BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • nwt Amosi 1:1-9:15
  • Amosi

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Amosi
  • Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re 2019
Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re 2019
Amosi

AMOSI

1 Fjalët e Amosit,* një bariu delesh nga Tekoa.+ Vegimet* që pa ai lidhur me Izraelin në ditët e Uziahut,+ mbretit të Judës, dhe në ditët e Jeroboamit,+ birit të Joashit,+ mbretit të Izraelit, dy vjet para se të binte tërmeti.+ 2 Ai tha:

«Jehovai do të ulërijë si luan nga Sioni

dhe do ta ngrejë zërin nga Jerusalemi.

Kullotat e barinjve do të mbajnë zi

dhe kreshta e Karmelit do të thahet.+

 3 Kështu thotë Jehovai:

‘Për tri, madje për katër* rebelimet* e Damaskut, unë nuk do të heq dorë nga ndëshkimi,

sepse ai e shiu Galadin me shirëse* hekuri.+

 4 Prandaj do të dërgoj zjarr në shtëpinë e Hazaelit+

që do të përpijë kullat e fortifikuara të Ben-Hadadit.+

 5 Do të thyej shulat e Damaskut.+

Do të shfaros banorët në Bikat-Aven

dhe atë që sundon* në Beth-Eden.

Populli i Sirisë do të mërgojë në Kir,’+​—thotë Jehovai.

 6 Kështu thotë Jehovai:

‘Për tri, madje për katër rebelimet e Gazës,+ unë nuk do të heq dorë nga ndëshkimi,

sepse ajo mori një grup të tërë robërish+ dhe ia dorëzoi Edomit.

 7 Prandaj do të dërgoj një zjarr në muret e Gazës+

që do të përpijë kullat e saj të fortifikuara.

 8 Do të shfaros banorët në Ashdod+

dhe atë që sundon* në Ashkelon.+

Do ta ngre dorën kundër Ekronit,+

dhe filistinët e mbetur do të zhduken’,+​—thotë Zotëria Sovran Jehova.

 9 Kështu thotë Jehovai:

‘Për tri, madje për katër rebelimet e Tirit,+ unë nuk do të heq dorë nga ndëshkimi,

sepse ai i dorëzoi Edomit një grup të tërë robërish

dhe nuk e kujtoi besëlidhjen e vëllazërisë.+

10 Prandaj do të dërgoj një zjarr në muret e Tirit

që do të përpijë kullat e tij të fortifikuara.’+

11 Kështu thotë Jehovai:

‘Për tri, madje për katër rebelimet e Edomit,+ unë nuk do të heq dorë nga ndëshkimi,

sepse ai e ndoqi të vëllanë me shpatë+

e nuk donte të tregonte mëshirë.

Nga zemërimi e shqyen prenë e tij pareshtur

dhe vazhdon të jetë shumë i zemëruar me ta.+

12 Prandaj do të dërgoj një zjarr në Teman+

që do të përpijë kullat e fortifikuara të Bozrahut.’+

13 Kështu thotë Jehovai:

‘Për tri, madje për katër rebelimet e amonitëve,+ unë nuk do të heq dorë nga ndëshkimi,

sepse ata u çanë barkun grave shtatzëna të Galadit, që të zgjeronin territoret e tyre.+

14 Prandaj do t’u vë zjarrin mureve të Rabahut+

që do të përpijë kullat e tij të fortifikuara,

mes britmës së luftës në ditën e betejës,

mes furtunës në ditën e shtrëngatës.

15 Mbretin e tyre do ta çojnë në mërgim bashkë me princat e tij’,+​—thotë Jehovai.

2 Kështu thotë Jehovai:

‘Për tri, madje për katër* rebelimet* e Moabit,+ unë nuk do të heq dorë nga ndëshkimi,

sepse ai dogji eshtrat e mbretit të Edomit për t’i kthyer në gëlqere.

 2 Prandaj do të dërgoj një zjarr në Moab

që do të përpijë kullat e fortifikuara të Keriotit.+

Moabi do të shuhet mes rrëmujës,

mes britmës së luftës dhe tingullit të bririt.+

 3 Do të shfaros sundimtarin* që gjendet atje

dhe të gjithë princat e tij do t’i vras bashkë me të’,+​—thotë Jehovai.

 4 Kështu thotë Jehovai:

‘Për tri, madje për katër rebelimet e Judës,+ unë nuk do të heq dorë nga ndëshkimi,

sepse ata e hodhën poshtë ligjin* e Jehovait

dhe nuk i zbatuan rregullat e tij.+

Por kanë lejuar të mashtrohen nga të njëjtat gënjeshtra pas të cilave kishin shkuar paraardhësit e tyre.+

 5 Prandaj do të dërgoj një zjarr në Judë

që do të përpijë kullat e fortifikuara të Jerusalemit.’+

 6 Kështu thotë Jehovai:

“Për tri, madje për katër rebelimet e Izraelit,+ unë nuk do të heq dorë nga ndëshkimi,

sepse ata e shesin të drejtin për argjend

dhe të varfrin për një palë sandale.+

 7 Të varfërve ua shtypin kokën në pluhurin e tokës,+

dhe zemërbutëve ua bllokojnë rrugën.+

Babë e bir kanë marrëdhënie me të njëjtën vajzë

dhe kështu e përdhosin emrin tim të shenjtë.

 8 Ata shtrihen pranë çdo altari+ mbi rroba të marra si garanci për një hua*+

dhe verën që pinë në tempullin* e perëndive të tyre, ua kanë marrë atyre që gjobitën.

 9 Por unë i shfarosa para syve të tyre amoritët,+

që ishin të gjatë sa cedrat dhe të fortë sa lisat.

Shkatërrova frytin e tyre lart dhe rrënjët e tyre poshtë.+

10 Unë ju nxora nga Egjipti+

dhe ju vura të ecnit 40 vjet nëpër shkretëtirë,+

që të shtinit në dorë vendin e amoritëve.

11 Nxora profetë nga bijtë tuaj+

dhe nazirej* nga të rinjtë tuaj.+

Apo s’është kështu, o popull i Izraelit?​—thotë Jehovai.

12 Por ju u jepnit verë nazirejve+

dhe i urdhëronit profetët: ‘Mos profetizoni!’+

13 Prandaj do t’ju thërrmoj në vendin tuaj,

ashtu si karroca e ngarkuar me drithë të korrur thërrmon drithin poshtë saj.

14 I shpejti nuk do të ketë vend ku të ikë,+

i forti nuk do ta ruajë forcën,

luftëtari nuk do ta shpëtojë jetën e tij.

15 Harkëtari nuk do të mbetet në këmbë,

këmbëshpejti nuk do të shpëtojë

dhe kalorësi nuk do ta shpëtojë jetën e vet.

16 Atë ditë, edhe më i guximshmi* nga luftëtarët

do t’ia mbathë lakuriq”,+​—thotë Jehovai.

3 Dëgjoni se çfarë thotë Jehovai për ju, o popull i Izraelit, për tërë kombin që nxora nga Egjipti:

 2 “Nga të gjitha familjet e tokës, ju kam njohur vetëm ju,+

prandaj do t’ju kërkoj llogari për të gjitha fajet.+

 3 A mund të dalin bashkë dy veta nëse nuk kanë lënë takim?

 4 A ulërin luani në pyll kur nuk ka përpara gjah?

A nxjerr zë luani i ri* në strofkë nëse nuk ka zënë asgjë?

 5 A bie zogu në një grackë në tokë nëse nuk i është vënë një lak?*

A shkrehet gracka nëse nuk ka zënë gjë?

 6 Nëse në qytet bie briri, a nuk dridhen njerëzit?

Nëse në qytet ndodh një e keqe, a nuk vjen nga Jehovai?

 7 Në fakt, Zotëria Sovran Jehova nuk do të bëjë asgjë

pa ua treguar çështjen e tij konfidenciale* shërbëtorëve të vet, profetëve.+

 8 Luani ulëriti!+ Kush nuk do të frikësohet?!

Zotëria Sovran Jehova foli! Kush nuk do të profetizojë?!+

 9 Shpalleni nëpër kullat e fortifikuara të Ashdodit

dhe nëpër kullat e fortifikuara të Egjiptit.

Thoni: ‘Mblidhuni kundër maleve të Samarisë;+

shihni sa rrëmujë dhe sa të zhvatur ka atje.’+

10 Jehovai thotë: ‘Se ata nuk dinë të bëjnë atë që është e drejtë;

i kanë mbushur kullat e fortifikuara me dhunë e plaçkitje.’”

11 Prandaj, kështu thotë Zotëria Sovran Jehova:

‘Vendi do të rrethohet nga një armik,+

i cili do ta thyejë forcën tënde,

dhe kullat e tua të fortifikuara do të plaçkiten.’+

12 Ja ç’thotë Jehovai:

‘Ashtu si bariu rrëmben nga goja e luanit dy këmbë ose një copë veshi,

kështu do t’i rrëmbejnë edhe izraelitët,

që rrinë ulur në Samari mbi shtretër madhështorë dhe mbi divane luksoze.*+

13 Dëgjoni e paralajmëroni shtëpinë e Jakobit,*​—thotë Zotëria Sovran Jehova, Perëndia i ushtrive.

14 Se ditën kur t’i kërkoj llogari Izraelit për tërë rebelimet* e tij,+

do t’u kërkoj llogari edhe altarëve të Bethelit.+

Brirët e altarëve do të priten e do të hidhen përtokë.+

15 Do të rrafshoj shtëpitë e dimrit dhe ato të verës.

Shtëpitë prej fildishi do të zhduken+

dhe shtëpitë madhështore* do të shkatërrohen’,+​—thotë Jehovai.

4 Dëgjojeni këtë fjalë, o lopë të Bashanit,

që ndodheni në malin e Samarisë,+

ju gra që i zhvatni fukarenjtë,+ që shtypni të varfrit

e që u thoni burrave* tuaj: ‘Na sillni diçka për të pirë!’

 2 Zotëria Sovran Jehova është betuar për shenjtërinë e tij:

‘Ja, po vjen koha që ai t’ju ngrejë me çengela

dhe ato që do të mbeten nga ju, me grepa.

 3 Do të dilni nga të çarat e mureve, secila drejt përpara,

dhe do t’ju hedhin në Harmon,​—thotë Jehovai.

 4 Shkoni në Bethel dhe kryeni shkelje.*+

Shkoni në Gilgal dhe kryeni edhe më shumë shkelje.+

Në mëngjes sillni flijimet tuaja+

dhe ditën e tretë sillni të dhjetat.*+

 5 Digjni edhe një blatim falënderimi me bukë me maja+

dhe shpallni me zë të lartë se po bëni blatime vullnetare.

Po, sepse kështu doni të bëni, o popull i Izraelit,​—thotë Zotëria Sovran Jehova.

 6 Në të gjitha qytetet bëra që të kishit uri*

dhe ju lashë pa bukë në të gjitha shtëpitë tuaja;+

prapëseprapë nuk u kthyet tek unë,+​—thotë Jehovai.

 7 Gjithashtu, tre muaj para korrjes jua mbajta shiun.+

Lashë që të binte shi në një qytet, por në një tjetër jo.

Në një pjesë toke binte shi,

kurse pjesa tjetër ku nuk binte shi, u tha.

 8 Njerëzit e dy ose e tri qyteteve shkonin duke iu marrë këmbët në një qytet tjetër për të pirë ujë+

e nuk e shuanin dot etjen;

prapëseprapë nuk u kthyet tek unë,+​—thotë Jehovai.

 9 Ju godita me të nxehtët zhuritës e me vrug.*+

Vërtet i shtuat kopshtet e vreshtat,

por fiqtë e ullinjtë jua përpiu karkaleci;+

prapëseprapë nuk u kthyet tek unë,+​—thotë Jehovai.

10 Dërgova mes jush një murtajë si ajo që dërgova në Egjipt.+

I vrava me shpatë të rinjtë tuaj,+ kurse kuajt tuaj ranë pre.+

Era e qelbur e kampeve tuaja jua shpoi hundët;+

prapëseprapë nuk u kthyet tek unë,​—thotë Jehovai.

11 Unë e ktheva përmbys vendin tuaj,

si ktheva përmbys Sodomën dhe Gomorrën.+

Ju ishit si një kërcu i nxjerrë nga zjarri;

prapëseprapë nuk u kthyet tek unë,+​—thotë Jehovai.

12 Prandaj do të të ndëshkoj sërish, o Izrael.

Meqenëse do të veproj kështu,

bëhu gati, o Izrael, të përballesh me Perëndinë tënd!

13 Se ja, Ai formoi malet+ dhe krijoi erën,+

ai i tregon njeriut mendimet e Tij,

ai e kthen agimin në terr+

dhe shkel vendet e larta të tokës.+

Ai e ka emrin Jehova, Perëndi i ushtrive.’

5 O shtëpi e Izraelit, dëgjoji këto fjalë që po them kundër jush si një këngë të përvajshme:*

 2 ‘Virgjëresha e Izraelit ka rënë,

e nuk ngrihet dot më.

Është braktisur në tokën e vet,

dhe askush nuk e ngre.’

3 Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova:

‘Qyteti që marshon në luftë me një mijë njerëz, do të mbetet me njëqind;

ai që del me njëqind, do të mbetet me dhjetë.

Kështu do t’i ndodhë shtëpisë së Izraelit.’+

4 Se Jehovai i thotë shtëpisë së Izraelit:

‘Më kërkoni, e do të jetoni.+

 5 Mos kërkoni Bethelin,+

mos shkoni në Gilgal+ e mos kaloni në Ber-Shebë,+

sepse me siguri Gilgali do të çohet në mërgim,+

kurse Betheli do të kthehet në hiç.*

 6 Kërkoni Jehovain, e do të jetoni.+

Përndryshe ai do të ndizet si zjarr kundër shtëpisë së Jozefit,

e do të përpijë Bethelin, dhe askush nuk do ta shuajë dot.

 7 Ju e ktheni drejtësinë në pelin;*

e hidhni drejtësinë përtokë.+

 8 Ai që bëri yjësinë Kimah* dhe Kesil,*+

Ai që e kthen terrin në agim,

Ai që e bën ditën të errët si nata,+

Ai që i thërret ujërat e detit

për t’i derdhur mbi faqen e dheut:+

e ka emrin Jehova.

 9 Ai sjell rrufeshëm shkatërrimin mbi të fortin

që vendet e fortifikuara të shkatërrohen.

10 Ju e urreni atë që korrigjon te porta e qytetit

dhe keni neveri për atë që thotë të vërtetën.+

11 Ngaqë i merrni taksën e tokës të varfrit*

dhe i merrni drithin si haraç,*+

ju nuk do të banoni më në shtëpitë me gurë të latuar që ndërtuat,+

as do të pini verë nga vreshtat e mira që mbollët.+

12 Se unë e di se sa të shumta janë rebelimet* tuaja

dhe se sa të rënda janë mëkatet tuaja:

i bini në qafë të drejtit,

merrni ryshfete*

dhe ia mohoni të drejtën të varfrit te porta e qytetit.+

13 Prandaj ai që ka gjykim të thellë, në atë kohë do të heshtë,

sepse do të jetë kohë e kobshme.+

14 Kërkoni të mirën dhe jo të keqen,+

që të jetoni.+

Atëherë Jehovai, Perëndia i ushtrive, do të jetë me ju,

ashtu siç pohoni ju se është.+

15 Urreni të keqen, doni të mirën;+

le të mbizotërojë drejtësia te porta e qytetit.+

Ndoshta Jehovai, Perëndia i ushtrive,

do t’i miratojë ata që kanë mbetur nga Jozefi.’+

16 Prandaj, kështu thotë Jehovai, Perëndia i ushtrive, po, vetë Jehovai:

“Në të gjitha sheshet do të vajtohet

dhe në të gjitha rrugët njerëzit do të thonë: ‘Mjerë, mjerë!’

Do të thërrasin bujkun që të mbajë zi,

dhe vajtuesit me pagesë që të vajtojnë.

17 Në çdo vresht do të vajtohet,+

sepse unë do të kaloj në mes teje,​—thotë Jehovai.

18 ‘Mjerë ata që e dëshirojnë me zjarr ditën e Jehovait!+

Çfarë do të jetë për ju dita e Jehovait?+

Do të jetë terr, dhe jo dritë.+

19 Do të jetë si dikush që i ikën luanit, por i del para ariu;

hyn në shtëpi, mbështet dorën në mur dhe e kafshon gjarpri.

20 A nuk do të jetë dita e Jehovait ditë terri, e jo drite?

Errësirë e plotë pa asnjë rreze drite?

21 Unë i urrej, më neveriten festat tuaja+

dhe nuk kënaqem me aromën e flijimeve tuaja, që ngrihet nëpër asamble solemne.

22 Edhe sikur të më bëni blatime të plota të djegura,

nuk do të kënaqem me blatimet tuaja+

dhe nuk do t’i miratoj flijimet e kafshëve të majme që bëni në bashkësi.+

23 Ma hiqni zhurmën e këngëve tuaja!

Të mos e dëgjoj më melodinë e instrumenteve me tela!+

24 Le të rrjedhë drejtësia si ujë+

dhe e drejta si një përrua i pashtershëm!

25 A më sollët vallë flijime dhe blatime,

o shtëpi e Izraelit, kur ishit 40 vjet në shkretëtirë?!+

26 Kurse tani do t’ju duhet të merrni me vete Sakutin, mbretin tuaj, dhe Kaivanin,*

shëmbëlltyrat*​—yllin e perëndisë tuaj—​që i bëtë për vete,

27 dhe unë do t’ju çoj në mërgim matanë Damaskut’,+​—thotë ai që e ka emrin Jehova, Perëndia i ushtrive.+

6 Mjerë ata në Sion që kanë siguri te vetja,*

ata që ndihen të sigurt në malin e Samarisë,+

më të shquarit e parisë së kombeve,

te të cilët shkon shtëpia e Izraelit.

 2 Kaloni në Kalneh e shikoni.

Që andej shkoni në Hamathin e Madh,+

dhe zbritni në Gathin e filistinëve.

A janë ata më të mirë se mbretëritë tuaja?*

A kanë territor më të madh se juaji?

 3 Mos po e hiqni nga mendja ditën e kobshme+

dhe sillni në vend mbretërimin* e dhunës?+

 4 Ju shtriheni në shtretër të fildishtë+ dhe rehatoheni sa gjatë gjerë mbi divane,+

duke ngrënë deshtë e kopesë dhe viçat e majmë.*+

 5 Ju sajoni këngë sipas tingullit të harpës,*+

dhe njësoj si Davidi shpikni instrumente muzikore;+

 6 pini verë në kupa të mëdha,+

lyheni me vajrat më të zgjedhura

dhe nuk shqetësoheni për* katastrofën e Jozefit.+

 7 Prandaj do t’ju çojnë në mërgim në krye të mërgimtarëve të tjerë,+

dhe ata që rehatohen sa gjatë gjerë, s’do të bëjnë më ahengje të shfrenuara.

 8 Jehovai, Perëndia i ushtrive, thotë: “Unë Zotëria Sovran Jehova jam betuar për veten:+

‘E urrej krenarinë e Jakobit,+

i urrej kullat e tij të fortifikuara+

dhe do ta dorëzoj në duart e armikut qytetin e gjithçka në të.+

9 Edhe sikur të mbeten dhjetë vetë në një shtëpi, ata do të vdesin. 10 Një i afërm* do t’i nxjerrë një nga një e do t’i djegë. Kështu do t’i nxjerrë eshtrat nga shtëpia. Pastaj do t’i thotë atij që është në dhomën e brendshme të shtëpisë: “A ka të tjerë me ty?” Tjetri do t’ia kthejë: “Asnjë tjetër.” Atëherë i afërmi do t’i thotë: “Hesht, se nuk është rasti të përmendet emri i Jehovait.”’

11 Se Jehovai jep urdhrin+

dhe do ta katandisë shtëpinë e madhe në rrënojë

dhe shtëpinë e vogël në gërmadhë.+

12 A rendin kuajt mbi shkrepa?

A lërojnë tokën atje njerëzit me qe?

Ju e keni kthyer të drejtën në një bimë helmuese

dhe frytin e drejtësisë në pelin.*+

13 Ju gëzoni për diçka të kotë

e thoni: ‘A nuk jemi bërë të fuqishëm* falë forcës sonë?’”+

14 Jehovai, Perëndia i ushtrive thotë: ‘Prandaj unë do të nxjerr kundër teje një komb,+ o shtëpi e Izraelit,

që do t’ju shtypë që nga Lebo-Hamathi*+ deri te vadi* i Arabahut.’»

7 Ja ç’më bëri të shoh Zotëria Sovran Jehova: ai formoi një mori karkalecash kur të mbjellat e dimrit* po fillonin të rriteshin. Ishte mbjellja që bëhej pas kositjes së barit për mbretin. 2 Kur e kishin përpirë të gjithë barin e vendit, unë thashë: «O Zotëri Sovran Jehova, të lutem, na fal!+ E si mund të mbijetojë* Jakobi?! Se ai është i dobët.»+

3 Prandaj Jehovai e mendoi edhe një herë* këtë.+ «Kjo s’do të ndodhë»,​—tha Jehovai.

4 Ja ç’më bëri të shoh Zotëria Sovran Jehova: Zotëria Sovran Jehova shpalli një ndëshkim me anë të zjarrit. Ai përpiu ujërat e thella e të paana bashkë me një pjesë toke. 5 Pastaj unë thashë: «O Zotëri Sovran Jehova, të lutem, prit!+ E si mund të mbijetojë* Jakobi?! Se ai është i dobët.»+

6 Prandaj Jehovai e mendoi edhe një herë* këtë.+ «As kjo s’do të ndodhë»,​—tha Zotëria Sovran Jehova.

7 Pastaj ja ç’më bëri të shoh: Jehovai kishte zënë vend mbi një mur të ndërtuar me plumbçe dhe ai vetë kishte një plumbçe në dorë. 8 Atëherë Jehovai më tha: «Çfarë shikon, Amos?» «Një plumbçe»,​—iu përgjigja. Atëherë Jehovai më tha: «Ja, unë po vë plumbçen mes popullit tim, Izraelit, dhe nuk do t’i fal më.+ 9 Vendet e larta* të Isakut+ do të shkretohen dhe shenjtëroret e Izraelit do të rrënohen.+ Unë do të ngrihem me shpatë kundër shtëpisë së Jeroboamit.»+

10 Atëherë Amaziahu, prifti i Bethelit,+ i dërgoi fjalë Jeroboamit,+ mbretit të Izraelit: «Amosi po komploton kundër teje në mes të shtëpisë së Izraelit.+ Vendi nuk mund t’i durojë më tërë fjalët e tij,+ 11 pasi ja çfarë thotë ai: ‘Jeroboami do të vdesë nga shpata dhe me siguri Izraeli do të shkojë në mërgim larg vendit të tij.’»+

12 Pastaj Amaziahu i tha Amosit: «O vegimtar,* ik e mbathja në vendin e Judës! Atje nxirr bukën e gojës* e profetizo,+ 13 por mos profetizo më në Bethel,+ sepse është shenjtërorja e mbretit+ dhe selia mbretërore.»

14 Atëherë Amosi iu përgjigj Amaziahut: «Unë nuk isha as profet dhe as bir profeti, por bari+ dhe kultivues* i fiqve të Egjiptit. 15 Por Jehovai më thirri teksa ruaja kopenë. Dhe Jehovai më tha: ‘Shko e profetizoji popullit tim, Izraelit.’+ 16 Tani dëgjo se çfarë thotë Jehovai: “Ti thua: ‘Mos profetizo kundër Izraelit+ dhe mos prediko+ kundër shtëpisë së Isakut.’ 17 Prandaj kështu thotë Jehovai: ‘Gruaja jote do të bëhet prostitutë në qytet. Djemtë e vajzat e tua do të bien të vdekur nga shpata. Vendi yt do të ndahet me litarin e matjes. Kurse ti do të vdesësh në tokë të papastër dhe Izraeli do të çohet me siguri në mërgim larg vendit të tij.’”»+

8 Ja ç’më bëri të shoh Zotëria Sovran Jehova: një shportë me fruta vere. 2 Ai më tha: «Çfarë shikon, Amos?» «Një shportë me fruta vere»,​—iu përgjigja. Atëherë Jehovai më tha: «I erdhi fundi popullit tim, Izraelit. Unë nuk do t’i fal më.+ 3 Atë ditë, këngët e tempullit do të kthehen në ulërima,+​—thotë Zotëria Sovran Jehova.—​Do të ketë shumë kufoma, të cilat do të flaken gjithandej;+ do të ketë heshtje!

 4 Dëgjojeni këtë, ju që shkelni të varfrit

e që shfarosni zemërbutët e vendit+

 5 dhe thoni: ‘Kur do të mbarojë festa e hënës së re,+ që të shesim drithin?

Edhe sa do që të kalojë Sabati,+ që të nxjerrim në shitje drithin,

që të zvogëlojmë efën,*

të zmadhojmë siklën,*

të bëjmë hile me peshoret për të mashtruar,+

 6 ta blejmë nevojtarin me argjend,

të varfrin me një palë sandale,+

dhe të shesim mbeturinat e grurit?’

 7 Jehovai është betuar për Krenarinë e Jakobit:+

‘Kurrë s’kam për t’i harruar tërë veprat e tyre.+

 8 Për këtë arsye, vendi* do të dridhet

dhe çdo banor do të mbajë zi.+

Ai do të ngrihet i tëri si Nili,

do të fryhet dhe do të bjerë si Nili i Egjiptit.’+

 9 Zotëria Sovran Jehova thotë: ‘Atë ditë

do ta bëj diellin të perëndojë në mesditë

dhe do t’i sjell vendit errësirë në një ditë të kthjellët.+

10 Festat tuaja do t’i kthej në zi+

dhe të gjitha këngët tuaja në këngë të përvajshme.*

Do të mbuloj çdo mes me copë thesi* dhe do të bëj që çdo kokë të jetë e rruar.

Gjendja juaj do të jetë sikur të mbanit zi për një bir të vetëm

dhe përfundimi i asaj dite do të jetë i hidhur.’

11 Zotëria Sovran Jehova thotë: “Po vijnë ditët

gjatë të cilave unë do të sjell uri në vend,

jo uri për bukë dhe etje për ujë,

por për të dëgjuar fjalët e Jehovait.+

12 Njerëzit do të shkojnë duke iu marrë këmbët nga njëri det në tjetrin

dhe nga veriu në lindje.

Do të bredhin lart e poshtë duke kërkuar fjalën e Jehovait, por nuk do ta gjejnë.

13 Atë ditë, vajzave të bukura

dhe djemve të rinj do t’u bjerë të fikët nga etja.

14 Këta që betohen për fajin e Samarisë+ dhe që thonë:

‘Siç është e vërtetë që rron perëndia yt, o Dan’,+

dhe ‘Siç është e vërtetë që ka një udhë për në Ber-Shebë’,+

do të bien e s’do të ngrihen më.”»+

9 Unë pashë Jehovain+ që kishte zënë vend mbi altar dhe tha: «Goditi kokat e shtyllave, që të tunden pragjet. Prejua kokat të gjithave. Njerëzit që kanë mbetur, do t’i vras me shpatë. Asnjë nga ata që ikin, nuk do t’ia dalë dot dhe asnjë nga ata që ia mbathin, nuk do të shpëtojë dot.+

 2 Edhe sikur të gërmojnë deri në Varr,*

dora ime do t’i nxjerrë që andej.

Edhe sikur të ngjiten në qiell,

unë do t’i zbres që andej.

 3 Edhe sikur të fshihen në majë të Karmelit,

unë do t’i kërkoj me kujdes dhe do t’i kap.+

Edhe sikur të fshihen në fund të detit nga sytë e mi,

do të urdhëroj gjarprin që t’i kafshojë atje.

 4 Edhe sikur të shkojnë në robëri para armiqve të tyre,

atje do të urdhëroj shpatën që t’i vrasë.+

Nuk do t’ua ndaj sytë, jo për mirë, por për keq.+

 5 Se Zotëria Sovran, Jehovai i ushtrive, është ai që prek vendin,*

që të dridhet+ dhe tërë banorët e tij të mbajnë zi.+

Ai do të ngrihet i tëri si Nili

dhe do të bjerë si Nili i Egjiptit.+

 6 Ai që ndërton një udhë deri në qiell

dhe që e ka vënë kupën e tij qiellore* mbi tokë,

ai që i thërret ujërat e detit

që t’i derdhë mbi faqen e dheut,+

e ka emrin Jehova.+

 7 O popull i Izraelit, a nuk jeni për mua si bijtë e kushitëve?​—thotë Jehovai.

A nuk i nxora unë izraelitët nga Egjipti,+

filistinët nga Kreta+ dhe sirianët nga Kiri?+

 8 Unë, Zotëria Sovran Jehova, nuk ia ndaj sytë mbretërisë mëkatare

dhe do ta zhduk nga faqja e dheut.+

Megjithatë nuk do ta zhduk krejt shtëpinë e Jakobit,+​—thotë Jehovai.

 9 Unë po jap urdhrin

dhe do ta tund shtëpinë e Izraelit mes të gjitha kombeve,+

ashtu si tundet shosha,

e s’do të bjerë në tokë asnjë guralec.

10 Tërë mëkatarët e popullit tim që thonë:

‘Asnjë e keqe s’do të na vijë dhe s’do të na zërë’, do të vdesin nga shpata.

11 Atë ditë do të ngre kasollen* e Davidit,+ që ka rënë,

dhe do t’i meremetoj të çarat.*

Do të ngre rrënojat e saj

dhe do ta rindërtoj si kohë më parë,+

12 me qëllim që ata të shtien në dorë atë që ka mbetur nga Edomi+

dhe të gjitha kombet te të cilat është thirrur emri im,​—thotë Jehovai, që po e bën këtë gjë.»

13 Jehovai thotë: «Po vijnë ditët,

kur ai që lëron tokën, do ta arrijë korrësin

dhe ai që shtyp rrushin, do ta arrijë mbjellësin.+

Malet do të pikojnë verë të ëmbël+

dhe në të gjitha kodrat do të vërshojë vera.*+

14 Unë do t’i kthej robërit e popullit tim, Izraelit,+

të cilët do të rindërtojnë qytetet e shkretuara e do të banojnë në to.+

Do të mbjellin vreshta e do të pinë verën e tyre+

dhe do të punojnë kopshtet e do të hanë frytet e tyre.+

15 Unë do t’i mbjell në tokën e tyre,

dhe nuk do të çrrënjosen më kurrë

nga toka që u kam dhënë,»+​—thotë Jehovai, Perëndia yt.

Do të thotë «të jesh ngarkesë» ose «të mbash një ngarkesë».

Shih Fjalorthin.

Shprehja «për tri, madje për katër» mund t’i referohet një veprimi të përsëritur.

Ose «krimet».

Shih Fjalorthin, «Lëmi; Shirja».

Fjalë për fjalë «atë që mban skeptrin».

Fjalë për fjalë «atë që mban skeptrin».

Shprehja «për tri, madje për katër» mund t’i referohet një veprimi të përsëritur.

Ose «krimet».

Fjalë për fjalë «gjykatësin».

Ose «udhëzimin».

Ose «të marra peng».

Ose «shtëpinë».

Shih Fjalorthin.

Ose «edhe më zemërluani».

Ose «luani i ri me krifë».

Një mundësi tjetër «nëse nuk ka karrem në të».

Ose «sekretin e tij».

Ose «divane të ardhura nga Damasku».

Ose «dëshmoni kundër shtëpisë së Jakobit».

Ose «krimet».

Një mundësi tjetër «dhe shumë shtëpi».

Ose «zotërinjve».

Ose «rebelohuni».

Shih Fjalorthin.

Fjalë për fjalë «të kishit dhëmbë të pastër».

Shih Fjalorthin.

Ose «këngë vajtimi».

Një mundësi tjetër «do të bëhet diçka e mistershme».

Ose «hidhërim».

Ka mundësi yjet e Plejadave në yjësinë e Taurusit.

Ka mundësi yjësia e Orionit.

Ose «i merrni qira të madhe të varfrit për arën».

Shih Fjalorthin.

Ose «krimet».

Ose «çmimin e heshtjes».

Të dyja këto perëndi mund t’i referohen planetit Saturn, i cili adhurohej si perëndi.

Ose «idhujt».

Ose «që janë të vetëkënaqur».

Ka të ngjarë t’u referohet mbretërive të Judës e të Izraelit.

Ose «fronin».

Ose «demat e rinj».

Ose «të instrumentit me tela».

Ose «nuk ndieni dhembje për».

Fjalë për fjalë «Xhaxhai».

Ose «hidhësirë».

Ose «nuk i kemi ngritur brirët».

Ose «nga hyrja e Hamathit».

Shih Fjalorthin.

Domethënë, gjatë janarit dhe shkurtit.

Fjalë për fjalë «të ngrihet».

Ose «i erdhi keq për».

Fjalë për fjalë «të ngrihet».

Ose «i erdhi keq për».

Shih Fjalorthin.

Shih Fjalorthin.

Fjalë për fjalë «ha bukë».

Ose «shpues».

Shih Shtojcën B14.

Shih Shtojcën B14.

Ose «toka».

Ose «këngë vajtimi».

Shih Fjalorthin.

Ose «Sheol», pra, në varrin e përbashkët të njerëzimit. Shih Fjalorthin.

Ose «tokën».

Ose «strukturën e tij».

Ose «tendën».

Ose «të çarat e tyre».

Fjalë për fjalë «kodrat do të shkrihen».

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo