BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • nwt Jonai 1:1-4:11
  • Jonai

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Jonai
  • Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re 2019
Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re 2019
Jonai

JONAI

1 Fjala e Jehovait iu drejtua Jonait,*+ birit të Amitait: 2 «Ngrihu, shko në Ninevi,+ në qytetin e madh, dhe shpall gjykimin kundër tyre, sepse e kam vënë re ligësinë e tyre.»

3 Por Jonai u ngrit që t’ia mbathte në Tarshish, larg Jehovait; zbriti në Jopë dhe gjeti një anije që shkonte atje. Pagoi çmimin e udhëtimit dhe hipi në anije që të shkonte me ta në Tarshish, larg Jehovait.

4 Atëherë Jehovai ngriti një erë të fortë dhe një furtunë kaq të madhe në det, sa anija gati sa s’u shkatërrua. 5 Marinarët u frikësuan kaq shumë, sa filluan secili të thërriste perëndinë e vet për ndihmë dhe nisën të hidhnin në det ngarkesën e anijes, që ta lehtësonin.+ Kurse Jonai ishte strukur në fund të anijes,* ku ishte shtrirë e po bënte një gjumë të rëndë. 6 Kapiteni i anijes iu afrua dhe i tha: «Ç’bën more gjumash? Ngrihu dhe thirri perëndisë tënd! Ndoshta Perëndia i vërtetë do të na tregojë mëshirë, dhe ne nuk vdesim.»+

7 Pastaj i thanë njëri-tjetrit: «Hajdeni të hedhim short+ që të marrim vesh nga na vjen kjo e keqe.» Hodhën short, dhe shorti i ra Jonait.+ 8 Prandaj i thanë: «Të lutemi, na thuaj, nga kush na vjen kjo e keqe? Ç’punë bën dhe nga vjen? Nga ç’vend je dhe prej cilit popull?»

9 Ai u tha: «Jam hebre dhe adhuroj* Jehovain, Perëndinë e qiejve, Atë që bëri detin dhe tokën.»

10 Atëherë ata burra u trembën edhe më shumë dhe i thanë: «Ç’na bëre kështu?!» (Ata e kishin marrë vesh që ai po ia mbathte larg Jehovait, ngaqë ai vetë ua kishte thënë.) 11 Pastaj i thanë: «Ç’duhet të bëjmë me ty që deti të qetësohet?», sepse deti po bëhej edhe më i stuhishëm. 12 Ai u tha: «Më merrni dhe më hidhni në det, dhe deti do të qetësohet; sepse e di mirë që kjo furtunë e madhe erdhi kundër jush për shkakun tim.» 13 Por ata vozitnin fort* që ta çonin anijen në tokë të thatë. Megjithatë nuk mundën, sepse deti po bëhej edhe më i stuhishëm.

14 Kështu i thirrën Jehovait dhe i thanë: «O Jehova, të lutemi, mos lejo të vdesim ne për shkak të këtij njeriu! Mos na ngarko me gjak të pafajshëm, o Jehova, sepse e gjithë kjo po ndodh falë vullnetit tënd.» 15 Pastaj e morën Jonain dhe e hodhën në det; kështu detit iu fashit tërbimi. 16 Atëherë, ata burra patën shumë frikë nga Jehovai,+ prandaj i bënë një flijim Jehovait dhe u zotuan para tij.

17 Ndërkaq, Jehovai dërgoi një peshk të stërmadh që ta gëlltiste Jonain, dhe Jonai qëndroi në barkun e peshkut tri ditë e tri net.+

2 Atëherë, nga barku i peshkut, Jonai iu lut Jehovait, Perëndisë së tij+ 2 dhe tha:

«Në ankthin tim i thirra Jehovait, dhe ai m’u përgjigj.+

Nga thellësia* e Varrit* thirra për ndihmë,+

dhe ti e dëgjove zërin tim.

 3 Kur më hodhe në thellësi, në zemër të detit,

rrymat më gllabëruan.+

Gjithë dallgët e tua të fuqishme më pushtuan.+

 4 Unë thashë: ‘Larg syve të tu më ke flakur.

A do ta shoh vallë sërish tempullin tënd të shenjtë?’

 5 Ujërat më përpinë për vdekje,*+

të thellat ujëra më mbështollën,

leshterikët m’u përdrodhën rreth kokës.

 6 U fundosa deri në themelet e maleve.

Toka i mbylli shulat e saj pas meje përgjithnjë.

Por ti, o Jehova, Perëndia im, nga gropa më nxore gjallë.+

 7 Kur shpirti* po më tretej, ty të kujtova, o Jehova.+

Atëherë lutja ime mbërriti te ti, në tempullin tënd të shenjtë.+

 8 Kush u përkushtohet idhujve të kotë, e harron burimin e dashurisë besnike.*

 9 Kurse unë, me shprehje falënderimi do të të bëj flijime.

Zotimin që kam marrë, do ta mbaj.+

Shpëtimi vjen nga Jehovai.»+

10 S’kaloi shumë dhe Jehovai e urdhëroi peshkun që ta villte Jonain në tokë të thatë, e kështu ndodhi.

3 Atëherë fjala e Jehovait iu drejtua për herë të dytë Jonait:+ 2 «Ngrihu e shko në Ninevi,+ në qytetin e madh, dhe atje shpall këtë që po të them.»

3 Atëherë Jonai u ngrit e shkoi në Ninevi,+ duke iu bindur fjalës së Jehovait.+ Ninevia ishte një qytet tejet i madh*​—duheshin tri ditë udhë në këmbë që ta përshkoje. 4 Kështu Jonai hyri në qytet dhe bëri një ditë udhë në këmbë duke shpallur:* «Edhe 40 ditë dhe Ninevia do të marrë fund.»

5 Atëherë njerëzit e Ninevisë treguan besim te Perëndia,+ shpallën një agjërim dhe u veshën me copë thesi,* nga më i vogli te më i madhi. 6 Kur fjala arriti te mbreti i Ninevisë, ai u çua nga froni, hoqi veshjen mbretërore, u mbulua me copë thesi dhe u ul në hi. 7 Përveç kësaj, nxori këtë shpallje anembanë Ninevisë:

«Me dekret të mbretit dhe të fisnikëve të tij, asnjë njeri a kafshë, tufë a kope, të mos vërë gjë në gojë! Askush të mos hajë e as të mos pijë! 8 Të mbulohen me copë thesi, njerëz e kafshë, dhe secili të thërrasë me gjithë zemër Perëndinë e të heqë dorë nga rruga e keqe dhe nga dhuna. 9 Kush e di, mbase Perëndia i vërtetë e mendon edhe një herë* atë që ka ndër mend të bëjë dhe heq dorë nga zemërimi i zjarrtë, e kështu ne nuk marrim fund.»

10 Kur Perëndia i vërtetë pa veprat e tyre, se si hoqën dorë nga rruga e keqe,+ ai e mendoi edhe një herë* të keqen që kishte thënë se do t’u sillte dhe nuk e solli.+

4 Mirëpo kjo nuk i pëlqeu aspak Jonait, i cili u bë tym e flakë. 2 Prandaj iu lut Jehovait: «O Jehova, a nuk merakosesha pikërisht për këtë kur isha në vendin tim?! Ja pse më parë u përpoqa t’ia mbathja në Tarshish.+ Unë e dija që ti je një Perëndi i dhembshur* e i mëshirshëm, që nuk zemërohesh shpejt dhe je plot dashuri besnike,+ që je gati të ndryshosh mendje e të mos ndëshkosh.* 3 Tani, o Jehova, të lutem, merrma jetën, sepse për mua është më mirë të vdes se të rroj!»+

4 Jehovai e pyeti: «Mendon se ke të drejtë të nxehesh kaq shumë?»

5 Pastaj, Jonai doli dhe u ul në lindje të qytetit. Atje bëri një strehë dhe u ul nën hijen e saj, që të shihte ç’do të bëhej me qytetin.+ 6 Atëherë Perëndia Jehova bëri që një bimë kungullujësi* të rritej e të bënte hije mbi kokën e Jonait, që t’ia lehtësonte atë gjendje të mjerë. Jonai u kënaq shumë për bimën e kungullujësit.

7 Por të nesërmen, pa zbardhur mirë, Perëndia i vërtetë dërgoi një krimb që breu bimën e kungullujësit, dhe ajo u tha. 8 Sapo shkëlqeu dielli, Perëndia ngriti një erë zhuritëse nga lindja, dhe Jonait i ra dielli në kokë, e gati sa s’i ra të fikët. Prandaj kërkonte që të vdiste* dhe thoshte: «Më mirë të vdes se të rroj!»+

9 Perëndia e pyeti Jonain: «Mendon se ke të drejtë të nxehesh kaq shumë për bimën e kungullujësit?»+

Ky iu përgjigj: «Po, kam të drejtë të nxehem, madje sa të vdes!» 10 Por Jehovai i tha: «Ty t’u dhimbs bima e kungullujësit, për të cilën as nuk u mundove e as nuk bëre gjë që të rritej; për një natë u rrit e për një natë u tha. 11 Po mua, a nuk duhej të më vinte keq për Ninevinë, qytetin e madh,+ ku ka më shumë se 120.000 njerëz që nuk dinë të dallojnë të drejtën nga e gabuara,* si edhe për gjithë kafshët e tyre?!»+

Do të thotë «pëllumb».

Ose «të anijes me kuvertë».

Ose «i frikësohem». Shih Fjalorthin, «Frika nga Perëndia».

Ose «përpiqeshin të çanin përmes detit».

Fjalë për fjalë «barku».

Ose «e Sheolit», pra, të varrit të përbashkët të njerëzimit. Shih Fjalorthin.

Ose «më pushtuan deri në shpirt».

Shih Fjalorthin.

Një mundësi tjetër «besnikërinë e tij».

Fjalë për fjalë «një qytet i madh përpara Perëndisë».

Një mundësi tjetër «hyri në qytet, bëri një ditë udhë në këmbë dhe nisi të shpallte».

Shih Fjalorthin.

Ose «i vjen keq për».

Ose «i erdhi keq për».

Ose «hirmadh».

Ose «që të vjen keq të shkaktosh mjerime».

Një mundësi tjetër «bimë ricini».

Fjalë për fjalë «që shpirti i tij të vdiste».

Ose «të djathtën nga e majta».

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo