BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • nwt Mateu 1:1-28:20
  • Mateu

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Mateu
  • Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re 2019
Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re 2019
Mateu

SIPAS MATEUT

1 Libri i historisë* së Jezu Krishtit,* birit të Davidit,+ birit të Abrahamit:+

 2 Abrahamit i lindi* Isaku;+

Isakut i lindi Jakobi;+

Jakobit i lindi Juda+ dhe vëllezërit e tij;

 3 Judës i lindën Perezi dhe Zerahu+ nga Tamara;

Perezit i lindi Hezroni;+

Hezronit i lindi Rami;+

 4 Ramit i lindi Aminadabi;

Aminadabit i lindi Nahasoni;+

Nahasonit i lindi Salmoni;

 5 Salmonit i lindi Boazi nga Rahaba;+

Boazit i lindi Obedi nga Rutha;+

Obedit i lindi Jeseu;+

 6 Jeseut i lindi Davidi,+ mbreti.

Davidit i lindi Solomoni+ nga gruaja e Uriahut;

 7 Solomonit i lindi Rehoboami;+

Rehoboamit i lindi Abijahu;

Abijahut i lindi Asa;+

 8 Asës i lindi Jehozafati;+

Jehozafatit i lindi Jehorami;+

Jehoramit i lindi* Uziahu;

 9 Uziahut i lindi Jotami;+

Jotamit i lindi Akazi;+

Akazit i lindi Hezekia;+

10 Hezekisë i lindi Manaseu;+

Manaseut i lindi Amoni;+

Amonit i lindi Josia;+

11 Josisë+ i lindi* Jekonia+ dhe vëllezërit e tij gjatë kohës së dëbimit në Babiloni.+

12 Pas dëbimit në Babiloni, Jekonisë i lindi Shealtieli;

Shealtielit i lindi* Zorobabeli;+

13 Zorobabelit i lindi Abiudi;

Abiudit i lindi Eliakimi;

Eliakimit i lindi Azori;

14 Azorit i lindi Sadoku;

Sadokut i lindi Akimi;

Akimit i lindi Eliudi;

15 Eliudit i lindi Eleazari;

Eleazarit i lindi Matani;

Matanit i lindi Jakobi;

16 Jakobit i lindi Jozefi, burri i Marisë, nga e cila lindi Jezui,+ që quhet Krisht.+

17 Nga Abrahami deri te Davidi ishin gjithsej 14 breza; nga Davidi deri te dëbimi në Babiloni, 14 breza; nga dëbimi në Babiloni deri te Krishti, 14 breza.

18 Lindja e Jezu Krishtit ndodhi kështu: gjatë kohës që e ëma, Maria, ishte e fejuar me Jozefin, ajo mbeti* shtatzënë me anë të frymës së shenjtë*+ përpara se të martoheshin. 19 Megjithatë, meqë burri i saj, Jozefi, ishte i drejtë dhe nuk donte që ajo të turpërohej para të gjithëve, mendoi ta divorconte fshehurazi.+ 20 Por, pasi i bluajti në mendje këto gjëra, ja, engjëlli i Jehovait* iu shfaq në ëndërr dhe i tha: «Jozef, bir i Davidit, mos ki frikë ta marrësh në shtëpi gruan tënde, Marinë, sepse fëmija që është ngjizur në të,* është nga fryma e shenjtë.+ 21 Ajo do të lindë një djalë, dhe ti do t’ia vësh emrin Jezu,*+ sepse ai do ta shpëtojë popullin e tij nga mëkatet.»+ 22 Në të vërtetë, e gjithë kjo ndodhi që të përmbushej ajo që kishte thënë Jehovai* nëpërmjet profetit të tij: 23 «Ja, virgjëresha do të mbetet shtatzënë e do të lindë një djalë, të cilit do t’ia vënë emrin Emanuel»,+ që kur përkthehet, do të thotë: «Perëndia është me ne.»+

24 Atëherë Jozefi u zgjua nga gjumi dhe bëri siç e kishte udhëzuar engjëlli i Jehovait:* e mori në shtëpi gruan e tij, 25 por nuk pati marrëdhënie seksuale me të, derisa ajo lindi një djalë,+ të cilit ia vuri emrin Jezu.+

2 Pas lindjes së Jezuit në Betlehem+ të Judesë, në ditët e mbretit Herod,*+ disa astrologë* nga Lindja shkuan në Jerusalem 2 dhe pyetën: «Ku është fëmija që ka lindur për t’u bërë mbreti i judenjve?+ Pamë yllin e tij kur ishim në Lindje, prandaj kemi ardhur për t’i bërë nderime.»* 3 Me ta marrë vesh këtë, mbreti Herod u alarmua dhe bashkë me të i gjithë Jerusalemi. 4 Pasi mblodhi tërë krerët e priftërinjve dhe skribët e popullit, ai i pyeti se ku do të lindte Krishti.* 5 Ata i thanë: «Në Betlehem+ të Judesë, sepse kështu është shkruar nga profeti: 6 ‘Dhe ti, o Betlehem i vendit të Judës, nuk je kurrsesi qyteti më i parëndësishëm në sytë e qeveritarëve të Judës, sepse prej teje do të dalë një qeveritar, që do të jetë si bari për popullin tim, Izraelin.’»+

7 Atëherë Herodi i thirri fshehurazi astrologët dhe i pyeti me hollësi se kur ishte shfaqur ylli. 8 Pastaj i dërgoi në Betlehem dhe u tha: «Shkoni, kërkojeni me kujdes fëmijën dhe, pasi ta keni gjetur, kthehuni e më njoftoni, që të shkoj edhe unë t’i bëj nderime.» 9 Pasi dëgjuan fjalët e mbretit, ata u nisën. Ylli që kishin parë kur ishin në Lindje,+ shkonte përpara tyre, derisa u ndal mbi vendin ku ishte fëmija. 10 Sapo vunë re që ylli u ndal, ata fluturuan nga gëzimi. 11 Hynë në shtëpi dhe, kur panë fëmijën me të ëmën, Marinë, u përkulën me fytyrë përtokë dhe i bënë nderime.* Pastaj hapën thesaret e tyre dhe i dhanë dhurata: ar, temjan të bardhë dhe mirrë. 12 Megjithatë, meqë në ëndërr Perëndia i kishte paralajmëruar+ të mos ktheheshin te Herodi, ata u kthyen në vendin e tyre nga një udhë tjetër.

13 Pasi u larguan, ja, engjëlli i Jehovait* iu shfaq Jozefit në ëndërr+ dhe i tha: «Ngrihu, merre fëmijën dhe nënën e tij, dhe ik sa më shpejt në Egjipt. Qëndro atje derisa të të çoj fjalë të kthehesh, sepse pas pak Herodi do ta kërkojë fëmijën që ta vrasë.» 14 Kështu ai u ngrit dhe natën mori me vete fëmijën me të ëmën e shkoi në Egjipt. 15 Ai qëndroi atje derisa vdiq Herodi. Kështu u përmbush ajo që kishte thënë Jehovai* nëpërmjet profetit: «Nga Egjipti e thirra tim bir.»+

16 Kur kuptoi se astrologët ia kishin hedhur, Herodi u tërbua fare. Pastaj dërgoi njerëz dhe urdhëroi që të vritnin gjithë djemtë në Betlehem dhe në tërë krahinën e tij, nga dy vjeç e poshtë, sipas kohës për të cilën i kishte pyetur astrologët me hollësi.+ 17 Kështu u përmbush ajo që ishte thënë nëpërmjet profetit Jeremia: 18 «Një zë dëgjohet në Ramah, të qara e shumë vaje. Është Rakela+ që qan fëmijët e saj dhe nuk pranon të ngushëllohet, sepse ata nuk janë më.»+

19 Pas vdekjes së Herodit, engjëlli i Jehovait* iu shfaq në ëndërr Jozefit+ në Egjipt 20 dhe i tha: «Ngrihu, merre fëmijën dhe nënën e tij dhe shko në vendin e Izraelit, sepse ata që kërkonin jetën* e fëmijës kanë vdekur.» 21 Kështu u ngrit, mori fëmijën dhe nënën e tij dhe hyri në vendin e Izraelit. 22 Por, kur dëgjoi se në Jude sundonte Arkelau në vend të të atit, Herodit, pati frikë të shkonte atje. Dhe, meqë në ëndërr ishte paralajmëruar nga Perëndia,+ u nis për në territorin e Galilesë+ 23 dhe shkoi të banonte në qytetin e Nazaretit,+ që të përmbushej ç’ishte thënë nëpërmjet profetëve: «Do të quhet nazareas.»*+

3 Me kalimin e kohës Gjon+ Pagëzori nisi të predikonte+ në shkretëtirën e Judesë 2 dhe thoshte: «Pendohuni, sepse Mbretëria e qiejve është afruar.»+ 3 Në të vërtetë, ky është ai për të cilin u tha nëpërmjet profetit Isaia:+ «Dëgjohet zëri i dikujt që thërret në shkretëtirë: ‘Përgatitni udhën për Jehovain!* Drejtojini rrugët për të!’»+ 4 Gjoni vishte një rrobë me lesh deveje, mbante në mes një brez lëkure+ dhe ushqehej me karkaleca e me mjaltë bletësh të egra.+ 5 Në atë kohë Jerusalemi, tërë Judea dhe gjithë vendi përreth Jordanit shkonin tek ai.+ 6 Ai i pagëzonte* njerëzit në lumin Jordan+ dhe ata i rrëfenin hapur mëkatet.

7 Kur vuri re se shumë farisenj dhe saducenj+ po vinin aty ku po pagëzonte, ai u tha: «Pjellë nepërkash,+ kush ju tha se mund t’ia mbathni nga zemërimi i furishëm që po vjen?!+ 8 Jepni, pra, fryte të denja për pendim! 9 Mos guxoni të thoni me vete: ‘Ne kemi atë Abrahamin’,+ sepse unë po ju them se Perëndia është në gjendje t’i japë Abrahamit fëmijë edhe nga këta gurë. 10 Sëpata është vënë tashmë në rrënjë të pemëve. Çdo pemë që nuk jep fryt të mirë, do të pritet e do të hidhet në zjarr.+ 11 Unë ju pagëzoj me ujë ngaqë jeni penduar,+ por ai që po vjen pas meje, është më i fortë se unë, dhe unë nuk jam i denjë as t’i heq sandalet.+ Ai do t’ju pagëzojë me frymë të shenjtë+ dhe me zjarr.+ 12 Ai ka në dorë terploten* dhe do ta pastrojë tërësisht lëmin* e vet. Do ta mbledhë grurin në depo, kurse bykun do ta djegë me një zjarr+ që nuk mund të shuhet.»

13 Në atë kohë Jezui shkoi nga Galilea në Jordan, te Gjoni, që ky ta pagëzonte.+ 14 Por Gjoni u përpoq ta pengonte dhe i tha: «Unë kam nevojë të më pagëzosh ti, kurse ti vjen tek unë?!» 15 Jezui iu përgjigj: «Le të ndodhë kështu këtë herë, sepse është e përshtatshme të përmbushim në këtë mënyrë gjithçka që është e drejtë.» Atëherë ai nuk e pengoi më. 16 Pasi u pagëzua, Jezui doli menjëherë nga uji, dhe ja, qiejt u hapën+ dhe ai* pa frymën e Perëndisë të zbriste mbi të* porsi një pëllumb.+ 17 Ja! U dëgjua edhe një zë nga qiejt,+ që tha: «Ky është Biri im,+ Biri im i dashur, që unë e kam miratuar.»+

4 Pastaj fryma e Perëndisë e çoi Jezuin në shkretëtirë, ku e tundoi+ Djalli.+ 2 Pasi agjëroi 40 ditë e 40 net, e mori uria. 3 Atëherë Tunduesi+ iu afrua dhe i tha: «Nëse je bir i Perëndisë, thuaju këtyre gurëve të bëhen bukë.» 4 Por ai iu përgjigj: «Është shkruar: ‘Njeriu s’duhet të jetojë vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Jehovait.’»*+

5 Pastaj Djalli e mori me vete në qytetin e shenjtë,+ e vuri te bedenat* e tempullit+ 6 dhe i tha: «Nëse je bir i Perëndisë, hidhu poshtë, sepse është shkruar: ‘Ai do t’u japë urdhër engjëjve të vet për ty’, dhe: ‘Ata do të të mbajnë në duar, që këmba jote të mos përplaset në asnjë gur.’»+ 7 Jezui ia ktheu: «Përsëri është shkruar: ‘Mos e vër në provë Jehovain,* Perëndinë tënd.’»+

8 Djalli e mori prapë me vete në një mal jashtëzakonisht të lartë, i tregoi të gjitha mbretëritë e botës me lavdinë e tyre+ 9 dhe i tha: «Të gjitha këto do të t’i jap nëse përkulesh me fytyrë përtokë para meje dhe më adhuron një herë.»* 10 Menjëherë Jezui iu përgjigj: «Ik tutje, Satana! Se është shkruar: ‘Jehovain,* Perëndinë tënd, adhuro+ dhe vetëm atij bëji shërbim të shenjtë.’»+ 11 Pas kësaj Djalli e la+ dhe ja, erdhën engjëj dhe nisën të kujdeseshin për të.*+

12 Tani, kur dëgjoi se Gjonin e kishin arrestuar,+ ai u kthye në Galile.+ 13 Përveç kësaj, pasi u largua nga Nazareti, shkoi të banonte në Kapernaum,+ pranë detit, në krahinat e Zabulonit dhe të Neftalit, 14 që të përmbushej ç’ishte thënë nëpërmjet profetit Isaia: 15 «O Galile e kombeve, tokë e Zabulonit dhe tokë e Neftalit, përgjatë rrugës së detit, përtej Jordanit! 16 Populli që dergjej në errësirë, pa një dritë të madhe, po, mbi ata që dergjeshin në vendin e hijes së vdekjes, lindi drita.»+ 17 Që nga ajo kohë Jezui nisi të predikonte e të thoshte: «Pendohuni, sepse Mbretëria e qiejve është afruar.»+

18 Kur po ecte përgjatë detit të Galilesë, pa dy vëllezër, Simonin, që quhet Pjetër,+ dhe Andrean, vëllanë e tij, që po hidhnin rrjetën në det, sepse ishin peshkatarë.+ 19 Ai u tha: «Ejani pas meje dhe unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzish.»+ 20 Ata i lanë menjëherë rrjetat dhe e ndoqën.+ 21 Më tutje pa dy vëllezër të tjerë, Jakovin, birin e Zebedeut, dhe Gjonin, vëllanë e tij.+ Ata ishin në varkë bashkë me Zebedeun, babanë e tyre, duke arnuar rrjetat, dhe ai i thirri.+ 22 Ata lanë menjëherë varkën e babanë, dhe e ndoqën.

23 Pastaj ai i ra përqark mbarë Galilesë+ duke mësuar në sinagogat+ e tyre, duke predikuar lajmin e mirë për Mbretërinë dhe duke shëruar çdo lloj lëngate e sëmundjeje në popull.+ 24 Lajmi për të u përhap në tërë Sirinë, dhe tek ai çonin të gjithë ata që vuanin nga sëmundje dhe dhembje të ndryshme,+ të pushtuarit nga demonët,+ epileptikët+ e të paralizuarit, dhe ai i shëronte. 25 Prandaj turma të mëdha e ndiqnin nga Galilea dhe Dekapoli,* nga Jerusalemi dhe Judea, si dhe nga zona përtej Jordanit.

5 Kur pa turmat, Jezui u ngjit në mal dhe, pasi u ul, dishepujt i shkuan pranë. 2 Atëherë ai nisi të fliste* dhe t’i mësonte:

3 «Lum ata që e kuptojnë se kanë nevojë për Perëndinë,*+ sepse atyre u përket Mbretëria e qiejve!

4 Lum ata që vajtojnë, sepse do të ngushëllohen!+

5 Lum ata që janë me natyrë të butë,*+ sepse do të trashëgojnë tokën!+

6 Lum ata që janë të uritur dhe të etur+ për drejtësinë, sepse do të ngopen!+

7 Lum të mëshirshmit,+ sepse do t’u tregohet mëshirë!

8 Lum ata që kanë zemër të pastër,+ sepse do të shohin Perëndinë!

9 Lum paqebërësit,*+ sepse do të quhen bij të Perëndisë!

10 Lum ata që përndiqen për hir të drejtësisë,+ sepse atyre u përket Mbretëria e qiejve!

11 Lum ju kur njerëzit ju poshtërojnë+ e ju përndjekin+ dhe thonë lloj-lloj gënjeshtrash të liga kundër jush për shkakun tim!+ 12 Gëzoni dhe ngazëlloni,+ se i madh është shpërblimi+ juaj në qiej, sepse kështu i përndoqën edhe profetët përpara jush.+

13 Ju jeni kripa+ e tokës. Mirëpo, nëse kripa e humb shijen, si do t’i kthehet kripësia? Nuk mund të përdoret më për asgjë, veçse për t’u hedhur përtokë+ që të shkelet me këmbë.

14 Ju jeni drita e botës.+ Një qytet nuk mund të fshihet nëse ndodhet në mal. 15 Një llambë nuk ndizet për t’u vënë nën shinik,* por për t’u vënë në mbajtësen e vet që të ndriçojë për gjithë ata që janë në shtëpi.+ 16 Po njësoj le të ndriçojë drita juaj para njerëzve,+ që të shohin veprat tuaja të shkëlqyera+ dhe t’i japin lavdi Atit tuaj që është në qiej.+

17 Mos mendoni se erdha të zhvlerësoj* Ligjin ose Profetët. Nuk erdha për të zhvlerësuar, por për të përmbushur.+ 18 Vërtet po ju them se më shpejt do të zhdukej qielli e toka, sesa të zhdukej pa u përmbushur qoftë edhe shkronja më e vogël ose një pjesëz shkronje nga Ligji.+ 19 Prandaj, kushdo që shkel një nga këto urdhërime, qoftë edhe më të voglin, dhe i mëson edhe të tjerët të bëjnë kështu, do të quhet i padenjë* për të hyrë në Mbretërinë e qiejve. Por, kushdo që i zbaton ato dhe ua mëson të tjerëve, do të quhet i denjë* për të hyrë në Mbretërinë e qiejve. 20 Vërtet po ju them se, nëse drejtësia juaj nuk qëndron më lart se ajo e skribëve dhe e farisenjve,+ nuk do të hyni kurrsesi në Mbretërinë e qiejve.+

21 Ju keni dëgjuar se të lashtëve u ishte thënë: ‘Mos vrit,+ dhe kushdo që kryen një vrasje, do të japë llogari para gjyqit.’+ 22 Megjithatë unë po ju them se kushdo që ushqen zemërim+ kundër vëllait të vet,* do të japë llogari para gjyqit. Kushdo që e fyen rëndë vëllanë e vet me fjalë të turpshme do të japë llogari para Gjykatës së Lartë dhe kushdo që thotë: ‘Njeri i marrë e i poshtër!’, rrezikon të dënohet në Gehenën*+ e zjarrtë.

23 Nëse ti, pra, po sjell flijimin* tënd në altar+ dhe atje kujtohesh se vëllai yt ka diçka kundër teje, 24 lëre flijimin atje para altarit dhe ik. Bëj më parë paqe me vëllanë tënd e pastaj kthehu dhe paraqit flijimin.+

25 Rregulloji shpejt punët me kundërshtarin tënd sa je ende rrugës me të për në gjyq, që ai të mos të dorëzojë te gjykatësi dhe gjykatësi te nëpunësi i gjyqit, e kështu të futesh në burg.+ 26 Me të vërtetë po të them se nuk ke për të dalë që andej pa paguar edhe monedhën e fundit.*

27 Ju keni dëgjuar se është thënë: ‘Mos kryej kurorëshkelje.’*+ 28 Por unë po ju them se kushdo që vazhdon ta shikojë një grua+ aq sa ta dëshirojë, tashmë ka kryer kurorëshkelje me të në zemër.+ 29 Nëse syri i djathtë po të bëhet pengesë,* hiqe dhe flake tej,+ sepse është më mirë të humbasësh një nga gjymtyrët, sesa të hidhet në Gehenë* i gjithë trupi.+ 30 Gjithashtu, nëse dora e djathtë po të bëhet pengesë, prite dhe flake tej,+ sepse është më mirë të humbasësh një nga gjymtyrët, sesa të përfundojë në Gehenë* i gjithë trupi.+

31 Veç kësaj është thënë: ‘Kushdo që e divorcon gruan, le t’i japë asaj një certifikatë divorci.’+ 32 Megjithatë unë po ju them se ai që e divorcon gruan, përveç rastit kur ajo kryen imoralitet seksual,* e vë atë në rrezik që të kryejë kurorëshkelje, dhe kushdo që martohet me një grua të divorcuar,* kryen kurorëshkelje.+

33 Përsëri, ju keni dëgjuar se të lashtëve u ishte thënë: ‘Mos u beto më kot,+ por mbaji zotimet që ke marrë para Jehovait.’*+ 34 Megjithatë unë po ju them: mos u beto fare+ as për qiellin, sepse është froni i Perëndisë, 35 as për tokën, sepse është stoli i këmbëve të tij+ dhe as për Jerusalemin, sepse është qyteti i Mbretit të madh.+ 36 Mos u beto as për kokën tënde, sepse s’e bën dot të bardhë a të zezë qoftë edhe një fije floku. 37 Mjafton të thuash «po» e të jetë «po», dhe «jo» e të jetë «jo»,+ sepse çdo gjë që thuhet përtej këtyre, vjen nga i Ligu.+

38 Ju keni dëgjuar se është thënë: ‘Sy për sy e dhëmb për dhëmb.’+ 39 Megjithatë unë po ju them: mos ia kthe flakë për flakë njeriut të lig, por atij që të jep një shuplakë në faqen e djathtë, ktheji edhe tjetrën.+ 40 Dhe, nëse dikush do që të të hedhë në gjyq e të marrë veshjen tënde,* jepi edhe mantelin.*+ 41 Gjithashtu, nëse dikush me autoritet të detyron të ecësh* me të një kilometër,* shko me të dy kilometra. 42 Jepi atij që të kërkon ndihmë dhe mos i kthe krahët atij që të kërkon borxh.*+

43 Ju keni dëgjuar se është thënë: ‘Duaje të afërmin tënd*+ dhe urreje armikun.’ 44 Megjithatë unë po ju them: vazhdoni të doni armiqtë tuaj+ e të luteni për ata që ju përndjekin,+ 45 që të tregoni se jeni bij të Atit tuaj që është në qiej,+ sepse falë tij dielli lind mbi të ligjtë e mbi të mirët dhe shiu bie mbi të drejtët e mbi të padrejtët.+ 46 E nëse doni vetëm ata që ju duan, çfarë shpërblimi meritoni?+ A nuk bëjnë njësoj edhe taksambledhësit? 47 Nëse përshëndetni vetëm vëllezërit tuaj, ç’gjë të jashtëzakonshme po bëni? A nuk bëjnë njësoj edhe njerëzit nga kombet e tjera? 48 Prandaj jini të përsosur,* ashtu si është i përsosur Ati juaj qiellor.+

6 Kini kujdes që të mos bëni vepra të drejta vetëm për të rënë në sy të njerëzve,+ përndryshe nuk do të merrni asnjë shpërblim nga Ati juaj që është në qiej. 2 Prandaj, kur t’u japësh dhurata të varfërve,* mos i bjer trumbetës si bëjnë hipokritët në sinagoga dhe në rrugë, që të marrin lavdi nga njerëzit. Vërtet po ju them: ata e kanë marrë tashmë të plotë shpërblimin e tyre. 3 Por, kur t’u japësh dhurata të varfërve, dora e majtë të mos e dijë ç’po bën e djathta, 4 që dhuratën ta japësh në fshehtësi. Atëherë Ati yt që sheh në fshehtësi, do të të shpërblejë.+

5 Gjithashtu, kur të luteni, mos jini si hipokritët,+ sepse atyre u pëlqen të luten në këmbë në sinagoga dhe në kryqëzimet e rrugëve kryesore, që njerëzit t’i shohin.+ Vërtet po ju them: ata e kanë marrë tashmë të plotë shpërblimin e tyre. 6 Por, kur të lutesh, hyr në dhomën tënde dhe, pasi të kesh mbyllur derën, lutju Atit tënd që është në fshehtësi.+ Atëherë Ati yt që sheh në fshehtësi, do të të shpërblejë. 7 Kur të lutesh, mos përsërit gjithnjë të njëjtat gjëra, si bëjnë njerëzit nga kombet e tjera, të cilët kujtojnë se do të dëgjohen ngaqë përdorin shumë fjalë. 8 Mos jini si ata, sepse Ati juaj e di për çfarë keni nevojë,+ madje përpara se t’ia kërkoni.

9 Ju lutuni në këtë mënyrë:+

‘Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë*+ emri yt!+ 10 Ardhtë Mbretëria jote!+ U bëftë vullneti yt,+ si në qiell, edhe në tokë!+ 11 Na e jep bukën për këtë ditë+ 12 dhe na i fal mëkatet,* sikurse edhe ne i kemi falur ata që kanë mëkatuar kundër nesh.*+ 13 E mos lejo të biem* në tundim,+ por na çliro* nga i Ligu.’+

14 Se po t’ua falni njerëzve shkeljet,* edhe Ati juaj qiellor do t’ju falë ju,+ 15 por, po të mos ua falni njerëzve shkeljet, as Ati juaj qiellor nuk do t’i falë shkeljet tuaja.+

16 Kur të agjëroni,+ mos e ngrysni më fytyrën si hipokritët, sepse ata shfytyrohen* që njerëzit t’i shohin se po agjërojnë.+ Vërtet po ju them: ata e kanë marrë tashmë të plotë shpërblimin e tyre. 17 Por, kur të agjërosh, lyeje kokën me vaj dhe laje fytyrën, 18 që të mos të shohin njerëzit se po agjëron, por vetëm Ati yt që është në fshehtësi. Atëherë Ati yt që po sheh në fshehtësi, do të të shpërblejë.

19 Mos grumbulloni më thesare në tokë,+ ku brejnë mola dhe ndryshku, dhe ku hajdutët hyjnë e vjedhin. 20 Më mirë grumbulloni thesare në qiell,+ ku nuk bren as mola, as ndryshku,+ dhe ku hajdutët nuk hyjnë e nuk vjedhin, 21 sepse ku të jetë thesari yt, atje do të jetë edhe zemra jote.

22 Llamba e trupit është syri.+ Prandaj, nëse syri yt është i përqendruar,* gjithë trupi do të jetë i ndriçuar,* 23 por, nëse syri yt është lakmitar,*+ gjithë trupi do të jetë i errët. Në të vërtetë, nëse drita jote kthehet në errësirë, ah, sa e madhe do të jetë kjo errësirë!

24 Askush s’mund të jetë skllav i dy zotërinjve: ose do të urrejë njërin e do të dojë tjetrin,+ ose do të qëndrojë besnik ndaj njërit e do të përçmojë tjetrin. Ju s’mund të jeni skllevër edhe të Perëndisë, edhe të Pasurisë.+

25 Për këtë arsye po ju them: mos jini më në ankth+ për jetën* tuaj, se ç’do të hani ose ç’do të pini, as për trupin tuaj, se ç’do të vishni.+ A nuk ka më shumë vlerë jeta* se ushqimi, dhe trupi më shumë se veshja?+ 26 Vështroni me kujdes zogjtë e qiellit:+ ata nuk mbjellin, nuk korrin dhe nuk mbledhin në depo, e megjithatë Ati juaj qiellor i ushqen. A nuk vleni ju më shumë se ata? 27 Kush nga ju, duke qenë në ankth, mund t’i shtojë qoftë edhe një çast* jetës së vet?+ 28 Gjithashtu, pse jeni në ankth për veshjen? Shihni si rriten zambakët e fushës dhe mësoni prej tyre. Ata as robtohen, as tjerrin, 29 e megjithatë unë po ju them se as Solomoni,+ me gjithë madhështinë e tij, nuk ishte i veshur si një prej tyre. 30 Tani, nëse Perëndia i vesh kështu bimët e fushës, që sot janë e nesër hidhen në zjarr,* a nuk do t’ju veshë shumë më tepër ju, ju që keni kaq pak besim?! 31 Prandaj mos jini kurrë në ankth+ e mos thoni: ‘Ç’do të hamë?’ ose ‘Ç’do të pimë?’ ose ‘Çfarë do të veshim?’,+ 32 sepse të gjitha këto i kërkon me etje bota,* por Ati juaj qiellor e di mirë se ju keni nevojë për të gjitha këto gjëra.

33 Vazhdoni, pra, të kërkoni në radhë të parë Mbretërinë dhe drejtësinë e Perëndisë, dhe të gjitha këto gjëra do t’ju shtohen.+ 34 Prandaj mos jini kurrë në ankth për të nesërmen,+ sepse e nesërmja do të ketë ankthet e veta. Secilës ditë i mjaftojnë hallet e veta.

7 Mos gjykoni më,+ që të mos gjykoheni, 2 sepse do t’ju gjykojnë me po atë gjykim që gjykoni,+ dhe do t’ju matin me po atë masë që matni.+ 3 Pse, atëherë, shikon lëmishten në syrin e vëllait dhe nuk vëren traun në syrin tënd?+ 4 Si mund t’i thuash vëllait: ‘Prit pak të të heq lëmishten nga syri’, kur për vete ke një tra në sy? 5 Hipokrit! Hiq më parë traun nga syri yt, e pastaj do të shohësh qartë si të heqësh lëmishten nga syri i vëllait.

6 Mos u jepni qenve atë që është e shenjtë, as margaritarët tuaj mos ua hidhni derrave,+ që të mos i shkelin me këmbë dhe të kthehen e t’ju shqyejnë.

7 Vazhdoni të kërkoni dhe do t’ju jepet,+ vazhdoni të kërkoni me ngulm dhe do të gjeni, vazhdoni të trokitni dhe do t’ju hapet;+ 8 sepse kush kërkon, merr,+ kush kërkon me ngulm, gjen dhe atij që troket, do t’i hapet. 9 Në të vërtetë, kush nga ju, kur i biri t’i kërkojë bukë, do t’i japë një gur?! 10 Apo nëse i kërkon një peshk, mos do t’i japë një gjarpër?! 11 Prandaj, nëse ju, edhe pse mëkatarë,* dini t’u jepni fëmijëve tuaj dhurata të mira, aq më shumë Ati juaj që është në qiej, do t’u japë gjëra të mira+ atyre që ia kërkojnë.+

12 Gjithçka që dëshironi të bëjnë të tjerët për ju, bëjeni edhe ju për ta,+ sepse kjo është domethënia e Ligjit dhe e Profetëve.+

13 Hyni nga porta e ngushtë,+ sepse e gjerë është porta dhe e lehtë* është rruga që të çon në shkatërrim, dhe shumë hyjnë nga ajo. 14 Por e ngushtë është porta dhe e vështirë* rruga që të çon në jetë, dhe pak e gjejnë atë.+

15 Ruhuni nga profetët e rremë,+ që vijnë te ju të veshur si dele,+ por përbrenda janë ujqër të pangopur.+ 16 Do t’i njihni ata nga frytet e tyre. A vilet vallë rrush nga ferrat ose fiq nga gjembaçët?!+ 17 Po njësoj, çdo pemë e mirë prodhon fryt të mirë, kurse çdo pemë e kalbur prodhon fryt të keq.+ 18 Një pemë e mirë nuk mund të japë fryt të keq, dhe as një pemë e kalbur nuk mund të prodhojë fryt të mirë.+ 19 Çdo pemë që nuk prodhon fryt të mirë, pritet dhe hidhet në zjarr.+ 20 Prandaj do t’i njihni ata njerëz nga frytet e tyre.+

21 Jo kushdo që më thotë: ‘Zotëri, Zotëri’ do të hyjë në Mbretërinë e qiejve, por do të hyjë vetëm ai që bën vullnetin e Atit tim që është në qiej.+ 22 Shumë do të më thonë atë ditë: ‘Zotëri, Zotëri,+ a nuk profetizuam ne në emrin tënd, a nuk dëbuam demonë në emrin tënd dhe a nuk kryem shumë vepra të fuqishme në emrin tënd?’+ 23 E megjithatë unë do t’u them: ‘Kurrë nuk ju kam njohur. Largohuni nga unë, ju që bëni vepra të paligjshme!’*+

24 Prandaj, kushdo që i dëgjon këto fjalë të mia dhe i zbaton, është si një njeri i mençur,* i cili e ndërtoi shtëpinë e vet në shkëmb.+ 25 Ra shiu, erdhën përmbytjet, frynë erërat dhe u përplasën me forcë pas shtëpisë, por ajo s’u shemb, sepse e kishte themelin në shkëmb. 26 Por, kushdo që i dëgjon këto fjalë të mia dhe nuk i zbaton, është si një njeri mendjelehtë, i cili e ndërtoi shtëpinë e vet në rërë.+ 27 Ra shiu, erdhën përmbytjet, frynë erërat dhe e goditën shtëpinë,+ dhe ajo u shemb dhe u shkatërrua e tëra.»

28 Kur Jezui i mbaroi këto fjalë, turma mbeti e mahnitur nga mënyra si mësonte,+ 29 sepse ai mësonte si njeri me autoritet+ dhe jo si skribët e tyre.

8 Pasi zbriti nga mali, e ndoqën turma të mëdha. 2 Kur ja, një i lebrosur iu afrua dhe nisi t’i bënte nderime* e t’i thoshte: «Zotëri, po të duash, ti mund të më pastrosh.»+ 3 Kështu ai zgjati dorën, e preku dhe i tha: «Po, dua! Pastrohu.»+ Menjëherë ai u pastrua nga lebra.+ 4 Pastaj Jezui vazhdoi: «Shiko se mos i tregon njeriu!+ Por shko, paraqitu te prifti+ dhe jep blatimin* e caktuar nga Moisiu,+ si dëshmi* që je shëruar.»

5 Kur hyri në Kapernaum, iu afrua një centurion,* i cili iu përgjërua+ 6 me këto fjalë: «Imzot, shërbëtori im dergjet në shtëpi i paralizuar dhe po vuan tmerrësisht.» 7 Ai iu përgjigj: «Kur të vij atje, do ta shëroj.» 8 Por centurioni ia ktheu: «Imzot, unë nuk jam i denjë që ti të hysh nën çatinë time. Por ti thuaj veç një fjalë dhe shërbëtori im do të shërohet, 9 sepse edhe unë, ndonëse jam nën autoritetin e dikujt, kam ushtarë që janë nën urdhrat e mi. Njërit i them: ‘Shko’, dhe ai shkon. Tjetrit i them: ‘Hajde’, dhe ai vjen. Edhe skllavit tim i them: ‘Bëje këtë’, dhe ai e bën.» 10 Kur dëgjoi këtë, Jezui u mahnit dhe u tha atyre që e ndiqnin: «Vërtet po ju them se tek askush në Izrael nuk kam gjetur një besim kaq të madh.+ 11 Megjithatë, unë po ju them se shumë veta do të vijnë nga lindja dhe nga perëndimi, e do të shtrohen në tryezë me Abrahamin, Isakun dhe Jakobin në Mbretërinë e qiejve,+ 12 kurse bijtë e Mbretërisë do t’i flakin jashtë në errësirë. Atje do të qajnë dhe do të kërcëllijnë dhëmbët.»+ 13 Atëherë Jezui i tha centurionit: «Shko dhe u bëftë ashtu si besove!»+ Në atë çast shërbëtori u shërua.+

14 Pastaj, kur Jezui hyri në shtëpinë e Pjetrit, pa që vjehrra e tij+ dergjej në shtrat me ethe.+ 15 Kështu ai i preku dorën,+ dhe atë e lanë ethet; ajo u ngrit dhe nisi t’i shërbente. 16 Por, kur ra mbrëmja, njerëzit i çuan shumë veta të pushtuar nga demonët. Ai i dëboi frymërat e liga* veç me një fjalë dhe i shëroi të gjithë ata që vuanin, 17 që të përmbusheshin fjalët e thëna nga profeti Isaia: «Ai mori mbi vete sëmundjet tona dhe mbajti lëngatat tona.»+

18 Kur pa që turma po dyndej rreth tij, Jezui u tha dishepujve të shkonin me të në anën tjetër të detit.+ 19 Por një skrib iu afrua dhe i tha: «Mësues, unë do të vij pas teje kudo që të shkosh.»+ 20 Megjithatë Jezui i tha: «Dhelprat kanë strofka dhe zogjtë e qiellit kanë fole, kurse Biri i njeriut s’ka ku të mbështetë kokën.»+ 21 Pastaj një dishepull tjetër i tha: «Zotëri, më lejo më parë të iki e të varros tim atë.»+ 22 Jezui iu përgjigj: «Vazhdo të më ndjekësh dhe lëri të vdekurit të varrosin të vdekurit.»+

23 Më pas ai bashkë me dishepujt hipën në një varkë.+ 24 Kur ja, në det filloi një stuhi e madhe, aq sa varka po mbulohej nga dallgët, por ai po flinte.+ 25 Ata iu afruan, e zgjuan dhe i thanë: «Zotëri, na shpëto se morëm fund!» 26 Por ai u tha: «Pse keni frikë?* Kaq pak besim keni?»+ Pastaj u ngrit, qortoi erërat e detin, dhe u bë qetësi e madhe.+ 27 Prandaj ata u mahnitën dhe thanë: «Ç’njeri është ky që i binden edhe erërat, edhe deti?!»

28 Kur mbërriti në anën tjetër, në rajonin e gadarenëve, i dolën para dy burra të pushtuar nga demonët, të cilët po vinin nga varrezat.*+ Ata ishin jashtëzakonisht të egër, aq sa askush nuk guxonte të kalonte në atë rrugë. 29 Ata bërtisnin dhe thoshin: «Ç’punë ke me ne, o Bir i Perëndisë?+ Mos ke ardhur këtu të na mundosh+ para kohe?»+ 30 Shumë larg tyre po kulloste një tufë e madhe derrash.+ 31 Kështu demonët nisën t’i përgjëroheshin: «Nëse na dëbon, na dërgo që të futemi në tufën e derrave.»+ 32 Atëherë ai u tha: «Shkoni!» Prandaj ata dolën, u futën te derrat dhe ja, gjithë tufa u turr drejt greminës,* ra në det dhe ngordhi në ujë. 33 Kurse çobanët ia mbathën, shkuan në qytet dhe treguan çdo gjë, edhe atë që ndodhi me burrat e pushtuar nga demonët. 34 Dhe ja, i gjithë qyteti i doli përpara Jezuit. Kur e panë, iu lutën me ngulm që të largohej nga rajoni i tyre.+

9 Atëherë ai hipi në varkë, kaloi në bregun matanë dhe shkoi në qytetin e vet.+ 2 Dhe ja, po i sillnin një të paralizuar, të shtrirë në vig.* Kur pa besimin e tyre, Jezui i tha të paralizuarit: «Merr zemër, bir! Mëkatet e tua janë falur.»+ 3 Por disa nga skribët thanë me vete: «Ky po blasfemon.»* 4 Duke i ditur mendimet e tyre, Jezui tha: «Pse keni në zemër mendime kaq të liga?+ 5 Çfarë është më e lehtë të thuash: ‘Mëkatet e tua janë falur’, apo: ‘Ngrihu dhe ec.’+ 6 Megjithatë, që ta dini se Biri i njeriut ka autoritet në tokë të falë mëkatet . . .», atëherë ai i tha të paralizuarit: «Ngrihu, merr vigun dhe shko në shtëpi.»+ 7 Dhe ky u ngrit e iku në shtëpi. 8 Kur pa këtë, turma mbeti gojëhapur dhe i dha lavdi Perëndisë, i cili u dha njerëzve një autoritet të tillë.

9 Pastaj Jezui vuri re pak më tutje një njeri që quhej Mate, të ulur në zyrën e taksave, dhe i tha: «Bëhu dishepulli im.»* Ai u çua menjëherë dhe e ndoqi.+ 10 Më vonë, kur Jezui dhe dishepujt po hanin* në shtëpinë e Mateut, erdhën shumë taksambledhës e mëkatarë dhe nisën të hanin* me ta.+ 11 Me të parë këtë, farisenjtë i pyetën dishepujt: «Pse mësuesi juaj ha me taksambledhësit dhe mëkatarët?»+ 12 Kur e dëgjoi këtë, ai u tha: «Të shëndetshmit nuk kanë nevojë për mjek, kurse të sëmurët, po.+ 13 Shkoni dhe mësoni ç’do të thotë: ‘Unë dua mëshirë dhe jo flijime’,+ sepse nuk erdha të thërras të drejtët, por mëkatarët.»

14 Pastaj dishepujt e Gjonit erdhën tek ai dhe e pyetën: «Pse ne dhe farisenjtë e kemi zakon të agjërojmë, kurse dishepujt e tu nuk agjërojnë?»+ 15 Atëherë Jezui iu përgjigj: «Miqtë e dhëndrit s’kanë pse të vajtojnë për sa kohë dhëndri+ është me ta, apo jo? Por do të vijnë ditët kur do t’ua marrin dhëndrin,+ dhe atëherë do të agjërojnë. 16 Askush nuk e arnon një rrobë të vjetër me një copë të re,* sepse copa e re futet në ujë dhe mblidhet, e kështu rroba griset edhe më keq.+ 17 As vera e re nuk hidhet në kacekë të vjetër, përndryshe ata çahen, vera derdhet dhe kacekët prishen. Por vera e re hidhet në kacekë të rinj, dhe kështu ruhen që të dy.»

18 Ndërsa u thoshte këto gjëra, një nga krerët që ishte afruar, nisi t’i bënte nderime* dhe i tha: «Tashmë me siguri vajza ime ka vdekur, por megjithatë eja, vëre dorën mbi të,* dhe ajo do të kthehet në jetë.»+

19 Atëherë Jezui u ngrit dhe e ndoqi bashkë me dishepujt e tij. 20 Kur ja, një grua që kishte rrjedhje gjaku+ nga 12 vjet, iu afrua nga prapa dhe i preku thekët e rrobës,+ 21 sepse thoshte me vete: «Sikur vetëm rrobën t’i prek, do të shërohem.» 22 Jezui u kthye, e pa dhe i tha: «Merr zemër, bijë! Besimi yt të shëroi.»+ Dhe që nga ai çast gruaja u shërua.+

23 Tani, kur hyri në shtëpinë e kreut dhe vuri re fyelltarët dhe turmën që gumëzhinte,+ 24 Jezui tha: «Largohuni që këtej, sepse vogëlushja nuk ka vdekur, por po fle.»+ Atëherë ata nisën të qeshnin me të dhe ta tallnin. 25 Pastaj, sapo e nxorën turmën jashtë, ai hyri, e kapi për dore vogëlushen,+ dhe ajo u ngrit.+ 26 Natyrisht, fjala për këtë u përhap në të gjithë zonën.

27 Ndërsa Jezui po largohej prej andej, dy të verbër+ e ndoqën nga pas duke thirrur: «Bir i Davidit, ki mëshirë për ne!» 28 Kur mbërriti në shtëpi, të verbrit vajtën tek ai dhe Jezui i pyeti: «A keni besim se unë mund t’ju shëroj?»+ Ata iu përgjigjën: «Po, Zotëri.» 29 Atëherë ai u preku sytë+ dhe u tha: «U bëftë sipas besimit tuaj!» 30 Dhe sytë e tyre u hapën. Pastaj Jezui i urdhëroi prerazi: «Shikoni se mos e merr vesh njeri!»+ 31 Por, pasi dolën, ata treguan për të në gjithë zonën.

32 Kur ata po iknin, i sollën një njeri të pagojë, të pushtuar nga një demon,+ 33 dhe pasi demoni u dëbua, i pagoji foli.+ Turma u mahnit dhe tha: «Kurrë s’është parë në Izrael një gjë e tillë!»+ 34 Kurse farisenjtë po thoshin: «Ai i dëbon demonët me anë të sundimtarit të demonëve.»+

35 Tani, Jezui nisi një udhëtim nëpër të gjitha qytetet dhe fshatrat, që të mësonte në sinagogat e tyre, të predikonte lajmin e mirë për Mbretërinë dhe të shëronte çdo lloj lëngate e sëmundjeje.+ 36 Kur pa turmat, ai u prek thellë,*+ sepse ishin të keqtrajtuara* e të hallakatura si dele pa bari.+ 37 Atëherë u tha dishepujve: «Po, të korrat janë të mëdha, por punëtorët janë pak.+ 38 Prandaj përgjërojuni Zotërisë së të korrave, që të dërgojë punëtorë në të korrat e tij.»+

10 Atëherë ai i thirri të 12 dishepujt dhe u dha autoritet që të dëbonin frymërat e ndyra*+ dhe të shëronin çdo lloj lëngate e sëmundjeje.

2 Emrat e 12 apostujve janë:+ i pari, Simoni, që e thërritnin Pjetër,+ dhe Andrea,+ i vëllai; Jakovi, biri i Zebedeut, dhe Gjoni,+ i vëllai; 3 Filipi dhe Bartolomeu;+ Thomai+ dhe Mateu,+ taksambledhësi; Jakovi, biri i Alfeut, dhe Tadeu; 4 Simon i Zellshmi;* dhe Judë Iskarioti, i cili më vonë e tradhtoi Jezuin.+

5 Këta të 12-të Jezui i nisi me këto udhëzime:+ «Mos shkoni te njerëzit e kombeve të tjera dhe mos hyni në asnjë qytet samaritan,+ 6 por shkoni vazhdimisht te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit.+ 7 Teksa shkoni, predikoni: ‘Mbretëria e qiejve është afruar.’+ 8 Shëroni të sëmurët,+ ringjallni të vdekurit, pastroni të lebrosurit, dëboni demonët. Falas morët, falas jepni. 9 Mos merrni me vete as ar, as argjend dhe as bakër në brez,*+ 10 as trastë buke, as dy palë veshje,* as sandale, as shkop,+ sepse punëtori e meriton ushqimin e vet.+

11 Në cilindo qytet ose fshat që të hyni, kërkoni atë që është i denjë për mesazhin dhe qëndroni atje derisa të ikni.+ 12 Kur të hyni në ndonjë shtëpi, përshëndetini ata të shtëpisë, 13 dhe nëse shtëpia është e denjë për mesazhin, paqja që i uroni, le të bjerë mbi të,+ por nëse nuk është e denjë, paqja juaj le të kthehet te ju. 14 Atje ku nuk ju pranojnë ose nuk i dëgjojnë fjalët tuaja, me të dalë nga ajo shtëpi ose nga ai qytet, shkundni pluhurin nga këmbët.+ 15 Vërtet po ju them: Sodoma dhe Gomorra+ do ta kenë më të lehtë Ditën e Gjykimit se ai qytet.

16 Ja, po ju dërgoj si dele mes ujqërve. Prandaj jini të kujdesshëm* si gjarpërinjtë, e megjithatë të pafaj si pëllumbat.+ 17 Kini kujdes, sepse njerëzit do t’ju dorëzojnë në gjykata+ dhe do t’ju fshikullojnë+ nëpër sinagoga.+ 18 Për shkakun tim do t’ju nxjerrin përpara guvernatorëve e mbretërve,+ që të jepni dëshmi para tyre dhe kombeve.+ 19 Megjithatë, kur t’ju dorëzojnë, mos jini në ankth si do të flitni ose ç’do të thoni, pasi fjalët që do të thoni, do t’ju tregohen në atë çast,+ 20 sepse nuk do të jeni ju që do të flitni, por do të jetë fryma e Atit tuaj që do të flasë nëpërmjet jush.+ 21 Vëllai do të dorëzojë vëllanë që ta vrasin, babai fëmijën, dhe fëmijët do të ngrihen kundër prindërve e do të bëhen shkaktarët e vdekjes së tyre.+ 22 Për shkak të emrit tim, të gjithë do t’ju urrejnë,+ por ai që qëndron* deri në fund, do të shpëtojë.+ 23 Kur t’ju përndjekin në një qytet, ikni te një tjetër,+ sepse vërtet po ju them: kurrsesi nuk do ta përfundoni predikimin në tërë qytetet e Izraelit,* derisa të mbërrijë Biri i njeriut.

24 Nxënësi nuk është më i madh se mësuesi, as skllavi se zotëria.+ 25 Nxënësin nuk do ta trajtojnë më mirë se mësuesin dhe skllavin më mirë se zotërinë.*+ Nëse njerëzit e quajtën Belzebub*+ të zotin e shtëpisë, aq më shumë do t’i quajnë kështu ata të shtëpisë së tij. 26 Prandaj mos kini frikë prej tyre, sepse nuk ka asgjë të mbuluar që nuk do të dalë në dritë dhe asgjë të fshehur që nuk do të merret vesh.+ 27 Atë që jua them në errësirë, thuajeni në dritë, dhe atë që dëgjoni të pëshpëritet, predikojeni nga tarracat.+ 28 Mos u frikësoni nga ata që vrasin trupin, por që s’mund të vrasin shpirtin,*+ por kini frikë nga ai që mund të shkatërrojë edhe shpirtin, edhe trupin në Gehenë.*+ 29 A nuk shiten dy harabela për një monedhë të vogël?* E megjithatë, asnjë prej tyre nuk bie përtokë pa dijeninë e Atit tuaj.+ 30 Madje edhe fijet e flokëve tuaj janë të gjitha të numëruara. 31 Prandaj mos kini frikë: ju vleni më tepër se shumë harabela.+

32 Këdo që më pranon para njerëzve,+ edhe unë do ta pranoj para Atit tim që është në qiej.+ 33 Por këdo që më mohon para njerëzve, edhe unë do ta mohoj para Atit tim që është në qiej.+ 34 Mos mendoni se erdha të sjell paqen në tokë; nuk erdha të sjell paqen, por shpatën,+ 35 sepse erdha të shkaktoj përçarje: djali kundër babait, vajza kundër nënës dhe nusja kundër së vjehrrës.+ 36 Në të vërtetë, armiqtë e njeriut do të jenë njerëzit e shtëpisë së vet. 37 Ai që ka më shumë për zemër babanë ose nënën sesa mua, nuk është i denjë për mua, dhe ai që ka më shumë për zemër djalin ose vajzën sesa mua, nuk është i denjë për mua.+ 38 Dhe kushdo që nuk e pranon shtyllën e vet të torturës* e nuk vjen pas meje, nuk është i denjë për mua.+ 39 Ai që përpiqet ta shpëtojë jetën* e vet, do ta humbasë, kurse ai që e humbet jetën* për hirin tim, do ta shpëtojë.+

40 Ai që ju pranon ju, më pranon edhe mua, dhe ai që më pranon mua, pranon edhe Atë që më dërgoi.+ 41 Ai që pranon një profet, ngaqë është profet, do të marrë shpërblimin që i takon një profeti,+ dhe ai që pranon një të drejtë, ngaqë është i drejtë, do të marrë shpërblimin që i takon një të drejti. 42 Vërtet po ju them se ai që i jep për të pirë sikur edhe vetëm një gotë ujë të ftohtë njërit prej këtyre të vegjëlve* ngaqë është dishepull, s’do ta humbasë kurrsesi shpërblimin e tij.»+

11 Pasi u dha udhëzimet 12 dishepujve, Jezui u largua që andej, që të mësonte dhe të predikonte në qytetet përreth.*+

2 Kurse Gjoni, ngaqë kishte dëgjuar në burg+ për veprat e Krishtit, dërgoi dy nga dishepujt e vet+ 3 që ta pyetnin: «A je ti ‘ai që duhet të vijë’, apo duhet të presim një tjetër?»+ 4 Jezui iu përgjigj: «Shkoni dhe tregojini Gjonit çfarë po dëgjoni dhe shikoni:+ 5 të verbrit tani po shohin,+ të çalët po ecin, të lebrosurit+ po pastrohen, të shurdhrit po dëgjojnë, të vdekurit po ringjallen dhe të varfërve po u shpallet lajmi i mirë.+ 6 Lum ai që nuk gjen arsye të dyshojë për mua!»*+

7 Ndërsa ishin rrugës, Jezui nisi ta pyeste turmën për Gjonin: «Çfarë donit të shihnit kur dolët në shkretëtirë?+ Një kallam që tundet nga era?+ 8 Çfarë donit të shihnit, pra? Një njeri të veshur me rroba cilësore?* Ata që vishen me rroba cilësore, banojnë në pallate mbretërore. 9 Vërtet, çfarë donit të shihnit? Një profet? E pra, unë po ju them se ai është shumë më tepër se një profet.+ 10 Është ai për të cilin është shkruar: ‘Ja, unë po dërgoj përpara teje lajmëtarin tim, i cili do të të përgatitë udhën!’+ 11 Me të vërtetë po ju them: ndër ata që kanë lindur nga gratë, s’ka dalë asnjë më i madh se Gjon Pagëzori, e megjithatë, ai që është i vogël në Mbretërinë e qiejve, është më i madh se ai.+ 12 Që nga ditët e Gjon Pagëzorit e deri tani, Mbretëria e qiejve është synimi drejt të cilit njerëzit sulen me zjarr, dhe ata që ngulmojnë, e arrijnë.*+ 13 Faktikisht të gjithë, Profetët dhe Ligji, profetizuan deri te Gjoni+ 14 dhe, doni apo s’doni ju, ai është ‘Elija që duhet të vijë’.+ 15 Ai që ka veshë, le të dëgjojë.

16 Me kë ta krahasoj këtë brez?+ Ngjan me fëmijët që rrinë ulur në sheshet e pazareve dhe u thonë shokëve të lojës: 17 ‘I ramë fyellit për ju, por ju nuk kërcyet; vajtuam, por ju nuk u hidhëruat.’* 18 Po kështu erdhi Gjoni që nuk ha e nuk pi, e megjithatë njerëzit thonë: ‘Ai ka një demon.’ 19 Erdhi Biri i njeriut që ha e pi,+ dhe prapëseprapë njerëzit thonë: ‘Ja, një grykës i dhënë pas verës, mik i taksambledhësve dhe i mëkatarëve.’+ Gjithsesi, mençuria del e drejtë* nga veprat.»*+

20 Pastaj nisi të qortonte qytetet ku kishte bërë pjesën më të madhe të veprave të tij të fuqishme, sepse ato nuk u penduan: 21 «Mjerë ti, o Korazin dhe ti, o Betsaidë! Se po të ishin bërë në Tir dhe në Sidon veprat e fuqishme që u bënë te ju, ata do të ishin penduar kohë më parë, do të ishin veshur me copë thesi* dhe do të ishin mbuluar me hi.+ 22 Prandaj po ju them: Tiri dhe Sidoni do ta kenë më të lehtë se ju Ditën e Gjykimit.+ 23 Po ti, o Kapernaum,+ mos do të lartësohesh deri në qiell? Në Varr* do të shkosh,+ sepse po të ishin bërë në Sodomë veprat e fuqishme që u bënë te ti, ajo do të ishte edhe sot e kësaj dite. 24 Prandaj po të them: Sodoma do ta ketë më të lehtë se ti Ditën e Gjykimit.»+

25 Atëherë Jezui tha: «Unë të lëvdoj përpara të gjithëve, o Atë, Zotëri i qiellit dhe i tokës, sepse ua ke fshehur këto gjëra të mençurve e intelektualëve dhe ua ke bërë të njohura fëmijëve të vegjël.*+ 26 Po, o Atë, sepse kështu të pëlqeu.» 27 Gjithashtu tha: «Ati im më ka dhënë gjithçka.+ Askush s’e njeh plotësisht Birin përveç Atit,+ dhe askush s’e njeh plotësisht Atin përveç Birit dhe kujtdo që Biri dëshiron t’ia bëjë të njohur.+ 28 Ejani tek unë, të gjithë ju që po robtoheni dhe që jeni të ngarkuar, e unë do t’ju freskoj.* 29 Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, se jam me natyrë të butë e i përulur në zemër,+ dhe ju do të gjeni freskim për shpirtin,* 30 sepse zgjedha ime është e këndshme* dhe ngarkesa ime është e lehtë.»

12 Në atë kohë, në Sabat, Jezui po ecte përmes arave me grurë. Dishepujt e tij i mori uria dhe nisën të këputnin kallinj gruri e të hanin.+ 2 Kur e panë këtë, farisenjtë i thanë: «Shiko, dishepujt e tu po bëjnë atë që nuk është e ligjshme në Sabat.»+ 3 Ai ua ktheu: «A nuk e keni lexuar çfarë bëri Davidi kur e mori uria atë dhe burrat që ishin me të?+ 4 A nuk hyri ai në shtëpinë e Perëndisë dhe a nuk hëngrën ata bukët e paraqitjes,*+ të cilat s’ishte e ligjshme t’i hante as ai dhe as ata që ishin me të, por vetëm priftërinjtë?+ 5 Ose, a nuk e keni lexuar në Ligj se në Sabat priftërinjtë punojnë në tempull, e megjithatë mbeten të pafaj për shkeljen e Sabatit?+ 6 Por unë po ju them se këtu është dikush më i madh se tempulli.+ 7 Megjithatë, po të kishit kuptuar ç’do të thotë: ‘Unë dua mëshirë+ dhe jo flijime’,+ nuk do t’i kishit dënuar të pafajshmit, 8 sepse Biri i njeriut është Zotëri i Sabatit.»+

9 Pasi u largua që andej, ai shkoi në sinagogën e tyre 10 dhe atje pa një burrë me dorë të tharë.*+ Me qëllim që ta akuzonin, ata e pyetën: «A është e ligjshme të shërosh në Sabat?»+ 11 Ai iu përgjigj: «Po të kishit një dele të vetme dhe ajo të binte në gropë ditën e Sabatit, kush nga ju nuk do ta kapte e ta nxirrte që andej?+ 12 Sa më shumë vlen një njeri se një dele! Prandaj është e ligjshme të bësh një të mirë në Sabat.» 13 Atëherë ai i tha burrit me dorë të tharë: «Shtrije dorën!» Ai e shtriu, dhe ajo u shërua e u bë e shëndoshë si tjetra. 14 Por farisenjtë dolën dhe komplotuan për ta vrarë. 15 Kur e mori vesh, Jezui u largua. Shumë veta e ndoqën pas+ dhe ai i shëroi të gjithë, 16 por i urdhëroi prerazi të mos tregonin kush ishte,+ 17 që të përmbushej çfarë ishte thënë nëpërmjet profetit Isaia:

18 «Ja shërbëtori im+ që zgjodha, Biri im i dashur që kam miratuar!*+ Unë do të vë tek ai frymën* time,+ dhe ai do t’u bëjë të qartë kombeve ç’është drejtësia. 19 Ai nuk do të grindet,+ as do të bërtasë fort dhe askush nuk do t’ia dëgjojë zërin rrugëve kryesore. 20 Ai nuk do ta dërrmojë kallamin e thyer dhe nuk do ta shuajë fitilin që ende nxjerr tym,+ derisa t’i sigurojë fitoren drejtësisë. 21 Vërtet, kombet do t’i varin shpresat tek emri i tij.»+

22 Pastaj i sollën një njeri të pushtuar nga demonët, të verbër e të pagojë, dhe ai e shëroi. Kështu që i pagoji filloi të fliste e të shikonte. 23 Gjithë turma mbeti gojëhapur dhe nisi të thoshte: «Mos është ky Biri i Davidit?!» 24 Kur dëgjuan këtë, farisenjtë thanë: «Ky njeri i dëbon demonët vetëm me anë të Belzebubit,* sundimtarit të demonëve.»+ 25 Duke i ditur mendimet e tyre, ai u tha: «Çdo mbretëri e përçarë, përfundon në shkretim dhe çdo qytet apo shtëpi e përçarë, nuk do të qëndrojë. 26 Po ashtu, nëse Satanai dëbon Satanain, do të thotë se është përçarë. Si do të qëndrojë, pra, mbretëria e tij? 27 Për më tepër, nëse unë i dëboj demonët me anë të Belzebubit, me anë të kujt i dëbojnë bijtë* tuaj? Ja pse vetë bijtë tuaj do të jenë gjykatësit tuaj. 28 Por, nëse unë i dëboj demonët me anë të frymës së Perëndisë, atëherë Mbretëria e Perëndisë ju ka gjetur vërtet në befasi.+ 29 Ose, si mund të hyjë dikush në shtëpinë e një burri të fortë e ta grabitë nëse nuk e lidh më parë? Vetëm atëherë mund t’ia plaçkitë shtëpinë. 30 Kush nuk është me mua, është kundër meje, dhe kush nuk mbledh me mua, shpërndan.+

31 Prandaj po ju them se njerëzve do t’u falet çdo lloj mëkati dhe blasfemie,* kurse blasfemia kundër frymës së shenjtë nuk do të falet.+ 32 Për shembull, kushdo që flet kundër Birit të njeriut, do të falet,+ por kushdo që flet kundër frymës së shenjtë, nuk do të falet, jo, as në këtë sistem* dhe as në atë që do të vijë.+

33 Nëse kultivoni një pemë të mirë, ajo do të japë fryt të mirë, por nëse kultivoni një pemë të keqe, ajo do të japë fryt të kalbur, sepse pema njihet nga fryti që jep.+ 34 Pjellë nepërkash,+ si mund të thoni gjëra të mira kur jeni të ligj? Faktikisht, goja flet nga bollëku i zemrës.+ 35 Njeriu i mirë nxjerr gjëra të mira nga thesari i vet i mirë, kurse njeriu i lig nxjerr gjëra të liga nga thesari i vet i lig.+ 36 Unë po ju them se Ditën e Gjykimit njerëzit do të japin llogari+ për të gjitha fjalët e kota që thonë, 37 sepse nga fjalët e tua, ose do të shpallesh i drejtë, ose do të dënohesh.»

38 Atëherë disa nga skribët dhe farisenjtë iu përgjigjën: «Mësues, duam të shohim një shenjë nga ti.»+ 39 Ai ua ktheu: «Ky brez i lig dhe kurorëshkelës* vazhdon të kërkojë një shenjë, por nuk do t’i jepet asnjë shenjë, përveç shenjës së profetit Joná,+ 40 sepse ashtu si Jonai qëndroi në barkun e peshkut të madh tri ditë e tri net,+ kështu edhe Biri i njeriut do të qëndrojë në zemër të tokës tri ditë e tri net.+ 41 Njerëzit e Ninevisë do të ringjallen Ditën e Gjykimit bashkë me këtë brez dhe do ta dënojnë, sepse ata u penduan nga ajo që predikoi Jonai.+ Por ja, këtu është dikush më i madh se Jonai.+ 42 Mbretëresha e jugut do të ringjallet Ditën e Gjykimit bashkë me këtë brez dhe do ta dënojë, sepse ajo erdhi nga skaji më i largët i tokës për të dëgjuar mençurinë e Solomonit.+ Por ja, këtu është dikush më i madh se Solomoni.+

43 Kur një frymë e ndyrë* del nga një njeri, ajo kalon nëpër vende të shkreta në kërkim të një vendi ku të pushojë, por nuk gjen asnjë.+ 44 Atëherë thotë: ‘Do të kthehem në shtëpinë nga dola.’ Me të mbërritur atje, e gjen shtëpinë të pabanuar, por të pastruar e të zbukuruar. 45 Atëherë shkon dhe merr me vete shtatë frymëra të ndryshme, më të liga se vetja, dhe hyjnë e banojnë atje. Kështu, përfundimisht, gjendja e atij njeriu bëhet më e keqe se në fillim.+ Kështu do t’i ndodhë edhe këtij brezi të lig.»

46 Ndërsa ai po i fliste ende turmës, e ëma dhe vëllezërit+ po rrinin jashtë dhe donin të flitnin me të.+ 47 Prandaj dikush i tha: «Nëna jote dhe vëllezërit e tu janë jashtë dhe duan të flasin me ty.» 48 Ai ia ktheu: «Kush është nëna ime dhe cilët janë vëllezërit e mi?» 49 Pastaj shtriu dorën drejt dishepujve të tij dhe tha: «Ja nëna ime dhe vëllezërit e mi!+ 50 Vërtet, vëllai im dhe motra e nëna ime është kushdo që bën vullnetin e Atit tim që është në qiell.»+

13 Atë ditë Jezui doli nga ajo shtëpi dhe po rrinte ulur buzë detit. 2 Përreth iu mblodh një turmë aq e madhe, sa ai hipi në një varkë dhe u ul, kurse e gjithë turma rrinte në këmbë në breg.+ 3 Atëherë ai u tregoi shumë gjëra me anë të ilustrimeve+ dhe tha: «Një mbjellës doli për të mbjellë.+ 4 Ndërsa po mbillte, disa fara ranë përgjatë rrugës, dhe zogjtë vajtën e i hëngrën.+ 5 Të tjera ranë në një vend shkëmbor, ku nuk kishte shumë dhé, prandaj mbinë menjëherë sepse toka nuk ishte e thellë.+ 6 Por, kur lindi dielli, bimët e njoma u zhuritën dhe, meqë s’kishin rrënjë, u thanë. 7 Një pjesë tjetër ra mes gjembave, të cilët u rritën e i mbytën.+ 8 Kurse disa të tjera ranë në tokë të mirë dhe filluan të jepnin fryt, njëra 100-fish, tjetra 60 dhe një tjetër 30.+ 9 Ai që ka veshë, le të dëgjojë.»+

10 Atëherë dishepujt iu afruan dhe e pyetën: «Pse u flet me ilustrime?»+ 11 Ai iu përgjigj: «Juve ju është lejuar të kuptoni sekretet e shenjta+ të Mbretërisë së qiejve, kurse atyre nuk u është lejuar, 12 sepse atij që ka, do t’i jepet më shumë dhe do të ketë me bollëk, por atij që nuk ka, do t’i merret edhe ajo që ka.+ 13 Ja pse u flas me ilustrime, sepse shohin, por shohin më kot, dhe dëgjojnë, por dëgjojnë më kot, dhe as që e kapin kuptimin.+ 14 Në rastin e tyre po përmbushet profecia e Isaisë, që thotë: ‘Vërtet do të dëgjoni, por kurrsesi nuk do ta kapni kuptimin. Vërtet do të shihni, por kurrsesi nuk do të dalloni,+ 15 sepse zemra e këtij populli është bërë e pandjeshme. Kanë dëgjuar me veshë, por nuk kanë reaguar. I kanë mbyllur sytë që të mos shohin kurrë me ta, edhe veshët që të mos dëgjojnë, edhe zemrën që të mos e kapin kuptimin, që të mos kthehen tek unë e t’i shëroj.’+

16 Megjithatë, lum sytë tuaj, sepse shohin dhe veshët tuaj, sepse dëgjojnë!+ 17 Vërtet po ju them: shumë profetë dhe njerëz të drejtë donin t’i shikonin gjërat që po shihni ju, por nuk i panë,+ dhe të dëgjonin gjërat që po dëgjoni ju, por nuk i dëgjuan.

18 Tani, dëgjoni shpjegimin e ilustrimit të mbjellësit.+ 19 Kur dikush e dëgjon fjalën e Mbretërisë, por nuk e kap kuptimin e saj, vjen i Ligu+ dhe e rrëmben atë që u mboll në zemër. Kjo është fara që ra përgjatë rrugës.+ 20 Sa për atë që ra në një vend shkëmbor, ky është ai që e dëgjon fjalën dhe menjëherë e pranon me gëzim,+ 21 mirëpo ajo nuk zë rrënjë në zemrën e tij. Prandaj, edhe pse vazhdon për njëfarë kohe, kur vijnë shtrëngimet* ose përndjekjet për shkak të fjalës, ai heq dorë menjëherë. 22 Sa për atë që ra mes gjembave, ky është ai që e dëgjon fjalën, por ankthet e kësaj bote*+ dhe fuqia mashtruese e pasurisë e mbytin fjalën, dhe ajo nuk jep fryt.+ 23 Sa për atë që ra në tokë të mirë, ky është ai që e dëgjon fjalën dhe e kap kuptimin e saj. Ai jep vërtet fryt dhe prodhon: njëri 100-fish, tjetri 60 dhe një tjetër 30.»+

24 Pastaj u tregoi një ilustrim tjetër: «Mbretëria e qiejve i ngjan një njeriu që mbolli farë të mirë në arën e vet. 25 Kur të gjithë po flinin, armiku i tij erdhi dhe mbolli egjër nëpër grurë e iku. 26 Kur filizat mbinë dhe prodhuan fryt, atëherë u shfaqën edhe egjrat. 27 Kështu skllevërit e të zotit të shtëpisë vajtën dhe i thanë: ‘Zotëri, a nuk mbolle farë të mirë në arën tënde? Nga dolën vallë egjrat?’ 28 Ai u tha: ‘Këtë e ka bërë një armik.’+ Skllevërit e pyetën: ‘A dëshiron që të dalim e t’i mbledhim?’ 29 Ai iu përgjigj: ‘Jo, kam merak se, duke mbledhur egjrat, mund të shkulni me rrënjë edhe grurin. 30 Lërini të rriten bashkë deri kur të bëhen për t’u korrur dhe në kohën e korrjes do t’u them korrësve: mblidhni më parë egjrën dhe lidheni në tufa që ta digjni, pastaj mblidhni grurin e futeni në depon time.’»+

31 Ai u tregoi edhe një ilustrim tjetër: «Mbretëria e qiejve është si një kokërr sinapi që një njeri e mori dhe e mbolli në arë.+ 32 Ajo është më e vogla e të gjitha farave, por kur rritet, është më e madhja ndër bimët* dhe bëhet si pemë, aq sa zogjtë e qiellit shkojnë e gjejnë strehë mes degëve të saj.»

33 Më pas u tregoi edhe një ilustrim tjetër: «Mbretëria e qiejve është si majaja, të cilën një grua e mori dhe e përzieu me tri masa të mëdha* mielli, derisa erdhi i gjithë brumi.»+

34 Gjithë këto gjëra Jezui ia tha turmës me anë të ilustrimeve. Në fakt, pa ilustrime s’u fliste atyre,+ 35 që të përmbushej ç’ishte thënë nëpërmjet profetit: «Do të flas me ilustrime, do të shpall gjëra të fshehura që nga fillimi.»*+

36 Pastaj, pasi e shpërndau turmën, ai shkoi në shtëpi. Dishepujt vajtën tek ai dhe i thanë: «Na e shpjego ilustrimin e egjrave në arë.» 37 Ai iu përgjigj: «Mbjellësi i farës së mirë është Biri i njeriut. 38 Ara është bota+ dhe fara e mirë janë bijtë e Mbretërisë, kurse egjrat janë bijtë e të Ligut.+ 39 Armiku që i mbolli, është Djalli. Koha e korrjes është përfundimi i një sistemi* dhe korrësit janë engjëjt. 40 Prandaj, ashtu si mblidhen egjrat dhe digjen në zjarr, kështu do të ndodhë në përfundim të sistemit.*+ 41 Biri i njeriut do të dërgojë engjëjt e vet, që do të mbledhin e do të nxjerrin nga Mbretëria e tij çdo gjë që i çon të tjerët në mëkat,* bashkë me ata që bëjnë vepra të paligjshme,* 42 dhe do t’i hedhin në furrën e zjarrtë.+ Atje do të qajnë dhe do të kërcëllijnë dhëmbët. 43 Në atë kohë të drejtët do të shkëlqejnë si dielli+ në Mbretërinë e Atit të tyre. Ai që ka veshë, le të dëgjojë.

44 Mbretëria e qiejve është si një thesar i fshehur në arë, të cilin një njeri e gjeti dhe e fshehu, dhe nga gëzimi shkoi e shiti gjithçka dhe e bleu atë arë.+

45 Përsëri, Mbretëria e qiejve është si një tregtar shëtitës që kërkonte margaritarë të çmuar.* 46 Me të gjetur një margaritar me vlerë të madhe, ai iku dhe shiti menjëherë gjithçka që kishte dhe e bleu.+

47 Përsëri, Mbretëria e qiejve është si një rrjetë tratë* e hedhur në det, që kishte mbledhur peshq të çdo lloji. 48 Kur ajo u mbush, peshkatarët e tërhoqën në breg, u ulën dhe i futën peshqit e mirë+ nëpër enë, kurse të papërshtatshmit+ i hodhën. 49 Kështu do të jetë në përfundim të sistemit:* engjëjt do të dalin e do të ndajnë të ligjtë nga të drejtët, 50 dhe do t’i hedhin në furrën e zjarrtë. Atje do të qajnë dhe do të kërcëllijnë dhëmbët.

51 A e kapët kuptimin e të gjitha këtyre gjërave?» Ata i thanë: «Po.» 52 Pastaj ai u tha: «Atëherë dijeni se çdo mësues,* që ka marrë njohuri për Mbretërinë e qiejve, është si një zot shtëpie, i cili nxjerr nga thesari i vet gjëra të reja e të vjetra.»

53 Kur i mbaroi ilustrimet, Jezui iku që andej. 54 Pastaj vajti në vendin e tij+ dhe nisi t’i mësonte njerëzit në sinagogën e tyre, aq sa ata u habitën dhe thanë: «Ku e gjeti ky njeri këtë mençuri dhe zotësi për të kryer këto vepra të fuqishme?!+ 55 A s’është ky biri i zdrukthëtarit?+ A nuk quhet nëna e tij Mari dhe vëllezërit e tij, Jakov, Jozef, Simon dhe Judë?+ 56 A nuk jetojnë motrat e tij mes nesh? Ku i gjeti, pra, ky njeri gjithë këto?»+ 57 Për këtë arsye nuk besuan tek ai.*+ Por Jezui u tha: «Vetëm në vendin dhe në shtëpinë e vet nuk nderohet profeti.»+ 58 Kështu që nuk bëri shumë vepra të fuqishme atje, sepse atyre u mungonte besimi.

14 Në atë kohë Herodi, sundimtari i krahinës,* dëgjoi për Jezuin+ 2 dhe u tha shërbëtorëve të tij: «Ky është Gjon Pagëzori. Ai është ngritur nga të vdekurit, prandaj është në gjendje të kryejë gjithë këto vepra të fuqishme.»+ 3 Herodi* e kishte arrestuar Gjonin, e kishte vënë nën vargonj dhe e kishte futur në burg për shkak të Herodiadës, gruas së Filipit, të vëllait,+ 4 ngaqë ai i thoshte: «Nuk është e ligjshme ta kesh atë për grua.»+ 5 Megjithatë, edhe pse donte ta vriste, ai kishte frikë nga turma, sepse ata e mbanin për profet.+ 6 Mirëpo, kur po festohej ditëlindja+ e Herodit, e bija e Herodiadës kërceu atje, dhe Herodit i pëlqeu aq shumë,+ 7 sa u betua se do t’i jepte ç’t’i kërkonte. 8 Atëherë, e shtyrë nga e ëma, ajo i tha: «Më jep këtu, në një tabaka, kokën e Gjon Pagëzorit.»+ 9 Edhe pse kjo s’i pëlqeu, mbreti urdhëroi t’i jepej koka e Gjonit për shkak të betimit që kishte bërë në sytë e atyre që po hanin* me të. 10 Kështu dërgoi njerëz në burg që t’i pritnin kokën Gjonit. 11 Pastaj kokën e Gjonit e sollën në një tabaka dhe ia dhanë vajzës, e cila ia çoi së ëmës. 12 Më vonë, dishepujt e tij erdhën, morën kufomën dhe e varrosën; pastaj shkuan dhe njoftuan Jezuin. 13 Kur dëgjoi këtë, Jezui u largua me varkë në një vend të veçuar, që të qëndronte vetëm. Por kur e morën vesh, turmat u nisën nga qytetet e tyre dhe e ndoqën në këmbë.+

14 Kur zbriti nga varka, Jezui pa një turmë të madhe dhe u prek thellë,*+ prandaj i shëroi të sëmurët.+ 15 Por kur ra mbrëmja, dishepujt vajtën dhe i thanë: «Vendi është i veçuar dhe tashmë është bërë vonë. Thuaju njerëzve të shkojnë nëpër fshatra, që të blejnë diçka për të ngrënë.»+ 16 Megjithatë Jezui u tha: «S’kanë pse të ikin. Jepuni ju diçka për të ngrënë.» 17 Ata i thanë: «S’kemi asgjë këtu, përveç pesë bukëve dhe dy peshqve.» 18 Ai u tha: «M’i sillni këtu.» 19 Pastaj i tha turmës të shtrohej në bar. Mori pesë bukët e dy peshqit dhe falënderoi Perëndinë*+ duke ngritur sytë nga qielli. Pastaj theu bukët, ua dha dishepujve, dhe ata ia dhanë turmës. 20 Kështu të gjithë hëngrën dhe u ngopën. Pastaj mblodhën copat që kishin tepruar: 12 shporta plot.+ 21 Dhe ata që hëngrën, ishin rreth 5.000 burra, përveç grave dhe fëmijëve.+ 22 Atëherë, pa vonuar, ai u tha dishepujve të hipnin në varkë e të shkonin përpara tij në bregun tjetër, ndërkohë që ai niste turmat.+

23 Pasi i nisi turmat, u ngjit vetëm në mal që të lutej.+ Kur ra mbrëmja, ai ishte atje vetëm. 24 Ndërkaq, varka ishte ende qindra metra* larg tokës dhe përplasej nga dallgët, sepse erën e kishin kundër. 25 Por në orët e para të mëngjesit,* ai vajti te dishepujt duke ecur mbi det. 26 Kur e vunë re që po ecte mbi det, ata u trembën dhe thanë: «Është një vegim!»* Dhe filluan të bërtisnin nga frika. 27 Menjëherë Jezui u tha: «Merrni zemër! Jam unë, mos kini frikë.»+ 28 Pjetri u përgjigj: «Zotëri, po të jesh ti, më urdhëro të vij te ti mbi ujë.» 29 Ai i tha: «Eja!» Prandaj Pjetri zbriti nga varka, eci mbi ujë dhe shkoi drejt Jezuit. 30 Por kur pa stuhinë, u frikësua dhe, ngaqë nisi të fundosej, thirri: «Zotëri, më shpëto!» 31 Menjëherë Jezui zgjati dorën, e kapi dhe i tha: «Pse ke kaq pak besim? Pse të mposhti dyshimi?!»+ 32 Pasi hipën në varkë, stuhia pushoi. 33 Atëherë ata që ishin në varkë, i bënë nderime* dhe i thanë: «Ti je vërtet Biri i Perëndisë!» 34 Pastaj kaluan në anën tjetër të detit dhe zbritën në Genesaret.+

35 Sapo e dalluan kush ishte, njerëzit e atij vendi dërguan fjalë në gjithë zonën përreth dhe i çuan tërë të sëmurët. 36 Ata i përgjëroheshin që t’i preknin të paktën thekët e rrobës.+ Kështu të gjithë ata që i prekën thekët, u shëruan plotësisht.

15 Atëherë, nga Jerusalemi, disa farisenj dhe skribë vajtën te Jezui+ dhe e pyetën: 2 «Pse dishepujt e tu shkelin traditat e të parëve? Për shembull, ata nuk i lajnë duart* para se të hanë.»+

3 Ai iu përgjigj: «Po ju, pse shkelni urdhërimet e Perëndisë për shkak të traditave tuaja?+ 4 Për shembull, Perëndia tha: ‘Ndero babanë dhe nënën tënde’+ dhe ‘Ai që shan* babanë ose nënën, do të vdesë.’+ 5 Kurse ju thoni: “Ai që i thotë babait ose nënës: ‘Gjithçka me të cilën mund të të ndihmoja, ia kam kushtuar si dhuratë Perëndisë’,+ 6 s’ka pse ta nderojë të atin.” Kështu e keni zhvleftësuar fjalën e Perëndisë, për shkak të traditave tuaja.+ 7 Hipokritë, mirë profetizoi Isaia për ju kur tha:+ 8 ‘Ky popull më nderon me buzë, por zemra e tyre është larguar shumë nga unë. 9 Më kot vazhdojnë të më adhurojnë, sepse doktrinat që mësojnë, janë veçse urdhërime njerëzish.’»+ 10 Atëherë ai thirri turmën pranë dhe u tha: «Dëgjoni dhe kapni kuptimin e kësaj:+ 11 njeriun nuk e ndot çfarë hyn në gojë, por çfarë del nga goja.»+

12 Atëherë dishepujt u afruan dhe i thanë: «A e di që farisenjtë u skandalizuan kur dëgjuan atë që the?»+ 13 Ai iu përgjigj: «Çdo bimë që nuk e ka mbjellë Ati im qiellor, do të shkulet me rrënjë. 14 Mos u merrni me ta. Ata s’janë veçse udhërrëfyes të verbër. E nëse një i verbër drejton një të verbër, të dy do të bien në gropë.»+ 15 Pastaj Pjetri i tha: «Na e sqaro ilustrimin.» 16 Prandaj ai ia ktheu: «Edhe ju nuk po e kuptoni akoma?+ 17 A nuk e kuptoni se çdo gjë që hyn në gojë, kalon nëpër stomak dhe pastaj del jashtë?* 18 Por çdo gjë që del nga goja, vjen nga zemra, dhe këto gjëra e ndotin njeriun.+ 19 Për shembull, nga zemra vijnë arsyetime të liga,+ të cilat çojnë në vrasje, kurorëshkelje,* imoralitet seksual,* vjedhje, dëshmi të rreme, blasfemi.* 20 Këto gjëra e ndotin njeriun, dhe jo ngrënia me duar të palara.»*

21 Jezui iku që andej dhe shkoi në rajonin e Tirit dhe të Sidonit.+ 22 Kur ja, një grua fenikase nga ato anë erdhi dhe, duke iu përgjëruar, thërriste: «Ki mëshirë për mua, Zotëri, Bir i Davidit! Vajza ime po vuan tmerrësisht prej demonëve.»+ 23 Por ai nuk i ktheu asnjë fjalë. Prandaj dishepujt iu afruan dhe iu lutën: «Largoje atë, sepse vazhdon të vijë pas nesh e të përgjërohet gjithë kohës.» 24 Ai iu përgjigj: «Unë nuk u dërgova tek askush tjetër, përveçse te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit.»+ 25 Por gruaja erdhi, i bëri nderime* dhe i tha: «Zotëri, më ndihmo!» 26 Ai iu përgjigj: «Nuk është e drejtë të marrësh bukën e fëmijëve e t’ua hedhësh të vegjëlve të qenve.» 27 Ajo tha: «Po, Zotëri, por edhe të vegjlit e qenve hanë nga thërrimet që bien nga tryeza e zotërinjve të tyre.»+ 28 Atëherë Jezui iu përgjigj: «O grua, i madh është besimi yt! U bëftë ashtu si dëshiron ti!» Në çast, vajza e saj u shërua.

29 Pasi u largua prej andej, Jezui vajti pranë detit të Galilesë,+ u ngjit në mal dhe ndenji ulur atje. 30 Atëherë iu afruan turma të mëdha dhe i sollën të çalë, të gjymtuar, të verbër, të pagojë dhe shumë të tjerë, të cilët i vunë te këmbët e tij, dhe ai i shëroi.+ 31 Kështu turmat u mrekulluan tek shihnin të pagojët të flitnin, të çalët të ecnin e të verbrit të shihnin, dhe i dhanë lavdi Perëndisë së Izraelit.+

32 Pastaj Jezui i thirri pranë dishepujt e tij dhe u tha: «Më vjen keq për turmën,+ sepse tashmë kanë tri ditë që qëndrojnë me mua dhe nuk kanë ç’të hanë. Nuk dua t’i nis pa ngrënë, se mos u bie të fikët.»+ 33 Mirëpo dishepujt i thanë: «E ku të shkojmë në këtë vend të veçuar, që të gjejmë aq bukë sa të ngopet një turmë kaq e madhe?»+ 34 Atëherë Jezui i pyeti: «Sa bukë keni?» Ata iu përgjigjën: «Shtatë, dhe ca peshq të vegjël.» 35 Kështu, pasi i tha turmës të shtrohej përtokë, 36 ai mori shtatë bukët dhe peshqit dhe, pasi falënderoi Perëndinë, i theu e nisi t’ua jepte dishepujve, të cilët ia dhanë turmës.+ 37 Të gjithë hëngrën e u ngopën, dhe mblodhën copat që kishin tepruar: shtatë shporta të mëdha të mbushura plot.+ 38 Hëngrën 4.000 burra, përveç grave dhe fëmijëve. 39 Së fundi, pasi e nisi turmën, ai hipi në varkë dhe vajti në rajonin e Magadanit.+

16 Atje iu afruan farisenjtë e saducenjtë dhe, për ta vënë në provë, i kërkuan që t’u tregonte një shenjë nga qielli.+ 2 Ai iu përgjigj: «Kur bie mbrëmja, ju thoni: ‘Do të jetë mot i mirë, sepse qielli është flakë i kuq’, 3 dhe në mëngjes: ‘Sot do të jetë mot i keq dhe do të bjerë shi, sepse qielli është flakë i kuq, por i vranët.’ Ju dini t’i interpretoni dukuritë e qiellit, por nuk ditkeni t’i interpretoni shenjat e kohëve?! 4 Ky brez i lig dhe kurorëshkelës* vazhdon të kërkojë një shenjë, por nuk do t’i jepet asnjë shenjë,+ përveç shenjës së Jonait.»+ Pas kësaj, ai iku dhe i la pas.

5 Edhe dishepujt kaluan në bregun tjetër, mirëpo harruan të merrnin bukë me vete.+ 6 Jezui u tha: «Mbajini sytë hapur dhe ruhuni nga majaja e farisenjve dhe e saducenjve.»+ 7 Atëherë ata nisën të flisnin me njëri-tjetrin: «Po ne nuk kemi marrë fare bukë me vete.» 8 Jezui e vuri re këtë dhe u tha: «Sa pak besim keni! Pse po flisni mes jush që s’keni bukë? 9 Akoma nuk e kuptoni për çfarë po ju flas? A nuk ju kujtohen pesë bukët në rastin e 5.000 vetave dhe sa shporta mblodhët?+ 10 Po shtatë bukët në rastin e 4.000 vetave dhe sa shporta të mëdha mblodhët?+ 11 Si nuk e kuptoni që nuk ju fola për bukë, por që të ruheni nga majaja e farisenjve dhe e saducenjve?!»+ 12 Atëherë ata e kuptuan se ai nuk u tha të ruheshin nga majaja e bukës, por nga mësimet e farisenjve dhe të saducenjve.

13 Kur shkoi në rajonin e Cezaresë së Filipit, Jezui i pyeti dishepujt: «Çfarë thonë njerëzit: kush është Biri i njeriut?»+ 14 Ata thanë: «Disa thonë Gjon Pagëzori,+ të tjerë Elija,+ disa të tjerë Jeremia ose një nga profetët.» 15 Ai i pyeti: «Po ju, ç’thoni: kush jam unë?» 16 Simon Pjetri iu përgjigj: «Ti je Krishti,+ Biri i Perëndisë së gjallë.»+ 17 Atëherë Jezui ia ktheu: «Lum ti, o Simon, bir i Jonait, sepse këtë nuk ta zbuloi mishi dhe gjaku,* por Ati im që është në qiej.+ 18 Gjithashtu, po të them: ti je Pjetri,*+ dhe mbi këtë shkëmb+ unë do të ndërtoj kongregacionin* tim dhe portat e Varrit* nuk do të triumfojnë mbi të. 19 Unë do të të jap çelësat e Mbretërisë së qiejve dhe çdo gjë që do të lidhësh në tokë, tashmë do të jetë lidhur në qiej, dhe çdo gjë që do të zgjidhësh në tokë, tashmë do të jetë zgjidhur në qiej.» 20 Pastaj ai i urdhëroi prerazi dishepujt që të mos i tregonin askujt se ai ishte Krishti.+

21 Që nga ajo kohë, Jezui nisi t’u shpjegonte dishepujve se ai duhej të shkonte në Jerusalem dhe të hiqte shumë vuajtje nga duart e pleqve, të krerëve të priftërinjve e të skribëve, dhe të vritej, por ditën e tretë do të ngrihej nga të vdekurit.+ 22 Prandaj Pjetri e mori mënjanë dhe nisi ta qortonte: «Ji i mirë me veten, Zotëri. Ti nuk ke pse të përfundosh kështu.»+ 23 Por Jezui i ktheu shpinën dhe i tha: «Rri prapa meje, Satana!* Ti je pengesë* për mua, se nuk mendon si mendon Perëndia, por si njerëzit.»+

24 Pastaj Jezui u tha dishepujve: «Nëse dikush dëshiron të vijë pas meje, le ta mohojë veten, të marrë shtyllën e vet të torturës* dhe të më ndjekë vazhdimisht,+ 25 sepse kushdo që dëshiron ta shpëtojë jetën* e vet, do ta humbasë, por kushdo që e humbet jetën* e vet për hirin tim, do ta shpëtojë.+ 26 Vërtet, ç’dobi ka njeriu nëse fiton gjithë botën, por humbet jetën?*+ Apo çfarë do të jepte njeriu në këmbim të jetës?*+ 27 Në fakt, Biri i njeriut do të vijë në lavdinë e Atit të vet bashkë me engjëjt e tij, dhe atëherë do ta shpërblejë secilin sipas sjelljes.+ 28 Vërtet po ju them se disa nga këta që po qëndrojnë këtu, nuk do ta provojnë kurrsesi vdekjen pa e parë më parë Birin e njeriut të vijë në Mbretërinë e tij.»+

17 Gjashtë ditë më pas, Jezui mori me vete Pjetrin, Jakovin dhe vëllanë e tij, Gjonin, dhe i çoi në një mal të lartë, ku ishin vetëm.+ 2 Atje ai u shpërfytyrua* para tyre; fytyra i shkëlqeu si dielli dhe rrobat i shndritën* si drita.+ 3 Kur ja, u shfaqën Moisiu dhe Elija, që bisedonin me të. 4 Atëherë Pjetri i tha Jezuit: «Zotëri, sa mirë që jemi këtu me ty. Po të duash, unë do të ngre këtu tri tenda: një për ty, një për Moisiun dhe një për Elijan.» 5 Ndërsa ai po fliste, një re e shndritshme i mbuloi dhe një zë u dëgjua nga reja: «Ky është Biri im, Biri im i dashur, që unë kam miratuar.+ Dëgjojeni.»+ 6 Sapo dëgjuan këtë, dishepujt u përkulën me fytyrë përtokë dhe u frikësuan shumë. 7 Atëherë Jezui u afrua, i preku dhe u tha: «Ngrihuni. Mos kini frikë.» 8 Kur ngritën sytë, ata nuk panë asnjeri, përveç Jezuit. 9 Ndërsa po zbritnin nga mali, Jezui i urdhëroi: «Mos ia tregoni askujt vegimin,* derisa Biri i njeriut të ngrihet nga të vdekurit.»+

10 Megjithatë dishepujt e pyetën: «Pse, atëherë, skribët thonë se më parë duhet të vijë Elija?»+ 11 Ai iu përgjigj: «Po, është e vërtetë që Elija duhet të vijë dhe të rivendosë gjithçka.+ 12 Megjithatë unë po ju them se Elija tashmë ka ardhur, por ata nuk e pranuan dhe bënë me të çfarë deshën.+ Po kështu do të vuajë edhe Biri i njeriut në duart e tyre.»+ 13 Atëherë dishepujt e kuptuan se u foli për Gjon Pagëzorin.

14 Kur arritën te turma,+ atij iu afrua një burrë, që i ra në gjunjë dhe i tha: 15 «Zotëri, ki mëshirë për tim bir, se është epileptik e po vuan shumë. Shpesh ai bie në zjarr e në ujë.+ 16 E çova te dishepujt e tu, por ata nuk e shëruan dot.» 17 Atëherë Jezui i tha turmës: «O brez pa besim dhe i shtrembër!+ Edhe sa duhet të rri me ju? Edhe sa duhet t’ju duroj? Ma sillni këtu.» 18 Jezui e qortoi demonin, dhe ai doli nga djali, i cili u shërua që nga ai çast.+ 19 Atëherë dishepujt iu afruan veçmas Jezuit dhe e pyetën: «Pse ne nuk e dëbuam dot?» 20 Ai u përgjigj: «Ngaqë keni pak besim. Vërtet po ju them se po të keni besim sa një kokërr sinapi, do t’i thoni këtij mali: ‘Lëviz nga këtu atje’, dhe ai do të lëvizë, e asgjë nuk do të jetë e pamundur për ju.»+ 21 *——

22 Ndërsa ishin së bashku në Galile, Jezui u tha: «Birin e njeriut do ta tradhtojnë dhe do ta dorëzojnë në duart e njerëzve,+ 23 të cilët do ta vrasin. Por ditën e tretë ai do të ngrihet nga të vdekurit.»+ Prandaj ata ishin shumë të hidhëruar.

24 Pasi mbërritën në Kapernaum, njerëzit që mblidhnin dy drahmat* e taksës, iu afruan Pjetrit dhe i thanë: «A i paguan mësuesi juaj dy drahmat e taksës?»+ 25 Ai tha: «Po.» Mirëpo, sapo Pjetri hyri në shtëpi, Jezui e pyeti: «Si mendon Simon? Nga cilët i marrin mbretërit e tokës taksat ose haraçet* për kokë? Nga bijtë e tyre apo nga të huajt?» 26 Kur ai iu përgjigj: «Nga të huajt», Jezui i tha: «Ashtu është, bijtë janë të përjashtuar nga taksat. 27 Megjithatë, që të mos bëhemi pengesë për ta,+ shko në det, hidh grepin dhe, peshkut të parë që do të kapësh, hapi gojën e do t’i gjesh një monedhë argjendi.* Merre dhe jepua për mua e për vete.»

18 Në atë kohë dishepujt iu afruan Jezuit dhe e pyetën: «Kush është më i madhi në Mbretërinë e qiejve?»+ 2 Atëherë ai thirri pranë një fëmijë të vogël, e vuri në mes tyre 3 dhe tha: «Vërtet po ju them: po të mos ndryshoni* e të bëheni si fëmijë të vegjël,+ nuk do të hyni kurrsesi në Mbretërinë e qiejve.+ 4 Prandaj, kushdo që përulet dhe bëhet si ky fëmijë i vogël, do të jetë më i madhi në Mbretërinë e qiejve.+ 5 Dhe kushdo që pranon një fëmijë të vogël si ky në emrin tim, më pranon edhe mua. 6 Por, për këdo që pengon një nga këta të vegjël që kanë besim tek unë, do të ishte më mirë të varte rreth qafës një gur të madh mulliri* e të hidhej në fund të detit.+

7 Mjerë bota, sepse është bërë gur pengese! Natyrisht që gurë pengese do të ketë, por mjerë ai njeri që bëhet gur pengese! 8 Prandaj, nëse dora ose këmba të bëhet pengesë, prite dhe flake tej.+ Është më mirë të fitosh jetën i gjymtuar ose i çalë, sesa t’i kesh të dyja duart e të dyja këmbët, dhe të hidhesh në zjarrin e përhershëm.*+ 9 Gjithashtu, nëse syri të bëhet pengesë, hiqe dhe flake tej. Është më mirë të fitosh jetën me një sy, sesa t’i kesh të dy sytë, dhe të hidhesh në Gehenën*+ e zjarrtë. 10 Kini kujdes se mos përbuzni një nga këta të vegjlit, sepse po ju them se engjëjt e tyre në qiell shohin gjithnjë fytyrën e Atit tim që është në qiell.+ 11 *——

12 Si mendoni? Nëse një njeri ka 100 dele dhe njëra humb rrugën,+ a nuk do t’i lërë ai 99 në male, që të shkojë të kërkojë atë që ka humbur rrugën?+ 13 Ja ku po jua them: po ta gjejë, ai do të gëzojë më shumë për të, se për ato 99 që nuk e kanë humbur rrugën. 14 Po ashtu edhe Ati im* që është në qiell, nuk dëshiron që asnjë nga këta të vegjlit të marrë fund.+

15 Veç kësaj, nëse vëllai yt mëkaton kundër teje, shko, fol vetëm për vetëm me të dhe tregoji hapur ku ka gabuar.*+ Në qoftë se të dëgjon, e fitove vëllanë tënd.+ 16 Por, në rast se nuk të dëgjon, merr me vete edhe një ose dy të tjerë, që çdo çështje të vendoset nga dëshmia* e dy a tre dëshmitarëve.+ 17 Nëse nuk i dëgjon edhe ata, fol me kongregacionin. Në qoftë se nuk e dëgjon as kongregacionin, le të jetë për ty tamam si një njeri nga kombet*+ dhe si një taksambledhës.+

18 Vërtet po ju them: çdo gjë që do të lidhni në tokë, tashmë do të jetë lidhur në qiell, dhe çdo gjë që do të zgjidhni në tokë, tashmë do të jetë zgjidhur në qiell. 19 Po ju them gjithashtu se, nëse dy prej jush këtu në tokë bien dakord që të kërkojnë çfarëdo gjëje të rëndësishme, kërkesa do t’ju plotësohet nga Ati im që është në qiell,+ 20 sepse atje ku janë dy ose tre të mbledhur bashkë në emrin tim,+ atje jam edhe unë, mes tyre.»

21 Atëherë Pjetri iu afrua dhe e pyeti: «Zotëri, sa herë duhet ta fal vëllanë tim, nëse ai mëkaton kundër meje? Deri në 7 herë?» 22 Jezui iu përgjigj: «Unë po të them: jo deri në 7 herë, por deri në 77 herë.+

23 Ja pse Mbretëria e qiejve i ngjan një mbreti, i cili deshi të mbyllte llogaritë me skllevërit e tij. 24 Në fillim, i çuan një njeri që i detyrohej 10.000 talenta.* 25 Por, meqë ai s’kishte t’ia kthente, zotëria urdhëroi që të shitej ai, gruaja e tij, fëmijët e tij dhe gjithçka që kishte, e të shlyhej detyrimi.+ 26 Atëherë skllavi i ra në gjunjë, i bëri nderime* e i tha: ‘Ji i duruar me mua dhe do të të kthej gjithçka.’ 27 I shtyrë nga keqardhja, zotëria e la të lirë dhe ia fali borxhin.+ 28 Por ai skllav doli dhe gjeti një shok të tij, gjithashtu skllav, i cili i detyrohej 100 denarë.* Ai e kapi, e mbërtheu për fyti gati sa ta mbyste dhe i thoshte: ‘M’i kthe të gjitha ato që më ke borxh.’ 29 Atëherë shoku i tij i ra në gjunjë dhe nisi t’i përgjërohej: ‘Ji i duruar me mua dhe do të t’i kthej.’ 30 Mirëpo ai nuk deshi, prandaj iku dhe e futi në burg, derisa t’i kthente borxhin. 31 Kur skllevërit e tjerë panë ç’ndodhi, u mërzitën shumë dhe shkuan e i treguan zotërisë së tyre gjithçka. 32 Kështu zotëria e thirri dhe i tha: ‘Skllav i lig, unë të fala gjithë atë borxh kur m’u përgjërove. 33 A nuk duhej që edhe ti të tregoje mëshirë për shokun tënd, siç tregova edhe unë mëshirë për ty?’+ 34 I nxehur, zotëria ua dorëzoi rojave të burgut, derisa t’i kthente gjithë sa i detyrohej. 35 Po kështu do të veprojë edhe Ati im qiellor me ju,+ nëse secili nuk e fal vëllanë e vet* me gjithë zemër.»+

19 Kur mbaroi këto fjalë, Jezui u nis nga Galilea dhe vajti në kufijtë e Judesë, matanë Jordanit.+ 2 Edhe atje e ndoqën turma të mëdha, dhe ai i shëroi.

3 Disa farisenj iu afruan dhe, për ta vënë në provë, e pyetën: «A është e ligjshme që burri ta divorcojë gruan për çdo lloj arsyeje?»+ 4 Ai iu përgjigj: «A nuk e keni lexuar se ai që i krijoi në fillim, i bëri ata mashkull dhe femër?+ 5 A nuk e keni lexuar edhe që tha: ‘Për këtë arsye, burri do të lërë babanë dhe nënën e do të lidhet ngushtë me gruan e vet, dhe të dy do të jenë një mish i vetëm.’+ 6 Kështu që nuk janë më dy, por një mish i vetëm. Prandaj, atë që Perëndia e ka bashkuar, asnjeri të mos e ndajë.»+ 7 Ata e pyetën: «Pse, atëherë, Moisiu urdhëroi që burri t’i japë një certifikatë divorci e ta përzërë?»+ 8 Ai u tha: «Moisiu ju lejoi që të divorconi gratë tuaja ngaqë jeni zemërgur,+ por në fillim nuk ishte kështu.+ 9 Unë po ju them se kushdo që e divorcon gruan, përveçse kur ka si bazë imoralitetin seksual,* dhe martohet me një tjetër, kryen kurorëshkelje.»*+

10 Dishepujt i thanë: «Nëse është kështu puna mes burrit dhe gruas, atëherë është më mirë të mos martohesh.» 11 Ai u tha: «Jo të gjithë njerëzit i pranojnë këto fjalë, por vetëm ata që kanë dhuratën,+ 12 sepse ka eunukë* që kanë lindur të tillë, ka eunukë që janë bërë eunukë nga njerëzit, dhe ka nga ata që janë bërë vetë eunukë* për hir të Mbretërisë së qiejve. Kush mund ta pranojë këtë, le ta pranojë.»+

13 Pastaj i çuan disa fëmijë të vegjël që të vinte duart mbi ta* e të lutej, por dishepujt i qortuan.+ 14 Atëherë Jezui tha: «Lërini rehat fëmijët dhe mos i pengoni të vijnë tek unë, sepse Mbretëria e qiejve u përket atyre që janë si këta.»+ 15 Pastaj i bekoi duke vënë duart mbi ta dhe iku që andej.

16 Më pas iu afrua dikush dhe e pyeti: «Mësues, ç’të mirë duhet të bëj që të fitoj jetën e përhershme?»+ 17 Ai iu përgjigj: «Pse më pyet mua se çfarë është e mirë? Një i vetëm është i mirë.+ Prandaj, nëse dëshiron të fitosh jetën, vazhdo të zbatosh urdhërimet.»+ 18 Ai e pyeti: «Cilat?» Jezui i tha: «Mos vrit,+ mos kryej kurorëshkelje,+ mos vidh,+ mos jep dëshmi të rreme,+ 19 ndero babanë dhe nënën tënde+ dhe duaje të afërmin tënd* si veten.»+ 20 I riu i tha: «I kam zbatuar të gjitha këto. Çfarë më mungon akoma?» 21 Jezui iu përgjigj: «Nëse dëshiron të jesh i përsosur,* shko, shit zotërimet e tua dhe jepua paratë të varfërve, e atëherë do të kesh një thesar në qiell.+ Pastaj eja e bëhu dishepulli* im.»+ 22 Kur i riu i dëgjoi këto fjalë, iku i trishtuar, sepse kishte shumë zotërime.+ 23 Prandaj Jezui u tha dishepujve të vet: «Vërtet po ju them se një i pasur do ta ketë të vështirë të hyjë në Mbretërinë e qiejve.+ 24 Përsëri po ju them: është më e lehtë që një deve të kalojë nëpër një vrimë gjilpëre, sesa një i pasur të hyjë në Mbretërinë e Perëndisë.»+

25 Kur e dëgjuan këtë, dishepujt u habitën shumë dhe thanë: «Atëherë kush mund të shpëtojë?»+ 26 Jezui i pa drejt e në sy e u tha: «Me njerëzit kjo është e pamundur, por me Perëndinë gjithçka është e mundur.»+

27 Atëherë Pjetri i tha: «Ja, ne lamë gjithçka dhe të ndoqëm. E ç’do të marrim ne, pra?»+ 28 Jezui u tha dishepujve: «Vërtet po ju them se kur të përtërihet krijimi dhe Biri i njeriut të ulet në fronin e tij të lavdishëm, ju që më keni ndjekur, do të uleni në 12 frone dhe do të gjykoni 12 fiset e Izraelit.+ 29 Dhe kushdo që ka lënë shtëpi ose vëllezër, motra, baba, nënë, fëmijë, a toka për hir të emrit tim, do të marrë 100-fish më tepër dhe do të trashëgojë jetën e përhershme.+

30 Por shumë që janë të parët, do të jenë të fundit, dhe të fundit do të jenë të parët.+

20 Në fakt, Mbretëria e qiejve ngjan me një zot shtëpie, i cili doli herët në mëngjes që të merrte punëtorë për vreshtin e tij.+ 2 Pasi kishte rënë dakord me punëtorët për një denar* në ditë, i dërgoi të punonin në vresht. 3 Ai doli edhe rreth orës së tretë,* pa disa të tjerë të papunë që rrinin në sheshin e pazarit 4 dhe u tha: ‘Shkoni edhe ju të punoni në vresht dhe do t’ju jap hakun e punës.’ 5 Dhe ata shkuan. Ai doli përsëri rreth orës së gjashtë* e të nëntë* dhe bëri po ashtu. 6 Në fund, rreth orës së 11-të,* doli e gjeti disa të tjerë që po rrinin aty rrotull dhe i pyeti: ‘Pse keni ndenjur këtu gjithë ditën pa punë?’ 7 Ata iu përgjigjën: ‘Ngaqë s’na mori njeri në punë.’ Ai u tha: ‘Shkoni edhe ju të punoni në vresht.’

8 Kur ra mbrëmja, i zoti i vreshtit i tha përgjegjësit të punëtorëve: ‘Thirri punëtorët dhe jepu pagën,+ duke filluar nga të fundit e deri te të parët.’ 9 Kur erdhën punëtorët e orës së 11-të, morën secili nga një denar.* 10 Kështu, kur erdhën të parët, kujtuan se do të merrnin më shumë, por edhe ata morën secili nga një denar.* 11 Pasi e morën, ata nisën të ankoheshin kundër të zotit të shtëpisë 12 dhe thanë: ‘Këta të fundit punuan vetëm një orë, e megjithatë ti i trajtove njësoj si ne që u rraskapitëm gjithë ditën në vapën përvëluese!’ 13 Por ai iu përgjigj njërit prej tyre: ‘Mik, s’po të bëj asnjë padrejtësi. A nuk re dakord me mua për një denar?*+ 14 Merr atë që është jotja dhe shko. Nëse dua t’u jap këtyre të fundit aq sa ty, 15 a s’më takon mua të bëj ç’të dua me gjërat e mia? Apo e ke syrin lakmitar,* ngaqë unë jam i mirë?’*+ 16 Kështu pra, të fundit do të jenë të parët, dhe të parët, të fundit.»+

17 Ndërsa po ngjiteshin në Jerusalem, Jezui i mori veçmas 12 dishepujt dhe u tha rrugës:+ 18 «Ja, ne po ngjitemi në Jerusalem dhe Birin e njeriut do ta dorëzojnë në dorë të krerëve të priftërinjve dhe të skribëve. Ata do ta dënojnë me vdekje+ 19 dhe do t’ua dorëzojnë njerëzve të kombeve,* që do ta tallin, do ta fshikullojnë e do ta ekzekutojnë në shtyllë,+ por ditën e tretë ai do të ngrihet nga të vdekurit.»+

20 Pastaj nëna e bijve të Zebedeut+ iu afrua bashkë me dy djemtë e saj, i bëri nderime* dhe i kërkoi diçka.+ 21 Ai i tha: «Më thuaj çfarë dëshiron?» Ajo iu përgjigj: «Më jep fjalën që këta dy djemtë e mi do të ulen njëri në të djathtën tënde e tjetri në të majtë, në Mbretërinë tënde.»+ 22 Jezui ua ktheu: «Ju nuk e dini çfarë po më kërkoni. A mund ta pini kupën që do të pi unë?»+ Ata iu përgjigjën: «Po, mundemi.» 23 Ai u tha: «Ju vërtet do të pini kupën time,+ por nuk më takon mua t’ju ul në të djathtën a në të majtën time. Ai vend u takon atyre që ua ka bërë gati Ati im.»+

24 Kur dëgjuan për këtë, dhjetë të tjerët u indinjuan me dy vëllezërit.+ 25 Por Jezui i thirri pranë dhe u tha: «Ju e dini se sundimtarët e kombeve sillen si zotër me to dhe të mëdhenjtë ushtrojnë autoritet mbi kombet.+ 26 Por mes jush nuk duhet të jetë kështu.+ Kushdo që dëshiron të bëhet i madh ndër ju, të jetë shërbëtori juaj,+ 27 dhe kushdo që dëshiron të jetë i pari ndër ju, të jetë skllavi juaj.+ 28 Ashtu sikurse Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por që të shërbejë+ dhe të japë jetën* e vet si shpërblesë për shumë njerëz.»+

29 Ndërsa po dilnin nga Jerikoja, atë e ndiqte një turmë e madhe. 30 Dhe ja, dy të verbër që ishin ulur buzë rrugës, kur dëgjuan se po kalonte Jezui, thërritën: «Zotëri, Bir i Davidit, ki mëshirë për ne!»+ 31 Por turma u tha rreptësisht që të mos flisnin. Megjithatë ata thërritën edhe më fort: «Zotëri, Bir i Davidit, ki mëshirë për ne!» 32 Atëherë Jezui u ndal, i thirri dhe i pyeti: «Çfarë doni që të bëj për ju?» 33 Ata iu përgjigjën: «Të na hapen sytë, Zotëri.» 34 I shtyrë nga keqardhja, Jezui u preku sytë+ dhe menjëherë atyre u erdhi shikimi dhe e ndoqën.

21 Kur iu afruan Jerusalemit dhe mbërritën në Betfagë, në Malin e Ullinjve, Jezui dërgoi dy dishepuj+ 2 dhe u tha: «Shkoni në fshatin përballë dhe, sapo të mbërrini atje, do të gjeni një gomaricë të lidhur e një kërriç bashkë me të. Zgjidhini dhe m’i sillni. 3 Po t’ju thotë gjë dikush, i thoni: ‘I duhen Zotërisë.’ Dhe ai do t’jua japë menjëherë.»

4 Në të vërtetë, kjo ndodhi që të përmbushej çfarë ishte thënë nëpërmjet profetit: 5 «Thuajini bijës së Sionit: ‘Ja, Mbreti yt po vjen te ti.+ Ai është me natyrë të butë+ dhe ka hipur në një gomar, po, në një kërriç, pjellë e një kafshe barre.’»+

6 Kështu dishepujt shkuan dhe bënë ashtu siç i udhëzoi Jezui.+ 7 Sollën gomaricën dhe kërriçin, vunë mbi ta mantelet e tyre, dhe ai u ul mbi to.+ 8 Shumica e turmës shtruan mantelet në rrugë,+ kurse të tjerët degë pemësh. 9 Përveç kësaj, turma që shkonte para dhe pas tij, brohoriste: «Shpëtoje, të lutemi,* Birin e Davidit!+ I bekuar është ai që vjen në emër të Jehovait!*+ Shpëtoje, të lutemi ty atje lart në qiell!»+

10 Kur ai hyri në Jerusalem, gjithë qyteti u trazua dhe populli pyeste: «Kush është ky?» 11 Turmat thoshin: «Ky është profeti Jezu,+ nga Nazareti i Galilesë!»

12 Pastaj Jezui hyri në tempull, flaku jashtë të gjithë ata që shitnin e blinin atje, përmbysi tryezat e këmbyesve të parave dhe stolat e atyre që shitnin pëllumba+ 13 dhe u tha: «Është shkruar: ‘Shtëpia ime do të quhet shtëpi lutjesh’,+ kurse ju po e bëni shpellë kusarësh.»+ 14 Përveç kësaj, ai shëroi të verbrit e të çalët që vajtën tek ai në tempull.

15 Kur krerët e priftërinjve dhe skribët panë gjërat e mrekullueshme që bëri ai, si edhe fëmijët që po thërritnin në tempull: «Shpëtoje, të lutemi, Birin e Davidit!»,+ u indinjuan+ 16 dhe e pyetën: «E dëgjon ç’po thonë këta?» Jezui u përgjigj: «Po. A nuk e keni lexuar kurrë këtë: ‘Nga goja e fëmijëve dhe e foshnjave ke marrë lavdi.’»+ 17 Dhe, pasi i la ata, doli nga qyteti e shkoi në Betani, ku kaloi natën.+

18 Herët në mëngjes, kur po kthehej në qytet, e mori uria.+ 19 Rrugës vuri re një fik dhe iu afrua, por në të nuk gjeti gjë veç gjetheve,+ prandaj i tha: «Mos bëfsh kurrë më fryt!»+ Në çast fiku u tha. 20 Kur e panë këtë, dishepujt u çuditën dhe thanë: «Si vallë u tha në çast fiku?!»+ 21 Jezui iu përgjigj: «Vërtet po ju them se po të keni besim e po të mos dyshoni, do të bëni jo vetëm atë që i bëra unë fikut, por edhe sikur t’i thoni këtij mali: ‘Ngrihu dhe hidhu në det’, ashtu do të bëhet.+ 22 Po të keni besim, gjithçka që kërkoni në lutje, do ta merrni.»+

23 Pasi shkoi në tempull, krerët e priftërinjve dhe pleqtë e popullit iu afruan ndërsa po mësonte dhe e pyetën: «Me ç’autoritet i bën këto gjëra? E kush ta dha këtë autoritet?»+ 24 Jezui iu përgjigj: «Edhe unë do t’ju pyes për një gjë. Nëse ma thoni, atëherë edhe unë do t’ju them me ç’autoritet i bëj këto gjëra. 25 Pagëzimi që bënte Gjoni, nga vinte? Nga qielli apo nga njerëzit?» Ata filluan të arsyetonin me njëri-tjetrin: «Po të themi ‘nga qielli’, do të na thotë: ‘Pse, pra, nuk i besuat?’+ 26 Por, po të themi ‘nga njerëzit’, kemi frikë nga turma, sepse ata të gjithë e mbajnë Gjonin për profet.» 27 Prandaj iu përgjigjën Jezuit: «Nuk e dimë.» Edhe ai u tha: «As unë nuk ju them me ç’autoritet i bëj këto gjëra.

28 Më thoni si mendoni për këtë: një burrë kishte dy djem. Iu afrua të parit dhe i tha: ‘Bir, shko të punosh sot në vresht.’ 29 Ky iu përgjigj: ‘Nuk do të shkoj’, por më pas i erdhi keq dhe shkoi. 30 Ai iu afrua të dytit e i tha po njëlloj. Ky iu përgjigj: ‘Do të shkoj, baba’,* por nuk shkoi. 31 Cili nga të dy bëri vullnetin e të atit?» Ata thanë: «I pari.» Jezui u tha: «Vërtet po ju them se taksambledhësit dhe prostitutat do të hyjnë përpara jush në Mbretërinë e Perëndisë, 32 sepse Gjoni erdhi te ju që t’ju tregonte udhën e drejtësisë, por ju nuk e besuat. Megjithatë, taksambledhësit dhe prostitutat e besuan,+ kurse juve, edhe pasi e patë këtë, nuk ju erdhi keq dhe s’i besuat.

33 Dëgjoni një ilustrim tjetër: një pronar tokash mbolli një vresht,+ e rrethoi me gardh, gërmoi një vend për shtypësen e rrushit, ngriti një kullë,+ ua la me qira kultivuesve dhe udhëtoi në dhé të huaj.+ 34 Kur erdhi stina e vjeljes së rrushit, dërgoi skllevërit e tij te kultivuesit që të mblidhnin frytet. 35 Mirëpo kultivuesit i morën skllevërit dhe njërin e rrahën, tjetrin e vranë dhe një tjetër e goditën me gurë derisa vdiq.+ 36 Ai dërgoi përsëri skllevër të tjerë, më shumë se të parët, por ata bënë po njëlloj edhe me këta.+ 37 Në fund u dërgoi të birin dhe tha: ‘Tim bir do ta respektojnë.’ 38 Me të parë të birin, kultivuesit i thanë njëri-tjetrit: ‘Ky është trashëgimtari.+ Hajdeni ta vrasim e t’i marrim trashëgiminë!’ 39 Kështu, e kapën, e flakën jashtë vreshtit dhe e vranë.+ 40 Si mendoni, çfarë do t’u bëjë atyre kultivuesve i zoti i vreshtit kur të vijë?» 41 Ata i thanë: «Përderisa janë të ligj, ai do t’i shfarosë krejt dhe vreshtin do t’ua lërë me qira kultivuesve të tjerë, të cilët do t’ia japin frytet kur të vijë koha e të vjelave.»

42 Jezui u tha: «A nuk e keni lexuar kurrë në Shkrime: ‘Guri që ndërtuesit hodhën poshtë, u bë guri kryesor i qoshes.*+ Këtë e bëri vetë Jehovai,* dhe në sytë tanë është diçka e mrekullueshme.’+ 43 Prandaj po ju them se Mbretëria e Perëndisë do t’ju merret dhe do t’i jepet një kombi që prodhon frytet e saj. 44 Gjithashtu, ai që bie mbi këtë gur, do të copëtohet,+ dhe ai mbi të cilin bie ky gur, do të thërrmohet.»+

45 Kur krerët e priftërinjve dhe farisenjtë dëgjuan ilustrimet e tij, e kuptuan se po fliste për ta.+ 46 Por, edhe pse donin ta arrestonin,* kishin frikë nga turma, sepse ata e mbanin për profet.+

22 Jezui u foli përsëri me ilustrime: 2 «Mbretëria e qiejve mund të krahasohet me një mbret që bëri dasmë+ për të birin. 3 Ai i dërgoi skllevërit që të thërritnin të ftuarit në dasmë, por ata nuk donin të shkonin.+ 4 Dërgoi përsëri skllevër të tjerë dhe u tha: “Thuajuni të ftuarve: ‘Kam përgatitur drekën, demat e kafshët e majme janë therur dhe gjithçka është gati. Ejani në dasmë.’” 5 Por ata e shpërfillën dhe shkuan njëri në arën e vet, tjetri në punët e tregtisë,+ 6 kurse të tjerët kapën skllevërit e tij, i keqtrajtuan dhe i vranë.

7 Atëherë mbreti u zemërua, dërgoi ushtrinë, i ekzekutoi ata vrasës dhe ua dogji qytetin.+ 8 Pastaj u tha skllevërve: ‘Dasma është gati, por të ftuarit nuk ishin të denjë.+ 9 Prandaj shkoni në rrugët që të çojnë jashtë qytetit dhe ftoni në dasmë këdo që të gjeni.’+ 10 Kështu skllevërit dolën në rrugë dhe mblodhën gjithë sa gjetën, të ligj e të mirë, dhe dhoma e dasmës u mbush me dasmorë.*

11 Kur hyri për të vëzhguar mysafirët, mbreti vuri re një njeri që nuk kishte veshur rrobat e dasmës. 12 Atëherë e pyeti: ‘Mik, si hyre këtu pa rrobat e dasmës?’ Ai s’tha asnjë fjalë. 13 Pastaj mbreti u tha shërbëtorëve: ‘Lidheni duar e këmbë dhe flakeni jashtë në errësirë. Atje do të qajë dhe do të kërcëllijë dhëmbët.’

14 Vërtet, shumë janë të ftuar, por pak janë të zgjedhur.»

15 Atëherë farisenjtë shkuan dhe komplotuan së bashku, që ta zinin në grackë me fjalët e veta.+ 16 Prandaj dërguan tek ai dishepujt e tyre bashkë me përkrahësit e partisë së Herodit*+ që t’i thoshin: «Mësues, ne e dimë që ti thua të vërtetën, që mëson udhën e Perëndisë sipas së vërtetës dhe nuk mban anën e askujt, sepse nuk shikon pamjen e jashtme të njerëzve. 17 Na thuaj, pra, si mendon: është e ligjshme* t’i paguhet Cezarit haraç* për kokë, apo jo?» 18 Por, duke e ditur ligësinë e tyre, Jezui u tha: «Pse më vini në provë, hipokritë? 19 Më tregoni monedhën që paguani si haraç.» Ata i çuan një denar.* 20 Ai i pyeti: «Të kujt janë kjo fytyrë dhe ky mbishkrim?» 21 Ata iu përgjigjën: «Të Cezarit.» Atëherë ai u tha: «Paguajini, pra, Cezarit gjërat e Cezarit, kurse Perëndisë gjërat e Perëndisë.»+ 22 Kur e dëgjuan këtë, ata mbetën pa fjalë, pastaj e lanë të qetë dhe ikën.

23 Po atë ditë vajtën tek ai saducenjtë, të cilët thonë se nuk ka ringjallje,+ dhe e pyetën:+ 24 «Mësues, Moisiu tha: ‘Nëse një burrë vdes pa pasur fëmijë, i vëllai duhet të martohet me gruan e tij dhe t’i lërë pasardhës vëllait.’+ 25 Tani, ishin shtatë vëllezër. I pari u martua dhe vdiq. Meqë nuk kishte pasardhës, gruan e tij e mori i vëllai. 26 Njësoj ndodhi edhe me të dytin e me të tretin, deri tek i shtati. 27 E fundit fare vdiq gruaja. 28 Atëherë, në ringjallje, cili nga të shtatë do ta marrë? Meqë të gjithë e patën për grua.»

29 Jezui iu përgjigj: «E keni gabim, ngaqë nuk njihni as Shkrimet, as fuqinë e Perëndisë,+ 30 sepse, kur të ndodhë ringjallja, as burrat, as gratë nuk do të martohen, por do të jenë porsi engjëjt në qiell.+ 31 Sa për ringjalljen e të vdekurve, a nuk keni lexuar çfarë ju kishte thënë Perëndia: 32 ‘Unë jam Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit.’+ Ai nuk është Perëndia i të vdekurve, por i të gjallëve.»+ 33 Kur e dëgjoi këtë, turma u mahnit nga mësimi i tij.+

34 Pasi farisenjtë dëgjuan se ai ua kishte mbyllur gojën saducenjve, ata* vajtën tek ai së bashku si grup. 35 Njëri prej tyre, që e njihte mirë Ligjin, e vuri në provë duke e pyetur: 36 «Mësues, cili është urdhërimi më i madh i Ligjit?»+ 37 Ai iu përgjigj: «‘Duaje Jehovain,* Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin* tënd dhe me gjithë mendjen tënde.’+ 38 Ky është urdhërimi i parë dhe më i madhi. 39 I dyti, i ngjashëm me këtë, është: ‘Duaje të afërmin tënd* si veten.’+ 40 Nga këto dy urdhërime varet gjithë Ligji dhe Profetët.»+

41 Ndërsa farisenjtë ishin mbledhur së bashku, Jezui i pyeti:+ 42 «Ç’mendoni për Krishtin? Bir i kujt është?» Ata u përgjigjën: «I Davidit.»+ 43 Ai i pyeti: «Atëherë, si vallë Davidi nën frymëzim+ e quan ‘Zotëri’ kur thotë: 44 “Jehovai* i tha Zotërisë tim: ‘Ulu në të djathtën time derisa t’i vë armiqtë e tu nën këmbët e tua.’”+ 45 Prandaj, nëse Davidi e quan ‘Zotëri’, si atëherë qenka bir i tij?!»+ 46 Por asnjë nuk ishte në gjendje t’i përgjigjej, prandaj që nga ajo ditë askush nuk guxoi ta pyeste më.

23 Atëherë Jezui i tha turmës dhe dishepujve: 2 «Skribët dhe farisenjtë kanë zënë vendin e Moisiut. 3 Prandaj bëni dhe zbatoni gjithçka që ju thonë, por mos veproni si ata, sepse ata tjetër thonë e tjetër bëjnë.+ 4 Ata lidhin ngarkesa të rënda dhe ua vënë njerëzve mbi supe,+ por vetë nuk duan të luajnë as gishtin për t’i lëvizur.+ 5 Çdo gjë e bëjnë për t’u dukur.+ I zmadhojnë kutizat me shkrime, që i mbajnë si hajmali,*+ dhe i zgjatin thekët e rrobave.+ 6 Atyre u pëlqejnë kryet e vendit nëpër darka dhe vendet e para* në sinagoga,+ 7 t’i përshëndetin nëpër sheshe pazari dhe t’i quajnë «Rabi».* 8 Por ju mos lejoni t’ju quajnë «Rabi», sepse keni vetëm një Mësues+ dhe jeni të gjithë vëllezër. 9 Veç kësaj, mbi tokë mos quani askënd ‘atë’, sepse Ati juaj është një i vetëm,+ Ai që është në qiej. 10 As mos lejoni t’ju quajnë ‘krerë’, sepse Kreu juaj është një i vetëm, Krishti. 11 Por më i madhi ndër ju, të jetë shërbëtori juaj.+ 12 Kushdo që e lartëson veten, do të përulet,+ dhe kushdo që e përul veten, do të lartësohet.+

13 Mjerë ju, skribë dhe farisenj, hipokritë, sepse ua mbyllni njerëzve derën e Mbretërisë së qiejve! Mirë që vetë nuk hyni, por nuk lejoni të hyjnë as ata që duan të hyjnë!+ 14 *——

15 Mjerë ju, skribë dhe farisenj, hipokritë!+ Ju përshkoni det e tokë që të bëni një prozelit.* Dhe, kur bëhet, ia përgatitni rrugën drejt Gehenës,* që ta meritojë atë dy herë më shumë se ju.

16 Mjerë ju, udhërrëfyes të verbër,+ sepse thoni: ‘S’ka gjë nëse dikush betohet për tempullin, por nëse dikush betohet për arin e tempullit, është i detyruar ta mbajë betimin.’+ 17 Të marrë e të verbër! Cili është më i rëndësishëm: ari apo tempulli që ka shenjtëruar* arin? 18 Përveç kësaj thoni: ‘S’ka gjë nëse dikush betohet për altarin, por nëse dikush betohet për dhuratën mbi altar, është i detyruar ta mbajë betimin.’ 19 Të verbër! Cila është më e rëndësishme: dhurata apo altari që shenjtëron dhuratën? 20 Ai, pra, që betohet për altarin, betohet për të dhe për gjithçka që është mbi të; 21 ai që betohet për tempullin, betohet për të dhe për Atë që banon atje,+ 22 dhe ai që betohet për qiellin, betohet për fronin e Perëndisë dhe për Atë që ulet në të.

23 Mjerë ju, skribë dhe farisenj, hipokritë! Ju jepni të dhjetën e mendrës, të koprës e të qimnonit,*+ por shpërfillni çështjet më me peshë të Ligjit, domethënë drejtësinë,+ mëshirën+ dhe besnikërinë. Është e vërtetë që këto gjëra duhej t’i bënit, por pa shpërfillur gjërat e tjera.+ 24 Udhërrëfyes të verbër,+ që hiqni me kullesë harrjen,+ por gëlltitni devenë!+

25 Mjerë ju, skribë dhe farisenj, hipokritë! Ju pastroni nga jashtë kupën dhe pjatën,+ por brenda ato janë plot me lakmi*+ dhe shfrenime.+ 26 Farise i verbër, kupën dhe pjatën pastroji më parë nga brenda, që të jenë të pastra edhe nga jashtë.

27 Mjerë ju, skribë dhe farisenj, hipokritë!+ Ju u përngjani varreve të zbardhura me gëlqere,+ që duken të bukura nga jashtë, por brenda janë plot me eshtra të vdekurish dhe me çdo lloj papastërtie. 28 Kështu edhe ju, nga jashtë dukeni të drejtë para njerëzve, por brenda jeni plot me hipokrizi dhe paligjshmëri.+

29 Mjerë ju, skribë dhe farisenj, hipokritë!+ Ju ndërtoni varret e profetëve, zbukuroni varret e të drejtëve*+ 30 dhe thoni: ‘Po të jetonim në ditët e paraardhësve tanë, s’do të ishim bashkëfajtorë me ta për gjakun e derdhur të profetëve.’ 31 Kështu ju dëshmoni kundër vetes suaj se jeni bij të atyre që vranë profetët.+ 32 E pra, çojeni deri në fund punën që nisën paraardhësit tuaj.*

33 Gjarpërinj, pjellë nepërkash!+ Si do të shpëtoni nga gjykimi i Gehenës?*+ 34 Për këtë arsye po ju dërgoj profetë,+ njerëz të mençur dhe mësues.*+ Disa do t’i vritni+ e do t’i ekzekutoni në shtyllë, disa do t’i fshikulloni+ në sinagogat tuaja dhe do t’i përndiqni+ qytet më qytet, 35 që të bjerë mbi ju gjithë gjaku i të drejtëve* që është derdhur mbi tokë, nga gjaku i Abelit të drejtë,+ deri te gjaku i Zakarisë, birit të Barakiahut, të cilin e vratë mes shenjtërores dhe altarit.+ 36 Vërtet po ju them: të gjitha këto gjëra do të bien mbi këtë brez.*

37 Jerusalem, Jerusalem, vrasës i profetëve, që i vret me gurë ata që janë dërguar te ti!+ Sa herë desha t’i mblidhja bashkë fëmijët e tu, ashtu si i mbledh klloçka zogjtë nën krahë! Por ju nuk deshët.+ 38 Ja, shtëpia juaj është braktisur* dhe është lënë në dorën tuaj.+ 39 Vërtet po ju them: që sot e tutje nuk do të më shihni më kurrë, derisa të thoni: ‘I bekuar është ai që vjen në emër të Jehovait!’»*+

24 Tani, ndërsa Jezui po dilte nga tempulli, dishepujt iu afruan që t’i tregonin ndërtesat e tempullit. 2 Por ai u tha: «A i shihni gjithë këto gjëra? Vërtet po ju them: me siguri, këtu nuk do të mbetet gur mbi gur pa u rrëzuar.»+

3 Kur po rrinte ulur në Malin e Ullinjve, dishepujt iu afruan veçmas dhe e pyetën: «Na thuaj, kur do të ndodhin këto gjëra dhe cila do të jetë shenja e pranisë* sate+ dhe e përfundimit të sistemit?»*+

4 Jezui iu përgjigj: «Kujdes se mos ju mashtron ndonjë,+ 5 sepse shumë veta do të vijnë dhe, duke përdorur emrin tim, do të thonë: ‘Unë jam Krishti’ dhe do të mashtrojnë shumë njerëz.+ 6 Do të dëgjoni të flitet për luftëra dhe lajme luftërash, por mos u alarmoni sepse këto gjëra duhet të ndodhin, por ende nuk është fundi.+

7 Atëherë do të ngrihet komb kundër kombi dhe mbretëri kundër mbretërie+ e do të ketë mungesa ushqimi+ dhe tërmete nga njëri vend në tjetrin.+ 8 Të gjitha këto janë fillimi i dhembjeve therëse.*

9 Atëherë njerëzit do t’ju lënë në duart e përndjekësve*+ e do t’ju vrasin,+ dhe të gjitha kombet do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim.+ 10 Shumë veta do të heqin dorë nga besimi,* do të tradhtojnë dhe do të urrejnë njëri-tjetrin. 11 Do të dalin shumë profetë të rremë, që do të mashtrojnë shumë veta,+ 12 dhe për shkak të rritjes së ligësisë,* dashuria e shumicës do të ftohet. 13 Por ai që qëndron* deri në fund, do të shpëtojë.+ 14 Dhe ky lajm i mirë për Mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet,+ e atëherë do të vijë fundi.

15 Prandaj, kur të vini re gjënë e neveritshme që shkakton shkretim, si tha profeti Daniel, e cila qëndron në vend të shenjtë+ (lexuesi të përdorë aftësi dalluese), 16 atëherë ata që janë në Jude, të fillojnë të ikin me të shpejtë në male.+ 17 Ai që është në tarracë, të mos zbresë në shtëpi për të marrë të mirat e veta, 18 dhe ai që është në arë, të mos kthehet për të marrë mantelin.* 19 Mjerë gratë shtatzëna dhe ato që kanë foshnjë në gji ato ditë! 20 Vazhdoni të luteni, që të mos ju ndodhë të ikni në dimër, as në ditë Sabati, 21 sepse atëherë do të ketë një shtrëngim aq të madh,*+ sa nuk ka pasur që nga fillimi i botës e deri tani, e as do të ketë përsëri.+ 22 Në fakt, po të mos shkurtoheshin ato ditë, asnjë njeri* nuk do të shpëtonte. Por, për hir të të zgjedhurve, ato ditë do të shkurtohen.+

23 Atëherë, nëse ndonjë ju thotë: ‘Ja, Krishti është këtu’+ ose ‘Ja, është atje’, mos e besoni,+ 24 sepse do të dalin krishtër të rremë dhe profetë të rremë+ e do të bëjnë shenja të mëdha dhe mrekulli, që të mashtrojnë+ madje edhe të zgjedhurit. 25 Ja, unë ju paralajmërova! 26 Prandaj, nëse ju thonë: ‘Ja, ai është në shkretëtirë’, mos dilni. Edhe nëse ju thonë: ‘Ja, ai është në dhomën e brendshme’, mos e besoni,+ 27 sepse ashtu si rrufeja del nga lindja dhe ndriçon deri në perëndim, ashtu do të jetë edhe prania* e Birit të njeriut.+ 28 Ku të jetë kërma, atje do të mblidhen shqiponjat.*+

29 Menjëherë pas shtrëngimit të atyre ditëve, dielli do të errësohet+ e hëna nuk do të ndriçojë më. Yjet do të bien nga qielli dhe qiejt* do të shkunden.+ 30 Atëherë do të shfaqet në qiell shenja e Birit të njeriut, dhe të gjitha fiset e tokës do t’i bien gjoksit me grushte nga hidhërimi,+ e do të shohin Birin e njeriut+ duke ardhur në retë e qiellit me fuqi dhe lavdi të madhe.+ 31 Ai do të dërgojë engjëjt e vet me buçitje trumbetash dhe ata do t’i mbledhin të zgjedhurit nga të katër anët,* nga njëri skaj i qiellit në skajin tjetër.+

32 Tani, mësoni nga ilustrimi për pemën e fikut: sapo del bisku e lëshon gjethe, ju e dini se vera është afër.+ 33 Po ashtu edhe ju, kur t’i shihni të gjitha këto gjëra, dijeni se ai* është afër, te dera.+ 34 Vërtet po ju them se ky brez nuk do të marrë fund kurrsesi, pa ndodhur të gjitha këto gjëra. 35 Qielli dhe toka do të marrin fund,* por fjalët e mia do të mbeten përgjithmonë.*+

36 Mirëpo ditën ose orën askush s’e di,+ as engjëjt e qiejve, as Biri, por vetëm Ati;+ 37 sepse ashtu siç ishin ditët e Noesë,+ ashtu do të jetë edhe prania* e Birit të njeriut.+ 38 Ashtu si njerëzit në ato ditë përpara Përmbytjes, hanin e pinin dhe burrat e gratë martoheshin, deri ditën që Noeja hyri në arkë,+ 39 dhe nuk kushtuan vëmendje derisa erdhi Përmbytja e i përpiu të gjithë,+ kështu do të jetë prania e Birit të njeriut. 40 Atëherë dy burra do të jenë në arë: njëri do të merret dhe tjetri do të lihet. 41 Dy gra do të jenë duke bluar në mulli:* njëra do të merret dhe tjetra do të lihet.+ 42 Prandaj qëndroni vigjilentë, sepse nuk e dini në ç’ditë vjen Zotëria juaj.+

43 Por mos harroni: po ta dinte i zoti i shtëpisë në ç’orë* të natës do të vinte hajduti,+ do të rrinte zgjuar dhe nuk do ta linte të futej në shtëpi e të vidhte.+ 44 Prandaj edhe ju rrini gati,+ sepse Biri i njeriut do të vijë në një orë që s’e mendoni.

45 Kush është në të vërtetë skllavi besnik dhe i mençur,* të cilin zotëria i tij e emëroi mbi shërbëtorët e shtëpisë së vet, për t’u dhënë atyre ushqim në kohën e duhur?+ 46 Lum ai skllav nëse zotëria i tij e gjen duke bërë kështu kur të vijë!+ 47 Vërtet po ju them: ai do ta emërojë mbi gjithë zotërimet e veta.

48 Por, sikur ai skllav të ishte i lig e të thoshte me vete: ‘Zotëria im po vonon’+ 49 e të fillonte t’i rrihte skllevërit e tjerë dhe të hante e të pinte me pijanecët, 50 zotëria i tij do të vinte në një ditë që ai s’e priste dhe në një orë që ai nuk e dinte,+ 51 do ta ndëshkonte me ashpërsinë më të madhe dhe do ta vinte bashkë me hipokritët. Atje do të qante dhe do të kërcëllinte dhëmbët.+

25 Atëherë, Mbretëria e qiejve mund të krahasohet me dhjetë virgjëresha, që morën llambat+ dhe dolën për të takuar dhëndrin.+ 2 Pesë ishin mendjelehta dhe pesë ishin të mençura.*+ 3 Të parat ishin mendjelehta, sepse i morën llambat, por nuk morën vaj me vete. 4 Kurse të tjerat ishin të mençura, sepse bashkë me llambat, morën me vete edhe vaj në enë. 5 Meqë dhëndri po vonohej, të gjithave iu var koka dhe i zuri gjumi. 6 Tamam në mes të natës u dëgjua një britmë: ‘Po vjen dhëndri! Dilni ta takoni.’ 7 Atëherë të gjitha virgjëreshat u ngritën dhe bënë gati llambat.+ 8 Mendjelehtat u thanë të mençurave: ‘Na jepni pak vaj, sepse po na shuhen llambat.’ 9 Të mençurat u përgjigjën: ‘Mund të mos mjaftojë edhe për ne, edhe për ju. Prandaj shkoni më mirë te shitësit dhe blini për vete.’ 10 Ndërsa ato po shkonin të blinin, erdhi dhëndri dhe, virgjëreshat që ishin gati, hynë bashkë me të në dasmë,+ e dera u mbyll. 11 Më pas, erdhën edhe virgjëreshat e tjera e thanë: ‘Zotëri, Zotëri, na e hap derën!’+ 12 Por ai iu përgjigj: ‘Po ju them të vërtetën: unë nuk ju njoh.’

13 Prandaj qëndroni vigjilentë,+ sepse nuk e dini as ditën, as orën.+

14 Mbretëria mund të krahasohet me një njeri, i cili kur do të ikte në dhé të huaj, thërriti skllevërit dhe u besoi zotërimet e veta.+ 15 Njërit i dha pesë talenta,* tjetrit dy dhe një tjetri një, secilit sipas aftësive. Pastaj u nis. 16 Ai që mori pesë talenta, shkoi menjëherë e bëri tregti me to, dhe fitoi edhe pesë të tjera. 17 Edhe ai që mori dy, fitoi dy të tjera. 18 Kurse ai që mori vetëm një, shkoi, gërmoi në tokë dhe i fshehu paratë* e zotërisë.

19 Pas një kohe të gjatë, zotëria i atyre skllevërve erdhi dhe mbylli llogaritë me ta.+ 20 Ai që kishte marrë pesë talenta, doli përpara, i solli edhe pesë talentat e tjera dhe i tha: ‘Zotëri, ti më besove pesë talenta. Shiko, unë kam fituar edhe pesë të tjera.’+ 21 Zotëria i tha: ‘Të lumtë, skllav i mirë dhe besnik! Ti u tregove besnik kur t’u ngarkuan pak gjëra, prandaj do të të emëroj mbi shumë gjëra;+ gëzohu edhe ti me zotërinë tënd!+ 22 Pastaj doli përpara ai që kishte marrë dy talenta dhe i tha: ‘Zotëri, ti më besove dy talenta. Shiko, unë kam fituar edhe dy të tjera.’+ 23 Zotëria i tha: ‘Të lumtë, skllav i mirë dhe besnik! Ti u tregove besnik kur t’u ngarkuan pak gjëra, prandaj do të të emëroj mbi shumë gjëra; gëzohu edhe ti me zotërinë tënd!’

24 Në fund doli përpara ai që kishte marrë një talentë dhe i tha: ‘Zotëri, unë e dija se ti je një njeri kërkues, që korr atje ku nuk mbjell dhe mbledh atje ku nuk hedh.+ 25 Prandaj pata frikë e shkova dhe e fsheha në tokë talentën tënde. Ja ku e ke atë që është jotja.’ 26 Atëherë zotëria iu përgjigj: ‘Skllav i lig dhe përtac, ti e dije, pra, që unë korr atje ku nuk mbjell dhe mbledh atje ku nuk hedh. 27 Prandaj duhej t’i kishe depozituar paratë* e mia te bankierët dhe, kur të vija, do të merrja me përqindje interesi atë që është imja.

28 Merrjani, pra, talentën dhe jepjani atij që ka dhjetë,+ 29 sepse atij që ka, do t’i jepet edhe më shumë dhe do të ketë me bollëk, por atij që nuk ka, do t’i merret edhe ajo që ka.+ 30 Pastaj flakeni jashtë në errësirë skllavin që s’meriton asgjë.* Atje do të qajë dhe do të kërcëllijë dhëmbët.’

31 Kur Biri i njeriut+ të vijë në lavdinë e tij, dhe bashkë me të edhe të gjithë engjëjt,+ atëherë ai do të ulet në fronin e tij të lavdishëm. 32 Tërë kombet do të mblidhen para tij, dhe ai do t’i ndajë njerëzit njërin nga tjetri, ashtu si ndan bariu delet nga cjeptë. 33 Delet+ do t’i vërë në të djathtë, kurse cjeptë në të majtë.+

34 Pastaj Mbreti do t’u thotë atyre në të djathtë: ‘Ejani, ju që u bekuat nga Ati im, trashëgoni Mbretërinë e përgatitur për ju që nga themelimi i botës, 35 sepse pata uri dhe më dhatë për të ngrënë, pata etje dhe më dhatë për të pirë. Isha i huaj dhe ju më mirëpritët,+ 36 isha i zhveshur* dhe më veshët.+ U sëmura dhe u kujdesët për mua. Isha në burg dhe ju erdhët tek unë.’+ 37 Atëherë të drejtët do t’ia kthejnë: ‘Zotëri, kur të pamë të uritur dhe të dhamë për të ngrënë, a të etur dhe të dhamë për të pirë?!+ 38 Kur ishe i huaj dhe të mirëpritëm?! Kur të pamë të zhveshur dhe të veshëm?! 39 Kur ishe sëmurë apo në burg dhe erdhëm te ti?!’ 40 Mbreti do t’u përgjigjet: ‘Vërtet po ju them: nëse i keni bërë këto për një nga vëllezërit e mi më të vegjël, i keni bërë edhe për mua.’+

41 Atëherë do t’u thotë edhe atyre në të majtë: ‘Largohuni nga unë,+ ju të mallkuar, në zjarrin e përhershëm*+ të përgatitur për Djallin dhe engjëjt e tij,+ 42 sepse pata uri, por s’më dhatë asgjë për të ngrënë, pata etje, por s’më dhatë asgjë për të pirë. 43 Isha i huaj, por nuk më mirëpritët, i zhveshur, por nuk më veshët, i sëmurë dhe në burg, por nuk u kujdesët për mua.’ 44 Edhe ata do t’i përgjigjen: ‘Zotëri, kur të pamë të uritur apo të etur, dhe kur ishe i huaj apo i zhveshur, i sëmurë apo në burg dhe nuk të shërbyem?!’ 45 Prandaj ai do t’u thotë: ‘Vërtet po ju them: nëse nuk i keni bërë këto për një nga vëllezërit e mi më të vegjël, nuk i keni bërë as për mua.’+ 46 Ata do të përfundojnë në vdekjen* e përhershme,+ kurse të drejtët do të marrin jetën e përhershme.»+

26 Tani, kur mbaroi gjithë këto fjalë, Jezui u tha dishepujve të vet: 2 «Ju e dini se pas dy ditësh bie Festa e Kalimit*+ dhe Birin e njeriut do ta dorëzojnë që ta ekzekutojnë në shtyllë.»+

3 Atëherë krerët e priftërinjve dhe pleqtë e popullit u mblodhën në oborrin e kryepriftit, i cili quhej Kajafa,+ 4 dhe së bashku thurën një komplot+ kundër Jezuit që ta arrestonin* me dredhi dhe ta vritnin. 5 Megjithatë thoshin: «Jo në festë, që të mos bëhet ndonjë trazirë në popull.»

6 Kur Jezui ishte në Betani, në shtëpinë e Simonit, të lebrosurit,+ 7 ndërsa po hante,* iu afrua një grua me një enë alabastri me vaj aromatik të kushtueshëm dhe nisi t’ia derdhte mbi kokë. 8 Kur e panë këtë, dishepujt u indinjuan dhe thanë: «Pse ky harxhim i kotë? 9 Ky vaj mund të ishte shitur shumë shtrenjtë e paratë t’u jepeshin të varfërve.» 10 Jezuit ia kapi veshi këtë dhe u tha: «Pse e bezdisni këtë grua? Ajo bëri një vepër të mirë ndaj meje. 11 Të varfrit do t’i keni gjithmonë,+ kurse mua nuk do të më keni gjithmonë.+ 12 Ajo grua e hodhi këtë vaj aromatik mbi trupin tim që të më përgatiste për varrim.+ 13 Vërtet po ju them: kudo që të predikohet lajmi i mirë në mbarë botën, do të tregohet edhe ajo që bëri kjo grua, në kujtim të saj.»+

14 Pastaj një nga të Dymbëdhjetët, ai që quhej Judë Iskarioti,+ shkoi te krerët e priftërinjve+ 15 dhe u tha: «Ç’do të më jepni që ta tradhtoj e ta dorëzoj në duart tuaja?»+ Ata ranë dakord për 30 monedha argjendi.+ 16 Kështu, që nga ajo kohë, ai kërkonte një rast të volitshëm për ta tradhtuar.

17 Ditën e parë të Festës së Bukëve Pa Maja,+ dishepujt iu afruan Jezuit dhe e pyetën: «Ku dëshiron të të përgatitim darkën e Festës së Kalimit?»+ 18 Ai tha: «Shkoni në qytet te filani dhe i thoni: “Mësuesi thotë: ‘Koha ime* është afër. Do ta kremtoj Festën e Kalimit bashkë me dishepujt e mi në shtëpinë tënde.’”» 19 Kështu dishepujt bënë siç i udhëzoi Jezui dhe përgatitën gjërat për Festën e Kalimit.

20 Kur ra mbrëmja,+ ai ishte shtruar në tryezë me 12 dishepujt.+ 21 Ndërsa ata po hanin, u tha: «Vërtet po ju them se njëri nga ju do të më tradhtojë.»+ 22 Shumë të trishtuar, ata nisën t’i thoshin të gjithë pa përjashtim: «Zotëri, nuk jam unë, apo jo?» 23 Ai u përgjigj: «Do të më tradhtojë ai që ngjyen bukën bashkë me mua në çanak.*+ 24 Vërtet, Biri i njeriut po ikën, ashtu siç është shkruar për të, por mjerë+ ai njeri që e tradhton Birin e njeriut!+ Për të do të ishte më mirë të mos kishte lindur.»+ 25 Atëherë Juda, që pas pak do ta tradhtonte, i tha: «Nuk jam unë, Rabi, apo jo?» Ai i tha: «Ti vetë e the.»

26 Ndërsa vazhdonin të hanin, Jezui mori një bukë dhe pasi bëri një lutje,* e theu,+ ua dha dishepujve dhe u tha: «Merrni, hani. Kjo përfaqëson trupin tim.»+ 27 Mori edhe një kupë verë, falënderoi Perëndinë, ua dha atyre dhe tha: «Pini të gjithë ju,+ 28 sepse kjo përfaqëson gjakun tim, ‘gjakun+ e besëlidhjes’,+ që do të derdhet në dobi të shumë vetave,+ për faljen e mëkateve.+ 29 Megjithatë po ju them se nuk do të pi më kurrë nga kjo verë, deri ditën kur ta pi të re, bashkë me ju, në Mbretërinë e Atit tim.»+ 30 Në fund, pasi kënduan lavde,* dolën dhe shkuan në Malin e Ullinjve.+

31 Atëherë Jezui u tha: «Këtë natë, të gjithëve ju do t’ju lëkundet besimi për shkakun tim, sepse është shkruar: ‘Do të godas bariun dhe delet e kopesë do të hallakaten.’+ 32 Por, pasi të ngrihem nga të vdekurit, do të shkoj përpara jush në Galile.»+ 33 Mirëpo Pjetri i tha: «Edhe sikur të gjithëve t’u lëkundet besimi për shkakun tënd, mua kurrë nuk do të më lëkundet besimi!»+ 34 Jezui ia ktheu: «Vërtet po të them: sonte, para se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë.»+ 35 Pjetri i tha: «Edhe sikur të më duhej të vdisja me ty, kurrsesi nuk do të të mohoja!»+ Të njëjtën gjë thanë edhe gjithë dishepujt e tjerë.

36 Pastaj Jezui shkoi bashkë me ta në një vend të quajtur Getsemani+ dhe u tha: «Uluni këtu, kurse unë po shkoj pak më tutje që të lutem.»+ 37 Me vete mori Pjetrin dhe dy djemtë e Zebedeut. Ai filloi të ndiente dhembje e ankth të madh,+ 38 dhe u tha atyre: «Më dhemb shpirti, madje për vdekje. Rrini këtu dhe qëndroni vigjilentë bashkë me mua.»+ 39 Pastaj shkoi pak më përpara, u përkul me fytyrë përtokë dhe filloi të lutej:+ «Ati im, nëse është e mundur, le të mos pi nga* kjo kupë.+ Megjithatë, jo si dëshiroj unë, por si dëshiron ti.»+

40 Kur u kthye te dishepujt, i gjeti duke fjetur, prandaj i tha Pjetrit: «Nuk mundët të qëndronit vigjilentë me mua as edhe një orë?+ 41 Qëndroni vigjilentë+ dhe lutuni vazhdimisht,+ që të mos tundoheni.+ Sigurisht, zemra* është gati, por trupi* është i dobët.»+ 42 Ai iku sërish, për të dytën herë, dhe u lut: «Ati im, nëse nuk është e mundur që të mos pi nga kjo kupë, atëherë u bëftë vullneti yt.»+ 43 U kthye prapë dhe i gjeti duke fjetur, sepse u ishin rënduar sytë. 44 Kështu u largua përsëri prej tyre dhe u lut për të tretën herë, duke thënë të njëjtat fjalë. 45 Pastaj u kthye te dishepujt dhe u tha: «Në një kohë si kjo, ju flini dhe pushoni?! Ja, është afruar ora që Birin e njeriut ta tradhtojnë dhe ta dorëzojnë në duart e mëkatarëve. 46 Ngrihuni, le të shkojmë. Tradhtari im është afër.» 47 Ndërsa po fliste, ja, erdhi Juda, një nga të Dymbëdhjetët. Bashkë me të erdhi edhe një turmë e madhe me shpata dhe hunj nëpër duar, që e kishin dërguar krerët e priftërinjve dhe pleqtë e popullit.+

48 Tradhtari u kishte thënë atyre se do t’u bënte një shenjë: «Atë që do të puth, ai është; atë arrestoni.» 49 Ai vajti drejt e te Jezui dhe i tha: «Tungjatjeta, Rabi!» dhe e puthi miqësisht. 50 Kurse Jezui i tha: «Mik, për ç’arsye je këtu?»+ Kështu ata erdhën, e kapën Jezuin dhe e arrestuan. 51 Kur ja, një nga ata që ishin me Jezuin, zgjati dorën dhe nxori shpatën, goditi skllavin e kryepriftit dhe i preu veshin.+ 52 Atëherë Jezui i tha: «Ktheje shpatën në vendin e vet,+ sepse të gjithë ata që marrin shpatën, nga shpata do të vdesin.+ 53 Apo mendon se nuk i lutem dot Atit tim që të më dërgojë në çast më shumë se 12 legjione engjëjsh?+ 54 Si do të përmbusheshin atëherë Shkrimet, sipas të cilave duhet të ndodhë kështu?» 55 Në atë çast, Jezui u tha turmave: «Paskeni ardhur të më arrestoni me shpata dhe hunj sikur të isha kusar?! Ditë për ditë ulesha në tempull dhe mësoja,+ e megjithatë ju nuk më arrestuat.+ 56 Por e gjithë kjo po ndodh që të përmbushen shkrimet e profetëve.»+ Atëherë të gjithë dishepujt e braktisën dhe ia mbathën.+

57 Ata që e arrestuan Jezuin, e çuan te kryeprifti Kajafa,+ ku ishin mbledhur skribët dhe pleqtë.+ 58 Kurse Pjetri e ndoqi nga larg deri në oborrin e kryepriftit dhe, pasi hyri brenda, u ul bashkë me shërbëtorët e shtëpisë për të parë si do të shkonte puna.+

59 Ndërkohë, krerët e priftërinjve dhe gjithë Sinedri po kërkonin dëshmitarë të rremë kundër Jezuit, që ta ekzekutonin.+ 60 Mirëpo nuk gjetën asnjë, edhe pse u paraqitën shumë dëshmitarë të rremë.+ Më vonë u paraqitën dy të tjerë 61 dhe thanë: «Ky njeri ka thënë: ‘Unë jam në gjendje ta rrëzoj tempullin e Perëndisë dhe ta ndërtoj për tri ditë.’»+ 62 Atëherë kryeprifti u çua dhe i tha: «S’po jep asnjë përgjigje? Nuk e dëgjon ç’po dëshmojnë këta kundër teje?»+ 63 Por Jezui nuk bënte zë.+ Kështu kryeprifti i tha: «Të vë në be për Perëndinë e gjallë, që të na thuash nëse ti je Krishti, Biri i Perëndisë!»+ 64 Jezui i tha: «Ti vetë e the. Megjithatë unë po ju them: që tani e tutje do ta shihni Birin e njeriut+ të ulur në të djathtën e të Fuqishmit*+ dhe duke ardhur në retë e qiellit.»+ 65 Menjëherë kryeprifti shqeu rrobat dhe tha: «Ai blasfemoi! Ç’na duhen më dëshmitarët?! Ju e dëgjuat vetë blasfeminë.* 66 Ç’mendoni?» Ata u përgjigjën: «Meriton vdekjen!»+ 67 Atëherë e pështynë në fytyrë+ dhe i gjuajtën me grushte.+ Të tjerë i ranë me shuplaka+ 68 dhe i thanë: «Na profetizo, o Krisht! Kush të goditi?»

69 Ndërkohë, Pjetri po rrinte ulur jashtë në oborr. Një shërbëtore iu afrua dhe i tha: «Edhe ti ishe me Jezuin, galileasin.»+ 70 Por ai e mohoi përpara të gjithëve dhe tha: «Nuk e di për çfarë po flet.» 71 Kur po shkonte te porta e oborrit,* një vajzë tjetër e vuri re dhe u tha atyre që ishin atje: «Ky njeri ishte me Jezuin, nazareasin.»+ 72 Kurse ai e mohoi përsëri dhe zuri be: «Nuk e njoh atë njeri!» 73 Pas pak, ata që ishin atje rrotull, u afruan dhe i thanë Pjetrit: «E sigurt që edhe ti je një nga ata, sepse të tradhton theksi.»* 74 Kështu ai filloi të mallkonte veten e të betohej: «Po nuk e njoh atë njeri!» Dhe menjëherë një gjel këndoi. 75 Pjetrit i erdhën ndër mend fjalët e Jezuit: «Para se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë.»+ Ai doli përjashta dhe qau me dënesë.

27 Kur zbardhi dita, të gjithë krerët e priftërinjve dhe pleqtë e popullit u mblodhën për të komplotuar kundër Jezuit që ta vritnin.+ 2 Pasi e vunë në vargonj, ata e morën dhe ia dorëzuan Pilatit, guvernatorit.+

3 Atëherë Judën, që e tradhtoi, e breu ndërgjegjja kur pa se Jezui u shpall fajtor, prandaj u ktheu krerëve të priftërinjve e pleqve 30 monedhat e argjendit+ 4 e u tha: «Mëkatova, sepse tradhtova një njeri* të pafajshëm.» Ata ia kthyen: «Ç’na duhet neve? Punë për ty!» 5 Prandaj ai i hodhi monedhat e argjendit në tempull, u largua dhe shkoi e vari veten.+ 6 Por krerët e priftërinjve i morën monedhat e argjendit dhe thanë: «S’është e ligjshme t’i hedhim në thesarin e shenjtë, sepse janë çmim gjaku.» 7 Pasi u konsultuan me njëri-tjetrin, i përdorën paratë për të blerë arën e poçarit si varrezë për të huajt. 8 Prandaj ara quhet deri më sot Ara e Gjakut.+ 9 Atëherë u përmbush ajo që ishte thënë nëpërmjet profetit Jeremia: «Ata morën 30 monedhat e argjendit, çmimin që ishte vënë për atë njeri, çmimin që disa nga bijtë e Izraelit kishin vënë për të, 10 dhe blenë me të arën e poçarit, sipas asaj që më kishte urdhëruar Jehovai.»*+

11 Jezui qëndroi në këmbë përpara guvernatorit, që e pyeti: «A je ti mbreti i judenjve?» Jezui ia ktheu: «Ti vetë po thua.»+ 12 Megjithatë, kur krerët e priftërinjve dhe pleqtë e akuzonin, ai nuk kthente asnjë përgjigje.+ 13 Atëherë Pilati e pyeti: «A nuk e dëgjon sa shumë akuza po ngrenë kundër teje?» 14 Mirëpo ai nuk iu përgjigj dhe s’tha as gjysmë fjale, prandaj guvernatori u çudit shumë.

15 Tani, në çdo festë, guvernatori e kishte zakon të lironte një të burgosur, këdo që dëshironte turma.+ 16 Pikërisht në atë kohë, në burg mbahej një i burgosur famëkeq, që quhej Baraba. 17 Kështu, kur turma u mblodh, Pilati u tha: «Cilin doni t’ju liroj, Barabën apo Jezuin që thonë se është Krishti?» 18 Në fakt Pilati e dinte mirë që ata e kishin dorëzuar nga zilia. 19 Veç kësaj, ndërsa ai rrinte ulur në fronin e gjykimit, gruaja i dërgoi fjalë: «Mos u përziej fare me atë njeri të drejtë, sepse sot kam vuajtur shumë në ëndërr për shkak të tij.» 20 Por krerët e priftërinjve dhe pleqtë ia mbushën mendjen turmës të kërkonin Barabën,+ kurse Jezuin ta vritnin.+ 21 Atëherë, kur guvernatori i pyeti: «Cilin nga të dy doni t’ju liroj?», ata thanë: «Barabën.» 22 Pilati u tha: «Ç’duhet të bëj, pra, me Jezuin që thonë se është Krishti?» Të gjithë u përgjigjën: «Vëre në shtyllë!»*+ 23 Ai tha: «Pse? Ç’të keqe ka bërë?» Mirëpo ata vazhdonin të bërtisnin edhe më shumë: «Vëre në shtyllë!»+

24 Kur pa se nuk arriti gjë, por përkundrazi, po bëhej trazirë, Pilati mori ujë, lau duart para turmës dhe u tha: «Unë jam i pafaj nga gjaku i këtij njeriu. Kjo është punë për ju.» 25 Atëherë gjithë populli iu përgjigj: «Gjaku i tij rëntë mbi ne dhe mbi fëmijët tanë!»*+ 26 Prandaj ai u liroi Barabën, kurse Jezuin urdhëroi ta rrihnin me kamxhik+ dhe ua dha ta ekzekutonin në shtyllë.+

27 Atëherë ushtarët e guvernatorit e çuan Jezuin te pallati i guvernatorit dhe mblodhën rreth tij gjithë trupën e ushtarëve.+ 28 Pasi ia hoqën rrobat, i hodhën përsipër një mantel në të kuqe të ndezur.+ 29 Thurën një kurorë me gjemba, ia vunë në kokë dhe i dhanë një kallam në dorën e djathtë. Pastaj ranë në gjunjë para tij dhe e tallnin duke i thënë: «Tungjatjeta,* o Mbret i judenjve!» 30 E pështynë,+ morën kallamin dhe nisën ta qëllonin në kokë me të. 31 Në fund, pasi u tallën, i hoqën mantelin, i veshën përsëri rrobat e tij të sipërme dhe e çuan që ta gozhdonin në shtyllë.+

32 Kur po dilnin, gjetën një njeri nga Kirena, të quajtur Simon, dhe e detyruan* të mbartte shtyllën e torturës* të Jezuit.+ 33 Kur mbërritën në një vend të quajtur Gólgotha, domethënë te Vendi i Kafkës,+ 34 ata i dhanë Jezuit të pinte verë të përzier me vrer,*+ por, pasi e provoi, ai nuk pranoi ta pinte. 35 Mbasi e gozhduan në shtyllë, i ndanë rrobat e tij me short,+ 36 pastaj u ulën aty që ta ruanin. 37 Përveç kësaj, sipër kokës i vunë akuzën e shkruar kundër tij: «Ky është Jezui, mbreti i judenjve.»+

38 Pastaj vunë në shtyllë përkrah tij edhe dy kusarë, një në të djathtë e një në të majtë.+ 39 Ata që kalonin andej, e shanin,+ tundnin kokën+ 40 dhe thoshin: «Shpëto veten, ti që do ta rrëzoje tempullin dhe do ta ndërtoje për tri ditë!+ Nëse je bir i Perëndisë, zbrit nga shtylla e torturës!»*+ 41 Po ashtu edhe krerët e priftërinjve, bashkë me skribët dhe pleqtë, nisën të talleshin me të e të thoshin:+ 42 «Të tjerët i shpëtoi, por veten nuk e shpëton dot! Nëse është Mbret i Izraelit,+ le të zbresë tani nga shtylla e torturës,* dhe ne do të besojmë tek ai. 43 Ai e ka lënë veten në duart e Perëndisë, prandaj le ta shpëtojë Ai tani, nëse e miraton,+ sepse ka thënë: ‘Unë jam Biri i Perëndisë.’»+ 44 Edhe kusarët që ishin vënë në shtyllë përkrah tij, nisën ta poshtëronin në të njëjtën mënyrë.+

45 Nga ora e gjashtë* deri në orën e nëntë,* gjithë vendin e mbuloi errësira.+ 46 Rreth orës së nëntë, Jezui thërriti me zë të lartë: «Éli, Éli, láma sabahtháni?», që do të thotë: «Perëndia im, Perëndia im, pse më ke braktisur?»+ 47 Kur dëgjuan këtë, disa nga ata që ishin atje, filluan të thoshin: «Ky njeri po thërret Elijan.»+ 48 Menjëherë një prej tyre vrapoi, mori një sfungjer, e njomi me verë të thartë, e vuri në një kallam dhe ia dha që të pinte.+ 49 Por të tjerët i thanë: «Lëre! Të shohim nëse Elija do të vijë ta shpëtojë.» 50 Jezui thirri përsëri me zë të lartë e dha frymë.*+

51 Kur ja, perdja* e shenjtërores+ u ça më dysh,+ nga maja deri në fund,+ dhe toka u drodh e shkëmbinjtë u çanë. 52 Varret* u hapën dhe shumë trupa të të shenjtëve,* që kishin rënë në gjumin e vdekjes, dolën jashtë* varreve, 53 dhe shumë veta i panë. (Pasi Jezui u ngrit nga të vdekurit, disa njerëz që po vinin nga varrezat, hynë në qytetin e shenjtë.) 54 Kur panë tërmetin dhe gjërat që ndodhën, centurioni* dhe ata që ishin me të duke ruajtur Jezuin patën shumë frikë dhe thanë: «Pa dyshim që ky ishte Biri i Perëndisë.»+

55 Atje ishin edhe shumë gra që po shikonin nga larg, të cilat e kishin shoqëruar Jezuin nga Galilea për t’i shërbyer.+ 56 Ndër to ishte Maria-Magdalena, Maria, nëna e Jakovit dhe e Jozeut, si dhe nëna e djemve të Zebedeut.+

57 Tani, pasdite vonë, erdhi një njeri i pasur nga Arimatea, i quajtur Jozef, që ishte bërë dishepull i Jezuit.+ 58 Ky njeri vajti te Pilati e i kërkoi trupin e Jezuit,+ dhe Pilati urdhëroi t’ia jepnin.+ 59 Atëherë Jozefi e mori trupin, e mbështolli me një copë të pastër linoje cilësore+ 60 dhe e vuri në varrin e ri*+ që kishte gërmuar në shkëmb. Pasi rrokullisi një gur të madh te hyrja e varrit,* iku. 61 Por Maria-Magdalena dhe Maria tjetër qëndruan atje, të ulura përpara varrit.+

62 Të nesërmen, pas Ditës së Përgatitjes,*+ krerët e priftërinjve dhe farisenjtë u mblodhën para Pilatit 63 dhe i thanë: «Imzot, na kujtohet se ai mashtruesi, kur ishte ende gjallë, tha: ‘Do të ngrihem pas tri ditësh.’+ 64 Prandaj jep urdhër të ruhet varri deri ditën e tretë, që dishepujt e tij të mos vijnë ta vjedhin+ dhe t’i thonë popullit: ‘Ai u ngrit nga të vdekurit!’ Përndryshe, ky mashtrim i fundit do të jetë më i keq se i pari.» 65 Pilati u tha: «Merrni roja dhe shkoni e ruajeni sa më mirë të mundeni.» 66 Atëherë ata shkuan, vulosën gurin dhe vunë rojat te varri.

28 Pas Sabatit, kur po zbardhte dita e parë e javës, Maria-Magdalena dhe Maria tjetër vajtën të shihnin varrin.+

2 Kur ja, atje kishte rënë një tërmet i madh, sepse engjëlli i Jehovait* kishte zbritur nga qielli, kishte ardhur, kishte rrokullisur gurin dhe po rrinte ulur mbi të.+ 3 Pamjen e kishte si vetëtima dhe rrobat të bardha si bora.+ 4 Nga frika, rojat u drodhën dhe mbetën si të vdekur.

5 Kurse engjëlli u tha grave: «Mos kini frikë, sepse e di se po kërkoni Jezuin, që u ekzekutua në shtyllë.+ 6 Ai nuk është këtu, sepse u ringjall,* ashtu si kishte thënë.+ Ejani, shihni vendin ku ishte shtrirë 7 dhe pastaj shkoni shpejt e tregojuni dishepujve të tij se ai u ngrit nga të vdekurit dhe u thoni: ‘Ai po shkon përpara jush në Galile;+ atje do ta shihni.’ Ky është mesazhi im për ju.»+

8 Kështu ato u larguan me të shpejtë nga varri* dhe, me frikë e gëzim të madh, vrapuan për t’ua çuar lajmin dishepujve.+ 9 Kur ja, Jezui u doli përpara dhe u tha: «Mirëdita!» Ato u afruan, e zunë nga këmbët dhe i bënë nderime.* 10 Atëherë Jezui u tha: «Mos kini frikë! Shkoni, çojuani lajmin vëllezërve të mi, që të shkojnë në Galile, dhe atje do të më shohin.»

11 Ndërsa ato ishin rrugës, disa nga rojat+ hynë në qytet dhe i njoftuan krerët e priftërinjve për gjithçka që kishte ndodhur. 12 Këta, pasi u mblodhën me pleqtë, u konsultuan dhe u dhanë ushtarëve një shumë të konsiderueshme monedhash argjendi 13 e u thanë: «Thoni kështu: ‘Dishepujt e tij erdhën natën dhe e vodhën kur ne po flinim.’+ 14 Nëse kjo shkon në vesh të guvernatorit, ne do t’ia shpjegojmë çështjen,* dhe ju s’keni pse të merakoseni.» 15 Kështu ata i morën monedhat e argjendit dhe bënë siç i kishin udhëzuar. Kjo histori është e përhapur mes judenjve edhe sot e kësaj dite.

16 Megjithatë, 11 dishepujt shkuan në Galile+ për të takuar Jezuin në malin që u kishte thënë.+ 17 Kur e panë, ata i bënë nderime,* por disa dyshuan. 18 Jezui u afrua dhe u tha: «Më është dhënë çdo autoritet në qiell dhe në tokë.+ 19 Prandaj shkoni dhe bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet,+ duke i pagëzuar+ në emër të Atit, të Birit e të frymës së shenjtë 20 dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar.+ Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në përfundimin e sistemit.»*+

Ose «i gjenealogjisë».

Ose «së Mesisë; së të Mirosurit».

Fjalë për fjalë «u bë ati i».

Fjalë për fjalë «u bë ati i».

Fjalë për fjalë «u bë ati i».

Fjalë për fjalë «u bë ati i».

Fjalë për fjalë «u gjend».

Ose «të forcës vepruese të Perëndisë».

Kjo është hera e parë nga 237 vendet në Shkrimet e Krishtere Greke ku shfaqet në tekstin kryesor të këtij përkthimi emri hyjnor, Jehova. Shih Shtojcën A5.

Ose «që ajo do të lindë».

Përkon me emrin hebraik Jeshua ose Josi, që do të thotë «Jehovai është shpëtim».

Shih Shtojcën A5.

Shih Shtojcën A5.

Shih Fjalorthin.

Ose «magjistarë».

Ose «që të përkulemi para tij».

Ose «Mesia; i Mirosuri».

Ose «dhe u përkulën para tij».

Shih Shtojcën A5.

Shih Shtojcën A5.

Shih Shtojcën A5.

Ose «shpirtin».

Ka të ngjarë të vijë nga fjala hebraike «filiz».

Shih Shtojcën A5.

Shih Fjalorthin.

Lopatë e gjerë që përdoret për të hedhur në erë drithin kur pastrohet.

Shih Fjalorthin.

Mund t’i referohet Gjonit.

Domethënë, mbi Jezuin.

Shih Shtojcën A5.

Ose «te parmakët; te pika më e lartë».

Shih Shtojcën A5.

Ose «më bën një akt adhurimi». Folja në greqisht tregon një veprim që ndodh vetëm një herë.

Shih Shtojcën A5.

Ose «t’i shërbenin».

Ose «rajoni me dhjetë qytete».

Fjalë për fjalë «ai hapi gojën».

Ose «ata që lypin për frymën e Perëndisë». Fjalë për fjalë «të varfrit në frymë».

Ose «zemërbutë».

Ose «ata që janë paqësorë».

Domethënë, nën një enë që shërben si masë drithi.

Fjalë për fjalë «të shkatërroj».

Fjalë për fjalë «më i vogli».

Fjalë për fjalë «i madh».

Domethënë, kundër një bashkëbesimtari.

Vendi ku digjeshin plehrat jashtë Jerusalemit. Shih Fjalorthin.

Domethënë, një dhuratë për Perëndinë.

Fjalë për fjalë «kuadranin e fundit». Shih Shtojcën B14.

Ose «tradhti bashkëshortore».

Ose «të bën të mëkatosh».

Shih Fjalorthin.

Shih Fjalorthin.

Greqisht porneía. Shih Fjalorthin.

Domethënë, me një grua që nuk është divorcuar për shkak të imoralitetit seksual.

Shih Shtojcën A5.

Ose «veshjen e brendshme».

Ose «veshjen e sipërme».

Fjalë për fjalë «të kryesh shërbim të detyruar».

Fjalë për fjalë «milje». Shih Shtojcën B14.

Domethënë, hua pa përqindje interesi.

Ose «tjetrin». Shih Fjalorthin.

Ose «të plotë».

Ose «lëmoshë». Shih Fjalorthin.

Ose «u konsideroftë i shenjtë».

Fjalë për fjalë «borxhet».

Fjalë për fjalë «borxhlinjtë tanë».

Fjalë për fjalë «mos na ço».

Ose «shpëto».

Ose «fajet».

Ose «lënë pas dore pamjen e tyre».

Ose «i kthjellët». Fjalë për fjalë «i thjeshtë».

Ose «plot dritë».

Domethënë, që kërkon shumë gjëra. Fjalë për fjalë «i keq; i lig».

Ose «për shpirtin».

Ose «shpirti».

Fjalë për fjalë «një kut». Shih Shtojcën B14.

Ose «në furrë».

Fjalë për fjalë «kombet». Shih Fjalorthin.

Fjalë për fjalë «të ligj».

Ose «e gjerë».

Ose «e ngushtë».

Kjo fjalë shpesh nënkupton shpërfillje ndaj ligjeve të Perëndisë.

Ose «i matur».

Ose «të përkulej para tij».

Ose «dhuratën».

Fjalë për fjalë «si dëshmi për ta». Ka të ngjarë t’u referohet priftërinjve.

Komandant i 100 ushtarëve.

Shih Fjalorthin, «Demonët».

Ose «po ju mpaket zemra?»

Ose «nga varret përkujtimore».

Ose «drejt rrëpirës».

Ose «shtrat portativ».

Shih Fjalorthin.

Ose «ithtari im».

Ose «ishin shtruar në tryezë».

Ose «u shtruan në tryezë».

Domethënë, një copë të re që s’është larë ndonjëherë.

Ose «nisi të përkulej para tij».

Shih Fjalorthin, «Vënia e duarve».

Ose «ai ndjeu keqardhje».

Fjalë për fjalë «ua kishin rrjepur lëkurën».

Shih Fjalorthin, «Demonët».

Ose «Kananeni».

Domethënë, një lloj brezi me një vend të posaçëm për të mbajtur paratë.

Ose «një veshje shtesë».

Ose «mendjemprehtë».

Ose «qëndron besnik».

Ose «në tërë qarkun e qyteteve të Izraelit».

Fjalë për fjalë «Nxënësit i mjafton të bëhet si mësuesi dhe skllavit si zotëria».

Një emër tjetër për Satanain, princin ose sundimtarin e demonëve.

Ose «shpresën për të jetuar».

Shih Fjalorthin.

Fjalë për fjalë «për një asarion?» Shih Shtojcën B14.

Shih Fjalorthin.

Fjalë për fjalë «shpirtin».

Fjalë për fjalë «shpirtin».

Ose «njerëzve të thjeshtë».

Fjalë për fjalë «e tyre».

Fjalë për fjalë «që nuk gjen shkak për t’u penguar nga unë!»

Fjalë për fjalë «të buta?»

Fjalë për fjalë «po e kapin».

Fjalë për fjalë «nuk i ratë gjoksit nga hidhërimi».

Ose «shfajësohet».

Ose «nga rezultatet».

Shih Fjalorthin.

Ose «Hades», pra, në varrin e përbashkët të njerëzimit. Shih Fjalorthin.

Ose «njerëzve të thjeshtë».

Ose «do t’ju përtërij forcat».

Ose «do t’ju përtërihen forcat».

Ose «e butë; e lehtë për t’u mbajtur».

Shih Fjalorthin.

Ose «të paralizuar».

Ose «që shpirti im ka miratuar!»

Shih Fjalorthin.

Një emër tjetër për Satanain.

Ose «ndjekësit; ithtarët».

Shih Fjalorthin.

Ose «në këtë kohë; në këtë rend». Shih Fjalorthin.

Ose «i pabesë».

Shih Fjalorthin, «Demonët».

Ose «vështirësitë».

Ose «e këtij sistemi; e këtij rendi». Shih Fjalorthin.

Domethënë, perimet.

Ose «rreth 10 kilogramë». Fjalë për fjalë «tri masa sea». Një sea ishte 7,33 l. Shih Shtojcën B14.

Një mundësi tjetër «themelimi i botës».

Ose «i një kohe; i një rendi». Shih Fjalorthin.

Ose «të kohës; të rendit». Shih Fjalorthin.

Ose «çdo gjë që shkakton pengesë».

Kjo fjalë shpesh nënkupton shpërfillje ndaj ligjeve të Perëndisë.

Ose «perla të çmuara».

Ose «rrjetë peshkimi».

Ose «të kohës; të rendit». Shih Fjalorthin.

Fjalë për fjalë «skrib». U referohet dishepujve që mësonin në publik.

Fjalë për fjalë «nisën të pengoheshin për shkak të tij».

Fjalë për fjalë «tetrarku».

Domethënë, Herod Antipa. Shih Fjalorthin.

Ose «që ishin shtruar në tryezë».

Ose «ndjeu keqardhje».

Fjalë për fjalë «i bekoi».

Fjalë për fjalë «shumë stade». Një stad ishte i barabartë me 185 metra.

Fjalë për fjalë «në kohën e ndërresës së katërt të natës». Domethënë, rreth orës 3 të mëngjesit deri kur lind dielli.

Ose «fanitje». Shih Fjalorthin, «Vegimi».

Ose «u përkulën para tij».

Domethënë, nuk i pastrojnë ceremonialisht duart.

Ose «mallkon».

Ose «përfundon në nevojtore?»

Ose «tradhti bashkëshortore».

Shumësi i fjalës greke porneía. Shih Fjalorthin.

Shih Fjalorthin.

Domethënë, të papastruara ceremonialisht.

Ose «u përkul para tij».

Ose «i pabesë».

Ose «nuk ta zbuloi një njeri».

Në greqisht do të thotë «copë shkëmbi».

Shih Fjalorthin.

Ose «e Hadesit», pra, të varrit të përbashkët të njerëzimit. Shih Fjalorthin.

Do të thotë «kundërshtar».

Fjalë për fjalë «gur pengese».

Shih Fjalorthin.

Ose «shpirtin».

Ose «shpirtin».

Ose «shpirtin».

Ose «të shpirtit?»

Ose «u tjetërsua; u shndërrua».

Ose «iu bënë të bardha».

Shih Fjalorthin.

Shih Shtojcën A3.

Fjalë për fjalë «drahmat dyshe». Shih Shtojcën B14.

Shih Fjalorthin.

Fjalë për fjalë «monedhë statere», që mendohet të ishte tetradrahma. Shih Shtojcën B14.

Ose «po të mos ktheheni».

Ose «një gur mulliri që e rrotullon një gomar».

I referohet shkatërrimit të përhershëm.

Shih Fjalorthin.

Shih Shtojcën A3.

Një mundësi tjetër «juaj».

Fjalë për fjalë «dhe korrigjoje».

Fjalë për fjalë «goja».

Shih Fjalorthin.

10.000 talenta argjendi ishin 60.000.000 denarë. Shih Shtojcën B14.

Ose «u përkul para tij».

Shih Shtojcën B14.

Ose «tjetrin».

Greqisht porneía. Shih Fjalorthin.

Ose «tradhti bashkëshortore».

Shih Fjalorthin.

Ose «që kanë zgjedhur të jetojnë si eunukë».

Domethënë, që t’i bekonte. Shih Fjalorthin, «Vënia e duarve».

Ose «tjetrin». Shih Fjalorthin.

Ose «i plotë».

Ose «ithtari».

Shih Shtojcën B14.

Domethënë, rreth orës 9 paradite.

Domethënë, rreth orës 12 të drekës.

Domethënë, rreth orës 3 pasdite.

Domethënë, rreth orës 5 pasdite.

Shih Shtojcën B14.

Shih Shtojcën B14.

Shih Shtojcën B14.

Domethënë, që kërkon shumë gjëra. Fjalë për fjalë «të keq; të lig».

Ose «bujar?»

Shih Fjalorthin.

Ose «u përkul para tij».

Ose «shpirtin».

Greqisht hosanna. Një kërkesë drejtuar Perëndisë për të sjellë shpëtim, që përdoret edhe si shprehje gëzimi.

Shih Shtojcën A5.

Fjalë për fjalë «imzot».

Fjalë për fjalë «koka e qoshes».

Shih Shtojcën A5.

Ose «ta kapnin».

Ose «nga njerëzit që u shtruan në tryezë».

Ose «me herodianët». Shih Fjalorthin.

Ose «e drejtë».

Shih Fjalorthin.

Shih Shtojcën B14.

Një mundësi tjetër «të dyja palët».

Shih Shtojcën A5.

Shih Fjalorthin.

Ose «tjetrin». Shih Fjalorthin.

Shih Shtojcën A5.

Ose «I zmadhojnë filakteritë e tyre».

Ose «më të mira».

Ose «Mësues».

Shih Shtojcën A3.

Shih Fjalorthin.

Shih Fjalorthin.

Shih Fjalorthin, «Shenjtërimi».

Ose «të kuminit».

Ose «plaçkitje».

Ose «varret përkujtimore të të drejtëve».

Fjalë për fjalë «mbusheni masën e paraardhësve tuaj».

Shih Fjalorthin.

Fjalë për fjalë «skribë». U referohet dishepujve që mësonin në publik.

Ose «që të jeni fajtorë për gjithë gjakun e të drejtëve».

Ose «ky brez do të mbajë përgjegjësi për gjithë këto gjëra».

Një mundësi tjetër «është lënë e shkretë».

Shih Shtojcën A5.

Shih Fjalorthin.

Ose «të kohës; të rendit?» Shih Fjalorthin.

Ose «fillimi i kohëve të hidhura; i kohëve të mundimshme». Fjalë për fjalë «fillimi i dhembjeve të lindjes».

Fjalë për fjalë «do t’ju dorëzojnë në shtrëngim».

Fjalë për fjalë «do të pengohen».

Fjalë për fjalë «së paligjshmërisë». Kjo fjalë shpesh nënkupton shpërfillje ndaj ligjeve të Perëndisë.

Ose «qëndron besnik».

Ose «veshjen e sipërme».

Shih Fjalorthin, «Shtrëngimi i madh».

Fjalë për fjalë «mish».

Shih Fjalorthin.

Disa lloje shqiponjash hanë kërma.

Ose «fuqitë e qiejve».

Fjalë për fjalë «erërat».

Domethënë, Biri i njeriut.

Fjalë për fjalë «do të kalojnë».

Fjalë për fjalë «nuk do të kalojnë kurrsesi».

Shih Fjalorthin.

Ose «në mokër». Shih Fjalorthin.

Fjalë për fjalë «në cilën ndërresë».

Ose «i besueshëm dhe i matur».

Ose «të matura».

Një talentë greke ishte 20,4 kg. Shih Shtojcën B14.

Fjalë për fjalë «argjendin».

Fjalë për fjalë «argjendin».

Ose «e padobishëm».

Ose «nuk isha veshur mjaftueshëm».

I referohet shkatërrimit të përhershëm.

Fjalë për fjalë «në krasitjen».

Ose «bie Pashka». Shih Fjalorthin.

Ose «ta kapnin».

Ose «ishte shtruar në tryezë».

Ose «Koha e caktuar për mua».

Ose «në tas».

Fjalë për fjalë «pasi e bekoi».

Ose «himne; psalme».

Ose «le të hiqet nga unë».

Fjalë për fjalë «fryma». Shih Fjalorthin.

Fjalë për fjalë «mishi». I referohet trupit të papërsosur dhe gjendjes mëkatare të njeriut.

Fjalë për fjalë «në të djathtën e pushtetit».

Shih Fjalorthin.

Ose «hajati; tremja».

Ose «dialekti».

Fjalë për fjalë «gjak».

Shih Shtojcën A5.

Ose «Ekzekutoje në shtyllë!»

Ose «Qofshim fajtorë ne dhe fëmijët tanë për vdekjen e tij!»

Ose «Qofsh lëvduar».

Fjalë për fjalë «e vunë të kryente shërbim të detyruar».

Shih Fjalorthin.

Një lëng i hidhur.

Shih Fjalorthin.

Shih Fjalorthin.

Domethënë, rreth orës 12 të drekës.

Domethënë, rreth orës 3 pasdite.

Ose «e vdiq».

Shih Fjalorthin.

Ose «Varret përkujtimore».

Shih Fjalorthin.

Fjalë për fjalë «u ngritën».

Komandant i 100 ushtarëve.

Ose «varrin e ri përkujtimor».

Ose «e varrit përkujtimor».

Shih Fjalorthin.

Shih Shtojcën A5.

Fjalë për fjalë «u ngrit».

Ose «varri përkujtimor».

Ose «u përkulën para tij».

Fjalë për fjalë «do t’ia mbushim mendjen».

Ose «u përkulën para tij».

Ose «e kësaj kohe; e këtij rendi». Shih Fjalorthin.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo