BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • nwt Estera 1:1-10:3
  • Estera

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Estera
  • Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re 2019
Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re 2019
Estera

ESTERA

1 Në ditët e Asuerit,* domethënë të Asuerit që sundonte nga India deri në Etiopi,* mbi 127 provinca,+ 2 në kohën kur mbreti Asuer rrinte në fronin e tij mbretëror në kështjellën e Shushanit,*+ 3 në vitin e tretë të mbretërimit të tij, ai shtroi një gosti për të gjithë princat dhe shërbëtorët e vet. Komandantët e ushtrisë së Persisë+ e të Medisë,+ fisnikët dhe princat e provincave erdhën në gosti, 4 dhe për shumë ditë, për 180 ditë, ai u tregoi pasuritë e mbretërisë së tij të lavdishme dhe ç’mbret madhështor e i nderuar ishte. 5 Kur përfunduan këto ditë, mbreti shtroi në oborrin e kopshtit të pallatit mbretëror një gosti për shtatë ditë me radhë për të gjithë ata që ishin në kështjellën e Shushanit, nga më i madhi te më i vogli. 6 Aty kishte perde prej linoje dhe pambuku cilësor ngjyrë blu, të kapura me litarë prej pëlhure cilësore dhe me kordonë prej leshi në ngjyrë të purpurt.* Këta ishin të lidhur në rrathë argjendi të mbërthyer në shtylla mermeri. Divanët prej ari e argjendi ishin mbi dysheme porfiri, mermeri, sedefi dhe mermeri të zi.

7 Vera shërbehej në kupa* ari të formave të ndryshme dhe vera e mbretit ishte me bollëk, ngaqë ai i kishte mundësitë. 8 Sa për pijet askush nuk kishte ndonjë detyrim,* sepse mbreti kishte vendosur me zyrtarët e pallatit të tij, që secili të bënte si t’i pëlqente.

9 Edhe mbretëresha Vashti+ shtroi një gosti për gratë që ishin në shtëpinë mbretërore të mbretit Asuer.

10 Ditën e shtatë, kur mbreti erdhi në qejf nga vera, i tha Mehumanit, Biztait, Harbonait,+ Bigtait, Abagthait, Zetarit dhe Karkasit, shtatë zyrtarëve të oborrit që ishin shërbëtorët personalë të mbretit Asuer, 11 që të sillnin para tij mbretëreshën Vashti me vellon* mbretërore në kokë për t’u treguar bukurinë e saj njerëzve dhe princave, sepse ajo ishte shumë e bukur. 12 Mirëpo mbretëresha Vashti refuzoi prerazi të vinte sipas urdhrit që i kishte dhënë mbreti nëpërmjet zyrtarëve të oborrit. Kjo e zemëroi së tepërmi mbretin, i cili vlonte përbrenda nga tërbimi.

13 Atëherë mbreti i pyeti të mençurit që i njihnin mirë procedurat.* (Se në këtë mënyrë mbreti ua paraqiste çështjen tërë atyre që e njihnin ligjin dhe çështjet ligjore. 14 Më të afërt për të ishin: Karshenai, Shetari, Admatai, Tarshishi, Meresi, Marsenai dhe Memukani, shtatë princat+ e Persisë dhe të Medisë, të cilët lejoheshin të hynin te mbreti dhe kishin postet më të larta në mbretëri.) 15 Mbreti i pyeti: «Sipas ligjit, çfarë duhet bërë me mbretëreshën Vashti, meqë ajo nuk iu bind urdhrit që i dha mbreti Asuer nëpërmjet zyrtarëve të oborrit?»

16 Atëherë, në prani të mbretit dhe të princave, Memukani tha: «Mbretëresha Vashti nuk ka gabuar vetëm kundër mbretit,+ por edhe kundër gjithë princave dhe gjithë popujve në tërë provincat e mbretit Asuer, 17 sepse atë që bëri mbretëresha do ta marrin vesh të gjitha gratë dhe do t’i përbuzin burrat e tyre e do të thonë: ‘Mbreti Asuer dha urdhër që mbretëresha Vashti të shkonte para tij, por ajo refuzoi.’ 18 Madje sot princeshat e Persisë dhe të Medisë që e dinë çfarë bëri mbretëresha, do t’ua thonë këtë gjithë princave të mbretit, dhe kjo do të ngjallë shumë përçmim e indinjatë. 19 Nëse mbreti e sheh të udhës, le të nxjerrë një dekret mbretëror dhe le të shkruhet ndër ligjet e Persisë dhe të Medisë, që janë të pakthyeshme.+ Në bazë të tij, Vashti nuk duhet të dalë më kurrë para mbretit Asuer. Pozitën e saj mbretërore, mbreti le t’ia japë një gruaje tjetër më të mirë se ajo. 20 Dhe kur dekreti i mbretit të dëgjohet në tërë mbretërinë e tij të paanë, të gjitha gratë do t’i nderojnë burrat e tyre, nga më i madhi te më i vogli.»

21 Ky sugjerim i pëlqeu mbretit e princave, dhe mbreti bëri si tha Memukani. 22 Kështu, ai dërgoi letra në tërë provincat e mbretërisë,+ çdo province sipas shkrimit të vet dhe çdo populli në gjuhën e vet, që çdo burrë të ishte zot* në shtëpinë e tij dhe të fliste në gjuhën e popullit të vet.

2 Pas këtyre gjërave, kur iu fashit tërbimi, mbreti Asuer+ mendoi për atë që kishte bërë Vashti+ dhe çfarë ishte vendosur kundër saj.+ 2 Atëherë, shërbëtorët personalë të mbretit thanë: «Të kërkohen për mbretin vajza të reja, të virgjëra e të bukura. 3 Mbreti të caktojë përfaqësues në tërë provincat e mbretërisë së tij+ që t’i mbledhin të gjitha vajzat e virgjëra e të bukura në kështjellën e Shushanit,* në shtëpinë e grave.* Le të jenë nën kujdesin e Hegait,+ eunukut të mbretit dhe rojtarit të grave, dhe t’u bëhen trajtime estetike.* 4 Dhe vajza që do t’i pëlqejë më shumë mbretit, të bëhet mbretëreshë në vend të Vashtit.»+ Mbretit i pëlqeu ky sugjerim, dhe ashtu bëri.

5 Në kështjellën e Shushanit+ ishte një burrë jude që quhej Mordeká.+ Ai ishte bir i Jairit, bir i Shimeit, bir i Kishit, një beniaminit.+ 6 Ai kishte mërguar nga Jerusalemi bashkë me njerëzit që kishin mërguar me Jekoninë,*+ mbretin e Judës, të cilin e çoi në mërgim Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë. 7 Mordekai e mori nën kujdestari* Hadasën,* domethënë Esterën, që e kishte vajzë xhaxhai,+ pasi ajo nuk kishte as nënë, as baba. Vajza kishte trup të bukur dhe ishte shumë e këndshme; kur i vdiq i ati dhe e ëma, Mordekai e mori si vajzën e tij. 8 Kur u shpall fjala e ligji i mbretit dhe kur u mblodhën shumë vajza në kështjellën e Shushanit, nën kujdesin e Hegait,+ edhe Esterën e çuan në shtëpinë e mbretit,* nën kujdesin e Hegait, rojtarit të grave.

9 Ajo fitoi pëlqimin dhe miratimin e tij,* kështu që menjëherë ai organizoi t’i bënin trajtime estetike,*+ të hante ushqime të zgjedhura, si edhe i caktoi shtatë vajza nga shtëpia e mbretit. Gjithashtu atë, bashkë me shërbëtoret e saj, e kaloi në vendin më të mirë të shtëpisë së grave. 10 Estera nuk tha asgjë për popullin+ dhe për të afërmit e saj, sepse Mordekai+ e kishte udhëzuar të mos i tregonte askujt.+ 11 Mordekai kalonte ditë për ditë para oborrit të shtëpisë së grave për të marrë vesh si ishte Estera dhe ç’po bëhej me të.

12 Çdo vajze i vinte radha për të shkuar te mbreti Asuer, pasi kishte përfunduar për 12 muaj trajtimin e përcaktuar për gratë. Në trajtimin estetik* që duhej të bënin, përfshihej: gjashtë muaj me vaj mirre,+ gjashtë muaj me vaj balsami+ bashkë me pomada të ndryshme për trajtime estetike.* 13 Pastaj vajza ishte gati të paraqitej te mbreti dhe çfarëdo që të kërkonte, i jepej kur shkonte nga shtëpia e grave te shtëpia e mbretit. 14 Në mbrëmje shkonte te mbreti dhe në mëngjes kthehej në shtëpinë e dytë të grave,* që ishte nën kujdesin e Shashgazit, eunukut të mbretit+ dhe rojtarit të konkubinave.* Ajo nuk shkonte më te mbreti, vetëm nëse ai e kishte pëlqyer veçanërisht dhe e thërriste me emër.+

15 Kur Esterës, bijës së Abihailit, xhaxhait të Mordekait, i cili e kishte marrë si vajzën e vet,+ i erdhi radha të shkonte te mbreti, ajo nuk kërkoi asgjë veç asaj që i rekomandoi Hegai, eunuku i mbretit dhe rojtari i grave. (Ndërkohë Estera fitonte pëlqimin e kujtdo që e shihte.) 16 Esterën e çuan te mbreti Asuer, në shtëpinë e tij mbretërore, në muajin e dhjetë, domethënë në muajin tebeth,* vitin e shtatë+ të mbretërimit të tij. 17 Mbreti e deshi Esterën më shumë se të gjitha gratë e tjera dhe ajo fitoi pëlqimin e miratimin e tij* më shumë se çdo virgjëreshë tjetër. Kështu ai i vuri në kokë vellon* mbretërore dhe e bëri mbretëreshë+ në vend të Vashtit.+ 18 Pastaj mbreti shtroi një gosti madhështore për të gjithë princat dhe shërbëtorët e tij, gostinë e Esterës. Veç kësaj, shpalli një amnisti në të gjitha provincat dhe ndau dhurata, se mbreti i kishte mundësitë.

19 Tani, kur virgjëreshat*+ u mblodhën për herë të dytë, Mordekai rrinte ulur te porta e mbretit. 20 Estera nuk kishte treguar asgjë për të afërmit e për popullin e saj,+ ashtu siç e kishte udhëzuar Mordekai. Ajo vazhdoi të bënte çfarë i thoshte ai, tamam si atëherë kur ishte nën kujdesin e tij.+

21 Ato ditë, teksa Mordekai rrinte ulur te porta e mbretit, Bigtani dhe Tereshi, dy zyrtarë të oborrit mbretëror, derëtarë, u zemëruan dhe komplotuan që ta vritnin* mbretin Asuer. 22 Por këtë gjë e mori vesh Mordekai dhe ia tregoi menjëherë mbretëreshës Ester. Atëherë ajo ia bëri të ditur këtë gjë mbretit në emër të Mordekait. 23 Kështu çështja u hetua dhe doli se ishte e vërtetë. Ata të dy u varën në shtyllë dhe çështja u dokumentua në prani të mbretit në librin e historisë së atyre kohëve.+

3 Pas kësaj mbreti Asuer e ngriti në detyrë Hamanin,+ birin e Hamedatit, agagitit.+ Ai e lartësoi dhe e vuri fronin e tij mbi të gjithë princat e tjerë që ishin me të.+ 2 Të gjithë shërbëtorët e mbretit që rrinin te porta e tij përkuleshin thellë me fytyrë përtokë para Hamanit, sepse kështu kishte urdhëruar mbreti. Mirëpo Mordekai nuk pranonte të përkulej ose të binte përmbys. 3 Atëherë shërbëtorët e mbretit që rrinin te porta e tij i thoshin Mordekait: «Pse e shpërfill urdhrin e mbretit?» 4 Ditë për ditë ata e pyetnin, por ai nuk ua vinte veshin, sepse u kishte thënë që ishte jude.+ Atëherë ata i treguan Hamanit për të parë nëse do të tolerohej sjellja e Mordekait.+

5 Kur pa që Mordekai nuk pranonte të përkulej thellë me fytyrë përtokë para tij, Hamani u mbush me tërbim.+ 6 Mirëpo atij iu duk shumë pak të vriste* vetëm Mordekain. Hamanit i kishin treguar për popullin e Mordekait, prandaj ai kërkonte të shfaroste të gjithë judenjtë, popullin e Mordekait që ishte në tërë mbretërinë e Asuerit.

7 Muajin e parë, domethënë në muajin nisan,* në vitin e 12-të+ të mbretërimit të Asuerit, ata hodhën Purin+ (domethënë shortin) në prani të Hamanit, që të përcaktonin ditën dhe muajin, dhe shorti ra në muajin e 12-të, domethënë në adar.*+ 8 Atëherë Hamani i tha mbretit Asuer: «Është njëfarë populli i shpërndarë e i përhapur mes popujve+ të të gjitha provincave të mbretërisë sate.+ Ky popull ka ligje të ndryshme nga ato të tërë popujve të tjerë dhe nuk u bindet ligjeve të mbretit, prandaj nuk është në interesin e mbretit që ta lejojë këtë gjë. 9 Nëse mbreti e sheh të udhës, le të shkruhet një dekret që ata të shfarosen. Unë do t’u jap 10.000 talenta* argjendi zyrtarëve që t’i vendosin në thesarin e mbretit.»*

10 Atëherë mbreti hoqi nga dora unazën me vulë+ dhe ia dha Hamanit,+ birit të Hamedatit, agagitit,+ i cili ishte armiku i judenjve. 11 Mbreti i tha Hamanit: «Argjendi* dhe populli janë në dorën tënde, bëj me ta si të të pëlqejë.» 12 Pastaj në ditën e 13-të të muajit të parë, thirrën sekretarët e mbretit.+ Ata hodhën me shkrim+ gjithë urdhrat që dha Hamani për satrapët* e mbretit, guvernatorët e provincave e princat e popujve të ndryshëm dhe iu dërguan çdo province sipas shkrimit të vet e çdo populli në gjuhën e vet. Kjo u shkrua në emër të mbretit Asuer dhe u vulos me unazën me vulë të mbretit.+

13 Me anë të korrierëve u dërguan letra në tërë provincat e mbretit ku jepej urdhri që të shfaroseshin, të vriteshin e të zhdukeshin të gjithë judenjtë, të rinj e të vjetër, gra e fëmijë, në një ditë të vetme, ditën e 13-të të muajit të 12-të, domethënë në muajin adar,+ dhe të plaçkiteshin zotërimet e tyre.+ 14 Një kopje e dokumentit duhej të nxirrej si ligj në çdo provincë dhe t’u shpallej të gjithë popujve, që të bëheshin gati për atë ditë. 15 Korrierët u nisën menjëherë+ sipas urdhrit të mbretit. Ligji u shpall edhe në kështjellën e Shushanit.*+ Ndërkohë, mbreti dhe Hamani u ulën për të pirë, kurse qyteti i Shushanit ziente nga rrëmuja.

4 Kur mori vesh gjithçka që kishte ndodhur,+ Mordekai+ shqeu rrobat, u vesh me copë thesi* e u lye me hi. Pastaj shkoi në mes të qytetit dhe lëshoi klithma të forta e të hidhura. 2 Vajti deri te porta e mbretit, sepse askush nuk duhej ta kalonte portën e mbretit i veshur me copë thesi. 3 Në çdo provincë,+ ku arrinte fjala e mbretit dhe dekreti i tij, kishte zi të madhe për judenjtë, si edhe agjërim,+ të qara e vaje. Shumë veta shtriheshin të veshur me copa thesi dhe të lyer me hi.+ 4 Kur shërbëtoret e Esterës dhe eunukët e saj erdhën e i treguan, mbretëresha u hidhërua thellë. Ajo i dërgoi rroba Mordekait që t’i vishte në vend të copës së thesit, por ai nuk i pranoi. 5 Atëherë Estera thirri Hatakun, një nga eunukët e mbretit, të cilin e kishin caktuar t’i shërbente asaj, dhe e urdhëroi të shkonte te Mordekai e të merrte vesh ç’do të thoshte kjo dhe ç’po ndodhte.

6 Kështu, Hataku shkoi te Mordekai në sheshin e qytetit, para portës së mbretit. 7 Mordekai i tregoi gjithçka që i kishte ndodhur dhe për shumën e saktë të parave+ që Hamani kishte premtuar se do të derdhte në thesarin e mbretit për shfarosjen e judenjve.+ 8 I dha edhe një kopje të dekretit të shkruar që kishte dalë në Shushan*+ për shfarosjen e tyre. Ai duhej t’ia tregonte dhe t’ia shpjegonte Esterës, e ta udhëzonte+ të shkonte te mbreti që të lutej për pëlqimin e tij e t’i përgjërohej drejtpërsëdrejti në emër të popullit të saj.

9 Hataku u kthye tek Estera dhe i tregoi çfarë i kishte thënë Mordekai. 10 Ajo e udhëzoi Hatakun për t’i kthyer këtë përgjigje Mordekait:+ 11 «Të gjithë shërbëtorët e mbretit dhe populli i provincave të tij e dinë mirë se për çdo burrë a grua që shkon në oborrin e brendshëm të mbretit+ pa qenë i thirrur, zbatohet vetëm një ligj: duhet të vritet; mund të jetojë veç në rast se mbreti shtrin drejt tij skeptrin* prej ari.+ Dhe tashmë u bënë 30 ditë që nuk më kanë thirrur për të shkuar te mbreti.»

12 Kur i treguan çfarë kishte thënë Estera, 13 Mordekai iu përgjigj asaj: «Mos kujto se ngaqë je në shtëpinë e mbretit, ke më shumë mundësi të shpëtosh se gjithë judenjtë e tjerë. 14 Edhe sikur të mos e hapësh fare gojën në këtë kohë, lehtësimi dhe çlirimi për judenjtë do të vijë nga një burim tjetër,+ kurse ti dhe shtëpia e babait tënd do të merrni fund. Kushedi, mbase për një kohë të tillë arrite në këtë pozitë mbretërore.»+

15 Atëherë Estera iu përgjigj Mordekait: 16 «Shko, mblidh të gjithë judenjtë që gjenden në Shushan dhe agjëroni+ për mua. Për tri ditë, natë e ditë, as mos hani, as mos pini.+ Edhe unë do të agjëroj bashkë me shërbëtoret e mia. Pastaj do të shkoj te mbreti, edhe pse është kundër ligjit, dhe nëse duhet të vdes, le të vdes.» 17 Kështu Mordekai iku e bëri të gjitha ato që i kishte udhëzuar Estera.

5 Ditën e tretë+ Estera veshi rrobën mbretërore dhe qëndroi në oborrin e brendshëm të shtëpisë së mbretit,* përballë shtëpisë së tij, ndërsa mbreti ishte ulur në fronin mbretëror në shtëpinë mbretërore, përballë hyrjes. 2 Sapo mbreti pa mbretëreshën Ester në këmbë në oborr, ajo fitoi pëlqimin e tij dhe ai shtriu drejt saj skeptrin prej ari+ që kishte në dorë. Atëherë Estera u afrua dhe preku majën e skeptrit.

3 Mbreti e pyeti: «Çfarë ke, o mbretëresha Ester? Cila është lutja jote? Edhe sikur të kërkosh gjysmën e mbretërisë, do të të jepet!» 4 Estera iu përgjigj: «Nëse mbreti e sheh të udhës, le të vijë sot bashkë me Hamanin+ në gostinë që kam përgatitur për të.» 5 Atëherë mbreti u tha njerëzve të vet: «Thuajini Hamanit që të vijë shpejt si ka kërkuar Estera.» Kështu, mbreti dhe Hamani vajtën në gostinë që kishte përgatitur Estera.

6 Gjatë gostisë me verë, mbreti i tha Esterës: «Cila është kërkesa jote? Do të të plotësohet! Cila është lutja jote? Edhe sikur të kërkosh gjysmën e mbretërisë, do të të jepet!»+ 7 Estera iu përgjigj: «Kërkesa dhe lutja ime është kjo: 8 nëse gëzoj pëlqimin e mbretit e nëse mbreti e sheh të udhës të plotësojë kërkesën dhe lutjen time, le të vijnë nesër mbreti dhe Hamani në gostinë që do të shtroj për ta, dhe nesër do të bëj si ka thënë mbreti.»

9 Atë ditë Hamani doli i gëzuar dhe me hare në zemër. Mirëpo, kur pa Mordekain në portën e mbretit dhe vuri re që as u ngrit e as dridhej nga frika në prani të tij, Hamani u mbush me tërbim kundër tij.+ 10 Megjithatë e mbajti veten dhe vajti në shtëpi. Më pas dërgoi të thërritnin miqtë e vet dhe të shoqen, Zereshën.+ 11 Hamani u mburr për pasurinë e tij përrallore, për bijtë e shumtë+ dhe si e kishte ngritur mbreti në përgjegjësi dhe e kishte lartësuar mbi princat e mbi shërbëtorët e mbretit.+

12 Hamani shtoi: «Për më tepër, mbretëresha Ester nuk ftoi askënd tjetër veç meje për të shoqëruar mbretin në gostinë që kishte përgatitur.+ Madje edhe nesër jam i ftuar tek ajo bashkë me mbretin.+ 13 Por e gjithë kjo nuk më hyn fare në sy, përderisa shoh judeun, Mordekain, të ulur në portën e mbretit.» 14 Kështu Zeresha, e shoqja, dhe tërë miqtë e tij i thanë: «Jep urdhër të ngrenë një shtyllë 50 kute* të lartë dhe në mëngjes thuaji mbretit që atje të varet Mordekai.+ Pastaj shko me mbretin e kënaqu në gosti.» Ky sugjerim i pëlqeu Hamanit, i cili dha urdhër që të ngrihej shtylla.

6 Atë natë mbretin nuk e zinte gjumi,* ndaj dha urdhër që t’i sillnin librin ku dokumentohej historia e atyre kohëve.+ Libri iu lexua mbretit 2 dhe u gjet e shkruar ajo që kishte raportuar Mordekai për Bigtanin dhe Tereshin, dy zyrtarë të oborrit mbretëror, derëtarë, të cilët kishin komplotuar të vritnin* mbretin Asuer.+ 3 Mbreti pyeti: «Si është nderuar dhe si i është treguar vlerësim Mordekait për këtë?» Shërbëtorët personalë të mbretit iu përgjigjën: «Asgjë nuk është bërë për të.»

4 Më vonë mbreti tha: «Kush është në oborr?» Ndërkohë Hamani kishte hyrë në oborrin e jashtëm+ të shtëpisë së mbretit* për t’i thënë që të varte Mordekain në shtyllën që kishte bërë për të.+ 5 Shërbëtorët iu përgjigjën mbretit: «Në oborr është Hamani.»+ Atëherë mbreti tha: «Thuajini të hyjë!»

6 Kur Hamani hyri, mbreti i tha: «Çfarë duhet bërë për atë njeri që mbreti dëshiron ta nderojë?» Hamani tha me vete: «Kë tjetër, veç meje, do të donte të nderonte mbreti?!»+ 7 Prandaj ia ktheu: «Për atë njeri që mbreti dëshiron ta nderojë, 8 le të sjellin veshjen mbretërore+ që vesh mbreti, një kalë mbi të cilin kalëron mbreti dhe në kokë t’i vihet çallma mbretërore. 9 Pastaj veshja dhe kali të lihen nën kujdesin e njërit prej princave më të rëndësishëm të mbretit, dhe me to të veshin njeriun që mbreti dëshiron ta nderojë. Më pas ta hipin mbi kalë e ta çojnë në sheshin e qytetit duke thirrur para tij: ‘Ja çfarë bëhet për atë njeri që mbreti dëshiron ta nderojë!’»+ 10 Menjëherë mbreti i tha Hamanit: «Shpejt! Merr veshjen e kalin dhe bëj këtë që sapo the për Mordekain, judeun që rri ulur te porta e mbretit. Të mos lësh pa bërë asgjë nga ato që the.»

11 Kështu Hamani mori veshjen dhe kalin, veshi Mordekain,+ e hipi mbi kalë dhe e çoi në sheshin e qytetit, duke thirrur para tij: «Ja çfarë bëhet për atë njeri që mbreti dëshiron ta nderojë!» 12 Pas kësaj, Mordekai u kthye te porta e mbretit, kurse Hamani nxitoi për në shtëpi i pikëlluar me kokën mbuluar. 13 Kur ai i tregoi Zereshës,+ së shoqes, dhe tërë miqve të tij gjithë sa i kishin ndodhur, të mençurit që mbante rreth vetes dhe Zeresha, e shoqja, i thanë: «Nëse Mordekai, i cili ka filluar të të mposhtë, është pasardhës i judenjve,* ti s’ke për të fituar; me siguri do të humbësh përpara tij.»

14 Ndërkohë që ata ishin ende duke folur me të, mbërritën zyrtarët e oborrit mbretëror dhe e çuan me nxitim Hamanin në gostinë që kishte përgatitur Estera.+

7 Kështu mbreti dhe Hamani+ shkuan në gostinë e mbretëreshës Ester. 2 Ditën e dytë gjatë gostisë me verë, mbreti i tha sërish Esterës: «Cila është kërkesa jote, o mbretëresha Ester? Do të të plotësohet! Cila është lutja jote? Edhe sikur të kërkosh gjysmën e mbretërisë, do të të jepet!»+ 3 Mbretëresha Ester iu përgjigj: «Nëse gëzoj pëlqimin tënd, o mbret, e nëse mbreti e sheh të udhës, kërkesa ime është që të më falet jeta dhe lutja ime është që të mos shfaroset populli im,+ 4 sepse unë dhe populli im jemi shitur+ për t’u shfarosur, për t’u vrarë dhe për t’u zhdukur.+ Po të ishim shitur vetëm për t’u bërë skllevër dhe skllave, do të kisha heshtur. Megjithatë kjo e keqe nuk duhet lejuar, sepse nuk është në interesin e mbretit, por në dëm të tij.»

5 Atëherë mbreti Asuer e pyeti mbretëreshën Ester: «Kush na qenka ky? Ku është ky që ka guxuar të bëjë diçka të tillë?!» 6 Estera tha: «Ja kush është kundërshtari dhe armiku, ky Hamani i poshtër!»

Hamanit i hyri tmerri nga mbreti dhe mbretëresha. 7 I tërbuar, mbreti u çua nga gostia me verë dhe shkoi në kopshtin e pallatit mbretëror, ndërsa Hamani u ngrit që t’i përgjërohej mbretëreshës Ester t’i falte jetën, sepse e kuptoi që mbreti kishte vendosur ta ndëshkonte. 8 Mbreti u kthye nga kopshti i pallatit mbretëror në shtëpinë ku ishte shtruar gostia me verë dhe pa që Hamani ishte hedhur mbi divanin ku ishte Estera. Mbreti thirri: «Dashke edhe të përdhunosh mbretëreshën në shtëpinë time?» Sa dolën këto fjalë nga goja e mbretit, Hamanit ia mbuluan fytyrën. 9 Harbonai,+ një nga zyrtarët e oborrit të mbretit, tha: «Hamani ka ngritur në shtëpinë e tij edhe një shtyllë 50 kute* të lartë, që e bëri për Mordekain,+ fjalët e të cilit i shpëtuan jetën mbretit.»+ Atëherë mbreti tha: «Atje vareni!» 10 Kështu ata e varën Hamanin në shtyllën që ai kishte bërë për Mordekain, dhe tërbimi i mbretit u fashit.

8 Po atë ditë mbreti Asuer i dha mbretëreshës Ester shtëpinë e Hamanit,+ armikut të judenjve.+ Mordekai u paraqit te mbreti, sepse Estera i kishte treguar se e kishte të afërm.+ 2 Atëherë mbreti hoqi unazën me vulë+ që ia mori Hamanit dhe ia dha Mordekait, kurse Estera e caktoi Mordekain të drejtonte shtëpinë e Hamanit.+

3 Veç kësaj, Estera foli përsëri me mbretin. Ajo ra në këmbët e tij, qau dhe iu lut që të ndalonte planin e lig që kishte thurur kundër judenjve Hamani, agagiti.+ 4 Mbreti shtriu skeptrin prej ari drejt Esterës+ dhe ajo u ngrit e qëndroi në këmbë para tij. 5 Ajo tha: «Nëse mbretit i duket e udhës dhe nëse gëzoj pëlqimin e tij, nëse mbretit i duket e drejtë dhe nëse kam miratimin e tij, le të shkruhet një urdhër që të anulojë dokumentet e intrigantit Haman,+ birit të Hamedatit, agagitit,+ që shkroi për të shfarosur judenjtë në tërë provincat e mbretit! 6 Si mund të shoh të keqen që do të bjerë mbi popullin tim? E si mund të duroj shfarosjen e të afërmve të mi?»

7 Kështu mbreti Asuer i tha mbretëreshës Ester dhe Mordekait, judeut: «Ja, shtëpinë e Hamanit ia kam dhënë Esterës+ dhe dhashë urdhrin që atë ta varnin në shtyllë,+ ngaqë komplotoi për të sulmuar* judenjtë. 8 Ju mund të shkruani një dokument në emër të mbretit, çfarëdo që t’ju duket e përshtatshme për judenjtë, dhe vuloseni me unazën me vulë të mbretit, sepse një dekret i shkruar në emër të mbretit dhe i vulosur me unazën e tij nuk mund të shfuqizohet.»+

9 Kështu, në atë kohë, ditën e 23-të të muajit të 3-të, domethënë në muajin sivan,* u thirrën sekretarët e mbretit. Ata shkruan të gjitha ato që Mordekai urdhëroi për judenjtë, si edhe për satrapët,*+ guvernatorët dhe princat e 127 provincave+ nga India deri në Etiopi. Ato iu dërguan çdo province sipas shkrimit të vet, çdo populli në gjuhën e vet dhe judenjve sipas shkrimit dhe gjuhës së tyre.

10 Ai shkroi dokumente në emër të mbretit Asuer dhe i vulosi me unazën me vulë të mbretit.+ Pastaj i nisi ato nëpërmjet korrierëve që kalëronin kuaj poste të shpejtë, kuaj race për shërbim në oborrin mbretëror. 11 Në këto dokumente mbreti i lejonte judenjtë e të gjitha qyteteve të mblidheshin e të mbronin jetën e tyre dhe të shfarosnin, të vritnin, të zhduknin çdo njeri të armatosur të çdo populli e province që do t’i sulmonte, përfshirë gra e fëmijë, dhe t’u plaçkitnin zotërimet.+ 12 Kjo do të ndodhte në të njëjtën ditë në tërë provincat e mbretit Asuer, ditën e 13-të të muajit të 12-të, domethënë në muajin adar.*+ 13 Teksti* i dokumentit duhej nxjerrë si ligj në tërë provincat dhe u duhej shpallur tërë popujve, që atë ditë judenjtë të ishin gati për t’u hakmarrë kundër armiqve të tyre.+ 14 Korrierët që kalëronin kuaj poste, që përdoreshin për shërbim në oborrin mbretëror, dolën urgjentisht dhe pa vonesë sipas urdhrit të mbretit. Ky ligj u shpall edhe në kështjellën e Shushanit.*+

15 Tani Mordekai doli nga prania e mbretit me veshjen mbretërore blu e të bardhë, me një kurorë të madhe ari dhe me një mantel prej pëlhure cilësore prej leshi ngjyrë të purpurt.*+ Dhe qyteti i Shushanit brohoriste nga gëzimi. 16 Për judenjtë kishte shpresë,* gëzim e ngazëllim, dhe populli i nderonte. 17 Në tërë provincat dhe qytetet, kudo ku arrinte dekreti i mbretit dhe ligji i tij, për judenjtë kishte gëzim, ngazëllim, gosti dhe festë. Shumë nga popujt e vendit e shpallnin veten judenj,+ sepse i kishte zënë tmerri nga ata.

9 Ditën e 13-të të muajit të 12-të, domethënë në muajin adar,*+ kur duhej të përmbushej fjala e mbretit dhe ligji i tij,+ atë ditë kur armiqtë e judenjve shpresonin t’i mposhtnin, ndodhi krejt e kundërta dhe judenjtë i mundën ata që i urrenin.+ 2 Judenjtë u mblodhën nëpër qytetet e tyre në tërë provincat e mbretit Asuer,+ për të sulmuar* ata që kërkonin t’u bënin keq. Asnjeri nuk u bëri dot ballë, sepse të gjithë popujt i kishte zënë tmerri prej tyre.+ 3 Të gjithë princat e provincave, satrapët,*+ guvernatorët dhe ata që merreshin me punët e mbretit i mbështetnin judenjtë, sepse kishin frikë nga Mordekai. 4 Ai ishte bërë i madh+ në shtëpinë e mbretit* dhe fama e tij po përhapej në të gjitha provincat anembanë, sepse Mordekai po bëhej gjithnjë e më i madh.

5 Judenjtë i goditën me shpatë të gjithë armiqtë e tyre, duke i vrarë e duke i shfarosur; bënë çfarë deshën me ata që i urrenin.+ 6 Në kështjellën e Shushanit*+ judenjtë vranë dhe shfarosën 500 burra. 7 Vranë edhe Parshandatain, Dalfonin, Aspatain, 8 Poratain, Adaliain, Aridatain, 9 Parmashtain, Arisain, Aridain dhe Vaizatain, 10 dhjetë djemtë e Hamanit, birit të Hamedatit, armikut të judenjve.+ Por, pasi i vranë, nuk plaçkitën asgjë.+

11 Po atë ditë, mbretit iu raportua numri i atyre që u vranë në kështjellën e Shushanit.

12 Mbreti i tha mbretëreshës Ester: «Në kështjellën e Shushanit judenjtë vranë dhe shfarosën 500 burra bashkë me dhjetë djemtë e Hamanit. Ç’të kenë bërë në pjesën tjetër të provincave të mbretit?+ Cila është kërkesa jote tani? Do të të plotësohet! Ç’lutje tjetër ke? Ashtu do të bëhet!» 13 Estera u përgjigj: «Nëse mbretit i duket e udhës,+ le t’u lejohet judenjve që janë në Shushan të veprojnë edhe nesër sipas ligjit të sotëm,+ kurse dhjetë trupat e djemve të Hamanit të varen në shtyllë.»+ 14 Prandaj mbreti dha urdhra që të bëhej ashtu. Në Shushan doli një ligj dhe dhjetë djemtë e Hamanit i varën.

15 Judenjtë në Shushan u mblodhën përsëri ditën e 14-të të muajit adar+ dhe vranë 300 burra në Shushan, por nuk plaçkitën asgjë.

16 Edhe judenjtë e tjerë në provincat e mbretit u mblodhën e mbrojtën jetën e tyre.+ Ata asgjësuan armiqtë,+ duke vrarë 75.000 veta nga ata që i urrenin, por nuk plaçkitën asgjë. 17 Kjo ndodhi ditën e 13-të të muajit adar. Ditën e 14-të pushuan dhe e kthyen atë në një ditë feste dhe gëzimi.

18 Judenjtë në Shushan u mblodhën ditën e 13-të+ e të 14-të,+ kurse ditën e 15-të pushuan; ata e kthyen atë në një ditë feste dhe gëzimi. 19 Kurse judenjtë që banonin në qytetet e krahinave të largëta, ditën e 14-të të muajit adar e kthyen në një ditë gëzimi e gostie, një ditë feste,+ dhe një kohë për t’i dhuruar ushqime njëri-tjetrit.+

20 Mordekai+ i dokumentoi këto ngjarje dhe u dërgoi letra zyrtare të gjithë judenjve në tërë provincat e mbretit Asuer, afër dhe larg. 21 Ai i udhëzoi të festonin vit për vit ditën e 14-të dhe të 15-të të muajit adar, 22 sepse në ato ditë judenjtë gjetën prehje nga armiqtë e tyre dhe, atë muaj, hidhërimi u kthye në gëzim dhe zia+ në ditë feste. Ata duhej t’i mbanin ato si ditë feste e gëzimi dhe si një kohë për t’i dërguar ushqime njëri-tjetrit e dhurata për të ndihmuar të varfrit.

23 Judenjtë pranuan të kremtonin gjithmonë festën që kishin filluar dhe të bënin atë që u kishte shkruar Mordekai. 24 Në fakt, Hamani,+ biri i Hamedatit, agagitit,+ armiku i të gjithë judenjve, kishte kurdisur plane kundër judenjve për t’i shfarosur+ dhe kishte hedhur Purin,+ domethënë shortin, për t’i alarmuar e për t’i shkatërruar. 25 Por kur Estera shkoi para mbretit, ai dha urdhra me shkrim:+ «Plani i tij i keq kundër judenjve+ i rëntë mbi kokë!» Kështu e varën në shtyllë atë dhe djemtë e tij.+ 26 Ja pse i quajtën këto ditë Purim, nga emri Pur.*+ Prandaj për shkak të gjithë asaj që ishte shkruar në letrën e Mordekait, të asaj që panë në lidhje me këtë çështje dhe të asaj që u kishte ndodhur, 27 judenjtë vunë si detyrë që ata vetë, pasardhësit e tyre dhe të gjithë ata që do të bashkoheshin me ta,+ t’i festonin se s’bën këto dy ditë e të zbatonin atë që Mordekai kishte shkruar për to në kohën e caktuar vit për vit. 28 Këto ditë duheshin kujtuar dhe duheshin festuar brez pas brezi, në çdo familje, në çdo provincë e në çdo qytet. Këto ditë të Purimit nuk duheshin lënë pa u kremtuar nga judenjtë dhe kujtimi i tyre nuk duhej harruar nga pasardhësit e tyre.

29 Pastaj u shkrua një letër e dytë për Purimin, të cilën mbretëresha Ester, vajza e Abihailit, dhe Mordekai, judeu, e vërtetuan me autoritet të plotë. 30 Ai u dërgoi letra zyrtare të gjithë judenjve në 127 provincat+ e mbretërisë së Asuerit,+ me fjalë paqeje dhe të besueshme,* 31 për të vërtetuar kremtimin e ditëve të Purimit në kohën e caktuar, ashtu si judeu Mordeká dhe mbretëresha Ester i kishin udhëzuar të bënin,+ ashtu si i kishin vënë detyrë vetes dhe pasardhësve të tyre që ta zbatonin,+ përfshirë agjërimin+ dhe përgjërimin.+ 32 Urdhri i Esterës i vërtetoi këto çështje për Purimin,+ dhe kjo u dokumentua në një libër.

10 Mbreti Asuer vuri në punë të detyruar vendin dhe ishujt e detit.

2 A nuk janë shkruar në librin e historisë+ së mbretërve të Medisë dhe të Persisë+ gjithë arritjet e mëdha e të fuqishme të Mordekait,+ si edhe tregimi i hollësishëm për pozitën e nderuar me të cilën mbreti e lartësoi?+ 3 Judeu Mordekai vinte i dyti pas mbretit Asuer. Ai ishte i shquar* mes judenjve dhe respektohej nga tërë vëllezërit e tij, pasi punonte për të mirën e popullit të tij dhe sigurohej për mirëqenien e* tërë pasardhësve të tyre.

Mendohet se ishte Kserksi I, biri i Darit të Madh (Dar Histaspisi).

Ose «në Kush».

Ose «pallatin mbretëror të Suzës; citadelën e Suzës».

Ose «vjollcë». Shih Fjalorthin.

Ose «enë; gota».

Domethënë, mund të pinin sa të donin, shumë a pak.

Ose «çallmën».

Ose «precedentët». Fjalë për fjalë «kohët».

Ose «princ».

Ose «pallatin mbretëror të Suzës; citadelën e Suzës».

Ose «në harem».

Ose «masazhe».

Quhet Jehojakin te 2Mb 24:8.

Ose «u kujdes për».

Do të thotë «mërsinë».

Ose «pallatin mbretëror».

Ose «dashurinë e tij besnike».

Ose «masazhe».

Ose «masazhet».

Ose «bashkë me masazhet e grave».

Ose «në haremin e dytë».

Shih Fjalorthin.

Shih Shtojcën B15.

Ose «dashurinë e tij besnike».

Ose «çallmën».

Ose «vajzat».

Fjalë për fjalë «të vinin dorë mbi».

Fjalë për fjalë «të vinte dorë mbi».

Shih Shtojcën B15.

Shih Shtojcën B15.

Një talent ishte 34,2 kg. Shih Shtojcën B14.

Një mundësi tjetër «Unë do të derdh 10.000 talenta në thesarin e mbretit për ata që do ta bëjnë këtë punë».

Mund t’i referohet argjendit që do t’u plaçkiste judenjve.

Shih Fjalorthin.

Ose «pallatin mbretëror të Suzës; citadelën e Suzës».

Shih Fjalorthin.

Ose «Suzë».

Ose «shkopin mbretëror».

Ose «të pallatit mbretëror».

Rreth 22,3 m. Shih Shtojcën B14.

Fjalë për fjalë «mbretit i iku gjumi».

Fjalë për fjalë «të vinin dorë mbi».

Ose «të pallatit mbretëror».

Fjalë për fjalë «nga fara e judenjve».

Rreth 22,3 m. Shih Shtojcën B14.

Fjalë për fjalë «ngaqë shtriu dorën kundër».

Shih Shtojcën B15.

Shih Fjalorthin.

Shih Shtojcën B15.

Ose «Një kopje».

Ose «pallatin mbretëror të Suzës; citadelën e Suzës».

Ose «vjollcë». Shih Fjalorthin.

Fjalë për fjalë «dritë».

Shih Shtojcën B15.

Fjalë për fjalë «për të vënë dorë mbi».

Shih Fjalorthin.

Ose «pallatin mbretëror».

Ose «pallatin mbretëror të Suzës; citadelën e Suzës».

«Pur» do të thotë «short». Fjala në shumës «Purim» u përdor për festën e judenjve që kremtohej në muajin e 12-të të kalendarit të shenjtë. Shih Shtojcën B15.

Ose «të vërteta».

Ose «vlerësohej shumë».

Ose «u fliste për paqen».

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo