BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • nwt Zakaria 1:1-14:21
  • Zakaria

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Zakaria
  • Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re 2019
Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re 2019
Zakaria

ZAKARIA

1 Në muajin e tetë të vitit të dytë të Darit,+ profetit Zakaria,*+ birit të Berekiahut, birit të Idos, Jehovai i drejtoi këtë fjalë: 2 «Jehovai u indinjua shumë me etërit tuaj.+

3 Thuaju atyre: “Kështu thotë Jehovai i ushtrive: ‘Kthehuni tek unë,​—thotë Jehovai i ushtrive,—​dhe unë do të kthehem te ju’,+​—thotë Jehovai i ushtrive.

4 Mos u bëni si etërit tuaj, të cilëve profetët e mëparshëm u shpallën: ‘Kështu thotë Jehovai i ushtrive: “Largohuni,* ju lutem, nga udhët dhe nga veprimet tuaja të liga.”+

“Por ata nuk më dëgjuan dhe nuk më kushtuan vëmendje”,+​—thotë Jehovai.

5 “E pra, ku janë tani etërit tuaj?! Po profetët, mos vallë do të jetonin përgjithnjë?! 6 Megjithatë, a nuk arritën deri tek etërit tuaj fjalët dhe dekretet që u urdhërova shërbëtorëve të mi, profetëve?”+ Kështu, ata u kthyen tek unë dhe thanë: “Jehovai i ushtrive ka vepruar me ne si kishte vendosur, sipas udhëve e veprimeve tona.”’”»+

7 Ditën e 24-t të muajit të 11-të, domethënë në muajin shebat,* në vitin e dytë të mbretërimit të Darit,+ Jehovai i drejtoi këtë fjalë profetit Zakaria, birit të Berekiahut, birit të Idos: 8 «Natën pashë një vegim.* Një burrë po kalëronte mbi një kalë të kuq dhe u ndal mes mërsinave në një luginë të thellë. Pas tij vinin kuaj të kuq, kafe në të kuqërremë dhe të bardhë.»

9 Atëherë pyeta: «Cilët janë këta, imzot?»

Engjëlli që po fliste me mua më tha: «Do të të tregoj se cilët janë.»

10 Pastaj, burri që ishte ndalur mes mërsinave u përgjigj: «Këta i ka dërguar Jehovai për të përshkuar tokën.» 11 Ata i thanë engjëllit të Jehovait që po rrinte mes mërsinave: «E kemi përshkuar tokën dhe ja, tërë toka është e qetë e s’ka trazira.»+

12 Atëherë engjëlli i Jehovait tha: «O Jehova i ushtrive, deri kur nuk do t’i tregosh mëshirë Jerusalemit dhe qyteteve të Judës,+ me të cilat ke qenë i indinjuar këta 70 vjet?»+

13 Dhe Jehovai iu përgjigj me fjalë të këndshme e ngushëlluese engjëllit që po fliste me mua. 14 Pastaj engjëlli që po më fliste, tha: «Thirr: “Kështu thotë Jehovai i ushtrive: ‘Do ta mbroj me zell Jerusalemin dhe Sionin, po, me shumë zell.+ 15 Jam tejet i indinjuar me kombet krenare,+ sepse vërtet u indinjova deri në njëfarë mase,+ por ato e tepruan dhe vepruan më keq.’”+

16 Prandaj kështu thotë Jehovai: ‘Unë do të kthehem në Jerusalem dhe do t’i tregoj mëshirë.+ Atje do të ndërtohet shtëpia ime,+​—thotë Jehovai i ushtrive,—​dhe mbi Jerusalem do të shtrihet një litar për matje.’+

17 Thirr përsëri: “Kështu thotë Jehovai i ushtrive: ‘Në qytetet e mia do të gufojë prapë mirësia. Jehovai do ta ngushëllojë prapë Sionin+ dhe do ta zgjedhë sërish Jerusalemin.’”»+

18 Pastaj ngrita sytë dhe pashë katër brirë.+ 19 Kështu që i thashë engjëllit që po fliste me mua: «Çfarë janë këta?» Ai m’u përgjigj: «Janë brirët* që shpërndanë Judën,+ Izraelin+ dhe Jerusalemin.»+

20 Më pas, Jehovai më tregoi katër artizanë. 21 Unë pyeta: «Pse vijnë këta? Çfarë do të bëjnë?»

Ai u përgjigj: «Brirët e shpërndanë Judën aq sa askush nuk mund të ngrinte kokën. Kurse këta artizanë vijnë për t’i tmerruar, për t’i rrëzuar brirët e kombeve që ngritën brirët kundër vendit të Judës, me qëllim që ta shpërndanin.»

2 Pastaj ngrita sytë dhe pashë një burrë që mbante në dorë një litar për matje.+ 2 Kështu e pyeta: «Ku po shkon?»

Ai m’u përgjigj: «Të mat Jerusalemin, që të shoh sa e ka gjerësinë dhe gjatësinë.»+

3 Engjëlli që foli me mua doli, dhe ja, një engjëll tjetër erdhi ta takonte. 4 Pastaj ky i tha: «Vrapo e thuaji atij të riut atje: ‘Meqenëse njerëzit dhe bagëtia në Jerusalem do të shtohen shumë,+ ai do të banohet+ si fshatrat e parrethuara me mur. 5 Unë do të bëhem për të si një mur zjarri rreth e qark+ dhe do ta mbush Jerusalemin me lavdinë time’,+​—thotë Jehovai.»

6 «Ejani, nxitoni! Mbathjani nga vendi i veriut»,+​—thotë Jehovai.

«Se ju kam shpërndarë në të katër drejtimet»,*+​—thotë Jehovai.

7 «Ejani, o popull i Sionit! Mbathjani, ju që banoni me bijën e Babilonisë,+ 8 sepse kështu thotë Jehovai i ushtrive, i cili, pasi fitoi lavdi,* më dërgoi te kombet që ju plaçkitnin:+ ‘Kush ju prek ju, prek bebëzën e syrit tim.+ 9 Unë do t’u tregoj grushtin atyre, e ata do të bëhen plaçkë për vetë skllevërit e tyre.’+ Atëherë do ta merrni vesh që mua më ka dërguar Jehovai i ushtrive.

10 ‘Brohorit nga gëzimi, o bijë e Sionit,+ sepse po vij+ e do të banoj mes teje,+​—thotë Jehovai.—​11 Atë ditë me mua do të bashkohen shumë kombe,+ dhe ata do të bëhen populli im. Unë, Jehovai, do të banoj mes teje.’» Atëherë do ta marrësh vesh që te ti më ka dërguar Jehovai i ushtrive. 12 Jehovai do ta marrë Judën si pronën e vet, si pjesën e tij në tokën e shenjtë dhe do ta zgjedhë prapë Jerusalemin.+ 13 Njerëzimi* të heshtë para Jehovait, sepse ai po vepron nga banesa e tij e shenjtë.

3 Pastaj Perëndia më tregoi kryepriftin Josi+ që qëndronte përpara engjëllit të Jehovait dhe Satanain+ që qëndronte në të djathtë të tij që t’i kundërvihej. 2 Atëherë engjëlli i Jehovait i tha Satanait: «Të qortoftë Jehovai, o Satana!+ Po, të qortoftë Jehovai, ai që e ka zgjedhur Jerusalemin!+ A nuk është ky burrë një kërcu i shkëputur nga zjarri?»

3 Josiu kishte veshur rroba të ndotura dhe qëndronte përpara engjëllit. 4 Engjëlli u tha atyre që qëndronin para tij: «Hiqjani rrobat e ndotura.» Pastaj i tha Josiut: «Shih, unë e kam hequr prej teje fajin dhe do të të veshin me rroba të shkëlqyera.»*+

5 Atëherë thashë: «Le t’i vihet në kokë një çallmë e pastër.»+ Kështu i vunë në kokë çallmën e pastër dhe i veshën rrobat. Ndërkohë engjëlli i Jehovait qëndronte aty pranë. 6 Engjëlli i Jehovait i tha Josiut: 7 «Kështu thotë Jehovai i ushtrive: ‘Nëse do të ecësh në udhët e mia dhe nëse do t’i përmbushësh përgjegjësitë që ke ndaj meje, atëherë do të shërbesh si gjykatës në shtëpinë time+ e do të kujdesesh për* oborret e mia. Unë do të të lejoj të hysh lirshëm, ashtu si ata që qëndrojnë këtu.’

8 ‘Dëgjo, të lutem, o kryeprifti Josi, ti dhe shokët e tu që janë ulur para teje, sepse prania e këtyre burrave shërben si një shenjë. Ja, unë po sjell shërbëtorin tim,+ Filizin!+ 9 Shihni gurin që kam vënë përpara Josiut. Mbi këtë gur ka shtatë sy;* unë po skalit një mbishkrim në të,​—thotë Jehovai i ushtrive,—​dhe do ta heq fajin e këtij vendi brenda një dite.’+

10 ‘Atë ditë,​—thotë Jehovai i ushtrive,—​ju do të ftoni fqinjët* të rrinë poshtë hardhisë e poshtë fikut.’»+

4 Engjëlli që kishte folur me mua u kthye dhe më zgjoi, sikur të zgjonte dikë nga gjumi. 2 Pastaj më pyeti: «Çfarë sheh?»

I thashë: «Shoh një shandan, krejt prej ari,+ me një kupë të madhe në majë. Ai ka shtatë llamba,+ po, shtatë. Llambat në majë kanë shtatë gypa. 3 Pranë tij ka dy pemë ulliri,+ njëra në të djathtë të kupës dhe tjetra në të majtë të saj.»

4 Atëherë i thashë engjëllit që po fliste me mua: «Ç’kuptim kanë këto gjëra, imzot?» 5 Engjëlli që po më fliste, më pyeti: «Nuk e di ç’kuptim kanë këto gjëra?»

Iu përgjigja: «Jo, imzot.»

6 Pastaj më tha: «Kjo është fjala e Jehovait drejtuar Zorobabelit: ‘Jo me ndonjë forcë ushtarake, as me fuqinë e njeriut,+ por me frymën time’,+​—thotë Jehovai i ushtrive. 7 Kush je ti, o mal i madh?! Para Zorobabelit+ rrafshinë do të bëhesh!+ Ai do ta sjellë gurin më të lartë* të tempullit mes këtyre brohoritjeve: ‘Sa i mrekullueshëm! Sa i mrekullueshëm!’»

8 Fjala e Jehovait m’u drejtua akoma: 9 «Duart e Zorobabelit i hodhën themelet e kësaj shtëpie+ dhe duart e tij do ta përfundojnë.+ Atëherë do ta merrni vesh se te ju më ka dërguar Jehovai i ushtrive. 10 Kush do ta përbuzte ditën e fillimeve të vogla?!*+ Ata do të gëzojnë kur të shohin plumbçen* në dorën e Zorobabelit. Edhe shtatë sytë e Jehovait do ta shohin; ata e vështrojnë me kujdes gjithë tokën.»+

11 Më pas e pyeta: «Ç’kuptim kanë këto dy pemë ulliri, një në të djathtë dhe një në të majtë të shandanit?»+ 12 E pyeta për herë të dytë: «Ç’kuptim kanë degët* e dy pemëve të ullirit, që nëpërmjet dy tubave prej ari derdhin lëngun e artë?»

13 Ai më tha: «Nuk e di ç’kuptim kanë këto gjëra?»

Unë ia ktheva: «Jo, imzot.»

14 Ai tha: «Këta janë dy të mirosurit* që qëndrojnë pranë Zotërisë së mbarë tokës.»+

5 Pastaj ngrita sërish sytë dhe pashë një rrotull që fluturonte. 2 Ai më pyeti: «Çfarë sheh?»

Iu përgjigja: «Shoh një rrotull që fluturon, të gjatë 20 kute* dhe të gjerë 10 kute.»

3 Atëherë ai më tha: «Ky është mallkimi që po del në mbarë faqen e dheut, sepse kushdo që vjedh,+ nuk është ndëshkuar siç është shkruar në këtë anë të rrotullës. Dhe kushdo që bën be të rreme,+ nuk është ndëshkuar siç është shkruar në anën tjetër të rrotullës. 4 ‘Unë e kam dërguar mallkimin,​—thotë Jehovai i ushtrive,—​dhe ai do të hyjë në shtëpinë e hajdutit dhe në shtëpinë e atij që bën be të rreme në emrin tim. Mallkimi do të qëndrojë në atë shtëpi dhe do ta shkatërrojë atë, drurët dhe gurët e saj.’»

5 Pastaj engjëlli që po fliste me mua u afrua e më tha: «Ngriji sytë, të lutem, dhe shiko atë që po vjen.»

6 Kështu e pyeta: «Çfarë është?»

Ai ma ktheu: «Është ena e efës* që po vjen.» Pastaj vazhdoi: «Kjo është pamja e tyre në gjithë tokën.» 7 Atëherë pashë kapakun e rrumbullakët prej plumbi të ngrihej dhe brenda enës rrinte ulur një grua. 8 Kështu ai më tha: «Kjo është Ligësia.» E shtyu atë brenda enës dhe e mbylli me forcë enën me kapakun prej plumbi.

9 Atëherë ngrita sytë dhe pashë dy gra që fluturonin me shpejtësinë e erës. Ato kishin krahë si krahët e lejlekut dhe e ngritën enën mes tokës e qiellit. 10 Prandaj e pyeta engjëllin që po fliste me mua: «Ku po e çojnë enën e efës?»

11 Ai m’u përgjigj: «Në vendin e Shinarit*+ që t’i ndërtojnë atje një shtëpi dhe, kur shtëpia të jetë gati, gruaja do të vendoset atje, në vendin që i takon.»

6 Pastaj ngrita përsëri sytë dhe pashë katër karroca që po dilnin mes dy maleve, dhe malet ishin prej bakri. 2 Karroca e parë kishte kuaj të kuq, kurse karroca e dytë, kuaj të zinj.+ 3 Karroca e tretë kishte kuaj të bardhë, kurse karroca e katërt kishte kuaj pikaloshë e laroshë.+

4 E pyeta engjëllin që po fliste me mua: «Çfarë janë këto, imzot?»

5 Engjëlli m’u përgjigj: «Janë katër krijesat+ qiellore* që po dalin, pasi kishin zënë vend para Zotërisë së mbarë tokës.+ 6 Ajo* me kuaj të zinj del për në vendin e veriut;+ të bardhët dalin për të shkuar në vendin e perëndimit;* pikaloshët për në vendin e jugut. 7 Laroshët donin me zjarr të përshkonin tokën.» Atëherë ai tha: «Shkoni, përshkojeni tokën!» Dhe ata u nisën ta përshkonin tokën.

8 Pastaj ai më thirri e më tha: «Jehovait iu fashit zemërimi ndaj vendit të veriut falë kuajve që shkuan atje.»

9 Fjala e Jehovait m’u drejtua akoma: 10 «Merr nga Heldai, nga Tobiahu dhe nga Jedajahu atë që kanë sjellë nga të mërguarit. Atë ditë duhet të hysh në shtëpinë e Josisë, birit të Sofonisë, bashkë me këta që kanë ardhur nga Babilonia. 11 Merr argjend e ar, bëj një kurorë* dhe vërja në kokë kryepriftit Josi,+ birit të Jehozadakut. 12 Thuaji atij:

“Kështu thotë Jehovai i ushtrive: ‘Ja ku është njeriu që quhet Filiz.+ Ai do të mbijë në vendin e vet dhe do të ndërtojë tempullin e Jehovait.+ 13 Ai do ta ndërtojë tempullin e Jehovait dhe do të mbulohet me lavdi. Ai do të ulet dhe do të mbretërojë në fronin e tij e do të bëhet prift në fronin e tij;+ të dyja rolet* do të jenë në harmoni me njëra-tjetrën. 14 Kurora* do të shërbejë si përmendore* në tempullin e Jehovait për Helemin, Tobiahun, Jedajahun+ dhe Henin, birin e Sofonisë. 15 Ata që janë larg, do të vijnë dhe do të marrin pjesë në ndërtimin e tempullit të Jehovait.’ E, do ta merrni vesh se te ju më ka dërguar vetë Jehovai i ushtrive. Këto gjëra do të ndodhin nëse i bindeni plotësisht zërit të Jehovait, Perëndisë tuaj.”»

7 Fjala e Jehovait iu drejtua Zakarisë+ vitin e katërt të mbretit Dar, ditën e katërt të muajit të nëntë, domethënë në hislev.* 2 Populli i Bethelit dërgoi Sharezerin dhe Regem-Melekun me njerëzit e tij për të kërkuar pëlqimin* e Jehovait, 3 duke pyetur priftërinjtë e shtëpisë* së Jehovait të ushtrive dhe profetët: «A të qaj dhe të agjëroj në muajin e pestë,+ ashtu si kam bërë për kaq shumë vjet?»

4 Fjala e Jehovait të ushtrive m’u drejtua përsëri: 5 «Thuaji gjithë popullit të vendit dhe priftërinjve: ‘Për 70 vjet+ ju agjëruat dhe vajtuat në muajin e pestë dhe të shtatë,+ por, a agjëruat vërtet për mua?! 6 Po kur hanit e pinit, a nuk hanit dhe pinit për vete?! 7 A nuk duhej t’u bindeshit fjalëve që Jehovai shpalli me anë të profetëve të mëparshëm,+ kur Jerusalemi me qytetet e tij përreth ishin të banuara e në paqe dhe kur Negebi e Shefelahu ishin të banuara?!’»

8 Fjala e Jehovait iu drejtua akoma Zakarisë: 9 «Kështu thotë Jehovai i ushtrive: ‘Gjykoni me drejtësi të vërtetë,+ tregojini njëri-tjetrit dashuri besnike+ dhe mëshirë. 10 Mos ia hani hakun as vejushës, as jetimit,*+ as të ardhurit+ dhe as të varfrit.+ Mos kurdisni në zemrën tuaj të keqen kundër njëri-tjetrit.’+ 11 Por ata refuzonin të kushtonin vëmendje;+ e kthenin shpinën me kokëfortësi,+ dhe veshët i mbyllnin për të mos dëgjuar.+ 12 Zemrën e bënë si diamanti*+ dhe nuk iu bindën ligjit* e fjalëve që dërgoi Jehovai i ushtrive me frymën e tij me anë të profetëve të mëparshëm.+ Prandaj Jehovai i ushtrive u indinjua tej mase.»+

13 «Ashtu si unë* thirra e ata nuk më dëgjuan,+ edhe unë nuk i dëgjoja kur ata më thërrisnin,+​—thotë Jehovai i ushtrive.—​14 E unë i shpërndava stuhishëm nëpër tërë kombet që nuk kishin njohur,+ dhe vendi mbeti i shkretë pas tyre. Askush nuk kalonte nëpër të dhe askush nuk kthehej,+ sepse vendin e dëshirueshëm e kthyen në objekt llahtarie.»

8 Fjala e Jehovait të ushtrive m’u drejtua përsëri: 2 «Kështu thotë Jehovai i ushtrive: ‘Do ta mbroj me shumë zell Sionin,+ po, do ta mbroj me zemërim të madh.’»

3 Kështu thotë Jehovai: ‘Unë do të kthehem në Sion+ dhe do të banoj në Jerusalem.+ Jerusalemi do të quhet qyteti i së vërtetës,*+ dhe mali i Jehovait të ushtrive, mali i shenjtë.’»+

4 «Kështu thotë Jehovai i ushtrive: ‘Në sheshet e Jerusalemit do të ulen sërish të moshuarit, secili me shkop në dorë nga mosha e shkuar.*+ 5 Sheshet e qytetit do të mbushen me djem e vajza që luajnë në to.’»+

6 «Kështu thotë Jehovai i ushtrive: ‘Edhe sikur në ato ditë t’u duket e pamundur atyre që kanë mbetur nga ky popull, a do të më duket e pamundur edhe mua?’,​—thotë Jehovai i ushtrive.»

7 «Kështu thotë Jehovai i ushtrive: ‘Ja tek po e shpëtoj popullin tim nga vendet e lindjes dhe të perëndimit.+ 8 Unë do t’i sjell dhe ata do të banojnë në Jerusalem.+ Ata do të jenë populli im dhe unë do të jem Perëndia i tyre+ i vërtetë* dhe i drejtë.’»

9 «Kështu thotë Jehovai i ushtrive: ‘Merrni zemër,*+ o ju që tani po dëgjoni këto fjalë nga goja e profetëve,+ të njëjtat fjalë që u thanë ditën kur u hodhën themelet e tempullit të Jehovait të ushtrive. 10 Para asaj kohe nuk kishte pagë as për njerëzit, as për kafshët.+ Për shkak të kundërshtarit nuk kishte siguri as për atë që hynte, as për atë që dilte, sepse unë i nxitja të gjithë njerëzit kundër njëri-tjetrit.’

11 ‘Por tani nuk do t’i trajtoj si në ditët e mëparshme ata që kanë mbetur nga ky popull,+​—thotë Jehovai i ushtrive,—​12 sepse ata do të mbjellin farë paqeje; hardhia do të japë fryt, toka do të japë prodhimin e saj+ dhe qiejt do të japin vesën e tyre. Do të bëj që të gjitha këto gjëra t’i trashëgojnë ata që kanë mbetur nga ky popull.+ 13 Nëse deri tani ju përmendnin mes kombeve si mallkim,+ o shtëpi e Judës dhe e Izraelit, unë do t’ju shpëtoj, dhe ju do të përmendeni si bekim.+ Mos kini frikë!+ Merrni zemër!’*+

14 Se kështu thotë Jehovai i ushtrive: ‘Më parë kisha vendosur t’ju sillja të keqen, ngaqë paraardhësit tuaj më indinjuan,​—thotë Jehovai i ushtrive,—​dhe nuk më erdhi keq,+ 15 por tani kam vendosur ta trajtoj mirë Jerusalemin dhe shtëpinë e Judës.+ Mos kini frikë!’+

16 ‘Këto gjëra duhet të bëni: i thoni të vërtetën njëri-tjetrit dhe,+ në portat tuaja, gjykoni duke nxitur të vërtetën e paqen.+ 17 Mos kurdisni të keqen ndaj njëri-tjetrit në zemrën tuaj+ dhe mos e doni benë e rreme,+ sepse të gjitha këto gjëra i kam urryer’,+​—thotë Jehovai.»

18 Fjala e Jehovait të ushtrive m’u drejtua akoma: 19 «Kështu thotë Jehovai i ushtrive: ‘Agjërimi i muajit të katërt,+ i muajit të pestë,+ i muajit të shtatë+ dhe i muajit të dhjetë+ do të jenë për shtëpinë e Judës raste ngazëllimi e gëzimi, po, festa të gëzuara.+ Duajeni, pra, të vërtetën dhe paqen!’

20 Kështu thotë Jehovai i ushtrive: “Me siguri do të vijnë popuj dhe banorë të shumë qyteteve; 21 banorët e njërit qytet do të shkojnë tek ata të qytetit tjetër e do t’u thonë: ‘Le të shkojmë me zell që të përgjërohemi për miratimin* e Jehovait dhe të kërkojmë Jehovain e ushtrive. Po shkoj edhe unë.’+ 22 Shumë njerëz dhe kombe të fuqishme do të vijnë që të kërkojnë Jehovain e ushtrive në Jerusalem+ dhe që të përgjërohen për miratimin* e Jehovait.”

23 Kështu thotë Jehovai i ushtrive: “Ato ditë, dhjetë burra nga të gjitha gjuhët e kombeve+ do të kapin, po, do të kapin fort rrobën* e një judeu* e do të thonë: ‘Duam të vijmë me ju,+ sepse kemi dëgjuar që Perëndia është me ju.’”»+

9 Shpallje:

«Fjala e Jehovait është kundër vendit të Hadrakut.

Ajo ka si shënjestër* Damaskun,+

sepse Jehovai i ka sytë mbi njeriun+

dhe mbi të gjitha fiset e Izraelit.

 2 Është edhe kundër Hamathit,+ që ndodhet në kufi me të,

kundër Tirit+ e Sidonit,+ të cilët mendojnë se janë shumë të mençur.+

 3 Tiri ndërtoi mure mbrojtëse* për veten.

Ai e grumbulloi argjendin si pluhurin,

kurse arin si baltën e rrugëve.+

 4 Ja, Jehovai do t’ia heqë zotërimet

dhe do t’ia hedhë në det ushtrinë,+

e Tirin do ta përpijë zjarri.+

 5 Ashkeloni do ta shohë dhe do të frikësohet.

Gaza do të ndiejë ankth të madh,

e po kështu edhe Ekroni, sepse vendi ku shpresonin është turpëruar.

Një mbret do të shfaroset në Gazë,

dhe Ashkeloni nuk do të banohet.+

 6 Në Ashdod do të ulet një bir i paligjshëm;

unë do t’i jap fund krenarisë së filistinit+

 7 dhe do t’ia heq nga goja gjërat e përlyera me gjak

e gjërat e pështira që ka mes dhëmbëve.

Prej tij do të ngelet një mbetje për Perëndinë tonë

që ka për t’u bërë si një sheik* në Judë,+

kurse populli i Ekronit do të bëhet si jebusitët.+

 8 Unë do të fushoj si një rojë* për të mbrojtur shtëpinë time,+

kështu që askush s’do të kalojë dhe askush s’do të kthehet.

Mes tyre s’do të kalojë më asnjë shtypës,*+

sepse tani e kam parë* me sytë e mi.

 9 Gëzohu me gjithë shpirt, o bijë e Sionit.

Brohorit triumfuese, o bijë e Jerusalemit.

Ja, mbreti yt po vjen te ti.+

Ai është i drejtë dhe sjell shpëtim,*

është i përulur+ dhe ka hipur në një gomar,

po, në një kërriç, në të voglin e gomaricës.+

10 Unë do ta zhduk nga Efraimi karrocën e luftës

dhe kalin nga Jerusalemi.

Harku i betejës do të shkatërrohet.

Ai do t’u shpallë kombeve paqen;+

Ai do ta ushtrojë autoritetin e tij nga deti në det

e nga Lumi* në skajet e tokës.+

11 Sa për ty, o grua,* me anë të gjakut të besëlidhjes që kam bërë me ty,

do t’i nxjerr të burgosurit e tu nga gropa pa ujë.+

12 Kthehuni te fortesa, ju të burgosur që keni shpresë.+

Sot po të them:

‘Do të të shpërblej, o grua, me një pjesë të dyfishtë.+

13 Unë do ta tendos Judën si harkun tim.

Do ta përdor Efraimin si shigjetë për harkun.

Bijtë e tu, o Sion, do t’i nxit

që të vihen kundër bijve të Greqisë,

dhe ty* do të të bëj si shpatën e një luftëtari.’

14 Mbi ta do të shihet Jehovai,

dhe shigjeta e tij do të dalë si rrufeja.

Zotëria Sovran Jehova do t’i bjerë bririt+

dhe do të vazhdojë përpara me stuhitë e jugut.

15 Jehovai i ushtrive do t’i mbrojë,

ata do t’i përpijnë gurët e hobesë e do të dalin fitimtarë.+

Ata do të pinë e do të jenë të zhurmshëm sikur të kishin pirë verë.

Do të mbushen si taset e tempullit,

si qoshet e altarit.+

16 Atë ditë Jehovai, Perëndia i tyre,

do t’i shpëtojë si kopenë e popullit të vet,+

sepse ata do të jenë si gurët e çmuar të kurorës* që vezullojnë mbi tokën e tij.+

17 Oh, sa e madhe është mirësia e tij!+

Sa e madhe është bukuria e tij!

Drithi do t’i bëjë të fortë djemtë,

dhe vera e re do t’u japë nur virgjëreshave.»+

10 «Kërkojini Jehovait shi në kohën e shiut të pranverës.

Jehovai i bën retë e stuhisë

dhe u jep njerëzve rrebeshet e shiut.+

Ai u jep të gjithëve bimësi në arë.

 2 Idhujt e shtëpisë* kanë thënë mashtrime;*

fallxhorët kanë parë gënjeshtra.

Flasin për ëndrra pa vlerë

e përpiqen më kot të ngushëllojnë.

Ja pse populli do të endet si delet.

Do të vuajë, sepse s’ka asnjë bari.

 3 Zemërimi im është ndezur kundër barinjve.

Do t’u kërkoj llogari krerëve shtypës,*

sepse Jehovai i ushtrive e ka drejtuar vëmendjen nga kopeja e tij,+ nga shtëpia e Judës,

dhe e ka bërë atë si kalin e tij madhështor në betejë.

 4 Prej Judës do të dalë prijësi,*

prej saj do të dalë qeveritari që siguron mbështetje,*

prej saj do të dalë harku i betejës,

prej saj do të dalë çdo përgjegjës, që të gjithë së bashku.

 5 Ata do të bëhen si luftëtarë

që shkelin me këmbë baltën e rrugëve në betejë.

Ata do të luftojnë, sepse Jehovai është me ta;+

kalorësit armiq do të turpërohen.+

 6 Unë do të bëj që shtëpia e Judës të qëndrojë më lart

dhe do ta shpëtoj shtëpinë e Jozefit.+

Unë do t’i rikthej,

sepse do t’u tregoj mëshirë.+

Do të bëhen si të mos i kisha hedhur kurrë tej,+

sepse unë jam Jehovai, Perëndia i tyre, dhe do t’u përgjigjem lutjeve të tyre.

 7 Ata të Efraimit do të bëhen si një luftëtar i fuqishëm

e zemra do t’u gëzojë si prej verës.+

Bijtë e tyre do të shohin e do të gëzojnë.

Zemra e tyre do të jetë e gëzuar falë Jehovait.+

 8 ‘Unë do t’u fishkëllej dhe do t’i mbledh së bashku;

do t’i shpengoj,*+ dhe ata do të bëhen shumë,

e do të jenë gjithmonë të shumtë.

 9 Ndonëse do t’i shpërndaj si farë mes popujve,

ata do të më kujtojnë në vendet e largëta.

Bashkë me bijtë e tyre do të rigjallërohen e do të kthehen.

10 Unë do t’i kthej nga vendi i Egjiptit

dhe nga Asiria do t’i mbledh;+

në vendin e Galadit+ e të Libanit do t’i sjell,

e as atje s’do të ketë mjaft vend për ta.+

11 Do të kaloj nëpër det duke e trazuar

dhe do t’ia mposht dallgët;+

të gjitha thellësitë e Nilit do të shterojnë.

Krenaria e Asirisë do të shembet

dhe skeptri* i Egjiptit do të hiqet.+

12 Falë meje, Jehovait, ata do të qëndrojnë më lart+

dhe do të ecin në emrin tim’,+​—thotë Jehovai.»

11 «Hapi dyert, o Liban,

që cedrat e tu t’i përpijë zjarri.

 2 Ulëri, o dëllinjë, sepse cedri ka rënë;

pemët madhështore janë shkatërruar!

Ulërini, o lisa të Bashanit,

sepse pylli i dendur është rrëzuar!

 3 Dëgjoni! Barinjtë ulërijnë,

sepse madhështia e tyre është rrënuar.

Dëgjoni! Luanët e rinj* ulërijnë,

sepse shkurrnajat e dendura përgjatë Jordanit janë shkatërruar.

4 Kështu thotë Jehovai, Perëndia im: “Kullote kopenë që është caktuar për t’u therur,+ 5 blerësit e së cilës e therin+ dhe s’quhen fajtorë. Ata që e shesin,+ thonë: ‘Lëvduar qoftë Jehovai, sepse do të bëhem i pasur!’ Barinjtë e saj nuk tregojnë fare dhembshuri për të.”+

6 ‘Unë s’do t’u tregoj më dhembshuri banorëve të vendit,​—thotë Jehovai.—​Prandaj do të bëj që çdokush të bjerë në dorë të tjetrit* dhe në dorë të mbretit. Ata do ta shkatërrojnë vendin, dhe unë s’do t’i shpëtoj nga duart e tyre.’»

7 Për ju, o dele të munduara të kopesë, fillova ta kullotja kopenë që ishte caktuar për t’u therur.+ Kështu mora dy shkopinj: njërin e quajta Hijeshi, kurse tjetrin Bashkim,+ dhe nisa ta kullotja kopenë. 8 Brenda një muaji hoqa tre barinj, sepse e humba durimin me ta; edhe ata më urryen. 9 Pastaj thashë: «Nuk do t’ju kullot më. Ajo që po vdes, le të vdesë. Ajo që po merr fund, le të marrë fund. Ato që do të mbeten, le të përpijnë mishin e njëra-tjetrës.» 10 Atëherë mora shkopin tim, Hijeshinë,+ dhe e bëra copë-copë, duke prishur besëlidhjen që kisha bërë me të gjithë popujt. 11 Kështu atë ditë ajo u prish, dhe delet e munduara të kopesë që po më vëzhgonin, e morën vesh se ajo ishte fjala e Jehovait.

12 Pastaj u thashë: «Nëse ju duket mirë, jepmani pagën time, por nëse jo, mbajeni.» Dhe ata ma dhanë* pagën: 30 monedha argjendi.+

13 Atëherë Jehovai më tha: «Hidhe në thesar shumën “madhështore” me të cilën më vlerësuan.»+ Prandaj i mora 30 monedhat e argjendit dhe i hodha në thesarin e shtëpisë së Jehovait.+

14 Pastaj bëra copë-copë shkopin tim të dytë, Bashkimin,+ duke prishur vëllazërinë mes Judës e Izraelit.+

15 Më pas Jehovai më tha: «Tani, merr pajisjet e një bariu që s’vlen për gjë,+ 16 sepse unë po lejoj që një bari të dalë në vend. Ai s’do të kujdeset për delet që marrin fund,+ s’do ta kërkojë të voglën dhe s’do ta shërojë të plagosurën.+ Atë që mbahet në këmbë nuk do ta ushqejë. Përkundrazi, do t’ia përpijë mishin asaj që është e majme+ dhe do t’ua shkulë thundrat deleve.+

17 Mjerë bariu im i pavlerë+ që e braktis kopenë!+

Krahun dhe syrin e djathtë do t’ia godasë shpata.

Krahu do t’i thahet krejt

dhe syri i djathtë do t’i verbohet fare.»*

12 Shpallje:

«Fjala e Jehovait për Izraelin,​—thotë Jehovai,

Ai që shpalosi qiejt,+

që hodhi themelet e tokës+

dhe që i dha frymën* njeriut.

2 Ja tek po e bëj Jerusalemin një kupë* që i trullos të gjithë popujt përreth; Judën do ta rrethojnë, e po ashtu edhe Jerusalemin.+ 3 Atë ditë unë do ta bëj Jerusalemin gur të rëndë për të gjithë popujt. Tërë ata që do ta ngrenë, do të dëmtohen keq.+ Kundër tij do të mblidhen të gjitha kombet e tokës.+ 4 Atë ditë,​—thotë Jehovai,—​do të bëj që të gjithë kuajt t’i zërë paniku, kurse kalorësit e tyre do t’i godas me çmenduri. Do t’i mbaj sytë mbi shtëpinë e Judës, kurse kuajt e popujve do t’i godas me verbëri. 5 Sheikët* e Judës do të thonë me vete:* ‘Banorët e Jerusalemit janë forca jonë falë Jehovait të ushtrive, Perëndisë së tyre.’+ 6 Atë ditë do t’i bëj sheikët e Judës si zjarri mes pemëve dhe si një pishtar të zjarrtë në një rresht me drithë të korrur.+ Ata do të gllabërojnë të gjithë popujt përreth, në të djathtë e në të majtë;+ banorët e Jerusalemit do të banojnë sërish në vendin e tyre,* në Jerusalem.+

7 Jehovai do të shpëtojë të parat tendat e Judës, që bukuria e* shtëpisë së Davidit dhe bukuria e* banorëve të Jerusalemit të mos jenë më të mëdha se bukuria e Judës. 8 Atë ditë Jehovai do të jetë një mbrojtje rreth banorëve të Jerusalemit.+ Atë ditë ai që pengohet,* do të bëhet i fortë si Davidi, dhe shtëpia e Davidit si Perëndia, si engjëlli i Jehovait që shkon përpara tyre.+ 9 Atë ditë me siguri do t’i shfaros të gjitha kombet që dalin kundër Jerusalemit.+

10 Unë do të derdh frymën* time mbi shtëpinë e Davidit dhe mbi banorët e Jerusalemit, dhe ata do të kenë pëlqimin tim e do të më bëjnë përgjërime. Ata do të shohin atë që shpuan tejpërtej+ dhe do ta vajtojnë, ashtu siç do të vajtonin një bir të vetëm. Do të pikëllohen thellësisht për të, ashtu siç do të pikëlloheshin për një bir të parëlindur. 11 Atë ditë në Jerusalem do të vajtohet me të madhe, siç u vajtua në Hadadrimon, në rrafshinën e Megidos.+ 12 Vendi do të vajtojë, çdo familje më vete: familja e shtëpisë së Davidit më vete dhe gratë e tyre më vete; familja e shtëpisë së Natanit+ më vete dhe gratë e tyre më vete; 13 familja e shtëpisë së Levit+ më vete dhe gratë e tyre më vete; familja e shimeitëve+ më vete dhe gratë e tyre më vete; 14 dhe të gjitha familjet që kanë mbetur, çdo familje më vete dhe gratë e tyre më vete.

13 Atë ditë për shtëpinë e Davidit dhe për banorët e Jerusalemit do të hapet një pus, ku të lajnë mëkatin dhe papastërtinë.+

2 Atë ditë,​—thotë Jehovai i ushtrive,—​unë do të fshij nga vendi emrat e idhujve+ dhe ata nuk do të kujtohen më; do të zhduk nga vendi profetët+ dhe frymën* e papastërtisë. 3 Nëse një njeri profetizon sërish, i ati dhe e ëma që e lindën, do t’i thonë: ‘Ti nuk do të jetosh, sepse ke thënë gënjeshtra në emër të Jehovait.’ E meqë profetizoi, i ati dhe e ëma që e lindën, do ta godasin me thikë.+

4 Atë ditë, kur të profetizojë, çdo profeti do t’i vijë turp për vegimin* e vet; nuk do të mashtrojë më duke mbajtur veshjen e tij* prej leshi.+ 5 Ai do të thotë: ‘Nuk jam profet, por jam një njeri që punon tokën, sepse dikush më bleu kur isha i ri.’ 6 Nëse e pyesin: ‘Ç’janë këto plagë që ke në trup?’* Ai do të përgjigjet: ‘Janë plagët që mora në shtëpinë e miqve të mi.’»*

 7 «O shpatë, zgjohu kundër bariut tim,+

kundër shokut tim,​—thotë Jehovai i ushtrive.

Godite bariun+ dhe le të hallakatet kopeja;*+

unë do ta kthej dorën kundër atyre që janë të papërfillshme.»

 8 Jehovai thotë: «Në gjithë vendin,

dy të tretat do të shfarosen e do të marrin fund,*

kurse një e treta do të mbetet.

 9 Do ta kaloj në zjarr një të tretën

dhe do ta rafinoj si rafinohet argjendi;

do ta provoj si provohet ari.+

Ata do të thërrasin emrin tim

dhe unë do t’u përgjigjem.

Unë do të them: ‘Është populli im’,+

dhe ata do të thonë: ‘Jehovai është Perëndia ynë.’»

14 «Ja, po vjen dita e Jehovait, kur plaçka jote* do të ndahet para teje. 2 Unë do t’i mbledh të gjitha kombet për luftë kundër Jerusalemit. Qyteti do të pushtohet, shtëpitë do të plaçkiten dhe gratë do të përdhunohen. Gjysma e qytetit do të shkojë në mërgim, por ata që do të mbeten nuk do të hiqen nga qyteti.

3 Jehovai do të dalë dhe do të luftojë kundër atyre kombeve+ ashtu si lufton në ditë beteje.+ 4 Atë ditë, këmbët e tij do të qëndrojnë në Malin e Ullinjve,+ që gjendet përballë Jerusalemit, në lindje. Mali i Ullinjve do të çahet në mes, nga lindja në perëndim* duke formuar një luginë shumë të madhe; gjysma e malit do të zhvendoset në veri, kurse gjysma tjetër në jug. 5 Ju do të ikni në luginën e maleve të mia, sepse lugina e maleve do të shtrihet deri në Azel. Do të ikni, ashtu siç ikët për shkak të tërmetit në ditët e Uziahut, mbretit të Judës.+ Jehovai, Perëndia, do të vijë dhe, bashkë me të, do të jenë gjithë të shenjtët.*+

6 Atë ditë s’do të ketë dritë të çmuar+​—gjërat do të jenë të ngrira.* 7 Ajo do të kthehet në një ditë që do të njihet si dita e Jehovait.+ Nuk do të jetë as ditë, as natë, dhe në mbrëmje do të bëhet dritë. 8 Atë ditë, nga Jerusalemi do të vërshojnë ujëra jetëdhënëse.*+ Gjysma e tyre do të shkojë drejt detit lindor,*+ kurse gjysma tjetër drejt detit perëndimor.*+ Kjo do të ndodhë në verë dhe në dimër. 9 Jehovai do të jetë Mbret mbi gjithë tokën.+ Atë ditë, Jehovai do të jetë një i vetëm+ dhe emri i tij do të jetë një i vetëm.+

10 Nga Geba+ deri në Rimon+ në jug të Jerusalemit, tërë vendi do të bëhet si Arabahu.+ Jerusalemi do të ngrihet e do të banohet në vendin ku ka qenë,+ nga Porta e Beniaminit+ deri te Porta e Parë, e pastaj deri te Porta e Qoshes, dhe nga Kulla e Hananelit+ deri te lugjet e shtypëseve* të mbretit. 11 Ai do të banohet dhe nuk do të dënohet më kurrë me shkatërrim.+ Jerusalemi do të banohet dhe do të jetë i sigurt.+

12 Të gjithë popujt që luftojnë kundër Jerusalemit, Jehovai do t’i godasë me këtë plagë:+ mishi do t’u kalbet teksa qëndrojnë në këmbë, sytë do t’u kalben në zgavra dhe gjuha do t’u kalbet në gojë.

13 Atë ditë, Jehovai do të shkaktojë rrëmujë të madhe mes tyre. Secili do të mbërthejë shokun e vet dhe do të ngrejë dorën kundër shokut të vet.*+ 14 Edhe Juda do të luftojë përkrah Jerusalemit. Pasuria e tërë kombeve përreth do të mblidhet: ar, argjend e rroba me bollëk të madh.+

15 Me po këtë plagë do të goditen edhe kuajt, mushkat, devetë, gomerët dhe çdo lloj bagëtie që gjendet në kampet armike.

16 Të gjithë ata që mbeten nga tërë kombet që vijnë kundër Jerusalemit, do të ngjiten vit për vit+ për t’u përkulur para* Mbretit, Jehovait të ushtrive,+ dhe për të kremtuar Festën e Kasolleve.*+ 17 Por, për çdo komb të tokës që nuk ngjitet në Jerusalem për t’u përkulur para Mbretit, Jehovait të ushtrive, nuk do të ketë fare shi.+ 18 Edhe kombi i Egjiptit, nëse nuk ngjitet e nuk hyn, as për të s’do të ketë shi. Përkundrazi, mbi të do të bjerë plaga me të cilën Jehovai godet kombet që nuk ngjiten për të kremtuar Festën e Kasolleve. 19 Ky do të jetë ndëshkimi për mëkatin e Egjiptit dhe për mëkatin e të gjitha kombeve që nuk ngjiten të kremtojnë Festën e Kasolleve.

20 Atë ditë, fjalët ‘Shenjtëria i përket Jehovait!’+ do të jenë të shkruara në zilet e kalit. Kazanët+ në shtëpinë e Jehovait do të jenë si taset+ para altarit. 21 Çdo kazan në Jerusalem dhe në Judë do të jetë i shenjtë e do t’i përkasë Jehovait të ushtrive. Të gjithë ata që flijojnë, do të hyjnë e do të përdorin disa prej tyre për të zier flijimet. Atë ditë, në shtëpinë e Jehovait të ushtrive nuk do të ketë më asnjë kananit.»*+

Do të thotë «Jehovai ka kujtuar».

Ose «Kthehuni».

Shih Shtojcën B15.

Shih Fjalorthin.

Shih Fjalorthin.

Fjalë për fjalë «katër erërave të qiejve».

Fjalë për fjalë «pas lavdisë».

Fjalë për fjalë «Çdo mish».

Ose «me petka të gjata ceremonie».

Ose «do të mbash përgjegjësi për; do t’i ruash».

Mund të ketë kuptimin që shtatë sy po e shohin këtë gur.

Ose «të afërmit». Shih Fjalorthin.

Ose «gurin kryesor».

Ose «ditën e gjërave të vogla?!»

Fjalë për fjalë «gurin, kallajin».

Domethënë, degët e pemës që ishin plot fruta.

Shih Fjalorthin.

Një kut ishte 44,5 cm. Shih Shtojcën B14.

Fjalë për fjalë «Është efa»; këtu i referohet një ene ose shporte që përdorej për të matur një efë. Një efë ishte 22 l. Shih Shtojcën B14.

Domethënë, të Babilonisë.

Fjalë për fjalë «katër frymëra».

Domethënë, karroca.

Ose «përtej detit».

Ose «një kurorë madhështore».

Domethënë, rolin si mbret dhe si prift.

Ose «Kurora madhështore».

Ose «përkujtues».

Shih Shtojcën B15.

Fjalë për fjalë «për të zbutur fytyrën».

Ose «e tempullit».

Ose «fëmijës pa baba».

Një mundësi tjetër «si një gur i fortë», si gur smerili.

Ose «udhëzimit».

Fjalë për fjalë «ai».

Ose «i besnikërisë».

Fjalë për fjalë «nga ditët e shumta».

Ose «besnik».

Ose «Forconi duart».

Ose «Forconi duart!»

Fjalë për fjalë «që të zbutim fytyrën».

Fjalë për fjalë «që të zbutin fytyrën».

Ose «cepin e rrobës».

Fjalë për fjalë «e një burri jude».

Ose «Ajo qëndron mbi».

Ose «ndërtoi një ledh mbrojtës».

Një sheik ishte kreu i një fisi.

Ose «pararojë».

Ose «mbikëqyrës i rreptë».

Ka të ngjarë t’i referohet mundimit të popullit të vet.

Ose «dhe fitimtar; dhe ka shpëtuar».

Domethënë, lumi Eufrat.

Domethënë, Sioni ose Jerusalemi.

«Ty» i referohet Sionit.

Ose «të diademës».

Ose «perënditë e shtëpisë». Fjalë për fjalë «terafimët».

Ose «gjëra të mbinatyrshme; gjëra të mistershme».

Fjalë për fjalë «cjepve».

Fjalë për fjalë «kulla e qoshes», përshkrim i figurshëm për dikë që ka një rol jetësor ose të rëndësishëm.

Ose «do të dalë kunji», përshkrim i figurshëm për dikë që është një mbështetje.

Shih Fjalorthin, «Shpërblesa; Shpengimi».

Ose «shkopi mbretëror».

Ose «Luanët e rinj me krifë».

Ose «të të afërmit». Shih Fjalorthin.

Fjalë për fjalë «e peshuan».

Ose «do ta lërë».

Ose «forcën e jetës». Shih Fjalorthin.

Ose «tas».

Një sheik ishte kreu i një fisi.

Fjalë për fjalë «në zemër të tyre».

Ose «në vendin që u takon».

Ose «shkëlqimi i».

Ose «shkëlqimi i».

Ose «më i dobëti».

Shih Fjalorthin.

Shih Fjalorthin.

Shih Fjalorthin.

Ose «veshjen e profetit».

Ose «mes shpatullave?» Domethënë, në kraharor ose në kurriz.

Ose «e atyre që më duan».

Ose «delet».

Ose «do të vdesin».

Domethënë, qyteti që përmendet në vargun 2.

Fjalë për fjalë «në det».

Shih Fjalorthin.

Ose «të palëvizshme», sikur t’i ketë ngurtësuar i ftohti.

Fjalë për fjalë «ujë i gjallë».

Domethënë, drejt Detit të Vdekur.

Domethënë, drejt Mesdheut.

Ose «shtypëset e rrushit».

Ose «dhe do të sulmojnë njëri-tjetrin».

Ose «për të adhuruar».

Ose «Festën e Strehëve të Përkohshme».

Një mundësi tjetër «tregtar».

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo