BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • nwt Mikea 1:1-7:20
  • Mikea

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Mikea
  • Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re 2019
Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re 2019
Mikea

MIKEA

1 Fjala e Jehovait që iu drejtua Mikesë*+ nga Moresheti, në ditët e Jotamit,+ Akazit+ dhe Hezekisë,+ mbretërve të Judës,+ në një vegim* lidhur me Samarinë dhe Jerusalemin:

 2 «Dëgjoni të gjithë ju, o popuj!

Mbaj vesh, o tokë, dhe ju që e mbushni atë!

Zotëria Sovran Jehova le të jetë dëshmitar kundër jush,+

po, Jehovai nga tempulli i tij i shenjtë.

 3 Se ja, Jehovai po del nga vendi i tij i banimit;

ai do të zbresë e do të shkelë vendet e larta të tokës.

 4 Malet do të shkrijnë poshtë tij+

dhe luginat* do të treten

si dylli nga zjarri,

si ujërat që derdhen në rrëpirë.

 5 E gjithë kjo për shkak të rebelimit të Jakobit

dhe për shkak të mëkateve të shtëpisë së Izraelit.+

Kush e ka fajin për rebelimin e Jakobit?

A nuk e ka vallë Samaria?+

Kush e ka fajin për vendet e larta* të Judës?+

A nuk e ka vallë Jerusalemi?

 6 Do ta katandis Samarinë në një grumbull gërmadhash në fusha,

në një vend për të mbjellë vreshta.

Do t’i rrokullis* gurët e saj tatëpjetë luginës

dhe do t’ia nxjerr në shesh themelet.

 7 Tërë shëmbëlltyrat e saj të skalitura do të bëhen copë-copë+

dhe gjithë dhuratat që merrte si pagë,* do të digjen në zjarr.+

Pluhur e hi do t’i bëj gjithë idhujt e saj.

Kjo sepse të gjitha këto gjëra i mblodhi nga paga që merrte si prostitutë,

dhe ato do të kthehen sërish në pagë prostitute.»

 8 Për këtë arsye do të vajtoj e do të ulërij+

dhe do të eci këmbëzbathur e lakuriq;*+

do të vajtoj siç angullijnë çakejtë,

do të këlthas përvajshëm si strucët,

 9 sepse plaga e saj është e pashërueshme+

dhe është përhapur deri në Judë;+

ajo ka mbërritur deri te porta e popullit tim, në Jerusalem.+

10 «Mos e njoftoni këtë në Gath,

mos qani fare!

Zhgërryhuni në pluhur në Beth-Afrah.*

11 Shkoni në mërgim lakuriq dhe të turpëruar, o banorë* të Shafirit!

Banorët* e Zananit nuk kanë ikur nga qyteti.

Beth-Ezeli nuk do t’ju mbështetë, sepse e ka mbuluar vajtimi.

12 Banorët* e Marothit kanë pritur diçka të mirë,

por e keqja ka zbritur nga Jehovai te porta e Jerusalemit.

13 Vërini kuajt në karrocë, o banorë* të Lakishit.+

Ju ishit fillimi i mëkatit për bijën e Sionit,

sepse te ju u gjend rebelimi i Izraelit.+

14 Prandaj do t’i jepni dhurata lamtumire Moreshet-Gathit.

Shtëpitë e Akzibit+ ishin një mashtrim për mbretërit e Izraelit.

15 Do t’ju sjell një pushtues,*+ o banorë* të Mareshahut.+

Lavdia e Izraelit do të shkojë deri në Adulam.+

16 Pritini flokët dhe rruajeni kokën për fëmijët tuaj të shtrenjtë.

Rruajeni kokën si të shqiponjës,

sepse ata i kanë çuar larg jush në mërgim.»+

2 «Mjerë ata që kurdisin të këqija,

që thurin plane të liga në shtratin e tyre!

Sapo zbardh dita, i vënë në jetë,

sepse e kanë në dorë t’i realizojnë.+

 2 Kur duan arë, e shtien në dorë.+

Kur u pëlqen një shtëpi, e marrin.

Bëjnë hile që t’ia zhvatin dikujt shtëpinë+

dhe t’ia marrin trashëgiminë.

 3 Prandaj, kështu thotë Jehovai:

“Ja, po përgatis kundër kësaj familjeje një shkatërrim,+ nga i cili nuk do të shpëtoni.*+

Nuk do të ecni më me fodullëk,+ sepse kjo është një kohë shkatërrimi.+

 4 Atë ditë njerëzit do të thonë një proverb* për ju

dhe do të vajtojnë me hidhërim për ju.+

Do të thonë: ‘U rrënuam krejt!+

Ai ia hoqi nga duart pronën popullit tonë dhe ua dha të tjerëve. Ah, si na e mori!+

Arat tona ua ndan të pabesëve.’

 5 Prandaj, në kongregacionin* e Jehovait nuk do të ketë asnjë njeri

që të caktojë pronat me litarin e matjes.

 6 «Mos predikoni më!»​—predikojnë ata.

«Ata nuk duhet të predikojnë këto gjëra;

ne nuk do të poshtërohemi!»

 7 Ju, o shtëpi e Jakobit, thoni:

‘Mos e ka humbur durimin Jehovai?*

Mos vallë kështu vepron ai?’

A nuk i sjellin dobi fjalët e mia atij që ecën me drejtësi?

 8 Por kohët e fundit vetë populli im është ngritur kundër meje si armik.

Ju ua grabitni haptazi zbukurimet bashkë me* rrobat e tyre

kalimtarëve që ecin të sigurt si ata që kthehen nga lufta.

 9 Ju i dëboni gratë e popullit tim nga shtëpitë e tyre të bukura;

ua rrëmbeni përgjithnjë fëmijëve të tyre bekimet e mia të shkëlqyera.

10 Ngrihuni dhe ikni, sepse ky nuk është vend prehjeje.

Ngaqë vendi është ndotur,+ ka shkatërrim, po një shkatërrim të tmerrshëm.+

11 Nëse dikush rend pas erës e mashtrimit, dhe gënjen duke thënë:

‘Do të të predikoj për verën dhe për pijen alkoolike’,

ky do të ishte tamam si një profet që flet siç i pëlqen popullit.+

12 Do të të mbledh se s’bën të gjithin, o Jakob.

Do t’i mbledh patjetër së bashku ata që kanë mbetur nga Izraeli.+

Do t’i mbledh në unitet, si delet në vathë,

si një tufë në livadhin e vet.+

Vendi do të gumëzhijë nga njerëzit.”+

13 Ai që do të hapë një të çarë në mur, do t’i prijë popullit

e ata do ta ndjekin përmes së çarës, do të kalojnë nëpër portë e do të dalin prej saj.+

Mbreti do t’u prijë përpara,

me Jehovain në krye.»+

3 Unë thashë: «Dëgjoni, ju lutem, o krerë të Jakobit

dhe ju, o komandantë të shtëpisë së Izraelit!+

A nuk duhej ta dinit ju se çfarë është e drejtë?!

 2 Por ju e urreni të mirën+ dhe doni të keqen,+

u rripni lëkurën njerëzve dhe ua shqisni mishin prej kockave.+

 3 Gjithashtu, ju hani mishin e popullit tim+

dhe u rripni lëkurën,

u thërrmoni kockat dhe i copëtoni+

si copat që gatuhen në kazan, si mishi në tenxhere.

 4 Atëherë ju do t’i thërrisni Jehovait për ndihmë,

por ai s’do t’ju përgjigjet.

Ai do t’i largojë sytë nga ju,+

për shkak të veprave tuaja të liga.+

 5 Kështu thotë Jehovai kundër profetëve që po e çojnë popullin tim në rrugë të gabuar,+

që thërrasin ‘Paqe!’+ kur kanë diçka për të kafshuar me dhëmbë,*+

por që i shpallin* luftë atij që nuk u fut gjë në gojë:

 6 ‘Për ju do të ketë natë;+ s’do të ketë vegime.*+

Do të ketë veçse errësirë; s’do të ketë më falle.

Dielli do të perëndojë për profetët

dhe dita do të kthehet në terr për ta.+

 7 Vegimtarët do të turpërohen+

dhe fallxhorët do të zhgënjehen.

Të gjithë ata do të mbulojnë gojën* nga turpi,

sepse s’ka përgjigje nga Perëndia.’»

 8 Kurse unë jam plot fuqi falë frymës së Jehovait,

plot drejtësi e forcë,

që t’i tregoj Jakobit rebelimin e tij dhe Izraelit mëkatin e tij.

 9 Dëgjoni këtë, ju lutem, o krerë të shtëpisë së Jakobit,

dhe ju, o komandantë të shtëpisë së Izraelit,+

që ju ngjall neveri drejtësia dhe që shtrembëroni çdo gjë të drejtë;+

10 që e ndërtoni Sionin duke derdhur gjak dhe Jerusalemin duke bërë padrejtësi.+

11 Prijësit* e tij gjykojnë për të marrë ryshfet,+

priftërinjtë e tij mësojnë me pagesë,+

ndërsa profetët e tij merren me fall për pará.*+

E megjithatë mbështeten te Jehovai* e thonë:

«A nuk është Jehovai me ne?+

Asnjë shkatërrim nuk do të bjerë mbi ne.»+

12 Prandaj, për shkakun tuaj,

Sioni do të kthehet përmbys siç plugohet një arë,

Jerusalemi do të bëhet një grumbull gërmadhash,+

dhe mali i Shtëpisë së Perëndisë* do të jetë si vendet e larta në pyje.*+

4 Në ditët e fundit,*

mali i shtëpisë së Jehovait+

do të lartësohet patundshmërisht mbi majat e maleve

dhe do të ngrihet më lart se kodrat.

Drejt tij do të vërshojnë popujt.+

 2 Shumë kombe do të vijnë e do të thonë:

«Ejani, le të ngjitemi në malin e Jehovait

dhe në shtëpinë e Perëndisë së Jakobit.+

Ai do të na mësojë udhët e tij,

dhe ne do të ecim në shtigjet e tij.»

Se nga Sioni do të dalë ligji*

dhe nga Jerusalemi fjala e Jehovait.

 3 Ai do të gjykojë mes shumë popujve+

dhe do t’i ndreqë gjërat* për kombe të fuqishme e të largëta.

Ata do t’i shndërrojnë* shpatat në plore*

dhe heshtat në kiza për krasitje.+

Kombet nuk do ta ngrenë shpatën kundër njëri-tjetrit,

dhe as do të mësojnë më të luftojnë.+

 4 Secili do të ulet* nën hardhinë e vet dhe nën fikun e vet,+

dhe askush nuk do t’i trembë,+

sepse vetë Jehovai i ushtrive ka folur.*

 5 Të gjithë popujt do të ecin secili në emër të perëndisë së vet,

kurse ne do të ecim në jetë të jetëve në emër të Jehovait, Perëndisë tonë.+

 6 Jehovai thotë: «Atë ditë

unë do të mbledh atë* që çalonte,

atë që ishte shpërndarë+

dhe ata që trajtova ashpër.

 7 Atë* që çalonte do ta bëj një mbetje,+

atë që ishte çuar larg, do ta bëj një komb të fuqishëm.+

Jehovai do të mbretërojë mbi ta në malin Sion,

tani e përgjithmonë.

 8 Sa për ty, o kullë e kopesë,

kodër e bijës së Sionit,+

te ti do të kthehet, po, do të kthehet sërish sundimi i mëparshëm,*+

mbretëria që i përket bijës së Jerusalemit.+

 9 Pse, pra, bërtet kaq shumë?

Mos vallë nuk ke më mbret,

apo mos vallë këshilltarët e tu kanë marrë fund,

që të kanë zënë dhembjet si të një gruaje që lind?+

10 Përpëlitu e rënko, o bijë e Sionit,

si një grua që lind,

sepse tani do të dalësh nga qyteti dhe do të banosh në fushë.

Do të shkosh deri në Babiloni+

dhe atje do të shpëtosh.+

Jehovai do të të riblejë atje nga dora e armiqve të tu.+

11 Por tani, kundër teje do të mblidhen shumë kombe

që do të thonë: ‘Le të ndotet Sioni,

le të ndodhë kjo para syve tanë.’

12 Por ata nuk i dinë mendimet e Jehovait,

as nuk e kuptojnë qëllimin* e tij;

ai ka për t’i mbledhur bashkë si duaj drithi të sapokorrur në lëmë.*

13 Çohu dhe shij,* o bijë e Sionit,+

sepse brirët* e tu do t’i shndërroj në hekur,

thundrat e tua do t’i shndërroj në bakër,

dhe ti ke për të bërë pluhur e hi shumë popuj.+

Përfitimin e tyre të pandershëm ke për t’ia kushtuar Jehovait

dhe pasuritë e tyre Zotërisë së vërtetë të mbarë tokës.»+

5 «Tani, o banorë të qytetit të rrethuar,

ju po bëni prerje në trup.

Ata na kanë rrethuar.+

Me shkop e godasin në fytyrë gjykatësin e Izraelit.+

 2 Nga ti, o Betlehem-Efratah,+

që je më i vogli mes qyteteve* të Judës,

do të dalë për mua ai që do të qeverisë në Izrael,+

prejardhja e të cilit është që nga kohët e lashta, që nga ditët shumë të hershme.

 3 Prandaj Ai do t’i braktisë ata*

derisa të vijë koha që të lindë ajo që ka për të lindur.

Pjesa tjetër e vëllezërve të tij do t’i kthehet popullit të Izraelit.

 4 Ai do të ngrihet e do të kullotë kopenë me forcën e Jehovait,+

me madhështinë e emrit të Jehovait, Perëndisë së tij.

Ata do të banojnë të sigurt,+

sepse pushteti i tij do të shtrihet deri në skajet e tokës.+

 5 Ai do të sjellë paqe.+

Nëse asiriani e pushton vendin tonë dhe shkel mbi kullat tona të fortifikuara,+

ne do të ngremë kundër tij shtatë barinj, po, tetë princa* nga njerëzit.

 6 Ata do ta kullotin vendin e Asirisë me shpatë+

dhe vendin e Nimrodit+ te hyrjet e tij.

Ai do të na shpëtojë nga asiriani+

kur ky të pushtojë vendin tonë e të shkelë territorin tonë.

 7 Mbetja e Jakobit do të jetë mes shumë popujve

si vesa që vjen nga Jehovai

dhe si shirat e bollshme për bimësinë,

që nuk varen nga njeriu

dhe nuk shpresojnë te bijtë e njerëzve.

 8 Mbetja e Jakobit do të jetë ndër kombet,

mes shumë popujve,

si një luan mes kafshëve të pyllit,

si një luan i ri* mes kopeve të dhenve,

i cili kalon përmes tyre, i shkel e i shqyen.

Askush nuk mund t’i shpëtojë.

 9 Dora e saj do të lartohet mbi kundërshtarët

dhe gjithë armiqtë e saj do të shkatërrohen.»

10 Jehovai thotë: «Atë ditë,

do të shfaros nga ti kuajt dhe do t’i shkatërroj karrocat e tua.

11 Do t’i shkatërroj qytetet e vendit tënd

dhe do t’i shemb gjithë vendet e tua të fortifikuara.

12 Do ta zhduk shtrigërinë tënde,*

dhe mes teje nuk do të mbetet asnjë që merret me magji.+

13 Do t’i zhduk nga ti shëmbëlltyrat e skalitura dhe shtyllat e tua,

dhe ti s’do të përkulesh më para veprës së duarve të tua.+

14 Do t’i shkul shtyllat e shenjta*+

dhe do t’i shfaros qytetet e tua.

15 Me zemërim e tërbim do të hakmerrem

kundër kombeve që nuk më janë bindur.»

6 Dëgjoni, ju lutem, çfarë thotë Jehovai.

Çohuni dhe paraqitni mbrojtjen tuaj para maleve,

dhe kodrat le ta dëgjojnë zërin tuaj.+

 2 Dëgjoni, o male, çështjen ligjore të Jehovait!

Dëgjoni ju, o themele të patundura të tokës,+

sepse Jehovai ka një çështje ligjore me popullin e tij

dhe do të paraqesë argumentet kundër Izraelit:+

 3 «Çfarë të kam bërë, o populli im?

Si të kam lodhur?+ Dëshmo kundër meje,

 4 sepse unë të nxora nga vendi i Egjiptit,+

të shpengova* nga shtëpia e skllavërisë;+

të dërgova Moisiun, Aronin dhe Miriamin.+

 5 O populli im, kujto të lutem, çfarë kurdisi Balaku, mbreti i Moabit,+

dhe si iu përgjigj Balami, biri i Beorit.+

Kujto, pra, atë që ndodhi nga Shitimi+ deri në Gilgal,+

që të kuptosh se Jehovai bën atë që është e drejtë.»

 6 Me se do t’i dal përpara Jehovait?

Me se do t’i përkulem Perëndisë që është atje lart?

A do t’i dal përpara me blatime të plota të djegura

apo me viça njëvjeçarë?*+

 7 A do të kënaqet Jehovai me mijëra desh,

me dhjetëra mijë përrenj vaji?+

A do të jap birin tim të parëlindur për rebelimin tim,

fëmijën për mëkatin tim?+

 8 Ai të ka thënë, o njeri, se ç’është e mirë.

E çfarë kërkon* Jehovai nga ti?

Kërkon veçse të tregosh drejtësi,*+ të çmosh besnikërinë*+

dhe të jesh modest+ ndërsa ecën me Perëndinë tënd!+

 9 Zëri i Jehovait i thërret qytetit,

dhe njerëzit që kanë mençuri praktike do ta respektojnë thellësisht* emrin e tij.

Kushtojini vëmendje shkopit të ndëshkimit dhe atij që e caktoi.+

10 A gjenden ende në shtëpinë e të ligut thesaret e ligësisë

dhe efa* e mangët, që është e neveritshme?

11 A mund të jem i pafajshëm* me peshore hileqare

e me një torbë me gurë peshe të rremë?+

12 Se pasanikët e tij janë shumë të dhunshëm

dhe banorët e tij thonë gënjeshtra.+

Gjuha e tyre është mashtruese.+

13 «Prandaj, unë do t’ju plagos duke ju goditur,+

dhe do t’ju shkretoj për shkak të mëkateve tuaja.

14 Ju do të hani, por nuk do të ngopeni;

do të mbeteni barkbosh.+

Do të përpiqeni të hiqni diçka mënjanë, por nuk do të arrini,

por edhe sikur të hiqni

diçka mënjanë, unë do t’ia dorëzoj shpatës.

15 Do të mbillni farë, por nuk do të korrni,

do të shtypni ullinj, por nuk do të merrni vaj;

do të shtypni rrush, por verë nuk do të pini,+

16 sepse ju zbatoni ligjet e Omrit,

ndiqni të gjitha veprat e shtëpisë së Akabit+

dhe ecni sipas këshillave të tyre.

Ja pse do t’ju bëj objekt llahtarie,

kurse banorët e qytetit do t’i bëj objekt talljesh.*+

Ju do të mbani mbi vete përbuzjen e popujve.»+

7 Mjerë unë! Jam si ai që, pasi vjel frutat e verës

dhe mbledh ç’mbetet pas vjeljes së rrushit,

s’gjen asnjë bistak për të ngrënë,

asnjë fik të hershëm që ia do shpirti.

 2 Njeriu besnik është zhdukur nga faqja e dheut,

dhe mes njerëzve nuk ka më asnjë të drejtë.+

Të gjithë rrinë në pritë për të derdhur gjak.+

Janë si gjuetarët që u ngrenë gracka* vëllezërve të vet.

 3 Duart i kanë të shkathëta për të bërë të keqen.+

Princi pretendon dhurata,

gjykatësi kërkon shpërblime,+

dhe i shquari tregon çfarë dëshiron.+

Ata i thurin planet së bashku.*

 4 Më i miri ndër ta është si gjembat,

më i drejti ndër ta është më keq se një gardh me gjemba.

Do të vijë dita që shpallën rojat e tua, dita kur të lahen hesapet.+

Atëherë do t’i zërë paniku.+

 5 Mos kini besim te shokët,

mos u zini besë as miqve të ngushtë,+

kujdes çfarë i thua asaj që prehet në gjirin tënd,

 6 sepse djali përbuz babanë,

vajza ngrihet kundër nënës,+

nusja kundër së vjehrrës;+

armiqtë e njeriut janë njerëzit e shtëpisë së vet.+

 7 Por unë do t’i mbaj sytë te Jehovai.+

Do ta pres me durim* Perëndinë e shpëtimit tim.+

Perëndia im do të më dëgjojë.+

 8 Mos u gëzo për mua, o armiku* im!

Edhe pse kam rënë, do të ngrihem;

edhe pse banoj në errësirë, Jehovai do të jetë drita ime.

 9 Do ta duroj tërbimin e Jehovait

​—sepse kam mëkatuar kundër tij+—

derisa ai ta mbrojë çështjen time ligjore e të vendosë drejtësi për mua.

Ai do të më nxjerrë në dritë,

dhe unë do të shoh drejtësinë e tij.

10 Do ta shohë edhe armiku im,

dhe turpi do ta mbulojë atë që më thoshte:

«Ku është Jehovai, Perëndia yt?!»+

Sytë e mi do ta shohin armikun tim,

që do ta shkelin si baltën e rrugëve.

11 Atë ditë do të ndërtohen muret e tua të gurta;

atë ditë kufijtë do të zgjerohen.*

12 Atë ditë kanë për të ardhur te ti

nga Asiria dhe nga qytetet e Egjiptit,

që nga Egjipti e deri te Lumi;*

nga deti në det e nga mali në mal.+

13 Toka do të bëhet shkreti për shkak të banorëve të saj,

për shkak të asaj që kanë bërë.*

14 Me shkopin tënd kullote popullin, kopenë e trashëgimisë sate,+

që banonte i vetëm në pyll, në mes të një pemishteje.

Le të ushqehen në Bashan e në Galad,+ si në kohët e lashta.

15 «Ashtu si në ditët kur dolët nga vendi i Egjiptit,

do t’ju tregoj gjëra të mrekullueshme.+

16 Kombet do t’i shohin e do t’u vijë turp pavarësisht nga fuqia e tyre.+

Do të vënë dorën para gojës,

dhe veshët do t’u shurdhohen.

17 Do të lëpijnë pluhur si gjarpërinjtë;+

si rrëshqanorët e tokës

do të dalin duke u dridhur nga vendet e tyre të sigurta.

Të tmerruar do të vijnë para Perëndisë, para Jehovait,

e nga ti do të kenë frikë.»+

18 Cili Perëndi është si ti,

që fal fajin dhe kapërcen shkeljen*+ e mbetjes së trashëgimisë sate?+

Ti nuk do të rrish i zemëruar përgjithmonë,

sepse kënaqesh kur tregon dashuri besnike.+

19 Ti do të na tregosh përsëri mëshirë;+ do t’i mposhtësh* fajet tona.

Të gjitha mëkatet tona do t’i hedhësh në thellësi të detit.+

20 Do ta mbash besën që i dhe Jakobit,

do t’i tregosh dashuri besnike Abrahamit,

siç iu betove paraardhësve tanë në kohët e lashta.+

Formë e shkurtuar e emrit Mikael (që do të thotë «kush është si Perëndia?») ose Mikajah (që do të thotë «kush është si Jehovai?»).

Shih Fjalorthin.

Ose «ultësirat».

Shih Fjalorthin.

Fjalë për fjalë «derdh».

Ose «gjithë pagën që merrte si prostitutë».

Ose «vetëm me veshjen e brendshme».

Ose «në shtëpinë e Afrahut».

Fjalë për fjalë «o banore».

Fjalë për fjalë «Banorja».

Fjalë për fjalë «Banorja».

Fjalë për fjalë «o banore».

Ose «shpronësues».

Fjalë për fjalë «o banore».

Fjalë për fjalë «nuk do ta hiqni qafën».

Shih Fjalorthin.

Shih Fjalorthin.

Ose «Mos është bërë e paduruar fryma e Jehovait?»

Një mundësi tjetër «nga».

Një mundësi tjetër «ndërkohë që kafshojnë me dhëmbë».

Fjalë për fjalë «shenjtërojnë».

Shih Fjalorthin.

Ose «mustaqet».

Fjalë për fjalë «Krerët».

Ose «argjend».

Ose «pretendojnë se mbështeten te Jehovai».

Ose «mali i tempullit».

Ose «si kreshtë pyjore».

Ose «Në pjesën e fundit të ditëve».

Ose «do të dalë udhëzimi».

Ose «do t’i vërë gjërat në vijë».

Fjalë për fjalë «farkëtojnë».

Domethënë, një mjet hekuri që përdorej për të çarë dheun.

Ose «do të banojë».

Fjalë për fjalë «ka folur me gojën e vet».

Fjalë për fjalë «ajo».

Fjalë për fjalë «Ajo».

Ose «i parë».

Ose «këshillën».

Shih Fjalorthin.

Shih Fjalorthin, «Lëmi; Shirja».

Shih Fjalorthin.

Ose «fiseve».

Ose «popullin e tij».

Ose «prijës».

Ose «luan i ri me krifë».

Fjalë për fjalë «nga dora jote».

Shih Fjalorthin.

Shih Fjalorthin, «Shpërblesa; Shpengimi».

Ose «motakë».

Ose «kërkon në këmbim».

Ose «të gjykosh me drejtësi; të jesh i paanshëm».

Ose «të tregosh dashuri me zemërmirësi e besnikëri». Fjalë për fjalë «të duash dashurinë besnike».

Fjalë për fjalë «do t’i frikësohen».

Shih Shtojcën B14.

Ose «të jem moralisht i pastër».

Fjalë për fjalë «diçka për t’u fishkëllyer».

Fjalë për fjalë «që hedhin rrjetën mbi».

Ose «kurdisin së bashku ligësinë».

Ose «Do të rri në pritje të».

Fjala hebraike për «armik» është në gjininë femërore.

Një mundësi tjetër «dekreti do të jetë larg».

Domethënë, lumi Eufrat.

Fjalë për fjalë «për shkak të frytit të veprimeve të tyre».

Shih Fjalorthin.

Ose «do t’i shtypësh; do t’i nënshtrosh».

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo