BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • nwt 2 Samuelit 1:1-24:25
  • 2 Samuelit

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • 2 Samuelit
  • Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re 2019
Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re 2019
2 Samuelit

LIBRI I DYTË I SAMUELIT

1 Pas vdekjes së Saulit, kur i kishte mposhtur amalekitët, Davidi u kthye në Ziklag+ dhe qëndroi dy ditë. 2 Ditën e tretë nga kampi i Saulit erdhi një burrë me rroba të shqyera e me dhé në kokë. Kur iu afrua Davidit, ai u përkul me fytyrë përtokë para tij.

3 Davidi e pyeti: «Nga vjen?» Ai iu përgjigj: «Kam ikur nga kampi i Izraelit.» 4 Davidi e pyeti: «Si shkoi beteja? Të lutem, më trego.» E ai i tha: «Ushtarët ia kanë mbathur nga beteja dhe shumë kanë vdekur. Madje edhe Sauli me të birin, Jonatanin, kanë vdekur.»+ 5 Atëherë Davidi e pyeti të riun që i solli lajmin: «Nga e di ti që Sauli dhe i biri, Jonatani, kanë vdekur?» 6 I riu iu përgjigj: «Isha rastësisht në malin Gilboa+ dhe pashë Saulin të mbështetur te heshta e tij, dhe karrocat e kalorësit e kishin arritur.+ 7 Kur u kthye e më pa, më thirri. Unë i thashë: ‘Ja ku jam!’ 8 Pastaj më pyeti: ‘Kush je ti?’ Unë iu përgjigja: ‘Jam një amalekit.’+ 9 Atëherë më tha: ‘Të lutem, afrohu dhe më vrit; jam ende gjallë, por kam dhembje të tmerrshme.’ 10 Prandaj iu afrova dhe e vrava,+ sepse e dija që s’mund të mbijetonte pasi ishte plagosur rëndë. Pastaj mora kurorën* që kishte në kokë dhe byzylykun që mbante në krah, e ia solla këtu zotërisë tim.»

11 Atëherë Davidi shqeu rrobat e veta, e po njësoj bënë edhe gjithë burrat që ishin me të. 12 Ata vajtuan, qanë e agjëruan+ deri në mbrëmje për Saulin, për të birin, Jonatanin, për popullin e Jehovait dhe për shtëpinë e Izraelit,+ sepse kishin rënë të vdekur nga shpata.

13 Davidi e pyeti të riun që i solli lajmin: «Nga je?» Ai iu përgjigj: «Jam amalekit, bir i një të ardhuri.» 14 Atëherë Davidi i tha: «Si s’pate frikë që ngrite dorën dhe vrave të mirosurin* e Jehovait?!»+ 15 Pastaj Davidi thirri një nga të rinjtë dhe i tha: «Hajde këtu e vrite!» Kështu ky e goditi me shpatë dhe amalekiti vdiq.+ 16 Davidi i tha: «Vetë e ke fajin për vdekjen tënde,* sepse me gojën tënde dëshmove kundër vetes kur the: ‘Vrava të mirosurin e Jehovait.’»+

17 Pastaj Davidi ia mori kësaj kënge të përvajshme* për Saulin e për Jonatanin, birin e tij,+ 18 dhe tha se popullit të Judës i duhej mësuar kënga e përvajshme e quajtur «Harku», e cila është shkruar në librin e Jasharit:+

19 «O Izrael, bukuria dergjet e vrarë në vendet e tua të larta.+

Oh, seç kanë rënë të fuqishmit!

20 Gathit këtë mos ia tregoni,+

rrugëve të Ashkelonit mos e njoftoni,

që bijat e filistinëve të mos gëzojnë,

bijat e të parrethprerëve të mos ngazëllojnë.

21 O male të Gilboas,+

mos rëntë mbi ju as vesë, as shi,

as ara që japin kontribute të shenjta mos paçi,+

sepse te ju u çnderua mburoja e të fuqishmëve,

mburoja e Saulit nuk është më e mirosur me vaj.

22 Nga gjaku i të vrarëve, nga dhjami i të fuqishmëve,

harku i Jonatanit nuk sprapsej,+

as shpata e Saulit pa sukses nuk kthehej.+

23 Saulin dhe Jonatanin,+ të dashur e të shtrenjtë* gjatë gjithë jetës,

as vdekja nuk i ndau.+

Ishin më të shpejtë se shqiponjat,+

më të fuqishëm se luanët.+

24 O bija të Izraelit, qani për Saulin

që ju veshi me rroba cilësore në të kuqe të ndezur,

që i stolisi me ar veshjet tuaja.

25 Oh, seç kanë rënë në betejë të fuqishmit!

Në vendet e tua të larta dergjet i vrarë Jonatani!+

26 Sa më dhemb shpirti për ty, o Jonatan, vëllai im!

Shumë i shtrenjtë ishe për mua.+

Dashuria jote ishte për mua më e mrekullueshme se dashuria e grave.+

27 Oh, seç kanë rënë të fuqishmit

dhe janë shkatërruar armët e luftës!»

2 Pas kësaj Davidi e pyeti Jehovain:+ «A duhet të shkoj në njërin nga qytetet e Judës?» Jehovai iu përgjigj: «Shko!» Atëherë Davidi e pyeti: «Ku të shkoj?» Ai ia ktheu: «Në Hebron.»+ 2 Kështu Davidi shkoi atje bashkë me dy gratë e tij: Ahinoamin+ nga Jezreli, dhe Abigailën,+ vejushën e karmelitit Nabal. 3 Davidi mori me vete edhe burrat që ishin me të,+ secilin me njerëzit e shtëpisë së vet; burrat u vendosën me banim në qytetet përreth Hebronit. 4 Atëherë atje erdhën burrat e Judës dhe e mirosën* Davidin si mbret të shtëpisë së Judës.+

Ata i thanë Davidit: «Saulin e varrosën burrat e Jabesh-Galadit.» 5 Prandaj Davidi dërgoi lajmëtarë te burrat e Jabesh-Galadit dhe u tha: «Qofshi të bekuar nga Jehovai, sepse i treguat dashuri besnike zotërisë tuaj, Saulit, dhe e varrosët!+ 6 Jehovai ju tregoftë dashuri* dhe qoftë besnik me ju! Edhe unë do të tregohem zemërmirë me ju për këtë që keni bërë.+ 7 Qofshi të fortë dhe guximtarë, sepse zotëria juaj, Sauli, ka vdekur, dhe shtëpia e Judës më ka mirosur mua si mbretin e saj!»

8 Por Abneri,+ biri i Nerit, kreu i ushtrisë së Saulit, kishte marrë Ish-Boshethin,+ birin e Saulit, e kishte çuar në Mahanaim+ 9 dhe e kishte bërë mbret të Galadit,+ të ashuritëve, të Jezrelit,+ të Efraimit,+ të Beniaminit dhe të mbarë Izraelit. 10 Ish-Boshethi, biri i Saulit, ishte 40 vjeç kur u bë mbret i Izraelit dhe mbretëroi dy vjet. Megjithatë shtëpia e Judës mbështeste Davidin.+ 11 Davidi mbretëroi në shtëpinë e Judës në Hebron për shtatë vjet e gjashtë muaj.+

12 Pas ca kohësh Abneri, biri i Nerit, dhe shërbëtorët e Ish-Boshethit, birit të Saulit, dolën nga Mahanaimi+ për në Gibeon.+ 13 Edhe Joabi,+ biri i Zerujasë,+ dhe shërbëtorët e Davidit dolën dhe u takuan me ta te rezervuari i Gibeonit; një grup u ul në njërën anë të rezervuarit, kurse grupi tjetër në anën tjetër. 14 Atëherë Abneri i tha Joabit: «Të çohen burrat e të luftojnë para nesh.» Joabi tha: «Le të çohen.» 15 Kështu u çuan luftëtarë nga të dy grupet: 12 beniaminitë nga grupi i Ish-Boshethit, birit të Saulit, dhe 12 nga shërbëtorët e Davidit. 16 Ata e kapën njëri-tjetrin nga koka dhe secili ia nguli shpatën në brinjë kundërshtarit të tij, dhe të gjithë vdiqën. Kështu ai vend u quajt Helkat-Hazurim dhe gjendet në Gibeon.

17 Beteja që pasoi atë ditë ishte tejet e ashpër dhe në fund shërbëtorët e Davidit mundën Abnerin dhe burrat e Izraelit. 18 Atje ishin edhe tre djemtë e Zerujasë:+ Joabi,+ Abishai+ dhe Asaheli.+ Asaheli ishte këmbëshpejtë, si gazela në fushë. 19 Ai e ndoqi Abnerin pa u kthyer as djathtas, as majtas. 20 Kur Abneri ktheu kokën, e pyeti: «Ti je Asahel?» Ai ia ktheu: «Po, unë jam.» 21 Atëherë Abneri i tha: «Kthehu djathtas ose majtas, ndiq ndonjë ushtar dhe merr për vete gjërat e tij.» Por Asaheli nuk deshi të hiqte dorë nga ndjekja. 22 Atëherë Abneri i tha përsëri Asahelit: «Mos më ndiq më. Pse më detyron të të vras? Me ç’fytyrë do t’i dilja përpara Joabit, vëllait tënd?» 23 Por ai nuk pranoi të ndalej, prandaj Abneri e goditi në bark me pjesën e prapme të heshtës.+ Heshta i doli nga kurrizi, dhe ai ra përtokë e vdiq në vend. Të gjithë ata që kalonin andej, ndaleshin një çast e shikonin vendin ku vdiq Asaheli.

24 Pastaj Joabi dhe Abishai u vunë në ndjekje të Abnerit. Në perëndim të diellit, ata mbërritën në kodrën e Amahut përballë Giahut, udhës për në shkretëtirën e Gibeonit. 25 Beniaminitët u mblodhën përreth Abnerit, si një grup i vetëm dhe zunë vend majë një kodre. 26 Pastaj Abneri i thirri Joabit: «A do të vazhdojë të përpijë shpata pambarimisht? A nuk e kupton se në fund do të ketë veç hidhërim? Kur do t’u thuash burrave të kthehen e të mos i ndjekin më vëllezërit e tyre?» 27 Pasi dëgjoi këtë, Joabi iu përgjigj: «Siç është e vërtetë që Perëndia i vërtetë rron, po të mos kishe folur ti, burrat nuk do të kishin hequr dorë dhe do t’i kishin ndjekur vëllezërit e tyre deri në mëngjes.» 28 Pastaj Joabi i ra bririt dhe njerëzit e tij nuk e ndoqën më Izraelin, e beteja mori fund.

29 Abneri dhe njerëzit e vet marshuan gjithë atë natë për në Arabah,+ kapërcyen Jordanin, kaluan tërë grykën* dhe në fund mbërritën në Mahanaim.+ 30 Joabi nuk e ndoqi më Abnerin, u kthye dhe mblodhi gjithë burrat. Nga shërbëtorët e Davidit mungonin 19 veta, përveç Asahelit. 31 Megjithatë, shërbëtorët e Davidit i kishin mundur beniaminitët dhe njerëzit e Abnerit, dhe prej tyre kishin vdekur 360 veta. 32 Asahelin+ e morën dhe e varrosën te varri i të atit, në Betlehem.+ Pastaj Joabi dhe njerëzit e tij ecën gjithë natën, e në agim mbërritën në Hebron.+

3 Lufta mes shtëpisë së Saulit dhe shtëpisë së Davidit zgjati shumë. Davidi bëhej gjithnjë e më i fortë,+ kurse shtëpia e Saulit dobësohej gjithnjë e më shumë.+

2 Ndërkohë Davidit i lindën disa bij në Hebron.+ I parëlinduri i tij ishte Amnoni+ nga jezrelitja Ahinoam,+ 3 i dyti ishte Kileabi nga Abigaila,+ vejusha e karmelitit Nabal, i treti ishte Absalomi,+ biri i Makahës, bijës së Talmait,+ mbretit të Geshurit, 4 i katërti ishte Adonijahu,+ biri i Hagitës, i pesti ishte Shefatiahu, biri i Abitalës, 5 i gjashti ishte Ithreami nga Egla, gruaja e Davidit. Këta ishin djemtë që i lindën Davidit në Hebron.

6 Ndërsa vazhdonte lufta mes shtëpisë së Saulit dhe shtëpisë së Davidit, Abneri+ forconte gjithnjë e më shumë pozitën e tij në shtëpinë e Saulit. 7 Tani, Sauli kishte pasur një konkubinë* që quhej Rizpa,+ bijë e Ajahut. Një ditë, Ish-Boshethi+ i tha Abnerit: «Pse pate marrëdhënie me konkubinën e babait tim?»+ 8 Abneri u zemërua shumë nga fjalët e Ish-Boshethit dhe i tha: «Mos jam ndonjë qen* nga Juda unë?! Deri më sot kam treguar dashuri besnike ndaj shtëpisë së Saulit, atit tënd, vëllezërve e miqve të tij, dhe nuk të dorëzova në duart e Davidit. E sot ti më kërkon llogari për gabimin që bëra me një grua? 9 Perëndia më ndëshkoftë ashpër, në qoftë se nuk bëj për Davidin, ashtu siç iu betua Jehovai:+ 10 do ta kaloj mbretërinë nga shtëpia e Saulit te Davidi, fronin e të cilit do ta vendos në Izrael dhe Judë, nga Dani në Ber-Shebë.»+ 11 Ai nuk mundi t’i thoshte as edhe një fjalë më tepër Abnerit, sepse ia kishte frikën.+

12 Menjëherë Abneri i dërgoi Davidit lajmëtarë dhe i tha: «Kujt i përket vendi?» Pastaj shtoi: «Bëj një besëlidhje me mua dhe unë do të bëj gjithë sa mundem* për ta kthyer tërë Izraelin në anën tënde.»+ 13 Davidi iu përgjigj: «Mirë! Do ta bëj besëlidhjen me ty, vetëm me një kusht: kur të vish të më takosh, mos më dil para po nuk më solle më parë Mikalën,+ vajzën e Saulit.» 14 Pastaj Davidi i dërgoi lajmëtarë Ish-Boshethit,+ birit të Saulit, dhe i tha: «Më jep gruan time, Mikalën, me të cilën u fejova për 100 lafsha filistinësh.»+ 15 Kështu Ish-Boshethi dërgoi njerëz që ta merrnin nga i shoqi, Paltieli,+ biri i Laishit. 16 Por i shoqi i shkoi nga pas dhe e ndoqi duke qarë deri në Bahurim,+ ku Abneri i tha: «Kthehu!» Atëherë ai u kthye.

17 Ndërkohë Abneri u dërgoi fjalë pleqve të Izraelit dhe u tha: «Ka kohë që doni ta keni Davidin si mbretin tuaj. 18 Tani është koha për të vepruar, sepse Jehovai tha për Davidin: ‘Nëpërmjet dorës së shërbëtorit tim, Davidit,+ do ta shpëtoj popullin tim, Izraelin, nga dora e filistinëve dhe nga dora e gjithë armiqve të tij.’» 19 Pastaj Abneri i foli popullit të Beniaminit.+ Gjithashtu shkoi të fliste veçmas me Davidin në Hebron që t’i tregonte për çfarë kishin rënë dakord Izraeli dhe tërë shtëpia e Beniaminit.

20 Kur Abneri bashkë me 20 burra vajti te Davidi në Hebron, Davidi shtroi një gosti për ta. 21 Pastaj Abneri i tha Davidit: «Zotëria im mbret, më lejo të iki e të mbledh gjithë Izraelin pranë teje, që të bëjnë një besëlidhje me ty, dhe ti ke për t’u bërë mbret mbi gjithçka që dëshiron.»* Prandaj Davidi e la të ikte Abnerin, dhe ai u largua në paqe.

22 Pikërisht në atë kohë, shërbëtorët e Davidit dhe Joabi u kthyen nga një sulm dhe sollën plaçkë me bollëk. Abneri nuk ishte më në Hebron me Davidin, sepse ky e kishte lënë të shkonte në paqe. 23 Kur Joabi+ arriti bashkë me gjithë ushtrinë që kishte me vete, atij i treguan: «Abneri,+ biri i Nerit,+ erdhi te mbreti dhe ai e la të ikte në paqe.» 24 Atëherë Joabi hyri te mbreti dhe i tha: «Ç’bëre kështu? Abneri erdhi te ti, dhe ti e le të ikte pa problem?! 25 Ti e njeh Abnerin, birin e Nerit! Ai erdhi këtu që të ta hedhë, të marrë vesh të gjitha lëvizjet e tua dhe të dijë gjithçka që po bën.»

26 Atëherë Joabi iku nga Davidi dhe dërgoi lajmëtarë pas Abnerit, të cilët e arritën te sterna* e Sirahut dhe e kthyen mbrapsht; por Davidi nuk dinte gjë. 27 Kur Abneri u kthye në Hebron,+ Joabi e mori mënjanë brenda portës së qytetit që të flitnin vetëm për vetëm. Por aty i nguli shpatën në bark, dhe ai vdiq.+ Kështu mori hak për vdekjen* e të vëllait, Asahelit.+ 28 Kur dëgjoi më vonë për këtë, Davidi tha: «Unë dhe mbretëria ime jemi përjetë të pafajshëm para Jehovait për gjakun+ e Abnerit, birit të Nerit. 29 Ky gjak rëntë mbi kokën e Joabit+ dhe mbi tërë shtëpinë e babait të tij! Pastë gjithmonë në shtëpinë e Joabit burra që vuajnë nga rrjedhja,*+ të lebrosur,+ që tjerrin në furkë,* që bien të vdekur nga shpata ose që s’kanë bukë të hanë!»+ 30 Kështu Joabi dhe Abishai,+ vëllai i tij, e vranë Abnerin,+ sepse ai u kishte vrarë të vëllanë, Asahelin, në betejën+ e Gibeonit.

31 Pastaj Davidi i tha Joabit dhe njerëzve që ishin me të: «Shqyeni rrobat, vishuni me copë thesi* dhe vajtoni për Abnerin.» Vetë mbreti David ecte pas vigut* të varrimit. 32 Abnerin e varrosën në Hebron dhe mbreti ia dha të qarit te varri i Abnerit. Mbarë populli shpërtheu në lot. 33 Mbreti ia mori një kënge të përvajshme për Abnerin e tha:

«A duhej të vdiste Abneri si vdes një i pamend?

34 Duart e tua nuk u lidhën,

këmbët e tua në vargonj* nuk u vunë.

Ti re si ai që bie nga kriminelët.»*+

Atëherë populli qau përsëri për të.

35 Më vonë gjithë populli erdhi që ta bindte Davidin të hante* sa s’kishte mbaruar ende dita, por Davidi u betua: «Perëndia më ndëshkoftë ashpër, nëse ha bukë a gjë tjetër para se të perëndojë dielli!»+ 36 Të gjithë popullit i bëri përshtypje kjo, dhe i pëlqeu. Si çdo gjë që bënte mbreti, edhe kjo i pëlqeu popullit. 37 Kështu atë ditë, mbarë Juda dhe Izraeli e kuptoi se mbreti nuk ishte përgjegjës për vdekjen e Abnerit, birit të Nerit.+ 38 Atëherë mbreti u tha shërbëtorëve të tij: «Nuk e dini vallë se sot në Izrael ka rënë një princ dhe një njeri i madh?+ 39 Edhe pse i mirosur* si mbret,+ sot nuk jam aq i fuqishëm sa t’u kundërvihem këtyre burrave, djemve të Zerujasë,+ sepse janë tepër të dhunshëm.+ Jehovai ia ktheftë atij që bën keq sipas së keqes së vet!»+

4 Kur dëgjoi se Abneri kishte vdekur në Hebron,+ birit të Saulit, Ish-Boshethit,+ iu prenë krahët* dhe gjithë izraelitët u tronditën. 2 Tani, biri i Saulit kishte dy njerëz që ishin në krye të bandave plaçkitëse; njëri quhej Banah, kurse tjetri Rekab. Këta ishin djemtë e berotitit Rimon, nga fisi i Beniaminit. (Edhe Beroti+ llogaritej si pjesë e Beniaminit. 3 Berotitët ia mbathën në Gitaim+ dhe jetojnë atje si të huaj deri sot e kësaj dite.)

4 Tani, Jonatani,+ biri i Saulit, kishte një djalë të gjymtuar nga këmbët.*+ Ai ishte pesë vjeç kur erdhi lajmi nga Jezreli+ për Saulin dhe Jonatanin. Atë ditë, kujdestarja e vet e mori në krahë dhe ia mbathi, por, teksa ajo po vraponte në panik, djali i ra dhe mbeti i gjymtuar. Ai quhej Mefiboshet.+

5 Kështu, pra, djemtë e berotitit Rimon, Rekabi dhe Banahu, shkuan në shtëpinë e Ish-Boshethit në pisk të vapës, ndërsa ky po merrte një sy gjumë në drekë. 6 Ata hynë në shtëpi sikur do të merrnin grurë, por e goditën Ish-Boshethin në bark dhe ia mbathën. 7 Kur Rekabi dhe vëllai i tij, Banahu,+ kishin hyrë në shtëpi, Ish-Boshethi ishte në shtrat në dhomën e vet. Pasi e vranë, ata i prenë kokën e ia morën me vete dhe gjatë gjithë natës ecën për në Arabah. 8 Kokën e Ish-Boshethit+ ia çuan Davidit në Hebron, dhe i thanë mbretit: «Ja ku e ke kokën e Ish-Boshethit, birit të Saulit, armikut+ që kërkonte të ta merrte jetën.+ Sot Jehovai mori hak për zotërinë tim, mbretin, kundër Saulit dhe pasardhësve të tij.»

9 Megjithatë Davidi iu përgjigj Rekabit dhe Banahut, vëllait të tij, djemve të berotitit Rimon: «Siç është e vërtetë që Jehovai rron, ai që më shpëtoi* nga të gjitha vuajtjet,+ 10 e kapa dhe e vrava+ në Ziklag atë burrë që më lajmëroi se Sauli kishte vdekur+ dhe që kujtonte se po më sillte lajm të mirë. Ky ishte shpërblimi që mori nga unë! 11 Aq më shumë do t’ua bëj këtë njerëzve të ligj që kanë vrarë një njeri të drejtë në shtëpinë e tij, në shtratin e vet! A nuk duhet ta kërkoj gjakun e tij nga duart tuaja?!+ A nuk duhet t’ju fshij nga faqja e dheut?!» 12 Pastaj Davidi u dha urdhër burrave që t’i vrisnin.+ Ata u prenë duar e këmbë dhe i varën+ pranë rezervuarit të Hebronit. Kurse kokën e Ish-Boshethit e morën dhe e varrosën te varri i Abnerit në Hebron.

5 Pas ca kohësh, tërë fiset e Izraelit erdhën te Davidi në Hebron+ dhe i thanë: «Ne jemi të një gjaku.*+ 2 Në të kaluarën, kur mbi ne mbretëronte Sauli, ti i prije Izraelit në fushata ushtarake.*+ Dhe Jehovai të tha: ‘Ti do ta kullotësh popullin tim, Izraelin, dhe do të bëhesh prijës i Izraelit.’»+ 3 Kështu tërë pleqtë e Izraelit u mblodhën te mbreti David në Hebron, ku bëri një besëlidhje me ta+ para Jehovait. Pastaj e mirosën* Davidin si mbret të Izraelit.+

4 Davidi ishte 30 vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi 40 vjet.+ 5 Ai mbretëroi 7 vjet e 6 muaj në Hebron, si mbret i Judës, dhe 33 vjet në Jerusalem,+ si mbret i tërë Izraelit dhe i Judës. 6 Tani, mbreti dhe luftëtarët e tij u nisën për në Jerusalem që të luftonin kundër jebusitëve+ që banonin në atë vend, të cilët e tallën Davidin: «Ti s’do të hysh kurrë këtu! Madje edhe të verbrit e të çalët do të të dëbojnë.» Faktikisht ata mendonin: «Davidi nuk do të hyjë kurrë këtu.»+ 7 E megjithatë Davidi e mori fortesën e Sionit, që tani është Qyteti i Davidit.+ 8 Kështu, atë ditë, Davidi tha: «Ata që do të sulmojnë jebusitët, të shkojnë nëpërmjet tunelit të ujit dhe të vrasin ‘edhe të çalët, edhe të verbrit’, që Davidi i urren!» Ja pse thuhet: «I verbri dhe i çali nuk do të hyjnë kurrë në këtë vend.» 9 Pastaj Davidi shkoi të banonte në fortesën që u quajt* Qyteti i Davidit, dhe filloi të bënte ndërtime rreth e qark, nga Bregorja*+ në drejtim të pjesës së brendshme.+ 10 Kështu Davidi u bë gjithnjë e më i madh,+ dhe Jehovai, Perëndia i ushtrive, ishte me të.+

11 Hirami,+ mbreti i Tirit, i dërgoi lajmëtarë Davidit, si edhe dru cedri,+ punues druri dhe gurprerës për muret, e ata filluan t’i ndërtonin një shtëpi* Davidit.+ 12 Kështu Davidi e kuptoi që Jehovai e kishte bërë të patundur mbretërinë e tij në Izrael+ dhe e kishte lartësuar mbretërinë e tij+ për hir të popullit të Tij, Izraelit.+

13 Pasi erdhi nga Hebroni, Davidi mori konkubina+ e gra të tjera në Jerusalem, dhe i lindën të tjerë djem e vajza.+ 14 Këta janë emrat e atyre që i lindën në Jerusalem: Shamuai, Shobabi, Natani,+ Solomoni,+ 15 Ibhari, Elishuai, Nefegu, Jafiai, 16 Elishamai, Eliadai dhe Elifeleti.

17 Kur dëgjuan se Davidin e kishin mirosur si mbret të Izraelit,+ të gjithë filistinët u ngjitën për ta kapur.+ Sapo e dëgjoi këtë, Davidi zbriti në vendin e tij të sigurt.+ 18 Pastaj filistinët erdhën dhe u shpërndanë nëpër luginën* e Refaimit.+ 19 Davidi pyeti Jehovain:+ «A të shkoj për të luftuar kundër filistinëve? A do të m’i japësh në dorë?» Atëherë Jehovai i tha Davidit: «Shko, sepse unë do t’i dorëzoj patjetër filistinët në duart e tua.»+ 20 Kështu Davidi shkoi në Baal-Perazim dhe i vrau ata. Pastaj tha: «Jehovai ka krijuar përpara meje një të çarë mes armiqve të mi+ si e çara që hapin ujërat.» Ja pse e quajti atë vend Baal-Perazim.*+ 21 Filistinët i braktisën atje idhujt e tyre, dhe Davidi e njerëzit e tij i hoqën.

22 Më vonë, filistinët erdhën përsëri dhe u shpërndanë nëpër luginën* e Refaimit.+ 23 Atëherë Davidi kërkoi drejtimin e Jehovait, por Ai i tha: «Mos u dil përballë. Përkundrazi, shko e dilu nga pas, dhe sulmoji kur të jesh përballë shkurreve të bakës. 24 Me të dëgjuar një si zhurmë marshimi nga majat e shkurreve të bakës, vepro menjëherë, sepse Jehovai do të ketë dalë para teje për ta shpartalluar ushtrinë e filistinëve.» 25 Prandaj Davidi veproi pikërisht siç e urdhëroi Jehovai dhe i shpartalloi filistinët+ që nga Geba+ deri në Gezer.+

6 Davidi i mblodhi përsëri gjithë ushtarët më të mirë të Izraelit: 30.000 burra. 2 Pastaj, bashkë me gjithë ushtarët që ishin me të, u nis për në Baale-Juda që të merrte prej andej Arkën e Perëndisë së vërtetë,+ para së cilës populli lutej në emër të Jehovait të ushtrive+ që rri ulur në fron mbi kerubinët.*+ 3 Megjithatë, për ta transportuar Arkën e Perëndisë së vërtetë nga shtëpia e Abinadabit,+ që gjendej në kodër, e vunë në një karrocë+ të re; Uzahu dhe Ahioja, djemtë e Abinadabit, i prinin karrocës së re.

4 Kështu, ata e transportuan Arkën e Perëndisë së vërtetë nga shtëpia e Abinadabit, e cila gjendej në kodër; Ahioja ecte përpara Arkës. 5 Davidi dhe gjithë shtëpia e Izraelit po festonin para Jehovait me të gjitha llojet e instrumenteve prej dëllinje, me harpa dhe instrumente të tjera me tela,+ me dajre,+ me sistra dhe me cimbale.+ 6 Por, kur mbërritën te lëmi* i Nakonit, Uzahu zgjati dorën drejt Arkës së Perëndisë së vërtetë dhe e kapi,+ sepse gjedhët gati e rrëzuan. 7 Në çast Jehovait iu ndez zemërimi kundër Uzahut dhe Perëndia i vërtetë e vrau+ për veprimin pa respekt ndaj tij.+ Kështu ai vdiq aty, pranë Arkës së Perëndisë së vërtetë. 8 Por Davidi u zemërua* ngaqë Jehovait iu ndez zemërimi kundër Uzahut, dhe ai vend quhet Perez-Uzah* deri sot e kësaj dite. 9 Kështu atë ditë, Davidi u frikësua nga Jehovai+ dhe tha: «E si ta sjell Arkën e Jehovait në qytetin tim?»+ 10 Davidi ngurronte ta sillte Arkën e Jehovait në Qytetin e Davidit,+ ku ishte vetë, prandaj urdhëroi që ta çonin në shtëpinë e gititit Obed-Edom.+

11 Arka e Jehovait qëndroi tre muaj në shtëpinë e gititit Obed-Edom, dhe Jehovai e bekonte Obed-Edomin dhe gjithë shtëpinë e tij.+ 12 Mbretit David i raportuan: «Jehovai e ka bekuar shtëpinë e Obed-Edomit dhe gjithçka që i përket atij, për shkak të Arkës së Perëndisë së vërtetë.» Atëherë, Davidi shkoi që ta sillte plot gëzim Arkën e Perëndisë së vërtetë nga shtëpia e Obed-Edomit në Qytetin e Davidit.+ 13 Kur ata që mbartnin+ Arkën e Jehovait bënë gjashtë hapa, ai flijoi një dem dhe një kafshë të majme.

14 I veshur me një efod* linoje, Davidi hidhte valle me sa fuqi kishte përpara Jehovait.+ 15 Davidi dhe gjithë shtëpia e Izraelit po e ngjitnin Arkën+ e Jehovait me britma të gëzueshme+ dhe me tinguj briri.+ 16 Por, kur Arka e Jehovait hyri në Qytetin e Davidit, Mikala,+ vajza e Saulit, po shikonte nga dritarja dhe vuri re mbretin David që kërcente e hidhte valle përpara Jehovait, dhe filloi ta përbuzte në zemër.+ 17 Kështu e sollën Arkën e Jehovait dhe e vunë në vendin e vet brenda tendës që Davidi kishte ngritur për të.+ Pastaj Davidi paraqiti flijime të djegura+ dhe flijime në bashkësi+ përpara Jehovait.+ 18 Kur mbaroi paraqitjen e flijimeve të djegura dhe të flijimeve në bashkësi, Davidi e bekoi popullin në emër të Jehovait të ushtrive. 19 Përveç kësaj, ai i shpërndau gjithë popullit, tërë turmës së Izraelit, çdo burri dhe çdo gruaje, një bukë në formë unaze, një kulaç hurmash Arabie dhe një kulaç stafidhesh. Pastaj populli iku, gjithsecili në shtëpinë e vet.

20 Kur Davidi u kthye për të bekuar shtëpinë e tij, Mikala,+ vajza e Saulit, doli për ta takuar dhe i tha: «Sa të nderuar e bëri veten sot mbreti i Izraelit, kur hodhi valle gjysmë lakuriq para syve të shërbëtoreve të shërbëtorëve të tij, ashtu si bën një kokëbosh!»+ 21 Atëherë Davidi i tha Mikalës: «Festova përpara Jehovait që më zgjodhi mua në vend të babait tënd dhe të të gjithë shtëpisë së tij e që më caktoi si prijës të popullit të Jehovait, Izraelit.+ Prandaj do të festoj përpara Jehovait, 22 do të përulem edhe më shumë se kaq dhe do ta ul veten madje edhe në sytë e mi. Prej shërbëtoreve që më përmende, prej tyre do të marr lavdi.» 23 Prandaj Mikala,+ vajza e Saulit, nuk pati asnjë fëmijë deri ditën e vdekjes.

7 Kur banonte në shtëpinë e vet*+ dhe Jehovai i kishte dhënë prehje nga të gjithë armiqtë përreth, 2 mbreti i tha profetit Natan:+ «Ja, unë banoj në një shtëpi me dru cedri,+ ndërkohë që Arka e Perëndisë së vërtetë qëndron mes pëlhurave të tendës.»+ 3 Natani i tha mbretit: «Shko e bëj çfarë ke në zemër, se Jehovai është me ty.»+

4 Po atë natë, Jehovai i drejtoi këtë fjalë Natanit: 5 «Shko e thuaji shërbëtorit tim, Davidit: “Kështu thotë Jehovai: ‘Nuk do të ma ndërtosh ti shtëpinë ku do të banoj.+ 6 Unë nuk kam banuar në një shtëpi që nga dita kur nxora nga Egjipti popullin e Izraelit e deri më sot,+ por kam lëvizur* nga një vend në tjetrin ndërsa banoja në tendë e në tabernakull.+ 7 Gjatë gjithë kohës që lëviza me izraelitët,* a i thashë vallë ndonjërit prej prijësve të fiseve të Izraelit që i caktova të kullotnin popullin tim, Izraelin: “Pse nuk më ndërtuat një shtëpi me dru cedri?’” 8 Tani thuaji këtë shërbëtorit tim, Davidit: “Kështu thotë Jehovai i ushtrive: ‘Unë të mora nga kullotat, ndërsa shkoje pas kopesë,+ që të bëheshe prijësi i popullit tim, Izraelit.+ 9 Unë do të jem me ty kudo që të shkosh+ e do të shfaros tërë armiqtë e tu para teje.+ Unë do ta bëj emrin tënd të madh,+ si emrin e të mëdhenjve që janë mbi faqen e dheut. 10 Do t’i caktoj një vend popullit tim, Izraelit, e do ta vendos që të banojë atje, dhe askush nuk do ta shqetësojë më; njerëzit e ligj nuk do ta shtypin sërish si bënë në të kaluarën,+ 11 që prej ditës që caktova gjykatës+ për popullin tim, Izraelin. Unë do të të jap prehje nga tërë armiqtë e tu.+

Gjithashtu, Jehovai të ka thënë se Jehovai do të të bëjë një shtëpi.*+ 12 Kur ditët e tua të mbarojnë+ dhe të prehesh me paraardhësit e tu, atëherë unë do të nxjerr pas teje një pasardhës,* birin tënd,* dhe do ta bëj të patundur mbretërinë e tij.+ 13 Pikërisht ai do të ndërtojë një shtëpi për emrin tim+ dhe unë do ta bëj të patundur fronin e mbretërisë së tij përgjithmonë.+ 14 Unë do të bëhem ati i tij dhe ai do të bëhet biri im.+ Kur ai të gabojë, unë do ta korrigjoj me shkopin e disiplinës dhe do ta ndëshkoj me të goditura, siç bëjnë njerëzit.*+ 15 Nuk do ta largoj nga ai dashurinë time besnike, siç e largova prej Saulit,+ të cilin e hoqa para syve të tu. 16 Shtëpia dhe mbretëria jote kanë për të qenë të sigurta përgjithmonë. Froni yt do të jetë i patundur përjetë.’”»+

17 Natani i tregoi Davidit gjithë këto fjalë dhe tërë këtë vegim.*+

18 Atëherë mbreti David hyri, u ul para Jehovait dhe tha: «Kush jam unë, o Zotëri Sovran Jehova?! E ç’është shtëpia ime që më ke sjellë deri këtu?!+ 19 Dhe sikur kjo të mos mjaftonte, o Zotëri Sovran Jehova, ti flet për shtëpinë e shërbëtorit tënd deri në një të ardhme të largët; dhe ky ligj* është për gjithë njerëzimin, o Zotëri Sovran Jehova. 20 Ç’mund të të them më tepër unë, kur ti e njeh kaq mirë shërbëtorin tënd,+ o Zotëri Sovran Jehova? 21 Për hir të fjalës sate dhe sipas asaj që ke në zemër,* ti ke bërë gjithë këto gjëra madhështore dhe ia ke treguar shërbëtorit tënd.+ 22 Ja pse ti je vërtet i madh,+ o Zotëri Sovran Jehova. Nuk ka tjetër si ti+ dhe nuk ka Perëndi përveç teje;+ gjithçka që kemi dëgjuar me veshët tanë e vërteton këtë. 23 Cili komb tjetër në tokë është si populli yt, Izraeli?+ O Perëndi, ti shkove dhe e shpengove* si popullin tënd,+ dhe i bëre një emër vetes+ duke kryer për të gjëra madhështore e që të mahnitin.+ Ti i dëbove kombet dhe perënditë e tyre për hir të popullit tënd, të cilin ti vetë e shpengove nga Egjipti. 24 Ti e bëre Izraelin popullin tënd përgjithnjë.+ Ti, o Jehova, je bërë Perëndia i tyre.+

25 Tani, o Perëndi Jehova, mbaje përgjithmonë premtimin që bëre për shërbëtorin tënd e shtëpinë e tij, dhe bëj ashtu siç premtove.+ 26 Emri yt u lartësoftë përjetë,+ që njerëzit të thonë: ‘Jehovai i ushtrive është Perëndia i Izraelit!’ Qoftë e patundur para teje shtëpia e shërbëtorit tënd David!+ 27 Se ti, o Jehova i ushtrive, Perëndia i Izraelit, ia tregove këtë shërbëtorit tënd me fjalët: ‘Unë do të të ndërtoj një shtëpi.’*+ Ja pse shërbëtori yt mori guximin* që të të drejtohet me këtë lutje. 28 Ti, pra, o Zotëri Sovran Jehova, je Perëndia i vërtetë. Fjalët e tua janë të vërteta+ dhe ti ia premtove këto gjëra të mira shërbëtorit tënd. 29 Prandaj qoftë dëshira jote ta bekosh shtëpinë e shërbëtorit tënd dhe qëndroftë kjo shtëpi përgjithmonë para teje,+ ashtu si ti, o Zotëri Sovran Jehova, ke premtuar! Qoftë shtëpia e shërbëtorit tënd përherë e bekuar nga ti!»+

8 Pak kohë më vonë, Davidi i mposhti e i bëri zap filistinët+ dhe ua mori qytetin e Meteg-Amahut.

2 Ai i mundi moabitët+ e robërit i shtriu përtokë në një rresht që e mati me litar, me qëllim që të vriste dy të tretat e rreshtit dhe të mbante gjallë një të tretën.+ Kështu moabitët u bënë shërbëtorë dhe haraçpagues* të Davidit.+

3 Davidi mundi Hadadezerin, birin e Rehobit, mbretin e Zobahut,+ teksa ky po shkonte për të vënë përsëri nën autoritetin e vet territoret përgjatë lumit Eufrat.+ 4 Davidi zuri rob 1.700 kalorës dhe 20.000 këmbësorë. Pastaj u preu dejet tërë kuajve të karrocave,+ përveç 100 prej tyre.

5 Kur sirianët e Damaskut+ erdhën në ndihmë të Hadadezerit, mbretit të Zobahut, Davidi vrau 22.000 sirianë.+ 6 Pastaj Davidi vuri garnizone në Damask të Sirisë dhe sirianët u bënë shërbëtorë dhe haraçpagues të Davidit. Jehovai i jepte fitore* Davidit kudo që shkonte.+ 7 Veç kësaj, Davidi mori mburojat e rrumbullakëta prej ari të shërbëtorëve të Hadadezerit dhe i çoi në Jerusalem.+ 8 Nga Betahu dhe Berotai, qytete të Hadadezerit, mbreti David mori një sasi shumë të madhe bakri.

9 Tani Toi,* mbreti i Hamathit,+ dëgjoi se Davidi kishte mundur gjithë ushtrinë e Hadadezerit.+ 10 Prandaj Toi dërgoi të birin, Joramin, te mbreti David që ta pyeste si ishte me shëndet e ta përgëzonte që kishte luftuar kundër Hadadezerit dhe e kishte mundur (sepse Hadadezeri kishte luftuar shpesh kundër Toit). Jorami solli sende prej argjendi, prej ari dhe prej bakri. 11 Mbreti David ia shenjtëroi këto Jehovait, ashtu siç kishte shenjtëruar* argjendin dhe arin që u mori të gjitha kombeve që kishte bërë zap:+ 12 Sirisë, Moabit,+ amonitëve, filistinëve,+ amalekitëve+ dhe Hadadezerit,+ birit të Rehobit, mbretit të Zobahut. 13 Gjithashtu, Davidi i bëri emër vetes kur u kthye pasi kishte vrarë 18.000 edomitë në Luginën e Kripës.+ 14 Ai vendosi garnizone në Edom, anembanë vendit, dhe tërë edomitët u bënë shërbëtorë të Davidit.+ Jehovai i jepte fitore* Davidit kudo që shkonte.+

15 Davidi vazhdoi të mbretëronte mbi gjithë Izraelin,+ dhe gjykonte me drejtësi+ për dobinë e gjithë popullit të tij.+ 16 Joabi,+ biri i Zerujasë, ishte në krye të ushtrisë, kurse Jehozafati,+ biri i Ahiludit, ishte kronist.* 17 Sadoku,+ biri i Ahitubit, dhe Ahimeleku, biri i Abiatarit, ishin priftërinj, kurse Serajahu ishte sekretar. 18 Benajahu,+ biri i Jehojadës, ishte në krye të keretitëve dhe të peletitëve,+ kurse djemtë e Davidit u bënë zyrtarë të lartë.*

9 Atëherë Davidi tha: «A ka mbetur ende ndonjë nga shtëpia e Saulit, ndaj të cilit mund të tregoj dashuri besnike për hir të Jonatanit?»+ 2 Tani, në shtëpinë e Saulit ishte një shërbëtor që quhej Ziba.+ Atë e thirrën të paraqitej para Davidit dhe mbreti e pyeti: «Ti je Ziba?» Ai iu përgjigj: «Jam shërbëtori yt.» 3 Mbreti vazhdoi: «A ka mbetur ndonjë nga shtëpia e Saulit, ndaj të cilit mund të tregoj dashurinë besnike të Perëndisë?» Ziba i tha mbretit: «Është ende një djalë i Jonatanit që është i gjymtuar* nga këmbët.»+ 4 Mbreti e pyeti: «Ku është?» Ziba iu përgjigj: «Është në shtëpinë e Makirit,+ birit të Amielit, në Lo-Debar.»

5 Menjëherë mbreti David dërgoi njerëz që ta merrnin nga shtëpia e Makirit, birit të Amielit, në Lo-Debar. 6 Sapo hyri te Davidi, Mefibosheti, djali i Jonatanit, që ishte i biri i Saulit, u përkul menjëherë me fytyrë përtokë. Atëherë Davidi i tha: «Mefiboshet!», e ai ia ktheu: «Ja ku është shërbëtori yt.» 7 Davidi vazhdoi: «Mos ki frikë, sepse unë do të të tregoj patjetër dashuri besnike+ për hir të Jonatanit, babait tënd. Do të të kthej gjithë tokat e gjyshit tënd, Saulit, dhe ti do të hash bukë gjithnjë në tryezën time.»+

8 Me të dëgjuar këtë, Mefibosheti ra përmbys dhe tha: «E ç’është shërbëtori yt që të kthesh sytë* nga një qen i ngordhur+ si unë?» 9 Mbreti thirri Zibën, shërbëtorin e Saulit, dhe i tha: «Gjithçka që i përkiste Saulit dhe shtëpisë së tij unë ia jap nipit të zotërisë tënd.+ 10 Ti, djemtë dhe shërbëtorët e tu do ta kultivoni tokën për të dhe do të mblidhni prodhimin, që t’i siguroni ushqim familjes së nipit të zotërisë tënd. Kurse Mefibosheti, nipi i zotërisë tënd, do të hajë gjithnjë në tryezën time.»+

Ziba kishte 15 djem dhe 20 shërbëtorë.+ 11 Atëherë Ziba i tha mbretit: «Shërbëtori yt do të veprojë siç urdhëron zotëria im, mbreti.» Kështu Mefibosheti hante në tryezën e Davidit* si të ishte një nga bijtë e mbretit. 12 Mefibosheti kishte edhe një djalë të vogël që quhej Mikai.+ Të gjithë ata që banonin në shtëpinë e Zibës, u bënë shërbëtorë të Mefiboshetit. 13 Ndërkohë Mefibosheti banonte në Jerusalem, sepse hante gjithnjë në tryezën e mbretit;+ ai ishte i gjymtuar nga të dyja këmbët.+

10 Më vonë, mbreti i amonitëve+ vdiq dhe në vend të tij u bë mbret i biri, Hanuni.+ 2 Me të dëgjuar këtë, Davidi tha: «Unë do t’i tregoj dashuri besnike Hanunit, birit të Nahashit, ashtu si babai i tij tregoi dashuri besnike ndaj meje.» Prandaj, Davidi dërgoi shërbëtorët e vet që ta ngushëllonin për vdekjen e të atit. Por, kur shërbëtorët e Davidit hynë në vendin e amonitëve, 3 princat e amonitëve i thanë Hanunit, zotërisë së tyre: «Vërtet mendon se Davidi të ka dërguar ngushëllues që të nderojë babanë tënd? A nuk t’i ka dërguar shërbëtorët e vet që të hetojnë mirë qytetin e të spiunojnë, dhe më pas ta shkatërrojnë?» 4 Atëherë Hanuni i mori shërbëtorët e Davidit, u rroi gjysmën e mjekrës,+ ua preu rrobat përgjysmë deri te vithet dhe i dëboi. 5 Kur i treguan për këtë, Davidi dërgoi menjëherë njerëz që t’u dilnin përpara shërbëtorëve të tij, sepse i kishin poshtëruar tej mase. Mbreti u tha: «Rrini në Jeriko,+ derisa t’ju rritet mjekra, dhe pastaj kthehuni.»

6 Me kalimin e kohës, amonitët e kuptuan se ishin bërë të neveritshëm për Davidin, prandaj dërguan lajmëtarë që të merrnin me pagesë 20.000 këmbësorë sirianë nga Beth-Rehobi+ dhe nga Zobahu.+ Gjithashtu morën me pagesë mbretin e Makahut+ me 1.000 burra dhe 12.000 burra nga Ishtobi.*+ 7 Kur e dëgjoi këtë, Davidi dërgoi Joabin dhe gjithë ushtrinë, ku përfshiheshin edhe luftëtarët e tij më të fuqishëm.+ 8 Amonitët dolën dhe u rreshtuan në formacion luftimi në hyrje të portës së qytetit. Kurse sirianët e Zobahut dhe të Rehobit, bashkë me Ishtobin* dhe Makahun, u rreshtuan më vete në fushë.

9 Kur pa se kundër tij po vinin dy forca sulmuese, njëra nga përpara dhe tjetra nga pas, Joabi zgjodhi disa nga ushtarët më të mirë të Izraelit dhe i rreshtoi në formacion luftimi që të ndesheshin me sirianët.+ 10 Pjesën tjetër të ushtarëve e vuri nën komandën* e Abishait,+ vëllait të vet, që t’i rreshtonte në formacion luftimi për t’u ndeshur me amonitët.+ 11 Pastaj i tha të vëllait: «Nëse sirianët janë më të fortë se unë, ti do të vish të më shpëtosh, por nëse amonitët janë më të fortë se ti, do të vij unë që të të shpëtoj. 12 Duhet të jemi të fortë dhe guximtarë+ për popullin tonë dhe për qytetet e Perëndisë tonë, dhe Jehovai do të bëjë si t’i duket më mirë.»+

13 Atëherë Joabi dhe njerëzit e tij marshuan që të luftonin kundër sirianëve, të cilët ia mbathën para tij.+ 14 Kur panë se sirianët ia kishin mbathur, edhe amonitët ia mbathën para Abishait dhe hynë në qytet. Pas kësaj lufte me amonitët, Joabi u kthye në Jerusalem.

15 Kur panë se Izraeli i kishte mundur, sirianët u mblodhën përsëri së bashku.+ 16 Atëherë Hadadezeri+ thirri sirianët që ishin në rajonin e Lumit,*+ dhe ata vajtën në Helam bashkë me Shobakun, kreun e ushtrisë së Hadadezerit, që u printe.

17 Sapo ia raportuan këtë, Davidi mblodhi menjëherë gjithë ushtrinë e Izraelit, kaloi Jordanin dhe vajti në Helam. Atëherë sirianët u rreshtuan në formacion luftimi përballë Davidit dhe luftuan kundër tij.+ 18 Por sirianët ia mbathën para Izraelit, dhe Davidi vrau 700 karrocierë e 40.000 kalorës sirianë; atje vrau edhe Shobakun, kreun e ushtrisë së tyre.+ 19 Kur panë që Izraeli i kishte mundur, gjithë mbretërit që ishin në shërbim të Hadadezerit, bënë menjëherë paqe me Izraelin dhe iu nënshtruan;+ sirianët kishin frikë që t’i ndihmonin përsëri amonitët.

11 Në fillim të vitit,* në kohën kur mbretërit shkojnë në fushata ushtarake, Davidi dërgoi Joabin, shërbëtorët e tij dhe ushtrinë e Izraelit që të shfarosnin amonitët. Ata rrethuan Rabahun,+ ndërkohë që Davidi qëndronte në Jerusalem.+

2 Një mbrëmje* Davidi u ngrit nga shtrati dhe po ecte në tarracën e shtëpisë së mbretit.* Nga tarraca pa një grua shumë të bukur që po lahej. 3 Atëherë Davidi dërgoi dikë që të pyeste për këtë grua dhe ai i raportoi: «Është Betsheba,+ vajza e Eliamit,+ gruaja e hititit+ Uriah.»+ 4 Pastaj Davidi dërgoi lajmëtarë që t’ia sillnin.+ Kështu ajo vajti tek ai, dhe ai fjeti me të.+ (Kjo ndodhi ndërkohë që ajo po pastrohej nga papastërtia e saj.*)+ Më pas Betsheba u kthye në shtëpinë e vet.

5 Gruaja mbeti shtatzënë dhe i dërgoi fjalë Davidit: «Jam shtatzënë.» 6 Atëherë Davidi i çoi fjalë Joabit: «Dërgoje këtu tek unë hititin Uriah.» Kështu Joabi e dërgoi Uriahun te Davidi. 7 Kur Uriahu vajti tek ai, Davidi e pyeti si po ia kalonte Joabi, si ishin ushtarët dhe si po shkonte lufta. 8 Pastaj Davidi i tha Uriahut: «Shko në shtëpi dhe çlodhu.»* Kur Uriahu iku nga shtëpia e mbretit, i dërguan një dhuratë mirësjelljeje nga ana e mbretit.* 9 Mirëpo Uriahu fjeti në hyrje të shtëpisë së mbretit bashkë me gjithë shërbëtorët e tjerë të zotërisë së tij dhe nuk shkoi në shtëpinë e vet. 10 Atëherë i treguan Davidit: «Uriahu nuk shkoi në shtëpinë e vet.» Prandaj Davidi e pyeti Uriahun: «Ti s’ke shumë që ke ardhur nga rruga, pse nuk shkove në shtëpinë tënde?» 11 Uriahu ia ktheu: «Arka,+ Izraeli e Juda po banojnë nëpër tenda, dhe zotëria im Joab me njerëzit e tij e kanë ngritur kampin në fushë. E si mund të shkoj në shtëpi që të ha, të pi e të fle me gruan time?!+ Siç është e vërtetë që ti rron,* unë s’kam për ta bërë këtë gjë!»

12 Atëherë Davidi i tha Uriahut: «Rri këtu edhe sot, e nesër do të të lë të ikësh.» Kështu Uriahu ndenji në Jerusalem atë ditë dhe ditën tjetër. 13 Pastaj Davidi e thirri që të hante e të pinte bashkë me të dhe e dehu. Megjithatë, në mbrëmje, Uriahu doli që të flinte me shërbëtorët e zotërisë së tij dhe nuk shkoi në shtëpinë e vet. 14 Në mëngjes Davidi i shkroi një letër Joabit dhe ia dërgoi nëpërmjet Uriahut. 15 Në letër shkruante: «Vëreni Uriahun në vijën e parë të frontit, aty ku beteja është më e ashpër. Pastaj tërhiquni nga ai, që ta godasin dhe të vdesë.»+

16 Joabi e kishte vëzhguar me kujdes qytetin dhe e vendosi Uriahun aty ku armiqtë ishin luftëtarë të fuqishëm. 17 Kur burrat e qytetit dolën dhe luftuan kundër Joabit, disa nga shërbëtorët e Davidit ranë në betejë, dhe mes tyre vdiq edhe hititi Uriah.+ 18 Atëherë Joabi i dërgoi Davidit një raport për gjithë sa ndodhi në luftë. 19 Ai e udhëzoi lajmëtarin: «Kur t’i tregosh mbretit gjithçka që ndodhi në luftë, 20 ka mundësi që të zemërohet e të thotë: ‘Pse duhej të shkonit kaq afër qytetit për të luftuar? Nuk e dinit se do t’ju qëllonin nga muret? 21 Kush e vrau Abimelekun,+ birin e Jerubeshethit?+ A nuk ishte një grua që i hodhi nga muri gurin e sipërm të mullirit, e kështu ai vdiq në Tebez? Pse duhej t’u shkonit kaq afër mureve?’ Atëherë thuaji: ‘Vdiq edhe shërbëtori yt, hititi Uriah.’»

22 Kështu lajmëtari shkoi dhe i tha Davidit gjithçka që Joabi i kishte urdhëruar. 23 Pastaj lajmëtari i tha Davidit: «Armiqtë ishin më të fortë se ne dhe dolën kundër nesh në fushë, por ne i sprapsëm deri te hyrja e portës së qytetit. 24 Harkëtarët qëllonin mbi shërbëtorët e tu nga muret, dhe disa nga shërbëtorët e mbretit vdiqën. Vdiq edhe shërbëtori yt, hititi Uriah.»+ 25 Atëherë Davidi i tha lajmëtarit: «Thuaji kështu Joabit: ‘Mos u mërzit për këtë punë, sepse shpata përpin si njërin, ashtu edhe tjetrin. Ashpërsoje edhe më shumë betejën kundër qytetit dhe pushtoje.’+ Dhe jepi zemër.»

26 Kur dëgjoi se i shoqi, Uriahu, kishte vdekur, gruaja e Uriahut mbajti zi për të shoqin. 27 Sapo mbaroi periudha e zisë, Davidi dërgoi njerëz që t’ia sillnin në shtëpi; ajo u bë gruaja e tij+ dhe i lindi një djalë. Por e gjithë kjo që bëri Davidi nuk i pëlqeu aspak Jehovait.*+

12 Kështu Jehovai dërgoi Natanin+ te Davidi. Ai vajti te Davidi+ dhe i tha: «Në një qytet ishin dy burra, njëri i pasur dhe tjetri i varfër. 2 I pasuri kishte një numër shumë të madh dhensh dhe gjedhësh,+ 3 kurse i varfri s’kishte asgjë tjetër përveç një qengji të vogël femër që e kishte blerë.+ Ai kujdesej për të dhe ajo rritej me të e me bijtë e tij. Hante nga ushqimi i paktë që kishte i varfri, pinte nga kupa e tij dhe flinte në krahët e tij; iu bë porsi bijë. 4 Pas ca kohësh, të pasurit i erdhi një mysafir, por ai nuk mori ndonjë nga dhentë dhe gjedhët e veta për t’ia përgatitur udhëtarit. Përkundrazi mori qengjin femër të të varfrit dhe ia përgatiti mysafirit që i kishte ardhur.»+

5 Me të dëgjuar këtë, Davidit iu ndez zemërimi kundër atij njeriu dhe i tha Natanit: «Siç është e vërtetë që Jehovai rron,+ njeriu që e ka bërë këtë, e ka hak vdekjen! 6 Dhe duhet të paguajë katërfish për qengjin,+ meqë veproi pa dhembshuri.»

7 Atëherë Natani i tha Davidit: «Ti je ai njeri! Kështu thotë Jehovai, Perëndia i Izraelit: ‘Unë vetë të mirosa* si mbret të Izraelit+ dhe të çlirova nga dora e Saulit.+ 8 Isha i gatshëm të të jepja shtëpinë e zotërisë tënd+ e të vija në krahët e tu gratë e zotërisë tënd,+ dhe të dhashë shtëpinë e Izraelit e të Judës.+ Dhe sikur këto të mos mjaftonin, isha i gatshëm të bëja për ty shumë më tepër.+ 9 Pse e përbuze fjalën e Jehovait duke bërë atë që është e keqe në sytë e tij? Ti e godite me shpatë+ hititin Uriah dhe, pasi e vrave me shpatën e amonitëve,+ ia more të shoqen për grua.+ 10 Tani, shpata nuk do të largohet kurrë nga shtëpia jote,+ sepse ti më përbuze kur more për grua të shoqen e hititit Uriah.’ 11 Kështu thotë Jehovai: ‘Ja, unë do të bëj që e keqja të të vijë nga vetë shtëpia jote.+ Do të t’i marr gratë para syve e do t’ia jap një tjetri,+ dhe ai do të flejë me gratë e tua në dritë të diellit.*+ 12 Ti veprove në fshehtësi,+ por unë do ta bëj këtë përpara tërë Izraelit dhe në dritë të diellit.’»

13 Atëherë Davidi i tha Natanit: «Kam mëkatuar kundër Jehovait.»+ Natani ia ktheu: «Jehovai po ta fal* mëkatin.+ Ti nuk do të vdesësh.+ 14 Megjithatë, meqë në këtë rast nuk tregove fare respekt për Jehovain, djali që sapo të lindi, ka për të vdekur.»

15 Pastaj Natani shkoi në shtëpinë e vet.

Kështu Jehovai e goditi me një sëmundje fëmijën që gruaja e Uriahut i kishte lindur Davidit. 16 Davidi iu përgjërua Perëndisë së vërtetë për djalin dhe mbajti një agjërim të rreptë. Pastaj kthehej në dhomën e tij dhe e kalonte natën i shtrirë përtokë.+ 17 Kështu pleqtë e shtëpisë së vet i shkuan pranë dhe u përpoqën që ta ngrinin nga toka, por ai s’pranoi dhe s’hëngri bukë me ta. 18 Ditën e shtatë fëmija vdiq, por shërbëtorët e Davidit kishin frikë t’i tregonin që fëmija kishte vdekur, se thoshin: «Ne i folëm sa ishte gjallë fëmija, dhe ai nuk na dëgjoi. E si t’i themi tani që fëmija ka vdekur?! Se mos bën ndonjë gjë të tmerrshme nga dëshpërimi.»

19 Kur pa se shërbëtorët po pëshpëritnin me njëri-tjetrin, Davidi e kuptoi që fëmija kishte vdekur, prandaj i pyeti shërbëtorët: «A ka vdekur fëmija?» Ata iu përgjigjën: «Po, ka vdekur.» 20 Atëherë Davidi u ngrit nga toka, u la, u lye me vaj,+ ndërroi rrobat, shkoi në shtëpinë+ e Jehovait dhe ra përmbys. Më pas, hyri në shtëpinë e vet,* kërkoi t’i sillnin për të ngrënë dhe hëngri. 21 Shërbëtorët e tij e pyetën: «Pse u solle kështu? Sa ishte gjallë fëmija, agjërove e s’pushove së qari për të, por sapo fëmija vdiq, u ngrite dhe hëngre.» 22 Ai u përgjigj: «Sa ishte gjallë fëmija, agjërova+ dhe s’pushova së qari sepse thashë me vete: ‘Kushedi, mbase Jehovait i vjen keq për mua dhe e lë fëmijën të jetojë.’+ 23 Por tani që ka vdekur, pse të agjëroj? A jam në gjendje ta kthej përsëri?+ Unë do të shkoj tek ai,+ por ai nuk do të kthehet tek unë.»+

24 Pastaj Davidi ngushëlloi të shoqen, Betshebën;+ ai shkoi tek ajo dhe fjeti me të. Pas ca kohësh, ajo lindi një djalë që e quajtën Solomon.*+ Jehovai e donte atë+ 25 dhe çoi fjalë nëpërmjet profetit Natan+ që t’ia vinin emrin Jedidiah,* për hir të Jehovait.

26 Ndërkohë Joabi vazhdoi të luftonte kundër Rabahut+ të amonitëve+ dhe e pushtoi qytetin mbretëror.+ 27 Atëherë Joabi i dërgoi lajmëtarë Davidit dhe i tha: «Luftova kundër Rabahut+ dhe e pushtova qytetin e ujërave.* 28 Tani, mblidhe pjesën tjetër të ushtarëve, ngrije kampin kundër qytetit dhe pushtoje, që të mos e pushtoj unë qytetin dhe të marr meritën për këtë.»*

29 Prandaj Davidi mblodhi gjithë ushtarët dhe shkoi në Rabah, luftoi kundër tij dhe e pushtoi. 30 Pastaj ia hoqi Malkamit nga koka kurorën që peshonte një talentë* ari dhe që ishte zbukuruar me gurë të çmuar; atë ia vunë në kokë Davidit. Gjithashtu ai mori shumë plaçkë+ të madhe nga qyteti.+ 31 Njerëzit që gjendeshin në të, ai i mori dhe i vuri për të prerë gurë, për të punuar me vegla të mprehta hekuri e me sëpata hekuri, dhe që të bënin tulla. Kështu bëri me të gjitha qytetet e amonitëve. Në fund, Davidi dhe të gjithë ushtarët u kthyen në Jerusalem.

13 Tani, Amnoni,+ biri i Davidit, ra në dashuri me Tamarën,+ motrën e bukur të Absalomit, birit të Davidit. 2 Amnoni vuante kaq shumë për shkak të së motrës, Tamarës, sa u sëmur, sepse ajo ishte virgjëreshë dhe atij i dukej e pamundur ta kishte për vete. 3 Tani, Amnoni kishte një shok që quhej Jehonadab,+ që ishte biri i Shimeahut,+ vëllait të Davidit; Jehonadabi ishte njeri shumë i zgjuar. 4 Kështu ai i tha: «A s’më thua, o bir i mbretit, pse je kaq i dëshpëruar çdo mëngjes?» Amnoni iu përgjigj: «Kam rënë në dashuri me Tamarën, motrën+ e vëllait tim Absalom.» 5 Atëherë Jehonadabi i tha: «Shtrihu në shtrat dhe bëj sikur je i sëmurë. Kur të vijë babai që të të shohë, thuaji: ‘Të lutem, të vijë motra ime Tamara e të më bëjë diçka për të ngrënë. Unë do të ha vetëm po të ma gatuajë ushqimin për një të sëmurë* para syve të mi dhe të ma shërbejë me duart e veta.’»

6 Kështu Amnoni u shtri dhe bëri sikur ishte i sëmurë, dhe mbreti erdhi ta shihte. Atëherë Amnoni i tha mbretit: «Të lutem, të vijë motra ime Tamara që të pjekë para syve të mi dy kuleç në formë zemre dhe të m’i shërbejë me duart e veta.» 7 Prandaj Davidi i dërgoi fjalë Tamarës që ishte në shtëpi: «Të lutem, shko në shtëpinë e Amnonit, vëllait tënd, dhe bëji diçka për të ngrënë.»* 8 Kështu Tamara shkoi në shtëpinë e Amnonit, vëllait të vet, i cili rrinte shtrirë. Ajo mori brumin, e punoi, bëri kuleç para syve të tij dhe i poqi. 9 Pastaj mori tiganin e i dha për të ngrënë. Por Amnoni nuk pranoi të hante dhe tha: «Nxirrini të gjithë jashtë!» Kështu të gjithë dolën.

10 Pastaj Amnoni i tha Tamarës: «Sille ushqimin* në dhomën e gjumit dhe ma shërbe me duart e tua.» Kështu Tamara mori kuleçtë që kishte bërë në formë zemre dhe ia çoi të vëllait, Amnonit, në dhomën e gjumit. 11 Kur i çoi për të ngrënë, ai e mbërtheu dhe i tha: «Eja, fli me mua, motra ime.» 12 Por ajo ia ktheu: «Mos, vëllai im! Mos më poshtëro! Se në Izrael nuk bëhet një gjë e tillë.+ Mos e bëj këtë gjë të turpshme!+ 13 Si të jetoj unë me këtë turp? Edhe ty do të të shohin si njeri të poshtër në Izrael. Fol me mbretin, të lutem, se me siguri do ta japë pëlqimin e tij që të bëhem gruaja jote.» 14 Por Amnoni nuk pranoi ta dëgjonte dhe, meqë ishte më i fortë se ajo, e përdhunoi dhe e poshtëroi. 15 Pastaj Amnoni filloi të ndiente një urrejtje të thellë për Tamarën, një urrejtje edhe më të thellë se dashuria që kishte ndier për të. Prandaj i tha: «Ngrihu! Ik!» 16 Atëherë ajo ia ktheu: «Mos, vëllai im! Se po të më përzësh tani, do të më bësh një të keqe më të madhe se ajo që më ke bërë.» Por ai nuk pranoi ta dëgjonte.

17 Pas kësaj ai thirri të riun që i shërbente dhe i tha: «Nxirrma jashtë këtë njeri dhe kyçe derën pasi të dalë!» 18 (Tamara kishte veshur një veshje të gjatë të stolisur,* sepse këto rroba vishnin vajzat e pamartuara* të mbretit.) Kështu shërbëtori e nxori jashtë dhe e kyçi derën pasi ajo doli. 19 Atëherë Tamara vuri hi mbi kokë,+ shqeu rrobën e bukur që mbante veshur, vuri duart në kokë, ia krisi të qarit dhe bërtiste rrugës.

20 Atëherë Absalomi,+ i vëllai, e pyeti: «Kush ishte me ty? Vëllai yt Amnon? Tani, mos fol me askënd për këtë motra ime, se ai është yt vëlla.+ Mos e mbaj mendjen aty.» Kështu Tamara jetoi e veçuar në shtëpinë e të vëllait, Absalomit. 21 Kur dëgjoi për tërë këto gjëra, mbreti David u zemërua shumë.+ Por nuk deshi t’ia lëndonte ndjenjat të birit, Amnonit, sepse e donte ngaqë ishte i parëlinduri. 22 Ndërkohë Absalomi nuk i tha asnjë gjysmë fjale Amnonit, as të mirë, as të keqe, sepse Absalomi e urrente+ Amnonin, ngaqë i kishte poshtëruar të motrën, Tamarën.+

23 Plot dy vjet më vonë, kur Absalomi i kishte qethësit e deleve në Baal-Hazor, pranë Efraimit,+ ai ftoi në një festë gjithë djemtë e mbretit.+ 24 Kështu Absalomi vajti te mbreti dhe i tha: «Shërbëtori yt po qeth delet. Të lutem, të vijnë me mua mbreti dhe shërbëtorët e tij.» 25 Por mbreti i tha Absalomit: «Jo, biri im. Nëse vijmë të gjithë, do të të bëhemi barrë.» Edhe pse ai vazhdoi t’i lutej, mbreti nuk pranoi të shkonte, por e bekoi. 26 Atëherë Absalomi tha: «Nëse nuk vjen ti, të lutem, le të vijë me ne vëllai im Amnon.»+ Mbreti ia ktheu: «Po pse të vijë ai me ty?» 27 Por Absalomi iu përgjërua, kështu që ai dërgoi me të Amnonin dhe gjithë djemtë e mbretit.

28 Atëherë Absalomi i urdhëroi shërbëtorët e tij: «Kini mendjen, kur Amnoni të vijë në qejf nga vera, unë do t’ju them: ‘Vriteni Amnonin!’ Atëherë ju duhet ta vritni. Mos kini frikë, sepse po ju urdhëroj unë. Jini të fortë dhe guximtarë.» 29 Kështu shërbëtorët e Absalomit bënë me Amnonin pikërisht siç i urdhëroi Absalomi. Pastaj të gjithë djemtë e tjerë të mbretit u çuan dhe secili i hipi mushkës së vet dhe ia mbathi. 30 Ndërkohë që ata ishin rrugës, Davidit i erdhi ky lajm: «Absalomi ka vrarë tërë djemtë e mbretit, dhe asnjë nuk ka mbijetuar.» 31 Me të dëgjuar këtë, mbreti u ngrit, shqeu rrobat e u shtri përtokë, dhe tërë shërbëtorët e tij i qëndronin pranë me rroba të shqyera.

32 Por Jehonadabi,+ biri i Shimeahut,+ vëllait të Davidit, tha: «Zotëria im, mos mendo se kanë vrarë gjithë të rinjtë, djemtë e mbretit, se faktikisht ka vdekur vetëm Amnoni.+ Kjo ndodhi me urdhër të Absalomit, i cili kishte vendosur ta bënte këtë+ që prej ditës që Amnoni i poshtëroi të motrën,+ Tamarën.+ 33 Tani, zotëria im mbret, mos ia vër veshin lajmit: ‘Kanë vdekur të gjithë djemtë e mbretit.’ Vetëm Amnoni ka vdekur.»

34 Ndërkohë Absalomi ia mbathi.+ Më vonë, roja ngriti sytë dhe pa se nga rruga që zbriste përgjatë shpatit të malit po vinin shumë njerëz. 35 Atëherë Jehonadabi+ i tha mbretit: «Ja, djemtë e mbretit u kthyen. Ka ndodhur tamam siç tha shërbëtori yt.» 36 Sapo tha këtë, djemtë e mbretit hynë duke qarë me të madhe; edhe mbreti me gjithë shërbëtorët e tij vajtuan me hidhërim. 37 Por Absalomi ia mbathi dhe shkoi te Talmai,+ biri i Amihudit, mbret i Geshurit. Davidi mbajti zi për të birin për shumë ditë. 38 Pasi ia mbathi për në Geshur,+ Absalomi ndenji atje tre vjet.

39 Në fund mbretin David e mori shumë malli ta takonte Absalomin, sepse i ishte lehtësuar dhembja për* vdekjen e Amnonit.

14 Tani Joabi, biri i Zerujasë,+ e mori vesh se mbretin e kishte marrë shumë malli për Absalomin,+ 2 prandaj dërgoi njerëz që t’i thirrnin nga Tekoa+ një grua të zgjuar dhe i tha: «Të lutem, bëj sikur mban zi dhe vishu me rroba zie e mos u lyej me vaj.+ Sillu si një grua që mban zi nga kohë për një të vdekur. 3 Pastaj hyr te mbreti e thuaji kështu.» Dhe Joabi e mësoi çfarë të thoshte.*

4 Kur hyri te mbreti, gruaja tekoite ra përmbys me fytyrë përtokë dhe tha: «Më ndihmo, o mbret!» 5 Mbreti e pyeti: «Çfarë halli ke?» Ajo iu përgjigj: «Unë e mjera kam mbetur e ve; burri më ka vdekur. 6 Shërbëtorja jote kishte dy djem dhe që të dy u zunë me njëri-tjetrin në fushë. S’kishte kush t’i ndante, e njëri e goditi tjetrin dhe e vrau. 7 Tani tërë familja është ngritur kundër meje, shërbëtores sate, e më thotë: ‘Dorëzoje atë që goditi të vëllanë, që të marrim hak për jetën e të vëllait që vrau,+ edhe nëse kjo do të thotë ta shfarosim trashëgimtarin!’ Ata do ta shuajnë edhe thëngjillin e fundit që më ka mbetur* dhe nuk do t’i lënë tim shoqi as emër, as pasardhës* mbi faqen e dheut.»

8 Atëherë mbreti i tha gruas: «Shko në shtëpi dhe unë do të nxjerr urdhër për ty.» 9 Me të dëgjuar këtë gruaja tekoite i tha mbretit: «O mbret, zotëria im, faji rëntë mbi mua e mbi shtëpinë e babait tim, dhe jo mbi mbretin e mbi fronin e tij që janë të pafaj.» 10 Pastaj mbreti i tha: «Nëse dikush të flet për këtë çështje, sille tek unë, dhe ai s’do të të shqetësojë më kurrë.» 11 Por ajo i tha: «Të lutem, o mbret, kujtoje Jehovain, Perëndinë tënd, që gjakmarrësi+ të mos më shkaktojë më shumë dëm duke e shfarosur tim bir.» Ai ia ktheu: «Siç është e vërtetë që Jehovai rron,+ djalit tënd nuk do t’i bjerë përtokë as edhe një fije floku.» 12 Kështu gruaja i tha: «Të lutem, le t’i thotë shërbëtorja jote një fjalë zotërisë tim, mbretit.» Dhe ai tha: «Fol.»

13 Gruaja tha: «Pse, atëherë, mendove të bëje diçka të tillë kundër popullit të Perëndisë?+ Me këto fjalë mbreti e bën veten me faj, sepse nuk e kthen djalin e vet që ka dëbuar.+ 14 Me siguri të gjithë ne do të vdesim dhe do të jemi si ujërat që derdhen përtokë e që nuk mund të mblidhen. Por Perëndia nuk do t’ia merrte jetën askujt, dhe ai shqyrton arsyet pse i dëbuari nuk duhet të mbetet përgjithmonë larg tij. 15 Kam ardhur të flas me zotërinë tim, mbretin, sepse më frikësoi populli. Prandaj shërbëtorja jote mendoi: ‘Do të flas unë me mbretin, se mbase e mirëpret kërkesën e skllaves së tij. 16 Ndoshta mbreti e dëgjon dhe e shpëton skllaven e tij nga dora e njeriut që kërkon të më shfarosë mua dhe djalin tim të vetëm nga trashëgimia që na dha Perëndia.’+ 17 Prandaj shërbëtorja jote mendoi: ‘Fjalët e zotërisë tim, mbretit, më sjellshin lehtësim!’ Se zotëria im, mbreti, di të dallojë të mirën nga e keqja, tamam si një engjëll i Perëndisë së vërtetë. Jehovai, Perëndia yt, qoftë me ty!»

18 Atëherë mbreti i tha gruas: «Të lutem, mos më fshih asgjë nga ato që do të të pyes.» Gruaja ia ktheu: «Të lutem, më thuaj, o zotëria im mbret.» 19 Kështu mbreti e pyeti: «A të dërgoi Joabi të m’i thoshe të gjitha këto?»+ Gruaja iu përgjigj: «Siç është e vërtetë që ti rron, o zotëria im mbret, është tamam siç thotë* zotëria im, mbreti. Në të vërtetë shërbëtori yt, Joabi, e udhëzoi dhe e mësoi shërbëtoren tënde çfarë të thoshte.* 20 Joabi, shërbëtori yt, e bëri këtë që ta shihje këtë punë nga një këndvështrim tjetër, por zotëria im ka mençurinë e një engjëlli të Perëndisë së vërtetë dhe di gjithçka që ndodh në vend.»

21 Atëherë mbreti i tha Joabit: «Dakord, do ta bëj këtë gjë.+ Shko dhe ktheje të riun Absalom.»+ 22 Me të dëgjuar këtë, Joabi u përkul me fytyrë përtokë, lëvdoi mbretin dhe tha: «Sot shërbëtori yt e di se gëzon miratimin tënd, o zotëria im mbret, sepse ia vure veshin kërkesës së shërbëtorit tënd.» 23 Pastaj Joabi u çua e shkoi në Geshur+ dhe e solli Absalomin në Jerusalem. 24 Megjithatë mbreti tha: «Le të kthehet në shtëpinë e vet, por fytyrën time nuk mund ta shohë.» Kështu Absalomi u kthye në shtëpinë e vet dhe nuk shkoi në prani të mbretit.

25 Në tërë Izraelin nuk kishte burrë si Absalomi që ta lavdëronin kaq shumë për bukurinë. S’kishte asnjë të metë që nga tabani i këmbës e deri te maja e kokës. 26 Kur qethej, flokët i peshonin 200 sikla* sipas gurit mbretëror të peshës.* (Ai qethej në fund të çdo viti, sepse flokët i rëndonin shumë.) 27 Absalomi kishte tre djem+ e një vajzë që quhej Tamara; ajo ishte shumë e bukur.

28 Absalomi banoi në Jerusalem plot dy vjet, por nuk e pa fytyrën e mbretit.+ 29 Pastaj Absalomi thirri Joabin që ta dërgonte te mbreti, por Joabi nuk shkoi tek ai. Atëherë Absalomi dërgoi ta thërritnin për herë të dytë, por prapë nuk pranoi të shkonte. 30 Në fund, ai u tha shërbëtorëve të vet: «Ara e Joabit është pranë arës sime, dhe atje ka mbjellë pak elb. Shkoni dhe vërini zjarrin.» Kështu, shërbëtorët e Absalomit i vunë zjarrin arës. 31 Atëherë Joabi i vajti në shtëpi Absalomit dhe e pyeti: «Pse i vunë zjarrin arës sime shërbëtorët e tu?» 32 Absalomi iu përgjigj: «Unë të çova fjalë: “Eja të të dërgoj te mbreti për t’i thënë: ‘Pse erdha nga Geshuri?+ Për mua do të kishte qenë më mirë të kisha qëndruar atje. Më lejo tani, o mbret, ta shoh fytyrën tënde dhe, nëse kam faj, më vrit.’”»

33 Kështu Joabi vajti te mbreti dhe i tregoi. Pastaj mbreti thirri Absalomin që shkoi tek ai dhe u përkul me fytyrë përtokë para tij. Pas kësaj, mbreti e puthi Absalomin.+

15 Pas gjithë këtyre gjërave, Absalomi mori një karrocë, disa kuaj dhe 50 burra që të vraponin para tij.+ 2 Ai ngrihej herët dhe qëndronte në anë të rrugës që të çonte te porta e qytetit.+ Sa herë që dikush kishte ndonjë çështje ligjore, të cilën duhej ta paraqiste te mbreti për gjykim,+ Absalomi e thërriste dhe e pyeste: «Nga je?» Ai përgjigjej: «Shërbëtori yt është nga njëri prej fiseve të Izraelit.» 3 Absalomi i thoshte: «Shiko, kjo që kërkon ti është e drejtë dhe me vend, por s’ka kush e dëgjon çështjen tënde te mbreti.» 4 Pastaj shtonte: «Ah, sikur të më emëronin mua gjykatës të vendit! Atëherë kushdo që do të kishte ndonjë çështje ligjore a gjyq mund të vinte tek unë, dhe unë do të sigurohesha që t’i jepej e drejta.»

5 Dhe, kur dikush afrohej që të përkulej para tij, Absalomi zgjaste dorën, e kapte dhe e puthte.+ 6 Absalomi e bënte këtë me gjithë izraelitët që vinin te mbreti për të kërkuar drejtësi. Kështu Absalomi u vidhte zemrat njerëzve të Izraelit.+

7 Në fund të katër vjetëve,* Absalomi i tha mbretit: «Të lutem, më lër të shkoj në Hebron+ dhe të plotësoj zotimin që mora para Jehovait, 8 sepse kur banonte në Geshur+ të Sirisë, shërbëtori yt mori këtë zotim solemn:+ ‘Nëse Jehovai më kthen në Jerusalem, do të bëj një blatim për* Jehovain.’» 9 Atëherë mbreti i tha: «Shko në paqe.» Kështu ai u ngrit e shkoi në Hebron.

10 Tani, Absalomi dërgoi spiunë nëpër të gjitha fiset e Izraelit dhe u tha: «Me të dëgjuar tingullin e bririt, njoftoni: ‘Absalomi është bërë mbret në Hebron!’»+ 11 Në Hebron me Absalomin kishin shkuar edhe 200 burra nga Jerusalemi, të cilët i kishte ftuar Absalomi dhe kishin shkuar pas tij pa dyshuar gjë, sepse nuk e dinin çfarë po ndodhte. 12 Veç kësaj, kur bëri flijimet, Absalomi dërgoi njerëz në Giloh+ të thërritnin gilonitin Ahithofel,+ këshilltarin e Davidit.+ Komploti sa vinte e bëhej më i vrullshëm, dhe numri i njerëzve që mbështetnin Absalomin vazhdonte të rritej.+

13 Pas ca kohësh, një spiun vajti te Davidi dhe i tha: «Tani zemra e njerëzve të Izraelit është me Absalomin.» 14 Menjëherë Davidi u tha gjithë shërbëtorëve që ishin me të në Jerusalem: «Ngrihuni dhe t’ia mbathim,+ sepse asnjëri prej nesh s’do të shpëtojë nga duart e Absalomit! Nxitoni, se mos na arrin e na heq qafe dhe e kalon tërë qytetin në teh të shpatës!»+ 15 Shërbëtorët e mbretit i thanë: «Jemi gati të bëjmë gjithçka që të vendosë zotëria ynë, mbreti.»+ 16 Kështu mbreti iku me familjen e vet që i shkonte pas, por la dhjetë konkubina+ që të kujdeseshin për shtëpinë.* 17 Mbreti vazhdoi rrugën me gjithë popullin që e ndiqte, dhe pastaj u ndalën në Beth-Merhak.

18 Gjithë shërbëtorët që u larguan me të* e gjithë keretitët, peletitët+ dhe gititët,+ 600 burra që e kishin ndjekur prej Gathit,+ po kalonin para syve të mbretit.* 19 Pastaj mbreti i tha gititit Itá:+ «Pse të vish edhe ti me ne? Kthehu dhe rri me mbretin e ri, sepse ti je i huaj, madje ke mërguar nga vendi yt. 20 Dje erdhe, prandaj si mund të të kërkoj që sot të endesh me mua kush e di se ku?! Kthehu e merr me vete edhe njerëzit e tu. Jehovai të tregoftë dashuri* dhe qoftë besnik me ty!»+ 21 Por Itai iu përgjigj mbretit: «Siç është e vërtetë që Jehovai rron dhe siç është e vërtetë që rron zotëria im, mbreti, kudo që të jetë zotëria im, mbreti, qoftë për jetë a për vdekje, atje do të jetë edhe shërbëtori yt!»+ 22 Atëherë Davidi i tha Itait:+ «Dakord, kalo matanë.» Kështu, gititi Itá kaloi matanë luginës bashkë me gjithë njerëzit dhe fëmijët që ishin me të.

23 Tërë vendi qante me të madhe ndërsa populli kalonte matanë, dhe mbreti po qëndronte pranë luginës së Kidronit;+ populli po kalonte matanë për te rruga e shkretëtirës. 24 Aty ishte edhe Sadoku+ bashkë me tërë levitët+ që mbanin arkën+ e besëlidhjes së Perëndisë së vërtetë;+ ata e ulën Arkën e Perëndisë së vërtetë. Aty ishte edhe Abiatari,+ ndërsa gjithë populli arriti të kalonte matanë qytetit. 25 Por mbreti i tha Sadokut: «Çoje prapë në qytet Arkën e Perëndisë së vërtetë.+ Nëse kam miratimin e Jehovait, ai do të më kthejë dhe do të më lërë ta shoh atë dhe vendin ku qëndron ajo.+ 26 Por nëse thotë: ‘Nuk jam i kënaqur me ty’, atëherë le të bëjë me mua si t’i duket më mirë.» 27 Mbreti vazhdoi t’i thoshte Sadokut: «Ti je parashikues,+ apo jo? Ti dhe Abiatari kthehuni në paqe në qytet dhe merrni me vete dy djemtë tuaj Ahimazin, djalin tënd, dhe Jonatanin,+ djalin e Abiatarit. 28 Unë do të pres te vau* i Jordanit derisa të më dërgoni fjalë e të më njoftoni.»+ 29 Kështu Sadoku dhe Abiatari e çuan prapë në Jerusalem Arkën e Perëndisë së vërtetë dhe qëndruan atje.

30 Davidi u ngjit në Malin* e Ullinjve,+ e ndërsa ngjitej, qante; ai kishte mbuluar kokën dhe ecte këmbëzbathur. Edhe ata që ishin me mbretin mbuluan kokën, e ndërsa ngjiteshin, qanin. 31 Atëherë Davidit i treguan: «Mes atyre që po komplotojnë+ me Absalomin+ është edhe Ahithofeli.» Me të dëgjuar këtë, Davidi tha: «O Jehova,+ të lutem, ktheji në marrëzi këshillat* e Ahithofelit!»+

32 Kur mbërriti në kreshtën ku populli përkulej para Perëndisë, Davidit i doli përpara Hushai,+ arkiti,+ me veshjen e gjatë të shqyer e me dhé mbi kokë. 33 Por Davidi i tha: «Po të vish me mua, do të më bëhesh barrë. 34 Prandaj kthehu në qytet dhe thuaji Absalomit: ‘Unë jam shërbëtori yt, o mbret. Në të kaluarën isha shërbëtor i babait tënd, por tani jam shërbëtori yt.’+ Kështu do të më ndihmosh dhe do t’i bësh të kota këshillat e Ahithofelit.+ 35 Priftërinjtë Sadok e Abiatar do të jenë atje me ty. Çfarëdo që të dëgjosh në shtëpinë e mbretit, tregojua Sadokut dhe Abiatarit, priftërinjve.+ 36 Me ta janë edhe dy djemtë e tyre: Ahimazi,+ djali i Sadokut, dhe Jonatani,+ djali i Abiatarit. Me anë të tyre më dërgoni fjalë për çdo gjë që dëgjoni.» 37 Kështu Hushai, miku* i Davidit,+ hyri në qytet ndërkohë që Absalomi po hynte në Jerusalem.

16 Sapo Davidi e kaloi paksa majën e malit,+ i doli përpara Ziba,+ shërbëtori i Mefiboshetit.+ Ai kishte dy gomarë me samarë të ngarkuar me 200 bukë, 100 kuleç stafidhesh, 100 kuleç prej frutash vere* dhe një qyp të madh me verë.+ 2 Atëherë mbreti e pyeti Zibën: «Pse i ke sjellë gjithë këto?» Ziba iu përgjigj: «Gomarët i solla që të hipin familja e mbretit, buka dhe frutat e verës janë që të hanë të rinjtë, kurse vera është për ata që do të rraskapiten në shkretëtirë.»+ 3 Mbreti e pyeti: «Po ku është djali* i zotërisë tënd?»+ Atëherë Ziba i tha mbretit: «Ai ka qëndruar në Jerusalem, sepse tha: ‘Sot shtëpia e Izraelit do të ma kthejë mua sundimin mbretëror të babait tim.’»+ 4 Mbreti ia ktheu Zibës: «Shiko, çdo gjë që i përket Mefiboshetit, tani është jotja.»+ Ziba i tha: «Përkulem para teje. Gëzofsha gjithnjë miratimin tënd, o zotëria im, o mbret!»+

5 Kur mbreti David arriti në Bahurim, një burrë nga ata të shtëpisë së Saulit, që quhej Shimei,+ djali i Geraut, po vinte drejt tij duke mallkuar me zë të lartë.+ 6 Ai i hidhte gurë Davidit e gjithë shërbëtorëve të tij, si edhe tërë popullit dhe burrave të fuqishëm që ishin në të djathtë e në të majtë të mbretit David. 7 Ndërsa mallkonte, Shimei thoshte: «Ik, ik, ti o fajtor gjaku! O njeri i pavlerë! 8 Jehovai e ka sjellë mbi ty tërë fajin e gjakut për shtëpinë e Saulit, në vend të të cilit ke mbretëruar, ja pse Jehovai po ia jep mbretërinë Absalomit, djalit tënd. Tani të ka zënë ty e keqja, sepse je fajtor gjaku!»+

9 Atëherë Abishai, djali i Zerujasë,+ i tha mbretit: «Pse ta mallkojë ky qen i ngordhur+ zotërinë tim, mbretin?+ Lërmë, të lutem, të shkoj e t’ia këput kokën.»+ 10 Por mbreti i tha: «Ç’ju duhet juve, o djem të Zerujasë?+ Lëreni të më mallkojë,+ sepse Jehovai i ka thënë:+ ‘Mallkoje Davidin!’ E pra, kush mund t’i thotë: ‘Pse bën kështu?’» 11 Pastaj Davidi i tha Abishait dhe gjithë shërbëtorëve të tij: «Nëse djali im, gjaku im,* po kërkon të ma marrë jetën,+ ç’mund të pres nga një beniaminit!+ Lëreni, le të më mallkojë, sepse kështu i ka thënë Jehovai! 12 Ndoshta Jehovai do ta shohë mundimin tim+ dhe, në vend të mallkimeve të sotme, Jehovai do të më shpërblejë me mirësi.»+ 13 Pastaj Davidi dhe njerëzit e tij vazhduan më tej rrugën, kurse Shimei ecte përgjatë malit, përbri Davidit, dhe e mallkonte me zë të lartë,+ i hidhte gurë e shumë pluhur.

14 Më në fund, mbreti dhe gjithë populli që ishte me të, mbërritën të rraskapitur në destinacion, dhe atje u çlodhën.

15 Ndërkohë Absalomi dhe gjithë njerëzit e Izraelit mbërritën në Jerusalem; me të ishte edhe Ahithofeli.+ 16 Kur vajti tek Absalomi, arkiti,+ Hushai,+ miku* i Davidit, i tha Absalomit: «Rroftë mbreti!+ Rroftë mbreti!» 17 Absalomi ia ktheu Hushait: «Ku shkoi dashuria jote besnike ndaj mikut tënd?! Pse nuk shkove me mikun tënd?» 18 Hushai iu përgjigj Absalomit: «Jo, s’mund ta bëja një gjë të tillë! Unë jam në anën e atij që ka zgjedhur Jehovai, ky popull dhe tërë njerëzit e tjerë të Izraelit. Me të do të qëndroj. 19 Kujt duhet t’i shërbej, pra? A nuk duhet t’i shërbej djalit të tij? Ashtu si i shërbeva babait tënd, në të njëjtën mënyrë do të të shërbej edhe ty.»+

20 Atëherë Absalomi e pyeti Ahithofelin: «Çfarë më këshillon?*+ Ç’të bëjmë?» 21 Ahithofeli iu përgjigj Absalomit: «Ki marrëdhënie me konkubinat e babait tënd,+ që ai i la të kujdeseshin për shtëpinë.*+ Atëherë tërë Izraeli do ta marrë vesh se je bërë i neveritshëm për babanë tënd, dhe ata që të mbështetin, do të marrin zemër.» 22 Kështu ata ngritën një tendë mbi tarracë+ për Absalomin, dhe Absalomi pati marrëdhënie me konkubinat e të atit+ para syve të të gjithë Izraelit.+

23 Në atë kohë, këshilla që jepte Ahithofeli+ konsiderohej sikur të ishte fjala* e Perëndisë së vërtetë. Kështu vlerësohej çdo këshillë e Ahithofelit, si nga Davidi, ashtu edhe nga Absalomi.

17 Atëherë Ahithofeli i tha Absalomit: «Më lër, të lutem, të zgjedh 12.000 burra dhe të ngrihem e ta ndjek Davidin sonte. 2 Do t’i sulem kur të jetë i sfilitur e i pafuqishëm,+ dhe atë do ta zërë paniku. Gjithë njerëzit që janë me të, do t’ia mbathin dhe unë do të vras vetëm mbretin.+ 3 Pastaj do ta sjell prapë te ti gjithë popullin. E nëse do të kthehet i gjithë populli, varet nga fundi që do të ketë njeriu që ti po ndjek. Atëherë mbarë populli do të bjerë në paqe.» 4 Ky sugjerim iu duk me vend Absalomit dhe tërë pleqve të Izraelit.

5 Megjithatë Absalomi tha: «Ju lutem, thirreni edhe arkitin, Hushain,+ e të dëgjojmë çfarë ka për të thënë ai.» 6 Kështu Hushai hyri tek Absalomi. Atëherë Absalomi i tha: «Kjo është këshilla e Ahithofelit. A të veprojmë sipas këshillës së tij? Nëse jo, na trego çfarë të bëjmë.» 7 Hushai ia ktheu Absalomit: «Këshilla që ka dhënë këtë radhë Ahithofeli nuk është e mirë.»+

8 Pastaj Hushai vazhdoi: «Ti e di mirë se babai yt dhe njerëzit e tij janë të fuqishëm+ e të dëshpëruar,* si një arushë që ka humbur këlyshët e saj në fushë.+ Për më tepër, babai yt është luftëtar+ dhe s’ka për ta kaluar natën me popullin. 9 Në këtë moment ai do të jetë fshehur në ndonjë shpellë* a në ndonjë vend tjetër,+ dhe nëse ai sulmon i pari, ata që do ta marrin vesh këtë do të thonë: ‘Njerëzit që ndjekin Absalomin janë mposhtur!’ 10 Edhe më trimit me zemër luani+ do t’i bëhej gjaku ujë, sepse tërë Izraeli e di mirë se babai yt është burrë i fuqishëm+ dhe se luftëtarët e tij janë të guximshëm. 11 Ja ç’të këshilloj: të mblidhet pranë teje mbarë Izraeli, nga Dani në Ber-Shebë,+ aq i shumtë sa kokrrizat e rërës buzë detit,+ e ti duhet t’u prish në luftë. 12 Do të dalim kundër tij kudo që të jetë dhe do t’i biem, ashtu si vesa bie mbi tokë. Asnjë prej tyre s’do të mbijetojë, as ai dhe as ndonjë nga njerëzit që janë me të. 13 Nëse fshihet në ndonjë qytet, të shkojmë me gjithë Izraelin dhe ta shkatërrojmë atë qytet e ta tërheqim zvarrë me litarë në luginë, derisa të mos i mbetet as edhe një guralec.»

14 Atëherë Absalomi dhe tërë burrat e Izraelit thanë: «Këshilla e arkitit Hushá është më e mirë+ se këshilla e Ahithofelit!» Se Jehovai kishte vendosur* që ta bënte të kotë këshillën e menduar mirë të Ahithofelit,+ me qëllim që Jehovai të sillte të keqen mbi Absalomin.+

15 Më vonë Hushai u tha priftërinjve Sadok e Abiatar+ çfarë i kishte këshilluar Ahithofeli Absalomit e pleqve të Izraelit, dhe çfarë i kishte këshilluar ai vetë. 16 Ai u tha: «Tani dërgojini menjëherë fjalë Davidit dhe paralajmërojeni: ‘Sonte mos qëndroni pranë vaut* të shkretëtirës, por kaloni se s’bën matanë lumit, përndryshe do të shfaroset mbreti dhe tërë njerëzit që janë me të.’»+

17 Tani, Jonatani+ dhe Ahimazi+ qëndronin në En-Rogel,+ jashtë qytetit të Jerusalemit, me qëllim që të mos i shihte askush. Kështu një shërbëtore vajti e u tregoi gjithçka, dhe ata nxituan që t’i raportonin mbretit David. 18 Megjithatë një i ri i pa dhe i tregoi Absalomit. Kështu, që të dy ikën me të shpejtë dhe vajtën në shtëpinë e një burri në Bahurim+ që kishte një pus në oborr. Ata u futën atje, 19 dhe gruaja e atij burri vuri një copë mbi grykën e pusit dhe e mbuloi me grurë të shtypur; askush nuk mori vesh për këtë gjë. 20 Shërbëtorët e Absalomit erdhën në këtë shtëpi dhe e pyetën gruan: «Ku janë Ahimazi dhe Jonatani?» Ajo iu përgjigj: «Kaluan këtej për te lumi.»+ Atëherë ata i kërkuan, por nuk i gjetën, prandaj u kthyen në Jerusalem.

21 Pasi shërbëtorët e Absalomit ikën, dy burrat dolën nga pusi dhe shkuan e i raportuan mbretit David. Ata thanë: «Shpejt, kaloni lumin, sepse Ahithofeli ka këshilluar kundër jush . . .»+ 22 Menjëherë Davidi dhe gjithë njerëzit që ishin me të, filluan të kalonin Jordanin. Në agim nuk mbeti as edhe një pa e kaluar Jordanin.

23 Kur pa se nuk ishte vepruar sipas këshillës së tij, Ahithofeli i vuri samarin gomarit dhe shkoi në shtëpi në qytetin e vet.+ Pasi u la amanetet njerëzve të shtëpisë,+ vari veten.+ Kështu ai vdiq dhe e varrosën te varret e paraardhësve të tij.

24 Ndërkohë Davidi vajti në Mahanaim,+ kurse Absalomi kaloi Jordanin bashkë me gjithë burrat e Izraelit. 25 Në vend të Joabit,+ Absalomi vuri Amasën+ në krye të ushtrisë. Amasa ishte djali i një burri që quhej Ithra, izraeliti, i cili ishte lidhur me* Abigailën,+ vajzën e Nahashit, motrën e Zerujasë, nënës së Joabit. 26 Izraeli dhe Absalomi e ngritën kampin në vendin e Galadit.+

27 Sapo Davidi mbërriti në Mahanaim, Shobi, djali i Nahashit nga Rabahu+ i amonitëve, Makiri,+ djali i Amielit nga Lo-Debari, dhe Barzilai,+ një galadit nga Rogelimi, 28 sollën shtretër, legenë, enë balte, grurë, elb, miell, drithë të pjekur, bathë, thjerrëza, drithë të tharë, 29 mjaltë, gjalpë, dhen dhe djathë.* Ata ia çuan të gjitha këto Davidit dhe njerëzve që ishin me të që t’i hanin,+ sepse thanë: «Populli në shkretëtirë është i uritur, i lodhur e i etur.»+

18 Pastaj Davidi numëroi njerëzit që ishin me të dhe vuri mbi ta krerë të mijësheve e të qindësheve.+ 2 Një të tretën e njerëzve Davidi e dërgoi nën komandën e Joabit,+ një të tretën nën komandën e vëllait të Joabit, Abishait,+ djalit të Zerujasë,+ dhe një të tretën nën komandën e gititit Itá.+ Pastaj mbreti u tha njerëzve: «Edhe unë do të vij me ju.» 3 Por ata thanë: «Ti nuk duhet të vish,+ sepse edhe po t’ia mbathim ne, edhe po të vritet gjysma prej nesh, atyre s’do t’u bjerë ndër mend për ne, kurse ti vlen sa 10.000 nga ne.+ Prandaj do të ishte më mirë nëse na ndihmon nga qyteti.» 4 Mbreti u tha: «Do të bëj si t’ju duket më mirë.» Kështu mbreti qëndroi pranë portës së qytetit, kurse tërë njerëzit dolën sipas qindësheve e sipas mijësheve. 5 Më pas mbreti urdhëroi Joabin, Abishain dhe Itain: «Mos e trajtoni ashpër të riun Absalom, për hatrin tim.»+ Tërë njerëzit e dëgjuan urdhrin që u dha mbreti gjithë krerëve për Absalomin.

6 Tani, njerëzit shkuan drejt fushës që të ndesheshin me Izraelin; beteja u bë në pyllin e Efraimit.+ 7 Atë ditë, shërbëtorët e Davidit+ e mundën popullin e Izraelit+ dhe u bë masakër e madhe: vdiqën 20.000 burra. 8 Beteja u shtri në mbarë rajonin, dhe atë ditë më shumë njerëz përpiu pylli sesa shpata.

9 Në fund Absalomi u gjend përballë shërbëtorëve të Davidit. Absalomi i kishte hipur një mushke e cila kaloi nën degët e dendura të një peme të madhe dhe koka e tij ngeci keq te kjo pemë, prandaj mbeti i varur në ajër,* ndërsa mushka vazhdoi rrugën. 10 Pastaj dikush e pa dhe i tha Joabit:+ «Pashë Absalomin të varur në një pemë të madhe.» 11 Joabi ia ktheu: «Nëse e pe, pse nuk e vrave në vend? Atëherë do të të kisha dhënë me kënaqësi dhjetë monedha argjendi dhe një brez.» 12 Por ai i tha Joabit: «Edhe sikur të më jepnin* 1.000 monedha argjendi, nuk do të ngrija dorë kundër djalit të mbretit, sepse e dëgjuam vetë që mbreti të urdhëroi ty, Abishain dhe Itain: ‘Secili prej jush të kujdeset që të mos i ndodhë ndonjë e keqe të riut Absalom.’+ 13 Nëse nuk do të isha bindur dhe do t’ia kisha marrë jetën, me siguri mbreti do ta merrte vesh, dhe ti s’do të më mbroje.» 14 Atëherë Joabi tha: «Kot që humbas kohë me ty!» Kështu mori tri shigjeta* në dorë dhe ia nguli tejpërtej në zemër Absalomit, ndërkohë që ishte ende gjallë mes degëve të pemës së madhe. 15 Pastaj erdhën dhjetë shërbëtorë që mbanin armët e Joabit dhe e goditën Absalomin derisa vdiq.+ 16 Atëherë Joabi i ra bririt dhe njerëzit u kthyen e nuk e ndoqën më Izraelin; Joabi i urdhëroi të ktheheshin pas. 17 Ata e morën Absalomin, e hodhën në një gropë të madhe në pyll dhe ngritën mbi të një pirg shumë të madh me gurë.+ Ndërkohë tërë izraelitët ia mbathën në shtëpitë e tyre.

18 Kur ishte gjallë, Absalomi kishte ngritur një shtyllë për vete në Luginën* e Mbretit,+ sepse thoshte: «Unë s’kam djalë që ta ruajë kujtimin e emrit tim.»+ Kështu i vuri shtyllës emrin e vet dhe ajo quhet Përmendorja e Absalomit deri sot e kësaj dite.

19 Ahimazi,+ djali i Sadokut, tha: «Të lutem, më lër të vrapoj e t’ia çoj lajmin mbretit, sepse Jehovai i ka siguruar drejtësi dhe e ka çliruar nga armiqtë e vet.»+ 20 Por Joabi i tha: «Ti nuk do të çosh lajme sot. Një ditë tjetër po, por sot nuk do të çosh lajme, sepse ka vdekur djali i mbretit.»+ 21 Atëherë Joabi i tha një kushiti:+ «Shko, tregoja mbretit atë që ke parë.» Me të dëgjuar këtë, kushiti u përkul para Joabit dhe iku me vrap. 22 Ahimazi, djali i Sadokut, i tha përsëri Joabit: «Të ndodhë ç’të ndodhë! Të lutem, lërmë të vrapoj edhe unë pas kushitit.» Por Joabi tha: «Pse të vraposh, biri im, përderisa s’ke asnjë lajm për të çuar?» 23 Megjithatë ai tha prapë: «Të ndodhë ç’të ndodhë, lërmë të vrapoj.» Atëherë Joabi ia ktheu: «Vrapo, pra!» Ahimazi vrapoi nëpër udhën e krahinës së Jordanit,* dhe më në fund ia kaloi kushitit.

24 Ndërkohë Davidi po rrinte ulur mes dy portave të qytetit.+ Roja+ u ngjit në tarracën e portës pranë murit, dhe kur ngriti sytë, pa një burrë që po vraponte i vetëm. 25 Atëherë roja thirri dhe i tregoi mbretit, që i tha: «Nëse është vetëm, po sjell lajme.» Ndërsa ai afrohej gjithnjë e më shumë, 26 roja pa një burrë tjetër që po vraponte. Prandaj i thirri derëtarit: «Ja, edhe një burrë tjetër po vrapon i vetëm!» Mbreti i tha: «Edhe ky po sjell lajme.» 27 Roja tha: «Po shoh se burri i parë vrapon si Ahimazi,+ djali i Sadokut.» Kështu mbreti i tha: «Ai është burrë i mirë dhe sjell lajme të mira.» 28 Atëherë Ahimazi i thirri mbretit: «Gjithçka është mirë!» Pastaj u përkul me fytyrë përtokë para mbretit dhe tha: «Lëvduar qoftë Jehovai, Perëndia yt, që i ka dorëzuar në duart e tua njerëzit që u rebeluan* kundër teje, o mbret!»+

29 Megjithatë mbreti e pyeti: «A është mirë i riu Absalom?» Ahimazi iu përgjigj: «Kur Joabi dërgoi shërbëtorin e mbretit dhe mua,* pashë një rrëmujë të madhe, por nuk e mora vesh çfarë ishte.»+ 30 Atëherë mbreti tha: «Dil mënjanë dhe qëndro këtu.» Menjëherë ai doli mënjanë dhe qëndroi atje.

31 Pastaj arriti kushiti+ dhe i tha: «Zotëria im, mbreti, e pranoftë këtë lajm: sot Jehovai të ka siguruar drejtësi e të ka çliruar nga dora e të gjithë atyre që u rebeluan kundër teje!»+ 32 Por mbreti e pyeti kushitin: «A është mirë i riu Absalom?» Kushiti iu përgjigj: «Si ai i ri u bëfshin gjithë armiqtë e zotërisë tim, mbretit, dhe të gjithë ata që u rebeluan kundër teje për të të bërë keq!»+

33 Mbreti u trondit dhe u ngjit në dhomën që gjendej në tarracën e portës. Ndërsa ecte nëpër dhomë, ai qante dhe thoshte: «Oh, djali im Absalom, djali im, djali im Absalom! Ah, sikur të kisha vdekur unë në vendin tënd, o Absalom, djali im, djali im!»+

19 Më vonë Joabin e njoftuan: «Mbreti po qan dhe po mban zi për Absalomin.»+ 2 Kështu, fitorja* e asaj dite u kthye në zi për gjithë ushtarët, sepse ata dëgjuan se mbreti ishte bërë helm për të birin. 3 Atë ditë ushtarët u kthyen pa u ndier në qytet,+ ashtu si kthehen të turpëruar ata që ia kanë mbathur nga beteja. 4 Mbreti ndërkohë kishte mbuluar fytyrën dhe thërriste me zë të lartë: «Djali im Absalom! Absalom, djali im, djali im!»+

5 Atëherë Joabi hyri në shtëpinë e mbretit dhe i tha: «Sot ti ke mbuluar me turp tërë shërbëtorët e tu, që sot të shpëtuan jetën ty, djemve të tu,+ vajzave të tua,+ grave dhe konkubinave të tua.+ 6 Ti do ata që të urrejnë dhe urren ata që të duan, sepse sot ke treguar qartë se krerët dhe shërbëtorët e tu s’janë asgjë për ty. Jam i sigurt se sikur vetëm Absalomi të ishte gjallë sot dhe ne të tjerët të kishim vdekur, për ty s’do të kishte asnjë problem. 7 Çohu tani, dil dhe jepu zemër* shërbëtorëve të tu, sepse të betohem për Jehovain se po nuk dole, askush s’ka për të qëndruar më në anën tënde sonte. Kjo do të jetë për ty më keq se gjithë të këqijat që të kanë rënë që nga rinia e deri tani.» 8 Atëherë mbreti u çua, u ul te porta e qytetit dhe mbarë popullin e njoftuan: «Mbreti është ulur te porta.» Atëherë tërë populli shkoi para mbretit.

Kurse ata të Izraelit ia kishin mbathur secili në shtëpinë e vet.+ 9 Në të gjitha fiset e Izraelit, mbarë populli diskutonte dhe thoshte: «Mbreti na shpëtoi nga armiqtë tanë+ dhe na çliroi nga filistinët; por tani ia ka mbathur nga vendi për shkak të Absalomit.+ 10 Absalomi, që e mirosëm* për të qenë mbret mbi ne,+ ka vdekur në betejë.+ Pse nuk po bëni asgjë për ta kthyer mbretin?»

11 Mbreti David u çoi fjalë priftërinjve Sadok+ dhe Abiatar:+ «Thuajuni pleqve të Judës:+ ‘Pse të mos jeni ju të parët që ta ktheni mbretin në shtëpinë e vet? Këtu ku po banoj më ka ardhur lajmi se gjithë Izraeli dëshiron të më kthejë sërish. 12 Ju jeni vëllezërit e mi, jeni gjaku im.* Pse të jeni ju të fundit për ta kthyer mbretin?!’ 13 I thoni Amasës:+ ‘A nuk je ti gjaku im? Perëndia më ndëshkoftë ashpër, po s’të bëra që sot e tutje kreun e ushtrisë sime në vend të Joabit!’»+

14 Kështu ai fitoi* zemrën e tërë burrave të Judës pa përjashtim, dhe ata i dërguan fjalë mbretit: «Kthehu ti dhe gjithë shërbëtorët e tu.»

15 Mbreti mori rrugën që të kthehej dhe arriti në Jordan. Populli i Judës vajti në Gilgal+ të takonte mbretin dhe ta shoqëronte matanë Jordanit. 16 Atëherë Shimei,+ biri i Geraut, beniaminiti nga Bahurimi, nxitoi dhe zbriti bashkë me burrat e Judës që të takonte mbretin David. 17 Me të ishin 1.000 burra nga Beniamini. Edhe Ziba,+ shërbëtori i shtëpisë së Saulit, bashkë me 15 djemtë e tij dhe 20 shërbëtorë nxituan që të shkonin në Jordan përpara mbretit. 18 Ziba* kaloi vaun* për të çuar matanë familjen e mbretit dhe për të bërë çdo gjë që dëshironte mbreti. Por, kur mbreti gati po kalonte Jordanin, Shimei, biri i Geraut, u përkul para tij 19 dhe i tha: «Të mos e mbaj llogari fajin tim, zotëria im dhe të mos e kujtojë të keqen që bëri shërbëtori yt+ ditën kur zotëria im, mbreti, doli nga Jerusalemi. Mbreti të mos mërzitet me shërbëtorin e tij, 20 sepse unë e di fare mirë se kam mëkatuar, prandaj sot zbrita i pari nga gjithë shtëpia e Jozefit për të takuar zotërinë tim, mbretin.»

21 Menjëherë Abishai,+ djali i Zerujasë,+ tha: «A nuk duhet të vritet Shimei ngaqë mallkoi të mirosurin e Jehovait?»+ 22 Por Davidi u përgjigj: «Ç’ju duhet juve, o djem të Zerujasë,+ që dilni kundër dëshirës sime sot? Asnjë s’ka për t’u vrarë sot në Izrael! Vërtet mendon se nuk e di që sot jam përsëri mbret i Izraelit?!» 23 Atëherë mbreti i tha Shimeit: «Ti nuk do të vdesësh.» Pastaj mbreti iu betua për këtë.+

24 Edhe Mefibosheti,+ nipi i Saulit, zbriti që të takonte mbretin. Ai nuk ishte kujdesur për këmbët, nuk i kishte prerë mustaqet dhe nuk i kishte larë rrobat që nga dita kur mbreti iku e deri ditën kur u kthye në paqe. 25 Kur erdhi në* Jerusalem për të takuar mbretin, mbreti e pyeti: «Pse nuk erdhe me mua, Mefiboshet?» 26 Ai iu përgjigj: «Ma punoi shërbëtori im,+ o zotëria im mbret. Meqë jam sakat,+ unë thashë: ‘Më bëni gati gomarin, që të shkoj edhe unë me mbretin.’ 27 Por ai shpifi para zotërisë tim, mbretit,+ kundër shërbëtorit tënd. Megjithatë ti, o zotëria im mbret, je si një engjëll i Perëndisë së vërtetë, prandaj bëj si të të duket më mirë. 28 E gjithë shtëpia e babait tim meritonte ta dënoje me vdekje, o zotëria im mbret, e megjithatë mua, shërbëtorin tënd, më vure mes atyre që hanë në tryezën tënde.+ E me ç’të drejtë mund t’i kërkoj diçka më shumë mbretit?»

29 Megjithatë mbreti i tha: «Mos fol më për këtë punë. Kam vendosur që ti dhe Ziba ta ndani arën me njëri-tjetrin.»+ 30 Menjëherë Mefibosheti i tha mbretit: «Tani që zotëria im, mbreti, ka ardhur në paqe në shtëpinë e vet, le ta marrë ai të tërën.»

31 Edhe galaditi Barzilá+ zbriti nga Rogelimi për në Jordan që ta shoqëronte mbretin deri në Jordan. 32 Barzilai ishte shumë i moshuar, 80 vjeç. E meqë ishte shumë i pasur, ai e furnizoi me ushqim mbretin ndërkohë që qëndronte në Mahanaim.+ 33 Kështu mbreti i tha Barzilait: «Hajde matanë me mua dhe unë do të të siguroj ushqim në Jerusalem.»+ 34 Por Barzilai i tha mbretit: «Po edhe sa ditë jetë më kanë mbetur që të ngjitem me mbretin në Jerusalem? 35 Sot jam 80 vjeç.+ A mund ta dalloj të mirën nga e keqja? A mund ta shijoj atë që ha e pi? A mund ta dëgjoj ende zërin e këngëtarëve e të këngëtareve?+ Pse të të bëhem barrë edhe unë, shërbëtori yt, o zotëria im mbret? 36 Nuk ka nevojë të më shpërblesh, o mbret. Për mua është nder edhe vetëm që të të shoqëroj deri në Jordan. 37 Të lutem, lëre shërbëtorin tënd të kthehet dhe lërmë të vdes në qytetin tim, pranë varrit të babait dhe të nënës sime.+ Ja ku është shërbëtori yt, Kimhami.+ Le të vijë ai me zotërinë tim, mbretin, dhe ti mund të bësh për Kimhamin si të të dojë zemra.»

38 Atëherë mbreti tha: «Kimhami do të vijë me mua dhe do të bëj për të çfarë të të dojë zemra ty. Çfarëdo që të më kërkosh, do ta bëj për ty.» 39 Pastaj gjithë populli nisi të kalonte Jordanin. Pak para se të kalonte matanë, mbreti e puthi dhe e bekoi Barzilain;+ e kështu Barzilai u kthye në shtëpi. 40 Kur mbreti kaloi matanë në Gilgal,+ me të kaloi edhe Kimhami. Gjithë populli i Judës dhe gjysma e popullit të Izraelit e shoqëruan mbretin teksa kalonte lumin.+

41 Pastaj pjesa tjetër e burrave të Izraelit vajtën te mbreti dhe e pyetën: «Pse vëllezërit tanë, burrat e Judës, të morën vjedhurazi ty, o mbret, dhe të çuan matanë Jordanit bashkë me familjen tënde dhe me gjithë njerëzit e tu?»+ 42 Gjithë burrat e Judës iu përgjigjën burrave të Izraelit: «Ngaqë mbreti është i afërmi ynë.+ Pse jeni zemëruar për këtë? Mos kemi ngrënë gjë me shpenzimet e mbretit, apo mos na është dhënë ndonjë dhuratë?»

43 Por burrat e Izraelit u thanë burrave të Judës: «Ne jemi dhjetë fise, prandaj na takon neve ta mbështetim Davidin më shumë se juve. Pse na keni trajtuar me përçmim? A nuk duhej të ishim ne të parët që ta kthenim përsëri mbretin?» Por burrave të Judës u peshoi më shumë fjala se burrave të Izraelit.

20 Tani, një ngatërrestar që quhej Sheba,+ djali i Bikrit, një beniaminit, i ra bririt+ dhe tha: «Ne s’kemi të bëjmë fare me Davidin dhe nuk kemi asnjë trashëgimi nga djali i Jeseut.+ Prandaj secili të kthehet te perënditë* e veta, o Izrael!»+ 2 Atëherë gjithë burrat e Izraelit nuk e ndoqën më Davidin, por filluan të ndiqnin Shebën, djalin e Bikrit,+ kurse burrat e Judës nuk iu ndanë mbretit të tyre që nga Jordani deri në Jerusalem.+

3 Kur mbërriti në shtëpinë e tij* në Jerusalem,+ mbreti David mori dhjetë konkubinat që i kishte lënë të kujdeseshin për shtëpinë+ dhe i vuri në një shtëpi të ruajtur me roja. Ai u siguroi ushqim, por nuk pati fare marrëdhënie me to.+ Konkubinat qëndruan rreptësisht të mbyllura deri ditën e vdekjes dhe jetuan si vejusha, edhe pse e kishin burrin gjallë.

4 Tani mbreti i tha Amasës:+ «Mblidh pranë meje njerëzit e Judës brenda tri ditësh; edhe ti duhet të jesh i pranishëm.» 5 Kështu Amasa shkoi të mblidhte Judën, por vetë erdhi pas afatit që i kishte caktuar mbreti. 6 Atëherë Davidi i tha Abishait:+ «Sheba,+ djali i Bikrit, mund të na bëjë më shumë dëm se Absalomi.+ Merri shërbëtorët e mi* dhe ndiqe, që të mos gjejë qytete të fortifikuara e të na ikë.» 7 Prandaj njerëzit e Joabit,+ keretitët, peletitët+ dhe gjithë burrat e fuqishëm shkuan pas tij, dhe dolën nga Jerusalemi për të ndjekur Shebën, djalin e Bikrit. 8 Kur ishin pranë gurit të madh në Gibeon,+ u doli para Amasa+ që t’i takonte. Joabi kishte veshur uniformën ushtarake dhe në brez kishte ngjeshur një shpatë, që e mbante në mill.* Por, kur iu afrua Amasës, shpata i doli nga milli.

9 Joabi e pyeti Amasën: «A je mirë, vëllai im?» Pastaj me dorën e djathtë e kapi Amasën nga mjekra sikur do ta puthte. 10 Amasa nuk po i ruhej shpatës që kishte në dorë Joabi, dhe Joabi ia nguli shpatën në bark+ e zorrët iu derdhën përtokë. Joabit nuk iu desh ta godiste për së dyti; mjaftoi një e goditur për ta vrarë në vend. Pastaj Joabi dhe Abishai, vëllai i tij, u vunë në ndjekje të Shebës, djalit të Bikrit.

11 Njëri nga djelmoshat e Joabit qëndroi pranë trupit të Amasës dhe tha: «Kushdo që është në anën e Joabit dhe i përket Davidit, le të shkojë pas Joabit!» 12 Ndërkohë Amasa po përpëlitej në gjakun e vet në mes të rrugës. Kur djaloshi pa se gjithë populli ndalonte aty, e hoqi Amasën nga rruga dhe e çoi në fushë. Pastaj i hodhi sipër një rrobë, ngaqë pa se të gjithë ndalonin aty kur e shikonin. 13 Pasi e hoqi nga rruga, të gjithë burrat shkuan pas Joabit për të ndjekur Shebën,+ djalin e Bikrit.

14 Sheba kaloi nëpër të gjitha fiset e Izraelit deri në Abel të Beth-Makahut;+ edhe bikritët u mblodhën dhe shkuan pas tij në qytet.

15 Joabi dhe njerëzit e tij erdhën, e rrethuan Shebën në Abel të Beth-Makahut dhe ngritën një ledh për të sulmuar qytetin, sepse qyteti ishte i rrethuar me një ledh mbrojtës. Pas kësaj, gjithë njerëzit e Joabit po gërmonin themelet e murit të qytetit për ta rrëzuar. 16 Por një grua e mençur thirri nga muri i qytetit: «Dëgjoni, o njerëz, dëgjoni! Ju lutem, i thoni Joabit të vijë këtu që të flas me të.» 17 Kështu ai iu afrua dhe gruaja e pyeti: «Ti je Joabi?» Ai iu përgjigj: «Unë jam.» Ajo shtoi: «Dëgjoji fjalët e shërbëtores sate.» Ai tha: «Po të dëgjoj.» 18 Ajo vazhdoi: «Në të kaluarën gjithmonë thoshin: ‘Le të pyesin në Abel’, dhe aty mbyllej çështja. 19 Po të flas në emër të njerëzve paqësorë dhe besnikë të Izraelit. Ti po kërkon të shkatërrosh një qytet që është si një nënë në Izrael. Pse ta shfarosësh trashëgiminë e Jehovait?»+ 20 Joabi u përgjigj: «Mua s’më ka shkuar kurrë ndër mend ta shfaros e ta shkatërroj qytetin. 21 Nuk është kështu puna. Përkundrazi një njeri që quhet Sheba,+ djali i Bikrit, nga rajoni malor i Efraimit,+ është rebeluar* kundër mbretit David. Nëse dorëzoni vetëm atë, do të tërhiqem nga qyteti.» Atëherë gruaja i tha Joabit: «Ja, kokën e tij do të ta hedhim nga muri!»

22 Menjëherë gruaja e mençur shkoi te të gjithë banorët e qytetit, të cilët ia prenë kokën Shebës, djalit të Bikrit, dhe ia hodhën Joabit. Atëherë ky i ra bririt dhe ata u larguan nga qyteti, secili në shtëpinë e vet,+ kurse Joabi u kthye në Jerusalem te mbreti.

23 Tani, Joabi ishte në krye të gjithë ushtrisë së Izraelit;+ Benajahu,+ djali i Jehojadës,+ ishte në krye të keretitëve dhe të peletitëve;+ 24 Adorami+ ishte në krye të atyre që ishin rekrutuar për punë të detyruar; Jehozafati,+ djali i Ahiludit, ishte kronisti;* 25 Shevai ishte sekretari; Sadoku+ dhe Abiatari+ ishin priftërinj. 26 Edhe jairiti Ira u bë njëri nga zyrtarët e lartë* të Davidit.

21 Në ditët e Davidit pati zi buke+ për tre vjet rresht. Prandaj Davidi u këshillua me Jehovain, e Jehovai i tha: «Mbi Saulin dhe shtëpinë e tij rëndon faji i gjakut, sepse vrau gibeonitët.»+ 2 Kështu mbreti i thirri gibeonitët+ dhe foli me ta. (Faktikisht gibeonitët nuk ishin izraelitë, por amoritë+ që kishin mbetur në vend. Izraelitët ishin betuar se do t’ua kursenin jetën,+ por Sauli kërkoi t’i vriste ngaqë mbronte me fanatizëm popullin e Izraelit dhe të Judës.) 3 Davidi i pyeti gibeonitët: «Ç’të bëj për ju dhe si mund t’jua shlyej këtë faj, që të bekoni trashëgiminë e Jehovait?» 4 Gibeonitët i thanë: «Argjendi dhe ari+ s’mund ta shlyejnë dëmin që Sauli dhe familja e tij na kanë bërë, dhe as na takon neve të vrasim njeri në Izrael.» Atëherë ai tha: «Unë do të bëj për ju çfarëdo që të kërkoni.» 5 Ata ia kthyen mbretit: «Meqë ai njeri donte të na shfaroste dhe thuri plane për të na zhdukur nga gjithë territori i Izraelit,+ 6 të na jepen shtatë nga djemtë e tij. Ne do t’i varim kufomat e tyre*+ përpara Jehovait në Gibeah+ të Saulit, në qytetin e të zgjedhurit të Jehovait.»+ Atëherë mbreti u tha: «Do t’jua jap unë.»

7 Megjithatë mbreti tregoi dhembshuri ndaj Mefiboshetit,+ djalit të Jonatanit, djalit të Saulit, për shkak të besës që Davidi dhe Jonatani,+ djali i Saulit, kishin lidhur përpara Jehovait. 8 Kështu mbreti mori Armonin dhe Mefiboshetin, dy djemtë që Rizpa,+ vajza e Ajahut, i lindi Saulit, si dhe pesë djemtë që Mikala,*+ vajza e Saulit, i lindi Adrielit,+ djalit të meholatitit Barzilá. 9 Pastaj ua dorëzoi gibeonitëve, të cilët i varën kufomat e tyre në mal, përpara Jehovait.+ Ata vdiqën të shtatë së bashku; u vranë ditën e parë të korrjes, në fillim të korrjes së elbit. 10 Pastaj Rizpa,+ vajza e Ajahut, mori një copë thesi* dhe e shtroi mbi shkëmb. U ul mbi të dhe i ruajti kufomat e tyre që nga fillimi i korrjes e derisa ra shi nga qielli. Ajo nuk i lejoi zogjtë e qiellit që të uleshin mbi to ditën dhe as egërsirat e tokës që t’u afroheshin natën.

11 Davidit i treguan ç’kishte bërë Rizpa, vajza e Ajahut, konkubina e Saulit. 12 Atëherë Davidi shkoi dhe mori eshtrat e Saulit dhe eshtrat e djalit të tij, Jonatanit, nga prijësit e Jabesh-Galadit.*+ Këta i kishin vjedhur kufomat nga sheshi i Beth-Shanit, ku i kishin varur filistinët ditën që vranë Saulin në Gilboa.+ 13 Ai i solli që andej eshtrat e Saulit dhe eshtrat e djalit të tij, Jonatanit; ata mblodhën edhe eshtrat e burrave që ishin ekzekutuar.*+ 14 Pastaj eshtrat e Saulit dhe të djalit të tij, Jonatanit, i varrosën në vendin e Beniaminit në Zela,+ te varri i të atit, Kishit.+ Pasi bënë gjithë sa kishte urdhëruar mbreti, Perëndia i dëgjoi përgjërimet e tyre për vendin.+

15 Me kohë pati përsëri luftë mes filistinëve dhe Izraelit.+ Prandaj Davidi dhe shërbëtorët e tij zbritën e luftuan me filistinët, por Davidi u lodh shumë. 16 Një pasardhës i Refaimit,+ që quhej Ishbi-Benob, kishte një heshtë prej bakri që peshonte 300 sikla*+ dhe mbante një shpatë të re; ai kishte ndër mend ta vriste Davidin. 17 Menjëherë Abishai,+ djali i Zerujasë, i erdhi në ndihmë,+ goditi filistinin dhe e vrau. Atëherë njerëzit e Davidit këmbëngulën:* «Ti nuk do të dalësh më me ne në betejë!+ Nuk duhet t’ia shuash llambën Izraelit!»+

18 Pas kësaj, në Gob shpërtheu përsëri lufta me filistinët.+ Në atë rast Sibekai,+ hushahiti, vrau Safin, një pasardhës të Refaimit.+

19 Në Gob shpërtheu përsëri lufta me filistinët,+ dhe Elhanani, djali i betlehemitit Jare-Oregim, vrau Goliadin, gititin, që e kishte shkopin e heshtës si shuli i tezgjahut.*+

20 Në Gath shpërtheu prapë luftë, dhe atje ishte një burrë me shtat të jashtëzakonshëm, që kishte 6 gishta në secilën dorë e në secilën këmbë, gjithsej 24 gishta; edhe ai ishte pasardhës i Refaimit.+ 21 Ai e sfidonte vazhdimisht Izraelin,+ prandaj Jonatani, djali i Shimeit,+ vëllait të Davidit, e vrau.

22 Këta të katër ishin pasardhës të Refaimit në Gath dhe ranë nga dora e Davidit e nga dora e shërbëtorëve të tij.+

22 Ditën që Jehovai e çliroi nga dora e gjithë armiqve+ dhe nga dora e Saulit,+ Davidi i drejtoi Jehovait fjalët e kësaj kënge.+ 2 Ai tha:

«Jehovai është shkrepi im, kalaja ime,+ çlirimtari im;+

 3 Perëndia është shkëmbi im,+ tek ai gjej strehë;

ai është mburoja ime+ dhe briri im i shpëtimit,* streha* ime e sigurt,+

vendi drejt të cilit vrapoj,+ shpëtimtari im;+ ai që më shpëton nga dhuna.

 4 I lutem Jehovait, se veç ai është i denjë të lëvdohet,

veç ai do të më shpëtojë nga armiqtë e mi.

 5 Dallgët e vdekjes shkulmuan rreth meje,+

një lumë njerëzish pa pikë vlere më tmerruan.+

 6 Litarët e Varrit* rreth vetes m’u mbështollën,+

grackat e vdekjes përpara më dolën.+

 7 Në vuajtjen time Jehovait i lutesha,+

Perëndisë tim i thërrisja.

Nga tempulli i tij, zërin ma dëgjoi,

e në vesh, thirrja ime për ndihmë atij i shkoi.+

 8 Toka nisi të dridhej e të tundej;+

themelet e qiejve u lëkundën,+

e nga zemërimi i tij, u shkundën vendit.+

 9 Nga flegrat e hundës tym i doli

e nga goja zjarr që përpin, i gufoi,+

prush i ndezur prej tij flakëroi.

10 Ndërsa zbriste, qiejt i përkuli,+

e nën këmbët e tij re të murrme kishte.+

11 Hipur në një kerubin,+ erdhi duke fluturuar,

hipur në krahët e një engjëlli*+ u shfaq.

12 E më pas si strehë rreth vetes errësirën vuri,+

në retë e dendura e të errëta të shtrëngatës u strehua.

13 Nga drita shkëlqimplotë e pranisë së tij,

thëngjij të zjarrtë u ndezën.

14 Pastaj nga qielli Jehovai nisi të gjëmonte,+

zëri i Më të Lartit kumbonte.+

15 I hallakati armiqtë e mi me shigjetat+ që vrik u hodhi,

po, me rrufetë krejt i hutoi.+

16 Nga qortimi i Jehovait,

nga shkulmi i frymës së flegrave të tij,+

deti doli në shesh,+

themelet e tokës u zbuluan.

17 Nga atje lart, ai dorën shtriu e më mori,

e nga të thellat ujëra më nxori.+

18 Nga armiqtë e mi të fuqishëm më shpëtoi,+

nga më të fortët që më urrenin, më çliroi.

19 Në ditë të keqe ata m’u vërsulën,+

por Jehovai m’u bë krah.

20 Në një vend të sigurt* më çoi;+

i kënaqur ishte me mua, ndaj më shpëtoi.+

21 Jehovai më shpërblen sipas drejtësisë sime,+

po, sipas pafajësisë* së duarve të mia më shpërblen,+

22 sepse në udhët e Jehovait kam qëndruar,

Perëndinë tim nuk e kam braktisur, jo, me ligësi nuk kam vepruar.

23 Të gjitha ligjet e tij+ përpara syve i kam,

nga statutet e tij nuk do të largohem.+

24 I pafaj+ do të mbetem në sytë e tij

e mëkatit larg do t’i rri.+

25 Jehovai më shpërbleftë sipas drejtësisë sime,+

sipas pafajësisë sime në sytë e tij!+

26 Me besnikun, ti vepron me besnikëri,+

njeriun e pafajshëm,* ti nuk e ngarkon me faj,+

27 me zemërpastrin, tregohesh i pastër,+

por me dredharakun, tregohesh mendjemprehtë.*+

28 Vërtet, ti e shpëton të përulurin,+

por sytë e tu janë kundër fodullit, ndaj e poshtëron.+

29 Ti je llamba ime, o Jehova!+

Jehovai është ai që hedh dritë mbi errësirën që më rrethon.+

30 Falë ndihmës sate, banda kusarësh mund të sulmoj,

falë fuqisë së Perëndisë, mure mund të kaloj.+

31 E përsosur është udha e Perëndisë së vërtetë,+

e kulluar është fjala e Jehovait.+

Ai është mburoja e të gjithë atyre që gjejnë strehë tek ai.+

32 E kush tjetër është Perëndi veç Jehovait?!+

Kush tjetër është shkëmb veç Perëndisë tonë?!+

33 Perëndia i vërtetë është fortesa ime e pathyeshme+

e nga udha ime çdo pengesë heq ai.+

34 Këmbëlehtë si dreri më bën të vrapoj,

ndaj në shpate të thepisura i palëkundur qëndroj.+

35 Duart për luftë m’i stërvit,

e me krahët e mi mund të tendos një hark bakri.

36 Me mburojën tënde të shpëtimit ti më mbron;

përulësia jote më bën të madh.+

37 Shtegun ku eci, ti e bën të gjerë,

ndaj këmbët nuk do të më shkasin asnjëherë.+

38 Do t’i ndjek e do t’i zhduk armiqtë e mi,

pa i shfarosur, nuk do të kthehem kurrsesi.

39 Do t’i shfaros e copë-copë do t’i bëj sa të mos ngrihen më,+

në këmbët e mia përtokë do të bien.

40 Për betejë, ti do të më japësh fuqi+

e armiqtë e mi do t’i shembësh nën këmbët e mia.+

41 Falë teje, kundërshtarët e mi do t’ia mbathin;+

unë do t’i shfaros* ata që më urrejnë.+

42 Për ndihmë ata thërrasin, por s’ka kush i shpëton;

madje i thërrasin edhe Jehovait, por ai nuk i dëgjon.+

43 Grimca-grimca do t’i bëj si pluhurin e tokës,

do t’i thërrmoj dhe do t’i shtyp si llucën e rrugëve.

44 Nga akuzat e pareshtura të popullit tim do të më shpëtosh,+

do të më ruash që të jem kreu i kombeve;+

po, një popull që s’e kam njohur, do të më shërbejë.+

45 Të huajt do të struken kokulur para meje;+

me të dëgjuar për mua do të më nënshtrohen.

46 Të huajve s’do t’u mbetet fije guximi,*

e nga fortesat do të dalin me ethe drithërimi.

47 Jehovai është gjallë! Shkëmbi im qoftë lëvduar!+

Perëndia, shkëmbi i shpëtimit tim, qoftë lartësuar!+

48 Perëndia i vërtetë hakun ma merr;+

nën këmbët e mia popujt i shtie.+

49 Nga armiqtë e mi, ti më çliron,

më ngre lart+ mbi këdo që më sulmon,

nga njerëzit e dhunshëm më shpëton.+

50 Ja pse, o Jehova, mes kombeve do të të falënderoj,+

e për emrin tënd lavde do të këndoj!*+

51 Me dorën tënde shpëtimtare,* mbretin e çliron,+

të mirosurit* tënd dashuri besnike i tregon,

po, Davidit dhe pasardhësit* të tij, përgjithmonë.»+

23 Këto janë fjalët e fundit të Davidit:+

«Fjalët e Davidit, djalit të Jeseut,+

fjalët e burrit që u lartësua,+

të mirosurit*+ të Perëndisë së Jakobit,

të këngëtarit të këndshëm* të këngëve+ të Izraelit.

 2 Fryma e Jehovait foli nëpërmjet meje;+

fjala e tij ishte në gjuhën time.+

 3 Perëndia i Izraelit foli,

Shkëmbi i Izraelit+ më tha:

‘Kur ai që sundon mbi njerëzit është i drejtë+

dhe sundon me nderim të thellë për Perëndinë*+

 4 sundimi i tij është si drita e mëngjesit kur shkëlqen dielli,+

si një mëngjes pa re.

Është si shndritja pas shiut

që e bën barin të mbijë nga toka.’+

 5 A nuk është vallë e tillë shtëpia ime para Perëndisë?

Se ai ka bërë me mua një besëlidhje të përjetshme,+

të përcaktuar në çdo hollësi dhe të sigurt.

Meqë ajo është gjithë shpëtimi im dhe gjithë kënaqësia ime,

a nuk do ta bëjë ai të lulëzojë?+

 6 Por njerëzit e pavlerë hidhen që të gjithë tej,+ si ferrat,

që nuk mund të kapen me dorë.

 7 Kush i prek,

duhet të ketë një armë prej hekuri dhe një heshtë.

Ato duhet të digjen krejtësisht me zjarr aty ku janë.»

8 Këta janë emrat e luftëtarëve të fuqishëm të Davidit:+ Josheb-Bashebethi, një tahkemonit, kreu i treshes.+ Në një rast, ai vrau 800 burra me heshtën e tij. 9 Pas tij vinte Eleazari,+ djali i Dodit,+ djalit të Ahohit, një nga tre luftëtarët e fuqishëm që ishin me Davidin kur sfiduan filistinët. Ata ishin mbledhur për betejë dhe, kur burrat e Izraelit u tërhoqën, 10 ai qëndroi i patundur dhe i goditi filistinët derisa iu lodh krahu dhe iu mpi dora ngaqë mbante fort shpatën.+ Kështu, atë ditë, Jehovai solli një fitore të madhe;+ ushtarët u kthyen pas me Eleazarin për të zhveshur të vrarët.

11 Pas tij vinte Shamahu, djali i hararitit Age. Filistinët u mblodhën në Lehi, ku ishte një arë plot me thjerrëza; ushtarët ia mbathën nga frika e filistinëve. 12 Kurse ai zuri vend në mes të arës dhe nuk i lejoi filistinët ta shtinin në dorë, por i vrau. Kështu Jehovai solli një fitore të madhe.*+

13 Në kohën e të korrave, tre nga 30 krerët zbritën te Davidi, në shpellën e Adulamit.+ Ndërkohë një formacion* i filistinëve kishte ngritur kampin në luginën* e Refaimit.+ 14 Në atë kohë Davidi ishte në vendin e tij të sigurt,+ kurse një pararojë e filistinëve ndodhej në Betlehem. 15 Davidi pati një dëshirë të madhe: «Ah, sikur të pija ca ujë nga sterna që është pranë portës së Betlehemit!» 16 Atëherë tre luftëtarët e fuqishëm çanë përmes kampit të filistinëve dhe nxorën ujë nga sterna pranë portës së Betlehemit, dhe ia sollën Davidit. Por ai nuk pranoi ta pinte dhe e derdhi para Jehovait.+ 17 Davidi tha: «Mua, o Jehova, s’më shkon kurrë ndër mend të bëj një gjë të tillë! Të pi unë gjakun+ e njerëzve që vunë në rrezik jetën e tyre?!» Prandaj nuk pranoi të pinte. Këto gjëra bënë tre luftëtarët e tij të fuqishëm.

18 Abishai,+ vëllai i Joabit, djalit të Zerujasë,+ ishte kreu i një tresheje tjetër; ai vrau 300 burra me heshtën e tij, dhe ishte po aq i famshëm sa edhe tre luftëtarët e fuqishëm.+ 19 Ndonëse ishte më i shquari i treshes tjetër dhe ishte kreu i tyre, nuk e arriti rangun e tre luftëtarëve të fuqishëm.

20 Benajahu,+ djali i Jehojadës, ishte një burrë guximtar;* bëmat e tij në Kabzel+ ishin të shumta. Ai vrau dy djemtë e Arielit nga Moabi dhe, një ditë me borë, zbriti brenda një grope uji e vrau një luan.+ 21 Benajahu vrau edhe një egjiptian me shtat të jashtëzakonshëm. Edhe pse egjiptiani kishte në dorë një heshtë, ai luftoi kundër tij me një hu, ia rrëmbeu heshtën nga dora dhe e vrau me të. 22 Këto gjëra bëri Benajahu, djali i Jehojadës. Ai ishte po aq i famshëm sa edhe tre luftëtarët e fuqishëm. 23 Ndonëse ishte më i shquar se të tridhjetët, ai nuk e arriti rangun e tre luftëtarëve të fuqishëm. Gjithsesi Davidi e caktoi në krye të truprojës së vet.

24 Asaheli,+ vëllai i Joabit, ishte ndër të tridhjetët: Elhanani, djali i Dodit nga Betlehemi,+ 25 haroditi Shamah, haroditi Eliká, 26 paltiti Helez,+ Irai,+ djali i tekoitit Ikesh, 27 anatothiti+ Abi-Ezer,+ hushahiti Mebuná, 28 ahohiti Zalmon, netofathiti Mahará,+ 29 Helebi, djali i netofathitit Banah, Itai, djali i Ribait nga Gibeahu, beniaminit, 30 piratoniti Benajah,+ Hidai nga luginat* e Gashit,+ 31 arbathiti Abi-Albon, bar-humiti Azmavet, 32 shalboniti Eliabá, djemtë e Jasenit, Jonatani, 33 harariti Shamah, Ahiami, djali i hararitit Sharar, 34 Elifeleti, djali i Ahasbait, djalit të makathitit, Eliami, djali i gilonitit Ahithofel,+ 35 karmeliti Hezro, arbiti Pará, 36 Igali, djali i Natanit nga Zobahu, gaditi Bani, 37 amoniti Zelek, berotiti Nahará, armëmbajtësi i Joabit, djalit të Zerujasë, 38 ithriti Ira, ithriti+ Gareb, 39 hititi Uriah,+ gjithsej ishin 37.

24 Zemërimi i Jehovait u ndez përsëri kundër Izraelit,+ kur Davidin e nxitën me këto fjalë: «Shko, bëj numërimin+ e Izraelit dhe të Judës.»+ 2 Kështu mbreti i tha Joabit,+ kreut të ushtrisë që ishte me të: «Shko nëpër të gjitha fiset e Izraelit, nga Dani në Ber-Shebë,+ dhe regjistro popullin, që të di numrin e popullit.» 3 Por Joabi i tha mbretit: «Jehovai, Perëndia yt, e shtoftë popullin 100-fish, dhe zotëria im, mbreti, e paftë këtë me sytë e vet! Por, pse vallë e kërkon një gjë të tillë zotëria im, mbreti?»

4 Por fjala e mbretit doli më e fortë se ajo e Joabit dhe e krerëve të ushtrisë. Kështu, Joabi dhe krerët e ushtrisë u larguan nga mbreti për të regjistruar popullin e Izraelit.+ 5 Ata kaluan Jordanin dhe ngritën kampin në Aroer,+ në të djathtë* të qytetit që ndodhej në mes të luginës,* shkuan drejt gaditëve dhe vazhduan për në Jazer.+ 6 Pas kësaj vajtën në Galad+ dhe në vendin e Tahtim-Hodshit, vazhduan drejt Dan-Janit dhe i ranë rreth e përqark Sidonit.+ 7 Pastaj vajtën në fortesën e Tirit+ dhe në të gjitha qytetet e hivitëve+ e të kananitëve dhe në fund mbërritën në Negeb+ të Judës, në Ber-Shebë.+ 8 Kështu, ata përshkuan mbarë vendin dhe u kthyen në Jerusalem pas nëntë muajsh e njëzet ditësh. 9 Joabi i dha mbretit numrin e atyre që ishin regjistruar. Izraeli kishte 800.000 shpatarë, kurse Juda 500.000.+

10 Pasi e kishte numëruar popullin, Davidin e breu ndërgjegjja.*+ Atëherë Davidi i tha Jehovait: «Mëkatova+ rëndë duke bërë këtë gjë. Tani, o Jehova, të lutem, falja fajin+ shërbëtorit tënd, sepse kam vepruar fare pa mend.»+ 11 Kur Davidi u çua në mëngjes, Jehovai i drejtoi këtë fjalë profetit Gad,+ vegimtarit* të Davidit: 12 «Shko dhe thuaji Davidit: “Kështu thotë Jehovai: ‘Po të jap tri mundësi. Zgjidh njërën dhe atë do të sjell mbi ty.’”»+ 13 Prandaj Gadi vajti te Davidi dhe i tha: «Do që të ketë shtatë vjet zi buke në vend?+ Do që t’ia mbathësh për tre muaj nga kundërshtarët e tu që do të të ndjekin?+ Apo do që të ketë për tri ditë një murtajë në vend?+ Tani, mendohu mirë për përgjigjen që duhet t’i jap Atij që më dërgoi.» 14 Atëherë Davidi i tha Gadit: «Ç’më rëndon një ankth në zemër! Më mirë të biem në duart e Jehovait,+ sepse mëshira e tij është e madhe;+ por mos rënça në duart e njeriut!»+

15 Atëherë Jehovai dërgoi një murtajë+ në Izrael që nga mëngjesi e deri në kohën e caktuar, e kështu vdiqën 70.000 veta+ që nga Dani deri në Ber-Shebë.+ 16 Kur engjëlli e shtriu dorën drejt Jerusalemit për të goditur banorët e tij, Jehovait i erdhi keq* për këtë tragjedi+ dhe i tha engjëllit që po shkatërronte popullin: «Mjaft! Ule dorën.» Engjëlli i Jehovait ishte pranë lëmit të jebusitit+ Araunah.+

17 Kur pa engjëllin që po godiste popullin, Davidi i tha Jehovait: «Unë mëkatova! Unë bëra keq! Po këto dele,+ çfarë kanë bërë? Të lutem, të ngrihet dora jote kundër meje dhe kundër shtëpisë së babait tim!»+

18 Kështu po atë ditë, Gadi vajti te Davidi dhe i tha: «Ngjitu dhe ndërto një altar për Jehovain në lëmin e jebusitit Araunah.»+ 19 Prandaj Davidi u ngjit sipas fjalës së Gadit, siç kishte urdhëruar Jehovai. 20 Kur Araunahu pa poshtë dhe vuri re mbretin me shërbëtorët e vet që po vinin drejt tij, menjëherë doli dhe u përkul para mbretit me fytyrë përtokë. 21 Araunahu e pyeti: «Pse ka ardhur te shërbëtori i tij zotëria im, mbreti?» Davidi iu përgjigj: «Që të blej nga ti lëmin për t’i ndërtuar një altar Jehovait, me qëllim që të ndalet plaga mbi popullin.»+ 22 Por Araunahu i tha Davidit: «Zotëria im, mbreti, le ta marrë dhe le të flijojë atë që i pëlqen.* Ja ku janë gjedhët për blatimin e djegur, trina shirëse* dhe zgjedha e gjedhëve për dru. 23 Araunahu, o mbret, ia jep të gjitha këto mbretit.» Pastaj Araunahu i tha akoma mbretit: «Jehovai, Perëndia yt, të bekoftë!»

24 Megjithatë mbreti i tha Araunahut: «Jo, unë duhet të ta blej me një çmim. Nuk do t’i bëj Jehovait, Perëndisë tim, flijime të djegura që s’më kushtojnë asgjë.» Kështu Davidi bleu lëmin dhe gjedhët për 50 sikla* argjendi.+ 25 Atje Davidi i ndërtoi Jehovait një altar+ dhe bëri flijime të djegura e flijime në bashkësi. Atëherë Jehovai iu përgjigj përgjërimeve që u bënë për vendin,+ dhe plaga mbi Izraelin u ndal.

Ose «diademën».

Shih Fjalorthin.

Fjalë për fjalë «Gjaku yt është mbi kokën tënde».

Ose «kënge vajtimi».

Ose «e të këndshëm».

Shih Fjalorthin.

Ose «dashuri besnike».

Një mundësi tjetër «tërë Bithronin».

Shih Fjalorthin.

Fjalë për fjalë «koka e ndonjë qeni».

Ose «dhe dora ime do të jetë me ty».

Ose «që të dëshiron shpirti».

Domethënë, depoja e nëndheshme për të mbledhur ujë.

Fjalë për fjalë «gjakun».

Ose «nga sekrecione të organit gjinor».

Ndoshta i referohet një burri të gjymtuar që i duhej të bënte punë grash.

Shih Fjalorthin.

Ose «shtratit portativ».

Fjalë për fjalë «në bakër».

Fjalë për fjalë «nga bijtë e padrejtësisë».

Ose «që t’i jepte Davidit bukën e ngushëllimit (e zisë)».

Shih Fjalorthin.

Ose «s’i mbeti fije guximi».

Ose «të çalë».

Ose «më shpengoi». Shih Fjalorthin, «Shpërblesa; Shpengimi».

Fjalë për fjalë «kocka dhe mishi yt».

Ose «ti e nxirrje Izraelin dhe e ktheje prapë në vend».

Shih Fjalorthin.

Një mundësi tjetër «që ai e quajti».

Ose «nga Miloja». Një fjalë hebraike që do të thotë «mbush».

Ose «një pallat mbretëror».

Ose «ultësirën».

Do të thotë «zotëria i çarjeve».

Ose «ultësirën».

Një mundësi tjetër «mes kerubinëve».

Shih Fjalorthin.

Ose «u mërzit».

Do të thotë «zemërimi u ndez kundër Uzahut».

Shih Fjalorthin.

Ose «pallatin mbretëror».

Fjalë për fjalë «kam ecur».

Fjalë për fjalë «bijtë e Izraelit».

Ose «dinasti».

Fjalë për fjalë «farë». Në hebraisht kjo fjalë mund të nënkuptojë edhe shumësin. Shih Fjalorthin.

Fjalë për fjalë «një që do të dalë nga brendësia jote».

Një mundësi tjetër «bijtë e Adamit».

Shih Fjalorthin.

Ose «udhëzim».

Ose «dhe në përputhje me vullnetin tënd».

Shih Fjalorthin, «Shpërblesa; Shpengimi».

Ose «dinasti».

Fjalë për fjalë «ka gjetur zemrën».

Shih Fjalorthin.

Ose «i sillte shpëtim».

Te 1Kr 18:9, 10 quhet Tou.

Shih Fjalorthin, «Shenjtërimi».

Ose «i sillte shpëtim».

Ose «regjistrues».

Fjalë për fjalë «u bënë priftërinj».

Ose «i çalë».

Fjalë për fjalë «fytyrën».

Një mundësi tjetër «time».

Ose «nga burrat e Tobit».

Ose «burrat e Tobit».

Fjalë për fjalë «në dorën».

Domethënë, të Eufratit.

Domethënë, në pranverë.

Ose «Një pasdite vonë».

Ose «e pallatit mbretëror».

Ka mundësi nga papastërtia e menstruacioneve.

Fjalë për fjalë «laj këmbët».

Ose «racionin e mbretit», pra, racionin që i dërgonte mikpritësi mysafirit të nderuar.

Ose «që ti rron dhe që shpirti yt rron».

Fjalë për fjalë «ishte e keqe në sytë e Jehovait».

Shih Fjalorthin.

Fjalë për fjalë «në sytë e këtij dielli».

Ose «e lë të kalojë».

Ose «në pallatin mbretëror».

Nga një fjalë hebraike që do të thotë «paqe».

Do të thotë «i dashur për Jah».

Mund t’u referohet burimeve të ujit të qytetit.

Fjalë për fjalë «dhe emri im të thirret në të».

Një talentë ishte 34,2 kg. Shih Shtojcën B14.

Ose «bukën e ngushëllimit».

Ose «bukën e ngushëllimit».

Ose «bukën e ngushëllimit».

Ose «të veçantë».

Fjalë për fjalë «e virgjëra».

Ose «e kishte pranuar».

Fjalë për fjalë «ia vuri fjalët në gojë».

Domethënë, shpresën e fundit për pasardhës.

Fjalë për fjalë «një mbetje».

Ose «askush nuk mund të kthehet as djathtas, as majtas nga ajo që thotë».

Fjalë për fjalë «ia vuri fjalët në gojë».

Rreth 2,3 kg. Shih Shtojcën B14.

Kjo mund të ketë qenë një peshë standarde që mbahej në pallatin mbretëror ose një sikël «mbretërore» që ishte ndryshe nga sikla e zakonshme.

Një mundësi tjetër «të 40 vjetëve».

Ose «do të adhuroj». Fjalë për fjalë «do t’i shërbej».

Ose «pallatin mbretëror».

Ose «që ecnin anash tij».

Domethënë, mbreti po i inspektonte

Ose «dashuri besnike».

Shih Fjalorthin.

Ose «në të përpjetën».

Ose «sugjerimet».

Ose «shoku i besuar».

Sidomos fiq e ndoshta edhe hurma Arabie.

Ose «nipi».

Ose «që doli nga trupi im».

Ose «shoku i besuar».

Ose «më sugjeron?»

Ose «pallatin mbretëror».

Ose «ishte sikur të kërkoje drejtimin».

Ose «me shpirt të hidhëruar».

Ose «gropë; grykë».

Ose «kishte urdhëruar».

Një mundësi tjetër «rrafshinave». Shih Fjalorthin, «Vau».

Me sa duket Ithrai ishte burri i Abigailës.

Fjalë për fjalë «djathë të njomë lope».

Fjalë për fjalë «midis qiellit dhe tokës».

Fjalë për fjalë «të më peshonin në pëllëmbë të dorës».

Një mundësi tjetër «shtiza; heshta». Fjalë për fjalë «shufra».

Ose «Ultësirën».

Fjalë për fjalë «nëpër krahinë».

Fjalë për fjalë «ngritën dorë».

Fjalë për fjalë «dhe shërbëtorin tënd».

Ose «shpëtimi».

Fjalë për fjalë «foli zemrës».

Shih Fjalorthin.

Fjalë për fjalë «kocka dhe mishi im».

Fjalë për fjalë «ai ktheu».

Një mundësi tjetër «Ata».

Shih Fjalorthin.

Një mundësi tjetër «nga».

Një mundësi tjetër «te tendat».

Ose «pallatin mbretëror».

Fjalë për fjalë «shërbëtorët e zotërisë tënd».

Ose «këllëf».

Fjalë për fjalë «ka ngritur dorë».

Ose «regjistruesi».

Fjalë për fjalë «u bë prift».

Fjalë për fjalë «do t’i nxjerrim ata», pra, me këmbë e duar të thyera.

Një mundësi tjetër «Meraba».

Shih Fjalorthin.

Një mundësi tjetër «pronarët e tokave të Jabesh-Galadit».

Ose «ishin nxjerrë për t’u vrarë».

Rreth 3,42 kg. Shih Shtojcën B14.

Fjalë për fjalë «u betuan».

Shih Fjalorthin.

Ose «dhe shpëtimtari im i fuqishëm». Shih Fjalorthin, «Briri».

Ose «kalaja».

Ose «e Sheolit», pra, të varrit të përbashkët të njerëzimit. Shih Fjalorthin.

Ose «mbi krahët e erës». Fjalë për fjalë «e një fryme». Shih Fjalorthin.

Ose «të hapur».

Fjalë për fjalë «pastërtisë».

Fjalë për fjalë «njeriun e fuqishëm e të pafajshëm».

Një mundësi tjetër «sillesh si i pamend».

Fjalë për fjalë «do t’i bëj të heshtin».

Ose «do të ligështohen».

Ose «do të luaj melodi!»

Ose «Me fitore madhështore».

Shih Fjalorthin.

Fjalë për fjalë «farës».

Shih Fjalorthin.

Ose «të njeriut të këndshëm».

Fjalë për fjalë «me frikë Perëndie». Shih Fjalorthin.

Ose «shpëtim të madh».

Ose «kamp me tenda».

Ose «ultësirën».

Fjalë për fjalë «djali i një burri trim».

Ose «vadet». Shih Fjalorthin.

Ose «në jug».

Ose «të vadit». Shih Fjalorthin.

Fjalë për fjalë «zemra».

Shih Fjalorthin.

Ose «Jehovai u pikëllua».

Fjalë për fjalë «atë që është e mirë në sytë e tij».

Shih Fjalorthin, «Lëmi; Shirja».

Një sikël ishte 11,4 g. Shih Shtojcën B14.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo