «Shoh ca njerëz, por më duken si pemë që ecin sa andej këtej.» 25 Ai ia vuri përsëri duart në sy dhe burri pa qartë; shikimi iu kthye, e tani shikonte qartë çdo gjë. 26 Atëherë Jezui e nisi për në shtëpi, por i tha: «Mos hyr në këtë fshat.»

27 Jezui dhe dishepujt u nisën për në fshatrat e Cezaresë së Filipit dhe rrugës filloi t’i pyeste: «Çfarë thonë njerëzit: kush jam unë?»+ 28 Ata iu përgjigjën: «Disa thonë Gjon Pagëzori,+ të tjerë Elija+ dhe të tjerë akoma një nga profetët.» 29 Tani iu drejtua atyre: «Po ju, ç’thoni: kush jam unë?» Pjetri iu përgjigj: «Ti je Krishti.»+ 30 Atëherë i urdhëroi prerazi të mos i tregonin askujt për të.+ 31 Gjithashtu filloi t’u mësonte se Biri i njeriut duhej të hiqte shumë vuajtje, të hidhej poshtë nga pleqtë, nga krerët e priftërinjve e nga skribët, dhe të vritej,+ por do të ngrihej nga të vdekurit tri ditë më vonë.+ 32 Në fakt, ai po ua thoshte këtë hapur. Atëherë Pjetri e mori mënjanë dhe nisi ta qortonte.+ 33 Por ai u kthye, pa nga dishepujt dhe e qortoi Pjetrin: «Rri prapa meje, Satana!* Se nuk mendon si mendon Perëndia, por si njerëzit.»+

34 Pastaj thirri pranë turmën bashkë me dishepujt e tij dhe u tha: «Nëse dikush dëshiron të vijë pas meje, le ta mohojë veten, të marrë shtyllën e vet të torturës* dhe të më ndjekë vazhdimisht,+ 35 sepse kushdo që dëshiron ta shpëtojë jetën* e vet, do ta humbasë, por kushdo që e humbet jetën* e vet për hirin tim dhe të lajmit të mirë, do ta shpëtojë.+ 36 Vërtet, ç’dobi ka njeriu nëse fiton gjithë botën, por humbet jetën?*+ 37 Apo çfarë do të jepte njeriu në këmbim të jetës?*+ 38 Në fakt, nëse dikujt i vjen turp për mua dhe për fjalët e mia mes këtij brezi kurorëshkelës* dhe mëkatar, edhe Birit të njeriut do t’i vijë turp për të+ kur të vijë në lavdinë e Atit të vet bashkë me engjëjt e shenjtë.»+

9 Jezui vazhdoi t’u thoshte: «Vërtet po ju them se disa nga këta që po qëndrojnë këtu, nuk do ta provojnë kurrsesi vdekjen pa e parë më parë Mbretërinë e Perëndisë tashmë në fuqi.»+ 2 Gjashtë ditë më pas, Jezui mori me vete Pjetrin, Jakovin e Gjonin dhe i çoi në një mal të lartë, ku ishin vetëm. Atje ai u shpërfytyrua* para tyre+ 3 dhe rrobat nisën t’i shkëlqenin e iu bënë shumë më të bardha nga ç’mund t’i zbardhë ndonjë zbardhues rrobash në tokë. 4 Atyre iu shfaqën edhe Elija me Moisiun, që bisedonin me Jezuin. 5 Atëherë Pjetri i tha Jezuit: «Rabi, sa mirë që jemi këtu me ty. Na lër të ngremë tri tenda: një për ty, një për Moisiun dhe një për Elijan.» 6 Faktikisht ai s’dinte ç’të thoshte, sepse ishin shumë të frikësuar. 7 Pastaj u formua një re që i mbuloi, dhe një zë+ u dëgjua nga reja: «Ky është Biri im, Biri im i dashur.+ Dëgjojeni.»+ 8 Menjëherë hodhën sytë rreth e rrotull, por nuk panë më asnjeri përveç Jezuit.

9 Kur po zbritnin nga mali, ai i urdhëroi rreptësisht të mos i tregonin askujt çfarë panë,+ derisa Biri i njeriut të ngrihej nga të vdekurit.+ 10 Ata ua vunë veshin këtyre fjalëve,* por mes tyre flisnin se ç’do të thoshte kjo ngritje nga të vdekurit. 11 Pastaj filluan ta pyetnin: «Pse skribët thonë se më parë duhet të vijë Elija?»+ 12 Ai iu përgjigj: «Po, është e vërtetë që më parë duhet të vijë Elija dhe të rivendosë gjithçka.+ Pse atëherë për Birin e njeriut është shkruar se do të vuajë shumë+ dhe do të trajtohet me përçmim?+ 13 Kurse unë po ju them se Elija+ tashmë ka ardhur, dhe ata bënë me të çfarë deshën, ashtu siç është shkruar për të.»+

14 Kur po ktheheshin te dishepujt e tjerë, panë një turmë të madhe rreth tyre dhe skribët që debatonin me ta.+ 15 Sapo vuri re Jezuin, turma u befasua dhe të gjithë vrapuan drejt tij për ta përshëndetur. 16 Atëherë ai i pyeti: «Për çfarë po debatoni?» 17 Një nga turma iu përgjigj: «Mësues, e kam sjellë tim bir te ti, sepse ka një frymë të ndyrë* që e lë të pagojë.*+ 18 Kudo që e kap, e përplas përtokë dhe ai nxjerr shkumë nga goja, kërcet dhëmbët dhe s’ka më fuqi. U kërkova dishepujve të tu ta dëbonin, por ata nuk mundën.» 19 Atëherë ai i tha turmës: «O brez pa besim!+ Edhe sa duhet të rri me ju? Edhe sa duhet t’ju duroj? Ma sillni mua.»+ 20 Kështu ia çuan atij, por, kur fryma e pa, e përpëliti në çast fëmijën. Pasi ra përtokë, ai rrokullisej e nxirrte shkumë nga goja. 21 Atëherë Jezui e pyeti të atin: «Sa kohë ka që i ndodh kjo?» Ai iu përgjigj: «Që nga fëmijëria. 22 Fryma e hedh shpesh në zjarr e në ujë që ta vrasë. Prandaj, nëse mund të bësh ndonjë gjë, ki mëshirë për ne dhe na ndihmo.» 23 Jezui i tha: «Pse thua ‘nëse mund’? Gjithçka është e mundur për atë që ka besim.»+ 24 Menjëherë babai i fëmijës thirri: «Unë kam besim! Por më ndihmo të kem edhe më shumë besim.»+

25 Kur pa që një turmë po nxitonte drejt tyre, Jezui e qortoi frymën e ndyrë: «Ty, o frymë që e lë të pagojë e të shurdhër, të urdhëroj: dil dhe mos hyr më tek ai!»+ 26 Pasi bërtiti dhe e përpëliti shumë fëmijën, ajo doli dhe djali dukej si i vdekur. Prandaj shumë thanë: «Ka vdekur!» 27 Por Jezui e kapi për dore dhe e ngriti, e djali u çua në këmbë. 28 Pasi hynë në një shtëpi, dishepujt e pyetën veçmas: «Pse ne nuk e dëbuam dot?»+ 29 Ai iu përgjigj: «Ky lloj demoni mund të dalë veç me lutje.»

30 Që atje, u nisën dhe shkuan nëpër Galile, por ai nuk donte që ta merrte vesh njeri, 31 sepse po mësonte dishepujt e tij dhe po u thoshte: «Birin e njeriut do ta tradhtojnë dhe do ta dorëzojnë në duart e njerëzve, të cilët do ta vrasin.+ Por, edhe pse do ta vrasin, ai do të ngrihet nga të vdekurit tri ditë më vonë.»+ 32 Mirëpo ata nuk i kuptuan këto fjalë dhe kishin frikë ta pyetnin.

33 Ndërkohë arritën në Kapernaum. Kur ishte brenda në shtëpi, ai i pyeti: «Për çfarë po debatonit rrugës?»+ 34 Ata s’thanë asnjë fjalë, sepse rrugës kishin debatuar mes tyre se kush ishte më i madhi. 35 Atëherë ai u ul, thirri të Dymbëdhjetët dhe u tha: «Nëse dikush dëshiron të jetë i pari, le të jetë i fundit i të gjithëve dhe shërbëtor i të gjithëve.»+ 36 Pastaj mori një fëmijë të vogël, e vuri në mes tyre, i hodhi dorën në qafë dhe u tha: 37 «Kushdo që pranon një fëmijë të vogël+ si ky në emrin tim, më pranon edhe mua. Dhe kushdo që më pranon mua, nuk më pranon vetëm mua, por edhe Atë që më dërgoi.»+

38 Gjoni i tha: «Mësues, pamë një njeri që dëbonte demonë në emrin tënd dhe u munduam ta pengonim, sepse ai nuk është me ne.»+ 39 Por Jezui ia ktheu: «Mos u mundoni ta pengoni, sepse nuk ka njeri që të bëjë një vepër të fuqishme në emrin tim, e fill pas kësaj të kthehet kundër meje; 40 sepse kush nuk është kundër nesh, është me ne.+ 41 Vërtet po ju them se ai që ju jep për të pirë një gotë ujë ngaqë i përkitni Krishtit,+ s’do ta humbasë kurrsesi shpërblimin e vet.+ 42 Por, për këdo që pengon një nga këta të vegjël që kanë besim, do të ishte më mirë të vinte rreth qafës një gur të madh mulliri* e të hidhej në det.+

43 Nëse dora të bëhet pengesë, prite. Është më mirë të fitosh jetën i gjymtuar, sesa të shkosh me të dyja duart në Gehenë,* në zjarrin që nuk mund të shuhet.+ 44 *——45 Nëse këmba të bëhet pengesë, prite. Është më mirë të fitosh jetën i çalë, sesa të hidhesh me të dyja këmbët në Gehenë.*+ 46 *——47 Nëse syri yt të bëhet pengesë, flake tej.+ Është më mirë të hysh në Mbretërinë e Perëndisë me një sy, sesa të hidhesh me të dy sytë në Gehenë,*+ 48 ku krimbat nuk ngordhin dhe zjarri nuk shuhet.+

49 Vërtet, gjithsecili do të kripet me zjarr.+ 50 Kripa është e mirë. Mirëpo, nëse ajo e humb kripësinë, si do t’i ndreqet shija?+ Kini kripë në jetën tuaj*+ dhe ruani paqen me njëri-tjetrin.»+

10 Që andej, Jezui u ngrit dhe vajti në kufijtë e Judesë, matanë Jordanit. Turmat u mblodhën përsëri pranë tij dhe, siç e kishte zakon, ai filloi t’i mësonte.+ 2 Farisenjtë iu afruan dhe, për ta vënë në provë, filluan ta pyetnin nëse ishte e ligjshme që burri ta divorconte gruan.+ 3 Ai iu përgjigj: «Çfarë ju urdhëroi Moisiu?» 4 Ata i thanë: «Moisiu lejoi që burri të shkruante një certifikatë divorci e ta përzinte.»+ 5 Por Jezui ua ktheu: «Ai e shkroi këtë urdhërim ngaqë jeni zemërgur.+ 6 Megjithatë, që nga fillimi i krijimit ‘Ai i bëri ata mashkull dhe femër.+ 7 Për këtë arsye, burri do të lërë babanë e nënën,+ 8 dhe të dy do të jenë një mish i vetëm.’+ Kështu që nuk janë më dy, por një mish i vetëm. 9 Prandaj, atë që Perëndia e ka bashkuar, asnjeri të mos e ndajë.»+ 10 Kur ishin prapë në shtëpi, dishepujt nisën ta pyetnin për këtë. 11 Ai u tha: «Kushdo që e divorcon gruan dhe martohet me një tjetër, kryen kurorëshkelje*+ ndaj saj. 12 Edhe gruaja, nëse martohet me një tjetër, pasi e divorcon burrin, kryen kurorëshkelje.»+

13 Njerëzit filluan t’i sillnin fëmijët e vegjël që ai të vinte duart mbi ta,* por dishepujt i qortuan.+ 14 Sa i pa, Jezui u indinjua dhe u tha: «Lërini fëmijët të vijnë tek unë dhe mos u mundoni t’i ndalni, sepse Mbretëria e Perëndisë u përket atyre që janë si këta.+ 15 Vërtet po ju them: kushdo që nuk e pranon Mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë, nuk do të hyjë kurrsesi në të.»+ 16 Pastaj i mori në krahë fëmijët dhe filloi t’i bekonte duke vënë duart mbi ta.*+

17 Ndërsa po bëhej gati të ikte, dikush erdhi me vrap, i ra në gjunjë dhe e pyeti: «Mësues i mirë, çfarë duhet të bëj që të trashëgoj jetën e përhershme?»+ 18 Jezui i tha: «Pse më quan ‘i mirë’? Askush nuk është i mirë përveç njërit, Perëndisë.+ 19 Ti i njeh urdhërimet: ‘Mos vrit,+ mos kryej kurorëshkelje,+ mos vidh,+ mos jep dëshmi të rreme,+ mos e zhvat tjetrin,+ ndero babanë dhe nënën tënde.’»+ 20 Ky i tha: «Mësues, të gjitha këto i zbatoj, e madje që nga fëmijëria.» 21 Jezui e vështroi, ndjeu dashuri për të dhe vazhdoi: «Vetëm një gjë të mungon: shko, shit gjithçka që ke dhe jepua paratë të varfërve, e atëherë do të kesh një thesar në qiell. Pastaj eja e bëhu dishepulli* im.»+ 22 Por ai u mërzit nga këto fjalë dhe iku i trishtuar, sepse kishte shumë zotërime.+

23 Pasi hodhi sytë përreth, Jezui u tha dishepujve: «Sa e vështirë do të jetë për ata që kanë pará, të hyjnë në Mbretërinë e Perëndisë!»+ 24 Por dishepujt u befasuan nga këto fjalë. Prandaj Jezui u tha përsëri: «Sa e vështirë është, o fëmijë të vegjël, të hysh në Mbretërinë e Perëndisë! 25 Është më e lehtë që një deve të kalojë nëpër një vrimë gjilpëre, sesa një i pasur të hyjë në Mbretërinë e Perëndisë.»+ 26 Ata u çuditën edhe më shumë dhe i thanë atij:* «Atëherë kush mund të shpëtojë?»+ 27 Jezui i pa drejt e në sy e u tha: «Me njerëzit kjo është e pamundur, por me Perëndinë nuk është kështu, sepse me Perëndinë gjithçka është e mundur.»+ 28 Pjetri filloi t’i thoshte: «Ja, ne lamë gjithçka dhe të ndoqëm.»+ 29 Jezui iu përgjigj: «Vërtet po ju them: nuk ka njeri që të ketë lënë shtëpi, vëllezër, motra, nënë, baba, fëmijë ose toka për hirin tim dhe për hir të lajmit të mirë,+ 30 e të mos marrë tani, në këtë kohë, 100-fish—shtëpi, vëllezër, motra, nëna, fëmijë dhe toka, bashkë me përndjekje+—dhe në sistemin* që po vjen, jetën e përhershme. 31 Por shumë që janë të parët do të jenë të fundit, dhe të fundit do të jenë të parët.»+

32 Ndërsa ishin rrugës, Jezui po shkonte përpara tyre drejt Jerusalemit, ja pse dishepujt ishin të çuditur, kurse të tjerët që po udhëtonin pas tyre, i zuri frika. Ai i mori të Dymbëdhjetët edhe një herë mënjanë dhe nisi t’u thoshte përsëri ç’do t’i ndodhte pas pak:+ 33 «Ja, ne po ngjitemi në Jerusalem dhe Birin e njeriut do ta dorëzojnë në dorë të krerëve të priftërinjve dhe të skribëve. Ata do ta dënojnë me vdekje dhe do t’ua dorëzojnë njerëzve të kombeve,* 34 që do ta tallin, do ta pështyjnë, do ta fshikullojnë e do ta vrasin, por pas tri ditësh ai do të ngrihet nga të vdekurit.»+

35 Jakovi dhe Gjoni, bijtë e Zebedeut,+ iu afruan dhe i thanë: «Mësues, duam që të bësh diçka për ne.»+ 36 Ai i pyeti: «Çfarë doni të bëj për ju?» 37 Ata iu përgjigjën: «Na lejo të ulemi njëri në të djathtën e tjetri në të majtën tënde kur të marrësh lavdi.»+ 38 Por Jezui ua ktheu: «Ju nuk e dini çfarë po kërkoni. A mund ta pini kupën që po pi unë ose të pagëzoheni me pagëzimin që po pagëzohem unë?»+ 39 Ata i thanë: «Po, mundemi.» Atëherë Jezui u tha: «Kupën që po pi unë, do ta pini, edhe me pagëzimin që po pagëzohem unë, do të pagëzoheni.+ 40 Megjithatë nuk më takon mua t’ju ul në të djathtën a në të majtën time. Ai vend u takon atyre që ua ka bërë gati Ati im.»

41 Kur dëgjuan për këtë, dhjetë të tjerët u indinjuan me Jakovin dhe Gjonin.+ 42 Por Jezui i thirri pranë dhe u tha: «Ju e dini se ata që konsiderohen si sundimtarë të kombeve, sillen si zotër me to dhe të mëdhenjtë e tyre ushtrojnë autoritet mbi kombet.+ 43 Mirëpo mes jush nuk duhet të jetë kështu. Kushdo që dëshiron të bëhet i madh ndër ju, të jetë shërbëtori juaj,+ 44 dhe kushdo që dëshiron të jetë i pari ndër ju, të jetë skllavi i të gjithëve, 45 sepse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por që të shërbejë+ dhe të japë jetën* e vet si shpërblesë për shumë njerëz.»+

46 Kështu arritën në Jeriko. Më pas, kur ai, dishepujt dhe një turmë mjaft e madhe po dilnin nga Jerikoja, buzë rrugës ishte ulur një lypës i verbër, Bartimeu (i biri i Timeut).+ 47 Sa dëgjoi se ishte Jezui, nazareasi, ai filloi të thërriste: «Jezu, Bir i Davidit,+ ki mëshirë për mua!»+ 48 Por shumë e urdhëruan rreptësisht të mos fliste, kurse ai thërriste edhe më fort: «Bir i Davidit, ki mëshirë për mua!» 49 Atëherë Jezui u ndal dhe tha: «Thuajini të vijë këtu.» Ata e thirrën të verbrin dhe i thanë: «Merr zemër! Ngrihu, ai po të kërkon.» 50 Ai hodhi tej mantelin e vet, u ngrit vrik në këmbë dhe shkoi te Jezui. 51 Jezui e pyeti: «Çfarë do që të bëj për ty?» I verbri iu përgjigj: «Rabóni,* të më kthehet shikimi.» 52 Prandaj Jezui i tha: «Shko, besimi yt të shëroi.»+ Menjëherë atij iu kthye shikimi+ dhe filloi ta ndiqte rrugës.

11 Tani po i afroheshin Jerusalemit dhe, kur mbërritën afër Betfagës e Betanisë,+ në Malin e Ullinjve, ai dërgoi dy nga dishepujt e tij+ 2 dhe u tha: «Shkoni në fshatin përballë dhe, sapo të hyni atje, do të gjeni një kërriç të lidhur, mbi të cilin nuk ka hipur ende njeri. Zgjidheni dhe silleni. 3 Nëse dikush ju pyet: ‘Pse po e zgjidhni kërriçin?’, i thoni: ‘I duhet Zotërisë, por do ta kthejë shpejt.’» 4 Kështu ata ikën, e gjetën kërriçin të lidhur jashtë te dera, në anë të rrugës, dhe e zgjidhën.+ 5 Por disa njerëz që po rrinin atje, i pyetën: «Ç’po bëni? Pse po e zgjidhni kërriçin?» 6 Dishepujt iu përgjigjën ashtu siç u kishte thënë Jezui, dhe ata i lanë të iknin.

7 Atëherë ia çuan kërriçin+ Jezuit, vunë mbi të mantelet e tyre, dhe ai hipi në të.+ 8 Gjithashtu shumë veta shtruan mantelet në rrugë, kurse të tjerë shtruan degët me gjethe që kishin prerë fushave.+ 9 Edhe ata që ecnin përpara, edhe ata që vinin pas, brohoritnin: «Shpëtoje, të lutemi!*+ I bekuar është ai që vjen në emër të Jehovait!*+ 10 E bekuar është Mbretëria që po vjen, e atit tonë David!+ Shpëtoje, të lutemi ty atje lart në qiell!» 11 Ai hyri në Jerusalem dhe shkoi në tempull; hodhi sytë rreth e rrotull, por, meqë ishte bërë vonë, iku në Betani bashkë me të Dymbëdhjetët.+

12 Të nesërmen, kur po iknin nga Betania, Jezuin e mori uria.+ 13 Nga larg vuri re një fik që kishte gjethe, edhe pse nuk ishte stina e fiqve. Prandaj shkoi të shihte se mos gjente gjë, por, kur iu afrua, nuk gjeti gjë veç gjetheve. 14 Ja pse tha: «Mos ngrëntë njeri kurrë më fryt prej teje!»+ Dishepujt po e dëgjonin.

15 Kështu mbërritën në Jerusalem. Ai hyri në tempull, filloi të flakte jashtë njerëzit që shitnin e blinin atje, përmbysi tryezat e këmbyesve të parave dhe stolat e atyre që shitnin pëllumba,+ 16 dhe nuk lejoi askënd të mbartte ndonjë pajisje përmes tempullit. 17 Ai po i mësonte dhe po u thoshte: «A nuk është shkruar: ‘Shtëpia ime do të quhet shtëpi lutjesh për të gjitha kombet.’+ Kurse ju e keni bërë shpellë kusarësh.»+ 18 Krerët e priftërinjve me skribët e dëgjuan këtë dhe filluan të kërkonin ndonjë mënyrë si ta vritnin;+ faktikisht kishin frikë nga ai, ngaqë e gjithë turma mahnitej me mësimet e tij.+

19 Në mbrëmje, Jezui dhe dishepujt dolën nga qyteti. 20 Pastaj, kur zbardhi dita, ndërsa po ecnin, panë që fiku tashmë ishte tharë që nga rrënjët.+ 21 Pjetrit iu kujtua dhe i tha: «Rabi, shiko! Fiku që mallkove, është tharë.»+ 22 Jezui u përgjigj: «Kini besim te Perëndia. 23 Vërtet po ju them se kushdo që i thotë këtij mali: ‘Ngrihu dhe hidhu në det’ e s’ka pikë dyshimi në zemër, por ka besim se ajo që thotë, do të ndodhë, ashtu do të bëhet.+ 24 Prandaj po ju them: për gjithçka që luteni dhe kërkoni, kini besim sikur ta keni marrë tashmë, dhe do ta merrni.+ 25 E, kur luteni në këmbë, nëse keni diçka kundër dikujt, faleni, që edhe Ati juaj që është në qiej, t’ju falë shkeljet.»*+ 26 *——

27 Ata vajtën përsëri në Jerusalem. Ndërsa ai ecte në tempull, krerët e priftërinjve, skribët dhe pleqtë iu afruan 28 dhe nisën ta pyetnin: «Me ç’autoritet i bën këto gjëra? E kush ta dha këtë autoritet?»+ 29 Jezui iu përgjigj: «Do t’ju bëj vetëm një pyetje. Po m’u përgjigjët, edhe unë do t’ju them me ç’autoritet i bëj këto gjëra. 30 Pagëzimi që bënte Gjoni,+ ishte nga qielli apo nga njerëzit? M’u përgjigjni.»+ 31 Atëherë ata filluan të arsyetonin me njëri-tjetrin: «Po të themi ‘nga qielli’, do të na thotë: ‘Pse, pra, nuk i besuat?’ 32 Por, a guxojmë të themi ‘nga njerëzit’?» Ata kishin frikë nga turma, sepse të gjithë mendonin se Gjoni kishte qenë vërtet profet.+ 33 Prandaj iu përgjigjën Jezuit: «Nuk e dimë.» Edhe Jezui u tha: «As unë nuk ju them me ç’autoritet i bëj këto gjëra.»

12 Ai nisi t’u tregonte ilustrime: «Një njeri mbolli një vresht,+ e rrethoi me gardh, gërmoi një vend për shtypësen e rrushit, ngriti një kullë,+ ua la me qira kultivuesve dhe udhëtoi në dhé të huaj.+ 2 Kur erdhi stina e vjeljes së rrushit, dërgoi te kultivuesit një skllav që të merrte nga ata pjesën e vet të fryteve të vreshtit. 3 Por ata e kapën, e rrahën dhe e kthyen mbrapsht duarbosh. 4 Ai u dërgoi një skllav tjetër, të cilin e goditën në kokë dhe e poshtëruan.+ 5 Pastaj u dërgoi edhe një tjetër, por ata e vranë. Dërgoi edhe shumë të tjerë, mirëpo disa i rrahën e disa i vranë. 6 Ai kishte edhe një bir të dashur,+ që e dërgoi të fundit dhe tha: ‘Tim bir do ta respektojnë.’ 7 Por kultivuesit i thanë njëri-tjetrit: ‘Ky është trashëgimtari.+ Hajdeni ta vrasim dhe trashëgimia do të bëhet jona!’ 8 Kështu e kapën, e vranë dhe e flakën jashtë vreshtit.+ 9 Çfarë do të bëjë i zoti i vreshtit? Ai do të vijë, do t’i vrasë kultivuesit, dhe vreshtin do t’ua japë të tjerëve.+ 10 A nuk e keni lexuar kurrë këtë shkrim: ‘Guri që ndërtuesit hodhën poshtë, u bë guri kryesor i qoshes.*+ 11 Këtë e bëri vetë Jehovai,* dhe në sytë tanë është diçka e mrekullueshme.’»+

12 Me të dëgjuar këtë, kundërshtarët e tij e kuptuan se e tha ilustrimin për ta, prandaj donin ta arrestonin,* por kishin frikë nga turma. Kështu e lanë dhe ikën.+

13 Më pas i dërguan disa farisenj dhe disa përkrahës të partisë së Herodit, që ta zinin në grackë me fjalët e veta.+ 14 Këta erdhën e i thanë: «Mësues, ne e dimë që ti thua të vërtetën e që nuk mban anën e askujt, sepse nuk shikon pamjen e jashtme të njerëzve, por mëson udhën e Perëndisë sipas së vërtetës. Është e ligjshme* t’i paguhet Cezarit haraç* për kokë, apo jo? 15 Duhet ta paguajmë apo jo?» Meqë e dalloi hipokrizinë e tyre, ai u tha: «Pse më vini në provë? Më sillni një denar* që ta shikoj.» 16 Ata i çuan një denar dhe ai i pyeti: «Të kujt janë kjo fytyrë dhe ky mbishkrim?» Ata iu përgjigjën: «Të Cezarit.» 17 Atëherë Jezui u tha: «Paguajini Cezarit gjërat e Cezarit,+ kurse Perëndisë gjërat e Perëndisë.»+ Ata u mahnitën nga fjalët e tij.

18 Pastaj vajtën saducenjtë, të cilët thonë se nuk ka ringjallje,+ dhe e pyetën:+ 19 «Mësues, Moisiu na la të shkruar që, nëse dikush vdes dhe lë pas gruan, por nuk lë fëmijë, gruan duhet ta marrë i vëllai që t’i lërë atij pasardhës.+ 20 Ishin shtatë vëllezër. I pari u martua, por vdiq pa lënë pasardhës. 21 Prandaj gruan e tij e mori i dyti, por edhe ai vdiq pa lënë pasardhës, e njësoj edhe i treti. 22 Të shtatë nuk lanë asnjë pasardhës. E fundit fare vdiq gruaja. 23 Në ringjallje, cili do ta marrë? Meqë të shtatë e patën për grua.» 24 Jezui iu përgjigj: «E keni gabim, ngaqë nuk njihni as Shkrimet, as fuqinë e Perëndisë,+ 25 sepse, kur të ngrihen nga të vdekurit, as burrat, as gratë nuk do të martohen, por do të jenë porsi engjëjt në qiej.+ 26 Sa për ngritjen e të vdekurve, a nuk keni lexuar në librin e Moisiut, në tregimin për shkurren me gjemba, kur Perëndia i tha: ‘Unë jam Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit.’+ 27 Ai nuk është Perëndi i të vdekurve, por i të gjallëve. Ju gaboheni rëndë.»+

28 Një nga skribët që ishte afruar dhe i dëgjoi të diskutonin, kur e pa se u ishte përgjigjur mirë, e pyeti: «Cili është i pari* i të gjitha urdhërimeve?»+ 29 Jezui u përgjigj: «I pari është: ‘Dëgjo, o Izrael, Jehovai,* Perëndia ynë, është një Jehova,* 30 dhe duaje Jehovain,* Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin* tënd, me gjithë mendjen tënde dhe me gjithë forcën tënde.’+ 31 I dyti është: ‘Duaje të afërmin tënd* si veten.’+ Nuk ka urdhërim tjetër më të madh se këta.» 32 Skribi i tha: «Mësues, mirë e the dhe në përputhje me të vërtetën, se ‘Ai është Një dhe se nuk ka tjetër veç tij’.+ 33 Gjithashtu, ta duash atë me gjithë zemër, me gjithë aftësinë për të kuptuar e me gjithë forcën, si dhe ta duash të afërmin si veten, vlen shumë më tepër se gjithë blatimet e plota të djegura dhe flijimet.»+ 34 Atëherë Jezui e kuptoi se ai iu përgjigj me mend, prandaj i tha: «Ti nuk je larg nga Mbretëria e Perëndisë.» Dhe askush nuk guxoi ta pyeste më.+

35 Megjithatë, ndërsa po i mësonte në tempull, Jezui pyeti: «Si vallë thonë skribët se Krishti është bir i Davidit+ 36 përderisa vetë Davidi tha me anë të frymës së shenjtë:+ “Jehovai* i tha Zotërisë tim: ‘Ulu në të djathtën time derisa t’i vë armiqtë e tu nën këmbët e tua.’”+ 37 Davidi vetë e quan ‘Zotëri’, si atëherë qenka bir i tij?!»+

E gjithë turma po e dëgjonte me kënaqësi. 38 Ai vazhdoi t’i mësonte: «Ruhuni nga skribët, që u pëlqen të shëtitin me veshje të gjata, t’i përshëndetin nëpër sheshe pazari,+ 39 që duan vendet e para* në sinagoga dhe kryet e vendit nëpër darka,+ 40 që gllabërojnë shtëpitë* e vejushave dhe bëjnë lutje të gjata për t’u dukur. Ata do të marrin një gjykim më të ashpër.»*

41 Pastaj u ul përballë arkave* të thesarit+ dhe nisi të vërente turmën që hidhte pará në to, e shumë të pasur po hidhnin goxha.+ 42 Tani, erdhi edhe një vejushë e varfër dhe hodhi dy monedha me vlerë shumë të vogël.*+ 43 Prandaj ai i thirri pranë dishepujt dhe u tha: «Vërtet po ju them se kjo vejushë e varfër hodhi më shumë se gjithë të tjerët që hodhën pará në arkat e thesarit,+ 44 sepse ata të gjithë hodhën nga tepricat, kurse ajo, në skamjen* e saj, hodhi gjithë sa kishte, gjithçka kishte për të jetuar.»+

13 Kur po dilte nga tempulli, një nga dishepujt i tha: «Mësues, shiko, ç’gurë e ç’ndërtesa të mrekullueshme!»+ 2 Por Jezui i tha: «A i sheh këto ndërtesa madhështore? Me siguri, këtu nuk do të mbetet gur mbi gur pa u rrëzuar.»+

3 Teksa rrinte ulur në Malin e Ullinjve nga i cili dukej tempulli, Pjetri, Jakovi, Gjoni dhe Andrea e pyetën veçmas: 4 «Na thuaj, kur do të ndodhin këto gjëra dhe cila do të jetë shenja kur të gjitha këto gjëra do të përfundojnë?»+ 5 Atëherë Jezui nisi t’u thoshte: «Kujdes se mos ju mashtron ndonjë.+ 6 Shumë veta do të vijnë dhe, duke përdorur emrin tim, do të thonë: ‘Unë jam ai’, dhe do të mashtrojnë shumë njerëz. 7 Veç kësaj, kur të dëgjoni të flitet për luftëra dhe lajme luftërash, mos u alarmoni; këto gjëra duhet të ndodhin, por ende nuk është fundi.+

8 Atëherë do të ngrihet komb kundër kombi dhe mbretëri kundër mbretërie,+ do të ketë tërmete nga njëri vend në tjetrin dhe do të ketë mungesa ushqimi.+ Këto janë fillimi i dhembjeve therëse.*+

9 Prandaj kini kujdes, sepse njerëzit do t’ju dorëzojnë në gjykata,+ do t’ju rrahin nëpër sinagoga+ dhe do t’ju nxjerrin para guvernatorëve e mbretërve për shkakun tim, që të jepni dëshmi para tyre.+ 10 Gjithashtu, më parë duhet të predikohet lajmi i mirë në të gjitha kombet.+ 11 Kur t’ju kapin për t’ju dorëzuar në gjykata, mos jini në ankth që më përpara se ç’do të thoni; por thoni çdo gjë që do t’ju tregohet në atë çast, sepse nuk do të jeni ju që do të flitni, por do të flasë fryma e shenjtë.+ 12 Për më tepër, vëllai do të dorëzojë vëllanë që ta vrasin, babai fëmijën dhe fëmijët do të ngrihen kundër prindërve e do të jenë shkaktarët e vdekjes së tyre.+ 13 Për shkak të emrit tim, të gjithë do t’ju urrejnë,+ por ai që qëndron* deri në fund,+ do të shpëtojë.+

14 Megjithatë, kur të vini re gjënë e neveritshme që shkakton shkretim,+ e cila qëndron aty ku nuk duhet (lexuesi të përdorë aftësi dalluese), atëherë ata që janë në Jude, të fillojnë të ikin me të shpejtë në male.+ 15 Ai që është në tarracë, të mos zbresë në shtëpi e të mos hyjë brenda për të marrë ndonjë gjë, 16 dhe ai që është në arë, të mos kthehet te gjërat që ka lënë pas për të marrë mantelin.* 17 Mjerë gratë shtatzëna dhe ato që kanë foshnjë në gji ato ditë!+ 18 Vazhdoni të luteni që kjo të mos ndodhë në dimër, 19 sepse ato ditë do të jenë ditë të një shtrëngimi*+ të tillë, që nuk ka pasur që kur Perëndia filloi të krijonte e deri tani, dhe as do të ketë përsëri.+ 20 Në fakt, po të mos i shkurtonte Jehovai* ditët, asnjë njeri* nuk do të shpëtonte. Por, për hir të të zgjedhurve, ai i ka shkurtuar ditët.+

21 Nëse atëherë ndonjë ju thotë: ‘Shikoni, Krishti është këtu’ ose ‘Ja, është atje’, mos e besoni,+ 22 sepse do të dalin krishtër të rremë dhe profetë të rremë+ e do të bëjnë shenja dhe mrekulli, që të nxjerrin nga udha mundësisht edhe të zgjedhurit. 23 Kini kujdes, pra,+ jua kam thënë të gjitha paraprakisht.

24 Por në ato ditë, pas atij shtrëngimi, dielli do të errësohet e hëna nuk do të ndriçojë më.+ 25 Yjet do të bien nga qielli dhe qiejt* do të shkunden. 26 Atëherë do të shohin Birin e njeriut+ duke ardhur në re me fuqi dhe lavdi të madhe.+ 27 Ai do të dërgojë engjëjt dhe do t’i mbledhë të zgjedhurit nga të katër anët,* nga skaji i tokës deri në skajin e qiellit.+

28 Tani mësoni nga ilustrimi për pemën e fikut: sapo del bisku e lëshon gjethe, ju e dini se vera është afër.+ 29 Po ashtu edhe ju, kur t’i shihni të ndodhin këto gjëra, dijeni se ai* është afër, te dera.+ 30 Vërtet po ju them se ky brez nuk do të marrë fund kurrsesi, pa ndodhur të gjitha këto gjëra.+ 31 Qielli dhe toka do të marrin fund,*+ por fjalët e mia do të mbeten përgjithmonë.*+

32 Mirëpo, ditën ose orën askush s’e di, as engjëjt në qiell, as Biri, por vetëm Ati.+ 33 Mbani sytë hapur dhe rrini zgjuar,+ sepse nuk e dini se kur është koha e caktuar.+ 34 Ajo është si një njeri që e la shtëpinë e vet dhe udhëtoi për në dhé të huaj. Ai u dha autoritet skllevërve të tij+ dhe secilit i ngarkoi një punë, kurse derëtarin e urdhëroi të qëndronte vigjilent.+ 35 Prandaj qëndroni vigjilentë, sepse nuk e dini kur vjen i zoti i shtëpisë,+ në të ngrysur a në mesnatë, para se të agojë* a herët në mëngjes,+ 36 që të mos ju gjejë në gjumë kur të mbërrijë befas.+ 37 Atë që po jua them juve, ua them të gjithëve: qëndroni vigjilentë.»+

14 Tani, dy ditë më vonë+ ishte Festa e Kalimit*+ dhe Festa e Bukëve Pa Maja.+ Krerët e priftërinjve dhe skribët po kërkonin një mënyrë si ta arrestonin* me dredhi dhe ta vritnin,+ 2 sepse thoshin: «Jo në festë, se mos bëhet ndonjë trazirë në popull.»

3 Kur Jezui ishte në Betani, në shtëpinë e Simonit, të lebrosurit, ndërsa po hante,* erdhi një grua me një enë alabastri me vaj aromatik, nard të pastër, shumë të shtrenjtë. Ajo e hapi* enën dhe nisi t’ia derdhte vajin mbi kokë.+ 4 Atëherë disa nga ata i thanë njëri-tjetrit të indinjuar: «Pse të harxhohet kot ky vaj aromatik? 5 Ky vaj mund të ishte shitur më shumë se 300 denarë* e paratë t’u jepeshin të varfërve!» Prandaj ishin tepër të acaruar me atë grua.* 6 Por Jezui tha: «Lëreni të qetë. Pse e bezdisni? Ajo bëri një vepër të mirë ndaj meje.+ 7 Të varfrit do t’i keni gjithmonë+ dhe mund t’u bëni mirë sa herë të doni, kurse mua nuk do të më keni gjithmonë.+ 8 Ajo bëri atë që mundi; hodhi vaj aromatik mbi trupin tim për ta përgatitur që më parë për varrim.+ 9 Vërtet po ju them: kudo që të predikohet lajmi i mirë në mbarë botën,+ do të tregohet edhe ajo që bëri kjo grua, në kujtim të saj.»+

10 Tani, Judë Iskarioti, një nga të Dymbëdhjetët, shkoi te krerët e priftërinjve që ta tradhtonte e ta dorëzonte në duart e tyre.+ 11 Kur e dëgjuan, ata u kënaqën jashtë mase dhe i premtuan t’i jepnin monedha argjendi.+ Prandaj ai filloi të kërkonte një rast për ta tradhtuar.

12 Tani, ditën e parë të Festës së Bukëve Pa Maja,+ kur zakonisht ofronin flijimin e Festës së Kalimit,+ dishepujt e pyetën: «Ku dëshiron të shkojmë e të të përgatitim darkën e Festës së Kalimit?»+ 13 Atëherë ai dërgoi dy nga dishepujt dhe u tha: «Shkoni në qytet, dhe atje do t’ju dalë përpara një njeri duke mbajtur një enë balte për ujë. Shkoni pas tij+ 14 dhe, atje ku të hyjë ai, i thoni të zotit të shtëpisë: “Mësuesi pyet: ‘Ku është dhoma e mysafirëve, që të ha darkën e Festës së Kalimit me dishepujt e mi?’” 15 Ai do t’ju tregojë sipër një dhomë të madhe, të mobiluar e të bërë gati. Atje përgatitni darkën për ne.» 16 Kështu dishepujt u nisën, hynë në qytet dhe e gjetën shtëpinë ashtu siç u kishte thënë ai, dhe përgatitën darkën e Festës së Kalimit.

17 Pasi ra mbrëmja, ai erdhi bashkë me të Dymbëdhjetët.+ 18 Ndërsa ishin shtruar në tryezë dhe po hanin, Jezui tha: «Vërtet po ju them se njëri nga ju që po ha me mua, do të më tradhtojë.»+ 19 Ata u trishtuan dhe nisën t’i thoshin njëri pas tjetrit: «Nuk jam unë, apo jo?» 20 Ai u përgjigj: «Është një nga të Dymbëdhjetët, ai që ngjyen bukën bashkë me mua në çanak,*+ 21 sepse Biri i njeriut po ikën, ashtu siç është shkruar për të, por mjerë ai njeri që e tradhton Birin e njeriut!+ Për të do të ishte më mirë të mos kishte lindur.»+

22 Ndërsa hanin, ai mori një bukë, bëri një lutje,* e theu, ua dha atyre dhe u tha: «Merreni, kjo përfaqëson trupin tim.»+ 23 Pastaj mori një kupë, falënderoi Perëndinë, ua dha, dhe të gjithë pinë nga ajo.+ 24 Ai u tha: «Kjo përfaqëson gjakun tim,+ ‘gjakun e besëlidhjes’,+ që do të derdhet në dobi të shumë vetave.+ 25 Vërtet po ju them: nuk do të pi më kurrë nga kjo verë, deri ditën kur ta pi të re në Mbretërinë e Perëndisë.» 26 Në fund, pasi kënduan lavde,* dolën dhe shkuan në Malin e Ullinjve.+

27 Jezui u tha: «Të gjithëve ju do t’ju lëkundet besimi për shkakun tim, sepse është shkruar: ‘Do të godas bariun+ dhe delet do të hallakaten.’+ 28 Por, pasi të ngrihem nga të vdekurit, do të shkoj përpara jush në Galile.»+ 29 Mirëpo Pjetri iu përgjigj: «Edhe sikur të gjithëve t’u lëkundet besimi për shkakun tënd, mua kurrë nuk do të më lëkundet besimi!»+ 30 Jezui ia ktheu: «Vërtet po të them: sot, po, pikërisht këtë natë, para se gjeli të këndojë dy herë, ti do të më mohosh tri herë.»+ 31 Por ai këmbëngulte: «Edhe sikur të më duhej të vdisja bashkë me ty, kurrsesi nuk do të të mohoja!» Të njëjtën gjë filluan të thoshin edhe gjithë dishepujt e tjerë.+

32 Pastaj vajtën në një vend të quajtur Getsemani, dhe ai u tha dishepujve: «Uluni këtu, ndërkohë që unë lutem.»+ 33 Me vete mori Pjetrin, Jakovin dhe Gjonin.+ Ai filloi të ndiente dhembje e ankth të madh 34 dhe u tha atyre: «Më dhemb shpirti,+ madje për vdekje. Rrini këtu dhe qëndroni vigjilentë.»+ 35 Pastaj shkoi pak më përpara, u përkul me fytyrë përtokë dhe nisi të lutej që, po të ishte e mundur, të mos e përjetonte atë orë* të vështirë. 36 Dhe vazhdoi të thoshte: «Abba,* o Atë,+ gjithçka është e mundur për ty. Le të mos pi nga* kjo kupë. Megjithatë, jo si dëshiroj unë, por si dëshiron ti.»+ 37 Kur u kthye, i gjeti duke fjetur, dhe i tha Pjetrit: «Simon, po fle? Nuk pate forcë të qëndroje vigjilent as edhe një orë?+ 38 Qëndroni vigjilentë dhe lutuni vazhdimisht, që të mos tundoheni.+ Sigurisht, zemra* është gati, por trupi* është i dobët.»+ 39 Iku përsëri dhe u lut me të njëjtat fjalë.+ 40 U kthye prapë dhe i gjeti duke fjetur, sepse u ishin rënduar sytë, prandaj nuk dinin si t’i përgjigjeshin. 41 U kthye për të tretën herë dhe u tha: «Në një kohë si kjo, ju flini dhe pushoni?! Mjaft fjetët! Erdhi ora!+ Ja, Birin e njeriut e kanë tradhtuar dhe e kanë dorëzuar në duart e mëkatarëve. 42 Ngrihuni, le të shkojmë. Tradhtari im është afër.»+

43 Menjëherë, ndërsa po fliste, mbërriti Juda, një nga të Dymbëdhjetët. Bashkë me të erdhi edhe një turmë me shpata dhe hunj nëpër duar, që e kishin dërguar krerët e priftërinjve, skribët dhe pleqtë.+ 44 Tradhtari kishte rënë dakord me ta se do t’u bënte një shenjë: «Atë që do të puth, ai është; arrestojeni dhe merreni me roja.» 45 Juda vajti drejt e tek ai, iu afrua dhe i tha: «Rabi!», pastaj e puthi miqësisht. 46 Kështu e kapën dhe e arrestuan. 47 Mirëpo, një nga ata që ishin aty, nxori shpatën, goditi skllavin e kryepriftit dhe i preu veshin.+ 48 Por Jezui u tha: «Paskeni ardhur të më arrestoni me shpata dhe hunj, sikur të isha kusar?!+ 49 Ditë për ditë isha me ju në tempull dhe mësoja,+ e megjithatë ju nuk më arrestuat. Sidoqoftë, kjo po ndodh që të përmbushen Shkrimet.»+

50 Atëherë të gjithë e braktisën dhe ia mbathën.+ 51 Megjithatë një djalë i ri, që kishte hedhur në trup veç një rrobë linoje cilësore, nisi ta ndiqte nga afër. Ata u përpoqën ta kapnin, 52 por ai e la pas rrobën dhe ia mbathi gjysmë i zhveshur.*

53 Tani, Jezuin e çuan te kryeprifti,+ dhe atje u mblodhën tërë krerët e priftërinjve, pleqtë e skribët.+ 54 Kurse Pjetri e ndoqi atë nga larg deri në oborrin e kryepriftit dhe u ul bashkë me shërbëtorët e shtëpisë e po ngrohej afër një zjarri bubulak.+ 55 Ndërkohë, krerët e priftërinjve dhe gjithë Sinedri po kërkonin dëshmitarë kundër Jezuit, që ta ekzekutonin, por nuk po gjenin asnjë.+ 56 Në të vërtetë, shumë veta jepnin dëshmi të rreme kundër tij,+ por dëshmitë e tyre nuk përputheshin. 57 U ngritën edhe disa të tjerë dhe nisën të jepnin këtë dëshmi të rreme kundër tij: 58 «E kemi dëgjuar të thotë: ‘Unë do ta rrëzoj këtë tempull të bërë nga duart e njeriut dhe për tri ditë do të ndërtoj një tjetër, por jo nga duart e njeriut.’»+ 59 Megjithatë as në këtë pikë, dëshmitë e tyre nuk përputheshin.

60 Kështu kryeprifti u ngrit në këmbë përpara tyre dhe e pyeti Jezuin: «S’po jep asnjë përgjigje? Nuk e dëgjon ç’po dëshmojnë këta kundër teje?»+ 61 Por ai nuk bënte zë dhe nuk përgjigjej fare.+ Kryeprifti nisi ta pyeste përsëri: «A je ti Krishti, Biri i të Bekuarit?» 62 Atëherë Jezui u përgjigj: «Unë jam. Ju do ta shihni Birin e njeriut+ të ulur në të djathtën+ e të Fuqishmit* dhe duke ardhur në retë e qiellit.»+ 63 Menjëherë kryeprifti shqeu rrobat dhe tha: «Ç’na duhen më dëshmitarët?!+ 64 Ju e dëgjuat blasfeminë.* Ç’mendoni?»* Të gjithë gjykuan se meritonte vdekjen.+ 65 Disa filluan ta pështynin,+ ia mbuluan fytyrën, i gjuanin me grushte dhe i thoshin: «Profetizo!» Pastaj nëpunësit e gjyqit, pasi i ranë me shuplaka në fytyrë, e larguan që atje.+

66 Tani, ndërkohë që Pjetri ishte poshtë në oborr, erdhi një nga shërbëtoret e kryepriftit.+ 67 Kur vuri re Pjetrin që po ngrohej, ajo ia nguli sytë dhe i tha: «Edhe ti ishe me nazareasin, me këtë Jezuin.» 68 Por ai e mohoi dhe tha: «As atë nuk e njoh, as ty s’po të marr vesh ç’po thua.» Pastaj shkoi te porta e oborrit.* 69 Shërbëtorja e pa atje dhe përsëri filloi t’u thoshte atyre që ishin aty pranë: «Ky është një nga ata.» 70 Ai e mohoi sërish. Pas pak, ata që ishin aty pranë, nisën t’i thoshin edhe një herë Pjetrit: «E sigurt që edhe ti je një nga ata, sepse je galileas.» 71 Por ai filloi të mallkonte veten e të betohej: «Nuk e njoh këtë njeri për të cilin flitni.» 72 Dhe menjëherë një gjel këndoi për herë të dytë.+ Pjetrit i erdhën ndër mend fjalët e Jezuit: «Para se të këndojë gjeli dy herë, ti do të më mohosh tri herë.»+ Ai s’u përmbajt dot dhe shpërtheu në lot.

15 Sapo zbardhi dita, krerët e priftërinjve, pleqtë dhe skribët, po, i gjithë Sinedri, komplotuan me njëri-tjetrin, e vunë në vargonj Jezuin, e morën dhe ia dorëzuan Pilatit.+ 2 Pilati e pyeti: «A je ti mbreti i judenjve?»+ Ai iu përgjigj: «Ti vetë po thua.»+ 3 Por krerët e priftërinjve po e akuzonin për shumë gjëra. 4 Atëherë Pilati e pyeti prapë: «Nuk po përgjigjesh?+ Shiko sa akuza po ngrenë kundër teje.»+ 5 Por Jezui nuk u përgjigj më, prandaj Pilati mbeti i çuditur.+

6 Tani, në çdo festë, ai e kishte zakon të lironte një të burgosur, këdo që kërkonte turma.+ 7 Në atë kohë, i burgosur ishte edhe një njeri që quhej Baraba, bashkë me kryengritësit e tjerë, të cilët kishin kryer vrasje gjatë kryengritjes. 8 Kështu turma u mblodh dhe filloi t’i kërkonte Pilatit të vepronte siç e kishte zakon. 9 Ai i pyeti: «A doni t’ju liroj Mbretin e judenjve?»+ 10 Në fakt Pilati e dinte mirë që krerët e priftërinjve e kishin dorëzuar nga zilia.+ 11 Por krerët e priftërinjve e shtynë turmën t’i kërkonte lirimin e Barabës në vend të Jezuit.+ 12 Pilati i pyeti përsëri: «Ç’duhet të bëj, pra, me atë që ju e quani mbreti i judenjve?»+ 13 Ata bërtitën edhe një herë: «Vëre në shtyllë!»*+ 14 Por Pilati vazhdoi: «Pse? Ç’të keqe ka bërë?» Mirëpo ata bërtisnin edhe më shumë: «Vëre në shtyllë!»*+ 15 Atëherë, ngaqë donte të kënaqte turmën, Pilati u liroi Barabën, kurse Jezuin urdhëroi ta rrihnin me kamxhik,+ dhe pastaj ua dha që ta ekzekutonin në shtyllë.+

16 Kështu ushtarët e nxorën në oborrin e pallatit të guvernatorit. Mblodhën gjithë trupën e ushtarëve,+ 17 i veshën një mantel të purpurt,* thurën një kurorë me gjemba dhe ia vunë në kokë. 18 Më pas filluan ta përshëndetnin: «Tungjatjeta,* o Mbret i judenjve!»+ 19 Gjithashtu e qëllonin në kokë me kallam, e pështynin dhe binin në gjunjë e përkuleshin para tij.* 20 Në fund, pasi u tallën, i hoqën mantelin e purpurt, ia veshën përsëri rrobat e sipërme dhe e çuan jashtë që ta gozhdonin në shtyllë.+ 21 Ata detyruan* edhe një kalimtar që po kthehej nga ara, njëfarë Simoni nga Kirena, i ati i Aleksandrit dhe i Rufit, që të mbartte shtyllën e torturës* të Jezuit.+

22 Kështu e çuan në vendin e quajtur Gólgotha, që kur përkthehet, do të thotë: «Vendi i Kafkës.»+ 23 Atje u përpoqën t’i jepnin verë të përzier me drogë, me mirrë,+ por ai nuk e piu. 24 Pastaj e gozhduan në shtyllë dhe i ndanë rrobat e tij me short, për të vendosur çfarë do të merrte secili.+ 25 Ishte ora e tretë* kur e gozhduan në shtyllë. 26 Në mbishkrimin me akuzën kundër tij ishte shkruar: «Mbreti i judenjve.»+ 27 Përveç kësaj, vunë në shtyllë përkrah tij edhe dy kusarë, një në të djathtë e një në të majtë.+ 28 *——29 Ata që kalonin andej, e shanin, tundnin kokën+ dhe thoshin: «Hë pra, ti që do ta rrëzoje tempullin dhe do ta ndërtoje për tri ditë!+ 30 Shpëto veten tani dhe zbrit nga shtylla e torturës!»* 31 Po ashtu edhe krerët e priftërinjve me skribët e tallnin dhe i thoshin njëri-tjetrit: «Të tjerët i shpëtoi, por veten nuk e shpëton dot!+ 32 Të zbresë tani nga shtylla e torturës* Krishti, Mbreti i Izraelit, që të shohim e të besojmë.»+ Madje, edhe ata që ishin vënë në shtyllë përkrah tij, nisën ta poshtëronin.+

33 Kur erdhi ora e gjashtë,* gjithë vendin e mbuloi errësira deri në orën e nëntë.*+ 34 Orën e nëntë, Jezui thërriti me zë të lartë: «Éli, Éli, láma sabahtháni?», që kur përkthehet, do të thotë: «Perëndia im, Perëndia im, pse më ke braktisur?»+ 35 Kur e dëgjuan, disa nga ata që ishin pranë, filluan të thoshin: «Shihni! Ai po thërret Elijan.» 36 Atëherë dikush vrapoi, njomi një sfungjer me verë të thartë, e vuri në një kallam e ia dha që të pinte+ dhe tha: «Lëreni! Të shohim nëse Elija do të vijë që ta zbresë.» 37 Por Jezui thirri me zë të lartë dhe vdiq.*+ 38 Perdja* e shenjtërores+ u ça më dysh, nga maja deri në fund.+ 39 Tani, kur pa se Jezui vdiq në atë mënyrë, centurioni* që qëndronte aty përpara tij, tha: «Pa dyshim që ky njeri ishte Biri i Perëndisë.»+

40 Atje ishin edhe disa gra që po shikonin nga larg. Ndër to ishte Maria-Magdalena, Maria, nëna e Jakovit të Vogël dhe e Jozeut, si dhe Saloma,+ 41 të cilat e kishin shoqëruar e i kishin shërbyer+ kur ai ishte në Galile. Bashkë me to ishin dhe shumë gra të tjera që kishin ardhur me të në Jerusalem.

42 Tani, meqë ishte pasdite vonë dhe meqë ishte Dita e Përgatitjes,* domethënë dita përpara Sabatit, 43 Jozefi nga Arimatea, një anëtar i nderuar i Këshillit, që edhe vetë po priste Mbretërinë e Perëndisë, vajti atje dhe mori guximin të shkonte para Pilatit e t’i kërkonte trupin e Jezuit.+ 44 Por Pilati donte të dinte nëse ai kishte vdekur tashmë, prandaj thirri centurionin dhe e pyeti për këtë. 45 Kështu, pasi centurioni e siguroi, Pilati ia dha trupin Jozefit. 46 Atëherë ai bleu copë linoje cilësore, e zbriti trupin nga shtylla, e mbështolli me copën e linosë dhe e vuri në një varr*+ të gërmuar në shkëmb. Pastaj rrokullisi një gur deri te hyrja e varrit.+ 47 Por Maria-Magdalena dhe Maria, nëna e Jozeut, qëndruan për të parë vendin ku e kishin vënë.+

16 Kështu, kur mbaroi Sabati,+ Maria-Magdalena me Marinë,+ nënën e Jakovit, dhe me Salomën blenë aromatikë* që të shkonin e të lyenin trupin e Jezuit.+ 2 Ditën e parë të javës, ato vajtën te varri* shumë herët, kur kishte dalë dielli,+ 3 dhe i thoshin njëra-tjetrës: «Kush do të na e rrokullisë gurin nga hyrja e varrit?» 4 Por, kur ngritën sytë, panë që guri ishte rrokullisur, megjithëse ishte shumë i madh.+ 5 Kur hynë në varr, panë një të ri me një veshje të gjatë të bardhë, të ulur në anën e djathtë, dhe shtangën nga habia. 6 Ai u tha: «Mos u habitni.+ Ju po kërkoni Jezuin, nazareasin, që u ekzekutua në shtyllë. Ai u ringjall;*+ nuk është këtu. Ja vendi ku e vunë.+ 7 Tani shkoni, tregojuni dishepujve të tij dhe Pjetrit: ‘Ai po shkon përpara jush në Galile.+ Atje do ta shihni, ashtu siç ju tha.’»+ 8 Kështu ato dolën dhe u larguan me të shpejtë nga varri, të mahnitura e duke u dridhur nga frika. Dhe nuk i thanë gjë askujt, sepse ishin të frikësuara.*+

Shih Shtojcën A5.

Shih Fjalorthin.

Duket se i referohet Jezuit.

Ose «i shërbenin».

Shih Fjalorthin, «Demonët».

Një mundësi tjetër «e dinin se kush ishte».

Fjalë për fjalë «si dëshmi për ta». Ka të ngjarë t’u referohet priftërinjve.

Ose «haptazi».

Ose «shtratin portativ».

Shih Fjalorthin.

Fjalë për fjalë «e dalloi nëpërmjet frymës».

Ose «ithtari im».

Ose «ishin shtruar në tryezë».

Domethënë, një copë të re që s’është larë ndonjëherë.

Shih Fjalorthin.

Ose «të paralizuar».

Ose «të paralizuar».

Ose «një shpirt?»

Shih Fjalorthin, «Demonët».

Ose «Emëroi».

Ose «emëroi».

Ose «Kananeni».

Një emër tjetër për Satanain.

Shih Fjalorthin.

Ose «vështirësitë».

Ose «e këtij sistemi; e këtij rendi». Shih Fjalorthin.

Domethënë, nën një enë që shërben si masë drithi.

Domethënë, perimet.

Fjalë për fjalë «në varkë, ashtu siç ishte».

Ose «shilte».

Ose «po ju mpaket zemra?»

Ose «nga varret përkujtimore».

Shih Fjalorthin, «Demonët».

Ose «drejt rrëpirës».

Shih Shtojcën A5.

Ose «rajonin me dhjetë qytete».

Ose «është në prag të vdekjes».

Shih Fjalorthin, «Vënia e duarve».

Ose «i urdhëroi rreptësisht».

Fjalë për fjalë «nisën të pengoheshin për shkak të tij».

Shih Fjalorthin, «Vënia e duarve».

Shih Fjalorthin, «Demonët».

Fjalë për fjalë «bakër».

Domethënë, një lloj brezi me një vend të posaçëm për të mbajtur paratë.

Fjalë për fjalë «të mos vishnin».

Ose «një veshje shtesë».

Shih Fjalorthin.

Ose «ishin shtruar në tryezë».

Ose «e atyre që ishin shtruar në tryezë me të».

Ose «varr përkujtimor».

Ose «ndjeu keqardhje».

Shih Shtojcën B14.

Fjalë për fjalë «i bekoi».

Fjalë për fjalë «në kohën e ndërresës së katërt të natës». Domethënë, rreth orës 3 të mëngjesit deri kur lind dielli.

Ose «dhe gati sa nuk i kaloi».

Ose «fanitje». Shih Fjalorthin, «Vegimi».

Ose «shtretër portativë».

Domethënë, të papastruara ceremonialisht.

Fjalë për fjalë «pagëzimi». Shih Fjalorthin.

Ose «mallkon».

Shih Shtojcën A3.

Ose «përfundon në nevojtore?!»

Shumësi i fjalës greke porneía. Shih Fjalorthin.

Ose «tradhti bashkëshortore».

Ose «sjellje e paturp; përbuzëse». Greqisht, asélgeia. Shih Fjalorthin.

Shih Fjalorthin.

Shih Fjalorthin, «Demonët».

Ose «ishte me kombësi sirofenikase».

Ose «rajonit me dhjetë qytete».

Shih Fjalorthin, «Vënia e duarve».

Fjalë për fjalë «i bekoi».

Shih Fjalorthin.

Shih Fjalorthin, «Vënia e duarve».

Do të thotë «kundërshtar».

Shih Fjalorthin.

Ose «shpirtin».

Ose «shpirtin».

Ose «shpirtin».

Ose «të shpirtit».

Ose «të pabesë».

Ose «u tjetërsua; u shndërrua».

Një mundësi tjetër «Nuk i treguan askujt».

Shih Fjalorthin, «Demonët».

Fjalë për fjalë «një frymë të pagojë».

Ose «një gur mulliri që e rrotullon një gomar».

Shih Fjalorthin.

Shih Shtojcën A3.

Shih Fjalorthin.

Shih Shtojcën A3.

Shih Fjalorthin.

Ose «në vetvete».

Ose «tradhti bashkëshortore».

Domethënë, që t’i bekonte. Shih Fjalorthin, «Vënia e duarve».

Shih Fjalorthin, «Vënia e duarve».

Ose «ithtari».

Një mundësi tjetër «njëri-tjetrit».

Ose «në kohën; në rendin». Shih Fjalorthin.

Shih Fjalorthin.

Ose «shpirtin».

Do të thotë «Mësues».

Greqisht hosanna. Një kërkesë drejtuar Perëndisë për të sjellë shpëtim, që përdoret edhe si shprehje gëzimi.

Shih Shtojcën A5.

Ose «fajet».

Shih Shtojcën A3.

Fjalë për fjalë «koka e qoshes».

Shih Shtojcën A5.

Ose «ta kapnin».

Ose «e drejtë».

Shih Fjalorthin.

Shih Shtojcën B14.

Ose «më i rëndësishmi».

Shih Shtojcën A5.

Shih Shtojcën A5.

Shih Shtojcën A5.

Shih Fjalorthin.

Ose «tjetrin». Shih Fjalorthin.

Shih Shtojcën A5.

Ose «më të mira».

Ose «pronat».

Ose «më të rreptë».

Ose «mbajtëseve».

Fjalë për fjalë «2 lepta, që janë 1 kuadran». Shih Shtojcën B14.

Ose «në varfërinë».

Fjalë për fjalë «fillimi i dhembjeve të lindjes».

Ose «qëndron besnik».

Ose «veshjen e sipërme».

Shih Fjalorthin, «Shtrëngimi i madh».

Shih Shtojcën A5.

Fjalë për fjalë «mish».

Ose «fuqitë që janë në qiej».

Fjalë për fjalë «erërat».

Domethënë, Biri i njeriut.

Fjalë për fjalë «do të kalojnë».

Fjalë për fjalë «nuk do të kalojnë kurrsesi».

Fjalë për fjalë «kur këndon gjeli».

Ose «ishte Pashka». Shih Fjalorthin.

Ose «ta kapnin».

Ose «ndërsa ishte shtruar në tryezë».

Fjalë për fjalë «e theu».

Shih Shtojcën B14.

Ose «ata i folën ashpër gruas; ata e qortuan atë grua».

Ose «në tas».

Fjalë për fjalë «e bekoi».

Ose «himne; psalme».

Ose «situatë».

Një fjalë hebraike ose aramaike që do të thotë «o Atë!»

Ose «Le të hiqet nga unë».

Fjalë për fjalë «fryma». Shih Fjalorthin.

Fjalë për fjalë «mishi». I referohet trupit të papërsosur dhe gjendjes mëkatare të njeriut.

Ose «i veshur lehtë; vetëm me rrobat e brendshme».

Fjalë për fjalë «në të djathtën e pushtetit».

Shih Fjalorthin.

Ose «Cili është vendimi juaj?»

Ose «në hajat; treme».

Ose «Ekzekutoje në shtyllë!»

Ose «Ekzekutoje në shtyllë!»

Ose «në ngjyrë vjollcë». Shih Fjalorthin.

Ose «Qofsh lëvduar».

Ose «i bënin nderime».

Fjalë për fjalë «e vunë të kryente shërbim të detyruar».

Shih Fjalorthin.

Domethënë, rreth orës 9 paradite.

Shih Shtojcën A3.

Shih Fjalorthin.

Shih Fjalorthin.

Domethënë, rreth orës 12 të drekës.

Domethënë, rreth orës 3 pasdite.

Ose «dha frymë». Shih Fjalorthin.

Shih Fjalorthin.

Komandant i 100 ushtarëve.

Shih Fjalorthin.

Ose «varr përkujtimor».

Gjethe, pluhur erëzash dhe vajra aromatikë që përdoreshin për përgatitjen e trupit për varrim.

Ose «varri përkujtimor».

Fjalë për fjalë «u ngrit».

Sipas dorëshkrimeve të hershme e të besueshme, Ungjilli sipas Markut përfundon me fjalët e vargut 8. Shih Shtojcën A3.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo