ZANAFILLA
1 Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën.+
2 Toka ishte pa formë dhe e shkretë,* errësira mbulonte sipërfaqen e ujërave të thella*+ dhe forca vepruese*+ e Perëndisë lëvizte mbi sipërfaqen e ujërave.+
3 Pastaj Perëndia tha: «Le të bëhet dritë.» Atëherë u bë dritë,+ 4 dhe Perëndia pa që drita ishte e mirë, e filloi të ndante dritën nga errësira. 5 Perëndia e quajti dritën «ditë», kurse errësirën «natë».+ Kështu erdhi mbrëmja e pastaj mëngjesi; dita e parë.
6 Pastaj Perëndia tha: «Le të bëhet një hapësirë+ mes ujërave dhe le të ndahen ujërat nga ujërat.»+ 7 Atëherë Perëndia bëri hapësirën dhe i ndau ujërat që ishin poshtë hapësirës nga ujërat që ishin sipër saj,+ dhe kështu u bë. 8 Perëndia e quajti hapësirën «qiell». Kështu erdhi mbrëmja e pastaj mëngjesi; dita e dytë.
9 Pastaj Perëndia tha: «Le të grumbullohen në një vend ujërat që janë nën qiej dhe le të shfaqet dheu i thatë.»+ Dhe kështu u bë. 10 Perëndia e quajti dheun e thatë «tokë»,+ kurse grumbullimin e ujërave «dete».+ Dhe Perëndia pa që kjo ishte e mirë.+ 11 Pastaj Perëndia tha: «Le të mbijë nga toka bar, bimë me farë dhe drurë frutorë që japin fryt me farë në tokë, secili sipas llojit të vet.» Dhe kështu u bë. 12 Toka filloi të prodhonte bar, bimë me farë+ dhe drurë që japin fryt me farë, secili sipas llojit të vet, dhe Perëndia pa që kjo ishte e mirë. 13 Kështu erdhi mbrëmja e pastaj mëngjesi; dita e tretë.
14 Pastaj Perëndia tha: «Le të ketë ndriçues*+ në hapësirën e qiejve, që të ndajnë ditën nga nata.+ Ata do të shërbejnë si shenja për të dalluar stinët, ditët dhe vitet;+ 15 do të shërbejnë si ndriçues në hapësirën e qiejve, që të ndriçojnë tokën.» Dhe kështu u bë. 16 Perëndia bëri dy ndriçuesit e mëdhenj, ndriçuesin më të madh për të sunduar ditën+ dhe ndriçuesin më të vogël për të sunduar natën, si edhe yjet.+ 17 Perëndia i vuri në hapësirën e qiejve që të ndriçonin tokën, 18 që të sundonin ditën e natën dhe që të ndanin dritën nga errësira,+ dhe Perëndia pa që kjo ishte e mirë. 19 Kështu erdhi mbrëmja e pastaj mëngjesi; dita e katërt.
20 Pastaj Perëndia tha: «Le të gëlojnë ujërat me krijesa të gjalla* dhe le të fluturojnë krijesat fluturuese mbi tokë, përmes hapësirës së qiejve.»+ 21 Kështu Perëndia krijoi krijesat e mëdha* të detit dhe të gjitha krijesat e gjalla* që lëvizin e gëlojnë në ujëra, secilën sipas llojit të vet, si edhe çdo krijesë fluturuese, secilën sipas llojit të vet, dhe Perëndia pa që kjo ishte e mirë. 22 Pastaj Perëndia i bekoi: «Jini të frytshëm, shumohuni dhe mbushni ujërat e deteve;+ edhe krijesat fluturuese le të shumohen në tokë!» 23 Kështu erdhi mbrëmja e pastaj mëngjesi; dita e pestë.
24 Pastaj Perëndia tha: «Le të dalin nga toka krijesa* të gjalla sipas llojeve të tyre: kafshë të buta, kafshë të egra dhe kafshë zvarritëse* sipas llojeve të tyre.»+ Dhe kështu u bë. 25 Perëndia bëri kafshët e egra të tokës sipas llojeve të tyre, kafshët e buta sipas llojeve të tyre dhe gjithë kafshët zvarritëse sipas llojeve të tyre, dhe Perëndia pa që kjo ishte e mirë.
26 Pastaj Perëndia tha: «Le ta bëjmë+ njeriun sipas imazhit tonë,+ në ngjashmëri me ne,+ dhe ai le t’i mbajë të nënshtruar peshqit e detit, krijesat fluturuese të qiejve, kafshët e buta, gjithë tokën dhe çdo kafshë zvarritëse që lëviz në të.»+ 27 Kështu Perëndia e krijoi njeriun sipas imazhit të vet, po, e krijoi sipas imazhit të Perëndisë; ai i krijoi ata mashkull dhe femër.+ 28 Më pas Perëndia i bekoi dhe u tha: «Jini të frytshëm dhe shumohuni, mbusheni tokën+ e zotërojeni*+ dhe mbani të nënshtruar+ peshqit e detit, krijesat fluturuese të qiejve dhe çdo krijesë të gjallë që lëviz në tokë.»
29 Pastaj Perëndia tha: «Ja, ju kam dhënë gjithë bimët me farë të tokës dhe çdo pemë që ka fryt me farë; le t’ju shërbejnë si ushqim.+ 30 Kurse çdo kafshe të egër të tokës, çdo krijese fluturuese të qiejve dhe çdo gjëje që lëviz në tokë, në të cilën ka jetë,* i kam dhënë si ushqim gjithë bimësinë e gjelbër.»+ Dhe kështu u bë.
31 Pas kësaj Perëndia pa çdo gjë që kishte bërë dhe ja, ishte shumë mirë.+ Kështu erdhi mbrëmja e pastaj mëngjesi; dita e gjashtë.
2 Kështu përfunduan qiejt, toka dhe gjithçka në to.*+ 2 Ditën e shtatë Perëndia e kishte përfunduar gjithë veprën e tij dhe filloi të pushonte nga gjithë puna që kishte bërë.+ 3 Pastaj Perëndia e bekoi ditën e shtatë dhe e shpalli të shenjtë, sepse në këtë ditë filloi të pushonte nga gjithë vepra e tij krijuese, nga gjithçka që kishte si qëllim të bënte.
4 Kjo është historia e qiejve dhe e tokës, në kohën kur u krijuan, ditën që Perëndia Jehova* bëri tokën dhe qiellin.+
5 Në tokë nuk kishte asnjë shkurre nëpër fusha dhe nuk kishte mbirë ende asnjë lloj bime, sepse Perëndia Jehova s’kishte sjellë shi mbi tokë dhe s’kishte njeri që ta kultivonte. 6 Megjithatë, një mjegull ngrihej nga toka dhe ujiste gjithë sipërfaqen e saj.
7 Pastaj Perëndia Jehova formoi njeriun nga pluhuri+ i tokës dhe i fryu në vrimat e hundës frymën e jetës,+ dhe njeriu u bë një qenie* e gjallë.+ 8 Gjithashtu, Perëndia Jehova mbolli një kopsht në Eden,+ drejt lindjes, dhe vendosi atje njeriun që kishte formuar.+ 9 Perëndia Jehova bëri që nga toka të mbinte çdo pemë që të kënaqte syrin dhe që ishte e mirë për ushqim. Gjithashtu, në mes të kopshtit bëri të mbinte pema e jetës+ dhe pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes.+
10 Nga Edeni rridhte një lumë që ujiste kopshtin, dhe nga atje ai ndahej në katër lumenj.* 11 Emri i të parit është Pishon; ky rrethon gjithë vendin e Havilahut, ku ka ar. 12 Ari i atij vendi është i mirë; atje ka edhe rrëshirë bdeli dhe gurë oniksi. 13 Emri i lumit të dytë është Gihon; ky rrethon gjithë vendin e Kushit. 14 Emri i lumit të tretë është Hidekel;*+ ky shkon në lindje të Asirisë.+ Ndërsa lumi i katërt është Eufrati.+
15 Perëndia Jehova e mori njeriun dhe e vendosi në kopshtin e Edenit, që ta kultivonte e të kujdesej për të.+ 16 Pastaj Perëndia Jehova i dha këtë urdhër njeriut: «Mund të hash sa të ngopesh nga çdo pemë e kopshtit.+ 17 Por mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, sepse ditën që do të hash, pa dyshim ke për të vdekur.»+
18 Atëherë Perëndia Jehova tha: «Nuk është mirë që njeriu të mbetet vetëm. Do t’i jap një ndihmë, një plotësuese.»+ 19 Tani, Perëndia Jehova kishte formuar nga toka çdo kafshë të egër të tokës e çdo krijesë fluturuese të qiejve dhe filloi t’ia çonte ato njeriut për të parë si do ta quante secilën; atë emër që do t’i vinte njeriu çdo krijese* të gjallë, atë emër do të mbante.+ 20 Kështu njeriu u vuri emra gjithë kafshëve të buta, krijesave fluturuese të qiejve dhe çdo kafshe të egër të tokës. Megjithatë, ai vetë nuk kishte asnjë ndihmë, asnjë plotësuese. 21 Prandaj Perëndia Jehova e vuri njeriun në gjumë të thellë dhe i mori një nga brinjët ndërsa ky po flinte, e pastaj e mbylli prapë mishin. 22 Nga brinja që kishte marrë prej njeriut, Perëndia Jehova bëri një grua dhe ia çoi atij.+
23 Pastaj njeriu tha:
«Kjo është më në fund kockë e kockave të mia,
mish i mishit tim.
Do të quhet ‘grua’,
sepse u mor nga burri.»+
24 Ja pse burri do të lërë babanë dhe nënën e do të lidhet ngushtë* me gruan e vet, dhe do të bëhen një mish i vetëm.+ 25 Të dy, burri dhe gruaja, ishin ende lakuriq,+ e megjithatë nuk u vinte turp.
3 Gjarpri+ ishte më dinaku* nga të gjitha kafshët e egra që kishte bërë Perëndia Jehova. Kështu ai i tha gruas: «Vërtet ka thënë Perëndia që të mos hani nga çdo pemë e kopshtit?»+ 2 Gruaja iu përgjigj gjarprit: «Mund të hamë nga fryti i pemëve të kopshtit.+ 3 Por për frytin e pemës që është në mes të kopshtit,+ Perëndia ka thënë: ‘Mos e hani, madje as mos e prekni, përndryshe do të vdisni.’» 4 Atëherë gjarpri ia ktheu: «Ju s’keni për të vdekur aspak.+ 5 Por Perëndia e di se, po atë ditë që do të hani, sytë tuaj do të hapen e do të jeni si Perëndi, dhe do të njihni të mirën dhe të keqen.»+
6 Si rrjedhim, gruaja pa që pema ishte e mirë për ushqim dhe e dëshirueshme për sytë, po, pema të kënaqte syrin. Prandaj ajo mori nga fryti i pemës dhe hëngri.+ Më pas, kur ishin bashkë, i dha edhe burrit, e kështu hëngri edhe ai.+ 7 Atëherë të dyve iu hapën sytë dhe kuptuan se ishin lakuriq. Prandaj lidhën gjethe fiku për të mbuluar lakuriqësinë.*+
8 Më vonë dëgjuan zërin e Perëndisë Jehova ndërsa ai po ecte në kopsht kur frynte flladi i pasdites, dhe burri e gruaja u fshehën nga Perëndia Jehova mes pemëve të kopshtit. 9 Perëndia Jehova i thërriste burrit: «Ku je?» 10 Më në fund ai iu përgjigj: «Dëgjova zërin tënd në kopsht, por pata frikë, sepse isha lakuriq, prandaj u fsheha.» 11 Perëndia ia ktheu: «Kush të tha se ishe lakuriq?+ Mos ke ngrënë nga pema për të cilën të urdhërova të mos haje?»+ 12 Burri tha: «Gruaja që më dhe për shoqe, ajo më dha nga fryti i pemës, prandaj hëngra.» 13 Atëherë Perëndia Jehova i tha gruas: «Ç’ke bërë kështu?» Gruaja iu përgjigj: «Gjarpri më mashtroi, prandaj hëngra.»+
14 Pastaj Perëndia Jehova i tha gjarprit:+ «Meqë ke bërë këtë, je i mallkuar ndër të gjitha kafshët e buta dhe kafshët e egra. Do të ecësh me bark dhe do të hash pluhur gjithë ditët e jetës sate. 15 Unë do të vë armiqësi+ mes teje+ dhe gruas,+ mes pasardhësit* tënd+ dhe pasardhësit* të saj.+ Ai do të ta shtypë* kokën,+ dhe ti do ta godasësh* në thembër.»+
16 Gruas i tha: «Do të t’i shtoj së tepërmi dhembjet e shtatzënisë dhe me dhembje do të sjellësh në jetë fëmijë; do të digjesh nga dëshira për tët shoq dhe ai do të sundojë mbi ty.»
17 Adamit* i tha: «Meqë dëgjove zërin e gruas sate dhe hëngre nga fryti i pemës, për të cilën të urdhërova:+ ‘Mos ha prej saj’, toka është e mallkuar për fajin tënd;+ me dhembje do të hash frytin e saj gjithë ditët e jetës sate.+ 18 Toka do të rritë për ty gjemba e gjembaçë, ndërsa ti do të ushqehesh me bimësinë e fushës. 19 Do të hash bukë* me djersën e ballit, derisa të kthehesh në dhé, prej të cilit u formove,+ sepse ti je pluhur dhe në pluhur do të kthehesh.»+
20 Pas kësaj Adami e quajti gruan e tij Evë,* sepse ajo do të bëhej nëna e gjithë të gjallëve.+ 21 Perëndia Jehova bëri rroba të gjata prej lëkure kafshësh për Adamin dhe gruan e tij që të visheshin.+ 22 Pastaj Perëndia Jehova tha: «Ja, njeriu është bërë si një prej nesh, se njeh të mirën dhe të keqen.+ Tani, që të mos zgjatë dorën e të marrë edhe nga fryti i pemës së jetës,+ dhe të hajë e të jetojë përgjithnjë . . .» 23 Atëherë Perëndia Jehova e nxori jashtë kopshtit të Edenit,+ që të kultivonte tokën nga e cila ishte formuar.+ 24 Kështu ai e dëboi njeriun dhe, për të ruajtur udhën për te pema e jetës, vuri në lindje të kopshtit të Edenit kerubinët+ dhe një shpatë flakëruese që rrotullohej vazhdimisht.
4 Tani, Adami pati marrëdhënie me Evën, gruan e tij, që mbeti shtatzënë.+ Kur lindi Kainin,+ ajo tha: «Solla në jetë* një fëmijë, një mashkull, me ndihmën e Jehovait.» 2 Më vonë lindi vëllanë e tij, Abelin.+
Abeli u bë çoban dhensh, kurse Kaini kultivonte tokën. 3 Pas njëfarë kohe, Kaini solli disa fryte të tokës si blatim për Jehovain, 4 kurse Abeli solli disa pjella të para të kopesë së tij+ dhe dhjamin e tyre. Ndonëse Jehovai e pa me miratim Abelin dhe blatimin e tij,+ 5 nuk e pa fare me miratim Kainin dhe blatimin e tij. Prandaj Kaini u nxeh dhe u mërzit shumë.* 6 Atëherë Jehovai i tha Kainit: «Pse je kaq i nxehur dhe i mërzitur? 7 Nëse kthen rrugë dhe vepron mirë, a nuk do të kesh përsëri miratimin tim?! Por nëse jo, mëkati po të përgjon te porta dhe dëshiron me zjarr të të shtjerë në dorë. Po ti, a do ta mposhtësh?»
8 Pas kësaj Kaini i tha Abelit: «Hajde të shkojmë në fushë.» Kështu, kur ishin atje, Kaini e sulmoi të vëllanë, Abelin, dhe e vrau.+ 9 Më pas Jehovai e pyeti Kainin: «Ku është Abeli, yt vëlla?» Ky ia ktheu: «Nuk e di. Mos jam gjë roja i tim vëllai?» 10 Kështu Ai i tha: «Ç’ke bërë? Dëgjo! Gjaku i vëllait tënd po më thërret nga toka.+ 11 Tani je i mallkuar dhe i dëbuar nga kjo tokë që ka hapur gojën për të pirë gjakun e vëllait tënd, gjakun që derdhi dora jote.+ 12 Kur ta kultivosh tokën, ajo s’do të të japë fryte. Ti do të jesh në arrati dhe endacak në tokë.» 13 Kaini ia ktheu Jehovait: «Ndëshkimi për fajin tim është shumë i rëndë dhe s’e përballoj dot. 14 Ti po më dëbon sot nga ky vend* dhe s’do t’i kesh më sytë mbi mua. Do të jem në arrati dhe endacak në tokë, dhe pa dyshim kushdo që do të më gjejë, do të më vrasë.» 15 Atëherë Jehovai tha: «Që të mos ndodhë kjo, unë shpall se kushdo që e vret Kainin, do ta paguajë shtatëfish për gjakun e tij.»
Kështu Jehovai vendosi një shenjë* për Kainin, që kushdo që e gjente, të mos e vriste. 16 Pastaj Kaini iku nga prania e Jehovait dhe shkoi të jetonte në Vendin e Mërgimit,* në lindje të Edenit.+
17 Pastaj Kaini pati marrëdhënie me gruan e tij,+ që mbeti shtatzënë dhe lindi Enokun. Atëherë Kaini filloi të ndërtonte një qytet dhe i vuri emrin e të birit, Enok. 18 Më vonë, Enokut i lindi Iradi, Iradit i lindi Mehujaeli, Mehujaelit i lindi Metushaeli, dhe Metushaelit i lindi Lameku.
19 Lameku mori dy gra; e para quhej Ada dhe e dyta Zila. 20 Ada lindi Jabalin; ai ishte i pari që banoi në tenda dhe u mor me rritjen e bagëtisë. 21 Vëllai i tij quhej Jubal; ai ishte i pari që i ra harpës dhe fyellit.* 22 Kurse Zila lindi Tubal-Kainin, që farkëtonte çdo lloj vegle bakri e hekuri, dhe motra e Tubal-Kainit ishte Namaha. 23 Pastaj Lameku thuri këto vargje për gratë e tij, Adën dhe Zilën:
«Dëgjoni zërin tim, o gra të Lamekut,
vëruni veshin fjalëve të mia:
vrava një njeri ngaqë më plagosi,
po, një djalë të ri ngaqë më goditi.
25 Adami pati përsëri marrëdhënie me të shoqen, e cila lindi një djalë; ajo e quajti Set,*+ sepse tha: «Perëndia më dha* një pasardhës* tjetër në vend të Abelit, meqë atë e vrau Kaini.»+ 26 Edhe Setit i lindi një djalë, dhe ai e quajti Enos.+ Në atë kohë zunë të thërritnin* emrin e Jehovait.
5 Ky është libri i historisë së Adamit. Ditën kur e krijoi, Perëndia e bëri Adamin në ngjashmëri me të.+ 2 Ai i krijoi ata mashkull dhe femër.+ Ditën që i krijoi,+ i bekoi dhe u vuri emrin «njeri».*
3 Adami ishte 130 vjeç kur i lindi një djalë në ngjashmëri me të, sipas imazhit të tij, dhe e quajti Set.+ 4 Pas lindjes së Setit, Adami jetoi edhe 800 vjet, dhe i lindën bij e bija. 5 Kështu Adami jetoi gjithsej 930 vjet dhe pastaj vdiq.+
6 Seti ishte 105 vjeç kur i lindi Enosi.+ 7 Pas lindjes së Enosit, Seti jetoi edhe 807 vjet, dhe i lindën bij e bija. 8 Kështu Seti jetoi gjithsej 912 vjet dhe pastaj vdiq.
9 Enosi ishte 90 vjeç kur i lindi Kenani. 10 Pas lindjes së Kenanit, Enosi jetoi edhe 815 vjet, dhe i lindën bij e bija. 11 Kështu Enosi jetoi gjithsej 905 vjet dhe pastaj vdiq.
12 Kenani ishte 70 vjeç kur i lindi Mahalaleli.+ 13 Pas lindjes së Mahalalelit, Kenani jetoi edhe 840 vjet, dhe i lindën bij e bija. 14 Kështu Kenani jetoi gjithsej 910 vjet dhe pastaj vdiq.
15 Mahalaleli ishte 65 vjeç kur i lindi Jaredi.+ 16 Pas lindjes së Jaredit, Mahalaleli jetoi edhe 830 vjet, dhe i lindën bij e bija. 17 Kështu Mahalaleli jetoi gjithsej 895 vjet dhe pastaj vdiq.
18 Jaredi ishte 162 vjeç kur i lindi Enoku.+ 19 Pas lindjes së Enokut, Jaredi jetoi edhe 800 vjet, dhe i lindën bij e bija. 20 Kështu Jaredi jetoi gjithsej 962 vjet dhe pastaj vdiq.
21 Enoku ishte 65 vjeç kur i lindi Metuselahu.+ 22 Pas lindjes së Metuselahut, Enoku vazhdoi të ecte me Perëndinë e vërtetë* edhe për 300 vjet, dhe i lindën bij e bija. 23 Kështu, Enoku jetoi gjithsej 365 vjet. 24 Enoku eci besnikërisht me Perëndinë e vërtetë.+ Më pas, ai nuk ishte më, sepse Perëndia e mori.+
25 Metuselahu ishte 187 vjeç kur i lindi Lameku.+ 26 Pas lindjes së Lamekut, Metuselahu jetoi edhe 782 vjet, dhe i lindën bij e bija. 27 Kështu Metuselahu jetoi gjithsej 969 vjet dhe pastaj vdiq.
28 Lameku ishte 182 vjeç kur i lindi një djalë. 29 Ai ia vuri emrin Noe,*+ se tha: «Ky do të na sjellë ngushëllim* për punën tonë dhe për mundin e duarve tona, ngaqë tokën e ka mallkuar Jehovai.»+ 30 Pas lindjes së Noesë, Lameku jetoi edhe 595 vjet, dhe i lindën bij e bija. 31 Kështu Lameku jetoi gjithsej 777 vjet dhe pastaj vdiq.
32 Pasi u bë 500 vjeç, Noesë i lindi Semi,+ Kami+ dhe Jafeti.+
6 Kur njerëzit filluan të shtoheshin mbi faqen e dheut dhe u lindën bija, 2 bijve të Perëndisë së vërtetë*+ u ra në sy që bijat e njerëzve ishin të bukura, kështu morën për gra të gjitha ato që zgjodhën. 3 Pastaj Jehovai tha: «Unë* nuk do të tregohem gjithmonë i duruar me njeriun,+ sepse ai s’është veçse mish e gjak.* Prandaj ditët e tij do të shkojnë deri në 120 vjet.»+
4 Në ato ditë, madje edhe më pas, në tokë kishte nefilimë,* sepse bijtë e Perëndisë së vërtetë patën marrëdhënie me bijat e njerëzve dhe ato u lindën bij; ata ishin të fuqishmit e kohëve të lashta, burra me famë.
5 Si pasojë, Jehovai pa që ligësia e njeriut ishte e madhe në tokë, dhe se mendja e zemra e tij prireshin drejt së keqes gjithë kohën.+ 6 Jehovait i erdhi keq* që kishte bërë njerëz në tokë dhe u hidhërua* shumë në zemër.+ 7 Prandaj Jehovai tha: «Do t’i fshij nga faqja e dheut njerëzit që kam krijuar, si edhe kafshët e buta, kafshët zvarritëse dhe krijesat fluturuese të qiejve, sepse më vjen keq që i bëra.» 8 Kurse Noenë, Jehovai e pa me miratim.
9 Kjo është historia e Noesë.
Noeja ishte njeri i drejtë.+ Ai ishte i patëmetë* mes bashkëkohësve* të tij. Noeja eci me Perëndinë e vërtetë.+ 10 Me kalimin e kohës, i lindën tre djem: Semi, Kami dhe Jafeti.+ 11 Por toka ishte prishur në sytë e Perëndisë së vërtetë dhe ishte plot dhunë. 12 Po, Perëndia e pa tokën dhe ajo ishte prishur,+ e çdo njeri* ecte në udhë të shtrembër.+
13 Pas kësaj Perëndia i tha Noesë: «Kam vendosur t’i jap fund çdo njeriu, sepse toka është plot dhunë për shkak të tyre, prandaj do të shkatërroj njerëzit dhe tokën.+ 14 Bëj një arkë* me dru rrëshinor;+ bëje arkën me ndarje dhe mbuloje me zift*+ jashtë e brenda. 15 Ja si do ta bësh: arka duhet të jetë 300 kute* e gjatë, 50 kute e gjerë dhe 30 kute e lartë. 16 Bëji arkës një dritare për dritën* një kut poshtë kulmit. Hyrjen bëja anash+ dhe bëji një kat të poshtëm, një kat të dytë dhe një kat të tretë.
17 Dhe unë do të derdh mbi tokë ujërat e përmbytjes,+ që të shfaros nën qiej çdo qenie të gjallë* që ka frymën e jetës;* çdo gjë në tokë do të marrë fund.+ 18 Kurse me ty po bëj një besëlidhje, dhe ti duhet të futesh në arkë bashkë me djemtë e tu, gruan dhe gratë e djemve të tu.+ 19 Fut në arkë dy nga çdo lloj krijese të gjallë,+ mashkull dhe femër, për t’i ruajtur gjallë bashkë me ty.+ 20 Nga krijesat fluturuese sipas llojeve të tyre, nga kafshët e buta sipas llojeve të tyre dhe nga të gjitha kafshët zvarritëse sipas llojeve të tyre, do të vijnë te ti dy nga secila, që të hyjnë në arkë për t’i ruajtur gjallë.+ 21 Kurse ti mblidh dhe merr me vete ushqim të çdo lloji,+ që të hani ju dhe kafshët.»
22 Noeja veproi në përputhje me të gjitha ato që i urdhëroi Perëndia. Ai bëri pikërisht ashtu.+
7 Pastaj Jehovai i tha Noesë: «Hyr në arkë ti dhe gjithë familja jote, sepse kam parë se mes këtij brezi ti je i drejtë në sytë e mi.+ 2 Nga çdo lloj kafshe të pastër merr shtatë,*+ mashkull dhe femër. Nga çdo kafshë të papastër merr vetëm dy, mashkullin dhe femrën. 3 Po ashtu, nga krijesat fluturuese të qiejve merr shtatë,* mashkull dhe femër, për t’i ruajtur gjallë pasardhësit e tyre në mbarë tokën,+ 4 sepse vetëm pas shtatë ditësh do të sjell shi+ mbi tokë për 40 ditë e 40 net+ dhe do të fshij nga faqja e dheut çdo qenie të gjallë që kam bërë.»+ 5 Kështu Noeja bëri gjithçka që i urdhëroi Jehovai.
6 Noeja ishte 600 vjeç kur u derdhën ujërat e përmbytjes në tokë.+ 7 Kështu Noeja, djemtë e tij, e shoqja dhe gratë e djemve, hynë në arkë para se të derdheshin ujërat e përmbytjes.+ 8 Kafshët e pastra dhe të papastra, krijesat fluturuese dhe çdo gjë që lëviz në tokë,+ 9 hynë në arkë te Noeja dy nga dy, mashkull e femër, pikërisht siç e urdhëroi Perëndia Noenë. 10 Shtatë ditë më vonë ujërat e përmbytjes u derdhën mbi tokë.
11 Vitin e 600-të të jetës së Noesë, muajin e dytë, ditën e 17-të të muajit, pikërisht atë ditë shpërthyen gjithë burimet e ujërave të thella e të paana dhe u hapën portat e qiejve.+ 12 Mbi tokë ra shi për 40 ditë e 40 net. 13 Po atë ditë Noeja hyri në arkë bashkë me djemtë, Semin, Kamin dhe Jafetin,+ të shoqen dhe tri gratë e djemve.+ 14 Bashkë me ta hyri edhe çdo kafshë e egër sipas llojit të vet, çdo kafshë e butë sipas llojit të vet, çdo kafshë zvarritëse sipas llojit të vet, çdo krijesë fluturuese sipas llojit të vet, çdo zog dhe çdo krijesë me krahë. 15 Të gjitha krijesat e gjalla që kishin frymën e jetës,* shkuan në arkë te Noeja dy nga dy; 16 hynë mashkull e femër nga çdo lloj krijese e gjallë, pikërisht ashtu siç e urdhëroi Perëndia Noenë. Pas kësaj Jehovai e mbylli derën.
17 Përmbytja vazhdoi për 40 ditë mbi tokë; niveli i ujërave ngrihej e ngrihej dhe ato nisën ta mbanin arkën lart, e cila pluskonte mbi ujëra të thella. 18 Ujërat u bënë gjithnjë e më të furishme dhe vazhduan të ngriheshin, kurse arka pluskonte mbi ujëra. 19 Ujërat e përmbytën tokën aq shumë, sa u mbuluan të gjitha malet e larta nën tërë qiejt.+ 20 Ujërat u ngritën deri në 15 kute* mbi male.
21 Kështu mori fund çdo krijesë e gjallë* që lëvizte në tokë:+ krijesat fluturuese, kafshët e buta, kafshët e egra dhe krijesat e vogla që rrinin në tufa,* si dhe të gjithë njerëzit.+ 22 Çdo gjë në tokë të thatë që kishte në vrimat e hundës frymën e jetës,* mori fund.+ 23 Ai fshiu nga faqja e dheut çdo qenie të gjallë: njerëzit, kafshët,* kafshët zvarritëse dhe krijesat fluturuese të qiejve. Të gjitha u fshinë nga faqja e dheut.+ Mbijetuan vetëm Noeja dhe ata që ishin me të në arkë.+ 24 Ujërat e përmbytën tokën për 150 ditë.+
8 Por Perëndia nuk e harroi Noenë dhe të gjitha kafshët e egra e të buta që ishin me të në arkë.+ Prandaj Perëndia bëri që mbi tokë të frynte erë, dhe niveli i ujërave filloi të binte. 2 Burimet e ujërave të thella dhe portat e qiejve u mbyllën, kështu nuk ra më shi* nga qiejt.+ 3 Pastaj ujërat nisën të tërhiqeshin pak e nga pak nga toka, dhe në fund të 150 ditëve kishin rënë mjaft. 4 Muajin e shtatë, ditën e 17-të të muajit, arka u ndal në një nga malet e Araratit. 5 Niveli i ujërave vazhdoi të binte deri në muajin e dhjetë, dhe ditën e parë të muajit të dhjetë, u shfaqën majat e maleve.+
6 Kështu, pas 40 ditëve, Noeja hapi dritaren+ që kishte bërë në arkë 7 dhe lëshoi përjashta një korb; ai vazhdoi të fluturonte e të kthehej prapë në arkë, derisa ujërat në tokë u thanë.
8 Më vonë lëshoi përjashta një pëllumb për të parë nëse ujërat ishin tërhequr nga sipërfaqja e tokës. 9 Pëllumbi nuk gjeti vend ku të qëndronte* dhe u kthye tek ai në arkë, ngaqë ujërat ende mbulonin sipërfaqen e gjithë tokës.+ Prandaj Noeja nxori dorën jashtë dhe e futi pëllumbin në arkë. 10 Priti edhe shtatë ditë të tjera dhe e lëshoi prapë pëllumbin. 11 Aty nga mbrëmja, kur pëllumbi vajti tek ai, Noeja pa se në sqep kishte një gjethe ulliri të porsakëputur, e kështu kuptoi që ujërat ishin tërhequr nga toka.+ 12 Ai priti edhe shtatë ditë, e pastaj e la të lirë pëllumbin, i cili nuk u kthye më.
13 Vitin e 601-të,+ muajin e parë, ditën e parë të muajit, ujërat ishin tërhequr nga toka. Noeja hoqi një pjesë të çatisë* së arkës dhe pa që sipërfaqja e tokës po thahej. 14 Muajin e dytë, ditën e 27-të të muajit, toka ishte tharë krejt.
15 Tani Perëndia i tha Noesë: 16 «Dil nga arka, ti, gruaja jote, djemtë e tu dhe gratë e djemve të tu.+ 17 Nxirr jashtë edhe të gjitha krijesat e gjalla të çdo lloji:+ krijesat fluturuese, kafshët* dhe gjithë kafshët zvarritëse, që të shtohen, të jenë të frytshme e të shumohen në tokë.»+
18 Kështu Noeja doli, e bashkë me të djemtë,+ e shoqja dhe gratë e djemve. 19 Çdo krijesë e gjallë, çdo kafshë zvarritëse dhe çdo krijesë fluturuese, çdo gjë që lëviz në tokë doli nga arka sipas llojit të vet.+ 20 Pastaj Noeja ndërtoi një altar+ për Jehovain, mori disa kafshë të pastra e disa krijesa fluturuese të pastra+ dhe paraqiti blatime të djegura mbi altar.+ 21 Jehovai ndjeu një aromë të këndshme.* Kështu Jehovai tha: «S’do ta mallkoj më kurrë tokën+ për shkak të njerëzve, sepse zemra e njeriut priret nga e keqja që në fëmijëri.+ S’do të shfaros më kurrë çdo gjë të gjallë, siç bëra.+ 22 Që sot e tutje, në tokë do të ketë gjithnjë të mbjella dhe të korra, të ftohtë e të nxehtë, verë e dimër, ditë e natë.»+
9 Pastaj Perëndia e bekoi Noenë me djemtë e tij dhe u tha: «Jini të frytshëm, shumohuni dhe mbusheni tokën.+ 2 Çdo krijesë e gjallë në tokë, çdo krijesë fluturuese në qiej, çdo gjë që lëviz në tokë dhe të gjithë peshqit e detit do të vazhdojnë të kenë frikë e tmerr nga ju. Tani janë në duart tuaja.*+ 3 Po ju jap si ushqim çdo kafshë që lëviz dhe ka jetë;+ ashtu si ju dhashë bimësinë e gjelbër, po ju jap edhe të gjitha këto.+ 4 Vetëm mos e hani+ mishin me jetën* e tij, domethënë me gjakun e tij.+ 5 Veç kësaj do të kërkoj llogari për jetën tuaj, për gjakun tuaj.* Do t’i kërkoj llogari çdo krijese të gjallë; do t’i kërkoj llogari çdo njeriu për jetën e vëllait të vet.+ 6 Kujtdo që derdh gjak njeriu, do t’i derdhet gjaku nga dora e njeriut,+ sepse Perëndia e bëri njeriun sipas imazhit të vet.+ 7 Pra jini të frytshëm, shumohuni dhe shtohuni sa më shumë e mbusheni tokën.»+
8 Më pas Perëndia i tha Noesë dhe djemve të tij: 9 «Po bëj një besëlidhje me ju,+ me pasardhësit tuaj 10 dhe me çdo krijesë* të gjallë që doli nga arka me ju: zogjtë, kafshët* dhe të gjitha krijesat e gjalla të tokës, po, me çdo krijesë të gjallë të tokës.+ 11 Ja besëlidhja që po bëj me ju: s’do të shfaroset më kurrë çdo qenie e gjallë* nga ujërat e një përmbytjeje, dhe nuk do të ketë më kurrë përmbytje që të shkatërrojë krejt tokën.»+
12 Perëndia shtoi: «Kjo është shenja e besëlidhjes që po bëj mes meje e jush dhe çdo krijese* të gjallë që është me ju, brez pas brezi. 13 Po vë ylberin tim në re, që do të jetë shenjë e besëlidhjes mes meje dhe tokës. 14 Kur të sjell re mbi tokë, në to do të shfaqet ylberi, 15 dhe unë do ta kujtoj besëlidhjen që bëra mes meje e jush dhe çdo lloj krijese të gjallë.* Ujërat nuk do të shkaktojnë më kurrë një përmbytje që të shfarosë çdo qenie të gjallë.+ 16 Ylberi do të dalë në re, dhe unë do ta shoh e do të kujtoj besëlidhjen e përhershme mes meje e jush dhe çdo lloj krijese të gjallë në tokë.»
17 Perëndia i tha përsëri Noesë: «Kjo është shenja e besëlidhjes që po bëj mes meje dhe çdo qenieje të gjallë që është në tokë.»+
18 Djemtë e Noesë që dolën nga arka ishin Semi, Kami dhe Jafeti.+ Më vonë Kamit i lindi Kanani.+ 19 Këta të tre ishin djemtë e Noesë dhe prej këtyre u popullua e gjithë toka.+
20 Tani, Noeja filloi të punonte si bujk dhe mbolli një vresht. 21 Pasi piu verë, u deh dhe u zhvesh brenda tendës. 22 Kami, babai i Kananit, pa lakuriqësinë e të atit dhe ua tregoi dy vëllezërve të tij që ishin jashtë. 23 Atëherë Semi dhe Jafeti morën një mantel, e hodhën mbi supe dhe hynë në tendë duke ecur mbrapsht. Kështu e mbuluan të atin ndërkohë që fytyrat i kishin kthyer nga ana tjetër, ndaj nuk e panë lakuriqësinë e tij.
24 Pasi i doli vera, Noeja u zgjua, mori vesh ç’i kishte bërë djali më i vogël 25 dhe tha:
«Mallkuar qoftë Kanani!+
Qoftë skllavi më i ulët i vëllezërve të tij!»+
26 Pastaj shtoi:
«Lëvduar qoftë Jehovai, Perëndia i Semit!
Ndërsa Kanani u bëftë skllavi i tij!+
27 Perëndia i dhëntë Jafetit një vend të gjerë!
Banoftë Jafeti në tendat e Semit!
Kurse Kanani u bëftë edhe skllav i tij!»
28 Noeja jetoi edhe 350 vjet pas Përmbytjes.+ 29 Kështu ai jetoi gjithsej 950 vjet dhe pastaj vdiq.
10 Kjo është historia e djemve të Noesë: Semit,+ Kamit dhe Jafetit.
Pas Përmbytjes atyre u lindën bij.+ 2 Bijtë e Jafetit ishin: Gomeri,+ Magogu,+ Madai, Javani, Tubali,+ Mesheku+ dhe Tirasi.+
3 Bijtë e Gomerit ishin: Ashkenazi,+ Rifati dhe Togarmahu.+
4 Bijtë e Javanit ishin: Elishahu,+ Tarshishi,+ Kitimi+ dhe Dodanimi.
5 Nga këta erdhën banorët e ishujve,* të cilët u shpërndanë në vendet e tyre sipas gjuhëve, familjeve dhe kombeve të tyre.
6 Bijtë e Kamit ishin: Kushi, Mizraimi,+ Puti+ dhe Kanani.+
7 Bijtë e Kushit ishin: Sebai,+ Havilahu, Sabtahu, Ramahu+ dhe Sabtekai.
Bijtë e Ramahut ishin Sheba dhe Dedani.
8 Kushit i lindi edhe Nimrodi. Ai ishte njeriu i parë që u bë i fuqishëm në tokë. 9 Ai u bë gjahtar* i fuqishëm, kundërshtar i Jehovait. Ja pse thuhet: «Ky është tamam si Nimrodi, gjahtar i fuqishëm, kundërshtar i Jehovait.» 10 Mbretëria e tij fillonte nga* Babeli,+ Ereku,+ Akadi dhe Kalnehu, në vendin e Shinarit.+ 11 Prej andej ai shkoi në Asiri+ dhe ndërtoi Ninevinë,+ Rehobot-Irin, Kalahun 12 dhe Resenin, që ishte mes Ninevisë dhe Kalahut: ky është qyteti i madh.*
13 Mizraimit i lindën: Ludimi,+ Anamimi, Lehabimi, Naftuhimi,+ 14 Patrusimi,+ Kasluhimi (prej nga erdhën filistinët)+ dhe Kaftorimi.+
15 Kananit i lindi Sidoni,+ i parëlinduri, dhe Hethi.+ 16 Prej tij erdhën edhe jebusitët,+ amoritët,+ girgasitët, 17 hivitët,+ arkitët, sinitët, 18 arvaditët,+ zemaritët dhe hamathitët.+ Pastaj familjet kananite u shpërndanë. 19 Kështu kufiri i vendit të kananitëve ishte nga Sidoni deri në Gerar,+ pranë Gazës,+ deri në Sodomë, Gomorrë,+ Admah dhe Sebojim,+ pranë Lashës. 20 Këta ishin bijtë e Kamit sipas familjeve, gjuhëve, vendeve dhe kombeve të tyre.
21 Edhe Semi, paraardhësi i të gjithë bijve të Eberit+ dhe vëlla i Jafetit, më të madhit,* u bë me fëmijë. 22 Bijtë e Semit ishin: Elami,+ Ashuri,+ Arpakshadi,+ Ludi dhe Arami.+
23 Bijtë e Aramit ishin: Uzi, Huli, Geteri dhe Mashi.
24 Arpakshadit i lindi Shelahu,+ dhe Shelahut i lindi Eberi.
25 Eberit i lindën dy bij. Emri i njërit ishte Peleg,*+ sepse gjatë jetës së tij toka* u nda, ndërsa emri i të vëllait ishte Joktan.+
26 Joktanit i lindën: Almodadi, Shelefi, Hazarmaveti, Jerahu,+ 27 Hadorami, Uzali, Diklahu, 28 Obali, Abimaeli, Sheba, 29 Ofiri,+ Havilahu dhe Jobabi; të gjithë këta ishin bijtë e Joktanit.
30 Vendbanimi i tyre shtrihej nga Mesha deri në Sefar, në rajonin malor të Lindjes.
31 Këta ishin bijtë e Semit sipas familjeve, gjuhëve, vendeve dhe kombeve të tyre.+
32 Këto ishin familjet e djemve të Noesë, sipas gjenealogjisë dhe kombeve të tyre; nga këto familje erdhën kombet që u shpërndanë në gjithë tokën pas Përmbytjes.+
11 Tani, gjithë toka fliste vetëm një gjuhë dhe përdorte të njëjtat fjalë.* 2 Ndërsa udhëtonin drejt lindjes, njerëzit zbuluan një rrafshinë në vendin e Shinarit+ dhe filluan të banonin atje. 3 Atëherë i thanë njëri-tjetrit: «Oburra! Të bëjmë tulla e t’i pjekim në zjarr.» Kështu përdorën tulla në vend të gurëve dhe bitum si llaç. 4 Pastaj thanë: «Hajde! Të ndërtojmë një qytet për veten tonë, si edhe një kullë, maja e së cilës të prekë qiejt, dhe të bëhemi të famshëm, që të mos shpërndahemi në mbarë faqen e dheut.»+
5 Atëherë Jehovai zbriti për të parë qytetin dhe kullën që kishin ndërtuar bijtë e njerëzve. 6 Pastaj Jehovai tha: «Ata janë një popull i vetëm, flasin një gjuhë të vetme+ dhe ja çfarë kanë filluar të bëjnë. Tani, çdo gjë që do t’u vijë ndër mend, do ta arrijnë patjetër. 7 Eja, le të zbresim+ e t’ua ngatërrojmë gjuhën, që të mos e kuptojnë më njëri-tjetrin.» 8 Kështu Jehovai i shpërndau nga atje në mbarë faqen e dheut,+ dhe pak nga pak ata e ndërprenë ndërtimin e qytetit. 9 Ja pse u quajt Babel,*+ sepse atje Jehovai ngatërroi gjuhën e gjithë tokës; nga atje Jehovai i shpërndau në mbarë faqen e dheut.
10 Kjo është historia e Semit.+
Semi ishte 100 vjeç kur i lindi Arpakshadi,+ dy vjet pas Përmbytjes. 11 Pas lindjes së Arpakshadit, Semi jetoi edhe 500 vjet dhe i lindën bij e bija.+
12 Arpakshadi ishte 35 vjeç kur i lindi Shelahu.+ 13 Pas lindjes së Shelahut, Arpakshadi jetoi edhe 403 vjet dhe i lindën bij e bija.
14 Shelahu ishte 30 vjeç kur i lindi Eberi.+ 15 Pas lindjes së Eberit, Shelahu jetoi edhe 403 vjet dhe i lindën bij e bija.
16 Eberi ishte 34 vjeç kur i lindi Pelegu.+ 17 Pas lindjes së Pelegut, Eberi jetoi edhe 430 vjet dhe i lindën bij e bija.
18 Pelegu ishte 30 vjeç kur i lindi Reu.+ 19 Pas lindjes së Reut, Pelegu jetoi edhe 209 vjet dhe i lindën bij e bija.
20 Reu ishte 32 vjeç kur i lindi Serugu. 21 Pas lindjes së Serugut, Reu jetoi edhe 207 vjet dhe i lindën bij e bija.
22 Serugu ishte 30 vjeç kur i lindi Nahori. 23 Pas lindjes së Nahorit, Serugu jetoi edhe 200 vjet dhe i lindën bij e bija.
24 Nahori ishte 29 vjeç kur i lindi Terahu.+ 25 Pas lindjes së Terahut, Nahori jetoi edhe 119 vjet dhe i lindën bij e bija.
26 Pasi kishte mbushur 70 vjeç, Terahut i lindi Abrami,+ Nahori+ dhe Harani.
27 Kjo është historia e Terahut.
Terahut i lindi Abrami, Nahori dhe Harani. Haranit i lindi Loti.+ 28 Harani vdiq në vendlindje, në Ur+ të kaldeasve,+ ndërsa ishte ende gjallë i ati, Terahu. 29 Abrami dhe Nahori u martuan; gruaja e Abramit quhej Saraja,+ ndërsa gruaja e Nahorit quhej Milka+ dhe ishte bijë e Haranit, i cili ishte i ati i Milkës dhe i Iskës. 30 Mirëpo Saraja ishte shterpë,+ nuk kishte fëmijë.
31 Pastaj Terahu mori me vete të birin, Abramin, nipin e tij,+ Lotin, pra birin e Haranit, dhe nusen e Abramit, Sarajën, e të gjithë këta dolën nga Uri i kaldeasve për të shkuar në vendin e Kananit.+ Me kalimin e kohës arritën në Haran+ dhe filluan të banonin atje. 32 Terahu jetoi 205 vjet, pastaj vdiq në Haran.
12 Tani, Jehovai i tha Abramit: «Largohu nga vendi yt, nga farefisi yt dhe nga shtëpia e atit tënd dhe shko në vendin që do të të tregoj.+ 2 Unë do të të bëj një komb të madh, do të të bekoj e do ta bëj të madh emrin tënd, dhe ti do të bëhesh bekim për të tjerët.+ 3 Do t’i bekoj ata që të bekojnë dhe do t’i mallkoj ata që të mallkojnë.+ Pa dyshim, gjithë familjet e tokës do të bekohen* nëpërmjet teje.»+
4 Atëherë Abrami iku, ashtu siç i kishte thënë Jehovai, dhe Loti shkoi me të. Abrami ishte 75 vjeç kur iku nga Harani.+ 5 Abrami mori të shoqen, Sarajën,+ djalin e të vëllait, Lotin,+ gjithë zotërimet që kishin grumbulluar,+ gjithë shërbëtorët që ishin me ta në Haran, dhe u nisën për në vendin e Kananit.+ Kur mbërritën në Kanan, 6 Abrami e përshkoi vendin deri në rajonin e Sikemit,+ pranë pemëve të mëdha të Morehut.+ Në atë kohë, në vend ndodheshin kananitët. 7 Atëherë Jehovai iu shfaq Abramit dhe i tha: «Unë do t’ia jap këtë vend pasardhësit*+ tënd.»+ Kështu Abrami ndërtoi një altar për Jehovain, që i ishte shfaqur atje. 8 Më vonë iku që andej e shkoi në rajonin malor në lindje të Bethelit+ dhe e ngriti tendën mes Bethelit dhe Ait; Bethelin e kishte në perëndim dhe Ain+ në lindje. Atje ndërtoi një altar për Jehovain+ dhe nisi t’i thurte lavde emrit të Jehovait.+ 9 Pastaj Abrami e mblodhi kampin dhe mori rrugën drejt Negebit,+ duke e lëvizur kampin nga një vend në tjetrin.
10 Tani, në vend ra zi buke, e meqë zia ishte e rëndë,+ Abrami zbriti që të banonte në Egjipt për ca kohë.*+ 11 Kur po hynte në Egjipt, i tha së shoqes, Sarajës: «Më dëgjo, të lutem! Unë e di që je një grua shumë e bukur+ 12 dhe, kur të të shohin, egjiptianët me siguri do të thonë: ‘Kjo është gruaja e tij.’ Pastaj mua do të më vrasin, ndërsa ty do të të lënë gjallë. 13 Të lutem, thuaj se je motra ime që të më trajtojnë mirë për hatrin tënd dhe të më kursehet jeta.»*+
14 Sapo Abrami hyri në Egjipt, egjiptianët vunë re që gruaja ishte shumë e bukur. 15 E panë edhe princat e faraonit dhe nisën ta lavdëronin gruan para tij, prandaj Sarajën e çuan në shtëpinë e faraonit. 16 Ai e trajtoi mirë Abramin për hatër të saj dhe i dha dhen, gjedhë, gomarë e gomarica, shërbyes e shërbyese dhe deve.+ 17 Mirëpo Jehovai e goditi me plagë të rënda faraonin dhe familjen e shërbëtorët e tij për shkak të Sarajës, gruas së Abramit.+ 18 Atëherë faraoni e thirri Abramin dhe i tha: «Ç’është kjo që më bëre? Pse nuk më the që ishte gruaja jote? 19 Pse the: ‘Është motra ime.’+ Për pak sa s’e mora për grua! Ja tek e ke gruan tënde. Merre dhe shko!» 20 Kështu faraoni u dha urdhër njerëzve të vet ta largonin Abramin bashkë me gruan e gjithë ç’kishte, dhe ata i larguan.+
13 Pastaj Abrami u nis nga Egjipti për në Negeb+ me të shoqen dhe me gjithë ç’kishte; edhe Loti ishte me të. 2 Abrami ishte shumë i pasur me bagëti, argjend dhe ar.+ 3 Ai udhëtoi nga Negebi në Bethel, duke e ngritur kampin nga një vend në tjetrin, derisa arriti në vendin ku kishte pasur fillimisht tendën, mes Bethelit dhe Ait,+ 4 aty ku kishte ndërtuar në fillim altarin. Atje Abrami i thuri lavde emrit të Jehovait.
5 Edhe Loti, që po udhëtonte bashkë me Abramin, zotëronte dhen, gjedhë e tenda. 6 Prandaj vendi nuk i mbante dot të gjithë, sepse i kishin shtuar zotërimet aq shumë, saqë nuk mund të banonin më bashkë. 7 Si pasojë, çobanët e bagëtisë së Abramit filluan të bënin fjalë me çobanët e bagëtisë së Lotit. (Në atë kohë, në vend banonin kananitët dhe perezitët.)+ 8 Prandaj Abrami i tha Lotit:+ «Të lutem, s’është mirë që unë e ti të bëjmë fjalë, as çobanët e mi me çobanët e tu, sepse jemi vëllezër. 9 Ja ku e ke gjithë vendin para teje. Të lutem, ndahu nga unë. Nëse ti shkon majtas, unë do të shkoj djathtas, por nëse ti shkon djathtas, unë do të shkoj majtas.» 10 Kështu Loti ngriti sytë dhe pa se e gjithë krahina e Jordanit+ ishte një zonë e ujitur mirë, ishte si kopshti i Jehovait,+ si vendi i Egjiptit, deri në Zoar,+ përpara se Jehovai të shkatërronte Sodomën dhe Gomorrën. 11 Atëherë Loti zgjodhi për vete gjithë krahinën e Jordanit dhe e zhvendosi kampin e tij në lindje. Kështu u ndanë nga njëri-tjetri. 12 Abrami qëndroi në vendin e Kananit, ndërsa Loti shkoi të banonte afër qyteteve të krahinës së Jordanit,+ dhe në fund i ngriti tendat pranë Sodomës. 13 Njerëzit e Sodomës ishin të ligj dhe mëkatonin rëndë kundër Jehovait.+
14 Pasi Loti ishte ndarë nga ai, Jehovai i tha Abramit: «Të lutem, ngriji sytë dhe, nga vendi ku je, shiko drejt veriut, drejt jugut, drejt lindjes dhe drejt perëndimit, 15 sepse gjithë vendin që po shikon, do të ta jap ty dhe pasardhësit* tënd si zotërim të përhershëm.+ 16 Do ta shtoj pasardhësin* tënd si grimcat e pluhurit të tokës, dhe nëse do të mund të numërohen grimcat e pluhurit të tokës, atëherë do të mund të numërohet edhe pasardhësi yt.+ 17 Ngrihu dhe bjeri vendit për së gjati e për së gjeri, sepse do të ta jap ty.» 18 Kështu Abrami vazhdoi të jetonte në tenda. Më vonë shkoi të banonte mes pemëve të mëdha në Mamre,+ që gjenden në Hebron,+ dhe atje i ndërtoi Jehovait një altar.+
14 Tani, në ato ditë, Amrafeli, mbreti i Shinarit,+ Arioku, mbreti i Elasarit, Kedorlaomeri,+ mbreti i Elamit+ dhe Tidali, mbreti i Gojimit, 2 bënë luftë me Berën, mbretin e Sodomës,+ me Birshain, mbretin e Gomorrës,+ me Shinabin, mbretin e Admahut, me Shemeberin, mbretin e Sebojimit+ dhe me mbretin e Belahut, domethënë të Zoarit. 3 Të gjithë këta bashkuan forcat në luginën* e Sidimit,+ domethënë në Detin e Kripur.*+
4 Ata i kishin shërbyer Kedorlaomerit për 12 vjet, por vitin e 13-të u rebeluan. 5 Vitin e 14-të, Kedorlaomeri bashkë me mbretërit që ishin me të, dolën kundër tyre dhe i mposhtën refaimët në Ashterot-Karnaim, zuzimët në Kam, emimët+ në Shaveh-Kiriataim 6 dhe horitët+ në malin e tyre, në Seir,+ deri në El-Paran, që është në shkretëtirë. 7 Pastaj u kthyen dhe vajtën në En-Mishpat, domethënë në Kadesh,+ dhe pushtuan gjithë territorin e amalekitëve,+ si dhe mposhtën amoritët+ që banonin në Hazazon-Tamar.+
8 Atëherë mbreti i Sodomës u nis, e po kështu edhe mbreti i Gomorrës, mbreti i Admahut, mbreti i Sebojimit dhe mbreti i Belahut, domethënë i Zoarit, dhe u rreshtuan në formacion luftimi kundër tyre në luginën* e Sidimit, 9 kundër Kedorlaomerit, mbretit të Elamit, Tidalit, mbretit të Gojimit, Amrafelit, mbretit të Shinarit dhe Ariokut, mbretit të Elasarit;+ katër mbretër kundër pesë mbretërve. 10 Tani, lugina e Sidimit ishte plot e përplot me gropa bitumi dhe mbretërit e Sodomës e të Gomorrës ranë brenda tyre kur u përpoqën t’ia mbathnin, kurse ata që mbetën, ia mbathën në rajonin malor. 11 Atëherë fitimtarët morën gjithë zotërimet e Sodomës e të Gomorrës, si dhe gjithë ushqimin e tyre, e u larguan.+ 12 Morën edhe djalin e vëllait të Abramit, Lotin, i cili banonte në Sodomë,+ si edhe zotërimet e tij, dhe pastaj u larguan.
13 Pas kësaj, një njeri që kishte arritur t’ia mbathte, shkoi e i tregoi Abram hebreut. Në atë kohë ai banonte* mes pemëve të mëdha të amoritit Mamre,+ vëllait të Eshkolit dhe të Anerit;+ këta ishin aleatë të Abramit. 14 Kështu Abrami dëgjoi se të afërmin* e tij+ e kishin zënë rob, prandaj mobilizoi njerëzit e stërvitur, 318 shërbëtorë të lindur në shtëpinë e tij, dhe i ndoqi ata këmba-këmbës deri në Dan.+ 15 Gjatë natës i ndau forcat e tij, e bashkë me shërbëtorët e vet, i sulmoi dhe i mundi; i ndoqi deri në Hobah, që është në veri të Damaskut. 16 Abrami e shpëtoi Lotin, të afërmin e tij, dhe gratë e njerëzit e tjerë. Rimori edhe zotërimet e Lotit dhe gjithë të mirat e tjera.
17 Pasi Abrami u kthye nga disfata që i shkaktoi Kedorlaomerit dhe mbretërve që ishin me të, mbreti i Sodomës doli për ta takuar në luginën* e Shavehut, domethënë në Luginën e Mbretit.+ 18 Dhe Melkisedeku,+ mbreti i Salemit,+ prifti i Perëndisë Më të Lartë,+ solli bukë e verë, 19 e bekoi Abramin dhe tha:
«Bekuar qoftë Abrami nga Perëndia Më i Lartë,
Bërësi i qiellit e i tokës!
20 Lëvduar qoftë Perëndia Më i Lartë,
që t’i ka dhënë në dorë armiqtë e tu!»
Atëherë Abrami i dha atij të dhjetën e çdo gjëje.+
21 Pastaj mbreti i Sodomës i tha Abramit: «Më jep njerëzit, kurse zotërimet mbaji për vete.» 22 Por Abrami i tha mbretit të Sodomës: «Betohem* para Jehovait, Perëndisë Më të Lartë, Bërësit të qiellit e të tokës, 23 se nuk do të marr asgjë tënden, as edhe një fill apo lidhëse sandalesh, që të mos thuash: ‘Unë e bëra Abramin të pasur.’ 24 Nuk do të marr asgjë, përveç asaj që të rinjtë kanë ngrënë tashmë. Kurse burrat që erdhën me mua, Aneri, Eshkoli dhe Mamreu,+ le të marrin pjesën që u takon.»
15 Pas këtyre gjërave, fjala e Jehovait iu drejtua Abramit në një vegim:* «Mos ki frikë+ Abram. Unë jam mburoja jote.+ Shpërblimi yt do të jetë shumë i madh.»+ 2 Abrami iu përgjigj: «Zotëri Sovran Jehova, ç’do të më japësh? Jam ende pa fëmijë dhe ai që do të trashëgojë shtëpinë time, është një burrë nga Damasku, Eliezeri.»+ 3 Abrami shtoi: «S’më ke dhënë asnjë pasardhës,*+ prandaj një pjesëtar* i shtëpisë sime do të jetë trashëgimtari im.» 4 Por ja, fjala e Jehovait iu drejtua atij: «Trashëgimtari yt nuk do të jetë ky njeri, por do të jetë yt bir.»*+
5 Tani, Perëndia i tha Abramit të dilte jashtë tendës: «Të lutem, ngriji sytë drejt qiellit dhe numëro yjet, nëse mund t’i numërosh.» Dhe vazhdoi: «Kështu do të bëhet pasardhësi* yt.»+ 6 Abrami tregoi besim te Jehovai,+ prandaj Ai e konsideroi Abramin të drejtë.*+ 7 Pastaj i tha akoma: «Unë jam Jehovai, që të nxora nga Uri i kaldeasve për të të dhënë këtë vend si zotërim.»+ 8 Abrami iu përgjigj: «Zotëri Sovran Jehova, nga ta di se do ta shtie në dorë këtë vend?» 9 Ai ia ktheu: «Më merr një mëshqerrë trevjeçare, një dhi trevjeçare, një dash trevjeçar, një turtull dhe një pëllumb të ri.» 10 Kështu, ai i mori, i ndau më dysh dhe e vuri secilën pjesë përballë tjetrës, por zogjtë nuk i preu në copa. 11 Pastaj zogjtë grabitqarë nisën t’u vërsuleshin kafshëve të therura, por Abrami i dëbonte.
12 Pak para se të perëndonte dielli, Abrami ra në gjumë të thellë dhe e mbuloi një errësirë e madhe që të fuste frikën. 13 Pastaj Perëndia i tha Abramit: «Pa dyshim pasardhësit* e tu do të jenë të huaj në një vend që s’është i tyre, dhe njerëzit e atij vendi do t’i skllavërojnë e do t’i mundojnë ata për 400 vjet.+ 14 Por unë do ta gjykoj kombin që do t’i skllavërojë,+ e pas kësaj kanë për të dalë që andej me shumë zotërime.+ 15 Kurse ti do të shkosh te paraardhësit e tu në paqe dhe do të varrosesh në pleqëri të mbarë.+ 16 Por pasardhësit e tu do të kthehen këtu+ në brezin e katërt, sepse amoritët* nuk e kanë mbushur ende kupën me fajet e tyre.»+
17 Kur dielli kishte perënduar dhe ishte bërë shumë errësirë, u shfaq një vatër zjarri që nxirrte tym dhe një pishtar i zjarrtë që kaloi mes copave. 18 Atë ditë Jehovai bëri një besëlidhje me Abramin+ dhe i tha: «Do t’ia jap këtë vend+ pasardhësit* tënd, nga lumi i Egjiptit deri në lumin e madh, lumin Eufrat:+ 19 vendin e kenitëve,+ të kenizitëve, të kadmonitëve, 20 të hititëve,+ të perezitëve,+ të refaimëve,+ 21 të amoritëve, të kananitëve, të girgasitëve dhe të jebusitëve.»+
16 Mirëpo Saraja, gruaja e Abramit, nuk i kishte lindur fëmijë,+ megjithatë kishte një shërbyese egjiptiane që quhej Agara.+ 2 Kështu Saraja i tha Abramit: «Më dëgjo, të lutem! Jehovai nuk më ka lejuar të lind fëmijë, prandaj të lutem, ki marrëdhënie me shërbyesen time, se mbase mund të kem fëmijë nga ajo.»+ Kështu Abrami e dëgjoi Sarajën. 3 Pasi Abrami kishte banuar dhjetë vjet në vendin e Kananit, Saraja, gruaja e tij, mori Agarën, shërbyesen e saj egjiptiane, dhe ia dha për grua të shoqit, Abramit. 4 Kështu ai pati marrëdhënie me Agarën, që mbeti shtatzënë. Kur e kuptoi se ishte shtatzënë, ajo filloi ta përbuzte të zonjën.
5 Atëherë Saraja i tha Abramit: «Ti e ke fajin për të keqen që më ra! Unë e lashë shërbyesen time në krahët e tu,* por kur e kuptoi se ishte shtatzënë, ajo filloi të më përbuzte. Jehovai gjykoftë mes meje e teje!» 6 Kështu Abrami i tha Sarajës: «Ja, shërbyesja jote është në dorën tënde. Bëj me të si të të duket më mirë.» Atëherë Saraja filloi ta ulte e ta trajtonte ashpër, prandaj Agara ia mbathi.
7 Më vonë, engjëlli i Jehovait e gjeti pranë një burimi uji në shkretëtirë, te burimi që ishte rrugës për në Sur.+ 8 Ai i tha: «Agarë, shërbyese e Sarajës, nga vjen dhe ku po shkon?» Ajo ia ktheu: «Po ia mbath prej Sarajës, zonjës sime.» 9 Atëherë engjëlli i Jehovait i tha: «Kthehu te zonja jote dhe përulu nën dorën e saj.» 10 Pastaj engjëlli i Jehovait i tha: «Do t’i shtoj aq shumë pasardhësit* e tu, sa nuk do të numërohen dot.»+ 11 Engjëlli i Jehovait shtoi: «Ti je shtatzënë, do të lindësh një djalë dhe do t’ia vësh emrin Ismael,* sepse Jehovai e dëgjoi rënkimin tënd. 12 Ai do të jetë si një gomar i egër.* Dora e tij do të ngrihet kundër të gjithëve dhe dora e të gjithëve do të ngrihet kundër tij; ai do të banojë përballë gjithë vëllezërve të vet.»*
13 Atëherë ajo i thuri lavde emrit të Jehovait që po i fliste: «Ti je një Perëndi që sheh»,+ sepse ajo tha: «Këtu e kam parë vërtet atë që më sheh.» 14 Ja pse pusi u quajt Ber-Lahai-Roi.* (Ai ndodhet mes Kadeshit dhe Beredit.) 15 Kështu Agara i lindi Abramit një djalë, dhe ai e quajti Ismael.+ 16 Abrami ishte 86 vjeç kur Agara lindi Ismaelin.
17 Kur Abrami ishte 99 vjeç, Jehovai iu shfaq dhe i tha: «Unë jam Perëndia i Plotfuqishëm. Ec në udhët e mia dhe ji i patëmetë.* 2 Unë do ta mbaj besëlidhjen që bëra mes meje e teje+ dhe do të të shumoj pa masë.»+
3 Me të dëgjuar këtë, Abrami u përkul me fytyrë përtokë dhe Perëndia vazhdoi t’i thoshte: 4 «Ja, unë bëra një besëlidhje me ty+ dhe ti ke për t’u bërë ati i shumë kombeve.+ 5 Emri yt nuk do të jetë më Abram,* por Abraham,* sepse do të të bëj atin e shumë kombeve. 6 Do të të bëj shumë, shumë të frytshëm, dhe nga ti do të dalin kombe e mbretër.+
7 Do të respektoj besëlidhjen mes meje e teje+ dhe pasardhësit* tënd, brez pas brezi, si një besëlidhje të përhershme, që të jem Perëndi për ty dhe për pasardhësin tënd. 8 Ty dhe pasardhësit* tënd do t’ju jap vendin ku banove si i huaj,+ gjithë vendin e Kananit, si zotërim të përhershëm, dhe unë do të jem Perëndia i tij.»+
9 Perëndia i tha më tej Abrahamit: «Kurse ti duhet ta respektosh besëlidhjen time, ti dhe pasardhësit* e tu, brez pas brezi. 10 Kjo është besëlidhja mes meje e teje, që do të respektoni ti dhe pasardhësit* e tu: çdo mashkull mes jush duhet të rrethpritet.+ 11 Pra duhet të rrethpriteni,* dhe kjo do të jetë si shenjë e besëlidhjes mes meje dhe teje.+ 12 Brez pas brezi, çdo mashkull tetëditësh mes jush duhet të rrethpritet,+ si ai që ka lindur në shtëpinë tënde, edhe ai që nuk është një nga pasardhësit* e tu dhe që iu ble me pará një të huaji. 13 Çdo burrë i lindur në shtëpinë tënde dhe çdo burrë që ke blerë me pará duhet të rrethpritet.+ Kjo shenjë në mishin tuaj duhet të shërbejë si provë e besëlidhjes sime të pandryshueshme me ty. 14 Nëse ndonjë mashkull nuk pranon të rrethpritet, ai duhet shfarosur* nga gjiri i popullit. Ai ka shkelur besëlidhjen time.»
15 Pastaj Perëndia i tha Abrahamit: «Kurse Sarajën,*+ gruan tënde, mos e quaj më Sarajë, sepse emri i saj do të jetë Sara.* 16 Unë do ta bekoj, e nga ajo do të të jap një djalë.+ Unë do ta bekoj, e nga ajo do të vijnë kombe dhe mbretër.» 17 Me të dëgjuar këtë, Abrahami u përkul me fytyrë përtokë dhe nisi të qeshte e të thoshte me vete:+ «A do t’i lindë vallë një burri 100-vjeçar një djalë? Po Sara, një grua 90 vjeçe, a thua të lindë?»+
18 Pas kësaj Abrahami i tha Perëndisë së vërtetë: «Të lutem, beko Ismaelin!»+ 19 Perëndia ia ktheu: «Sara, gruaja jote, do të të lindë pa dyshim një djalë dhe do t’ia vësh emrin Isak.*+ Me të dhe me pasardhësin* e tij do ta mbaj besëlidhjen time, besëlidhjen time të përhershme.+ 20 Sa për Ismaelin, të kam dëgjuar; do ta bekoj, do ta bëj të frytshëm dhe do ta shtoj pa masë. Prej tij do të dalin 12 prijës, dhe unë do ta bëj një komb të madh.+ 21 Megjithatë, besëlidhjen time do ta mbaj me Isakun,+ të cilin Sara do të ta lindë vitin tjetër tamam në këtë kohë.»+
22 Kur mbaroi së foluri me të, Perëndia u largua nga Abrahami. 23 Atëherë Abrahami mori Ismaelin, të birin, gjithë burrat e lindur në shtëpinë e tij dhe gjithë ata që i kishte blerë me pará, pra çdo mashkull të shtëpisë së vet, dhe i rrethpreu po atë ditë, pikërisht siç i kishte thënë Perëndia.+ 24 Abrahami ishte 99 vjeç kur u rrethpre.+ 25 Ndërsa Ismaeli, i biri, ishte 13 vjeç kur u rrethpre.+ 26 Po atë ditë u rrethpre Abrahami dhe djali i vet, Ismaeli. 27 Gjithashtu, bashkë me të u rrethprenë gjithë burrat e shtëpisë së tij, ata që kishin lindur në shtëpinë e tij dhe ata që i kishte blerë me pará nga një i huaj.
18 Pas kësaj Jehovai*+ iu shfaq Abrahamit mes pemëve të mëdha në Mamre,+ ndërsa rrinte ulur në hyrje të tendës, në pikë të vapës. 2 Kur ngriti sytë, vuri re tre burra që po rrinin në këmbë disi larg tij.+ Sa i pa, vrapoi nga hyrja e tendës që t’i takonte dhe u përkul deri në tokë. 3 Pastaj tha: «Jehova, nëse kam fituar miratimin tënd, të lutem, mos kalo pa u ndalur te shërbëtori yt. 4 Më lejoni, ju lutem, t’ju sjell pak ujë e t’ju laj këmbët,+ e pastaj çlodhuni pak nën këtë pemë. 5 Meqë keni ardhur këtu te shërbëtori juaj, më lini t’ju sjell një copë bukë që të merrni veten,* e pastaj vazhdoni rrugën.» Ata ia kthyen: «Mirë, bëj ashtu si the.»
6 Kështu Abrahami shkoi me nxitim te Sara në tendë dhe i tha: «Shpejt! Merr tri masa* nga mielli më i mirë, zër brumin dhe bëj ca bukë.» 7 Pastaj Abrahami vrapoi te kopeja, zgjodhi një dem të njomë e të mirë, ia dha shërbëtorit, i cili nxitoi që ta bënte gati. 8 Mori pastaj gjalpë, qumësht dhe demin e ri që kishte bërë gati e ua vuri përpara. Kurse vetë rrinte në këmbë pranë tyre nën pemë, ndërkohë që ata hanin.+
9 Ata e pyetën: «Ku është Sara, gruaja jote?»+ Ai u përgjigj: «Këtu, në tendë.» 10 Atëherë njëri prej tyre tha: «Do të kthehem me siguri te ti vitin tjetër në këtë kohë dhe Sara, gruaja jote, do të lindë një djalë.»+ Ndërkohë Sara ishte te hyrja e tendës që ndodhej pas tij dhe po dëgjonte. 11 Abrahami me Sarën ishin pleq, të shkuar në moshë,+ dhe Sara e kishte kaluar moshën kur mund të lindte fëmijë.*+ 12 Prandaj Sara nisi të qeshte me vete e të thoshte: «A do ta kem vërtet këtë gëzim tani që u plaka dhe që zotëria im është i moshuar?»+ 13 Atëherë Jehovai i tha Abrahamit: «Pse qeshi Sara e tha: ‘A do të lind vërtet edhe pse jam plakur?’ 14 A ka ndonjë gjë të pamundur për Jehovain?+ Do të kthehem te ti vitin tjetër tamam në këtë kohë dhe Sara do të lindë një djalë.» 15 Mirëpo Sara e mohoi nga frika dhe tha: «Nuk qesha.» Por ai ia ktheu: «Po, po, qeshe.»
16 Ndërkohë që burrat u ngritën të iknin dhe po shikonin poshtë në drejtim të Sodomës,+ Abrahami po i përcillte. 17 Jehovai tha: «S’kam për t’ia mbajtur të fshehtë Abrahamit atë që do të bëj.+ 18 Me siguri Abrahami do të bëhet një komb i madh e i fuqishëm dhe gjithë kombet e tokës do të bekohen* nëpërmjet tij.+ 19 Ja pse jam lidhur ngushtë me të, që ai t’i urdhërojë bijtë dhe shtëpinë e tij të qëndrojnë në udhën e Jehovait e të bëjnë ç’është e drejtë dhe e ndershme.+ Kështu unë, Jehovai, mund të plotësoj premtimet që i bëra Abrahamit.»
20 Pastaj Jehovai tha: «E fortë është britma e ankimit kundër Sodomës e Gomorrës,+ dhe shumë i rëndë mëkati i tyre.+ 21 Do të zbres për të parë nëse po sillen vërtet ashtu si më ka ardhur në vesh britma e ankimit, dhe nëse nuk është kështu, kam për ta marrë vesh.»+
22 Atëherë dy burrat ikën që andej dhe shkuan në drejtim të Sodomës, kurse Jehovai+ qëndroi me Abrahamin. 23 Kështu Abrahami iu afrua dhe tha: «Vërtet do ta shfarosësh të drejtin bashkë me të ligun?+ 24 Ta zëmë se në qytet ka 50 të drejtë. A do t’i shfarosësh dhe nuk do ta falësh vendin për hir të 50 të drejtëve që janë në të? 25 As që mund të mendohet kurrë që ti të veprosh kështu: të vrasësh të drejtin bashkë me të ligun, dhe të drejtit t’i ndodhë siç i ndodh edhe të ligut!+ S’mund të mendohet kurrë për ty!+ A nuk do të bëjë atë që është e drejtë Gjykatësi i gjithë tokës?!»+ 26 Atëherë Jehovai tha: «Po të gjej në qytetin e Sodomës 50 të drejtë, do ta fal gjithë vendin për hir të tyre.» 27 Por Abrahami iu drejtua përsëri dhe i tha: «Të lutem, tani po marr guximin të flas me Jehovain, ndonëse jam pluhur e hi. 28 Ta zëmë se atyre 50 të drejtëve u mungojnë pesë. A do ta shkatërrosh gjithë qytetin ngaqë mungojnë pesë?» Perëndia iu përgjigj: «Nuk do ta shkatërroj po të gjej 45 të drejtë.»+
29 Por Abrahami i tha prapë: «Ta zëmë se gjenden 40.» Perëndia i tha: «Nuk do ta bëj për hir të atyre 40 të drejtëve.» 30 Por Abrahami vazhdoi: «Të lutem, o Jehova, të mos të ndizet zemërimi,+ por më lër të flas akoma. Ta zëmë se gjenden 30.» Perëndia ia ktheu: «Nuk do ta bëj po të gjej 30 veta.» 31 Por Abrahami vazhdoi: «Të lutem, po marr guximin të flas me Jehovain. Ta zëmë se gjenden vetëm 20.» Perëndia iu përgjigj: «Nuk do ta shkatërroj për hir të atyre 20 vetave.» 32 Së fundi Abrahami tha: «Të lutem, o Jehova, të mos të ndizet zemërimi, por më lër të flas edhe këtë herë. Ta zëmë se gjenden vetëm 10.» Ai i tha: «Nuk do ta shkatërroj për hir të atyre 10 vetave.» 33 Kur mbaroi së foluri me Abrahamin, Jehovai u largua,+ kurse Abrahami u kthye në vendin e vet.
19 Të dy engjëjt mbërritën në Sodomë në mbrëmje, ndërsa Loti rrinte ulur te porta e Sodomës. Kur i pa, Loti u ngrit që t’i takonte, u përkul me fytyrë përtokë+ 2 dhe u tha: «Ju lutem zotërinjtë e mi, ju lutem, kthehuni në shtëpinë e shërbëtorit tuaj që të kaloni natën e t’ju lajmë këmbët, e nesër çohuni herët e vazhdoni rrugën.» Ata iu përgjigjën: «Jo, do ta kalojmë natën në sheshin e qytetit.» 3 Por ai këmbënguli aq shumë, sa ata u kthyen dhe vajtën në shtëpinë e tij. Atëherë u shtroi një gosti, poqi bukë pa maja, e ata hëngrën.
4 Por para se të binin për të fjetur, burrat e Sodomës, pleq e të rinj, të gjithë si një turmë e vetme, rrethuan shtëpinë 5 dhe i thërritnin Lotit pa pushim: «Ku janë burrat që erdhën sonte te ti? Nxirri jashtë që të kryejmë marrëdhënie me ta.»+
6 Kështu Loti doli te hyrja e shtëpisë, mbylli derën 7 dhe u tha: «Ju lutem vëllezër, mos e bëni këtë ligësi. 8 Ju lutem, ja, unë kam dy vajza që s’kanë pasur kurrë marrëdhënie me ndonjë burrë. Ju lutem, më lini t’jua sjell jashtë dhe bëni me to ç’të doni. Vetëm mos u bëni gjë këtyre burrave, sepse kanë gjetur strehë nën çatinë time.»*+ 9 Por ata ia kthyen: «Hiqu tutje!» Pastaj shtuan: «Ky njeri pa njeri erdhi këtu që të jetonte si i huaj dhe tani guxon të na gjykojë?! Tani do të ta bëjmë më keq ty se atyre.» Turma po e shtynte me forcë Lotin dhe po afrohej për të shkallmuar derën. 10 Prandaj burrat që ishin brenda, zgjatën duart, e tërhoqën Lotin brenda në shtëpi dhe mbyllën derën. 11 Kurse njerëzit që ishin te hyrja e shtëpisë i goditën me verbëri, nga më i vogli deri te më i madhi, ndaj ata u lodhën duke u përpjekur të gjenin derën.
12 Atëherë burrat që ishin brenda shtëpisë i thanë Lotit: «A ke njeri tjetër këtu? Nxirri nga ky vend dhëndurët, bijtë e bijat e tua dhe gjithë njerëzit e tu, 13 sepse do ta shkatërrojmë, ngaqë britma e ankimit kundër njerëzve të këtij vendi është bërë aq e fortë para Jehovait,+ saqë Jehovai na dërgoi ta shkatërrojmë qytetin.» 14 Atëherë Loti doli dhe u thoshte me ngulm dhëndurëve që do të martoheshin me vajzat e tij: «Ngrihuni! Dilni nga ky vend, sepse Jehovai do ta shkatërrojë qytetin!» Por dhëndurëve iu duk sikur po bënte shaka.+
15 Ndërsa po zbardhte dita, engjëjt nisën ta ngutnin Lotin dhe i thoshin: «Ngrihu! Merr gruan dhe dy vajzat, që të mos shfaroseni edhe ju për shkak të fajit të qytetit!»+ 16 Mirëpo, ngaqë po ngurronte, burrat e kapën fort për dore atë, gruan e dy vajzat dhe i nxorën jashtë qytetit,+ sepse Jehovai ndiente shumë dhembshuri për të.+ 17 Sapo i çuan në rrethinat e qytetit, njëri nga engjëjt tha: «Ik, që të shpëtosh jetën! Mos shiko prapa+ dhe mos u ndal në asnjë vend të krahinës së Jordanit!+ Ik në rajonin malor, që të mos shfarosesh!»
18 Atëherë Loti u tha: «Të lutem, o Jehova,* jo atje, të lutem! 19 Ja, shërbëtori yt ka fituar miratimin tënd dhe ti po tregohesh shumë zemërmirë duke më ruajtur gjallë.*+ Por unë s’jam në gjendje të iki në rajonin malor, sepse kam frikë se mos më zë ndonjë e keqe dhe vdes.+ 20 Ama mund të iki në këtë qytezë, sepse është afër dhe është veç një vend i vogël. Të lutem, a të iki atje? Se është veç një vend i vogël, e kështu do të mbijetoj.»* 21 Atëherë ai i tha: «Mirë, do ta marr parasysh këtë+ dhe nuk do ta shkatërroj qytezën për të cilën fole.+ 22 Nxito! Ik atje, sepse nuk mund të bëj asgjë pa mbërritur ti!»+ Ja pse qyteza u quajt Zoar.*+
23 Dielli kishte lindur kur Loti mbërriti në Zoar. 24 Atëherë Jehovai solli mbi Sodomën dhe Gomorrën shi prej squfuri e zjarri—ai erdhi nga Jehovai, prej qiejve.+ 25 Kështu i shkatërroi këto qytete, po, të gjithë krahinën, si edhe gjithë banorët e qyteteve dhe bimësinë e tokës.+ 26 Por gruaja e Lotit, që po ecte pas tij, filloi të shikonte prapa dhe u bë shtyllë kripe.+
27 Në mëngjes, Abrahami u çua herët dhe vajti në vendin ku kishte qëndruar dhe kishte folur më parë me Jehovain.+ 28 Ai pa poshtë në drejtim të Sodomës e të Gomorrës dhe të të gjithë krahinës. Por ç’të shihte! Një tym i dendur ngrihej nga vendi, si tymi i dendur i një furre tullash!+ 29 Kështu, kur shkatërroi qytetet e krahinës, Perëndia e mbajti parasysh Abrahamin, prandaj e nxori Lotin nga qytetet që shkatërroi, nga qytetet ku Loti kishte banuar.+
30 Më vonë, Loti iku nga Zoari dhe shkoi të jetonte në rajonin malor bashkë me dy vajzat e tij,+ sepse kishte frikë të jetonte në Zoar;+ kështu filloi të banonte në një shpellë bashkë me dy vajzat. 31 E parëlindura i tha më të voglës: «Babai ynë është i moshuar dhe në këtë vend s’ka mbetur asnjë burrë që të martohet me ne, siç është zakon në të gjithë botën. 32 Eja, le t’i japim babait tonë të pijë verë dhe të flemë me të, që t’i lëmë pasardhës.»
33 Prandaj atë natë i dhanë babait të pinte shumë verë. Pastaj e parëlindura fjeti me të, por ai nuk e mori vesh as kur ajo u shtri, as kur u ngrit. 34 Pastaj, të nesërmen, e parëlindura i tha më të voglës: «Ja, mbrëmë fjeta unë me tim atë. Le t’i japim edhe sonte të pijë verë. Pastaj shko ti e fli me të, që t’i lëmë pasardhës babait tonë.» 35 Kështu edhe atë natë i dhanë të pinte shumë verë. Pastaj më e vogla shkoi dhe fjeti me të, por ai nuk e mori vesh as kur ajo u shtri, as kur u ngrit. 36 Kështu të dyja vajzat e Lotit mbetën shtatzëna me të atin. 37 E parëlindura lindi një djalë dhe e quajti Moab;+ ai është ati i moabitëve të kohëve të sotshme.+ 38 Edhe më e vogla lindi një djalë dhe e quajti Ben-Ami; ai është ati i bijve të Amonit+ të kohëve të sotshme.
20 Tani, që atje Abrahami e zhvendosi kampin+ për në vendin e Negebit dhe filloi të banonte mes Kadeshit+ dhe Surit.+ Për njëfarë kohe banoi edhe në Gerar+ dhe ndërsa banonte atje,* 2 Abrahami thoshte përsëri për gruan e tij, Sarën: «Është motra ime.»+ Prandaj Abimeleku, mbreti i Gerarit, dërgoi njerëz dhe e mori Sarën.+ 3 Atëherë Perëndia iu shfaq Abimelekut natën në një ëndërr dhe i tha: «Ja tek të pret vdekja për shkak të gruas që ke marrë,+ sepse ajo është e martuar dhe grua e një burri tjetër.»+ 4 Megjithatë Abimeleku nuk i ishte afruar asaj,* prandaj tha: «Jehova, a do të asgjësosh një komb që është vërtet i pafajshëm?* 5 A nuk më tha ai: ‘Është motra ime.’ Po ajo vetë, a nuk tha: ‘Është vëllai im.’ Këtë gjë e kam bërë me zemër të pastër dhe me duar të pafajshme.» 6 Pastaj Perëndia i vërtetë ia ktheu në ëndërr: «E di që këtë gjë e bëre me zemër të pastër, prandaj të ndalova që të mos mëkatoje kundër meje. Ja pse nuk të lejova ta prekje. 7 Tani ktheja gruan atij burri, sepse është profet.+ Ai do të bëjë përgjërime për ty+ dhe ti do të vazhdosh të jetosh. Por, nëse nuk e kthen, ta dish se ke për të vdekur ti dhe gjithë të tutë.»
8 Abimeleku u çua herët në mëngjes, thirri gjithë shërbëtorët dhe u tregoi gjithçka, e atyre u hyri frika deri në palcë. 9 Pastaj Abimeleku thirri Abrahamin dhe i tha: «Ç’na bëre kështu? Ç’mëkat kam kryer kundër teje, që solle mbi mua dhe mbretërinë time një mëkat kaq të madh? S’është e drejtë kjo që më bëre.» 10 Abimeleku vazhdoi: «Çfarë kishe ndër mend kur e bëre këtë gjë?»+ 11 Abrahami ia ktheu: «Ngaqë thashë me vete: ‘Me siguri në këtë vend nuk kanë nderim të thellë për Perëndinë* dhe do të më vrasin për shkak të gruas sime.’+ 12 Nga ana tjetër, ajo është vërtet motra ime, vajzë e tim eti, por jo vajzë e sime mëje, dhe pastaj u bë gruaja ime.+ 13 Kështu, kur Perëndia më tha të endesha larg shtëpisë së tim eti,+ i thashë asaj: “Ja si mund të më tregosh dashuri besnike: kudo që të shkojmë, thuaj për mua: ‘Është im vëlla.’ ”»+
14 Pas kësaj Abimeleku mori dhen, gjedhë, shërbyes e shërbyese e ia dha Abrahamit; ia ktheu edhe Sarën, të shoqen. 15 Pastaj Abimeleku tha: «Ja tek e ke vendin tim. Bano ku të duash.» 16 Ndërsa Sarës i tha: «Po i jap vëllait tënd+ 1.000 monedha argjendi si shenjë të pafajësisë sate* para gjithë atyre që janë me ty dhe gjithë të tjerëve, e kështu emri yt do të mbetet i panjollosur.» 17 Atëherë Abrahami nisi t’i bënte përgjërime Perëndisë së vërtetë, dhe Perëndia e shëroi Abimelekun, gruan dhe skllavet e tij, dhe ato filluan të kishin përsëri fëmijë, 18 sepse Jehovai i kishte bërë shterpë të gjitha gratë* në shtëpinë e Abimelekut për shkak të Sarës, gruas së Abrahamit.+
21 Jehovai nuk e harroi Sarën, siç kishte thënë; Jehovai bëri siç kishte premtuar.+ 2 Sara mbeti shtatzënë+ dhe i lindi Abrahamit një djalë në pleqërinë e tij, tamam në kohën që i kishte premtuar Perëndia.+ 3 Abrahami e quajti Isak+ djalin që sapo i kishte lindur Sara 4 dhe e rrethpreu Isakun, djalin e tij, kur ishte tetëditësh, pikërisht siç e kishte urdhëruar Perëndia.+ 5 Abrahami ishte 100 vjeç kur i lindi i biri, Isaku. 6 Atëherë Sara tha: «Perëndia më dha arsye për të qeshur, e kushdo që do të dëgjojë për këtë, do të qeshë bashkë me mua.»* 7 Pastaj shtoi: «Kujt do t’ia merrte mendja që gruaja e Abrahamit, Sara, do të mëndte fëmijë? E prapëseprapë, unë i linda një djalë në pleqëri.»
8 Ndërkohë fëmija rritej dhe pas ca kohësh e ndanë nga gjiri. Ditën kur iu hoq gjiri Isakut, Abrahami përgatiti një gosti të madhe. 9 Mirëpo Sara vuri re se djali që egjiptiania Agarë+ i kishte lindur Abrahamit po tallej me Isakun,+ 10 prandaj i tha Abrahamit: «Dëboje këtë skllave dhe djalin e saj, sepse djali i kësaj skllaveje nuk do të jetë trashëgimtar bashkë me tim bir, Isakun!»+ 11 Por ajo që i tha Sara për të birin, Ismaelin, nuk i pëlqeu fare Abrahamit.+ 12 Atëherë Perëndia i tha: «Mos u mërzit nga fjalët që po të thotë Sara për djalin dhe skllaven tënde. Dëgjoje,* sepse pasardhësi* yt i premtuar do të vijë nëpërmjet Isakut.+ 13 Sa për djalin e skllaves+ do ta bëj një komb,+ sepse edhe ai është pasardhësi yt.»*
14 Kështu Abrahami u çua herët në mëngjes, mori bukë dhe një kacek me ujë e ia dha Agarës; ia vuri në sup dhe e largoi bashkë me djalin.+ Kështu ajo u nis për rrugë dhe u end nëpër shkretëtirën e Ber-Shebës.+ 15 Në fund, uji i kacekut mbaroi, ndaj ajo e shtyu djalin nën një shkurre. 16 Pastaj iku më tutje dhe u ul vetëm, pak a shumë aq larg sa mund të qëllohet një shigjetë me hark, sepse tha: «Nuk dua ta shoh djalin të vdesë.» Kështu u ul në njëfarë largësie dhe nisi të qante me dënesë.
17 Por Perëndia e dëgjoi zërin e djalit+ dhe engjëlli i Perëndisë e thirri Agarën nga qiejt e i tha:+ «Çfarë ke Agarë? Mos ki frikë, sepse Perëndia e ka dëgjuar zërin e djalit atje tek është. 18 Çohu, ngrije djalin dhe kujdesu për të, sepse kam për ta bërë një komb të madh.»+ 19 Pastaj Perëndia ia hapi sytë dhe ajo pa një pus me ujë; shkoi dhe mbushi kacekun, e i dha djalit për të pirë. 20 Perëndia ishte me djalin+ teksa rritej; ai banoi në shkretëtirë dhe u bë harkëtar. 21 Ai u vendos me banim në shkretëtirën e Paranit+ dhe e ëma i mori një nuse nga Egjipti.
22 Në atë kohë, Abimeleku bashkë me Fikolin, kreun e ushtrisë së tij, i tha Abrahamit: «Perëndia është me ty në çdo gjë që po bën.+ 23 Prandaj m’u beto tani këtu për Perëndinë se nuk do të tregohesh i pabesë me mua, me djemtë e mi dhe me djemtë e djemve të mi, por do të sillesh me mua dhe me tokën ku ke banuar me të njëjtën dashuri besnike që kam treguar ndaj teje.»+ 24 Atëherë Abrahami tha: «Të betohem.»
25 Megjithatë Abrahami iu ankua Abimelekut për pusin e ujit që shërbëtorët e Abimelekut e kishin shtënë në dorë me dhunë.+ 26 Abimeleku i tha: «Nuk e di kush e ka bërë këtë dhe as ti vetë nuk më ke thënë gjë. Unë për vete sot po e dëgjoj për herë të parë këtë punë.» 27 Prandaj Abrahami mori dhen e gjedhë, ia dha Abimelekut, dhe të dy bënë një besëlidhje. 28 Kur Abrahami vuri mënjanë shtatë qengja femër të kopesë, 29 Abimeleku i tha: «Pse i vure mënjanë këta shtatë qengja?» 30 Atëherë ai ia ktheu: «Pranoji këta shtatë qengja nga dora ime si dëshmi që këtë pus e kam hapur unë.» 31 Ja pse Abrahami e quajti atë vend Ber-Shebë,*+ sepse të dy u betuan atje. 32 Kështu bënë një besëlidhje+ në Ber-Shebë. Pastaj Abimeleku u ngrit bashkë me Fikolin, kreun e ushtrisë së tij, dhe u kthyen në vendin e filistinëve.+ 33 Pas kësaj, Abrahami mbolli një pemë bruke në Ber-Shebë dhe atje i thuri lavde emrit të Jehovait,+ Perëndisë së përjetshëm.+ 34 Abrahami qëndroi* në vendin e filistinëve për një kohë të gjatë.*+
22 Pas kësaj, Perëndia i vërtetë e vuri Abrahamin në provë+ dhe i tha: «Abraham!» Ai iu përgjigj: «Urdhëro, zotëria im!» 2 Perëndia vazhdoi: «Merre birin tënd, të lutem, birin tënd të vetëm që e do kaq shumë,+ Isakun,+ dhe merr rrugën për në vendin e Moriahut.+ Atje flijoje si një blatim të djegur në një nga malet që do të të tregoj.»
3 Kështu Abrahami u çua herët në mëngjes, i vuri samarin gomarit dhe mori dy shërbëtorë dhe të birin, Isakun. Çau edhe drutë për blatimin e djegur dhe pastaj u nis e mori rrugën për në vendin që i tregoi Perëndia i vërtetë. 4 Ditën e tretë, Abrahami ngriti sytë, pa nga larg vendin 5 dhe u tha shërbëtorëve: «Ju rrini këtu me gomarin, ndërsa unë dhe djali do të shkojmë atje që të adhurojmë Perëndinë e pastaj do të kthehemi.»
6 Abrahami mori drutë e blatimit të djegur dhe ia ngarkoi Isakut, të birit, kurse vetë mori zjarrin* dhe thikën, e të dy vazhduan rrugën së bashku. 7 Atëherë Isaku i tha të atit, Abrahamit: «Baba!» Ai iu përgjigj: «Po, biri im!» Ai vazhdoi: «Ja ku janë zjarri dhe drutë. Po delja për blatimin e djegur, ku është?» 8 Abrahami i tha: «Vetë Perëndia do ta sigurojë delen për blatimin e djegur,+ biri im.» Dhe të dy vazhduan të ecnin së bashku.
9 Së fundi arritën në vendin që i kishte treguar Perëndia i vërtetë dhe Abrahami ndërtoi atje një altar, sistemoi drutë mbi të, e lidhi këmbë e duar të birin, Isakun, dhe e vuri mbi altar, sipër druve.+ 10 Pastaj Abrahami zgjati dorën dhe mori thikën që ta vriste të birin,+ 11 por engjëlli i Jehovait i thirri nga qiejt: «Abraham, Abraham!» Dhe ai iu përgjigj: «Urdhëro, zotëria im!» 12 Engjëlli vazhdoi: «Mos e vrit djalin dhe mos i bëj asgjë të keqe, sepse tani e di vërtet që ke nderim të thellë për Perëndinë,* pasi nuk ma kurseve birin tënd, të vetmin që ke.»+ 13 Menjëherë Abrahami ngriti sytë dhe pak më tutje pa një dash me brirët të ngatërruar te një shkurre. Prandaj Abrahami shkoi, mori dashin dhe e flijoi si blatim të djegur në vend të të birit. 14 Abrahami e quajti atë vend Jehova-Jireh.* Ja pse thuhet sot e kësaj dite: «Në malin e tij, Jehovai do të sigurojë atë që është e nevojshme.»+
15 Engjëlli i Jehovait e thirri Abrahamin për herë të dytë nga qiejt: 16 «Meqë ti bëre këtë gjë dhe nuk e kurseve birin tënd, të vetmin që ke,+ betohem për veten time,—thotë Jehovai,+—17 se me siguri do të të bekoj dhe do ta shumoj pasardhësin* tënd si yjet e qiellit e si kokrrizat e rërës në breg të detit.+ Pasardhësi yt do të shtjerë në dorë portat* e armiqve të vet,+ 18 e me anë të pasardhësit* tënd+ do të bekohen* gjithë kombet e tokës, sepse ti e dëgjove zërin tim.»+
19 Pastaj Abrahami u kthye te shërbëtorët; ata u ngritën e së bashku u kthyen në Ber-Shebë,+ dhe Abrahami vazhdoi të banonte në Ber-Shebë.
20 Pas kësaj Abrahami mori këtë lajm: «Ja, edhe Milka i ka lindur djem Nahorit, vëllait tënd:+ 21 Uzin, të parëlindurin, Buzin, të vëllanë, Kemuelin, babanë e Aramit, 22 Kesedin, Hazonin, Fildashin, Jidlafin dhe Betuelin.»+ 23 Betueli u bë babai i Rebekës.+ Këta të tetë i lindi Milka Nahorit, vëllait të Abrahamit. 24 Edhe konkubina* e tij, e cila quhej Reuma, i lindi djem: Tebahun, Gahamin, Tahashin dhe Makahun.
23 Sara ishte 127 vjeçe kur vdiq.+ 2 Ajo vdiq në Kiriat-Arbë,+ domethënë në Hebron,+ në vendin e Kananit,+ dhe Abrahami filloi të mbante zi e ta vajtonte Sarën. 3 Pastaj u largua nga trupi i së ndjerës dhe u tha bijve të Hethit:+ 4 «Unë jam i ardhur dhe i shpërngulur mes jush.+ Më jepni një pronë për varre në vendin tuaj, që të varros të ndjerën.» 5 Atëherë bijtë e Hethit iu përgjigjën: 6 «Na dëgjo, zotëria ynë. Ti për ne je një prijës nga Perëndia.*+ Varrose të ndjerën në varret tona më të mira. Asnjë nga ne s’do të të pengojë që ta varrosësh të ndjerën në varret tona.»
7 Atëherë Abrahami u ngrit në këmbë, u përkul para vendësve, para bijve të Hethit,+ 8 dhe u tha: «Nëse jeni dakord që ta varros të ndjerën, më dëgjoni dhe lutjuni Efronit, birit të Zoharit, 9 të më shesë shpellën e Makpelahut, që e ka në pronësi dhe ndodhet në skaj të arës së tij. Të ma shesë në praninë tuaj, kundrejt pagesës së plotë në argjend,+ që të kem një pronë për varre.»+
10 Efroni po rrinte ulur mes bijve të Hethit. Kështu Efroni, hititi, iu përgjigj Abrahamit, ndërsa bijtë e Hethit po dëgjonin bashkë me të gjithë ata që hynin në portën e qytetit:+ 11 «Më dëgjo, imzot! Merre edhe arën, edhe shpellën që është në të. Po ta jap në prani të këtyre burrave të popullit tim, prandaj varrose të ndjerën.» 12 Me të dëgjuar këtë Abrahami u përkul para vendësve 13 dhe i tha Efronit ndërkohë që ata po dëgjonin: «Jo, më dëgjo, të lutem! Unë do të të paguaj me argjend aq sa vlen ara. Merri, që të varros të ndjerën atje.»
14 Atëherë Efroni iu përgjigj Abrahamit: 15 «Më dëgjo, imzot. Kjo tokë vlen 400 sikla* argjendi. Por çmimi s’ka rëndësi as për ty, as për mua, prandaj varrose të ndjerën.» 16 Abrahami ia vuri veshin Efronit dhe i peshoi sasinë e argjendit që i kishte thënë, ndërsa bijtë e Hethit dëgjonin; i dha 400 sikla* argjendi, sipas peshës që përdornin tregtarët.+ 17 Kështu ara e Efronit në Makpelah, përballë Mamresë, pra, ara, shpella që ndodhej në të, si edhe gjithë pemët brenda kufijve të saj, 18 u shpall pronë e Abrahamit, e blerë në prani të bijve të Hethit dhe të të gjithë atyre që hynin në portën e qytetit. 19 Pas kësaj Abrahami e varrosi Sarën, gruan e tij, në shpellën e arës së Makpelahut, përballë Mamresë, domethënë Hebronit, në vendin e Kananit. 20 Kështu, në prani të bijve të Hethit, ara dhe shpella që ndodhej atje, kaluan në pronësi të Abrahamit si pronë për varre.+
24 Tashmë Abrahami ishte plakur, në moshë të shkuar, dhe Jehovai e kishte bekuar në çdo gjë.+ 2 Abrahami i tha shërbëtorit më të moshuar të shtëpisë së tij, i cili administronte gjithçka që kishte:+ «Të lutem, vëre dorën nën kofshën time,* 3 dhe betomu për Jehovain, Perëndinë e qiejve dhe Perëndinë e tokës, se nuk do të marrësh për djalin tim një grua nga vajzat e kananitëve, mes të cilëve banoj.+ 4 Përkundrazi, duhet të shkosh në vendin tim, te të afërmit e mi,+ dhe atje të marrësh një grua për tim bir, Isakun.»
5 Por shërbëtori i tha: «Po sikur ajo të mos dojë të vijë këtu me mua? A ta kthej djalin tënd në vendin nga erdhe?»+ 6 Abrahami ia ktheu: «Sigurohu të mos e çosh tim bir atje!+ 7 Jehovai, Perëndia i qiejve, që më mori nga shtëpia e atit tim, nga toka e të afërmve të mi,+ që më foli e m’u betua:+ ‘Pasardhësit* tënd+ do t’ia jap këtë tokë’,+ Ai do të dërgojë engjëllin e tij para teje,+ dhe me siguri ke për të marrë atje një grua për tim bir.+ 8 Megjithatë, sikur ajo të mos dojë të vijë me ty, ti do të jesh i lirë nga betimi që më bëre. Vetëm mos e ço tim bir atje.» 9 Ndërkaq, shërbëtori e vuri dorën nën kofshën e Abrahamit, zotërisë së tij, dhe iu betua.+
10 Kështu shërbëtori mori dhjetë deve të zotërisë së tij, u nis me çdo lloj të mire dhe mori rrugën për në Mesopotami, në qytetin e Nahorit. 11 Kur mbërriti, i uli devetë në gjunjë jashtë qytetit, pranë një pusi. Ishte muzg, koha kur gratë dilnin për të nxjerrë ujë. 12 Atëherë ai u lut: «O Jehova, Perëndia i zotërisë tim, Abrahamit, të lutem, ma sill mbarë këtë punë sot dhe tregoji dashuri besnike zotërisë tim, Abrahamit. 13 Ja tek po rri pranë këtij burimi dhe bijat e banorëve të qytetit po dalin për të nxjerrë ujë. 14 Bëj që vajza së cilës do t’i them: ‘Ule pak shtambën, të lutem, që të pi’ dhe që do të më thotë: ‘Pi, dhe do t’u jap ujë edhe deveve’, të jetë ajo që do të zgjedhësh për shërbëtorin tënd, Isakun. Nga kjo do ta marr vesh se i ke treguar dashuri besnike zotërisë tim.»
15 Ai ishte ende duke u lutur, kur ja, doli me shtambë në sup Rebeka, vajza e Betuelit,+ birit të Milkës,+ gruas së Nahorit,+ vëllait të Abrahamit. 16 Vajza ishte shumë e bukur, virgjëreshë, asnjë burrë s’kishte pasur marrëdhënie me të. Ajo zbriti deri te burimi, mbushi shtambën dhe pastaj u kthye prapë. 17 Menjëherë shërbëtori vrapoi ta takonte dhe i tha: «Të lutem, më jep të pi pak ujë nga shtamba jote.» 18 Rebeka ia ktheu: «Pi, imzot.» Pastaj e uli shtambën me të shpejtë dhe, ndërsa e mbante në dorë, i dha të pinte. 19 Pasi i dha të pinte, i tha: «Do të nxjerr ujë edhe për devetë e tua derisa të ngopen.» 20 Kështu e boshatisi me të shpejtë shtambën në lugun e ujit dhe vrapoi shumë herë te pusi që të nxirrte ujë për të gjitha devetë e tij. 21 Gjatë gjithë kohës, shërbëtori e vështronte në heshtje i mrekulluar dhe pyeste veten nëse Jehovai ia kishte bërë të mbarë udhëtimin apo jo.
22 Kur devetë u ngopën, shërbëtori nxori një unazë hunde të artë që peshonte gjysmë sikle,* dy byzylykë ari që peshonin dhjetë sikla* 23 dhe e pyeti: «Të lutem, më thuaj, bijë e kujt je? A ka vend në shtëpinë e babait tënd që të kalojmë natën?» 24 Ajo iu përgjigj: «Jam e bija e Betuelit,+ birit të Milkës, që ajo i lindi Nahorit.»+ 25 Pastaj shtoi: «Kemi shumë kashtë dhe tagji, si edhe vend për të kaluar natën.» 26 Atëherë shërbëtori u përkul me fytyrë përtokë para Jehovait 27 dhe tha: «Lëvduar qoftë Jehovai, Perëndia i zotërisë tim, Abrahamit, sepse ka treguar vazhdimisht dashuri* dhe besnikëri ndaj zotërisë tim. Jehovai më ka drejtuar për në shtëpinë e vëllezërve të zotërisë tim.»
28 Pastaj vajza iku me vrap që t’ua tregonte këto gjëra nënës dhe të tjerëve. 29 Rebeka kishte një vëlla, me emrin Laban,+ i cili u nis me vrap për tek ai burrë, që ishte jashtë, te burimi. 30 Në të vërtetë, pasi kishte parë unazën e hundës, byzylykët në duart e së motrës dhe pasi e kishte dëgjuar Rebekën të thoshte: «Kështu më tha ai burrë», Labani shkoi ta takonte dhe e gjeti atë burrë tek rrinte në këmbë pranë deveve, te burimi. 31 Menjëherë i tha: «Eja, o i bekuar i Jehovait! Pse rri jashtë? Kam bërë gati shtëpinë dhe vendin për devetë.» 32 Kështu shërbëtori hyri në shtëpi, dhe ai* çmbrehu devetë e u dha kashtë e tagji. Pastaj solli ujë që të lanin këmbët ai dhe burrat që ishin me të. 33 Megjithatë, kur i vunë përpara diçka për të ngrënë, shërbëtori tha: «Nuk do të ha pa ju thënë më parë atë që kam për t’ju thënë.» Prandaj Labani i tha: «Urdhëro, fol.»
34 Kështu ai tha: «Unë jam shërbëtor i Abrahamit.+ 35 Jehovai e ka bekuar shumë zotërinë tim dhe e ka bërë shumë të pasur duke i dhënë gjedhë, dhen, argjend, ar, shërbëtorë e shërbëtore, deve e gomarë.+ 36 Për më tepër, Sara, gruaja e zotërisë tim, i lindi atij një djalë kur ishte e shkuar në moshë,+ dhe ai do t’i japë djalit çdo gjë që ka.+ 37 Prandaj zotëria im më vuri në be dhe më tha: ‘Nuk duhet të marrësh për djalin tim një grua nga vajzat e kananitëve, në vendin e të cilëve banoj.+ 38 Por duhet të shkosh në shtëpinë e tim eti, në familjen time,+ dhe atje të marrësh një grua për tim bir.’+ 39 Por unë e pyeta zotërinë: ‘Po sikur ajo të mos dojë të vijë me mua?’+ 40 Ai më tha: ‘Jehovai, të cilit i kam shërbyer,*+ do të dërgojë engjëllin e tij+ me ty, e pa dyshim do të ta bëjë të mbarë udhën, dhe ti duhet të marrësh një grua për tim bir nga familja ime e nga shtëpia e tim eti.+ 41 Megjithatë, nëse shkon te familja ime dhe ata nuk ta japin vajzën, do të jesh i lirë nga betimi që më bëre. Vetëm kështu do të jesh i lirë nga betimi që më bëre.’+
42 Kur arrita sot te burimi, u luta: “O Jehova, Perëndi i zotërisë tim, Abrahamit, ma sill mbarë këtë udhë. 43 Ja tek po rri pranë këtij burimi, prandaj bëj që vajza+ që do të dalë për të mbushur ujë së cilës do t’i them: ‘Të lutem, lërmë të pi pak ujë nga shtamba jote’, 44 e që do të më thotë: ‘Pi, dhe do të nxjerr ujë edhe për devetë e tua’, të jetë gruaja që ti, o Jehova, ke zgjedhur për djalin e zotërisë tim.”+
45 Pa mbaruar lutjen që po bëja në heshtje, doli Rebeka me shtambën në sup, që zbriti te burimi dhe nisi të nxirrte ujë. Atëherë i thashë: ‘Më jep pak ujë, të lutem.’+ 46 Kështu ajo e uli me të shpejtë shtambën nga supi dhe tha: ‘Pi,+ dhe do t’u jap edhe deveve të tua.’ Unë piva, dhe ajo u dha ujë edhe deveve. 47 Pastaj e pyeta: ‘Bijë e kujt je?’ Ajo më tha: ‘Jam e bija e Betuelit, birit të Nahorit dhe të Milkës.’ Atëherë i vura unazën në hundë dhe byzylykët në duar.+ 48 U përkula me fytyrë përtokë para Jehovait dhe e lëvdova Jehovain, Perëndinë e zotërisë tim, Abrahamit,+ i cili më kishte drejtuar në udhën e duhur, që të merrja vajzën e vëllait të zotërisë tim për të birin. 49 Tani, më thoni nëse doni të tregoni dashuri* dhe besnikëri ndaj zotërisë tim. Nëse jo, ma thoni gjithsesi, që të di ç’rrugë të marr.»*+
50 Atëherë Labani dhe Betueli u përgjigjën: «Kjo gjë vjen nga Jehovai, dhe ne s’mund të të themi as po, as jo. 51 Ja ku e ke Rebekën. Merre dhe shko, e ajo u bëftë gruaja e djalit të zotërisë tënd, ashtu si ka thënë Jehovai.» 52 Me të dëgjuar fjalët e tyre, shërbëtori i Abrahamit u përkul menjëherë me fytyrë përtokë para Jehovait. 53 Pastaj filloi të nxirrte sende argjendi, ari e rroba dhe ia dha Rebekës. I dha gjëra të çmuara edhe vëllait dhe nënës së saj. 54 Pas kësaj ai dhe burrat që ishin me të, hëngrën e pinë dhe e kaluan natën atje.
Kur u ngrit në mëngjes, ai tha: «Më lini të shkoj te zotëria im.» 55 Atëherë vëllai dhe nëna e saj ia kthyen: «Lëre vajzën të rrijë me ne së paku edhe dhjetë ditë. Pastaj le të vijë.» 56 Por ai u tha: «Mos më vononi, se Jehovai ma ka sjellë mbarë udhën. Më lini të shkoj te zotëria im.» 57 Prandaj ata thanë: «Le të thërrasim vajzën dhe ta pyesim.» 58 Kështu e thirrën Rebekën dhe e pyetën: «A do që të shkosh me këtë njeri?» Ajo ua ktheu: «Po, dua.»
59 Atëherë ata e nisën motrën e tyre, Rebekën,+ dhe tajën*+ e saj, bashkë me shërbëtorin e Abrahamit e me njerëzit e tij. 60 Ata e bekuan Rebekën dhe i thanë: «O motra jonë, u bëfsh nëna e mijërave e dhjetëra mijëve! Pasardhësit* e tu le të shtien në dorë portën* e atyre që i urrejnë!»+ 61 Pastaj Rebeka dhe shërbëtoret e saj u ngritën, hipën në deve dhe shkuan pas atij burri. Kështu shërbëtori e mori Rebekën dhe u largua.
62 Tani, Isaku banonte në vendin e Negebit+ dhe po vinte nga rrethinat e Ber-Lahai-Roit.+ 63 Në mbrëmje ai kishte dalë në fushë për t’u menduar*+ dhe, kur ngriti sytë, pa devetë që po vinin. 64 Edhe Rebeka ngriti sytë e vuri re Isakun, dhe zbriti menjëherë nga deveja. 65 Pastaj e pyeti shërbëtorin: «Kush është ai burri që po ecën në fushë dhe po na del përpara?» Shërbëtori i tha: «Është imzot.» Atëherë ajo mori vellon që të mbulohej. 66 Pastaj shërbëtori i tregoi Isakut gjithçka që kishte bërë. 67 Atëherë Isaku e çoi Rebekën në tendën e Sarës, nënës së tij.+ Kështu e mori Rebekën për grua, ra në dashuri me të+ dhe gjeti ngushëllim pas humbjes së nënës.+
25 Tani, Abrahami mori një grua tjetër, që e kishte emrin Ketura. 2 Me kalimin e kohës, ajo i lindi Zimranin, Jokshanin, Medanin, Midianin,+ Ishbakun dhe Shuahun.+
3 Jokshanit i lindën Sheba dhe Dedani.
Bijtë e Dedanit ishin: Ashurimi, Letushimi dhe Leumimi.
4 Bijtë e Midianit ishin: Efahu, Eferi, Hanoku, Abidai dhe Eldahu.
Të gjithë këta ishin bijtë e Keturës.
5 Më vonë Abrahami i dha Isakut çdo gjë që kishte,+ 6 kurse bijve që kishte me konkubinat, u dha dhurata. Pastaj, ndërsa ishte ende gjallë, i dërgoi ata për në vendin e Lindjes, larg të birit,+ Isakut. 7 Abrahami jetoi gjithsej 175 vjet. 8 Pastaj Abrahami dha frymë e vdiq në pleqëri të mbarë, i moshuar e i kënaqur, dhe u bashkua me popullin e tij.* 9 Bijtë e tij, Isaku dhe Ismaeli, e varrosën në shpellën e Makpelahut, në arën e Efronit, birit të Zoharit, hititit, që ndodhet përballë Mamresë,+ 10 në arën që Abrahami u kishte blerë bijve të Hethit. Abrahamin e varrosën atje bashkë me Sarën, gruan e tij.+ 11 Pas vdekjes së Abrahamit, Perëndia vazhdoi ta bekonte Isakun,+ birin e tij; Isaku banonte pranë Ber-Lahai-Roit.+
12 Kjo është historia e Ismaelit,+ birit të Abrahamit, që Agara,+ egjiptiania, shërbyesja e Sarës, i lindi Abrahamit.
13 Këta janë emrat e bijve të Ismaelit sipas prejardhjes së tyre familjare: Nebajoti,+ i parëlinduri i Ismaelit, pastaj Kedari,+ Adbeli, Mibsami,+ 14 Mishmai, Dumahu, Masai, 15 Hadadi, Temai, Jeturi, Nafishi dhe Kedemahu. 16 Këta janë bijtë e Ismaelit, dhe këta janë emrat e tyre sipas vendbanimeve dhe sipas kampeve të tyre,* 12 prijës sipas fiseve të tyre.+ 17 Ismaeli jetoi 137 vjet. Pastaj ai dha frymë e vdiq, dhe u bashkua me popullin e tij.* 18 Ata* u vendosën me banim nga Havilahu+ pranë Surit,+ që ndodhet afër Egjiptit, deri në Asiri, dhe zunë vend përballë gjithë vëllezërve të tyre.*+
19 Kurse kjo është historia e Isakut, birit të Abrahamit.+
Abrahamit i lindi Isaku. 20 Isaku ishte 40 vjeç kur u martua me Rebekën, bijën e Betuelit,+ aramaitit nga Padan-Arami, motrën e Labanit, aramaitit. 21 Isaku i përgjërohej pa pushim Jehovait për gruan e tij, sepse nuk lindte fëmijë. Prandaj Jehovai iu përgjigj përgjërimit të tij, dhe Rebeka, e shoqja, mbeti shtatzënë. 22 Fëmijët në bark të saj nisën të ziheshin me njëri-tjetrin,+ prandaj ajo tha: «Nëse më duhet të vuaj kështu, kot që rroj!» Kështu e pyeti Jehovain, 23 dhe Jehovai i tha: «Në bark ke dy kombe,+ dy popuj do të dalin prej teje.+ Njëri komb do të jetë më i fortë se tjetri,+ dhe më i madhi do t’i shërbejë më të voglit.»+
24 Kur mbushi ditët e lindjes, ja, kishte binjakë. 25 I pari doli i tëri i kuq dhe dukej sikur kishte veshur një rrobë prej leshi,+ prandaj e quajtën Esau.*+ 26 Pastaj doli edhe i vëllai, i cili kishte kapur thembrën e Esaut me dorë,+ prandaj Isaku e quajti Jakob.*+ Ai ishte 60 vjeç kur Rebeka i lindi djemtë.
27 Ndërsa rriteshin, Esau u bë gjahtar i zoti,+ i dhënë pas gjahut, kurse Jakobi kalonte kohën më të madhe në tenda dhe ishte njeri i paqortueshëm.+ 28 Isaku donte Esaun, sepse i sillte për të ngrënë mish gjahu, ndërsa Rebeka donte Jakobin.+ 29 Një herë, Jakobi po ziente ca gjellë kur Esau u kthye i rraskapitur nga fusha. 30 Prandaj Esau i tha Jakobit: «Shpejt, të lutem, më jep një lugë nga gjella e kuqe* që ke aty, sepse po vdes urie!»* Ja pse u quajt Edom.*+ 31 Jakobi ia ktheu: «Më parë, më shit të drejtën tënde si i parëlindur.»+ 32 Esau vazhdoi: «Unë po vdes këtu! Ç’më duhet e drejta e të parëlindurit?!» 33 Jakobi shtoi: «Së pari m’u beto!» Prandaj iu betua dhe i shiti Jakobit të drejtën si i parëlindur.+ 34 Atëherë Jakobi i dha Esaut bukë dhe gjellë me thjerrëza, dhe ai hëngri e piu, u ngrit dhe iku. Kështu Esau e përbuzi të drejtën e të parëlindurit.
26 Tani, në vend kishte rënë përsëri zi buke, si ajo në ditët e Abrahamit.+ Prandaj Isaku shkoi tek Abimeleku, mbreti i filistinëve, në Gerar. 2 Atëherë Jehovai iu shfaq dhe i tha: «Mos shko në Egjipt, por bano në vendin që do të të tregoj. 3 Bano si i huaj në këtë vend,+ dhe unë do të vazhdoj të jem me ty e do të të bekoj, sepse ty dhe pasardhësit* tënd do t’ju jap gjithë këto vende+ dhe do të mbaj betimin që i bëra Abrahamit, atit tënd:+ 4 ‘Do ta shumoj pasardhësin* tënd si yjet e qiellit+ dhe do t’i jap pasardhësit tënd të gjitha këto vende.+ Me anë të pasardhësit tënd do të bekohen* gjithë kombet e tokës’,+ 5 sepse Abrahami e dëgjoi zërin tim dhe iu përmbajt vazhdimisht kërkesave, urdhërimeve, normave dhe ligjeve të mia.»+ 6 Kështu Isaku vazhdoi të banonte në Gerar.+
7 Kur banorët e vendit e pyetnin për të shoqen, Isaku u përgjigjej: «Është motra ime.»+ Kishte frikë të tregonte që ishte gruaja e vet, se thoshte: «Banorët e vendit mund të më vrasin për shkak të Rebekës», ngaqë ishte e bukur.+ 8 Pas ca kohësh, Abimeleku, mbreti i filistinëve, po shikonte nga dritarja dhe vuri re Isakun që po përkëdhelte* Rebekën.+ 9 Menjëherë Abimeleku e thirri Isakun dhe i tha: «Ajo qenka gruaja jote! Pse the: ‘Është motra ime.’» Isaku ia ktheu: «E thashë nga frika se mos vdisja për shkak të saj.»+ 10 Por Abimeleku vazhdoi: «Ç’na bëre kështu?+ Fare kollaj dikush nga populli mund të kishte fjetur me gruan tënde, dhe ti do të na kishe ngarkuar me faj!»+ 11 Pastaj Abimeleku e urdhëroi gjithë popullin: «Atë që e prek këtë njeri dhe gruan e tij, e pret vdekja!»
12 Tani, Isaku nisi të mbillte në atë vend dhe atë vit mori 100-fishin e asaj që mbolli, meqë Jehovai po e bekonte.+ 13 Ky njeri u pasurua dhe sa vinte e më mbarë i shkonte, prandaj u bë shumë i pasur. 14 Ai pati kope me dhen, tufa me gjedhë e goxha shërbëtorë,+ dhe filistinët filluan ta kishin zili.
15 Prandaj filistinët i mbyllën me dhé të gjitha puset që kishin hapur shërbëtorët e Abrahamit, atit të tij.+ 16 Abimeleku i tha Isakut: «Largohu që këtej, sepse je bërë shumë më i fortë se ne.» 17 Kështu Isaku iku që andej, ngriti kampin në luginën* e Gerarit+ dhe filloi të jetonte atje. 18 Isaku i hapi prapë puset që kishin hapur në kohën e Abrahamit, të atit, por që filistinët i kishin mbyllur pas vdekjes së Abrahamit,+ dhe i quajti përsëri siç i kishte quajtur i ati.+
19 Kur shërbëtorët e Isakut po gërmonin në luginë, gjetën një pus me ujë të pijshëm, 20 dhe barinjtë e Gerarit filluan të bënin fjalë me barinjtë e Isakut: «Uji është yni.» Prandaj ai e quajti pusin Esek,* sepse ata kishin bërë fjalë me të. 21 Shërbëtorët nisën të gërmonin një pus tjetër, por barinjtë filluan të bënin fjalë edhe për atë, prandaj ai e quajti Sitnah.* 22 Më vonë, Isaku u largua që andej dhe hapi një pus tjetër, por për këtë nuk bënë fjalë. Prandaj ia vuri emrin Rehobot* dhe tha: «Se tani Jehovai na ka dhënë një vend të gjerë dhe na ka bërë të frytshëm në këtë vend.»+
23 Pastaj Isaku u largua dhe shkoi në Ber-Shebë.+ 24 Atë natë Jehovai iu shfaq dhe i tha: «Unë jam Perëndia i Abrahamit, atit tënd.+ Mos ki frikë,+ sepse jam me ty dhe do të të bekoj e do ta shumoj pasardhësin* tënd për hir të Abrahamit, shërbëtorit tim.»+ 25 Prandaj Isaku ndërtoi atje një altar dhe i thuri lavde emrit të Jehovait.+ Pastaj ngriti tendën+ dhe shërbëtorët e tij hapën atje një pus.
26 Më vonë, Abimeleku erdhi nga Gerari bashkë me Ahuzatin, këshilltarin e tij, dhe me Fikolin, kreun e ushtrisë.+ 27 Kur i pa, Isaku u tha: «Pse keni ardhur këtu, përderisa më urreni?! A nuk ishit ju që më dëbuat?!» 28 Ata ia kthyen: «E kemi parë qartë se Jehovai ka qenë me ty,+ prandaj menduam të të thoshim: ‘Të lutemi, le të betohemi e të lidhim këtë besëlidhje mes nesh:+ 29 Ti nuk do të na bësh asgjë të keqe, ashtu siç nuk të prekëm ne, por të bëmë vetëm të mira dhe të lamë të ikje në paqe, sepse e kuptojmë se ti je i bekuari i Jehovait.’» 30 Atëherë ai shtroi për ta një gosti dhe ata hëngrën e pinë. 31 Në mëngjes, u ngritën herët dhe iu betuan njëri-tjetrit.+ Pastaj Isaku i la të iknin dhe ata u larguan në paqe.
32 Atë ditë shërbëtorët e Isakut vajtën tek ai dhe e njoftuan për pusin që kishin hapur:+ «Kemi gjetur ujë!» 33 Prandaj ai e quajti Shibah. Ja pse emri i qytetit është Ber-Shebë+ edhe sot e kësaj dite.
34 Kur ishte 40 vjeç, Esau u martua me Juditën, vajzën e Berit, hititit, si dhe me Basematën, vajzën e Elonit, hititit.+ 35 Ato ishin burim i madh hidhërimi* për Isakun dhe Rebekën.+
27 Tani, kur ishte i moshuar dhe e kishin lënë sytë, Isaku thirri Esaun,+ djalin e madh, dhe i tha: «Biri im!» Ky ia ktheu: «Këtu jam.» 2 Ai vazhdoi: «Tani jam plak dhe nuk e di kur do të më vijë vdekja. 3 Të lutem, merr armët, kukurën me shigjeta* dhe harkun, shko në fushë e kap gjah për mua.+ 4 Pastaj bëmë atë gjellën e shijshme që më pëlqen dhe ma sill që ta ha. Atëherë do të të bekoj* para se të vdes.»
5 Mirëpo Rebeka po dëgjonte kur Isaku po fliste me Esaun, të birin. Pastaj Esau doli në fushë që të zinte gjah dhe t’ia sillte.+ 6 Kurse Rebeka i tha të birit, Jakobit:+ «Sapo dëgjova babanë tënd që po fliste me Esaun, vëllanë tënd, e po i thoshte: 7 ‘Më sill ca gjah dhe më bëj një gjellë të shijshme që ta ha. Atëherë do të të bekoj në sy të Jehovait, para se të vdes.’+ 8 Prandaj biri im, më dëgjo me vëmendje dhe bëj si po të them.+ 9 Të lutem, merr dy keca të njomë, më të mirët e kopesë, dhe m’i sill që t’i bëj babait tënd një gjellë të shijshme, ashtu siç i pëlqen. 10 Pastaj çoja ta hajë e atëherë ai do të të bekojë para se të vdesë.»
11 Jakobi i tha nënës, Rebekës: «Por vëllai im, Esau, është leshtor,+ kurse unë jo. 12 Po sikur im atë të më prekë?+ Atëherë do të duket sikur po e vë në lojë dhe do të marr një mallkim e jo një bekim.» 13 E ëma ia ktheu: «Ai mallkim rëntë mbi mua, biri im! Vetëm bëj si të thashë, shko e m’i merr kecat.»+ 14 Atëherë ai shkoi, i mori e ia solli nënës së vet, dhe ajo bëri një gjellë të shijshme, ashtu siç i pëlqente babait të tij. 15 Pastaj Rebeka mori rrobat më të mira të Esaut, djalit të madh, që ajo i kishte në tendë, dhe ia veshi Jakobit, djalit të vogël.+ 16 I vuri edhe lëkurët e kecave në duar e në qafë, te pjesa që s’kishte qime.+ 17 Pastaj i dha Jakobit, të birit, gjellën e shijshme dhe bukën që kishte bërë.+
18 Kështu ai shkoi tek i ati dhe i tha: «O atë!» Ky ia ktheu: «Urdhëro. Cili je ti, biri im?» 19 Jakobi i tha të atit: «Jam Esau, i parëlinduri yt.+ Bëra si më the. Të lutem, ngrihu të hash pak nga gjahu im, e kështu të më bekosh.»*+ 20 Atëherë Isaku i tha të birit: «Si e gjete kaq shpejt, biri im?» Ai ia ktheu: «Jehovai, Perëndia yt, ma solli.» 21 Dhe Isaku i tha Jakobit: «Eja më pranë, të lutem, që të të prek e të di nëse ti je vërtet im bir, Esau.»+ 22 Kështu Jakobi iu afrua të atit, Isakut, i cili e preku dhe pastaj tha: «Zëri është i Jakobit, por duart janë të Esaut.»+ 23 Ai nuk e njohu sepse duart e tij ishin leshtore, si duart e të vëllait, Esaut, prandaj e bekoi.+
24 Pastaj i tha: «A je vërtet im bir, Esau?» Ky i tha: «Unë jam.» 25 Kështu Isaku i tha: «Më sill ca nga gjahu që të ha, biri im, pastaj do të të bekoj.»* Jakobi ia afroi të atit dhe ai hëngri. I solli edhe verë dhe ai piu. 26 Atëherë Isaku, i ati, i tha: «Të lutem, biri im, afrohu dhe më puth.»+ 27 Kështu ai iu afrua, Isaku e puthi dhe ndjeu aromën e rrobave të tij,+ pastaj e bekoi dhe tha:
«Ja, aroma e tim biri është si aroma e fushës, që Jehovai e ka bekuar. 28 Perëndia i vërtetë të dhëntë vesën e qiejve,+ toka pjellore,+ drithë me bollëk dhe verë të re!+ 29 Popujt të shërbefshin dhe kombet u përkulshin para teje! Qofsh zotëri mbi vëllezërit e tu dhe u përkulshin para teje bijtë e nënës sate!+ Mallkuar qoftë kush të mallkon dhe bekuar qoftë kush të bekon!»+
30 Isaku sapo e kishte bekuar Jakobin, dhe Jakobi sapo ishte larguar nga Isaku, i ati, kur Esau u kthye nga gjuetia.+ 31 Edhe ai bëri një gjellë të shijshme, ia çoi të atit dhe i tha: «Ngrihu, o atë, dhe ha pak nga gjahu i djalit tënd, e kështu më beko.»* 32 Isaku ia ktheu: «Cili je ti?» Ai i tha: «Jam yt bir, i parëlinduri yt, Esau.»+ 33 Isaku u trondit, filloi të dridhej fort dhe tha: «Po cili ishte ai që shkoi për gjah dhe ma solli? Unë hëngra para se të vije ti dhe e bekova, prandaj ai me siguri do të bekohet!»
34 Kur dëgjoi fjalët e të atit, Esau filloi të ulëriste me sa t’i hante zëri e gjithë hidhërim. Pastaj i tha: «Më beko, më beko edhe mua, o atë!»+ 35 Por ai ia ktheu: «Yt vëlla erdhi dhe më mashtroi për të marrë bekimin që doja të të jepja ty.» 36 Esau i tha: «Nuk është quajtur më kot Jakob!* Dy herë ma ka zënë vendin!+ Tashmë më ka marrë të drejtën e të parëlindurit+ dhe tani më mori edhe bekimin!»+ Pastaj shtoi: «A nuk ke ruajtur një bekim edhe për mua?» 37 Por Isaku iu përgjigj Esaut: «Ja, e caktova zotëri mbi ty+ dhe gjithë vëllezërit ia dhashë si shërbëtorë. I sigurova drithë dhe verë të re.+ Ç’gjë tjetër më ka mbetur që të bëj për ty, biri im?»
38 Atëherë Esau i tha: «Vetëm një bekim ke, o atë? Më beko, o atë, më beko edhe mua!» Pastaj bërtiti fort dhe shpërtheu në lot.+ 39 Isaku, i ati, iu përgjigj:
«Ja, vendbanimi yt do të jetë larg tokës pjellore dhe larg vesës së qiejve.+ 40 Do të jetosh me anë të shpatës+ dhe do t’i shërbesh vëllait tënd.+ Por kur të të mërzitet shpirti, ke për ta thyer nga qafa zgjedhën e tij.»+
41 Megjithatë Esau ushqente mëri kundër Jakobit, për shkak të bekimit që i kishte dhënë i ati,+ dhe bluante në mendje: «Koha që do të mbajmë zi për babanë, po afrohet.+ Pastaj do ta vras Jakobin, tim vëlla.» 42 Kur ia treguan Rebekës atë që kishte ndër mend Esau, djali i madh, ajo thirri menjëherë Jakobin, djalin e vogël, dhe i tha: «Ja, vëllai yt, Esau, ka ndër mend të të vrasë që të marrë hak.* 43 Prandaj, biri im, bëj si po të them. Ngrihu dhe mbathja te Labani, vëllai im, në Haran.+ 44 Rri me të për ca kohë, derisa vëllait tënd t’i bjerë tërbimi, 45 derisa t’i kalojë zemërimi dhe të harrojë ç’i bëre. Unë do të të çoj fjalë, që të vish që andej. Pse t’ju humbas të dyve në një ditë?»
46 Pas kësaj Rebeka i thoshte Isakut: «Më është neveritur jeta nga bijat e Hethit.+ Sikur Jakobi të marrë për grua ndonjë nga bijat e Hethit, një nga këto bijat e vendit, ç’ta dua jetën?!»+
28 Atëherë Isaku thirri Jakobin, e bekoi dhe e urdhëroi: «Mos u marto me ndonjë nga bijat e Kananit.+ 2 Shko në Padan-Aram, në shtëpinë e Betuelit, babait të nënës sate, dhe atje martohu me një nga bijat e Labanit,+ vëllait të nënës sate. 3 Perëndia i Plotfuqishëm do të të bekojë, do të të bëjë të frytshëm e do të të shumojë, dhe nga ti do të vijnë shumë fise.+ 4 Ai do të të japë bekimin e Abrahamit,+ ty dhe pasardhësit* tënd, që të shtiesh në dorë vendin ku banon si i huaj, që Perëndia ia ka dhënë Abrahamit.»+
5 Kështu Isaku e nisi Jakobin, dhe ky mori rrugën për në Padan-Aram, te Labani, djali i Betuelit, aramaitit,+ vëllai i Rebekës,+ nënës së Jakobit dhe Esaut.
6 Esau e mori vesh që Isaku e kishte bekuar Jakobin dhe e kishte nisur në Padan-Aram që të merrte grua, pasi e kishte urdhëruar: «Mos u marto me ndonjë nga bijat e Kananit.»+ 7 Mori vesh edhe që Jakobi iu bind babait e nënës dhe u nis për në Padan-Aram.+ 8 Kështu Esau e kuptoi që bijat e Kananit nuk kishin pëlqimin e të atit, Isakut,+ 9 prandaj, përveç grave që kishte tashmë,+ Esau shkoi te familja e Ismaelit dhe mori për grua Mahalatën, vajzën e Ismaelit, djalit të Abrahamit, motrën e Nebajotit.
10 Kurse Jakobi u nis nga Ber-Sheba dhe vazhdoi rrugën për në Haran.+ 11 Pas një copë rruge arriti në një vend dhe u bë gati të kalonte natën atje, sepse dielli kishte perënduar. Prandaj mori një gur, e vuri që të mbështeste kokën dhe u shtri.+ 12 Pastaj pa në ëndërr një shkallë të mbështetur në tokë me majën që arrinte deri në qiej. Dhe ja, engjëjt e Perëndisë ngjiteshin e zbritnin nëpër të.+ 13 Pa edhe Jehovain që rrinte mbi të dhe thoshte:
«Unë jam Jehovai, Perëndia i Abrahamit, paraardhësit tënd, dhe Perëndia i Isakut.+ Vendin ku je shtrirë do të ta jap ty dhe pasardhësit* tënd.+ 14 Pasardhësi* yt do të bëhet si grimcat e pluhurit të tokës+ dhe do të shpërndahet kudo, në perëndim e në lindje, në veri e në jug. Nëpërmjet teje dhe pasardhësit tënd do të bekohen* gjithë familjet e tokës.+ 15 Unë jam me ty dhe do të të mbroj kudo që të shkosh e do të të kthej përsëri në këtë vend.+ Nuk do të të lë dhe do ta plotësoj me siguri premtimin që të kam bërë.»+
16 Atëherë Jakobi u zgjua dhe tha: «Jehovai është vërtet në këtë vend dhe unë nuk e dija.» 17 Pastaj e zuri frika dhe shtoi: «Ky vend të ngjall nderim të thellë! S’mund të jetë gjë tjetër veçse shtëpia e Perëndisë+ dhe porta e qiejve.»+ 18 Kështu Jakobi u çua herët në mëngjes, mori gurin ku kishte mbështetur kokën, e ngriti si një shtyllë dhe derdhi vaj mbi të.+ 19 Prandaj e quajti atë vend Bethel;* më parë qyteti quhej Luz.+
20 Pastaj Jakobi bëri një zotim dhe tha: «Nëse Perëndia do të vazhdojë të jetë me mua dhe do të më mbrojë gjatë rrugës, nëse do të më japë bukë për të ngrënë e rroba për të veshur 21 dhe nëse kthehem shëndoshë e mirë në shtëpinë e tim eti, atëherë Jehovai me siguri do të ketë treguar se është Perëndia im. 22 Ky gur që kam ngritur si shtyllë, do të bëhet shtëpi e Perëndisë,+ dhe ty, o Perëndi, do të të jap gjithmonë të dhjetën e çdo gjëje që do të më japësh.»
29 Pastaj Jakobi vazhdoi udhën drejt vendit të popujve të Lindjes. 2 Ai pa në fushë një pus dhe pranë tij ishin shtrirë tri kope dhensh, sepse zakonisht nga ai pus u jepnin ujë kopeve; mbi grykën e pusit kishte një gur të madh. 3 Barinjtë e rrokullisnin gurin nga gryka e pusit dhe u jepnin ujë kopeve kur i kishin mbledhur të gjitha atje, pastaj e vinin përsëri gurin në vend.
4 Atëherë Jakobi i pyeti: «Vëllezërit e mi, nga jeni?» Ata i thanë: «Nga Harani.»+ 5 Pastaj u tha: «A e njihni Labanin,+ nipin e Nahorit?»+ Ata ia kthyen: «E njohim.» 6 Ai i pyeti: «A është mirë?» Ata iu përgjigjën: «Mirë është, dhe ja ku është e bija, Rakela,+ që po vjen me dhentë.» 7 Ai vazhdoi: «Është ende mesi i ditës. S’është koha për t’i mbyllur tufat. Jepuni ujë dhenve e shkoni t’i kullotni.» 8 Ata i thanë: «S’duhet t’u japim ujë pa u mbledhur më parë të gjitha kopetë. Vetëm atëherë mund ta rrokullisim gurin nga gryka e pusit e t’u japim ujë dhenve.»
9 Ndërsa ai po fliste me ta, erdhi Rakela me dhentë e të atit, sepse ishte bareshë. 10 Sa e pa Rakelën, vajzën e Labanit, vëllait të nënës, bashkë me dhentë, Jakobi u afrua menjëherë, rrokullisi gurin nga gryka e pusit dhe u dha ujë dhenve të Labanit. 11 Pastaj Jakobi e puthi Rakelën, shpërtheu në lot 12 dhe i tha se ishte i afërm* i babait të saj e se ishte djali i Rebekës. Atëherë ajo iku me vrap t’ia thoshte të atit.
13 Sapo dëgjoi për Jakobin, djalin e së motrës, Labani+ vrapoi që ta takonte. E përqafoi, e puthi dhe e mori brenda në shtëpi, e Jakobi nisi t’i tregonte Labanit gjithçka. 14 Ky i tha: «Ti je vërtet gjaku im.»* Kështu Jakobi qëndroi me të plot një muaj.
15 Më pas Labani i tha Jakobit: «S’ke për të më shërbyer pa marrë asgjë, vetëm ngaqë je i afërmi* im!+ Më thuaj, ç’pagë do?»+ 16 Tani, Labani kishte dy vajza; e madhja quhej Lea dhe e vogla Rakela.+ 17 Lea kishte sy të shuar, kurse Rakela ishte shumë e hijshme dhe e bukur. 18 Jakobi kishte rënë në dashuri me Rakelën, prandaj i tha Labanit: «Jam gati të të shërbej shtatë vjet për vajzën tënde të vogël, Rakelën.»+ 19 Labani iu përgjigj: «Më mirë të ta jap ty, se ndonjë tjetri. Vazhdo të banosh këtu tek unë.» 20 Kështu Jakobi shërbeu shtatë vjet për Rakelën,+ dhe nga dashuria që kishte për të, iu dukën vetëm pak ditë.
21 Atëherë Jakobi i tha Labanit: «Më jep nusen time sepse ditët që duhej të të shërbeja, mbaruan, dhe më lër të kem marrëdhënie me të.» 22 Kështu Labani mblodhi gjithë njerëzit e vendit dhe bëri dasmë. 23 Mirëpo gjatë mbrëmjes, mori vajzën tjetër, Lean, dhe ia çoi Jakobit që të flinte me të. 24 Gjithashtu, Labani i dha Leas si shërbyese+ Zilpën, shërbyesen e tij. 25 Jakobi e kuptoi që ishte Lea vetëm në mëngjes, prandaj i tha Labanit: «Ç’është kjo që më bëre?! A nuk të shërbeva për Rakelën? Pse ma punove kështu?!»+ 26 Labani ia ktheu: «Në vendin tonë nuk e kemi zakon të japim të voglën para së madhes. 27 Kaloje javën e dasmës me vajzën e madhe, e pastaj do të të jap edhe vajzën e vogël, për të cilën do të më shërbesh edhe shtatë vite të tjera.»+ 28 Prandaj Jakobi bëri ashtu dhe e kaloi javën e dasmës me vajzën e madhe. Pastaj Labani i dha për nuse edhe vajzën tjetër, Rakelën. 29 Gjithashtu i dha Rakelës si shërbyese+ Belhanë,+ shërbyesen e tij.
30 Jakobi pati marrëdhënie edhe me Rakelën. Ai e deshi më shumë Rakelën se Lean, dhe shërbeu për të edhe shtatë vite të tjera.+ 31 Kur Jehovai pa se Jakobi e donte më pak* Lean, i dha asaj mundësi të mbetej shtatzënë,*+ kurse Rakela nuk lindte fëmijë.+ 32 Kështu Lea mbeti shtatzënë dhe lindi një djalë që e quajti Ruben,*+ sepse tha: «Jehovai e pa brengën time+ dhe tani im shoq do të fillojë të më dojë më shumë.» 33 Ajo mbeti përsëri shtatzënë dhe lindi një djalë tjetër e tha: «Jehovai dëgjoi që im shoq s’më donte, prandaj më dha edhe këtë fëmijë.» Kështu e quajti Simeon.*+ 34 Ajo mbeti përsëri shtatzënë dhe lindi edhe një djalë e tha: «Këtë herë im shoq do të lidhet më shumë me mua, sepse i kam lindur tre djem.» Prandaj e quajtën Levi.*+ 35 Ajo mbeti prapë shtatzënë dhe lindi edhe një djalë tjetër e tha: «Këtë herë do të lëvdoj Jehovain.» Prandaj e quajti Judë.*+ Pas kësaj, ajo nuk lindi më për njëfarë kohe.
30 Kur pa se nuk po bënte dot fëmijë, Rakela u bë xheloze për të motrën dhe nisi t’i thoshte Jakobit: «Më bëj me fëmijë, përndryshe do të vdes.» 2 Mirëpo Jakobi u zemërua me Rakelën dhe ia ktheu: «Mos jam unë Perëndia, që nuk të ka lejuar të kesh fëmijë?!»* 3 Prandaj ajo i tha: «Ja ku e ke skllaven time, Belhanë.+ Ki marrëdhënie me të që ajo të lindë fëmijë për mua* dhe të kem edhe unë fëmijë nëpërmjet saj.» 4 Kështu i dha për grua Belhanë, shërbyesen e saj, dhe Jakobi pati marrëdhënie me të.+ 5 Belhaja mbeti shtatzënë dhe pas ca kohësh i lindi Jakobit një djalë. 6 Atëherë Rakela tha: «Perëndia veproi si gjykatësi im dhe ma dëgjoi zërin, prandaj më dha një djalë.» Ja pse e quajti Dan.*+ 7 Belhaja, shërbyesja e Rakelës, mbeti sërish shtatzënë dhe i lindi Jakobit djalin e dytë. 8 Atëherë Rakela tha: «Jam përleshur ashpër me motrën time dhe kam dalë fitimtare!» Prandaj e quajti Neftal.*+
9 Kur Lea kuptoi që nuk po lindte më, mori shërbyesen e saj, Zilpën, dhe ia dha për grua Jakobit.+ 10 Zilpa, shërbyesja e Leas, i lindi Jakobit një djalë. 11 Atëherë Lea tha: «Ç’mbarësi!» Prandaj e quajti Gad.*+ 12 Pastaj Zilpa, shërbyesja e Leas, i lindi Jakobit djalin e dytë. 13 Atëherë Lea tha: «Ç’lumturi! Me siguri gratë do të më quajnë të lumtur.»+ Prandaj e quajti Asher.*+
14 Në kohën e korrjes së grurit, teksa po ecte në fushë, Rubeni+ gjeti ca madërgona dhe ia çoi Leas, nënës së vet. Atëherë Rakela i tha Leas: «Të lutem, më jep ca nga madërgonat e djalit tënd.» 15 Por ajo ia ktheu: «Të duket gjë e vogël që më more burrin?!+ Tani dashke të më marrësh edhe madërgonat e djalit?!» Atëherë Rakela i tha: «Mirë pra, ai do të flejë me ty sonte në këmbim të madërgonave të djalit tënd.»
16 Në mbrëmje, kur Jakobi po kthehej nga fusha, Lea i doli përpara për ta takuar dhe i tha: «Sonte do të flesh me mua, sepse të kam paguar me madërgonat e tim biri.» Prandaj ai fjeti me të atë natë. 17 Perëndia e dëgjoi dhe iu përgjigj Leas, që mbeti shtatzënë dhe i lindi Jakobit djalin e pestë. 18 Atëherë Lea tha: «Perëndia ma dha shpërblimin tim,* ngaqë i dhashë tim shoqi shërbyesen.» Prandaj e quajti Isahar.*+ 19 Lea mbeti përsëri shtatzënë dhe i lindi Jakobit djalin e gjashtë.+ 20 Atëherë ajo tha: «Perëndia më dha mua, po mua, një dhuratë të mirë. Më në fund, im shoq do të më pranojë,+ sepse i kam lindur gjashtë djem.»+ Kështu e quajti Zabulon.*+ 21 Pastaj lindi një vajzë dhe e quajti Dina.+
22 Në fund, Perëndia u kujtua për Rakelën, dhe Perëndia e dëgjoi e iu përgjigj duke i dhënë mundësi të mbetej shtatzënë.*+ 23 Ajo mbeti shtatzënë, lindi një djalë dhe tha: «Perëndia ma hoqi poshtërimin!»+ 24 Prandaj e quajti Jozef*+ dhe tha: «Jehovai po më shton edhe një djalë.»
25 Pasi Rakela lindi Jozefin, Jakobi i tha menjëherë Labanit: «Të lutem, më lër të shkoj në tokën time dhe në vendin tim.+ 26 Më jep gratë dhe fëmijët e mi për të cilët të shërbeva dhe lërmë të iki, sepse ti e di mirë si të kam shërbyer.»+ 27 Atëherë Labani i tha: «Nëse kam miratimin tënd, të lutem, rri, sepse e kam kuptuar nga oguret* se Jehovai po më bekon falë teje.» 28 Dhe shtoi: «Caktoje pagën që do dhe do të ta jap.»+ 29 Prandaj Jakobi i tha: «Ti e di si të kam shërbyer dhe sa është bërë kopeja jote nën kujdesin tim.+ 30 Para se të vija unë, ishte e vogël, por tani është shtuar e është bërë e madhe, dhe Jehovai të ka bekuar që kur kam ardhur unë. Po për shtëpinë time, kur do të bëj diçka?»+
31 Prandaj Labani e pyeti: «Ç’të të jap?» Jakobi iu përgjigj: «S’do të më japësh asgjë! Unë do të vazhdoj ta kullot dhe ta ruaj kopenë tënde+ nëse bën këtë që do të të them. 32 Unë do të kaloj sot mes tërë kopesë sate. Ti vër mënjanë çdo dele pikaloshe dhe lara-lara, çdo dash në kafe të errët dhe çdo dhi pikaloshe e lara-lara. Që sot e tutje, këto le të jenë paga ime.+ 33 Ndershmëria* ime do të flasë për mua kur të vish për të kontrolluar pagën time, e nëse gjen tek unë ndonjë dhi që nuk është pikaloshe ose lara-lara, ose ndonjë dash të ri që nuk është në kafe të errët, quaje të vjedhur.»
34 Atëherë Labani tha: «Dakord. U bëftë ashtu si the!»+ 35 Prandaj atë ditë, Labani i vuri mënjanë cjeptë vija-vija e lara-lara, tërë dhitë pikaloshe e lara-lara, çdo bagëti që kishte ndonjë njollë të bardhë e çdo dash të ri në kafe të errët dhe ua dha bijve të tij që të kujdeseshin. 36 Pastaj i çoi këto tufa tri ditë udhë larg nga Jakobi, kurse Jakobi vazhdoi ta kulloste pjesën që mbeti të kopesë së Labanit.
37 Atëherë Jakobi mori disa purteka të sapokëputura prej druri stiraksi, bajameje dhe rrapi. U zhvoshku lëvoren vende-vende derisa u zbuloi pjesët e bardha. 38 Pastaj purtekat e zhvoshkura i vuri përballë kopesë, në vijat e ujit, në lugjet ku kopetë vinin për të pirë, që të vinin në afsh përpara tyre.
39 Kështu kopetë vinin në afsh përpara purtekave dhe bënin të vegjël vija-vija, pikaloshë dhe lara-lara. 40 Pastaj Jakobi i vuri mënjanë këta desh të rinj dhe e ktheu pjesën tjetër të kopesë që të shikonte kopenë vija-vija e në kafe të errët që kishte lindur nga kopeja e Labanit. Më pas, kopetë e veta i vuri mënjanë dhe nuk i vuri bashkë me të Labanit. 41 Sa herë që bagëtitë e shëndetshme vinin në afsh, Jakobi ua vinte purtekat në vijat e ujit para syve, që ato të vinin në afsh pranë purtekave. 42 Por kur bagëtitë ishin të ligshta, ai nuk i vendoste purtekat atje. Kështu të ligshtat ishin gjithnjë të Labanit, kurse të shëndetshmet të Jakobit.+
43 Ai njeri u bë shumë i pasur dhe pati kope të mëdha, shërbyese e shërbyes, deve e gomarë.+
31 Me kalimin e kohës, ai mori vesh që bijtë e Labanit thoshin: «Jakobi ka marrë çdo gjë që i përkiste babait tonë dhe nga ato ka mbledhur gjithë këtë pasuri.»+ 2 Përveç kësaj, Jakobi vuri re që edhe Labani tani e shihte me sy tjetër.+ 3 Në fund Jehovai i tha Jakobit: «Kthehu në tokën e etërve të tu dhe te të afërmit e tu+ dhe unë do të vazhdoj të jem me ty.» 4 Kështu Jakobi i dërgoi fjalë Rakelës dhe Leas që të vinin në fushë, ku kulloste kopetë, 5 dhe u tha:
«Kam vënë re që tani babai juaj më sheh me sy tjetër.+ Megjithatë Perëndia i tim eti e ka treguar se ka qenë me mua.+ 6 Ju vetë e dini se i kam shërbyer babait tuaj me gjithë fuqinë+ 7 dhe ai është përpjekur të ma hedhë dhe ma ka ndryshuar pagën dhjetë herë, por Perëndia nuk e ka lejuar të më bëjë keq. 8 Kur ai thoshte: ‘Pikaloshet do të jenë paga jote’, atëherë gjithë kopeja bënte të vegjël pikaloshë. Por kur ai thoshte: ‘Ato vija-vija do të jenë paga jote’, atëherë gjithë kopeja bënte të vegjël vija-vija.+ 9 Kështu Perëndia ia merrte bagëtitë babait tuaj dhe m’i jepte mua. 10 Një herë, kur kopeja erdhi në afsh, unë pashë në ëndërr që cjeptë që ndërzenin femrat ishin vija-vija, pikaloshë dhe pulla-pulla.+ 11 Atëherë engjëlli i Perëndisë së vërtetë më tha në ëndërr: ‘Jakob!’ Unë iu përgjigja: ‘Urdhëro, zotëria im.’ 12 Ai vazhdoi: ‘Të lutem, ngriji sytë dhe shih: gjithë cjeptë që ndërzejnë femrat janë vija-vija, pikaloshë dhe pulla-pulla, sepse unë e kam parë gjithçka që po të bën Labani.+ 13 Unë jam Perëndia i vërtetë i Bethelit,+ ku ti mirose* një shtyllë dhe m’u zotove.+ Tani ngrihu, dil nga ky vend dhe kthehu në vendlindje.’»+
14 Atëherë Rakela dhe Lea thanë: «Se mos ka ngelur ende ndonjë pjesë trashëgimie për ne në shtëpinë e babait tonë! 15 A nuk na konsideron të huaja që kur na shiti dhe a nuk i ka harxhuar gjithë paratë që dhe për ne?+ 16 Gjithë pasuritë që Perëndia ia ka hequr babait, janë tonat dhe të fëmijëve tanë,+ prandaj bëj si të ka thënë Perëndia.»+
17 Kështu Jakobi u ngrit dhe i hipi fëmijët e gratë e tij në deve.+ 18 Pastaj vuri përpara gjithë kopetë dhe pasurinë që kishte vënë, pra, bagëtinë që kishte grumbulluar+ në Padan-Aram, që të shkonte tek Isaku, i ati, në vendin e Kananit.+
19 Ndërkohë që Labani kishte shkuar të qethte dhentë, Rakela i vodhi idhujt e shtëpisë.*+ 20 Për më tepër, Jakobi u tregua i zgjuar dhe nuk i tha Labanit, aramaitit, që po ia mbathte. 21 Kështu ia mbathi dhe kaloi Lumin*+ me gjithçka që kishte, e pastaj mori rrugën për në rajonin malor të Galadit.+ 22 Ditën e tretë, Labanit i thanë se Jakobi ia kishte mbathur. 23 Prandaj ai mori me vete vëllezërit* e tij, iu vu pas për shtatë ditë dhe e arriti në rajonin malor të Galadit. 24 Atëherë Perëndia iu shfaq natën në ëndërr+ Labanit, aramaitit,+ dhe i tha: «Ki kujdes çfarë i thua Jakobit, qoftë për mirë, qoftë për keq.»+
25 Kështu Labani arriti te Jakobi, që e kishte ngritur tendën në mal; edhe Labani me vëllezërit e tij e kishin ngritur kampin në rajonin malor të Galadit. 26 Atëherë Labani i tha Jakobit: «Ç’ishte kjo që bëre? Pse duhej të më mashtroje kështu e të m’i merrje vajzat sikur të ishin robinja të zëna me shpatë? 27 Pse ia mbathe fshehurazi, më mashtrove e nuk më the gjë? Po të më kishe thënë, do të të kisha nisur me këngë e valle, me dajre e harpë. 28 Nuk më dhe mundësi as të puthja nipërit e mbesat* dhe vajzat e mia. Ke vepruar pa mend. 29 Tani e kam në dorë t’ju bëj keq, por Perëndia i atit tënd më foli mbrëmë dhe më tha: ‘Ki kujdes çfarë i thua Jakobit, qoftë për mirë, qoftë për keq.’+ 30 E kuptoj që s’të mbante vendi nga malli për shtëpinë e babait tënd, po perënditë pse m’i vodhe?»+
31 Jakobi iu përgjigj Labanit: «Ika fshehurazi ngaqë kisha frikë dhe mendova se mos m’i merrje me forcë vajzat e tua. 32 E sa për perënditë e tua, nëse i gjen te ndonjë nga ne, ai nuk do të rrojë. Kontrolloji vetë në sy të vëllezërve tanë gjërat që kam me vete dhe ç’të jetë jotja, merre.» Mirëpo Jakobi nuk e dinte që i kishte vjedhur Rakela. 33 Kështu Labani hyri në tendën e Jakobit, në tendën e Leas dhe në tendën e dy skllaveve të saj,+ por nuk i gjeti. Pastaj doli nga tenda e Leas dhe hyri në tendën e Rakelës. 34 Ndërkohë Rakela i kishte marrë idhujt e shtëpisë, i kishte vënë në koshin e samarit të devesë dhe rrinte ulur mbi ta. Kështu Labani rrëmoi nëpër tendë, por nuk i gjeti. 35 Atëherë ajo i tha të atit: «Mos u zemëro me mua, imzot, sepse s’ngrihem dot para teje se jam me zakonet.»+ Kështu, edhe pse vazhdoi të kërkonte me kujdes, ai nuk i gjeti idhujt e shtëpisë.+
36 Atëherë Jakobi u nxeh me Labanin dhe iu kthye me këto fjalë: «Ç’krim e ç’mëkat kam bërë që më je qepur këmba-këmbës? 37 Tani që rrëmove nëpër gjithë gjërat e mia, gjete ndonjë gjë të shtëpisë sate? Nxirre këtu në sy të vëllezërve të mi e të vëllezërve të tu, dhe le të vendosin ata cili nga ne të dy ka të drejtë. 38 Gjatë 20 viteve që isha me ty, delet e dhitë e tua nuk dështuan kurrë,+ dhe unë nuk hëngra as edhe një herë të vetme deshtë e kopesë sate. 39 Nuk të solla ndonjëherë kafshë të shqyera nga egërsirat,+ se dëmin e laja vetë dhe, për atë që vidhej ditën a natën, dëmshpërblimin e kërkoje nga dora ime. 40 Ditën më përvëlonte vapa, natën ngrija nga të ftohtët, dhe gjumi më ikte nga sytë.+ 41 Tani u bënë 20 vjet që rri në shtëpinë tënde! Të kam shërbyer 14 vjet për dy vajzat e tua e 6 vjet për kopenë tënde, dhe ti ma ke ndryshuar pagën dhjetë herë!+ 42 Sikur Perëndia i atit tim,+ Perëndia i Abrahamit dhe Perëndia që nderon thellësisht Isaku,*+ të mos kishte qenë në anën time, tani do të më kishe nisur duarbosh. Por Perëndia i ka parë vuajtjet e mia dhe mundin e duarve të mia, prandaj të paralajmëroi mbrëmë.»+
43 Atëherë Labani iu përgjigj Jakobit: «Vajzat janë vajzat e mia, fëmijët janë fëmijët e mi, kopeja është kopeja ime dhe gjithçka që sheh është imja dhe e vajzave të mia. Ç’mund të bëj sot kundër tyre apo kundër fëmijëve që kanë sjellë në jetë? 44 Hajde tani, të bëjmë një besëlidhje, unë dhe ti, që të shërbejë si dëshmi mes meje e teje.» 45 Atëherë Jakobi mori një gur dhe e ngriti si shtyllë.+ 46 Pastaj u tha vëllezërve të tij: «Mblidhni gurë!» Kështu ata mblodhën gurë, i vunë stivë e pastaj hëngrën mbi ta. 47 Labani e quajti stivën e gurëve Jegar-Sahaduta,* ndërsa Jakobi e quajti Galed.*
48 Labani tha: «Kjo stivë gurësh është sot dëshmitare mes meje e teje.» Ja pse u quajt Galed+ 49 dhe Kulla e Rojës,* sepse tha: «Jehovai le të na vrojtojë të dyve kur të mos e shohim më njëri-tjetrin. 50 Nëse i keqtrajton vajzat e mia dhe nëse merr gra të tjera veç tyre, edhe sikur të mos na shohë njeri, mos harro që Perëndia është dëshmitar mes meje e teje.» 51 Labani i tha akoma Jakobit: «Ja ku është kjo stivë gurësh dhe shtylla që kam ngritur mes meje e teje. 52 Kjo stivë gurësh është dëshmitare dhe shtylla jep dëshmi+ që nuk do ta kapërcej këtë stivë për të të bërë keq dhe që ti nuk do ta kapërcesh këtë stivë e këtë shtyllë për të më bërë keq. 53 Perëndia i Abrahamit+ dhe Perëndia i Nahorit, Perëndia i atit të tyre, gjykoftë mes nesh!» Dhe Jakobi u betua për Perëndinë që nderon thellësisht Isaku, i ati.*+
54 Pastaj Jakobi paraqiti një flijim në mal dhe i ftoi vëllezërit e tij të hanin bukë. Kështu hëngrën dhe e kaluan natën në mal. 55 Labani u çua herët në mëngjes, puthi nipërit e mbesat*+ dhe vajzat e tij, i bekoi+ e pastaj mori rrugën për në shtëpi.+
32 Kurse Jakobi vazhdoi rrugën dhe engjëjt e Perëndisë i dolën përpara. 2 Kur i pa, Jakobi tha: «Ky është kampi i Perëndisë!» Prandaj e quajti atë vend Mahanaim.*
3 Pastaj Jakobi nisi përpara lajmëtarë tek i vëllai, Esau, në vendin e Seirit,+ në territorin* e Edomit,+ 4 dhe i urdhëroi: «Ja çfarë do t’i thoni zotërisë tim, Esaut: “Shërbëtori yt, Jakobi, thotë: ‘Kam banuar* me Labanin për një kohë të gjatë.+ 5 Kam grumbulluar dema dhe gomarë, dhen, shërbyes e shërbyese,+ dhe po të dërgoj fjalë se po vij zotëria im, që të kem miratimin tënd.’ ”»
6 Kur lajmëtarët u kthyen te Jakobi, i thanë: «Takuam vëllanë tënd, Esaun, dhe ai po vjen të të takojë, bashkë me 400 burra.»+ 7 Atëherë Jakobi u frikësua shumë dhe e pushtoi ankthi.+ Prandaj i ndau në dy kampe njerëzit që ishin me të, si edhe kopetë, gjedhët dhe devetë 8 sepse tha: «Nëse Esau sulmon njërin kamp, atëherë kampi tjetër mund të shpëtojë.»
9 Pastaj Jakobi tha: «O Perëndi i atit tim Abraham dhe Perëndi i atit tim Isak, o Jehova, ti më thua: ‘Kthehu në vendin tënd, te të afërmit e tu dhe unë do të të bekoj’,+ 10 mirëpo unë nuk jam i denjë për gjithë dashurinë* dhe besnikërinë që ke treguar ndaj shërbëtorit tënd,+ sepse kur e kalova Jordanin kisha vetëm këtë bastun, kurse tani jam bërë me dy kampe.+ 11 Më shpëto, të lutem,+ nga dora e tim vëllai, Esaut, sepse kam frikë se mos vjen e më sulmon mua,+ si edhe nënat e fëmijët. 12 Dhe ti vetë më the: ‘Pa pikë dyshimi do të të bekoj dhe do ta bëj pasardhësin* tënd si kokrrizat e rërës së detit, aq shumë sa s’mund të numërohet.’»+
13 Pasi kaloi natën atje, Jakobi vuri mënjanë një pjesë të zotërimeve të veta si dhuratë për Esaun, të vëllanë:+ 14 200 dhi, 20 cjep, 200 dele, 20 desh, 15 30 deve me të vegjlit e tyre, 40 lopë, 10 dema, 20 gomarica dhe 10 gomarë.+
16 Pastaj tufat ua dorëzoi shërbëtorëve, njërën pas tjetrës, dhe u tha: «Kaloni përpara meje dhe lini hapësirë mes njërës tufë dhe tjetrës.» 17 Pastaj e urdhëroi të parin: «Në rast se im vëlla, Esau, të takon dhe të pyet: ‘Kujt i përket, ku po shkon dhe të kujt janë këto që ke përpara?’, 18 atëherë thuaji: ‘Të shërbëtorit tënd, Jakobit; janë dhuratë për zotërinë tim, Esaun,+ ndërsa ai vetë është pas nesh.’» 19 Po kështu urdhëroi edhe të dytin, të tretin dhe ata që ndiqnin tufat: «Kështu do t’i thoni Esaut kur ta takoni. 20 Gjithashtu thuajini: ‘Ja, shërbëtori yt, Jakobi, po vjen pas nesh’», sepse thoshte me vete: «Nëse e qetësoj me anë të dhuratës që po dërgoj përpara,+ ndoshta më mirëpret kur ta shoh.» 21 Prandaj e nisi dhuratën përpara, ndërsa vetë e kaloi natën në kamp.
22 Më vonë, gjatë natës u ngrit, mori dy gratë,+ dy shërbyeset+ e 11 djemtë e vegjël dhe kaloi vaun* e Jabokut.+ 23 Kështu i mori dhe i kaloi matanë përroit* bashkë me gjithë ç’kishte.
24 Kur Jakobi mbeti vetëm, një burrë* nisi të përleshej me të deri në agim.+ 25 Kur pa se nuk po e mposhtte, ai i preku zgavrën e legenit dhe Jakobit i doli këllku nga vendi ndërsa përleshej me të.+ 26 Më pas i tha: «Lërmë të shkoj sepse po agon.» Por Jakobi ia ktheu: «S’të lë të ikësh derisa të më bekosh.»+ 27 Atëherë ai e pyeti: «Si e ke emrin?» Ai iu përgjigj: «Jakob.» 28 Kështu i tha: «Emri yt nuk do të jetë më Jakob, por Izrael,*+ sepse u ndeshe me Perëndinë+ e me njerëzit, dhe më në fund ia dole mbanë.» 29 Edhe Jakobi i tha: «Të lutem, më thuaj emrin tënd.» Por ai iu përgjigj: «Pse do ta dish emrin tim?»+ E pasi tha këtë, e bekoi. 30 Prandaj Jakobi e quajti atë vend Peniel,*+ sepse tha: «E kam parë Perëndinë ballë për ballë, e megjithatë m’u kursye jeta.»*+
31 Dielli po ngrihej kur Jakobi kaloi Penuelin,* mirëpo ai çalonte për shkak të legenit.+ 32 Ja pse bijtë e Izraelit deri sot e kësaj dite nuk e kanë zakon të hanë dellin e kofshës* që është në zgavrën e legenit, sepse ai i preku Jakobit zgavrën e legenit, te delli i kofshës.
33 Tani, Jakobi ngriti sytë dhe pa Esaun që po vinte me 400 burra.+ Atëherë ua shpërndau fëmijët Leas, Rakelës dhe dy shërbyeseve.+ 2 Në fillim vuri shërbyeset me fëmijët e tyre,+ pastaj Lean me fëmijët e saj,+ dhe në fund Rakelën+ me Jozefin. 3 Kurse vetë doli në krye dhe u përkul deri në tokë shtatë herë ndërsa i afrohej të vëllait.
4 Mirëpo Esau vrapoi ta takonte, iu hodh në qafë, e puthi dhe të dy shpërthyen në lot. 5 Kur Esau ngriti sytë, pa gratë me fëmijët dhe e pyeti: «Cilët janë këta?» Jakobi ia ktheu: «Janë fëmijët që Perëndia i fali shërbëtorit tënd.»+ 6 Atëherë shërbyeset dhe fëmijët e tyre dolën përpara dhe u përkulën; 7 edhe Lea me fëmijët e saj dolën dhe u përkulën. Në fund dolën Jozefi me Rakelën dhe u përkulën.+
8 Esau e pyeti: «Pse më kishe dërguar gjithë atë karvan përpara?»+ Jakobi ia ktheu: «Që të kem miratimin tënd, zotëria im.»+ 9 Atëherë Esau i tha: «Unë kam gjithë atë pasuri, vëllai im.+ Mbaji për vete gjërat e tua.» 10 Por Jakobi i tha: «Të lutem, mos ma prish. Nëse kam miratimin tënd, pranoje këtë dhuratë nga dora ime, sepse e solla që të shihja fytyrën tënde. Dhe kur të pashë, ishte sikur të kisha parë fytyrën e Perëndisë, ngaqë ti më prite krahëhapur.+ 11 Të lutem, pranoje dhuratën që të kam sjellë si bekim,+ sepse Perëndia më ka parë me sy të mirë dhe kam gjithë sa më nevojitet.»+ Ai nguli këmbë aq shumë, saqë Esau e pranoi.
12 Më pas Esau i tha: «Hajde të nisemi dhe unë do të shkoj para teje.» 13 Por Jakobi i tha: «Zotëria im e di mirë se fëmijët janë të brishtë+ dhe se më duhet të kujdesem për dhentë e lopët që u japin qumësht të vegjëlve. Po t’i vë të ecin tepër shpejt, qoftë edhe për një ditë të vetme, atëherë gjithë kopeja do të ngordhë. 14 Të lutem, zotëria im! Shko përpara shërbëtorit tënd, kurse unë do të udhëtoj më ngadalë, sipas hapit të bagëtisë dhe të fëmijëve, derisa të mbërrij te zotëria im në Seir.»+ 15 Atëherë Esau i tha: «Më lejo të paktën të të lë disa nga njerëzit e mi.» Por ai ia ktheu: «Pse të mundohesh? Më mjafton miratimi i zotërisë tim.» 16 Kështu atë ditë Esau mori rrugën për t’u kthyer për në Seir.
17 Ndërsa Jakobi mori rrugën për në Sukot+ e atje ndërtoi një shtëpi, kurse për kopetë bëri kasolle, prandaj e quajti atë vend Sukot.*
18 Pasi udhëtoi nga Padan-Arami,+ Jakobi mbërriti shëndoshë e mirë në qytetin e Sikemit,+ në vendin e Kananit,+ dhe e ngriti kampin afër qytetit. 19 Pastaj, nga djemtë e Hamorit, babait të Sikemit, bleu për 100 monedha një pjesë të fushës ku ngriti tendën.+ 20 Atje ngriti një altar dhe e quajti «Perëndia është Perëndi i Izraelit».+
34 Tani, Dina, vajza që Lea i kishte lindur Jakobit,+ e kishte zakon të dilte e të kalonte kohë me* vajzat e vendit.+ 2 Ajo i ra në sy Sikemit, djalit të hivitit Hamor,+ një nga prijësve të vendit, prandaj një ditë e kapi dhe e përdhunoi. 3 Atij i hyri në shpirt Dina, vajza e Jakobit, dhe ra në dashuri me të, prandaj i fliste përzemërsisht që t’i fitonte zemrën.* 4 Si përfundim, Sikemi i tha babait të vet, Hamorit:+ «Ma merr këtë vajzë për grua.»
5 Kur Jakobi dëgjoi se Sikemi i kishte çnderuar të bijën, Dinën, djemtë e tij ishin në fushë me kopenë, prandaj Jakobi nuk tha gjë, por priti që të ktheheshin. 6 Më vonë, Hamori, babai i Sikemit, shkoi që të fliste me Jakobin. 7 Por djemtë e Jakobit e morën vesh ç’kishte ndodhur dhe u kthyen menjëherë nga fusha. Ata ndiheshin të fyer dhe ishin shumë të zemëruar, sepse ai turpëroi Izraelin kur përdhunoi vajzën e Jakobit,+ gjë që s’duhej bërë.+
8 Hamori u tha: «Tim biri, Sikemit, i digjet shpirti për vajzën tuaj. Ju lutem, jepjani për grua 9 dhe lidhni martesa* me ne; na jepni vajzat tuaja dhe merrni vajzat tona.+ 10 Banoni këtu te ne dhe vendi do të jetë juaji. Jetoni, merruni me tregti dhe ngrini shtëpi këtu.» 11 Pastaj Sikemi i tha babait dhe vëllezërve të saj: «Më jepni pëlqimin tuaj dhe do t’ju jap çfarëdo që të më kërkoni. 12 Vëreni ju çmimin e nuses dhe më kërkoni dhurata sa të doni.+ Jam gati t’ju jap çfarëdo të më kërkoni, vetëm ma jepni vajzën për nuse.»
13 Por, ngaqë Sikemi u kishte çnderuar të motrën, Dinën, djemtë e Jakobit iu përgjigjën me dredhi Sikemit dhe Hamorit, babait të tij: 14 «Nuk mund ta bëjmë kurrsesi një gjë të tillë, t’ia japim motrën tonë një burri të parrethprerë,+ sepse është turp për ne. 15 Mund të pranojmë vetëm me këtë kusht: të bëheni si ne dhe të rrethpritet çdo mashkull juaji.+ 16 Atëherë do t’ju japim vajzat tona, do të marrim vajzat tuaja dhe do të banojmë me ju e do të bëhemi një popull. 17 Por, nëse nuk doni të na dëgjoni dhe nuk rrethpriteni, do të marrim vajzën e do të ikim.»
18 Fjalët e tyre i pëlqyen Hamorit+ dhe djalit të tij, Sikemit.+ 19 I riu bëri pa vonesë siç i kërkuan ata,+ sepse vajza e Jakobit i pëlqente shumë dhe ai ishte më i nderuari në gjithë shtëpinë e babait të tij.
20 Kështu Hamori dhe djali i tij, Sikemi, shkuan te porta e qytetit dhe u thanë burrave të qytetit:+ 21 «Këta njerëz duan të jenë në paqe me ne. Le të banojnë në vendin tonë e të bëjnë tregti, sepse ka mjaft vend edhe për ta, dhe ne mund të marrim për gra vajzat e tyre e t’u japim vajzat tona.+ 22 Ata do të pranojnë që të banojnë me ne e të bëhemi një popull vetëm me këtë kusht: çdo mashkull yni të rrethpritet, ashtu si janë rrethprerë edhe ata.+ 23 A nuk do të bëhen pastaj tonat zotërimet, pasuria dhe bagëtia e tyre? Le ta pranojmë, pra, këtë kusht që të banojnë me ne.» 24 Të gjithë ata që dilnin nga porta e qytetit, ia vunë veshin Hamorit dhe djalit të tij, Sikemit, dhe të gjithë meshkujt e atij qyteti u rrethprenë.
25 Por ditën e tretë, ndërkohë që ata ende kishin dhembje, dy djemtë e Jakobit, Simeoni dhe Levi, vëllezërit e Dinës,+ morën shpatat, hynë në qytet kur asnjë nuk e priste fare rrezikun dhe vranë çdo mashkull.+ 26 Vranë me shpatë Hamorin dhe Sikemin, të birin, e pastaj morën Dinën nga shtëpia e Sikemit dhe ikën. 27 Edhe djemtë e tjerë të Jakobit shkuan në qytet, ku ishin gjithë burrat e vrarë, dhe e plaçkitën sepse ata u kishin çnderuar të motrën.+ 28 Morën kopetë, tufat dhe gomarët e tyre, bashkë me çdo gjë që ishte në qytet e në fushë. 29 Ua morën gjithë pasurinë, zunë robër gjithë fëmijët e vegjël dhe gratë, dhe plaçkitën gjithë shtëpitë.
30 Atëherë Jakobi u tha Simeonit dhe Levit:+ «Ju më keni sjellë shumë telashe* dhe më keni bërë të urryer* për banorët e vendit, për kananitët dhe perezitët. Meqenëse kam fare pak njerëz, ata do të mblidhen që të më sulmojnë dhe do të më shfarosin, mua dhe shtëpinë time.» 31 Por ata i thanë: «Po motrën tonë? Duhej ta trajtonin si prostitutë?»
35 Pas kësaj Perëndia i tha Jakobit: «Ngrihu, shko në Bethel,+ bano atje dhe bëj një altar për Perëndinë e vërtetë që t’u shfaq kur po ia mbathje nga Esau, yt vëlla.»+
2 Atëherë Jakobi u tha atyre të shtëpisë dhe gjithë të tjerëve që ishin me të: «Zhdukini perënditë e huaja që janë mes jush,+ pastrohuni dhe ndërroni rrobat. 3 Të ngrihemi e të shkojmë në Bethel për t’i ndërtuar një altar Perëndisë së vërtetë që m’u përgjigj kur isha në pikë të hallit dhe që ka qenë me mua kudo* ku kam shkuar.»+ 4 Prandaj ia dhanë Jakobit gjithë perënditë e huaja dhe vathët që kishin në veshë, dhe Jakobi i groposi* nën pemën e madhe pranë Sikemit.
5 Teksa udhëtonin, qytetet që ishin rreth e qark tyre i zuri tmerri nga Perëndia, prandaj nuk iu vunë pas bijve të Jakobit. 6 Në fund, Jakobi dhe gjithë njerëzit që ishin me të, mbërritën në Luz,+ domethënë në Bethel, në vendin e Kananit. 7 Atje ngriti një altar dhe e quajti vendin El-Bethel,* sepse atje i ishte shfaqur Perëndia i vërtetë në kohën kur ia kishte mbathur nga i vëllai.+ 8 Më vonë, Debora,+ taja* e Rebekës, vdiq dhe e varrosën nën një lis afër Bethelit. Prandaj ai e quajti vendin Alon-Bakuth.*
9 Perëndia iu shfaq përsëri Jakobit ndërsa po kthehej nga Padan-Arami dhe e bekoi 10 me këto fjalë: «Emri yt është Jakob.+ Ti nuk do të quhesh më Jakob, por Izrael.» Prandaj i vuri emrin Izrael.+ 11 Më tej i tha: «Unë jam Perëndia i Plotfuqishëm.+ Ji i frytshëm dhe shumohu. Nga ti do të vijnë kombe e fise+ dhe nga ti* do të dalin mbretër.+ 12 Sa për vendin që ia kam dhënë Abrahamit dhe Isakut, do të ta jap ty dhe pasardhësit* tënd.»+ 13 Më pas, Perëndia u largua nga vendi ku kishte folur me të.
14 Prandaj Jakobi ngriti një shtyllë me gurë në vendin ku kishte folur me të dhe derdhi mbi të një blatim në pije, si edhe vaj.+ 15 Jakobi e quajti përsëri Bethel+ vendin ku Perëndia kishte folur me të.
16 Pastaj u larguan nga Betheli dhe kur kishin ende një copë rrugë deri në Efratah, Rakelës i filluan dhembjet e lindjes dhe pati një lindje tejet të vështirë. 17 Ndërsa ishte në kulmin e dhembjeve të lindjes, mamia i tha: «Mos ki frikë, sepse do ta lindësh edhe këtë djalë.»+ 18 Mirëpo Rakela po vdiste dhe, kur po i shuhej jeta,* e quajti Ben-Oni,* por i ati e quajti Beniamin.*+ 19 Kështu Rakela vdiq dhe e varrosën rrugës për në Efratah, domethënë në Betlehem.+ 20 Jakobi ngriti një shtyllë mbi varrin e saj; shtylla e varrit të Rakelës ekziston deri sot e kësaj dite.
21 Pas kësaj Izraeli u largua dhe e ngriti tendën në njëfarë largësie nga kulla e Ederit. 22 Njëherë, ndërkohë që Izraeli banonte në atë vend, Rubeni shkoi e fjeti me Belhanë, konkubinën e babait, dhe Izraeli e mori vesh.+
Jakobi kishte 12 bij. 23 Bijtë që i lindi Lea ishin: Rubeni,+ i parëlinduri i Jakobit, Simeoni, Levi, Juda, Isahari dhe Zabuloni. 24 Bijtë që i lindi Rakela ishin Jozefi dhe Beniamini. 25 Bijtë që i lindi Belhaja, shërbyesja e Rakelës, ishin Dani dhe Neftali. 26 Bijtë që i lindi Zilpa, shërbyesja e Leas, ishin Gadi dhe Asheri. Këta janë bijtë që i lindën Jakobit në Padan-Aram.
27 Së fundi Jakobi mbërriti tek Isaku, babai i tij, në Mamre,+ në Kiriat-Arbë, domethënë në Hebron, ku kishin banuar si të huaj Abrahami dhe Isaku.+ 28 Isaku jetoi 180 vjet.+ 29 Pastaj Isaku dha frymë e vdiq dhe u bashkua me popullin e tij,* pas një jete të gjatë e të kënaqshme;* Esau dhe Jakobi, bijtë e vet, e varrosën.+
36 Kjo është historia e Esaut, domethënë e Edomit.+
2 Esau u martua me gra kananite: Adën,+ bijën e hititit Elon,+ Oholibamën,+ bijën e Anahut, mbesën e hivitit Zibeon, 3 dhe Basematën,+ bijën e Ismaelit, motrën e Nebajotit.+
4 Ada i lindi Esaut Elifazin; Basemata i lindi Reuelin;
5 Oholibama i lindi Jeushin, Jalamin dhe Korahun.+
Këta janë bijtë që i lindën Esaut në vendin e Kananit. 6 Pastaj Esau i mori gratë, bijtë dhe bijat, gjithë pjesëtarët e shtëpisë, kopetë e tij, gjithë kafshët e tjera dhe tërë pasurinë që kishte grumbulluar+ në vendin e Kananit dhe shkoi në një vend tjetër disi larg të vëllait, Jakobit,+ 7 sepse zotërimet u ishin shtuar aq shumë, saqë nuk mund të banonin më bashkë, dhe vendi ku po banonin* nuk mjaftonte për të gjithë ngaqë kishin shumë kope. 8 Kështu Esau u vendos me banim në rajonin malor të Seirit;+ Esau është Edomi.+
9 Kjo është historia e Esaut, atit të edomitëve, në rajonin malor të Seirit.+
10 Këta janë emrat e bijve të Esaut: Elifazi, biri i Adës, gruas së Esaut; Reueli, biri i Basematës, gruas së Esaut.+
11 Bijtë e Elifazit janë: Temani,+ Omari, Zefoja, Gatami dhe Kenazi.+ 12 Timna u bë konkubina e Elifazit, birit të Esaut; ajo i lindi Elifazit Amalekun.+ Këta janë nipërit e Adës, gruas së Esaut.
13 Këta janë bijtë e Reuelit: Nahati, Zerahu, Shamahu dhe Mizahu. Këta janë nipërit e Basematës,+ gruas së Esaut.
14 Ndërsa këta janë bijtë e Oholibamës, bijës së Anahut, mbesës së Zibeonit, gruas së Esaut; ajo i lindi Esaut Jeushin, Jalamin dhe Korahun.
15 Këta janë sheikët* që erdhën nga Esau:+ nga bijtë e Elifazit, të parëlindurit të Esaut erdhën sheiku Teman, sheiku Omar, sheiku Zefo, sheiku Kenaz,+ 16 sheiku Korah, sheiku Gatam, sheiku Amalek. Bijtë e Elifazit+ ishin sheikët e vendit të Edomit; këta janë nipërit e Adës.
17 Këta janë bijtë e Reuelit, birit të Esaut: sheiku Nahat, sheiku Zerah, sheiku Shamah, sheiku Mizah. Bijtë e Reuelit ishin sheikët e vendit të Edomit;+ këta janë nipërit e Basematës, gruas së Esaut.
18 Së fundi, këta janë bijtë e Oholibamës, gruas së Esaut: sheiku Jeush, sheiku Jalam, sheiku Korah. Këta janë sheikët që erdhën nga Oholibama, bija e Anahut, gruaja e Esaut.
19 Këta janë bijtë e Esaut, të Edomit,+ dhe këta janë sheikët që erdhën prej tyre.
20 Këta janë bijtë e horitit Seir, banorët e vendit:+ Lotani, Shobali, Zibeoni, Anahu,+ 21 Dishoni, Ezeri dhe Dishani.+ Këta janë sheikët horitë, që ishin pasardhësit e Seirit, në vendin e Edomit.
22 Bijtë e Lotanit janë Hori dhe Hemami; motra e Lotanit është Timna.+
23 Këta janë bijtë e Shobalit: Alvani, Manahati, Ebali, Shefoja dhe Onami.
24 Këta janë bijtë e Zibeonit:+ Ajahu dhe Anahu. Ky është Anahu që zbuloi burimet termale në shkretëtirë ndërsa ruante gomarët e Zibeonit, të atit.
25 Këta janë fëmijët e Anahut: Dishoni dhe Oholibama, bija e Anahut.
26 Këta janë bijtë e Dishonit: Hemdani, Eshbani, Ithrani dhe Kerani.+
27 Këta janë bijtë e Ezerit: Belhani, Zavani dhe Akani.
28 Këta janë bijtë e Dishanit: Uzi dhe Arani.+
29 Këta janë sheikët horitë: sheiku Lotan, sheiku Shobal, sheiku Zibeon, sheiku Anah, 30 sheiku Dishon, sheiku Ezer dhe sheiku Dishan.+ Këta janë sheikët horitë në vendin e Seirit.
31 Tani, këta janë mbretërit që mbretëruan në vendin e Edomit+ përpara se ndonjë mbret të mbretëronte mbi izraelitët:*+ 32 Belahu, biri i Beorit, mbretëroi në Edom dhe qyteti i tij quhej Dinabah. 33 Kur vdiq Belahu, në vend të tij filloi të mbretëronte Jobabi, biri i Zerahut nga Bozrahu. 34 Kur vdiq Jobabi, në vend të tij filloi të mbretëronte Hushami nga vendi i temanitëve. 35 Kur vdiq Hushami, në vend të tij filloi të mbretëronte Hadadi, biri i Bedadit, i cili i mundi midianitët+ në territorin* e Moabit; qyteti i tij quhej Avit. 36 Kur vdiq Hadadi, në vend të tij filloi të mbretëronte Samlahu nga Masrekahu. 37 Kur vdiq Samlahu, në vend të tij filloi të mbretëronte Shauli nga Rehoboti që është pranë Lumit. 38 Kur vdiq Shauli, në vend të tij filloi të mbretëronte Baal-Hanani, biri i Akborit. 39 Kur vdiq Baal-Hanani, biri i Akborit, në vend të tij filloi të mbretëronte Hadari; qyteti i tij quhej Pau, kurse e shoqja ishte Mehetabela, bija e Matredës, mbesa e Mezahabit.*
40 Këta janë, pra, emrat e sheikëve që erdhën nga Esau, sipas familjeve të tyre, sipas vendeve të tyre: sheiku Timná, sheiku Alvah, sheiku Jetet,+ 41 sheiku Oholibam, sheiku Elah, sheiku Pinon, 42 sheiku Kenaz, sheiku Teman, sheiku Mibzar, 43 sheiku Magdiel, sheiku Iram. Këta janë sheikët e Edomit sipas vendbanimeve të tyre në vendin që zotëronin.+ Ky është Esau, ati i edomitëve.+
37 Jakobi vazhdoi të banonte në vendin e Kananit ku kishte jetuar si i huaj edhe i ati.+
2 Kjo është historia e Jakobit.
Kur ishte një djalosh 17-vjeçar, i biri, Jozefi,+ po kulloste kopetë+ me djemtë e Belhasë+ dhe të Zilpës,+ gratë e të atit, dhe Jozefi i tregoi babait gjërat e këqija që bënin ata. 3 Tani, Izraeli e donte Jozefin më shumë se gjithë djemtë e tjerë,+ sepse ai ishte djali i pleqërisë, prandaj i kishte bërë një veshje të veçantë.* 4 Kur vunë re që babai e donte atë më shumë se gjithë të tjerët, vëllezërit filluan ta urrenin, aq sa s’mund t’i flitnin më njerëzisht.
5 Më vonë, Jozefi pa një ëndërr dhe ua tregoi vëllezërve+ dhe për këtë ata filluan ta urrenin edhe më tepër. 6 Ai u tha: «Dëgjoni, ju lutem, ç’ëndërr pashë. 7 Ne po lidhnim tufa kallinjsh në mes të arës kur ja, tufa e kallinjve të mi u ngrit dhe rrinte drejt, ndërsa tufat e kallinjve tuaj e rrethuan dhe u përkulën para tufës sime.»+ 8 Vëllezërit ia kthyen: «Mos do të bëhesh mbreti ynë tani e do të na sundosh?!»+ Prandaj patën një arsye më tepër për ta urryer, për shkak të ëndrrave dhe të fjalëve që tha.
9 Pas kësaj ai pa edhe një ëndërr tjetër dhe ua tregoi vëllezërve: «Kam parë edhe një ëndërr tjetër. Kësaj here dielli, hëna dhe 11 yje po përkuleshin para meje.»+ 10 Pastaj, në prani të vëllezërve, ia tregoi edhe të atit, i cili e qortoi e i tha: «Ç’kuptim ka kjo ëndrra jote? Mos vallë unë, nëna jote dhe vëllezërit e tu do të vijmë e do të përkulemi përtokë para teje?!» 11 Vëllezërit e tij u mbushën gjithë xhelozi nga fjalët e tij,+ kurse i ati i nguliti në mendje.
12 Një ditë, vëllezërit e tij shkuan të kullotnin kopenë e të atit pranë Sikemit,+ 13 dhe Izraeli i tha Jozefit: «Vëllezërit e tu po kullotin kopetë pranë Sikemit. Çohu e shko tek ata.» Ai ia ktheu: «Po, baba.» 14 Atëherë i ati i tha: «Të lutem, shih nëse vëllezërit e tu janë mirë, shih edhe si është kopeja e më ço fjalë.» Kështu e nisi nga lugina* e Hebronit,+ dhe ai mori rrugën për në Sikem. 15 Më vonë, një burrë e pa tek ecte nëpër fushë dhe e pyeti: «Çfarë po kërkon?» 16 Ai i tha: «Po kërkoj vëllezërit. Të lutem, më thuaj ku po i kullotin kopetë?» 17 Burri vazhdoi: «Janë larguar që këtej, sepse i dëgjova të thoshin: ‘Të ikim në Dotan.’» Kështu Jozefi vajti në Dotan dhe atje gjeti vëllezërit.
18 Ata e vunë re nga larg dhe, para se t’u afrohej, filluan të komplotonin për ta vrarë. 19 Ata i thanë njëri-tjetrit: «Ja tek po vjen ëndërrimtari!+ 20 Hajde, ta vrasim, ta hedhim në një nga këto gropat e ujit dhe të themi se e gllabëroi një kafshë grabitqare. Pastaj të shohim ç’do të bëhet me ëndrrat e tij.» 21 Kur e dëgjoi këtë, Rubeni+ u përpoq ta shpëtonte nga duart e tyre, prandaj tha: «Të mos e vrasim!»+ 22 Pastaj shtoi: «Mos derdhni gjak!+ Hidheni më mirë në këtë gropë uji në shkretëtirë, por mos i bëni gjë.»*+ Faktikisht ai donte ta shpëtonte nga duart e tyre që ta kthente tek i ati.
23 Kështu, sapo Jozefi mbërriti te vëllezërit e vet, ata ia hoqën veshjen e veçantë që kishte veshur,+ 24 e morën dhe e hodhën në gropën e ujit. Në atë kohë, gropa ishte bosh, nuk kishte ujë.
25 Pastaj u ulën të hanin. Kur ngritën sytë, panë një karvan ismaelitësh+ me devetë e ngarkuara me labdan, balsam dhe lëvore rrëshinore,+ që po vinin nga Galadi e po shkonin për në Egjipt. 26 Atëherë Juda u tha vëllezërve: «S’na leverdis ta vrasim vëllanë tonë dhe të mbulojmë vdekjen* e tij.+ 27 T’ua shesim+ ismaelitëve dhe të mos ngremë dorë kundër tij se, në fund të fundit, është vëllai ynë, gjaku ynë.»* Kështu ata ia vunë veshin 28 dhe, kur tregtarët midianitë+ po kalonin aty pranë, e nxorën Jozefin nga gropa e ujit dhe ua shitën ismaelitëve për 20 monedha argjendi;+ këta e çuan Jozefin në Egjipt.
29 Më vonë, kur u kthye te gropa e ujit dhe pa që Jozefi nuk ishte aty, Rubeni shqeu rrobat, 30 pastaj shkoi te vëllezërit dhe bërtiti: «Fëmija është zhdukur! Po unë, çfarë të bëj unë tani?»
31 Kështu therën një cjap, morën veshjen e Jozefit dhe e ngjyen në gjak. 32 Pastaj ia dërguan babait të tyre bashkë me këto fjalë: «Ja çfarë gjetëm. Të lutemi, shihe me kujdes nëse është veshja e tët biri.»+ 33 Ai e pa me kujdes dhe ulëriti: «Është veshja e tim biri! Me siguri ndonjë kafshë grabitqare do ta ketë gllabëruar e do ta ketë shqyer Jozefin!» 34 Menjëherë Jakobi shqeu rrobat, ngjeshi një copë thesi* në mes dhe mbajti zi shumë ditë për të birin. 35 Gjithë bijtë e bijat e tij përpiqeshin ta ngushëllonin, por ai nuk pranonte të ngushëllohej e thoshte: «Do të zbres në Varr*+ i pikëlluar për tim bir!», dhe nuk ndalonte së qari për të birin.
36 Ndërkohë midianitët e shitën Jozefin në Egjipt te Potifari, një zyrtar i oborrit të faraonit,+ kreu i rojave.+
38 Në atë kohë, Juda u nda nga vëllezërit dhe e ngriti tendën pranë një adulamiti që quhej Hirah. 2 Atje Juda pa vajzën e Shuait, një kananiti,+ kështu e mori për grua dhe pati marrëdhënie me të. 3 Ajo mbeti shtatzënë, lindi një djalë, dhe ai e quajti Eri.+ 4 Ajo mbeti përsëri shtatzënë dhe lindi një djalë, që ia vuri emrin Onan. 5 Lindi edhe një djalë tjetër dhe e quajti Shelah; ata* ndodheshin në Akzib+ kur ajo lindi Shelahun.
6 Me kalimin e kohës, Juda mori një grua për Erin, të parëlindurin, dhe ajo quhej Tamara.+ 7 Por Eri, i parëlinduri i Judës, i sillte pakënaqësi Jehovait, prandaj Jehovai ia mori jetën. 8 Atëherë Juda i tha Onanit: «Martohu me gruan e vëllait tënd, ki marrëdhënie me të dhe bëj detyrën që i takon kunatit, që t’i lësh pasardhës vëllait tënd.»+ 9 Por Onani e dinte se ata nuk do të quheshin pasardhësit e tij.+ Prandaj, kur kryente marrëdhënie me gruan e të vëllait, e derdhte farën përtokë, që të mos i linte pasardhës të vëllait.+ 10 Por kjo ishte e keqe në sytë e Jehovait, prandaj ai ia mori jetën edhe atij.+ 11 Juda i tha Tamarës, nuses së djalit: «Qëndro në shtëpinë e babait tënd dhe mos u marto përsëri derisa të rritet Shelahu, im bir», sepse kishte merak se mos vdiste edhe ai si vëllezërit e vet.+ Prandaj Tamara shkoi dhe jetoi në shtëpinë e të atit.
12 Kaloi ca kohë dhe gruaja e Judës, vajza e Shuait,+ vdiq. Pasi kaloi koha e zisë, Juda, bashkë me shokun e tij Hirahun, adulamitin,+ shkoi në Timnah+ te qethësit e dhenve të tij. 13 Këtë e mori vesh edhe Tamara, sepse i thanë: «Ja, vjehrri yt po shkon në Timnah për të qethur dhentë.» 14 Prandaj ajo hoqi rrobat e vejërisë, vuri një vel në fytyrë, u mbështoll me një shall dhe u ul te porta e Enaimit, që ndodhet rrugës për në Timnah; këtë e bëri sepse Shelahu ishte rritur dhe ajo nuk ishte bërë ende gruaja e tij.+
15 Kur e pa, Juda e mori për prostitutë, sepse ajo kishte mbuluar fytyrën. 16 Mirëpo ai nuk e dinte që ishte nusja e djalit,+ prandaj shkoi tek ajo dhe i tha: «Më lejo të kem marrëdhënie me ty.» Por ajo e pyeti: «Ç’do të më japësh që të kesh marrëdhënie me mua?» 17 Ai i tha: «Do të të dërgoj një kec nga kopeja.» Por ajo ia ktheu: «Më lër një peng derisa ta dërgosh.» 18 Ai vazhdoi: «Çfarë pengu të lë?» Ajo i tha: «Unazën tënde me vulë,+ kordonin tënd dhe bastunin që ke në dorë.» Atëherë ky ia dha, pati marrëdhënie me të, dhe ajo mbeti shtatzënë. 19 Pas kësaj, ajo u ngrit dhe u largua, hoqi shallin dhe u vesh me rrobat e vejërisë.
20 Juda e dërgoi kecin me anë të shokut të tij adulamit,+ që të merrte pengun nga duart e asaj gruaje, por ai s’e gjeti dot, 21 prandaj pyeti njerëzit e vendit të saj: «Ku është ajo prostituta e tempullit që rrinte në Enaim, anës rrugës?» Por ata i thanë: «Në këtë vend s’ka pasur kurrë ndonjë prostitutë tempulli.» 22 Së fundi ai u kthye te Juda dhe i tha: «S’e gjeta dot, dhe veç kësaj njerëzit e vendit më thanë: ‘Në këtë vend s’ka pasur kurrë ndonjë prostitutë tempulli.’» 23 Atëherë Juda tha: «Le t’i mbajë, përndryshe do të bëhemi gazi i botës. Sido që të jetë, unë e dërgova kecin, por ti nuk e gjete dot.»
24 Mirëpo gati tre muaj më vonë, Judës i thanë: «Tamara, nusja e djalit, është bërë prostitutë dhe ka mbetur shtatzënë.» Atëherë Juda tha: «Nxirreni jashtë, vriteni dhe pastaj digjeni.»+ 25 Kur po e nxirrnin jashtë, ajo i dërgoi fjalë të vjehrrit: «Kam mbetur shtatzënë me burrin që i takojnë këto gjëra. Shihi me kujdes, të lutem, të kujt janë unaza me vulë, kordoni dhe bastuni.»+ 26 Atëherë Juda i pa me kujdes dhe tha: «Ajo është më e drejtë se unë, sepse nuk ia dhashë për grua djalit tim, Shelahut.»+ Pas kësaj nuk pati më marrëdhënie me të.
27 Kur i erdhi koha për të lindur, ajo kishte binjakë. 28 Ndërsa po lindte, njëri prej tyre nxori dorën, dhe mamia mori menjëherë një fill në të kuqe të ndezur, ia lidhi rreth dorës dhe tha: «Ky doli i pari.» 29 Sapo ky e tërhoqi dorën, doli i vëllai, dhe mamia thirri: «Pse e çave kështu nënën tënde?!» Prandaj ia vunë emrin Perez.*+ 30 Pastaj doli i vëllai që kishte rreth dorës fillin në të kuqe të ndezur, dhe atij ia vunë emrin Zerah.+
39 Ndërkohë Jozefin e kishin çuar në Egjipt.+ Atje Potifari,+ një zyrtar i oborrit të faraonit, kreu i rojave, një egjiptian, e bleu nga ismaelitët,+ që e kishin çuar atje. 2 Mirëpo Jehovai ishte me Jozefin,+ prandaj ky u bë i suksesshëm dhe me përgjegjësi në shtëpinë e zotërisë së tij egjiptian. 3 Zotëria i tij e pa që Jehovai ishte me të dhe se Jehovai ia sillte mbarë çdo gjë që bënte.
4 Kështu Jozefi fitoi gjithnjë e më shumë pëlqimin e zotërisë së tij dhe u bë shërbëtori i tij personal. Prandaj e caktoi në krye të shtëpisë së vet dhe i la nën kujdes gjithçka. 5 Që nga ajo kohë, Jehovai e bekonte shtëpinë e egjiptianit falë Jozefit dhe bekimi i Jehovait ishte mbi gjithçka që ai kishte në shtëpi e në arë.+ 6 Si përfundim ai i la në dorë Jozefit gjithçka dhe nuk merakosej për asgjë, përveç bukës që hante. Veç kësaj, Jozefi u bë djalë i pashëm dhe truplidhur.
7 Pas ca kohësh, gruaja e zotërisë së tij ia vuri syrin Jozefit dhe i thoshte: «Fli me mua.» 8 Por ai nuk pranonte dhe i thoshte: «Imzot nuk merakoset për asgjë që më ka lënë në shtëpi dhe ma ka besuar mua gjithçka që ka. 9 Në këtë shtëpi s’ka asnjë më të madh se unë, dhe ai s’më ka mbajtur asgjë tjetër veç teje, sepse ti je gruaja e tij. Prandaj, si mund ta bëj këtë të keqe të madhe e të kryej këtë mëkat kundër Perëndisë tim?»+
10 Ndonëse ajo i fliste Jozefit ditë për ditë që t’ia mbushte mendjen, ai kurrë nuk pranoi të flinte a të rrinte me të. 11 Një ditë Jozefi shkoi në shtëpi për të bërë punët e tij, mirëpo atje nuk ishte asnjë nga shërbëtorët. 12 Atëherë ajo e mbërtheu nga rrobat dhe i tha: «Fli me mua!» Por ai ia mbathi përjashta dhe ia la rrobën në dorë. 13 Kur pa që i la rrobën në dorë dhe iku jashtë, 14 ajo filloi t’u thërriste shërbëtorëve të shtëpisë së saj e t’u thoshte: «Shihni! Ky hebre që im shoq e solli në shtëpi, do që të na bëjë gazin e botës, sepse erdhi që të flinte me mua, por unë fillova të ulërija me sa të më hante zëri. 15 Me të dëgjuar që fillova të bërtisja e të ulërija, ai e la rrobën pranë meje dhe ia mbathi përjashta.» 16 Pastaj e mbajti afër vetes rrobën e tij derisa erdhi në shtëpi Potifari, zotëria i Jozefit.
17 Atëherë ajo i tha edhe atij të njëjtën gjë: «Shërbëtori hebre që na solle ti, erdhi tek unë për të më bërë gazin e botës. 18 Por, sapo fillova të bërtisja e të ulërija, ai e la rrobën këtu pranë meje dhe ia mbathi përjashta.» 19 Me të dëgjuar fjalët e së shoqes, që i tha: «Kështu e kështu ma bëri shërbëtori yt», zotëria i tij u tërbua nga zemërimi. 20 Prandaj e mori Jozefin dhe e futi në burg, në vendin ku mbaheshin nën arrest të burgosurit e mbretit, dhe Jozefi mbeti atje.+
21 Por Jehovai vazhdoi të ishte me Jozefin e t’i tregonte dashuri besnike dhe, falë bekimit të tij, Jozefi fitoi pëlqimin e përgjegjësit të burgut.+ 22 Prandaj e caktoi Jozefin të mbikëqyrte gjithë të burgosurit, dhe gjithçka që bëhej atje, bëhej me urdhër të tij.+ 23 Përgjegjësi nuk merakosej fare për punët që i ishin besuar Jozefit, sepse Jehovai ishte me Jozefin dhe Jehovai ia sillte mbarë çdo gjë që bënte.+
40 Pas këtyre gjërave, kryekupëmbajtësi+ i mbretit të Egjiptit dhe kryebukëpjekësi kishin fyer* zotërinë e tyre, mbretin e Egjiptit. 2 Kështu faraoni u zemërua shumë me dy zyrtarët e tij, kryekupëmbajtësin dhe kryebukëpjekësin,+ 3 dhe i futi në burgun që mbikëqyrte kreu i rojave,+ pikërisht aty ku mbahej i burgosur Jozefi.+ 4 Atëherë kreu i rojave e caktoi Jozefin që të rrinte me ta e të kujdesej për ta;+ ata ndenjën në burg për ca kohë.*
5 Kupëmbajtësi dhe bukëpjekësi i mbretit të Egjiptit, që ishin të burgosur, panë në të njëjtën natë nga një ëndërr dhe secila kishte interpretimin e vet. 6 Të nesërmen në mëngjes, kur Jozefi erdhi, pa që ishin të demoralizuar 7 dhe i pyeti: «Ç’janë këto fytyra të trishtuara?» 8 Ata iu përgjigjën: «Kemi parë të dy nga një ëndërr, por s’ka kush na i interpreton.»* Prandaj Jozefi u tha: «A nuk i takon Perëndisë t’i interpretojë ëndrrat?!+ M’i tregoni mua, ju lutem.»
9 Kështu kryekupëmbajtësi ia tregoi ëndrrën Jozefit dhe i tha: «Në ëndërr pashë një hardhi me tri degë, 10 që filloi të nxirrte bisqe e të çelte lule, dhe bistakët iu poqën. 11 Në dorë kisha kupën e faraonit; mora rrushin, e shtrydha në kupë dhe ia dhashë në dorë faraonit.» 12 Atëherë Jozefi i tha: «Ky është interpretimi: tri degët janë tri ditë. 13 Pas tri ditësh, faraoni do të të nxjerrë nga burgu* dhe do të të kthejë përsëri në detyrën tënde;+ ti do t’i japësh faraonit kupën në dorë, siç bëje edhe më përpara kur ishe kupëmbajtësi i tij.+ 14 Megjithatë, kur gjërat të të shkojnë mirë, kujtohu për mua. Të lutem, më trego dashuri besnike dhe foli faraonit për mua që të dal nga ky vend. 15 Faktikisht më kanë rrëmbyer nga vendi i hebrenjve+ dhe këtu s’kam bërë asgjë që të meritoj burgun.»*+
16 Kur kryebukëpjekësi pa që interpretimi ishte i mirë, i tha Jozefit: «Edhe unë pashë një ëndërr; kisha në kokë tri shporta me bukë të bardhë. 17 Shporta lart fare kishte lloj-lloj prodhimesh të pjekura brumi për faraonin, dhe disa zogj po hanin nga shporta.» 18 Atëherë Jozefi iu përgjigj: «Ky është interpretimi: tri shportat janë tri ditë. 19 Pas tri ditësh, faraoni do të ta heqë kokën, do të të varë në shtyllë, dhe zogjtë do të ta hanë mishin.»+
20 Tani, ditën e tretë ishte ditëlindja+ e faraonit, prandaj ai shtroi një gosti për gjithë shërbëtorët e tij dhe nxori nga burgu kryekupëmbajtësin dhe kryebukëpjekësin në prani të të gjithë shërbëtorëve. 21 Kryekupëmbajtësin e ktheu në detyrën e tij, dhe ai vazhdoi t’i jepte kupën faraonit. 22 Por kryebukëpjekësin e vari, ashtu si e kishte interpretuar ëndrrën Jozefi.+ 23 Mirëpo kryekupëmbajtësi e harroi Jozefin e s’u kujtua për të.+
41 Plot dy vjet më vonë faraoni pa në ëndërr+ sikur po rrinte pranë lumit Nil. 2 Nga lumi po vinin shtatë lopë të shëndetshme e të majme që po kullotnin pranë lumit,+ 3 e pas tyre po vinin edhe shtatë lopë të tjera, të ligshta dhe kockë e lëkurë, që zunë vend përbri lopëve të majme, buzë lumit Nil. 4 Pastaj lopët e ligshta dhe kockë e lëkurë i përlanë shtatë lopët e shëndetshme e të majme; atëherë faraoni u zgjua.
5 Pastaj e zuri përsëri gjumi dhe pa një ëndërr tjetër. Shtatë kallinj gruri të plotë e të mirë po dilnin nga një kërcell i vetëm;+ 6 pas tyre u rritën shtatë kallinj gruri të tjerë që ishin të hollë e të zhuritur nga era e lindjes. 7 Pastaj kallinjtë e hollë i përlanë shtatë kallinjtë e plotë e të mirë; atëherë faraoni u zgjua dhe e kuptoi që kishte qenë në ëndërr.
8 Mirëpo në mëngjes, faraoni* ishte i tëri i turbulluar, prandaj thirri gjithë priftërinjtë e Egjiptit që merreshin me magji dhe gjithë njerëzit e ditur. Pastaj u tregoi ëndrrat, por asnjë nuk ia interpretoi dot.
9 Atëherë kryekupëmbajtësi i tha faraonit: «Sot po rrëfej mëkatet e mia. 10 Faraoni ishte zemëruar me shërbëtorët e tij, me mua dhe kryebukëpjekësin, prandaj na futi në burgun që e mbikëqyrte kreu i rojave.+ 11 Pas kësaj, secili nga ne pa nga një ëndërr në të njëjtën natë, dhe secila kishte interpretimin e vet.+ 12 Bashkë me ne ishte një i ri hebre, shërbëtor i kreut të rojave.+ Kur ia treguam ëndrrat,+ ai ia interpretoi secilit ëndrrën e vet, 13 dhe ndodhi pikërisht si na i kishte interpretuar ai; mua më kthyen në detyrën time, kurse tjetrin e varën.»+
14 Prandaj faraoni dërgoi njerëz që ta sillnin Jozefin,+ dhe ata e nxorën menjëherë nga burgu.*+ Jozefi u rruajt, ndërroi rrobat dhe doli para faraonit. 15 Atëherë faraoni i tha: «Kam parë një ëndërr, por s’ka njeri që ta interpretojë. Kam marrë vesh se ti, me ta dëgjuar një ëndërr, je në gjendje ta interpretosh.»+ 16 Jozefi iu përgjigj faraonit: «S’ka rëndësi çfarë them unë. Perëndia do të flasë për të mirën e faraonit, e jo unë.»+
17 Kështu faraoni i tha Jozefit: «Në ëndrrën që pashë, po rrija buzë lumit Nil. 18 Nga lumi Nil po vinin shtatë lopë të shëndetshme e të majme, që nisën të kullotnin pranë lumit,+ 19 e pas tyre po vinin edhe shtatë lopë të tjera, të katandisura si mos më keq, të ligshta dhe kockë e lëkurë. Aq të shëmtuara s’kam parë në gjithë Egjiptin. 20 Pastaj lopët kockë e lëkurë dhe të ligshta i përlanë shtatë lopët e majme, 21 por edhe pse i hëngrën, s’dallohej fare sepse dukeshin po aq të ligshta sa në fillim; atëherë u zgjova.
22 Pastaj pashë në ëndërr shtatë kallinj gruri të plotë e të mirë që dilnin nga një kërcell i vetëm,+ 23 e pas tyre pashë të rriteshin shtatë kallinj gruri të fishkur, të hollë e të zhuritur nga era e lindjes. 24 Pastaj kallinjtë e hollë i përlanë shtatë kallinjtë e mirë. Ua tregova këtë priftërinjve që merren me magji,+ por asnjë s’ma shpjegonte dot.»+
25 Kështu Jozefi i tha faraonit: «Ëndrrat e faraonit kanë një kuptim të vetëm. Perëndia i vërtetë i ka treguar faraonit atë që do të bëjë.+ 26 Shtatë lopët e mira janë shtatë vjet; edhe shtatë kallinjtë e mirë janë shtatë vjet. Ëndrrat kanë një kuptim të vetëm. 27 Shtatë lopët kockë e lëkurë dhe të ligshta që vinin pas tyre, janë shtatë vjet; edhe shtatë kallinjtë bosh e të zhuritur nga era e lindjes, janë shtatë vjet: do të vijnë shtatë vjet zi buke. 28 Është tamam siç i thashë faraonit: Perëndia i vërtetë i ka treguar faraonit atë që do të bëjë.
29 Në gjithë vendin e Egjiptit do të ketë shtatë vjet me bollëk të madh. 30 Por pas tyre do të vijnë shtatë vjet zi buke dhe gjithë bollëku në vendin e Egjiptit do të harrohet krejt, dhe zia e bukës do ta shkretojë mbarë vendin.+ 31 Bollëku i dikurshëm i vendit nuk do të kujtohet më, sepse zia e bukës që po vjen, do të jetë shumë e rëndë. 32 Ëndrra iu përsërit dy herë faraonit, sepse Perëndia i vërtetë e ka vendosur një herë e mirë këtë gjë dhe Perëndia i vërtetë do ta bëjë këtë së shpejti.
33 Prandaj faraoni të kërkojë një njeri të matur e të mençur dhe ta caktojë në krye të vendit të Egjiptit. 34 Faraoni të marrë masa e të emërojë mbikëqyrës në mbarë vendin që të mbledhin një të pestën e prodhimit të vendit të Egjiptit gjatë shtatë viteve të bollëkut.+ 35 Gjatë këtyre viteve të mbara, nën autoritetin e faraonit, të mblidhet gjithë ushqimi, të grumbullohet drithi nëpër depo në qytete dhe të ruhet atje.+ 36 Ushqimi do të shërbejë si rezervë për vendin gjatë shtatë viteve të zisë së bukës që do të pllakosë Egjiptin, që vendi të mos shuhet nga zia e bukës.»+
37 Ky sugjerim i pëlqeu faraonit dhe gjithë shërbëtorëve të tij, 38 prandaj faraoni tha: «Ku mund të gjendet një njeri tjetër kaq i zotë, që ka frymën e Perëndisë?» 39 Pastaj i tha Jozefit: «Meqë Perëndia ta ka treguar gjithë këtë, s’ka asnjë tjetër kaq të matur e të mençur sa ti. 40 Ti personalisht do të jesh në krye të shtëpisë sime dhe gjithë populli do të të bindet pa diskutim.+ Unë do të jem më i madh se ti vetëm në rolin tim si mbret.»* 41 Faraoni shtoi: «Ja, po të caktoj në krye të të gjithë vendit të Egjiptit.»+ 42 Pastaj faraoni hoqi nga dora unazën e tij me vulë dhe ia vuri në dorë Jozefit, e veshi me rroba linoje cilësore dhe i vuri në qafë një varëse floriri. 43 Veç kësaj e hipi në karrocën e dytë të nderit që kishte, dhe para tij thërritnin: «Avrékh!»* Kështu e caktoi në krye të të gjithë vendit të Egjiptit.
44 Faraoni i tha më tej Jozefit: «Faraoni jam unë, por pa lejen tënde askush nuk mund të lëvizë as gishtin* në gjithë vendin e Egjiptit.»+ 45 Pastaj faraoni i vuri Jozefit emrin Zafenat-Paneah dhe i dha për grua Asenatën,+ vajzën e Potiferait, priftit të Onit.* Kështu Jozefi filloi të mbikëqyrte* vendin e Egjiptit.+ 46 Jozefi ishte 30 vjeç+ kur filloi t’i shërbente* faraonit, mbretit të Egjiptit.
Atëherë Jozefi u largua nga faraoni dhe i ra kryq e tërthor gjithë vendit të Egjiptit. 47 Gjatë shtatë viteve të begatisë, vendi dha prodhime me bollëk. 48 Ai e mblodhi gjithë ushqimin e atyre shtatë viteve në vendin e Egjiptit dhe e grumbulloi në qytete. Në çdo qytet vendosi nëpër depo ushqimin e arave përreth. 49 Jozefi grumbulloi një sasi shumë të madhe drithi, sa rëra e detit, aq sa në fund nuk e mbajtën më llogari, sepse ishte e pallogaritshme.
50 Përpara se të vinte viti i zisë së bukës, Asenata, bija e Potiferait, priftit të Onit,* i lindi Jozefit dy djem.+ 51 Jozefi e quajti të parëlindurin Manase,*+ sepse thoshte: «Perëndia më ka bërë t’i harroj gjithë telashet dhe gjithë shtëpinë e tim eti.» 52 Të dytin e quajti Efraim,*+ sepse thoshte: «Perëndia më ka bërë të frytshëm në vendin e vuajtjeve të mia.»+
53 Pastaj shtatë vitet e bollëkut në vendin e Egjiptit mbaruan+ 54 dhe filluan shtatë vitet e zisë së bukës, tamam si kishte thënë Jozefi.+ Zia e bukës u përhap në të gjitha vendet, kurse në mbarë Egjiptin kishte bukë.*+ 55 Me kalimin e kohës, edhe vendi i Egjiptit vuajti nga zia e bukës, dhe populli filloi t’i përgjërohej faraonit për bukë.+ Atëherë faraoni u tha egjiptianëve: «Shkoni te Jozefi dhe bëni si t’ju thotë ai.»+ 56 Zia e bukës vazhdoi të përhapej në mbarë faqen e dheut.+ Atëherë Jozefi filloi të hapte depot dhe t’ua shiste drithin egjiptianëve,+ ngaqë zia e bukës e kishte mbërthyer mirë vendin e Egjiptit. 57 Për më tepër, në Egjipt vinin njerëz nga të gjitha vendet për të blerë drithë te Jozefi, sepse gjithë toka dergjej nën kthetrat e zisë së bukës.+
42 Kur mori vesh se në Egjipt kishte drithë,+ Jakobi u tha djemve: «Ç’më shikoni njëri-tjetrin?!» 2 Pastaj shtoi: «Kam dëgjuar se në Egjipt ka drithë. Shkoni e na blini ca, që të mbajmë frymën gjallë e të mos vdesim urie.»+ 3 Kështu dhjetë nga vëllezërit e Jozefit+ shkuan që të blinin drithë në Egjipt. 4 Por Jakobi nuk e dërgoi me vëllezërit Beniaminin,+ vëllanë e Jozefit, sepse thoshte: «Se mos i ndodh ndonjë e keqe.»*+
5 Kështu djemtë e Izraelit vajtën në Egjipt bashkë me të tjerët që po shkonin atje të blinin ushqim, sepse zia e bukës kishte pllakosur edhe vendin e Kananit.+ 6 Jozefi kishte autoritet të plotë mbi gjithë Egjiptin+ dhe pikërisht ai ua shiste drithin njerëzve nga të gjitha vendet.+ Prandaj vëllezërit e Jozefit shkuan dhe u përkulën para tij me fytyrën përtokë.+ 7 Kur i pa vëllezërit, Jozefi i njohu menjëherë, por nuk u dha të njohur,+ e madje u foli ashpër dhe i pyeti: «Nga keni ardhur?» Ata iu përgjigjën: «Nga vendi i Kananit për të blerë ushqim.»+
8 Kështu Jozefi i njohu vëllezërit, kurse ata jo. 9 Në çast Jozefit iu kujtuan ëndrrat që kishte parë rreth tyre+ dhe u tha: «Ju jeni spiunë! Keni ardhur të shikoni ku janë pikat e dobëta* të vendit.» 10 Atëherë ata ia kthyen: «Jo, imzot. Shërbëtorët e tu kanë ardhur për të blerë ushqim. 11 Ne jemi të gjithë bij të një njeriu. Jemi njerëz të ndershëm. Shërbëtorët e tu nuk janë spiunë.» 12 Por ai u tha: «S’është e vërtetë! Ju keni ardhur të shikoni ku janë pikat e dobëta të vendit.» 13 Ata iu përgjigjën: «Shërbëtorët e tu janë 12 vëllezër.+ Jemi bij të një njeriu+ në vendin e Kananit. Vëllai i vogël tani është me babanë,+ ndërsa vëllai tjetër nuk është më.»+
14 Megjithatë Jozefi u tha: «Është ashtu si ju thashë: ‘Jeni spiunë!’ 15 Ja si do të viheni në provë: siç është e vërtetë që faraoni rron, ju s’keni për të dalë që këtej pa ardhur këtu vëllai juaj i vogël.+ 16 Dërgoni njërin nga ju të marrë vëllanë tuaj, kurse ju të tjerëve do t’ju mbajmë këtu, e në këtë mënyrë do të provohet nëse po thoni të vërtetën. Përndryshe, siç është e vërtetë që faraoni rron, ju jeni spiunë.» 17 Pastaj i vuri bashkë në arrest për tri ditë.
18 Ditën e tretë Jozefi u tha: «Unë nderoj thellësisht Perëndinë e vërtetë,* prandaj bëni siç ju them e do të jetoni. 19 Nëse jeni të ndershëm, njëri nga ju të qëndrojë në arrest këtu, ndërsa ju të tjerët shkoni të çoni drithë në shtëpitë tuaja, që ta përballojnë zinë e bukës.+ 20 Pastaj më sillni vëllanë tuaj të vogël, që fjalët tuaja të dalin të vërteta; atëherë s’keni për të vdekur.» Prandaj ata bënë ashtu.
21 Kështu i thanë njëri-tjetrit: «Me siguri po ndëshkohemi për shkak të vëllait tonë,+ sepse e pamë sa po vuante kur na përgjërohej të kishim mëshirë për të, por ne nuk ia vumë veshin. Ja pse na ka rënë gjithë ky hall.» 22 Atëherë Rubeni iu përgjigj: «A s’ju thashë: ‘Mos i bëni keq* djalit’, por ju s’më dëgjuat.+ Tani po na kërkohet llogari për gjakun e tij.»+ 23 Mirëpo ata nuk e dinin që Jozefi i kuptonte, sepse me të merreshin vesh me anë të një përkthyesi. 24 Prandaj ai u largua dhe filloi të qante me dënesë.+ Kur u kthye dhe foli përsëri me ta, mori Simeonin+ dhe e lidhi në sy të tyre.+ 25 Pas kësaj Jozefi dha urdhër t’ua mbushnin thasët me drithë, t’ua kthenin e t’ua futnin paratë secilit në thesin e vet, si dhe t’u jepnin ushqime për rrugën; dhe kështu u bë.
26 Pastaj ngarkuan drithin në gomarë dhe u nisën. 27 Kur ndaluan në një han, njëri prej tyre hapi thesin që t’i jepte tagji gomarit dhe pa në grykë të thesit paratë e veta. 28 Atëherë u tha vëllezërve të tij: «M’i paskan kthyer paratë dhe ja tek i kam në thes!» Prandaj u ngriu zemra dhe duke u dridhur nga frika i thanë njëri-tjetrit: «Ç’na ka bërë kështu Perëndia?!»
29 Kur mbërritën në vendin e Kananit, te Jakobi, babai i tyre, i treguan gjithçka që u kishte ndodhur: 30 «Njeriu që është zot i vendit na foli ashpër+ dhe na akuzoi se ishim spiunë. 31 Por ne i thamë: ‘Jemi njerëz të ndershëm, nuk jemi spiunë.+ 32 Jemi 12 vëllezër,+ bij të atit tonë. Njëri nuk është më+ dhe më i vogli është me babanë në vendin e Kananit.’+ 33 Por njeriu që është zot i vendit na tha: ‘Kështu do ta marr vesh nëse jeni të ndershëm: lini një nga vëllezërit tuaj me mua,+ pastaj merrni diçka që shtëpitë tuaja ta përballojnë zinë e bukës dhe shkoni.+ 34 Më sillni vëllanë tuaj të vogël që ta marr vesh se nuk jeni spiunë, por të ndershëm. Atëherë do t’jua kthej vëllanë dhe ju mund të vazhdoni të blini drithë në vend.’»
35 Kur po boshatisnin thasët, panë që secili kishte në thes qesen e vet me pará. Kur panë qeset e parave, ata dhe babai i tyre u frikësuan. 36 Atëherë Jakobi, babai i tyre, u bërtiti: «Ju më latë pa fëmijë!+ Jozefi s’është më,+ Simeoni s’është më+ dhe tani do të më merrni edhe Beniaminin! Ç’më ranë mbi kokë gjithë këto halle?!» 37 Por Rubeni i tha të atit: «Lëre djalin nën kujdesin tim dhe do të ta kthej prapë.+ Po nuk ta ktheva prapë, merrja jetën dy djemve të mi!»+ 38 Por ai u përgjigj: «Djali im nuk do të vijë me ju, sepse vëllai i tij ka vdekur dhe vetëm ai ka mbetur.+ Nëse i ndodh rrugës ndonjë e keqe,* atëherë do të më shtini në Varr*+ flokëzbardhur e të pikëlluar.»+
43 Zia e bukës ishte e rëndë në vend,+ 2 prandaj kur mbaruan drithin që kishin sjellë nga Egjipti,+ i ati u tha: «Kthehuni dhe na blini ca ushqim.» 3 Por Juda iu përgjigj: «Ai njeri na paralajmëroi prerazi: ‘Mos më dilni më përpara po s’më sollët me vete vëllanë tuaj!’+ 4 Nëse e lë vëllanë tonë të vijë me ne, do të shkojmë e do të blejmë ushqim. 5 Por nëse nuk e lë, nuk do të shkojmë, sepse ai njeri na tha: ‘Mos më dilni më përpara, po s’më sollët me vete vëllanë tuaj!’»+ 6 Atëherë Izraeli+ pyeti: «Pse ma bëtë këtë të keqe? Pse i thatë atij njeriu se kishit edhe një vëlla tjetër?» 7 Ata iu përgjigjën: «Ai pyeti drejtpërdrejt për ne dhe për familjen tonë: ‘A është ende gjallë babai juaj? A keni ndonjë vëlla tjetër?’ Dhe ne i treguam.+ Nga ta dinim që ai do të na thoshte: ‘Sillni vëllanë tuaj.’»+
8 Pastaj Juda iu përgjërua të atit, Izraelit: «Lëre djalin të vijë me mua+ dhe të nisemi për rrugë që të jetojmë e të mos vdesim+ ne, ti dhe fëmijët tanë.+ 9 Do të dal unë garant për të+ dhe më kërko mua llogari. Nëse nuk ta sjell përsëri këtu shëndoshë e mirë, do të jem fajtor* ndaj teje përgjithnjë. 10 Po të mos ishim vonuar, do të kishim vajtur e do të ishim kthyer dy herë deri tani.»
11 Kështu Izraeli, i ati, u tha: «Nëse s’ka rrugë tjetër, bëni si ju them: futni nëpër thasë prodhimet më të mira të vendit dhe çojini atij njeriu si dhuratë+ pak balsam,+ pak mjaltë, labdan, lëvore rrëshinore,+ stika dhe bajame. 12 Merrni dyfishin e parave dhe merrni prapë me vete edhe paratë që ju kishin futur në grykën e thasëve,+ se mbase ishte një gabim. 13 Merrni vëllanë, shkoni dhe kthehuni tek ai njeri. 14 Perëndia i Plotfuqishëm ju ndihmoftë që t’i dhimbseni atij njeriu e të lirojë vëllanë tjetër dhe Beniaminin. E në rast se u dashka të mbetem pa fëmijë, ashtu qoftë!»+
15 Kështu morën me vete dhuratën, dyfishin e parave dhe Beniaminin. Pastaj morën rrugën për në Egjipt dhe dolën përsëri përpara Jozefit.+ 16 Kur pa Beniaminin bashkë me ta, Jozefi i tha menjëherë përgjegjësit të shtëpisë së tij: «Çoji ata burra në shtëpi, ther kafshë dhe përgatit drekën, sepse në mesditë do të hanë bashkë me mua.» 17 Pa vonuar, ai bëri siç i tha+ dhe i çoi në shtëpinë e Jozefit. 18 Por ata u frikësuan kur i çuan në shtëpinë e Jozefit dhe filluan të thoshin: «Na kanë sjellë këtu për shkak të parave që na futën në thasë herën e fundit. Tani do të na sulmojnë, do të na skllavërojnë dhe do të na marrin gomarët.»+
19 Prandaj iu afruan përgjegjësit të shtëpisë së Jozefit dhe i thanë në hyrje të shtëpisë: 20 «Na fal imzot! Herën e parë erdhëm të blinim ushqim.+ 21 Por kur mbërritëm te një han dhe hapëm thasët, ç’të shihnim! Secili i kishte paratë e veta në grykë të thesit, me peshën e tyre të plotë,+ prandaj kishim dëshirë t’i kthenim me duart tona. 22 Nuk e dimë kush i vuri paratë në thasë.+ Veç kësaj kemi sjellë me vete edhe më shumë pará për të blerë ushqim.» 23 Atëherë ai u tha: «S’ka asnjë problem e mos kini frikë, sepse thesarin në thasët tuaj jua dha Perëndia juaj dhe Perëndia i atit tuaj. Tashmë m’i kanë dhënë paratë tuaja.» Më pas u solli Simeonin.+
24 Pastaj i çoi në shtëpinë e Jozefit, u dha ujë që të lanin këmbët dhe tagji për gomarët. 25 Atëherë ata bënë gati dhuratën+ për Jozefin, i cili do të vinte në mesditë, sepse morën vesh se do të hanin drekë atje.+ 26 Kur Jozefi hyri në shtëpi, i sollën dhuratën që kishin marrë me vete dhe ranë përmbys para tij.+ 27 Pastaj ai i pyeti si ishin me shëndet dhe u tha: «Po babai juaj i moshuar për të cilin më keni folur, si është? A është ende gjallë?»+ 28 Ata iu përgjigjën: «Shërbëtori yt, babai ynë, është ende gjallë dhe është mirë me shëndet.» Pas kësaj ata u përkulën dhe ranë përmbys para tij.+
29 Kur ngriti sytë dhe pa Beniaminin, të vëllanë, djalin e nënës së tij,+ Jozefi tha: «Ky është vëllai juaj më i vogël për të cilin më keni folur?»+ Pastaj shtoi: «Paç miratimin e Perëndisë, biri im!» 30 Jozefi s’po e mbante dot veten për shkak të vëllait të vet, prandaj u largua me nxitim dhe kërkoi një vend ku të qante. Kështu hyri në një dhomë ku s’kishte njeri dhe shpërtheu në lot.+ 31 Pasi mblodhi veten, lau fytyrën, doli dhe tha: «Shtroni drekën.» 32 Kështu shtruan veç për të, veç për ta dhe veç për egjiptianët që ishin aty. Egjiptianët s’mund të hanin bashkë me hebrenjtë, sepse kjo ishte e neveritshme për egjiptianët.+
33 Vëllezërit* ishin ulur para tij sipas moshës, nga i parëlinduri, sipas së drejtës që kishte si i tillë,+ deri te më i vogli; dhe ata e shihnin njëri-tjetrin me habi. 34 Jozefi u dërgonte atyre racione nga ushqimet që kishte në tryezën e vet, por Beniaminit i jepte pesë herë më shumë se gjithë të tjerëve.+ Kështu vazhduan të hanin e të pinin me të derisa u ngopën.
44 Më vonë ai e urdhëroi përgjegjësin e shtëpisë së tij: «Mbushi thasët e atyre burrave me sa më shumë ushqim të mundesh dhe vëri paratë e secilit në grykën e thesit.+ 2 Por në grykën e thesit të më të voglit bashkë me paratë e drithit vër edhe kupën time, atë prej argjendi.» Kështu ai bëri siç e urdhëroi Jozefi.
3 Në mëngjes, kur zbardhi, ata i nisën për rrugë bashkë me gomarët. 4 Nuk ishin shumë larg qytetit kur Jozefi i tha përgjegjësit të shtëpisë së tij: «Ngrihu! Vihu pas atyre burrave! Kur t’i arrish, thuaju: ‘Pse e kthyet të mirën me të keqe? 5 Pse e morët kupën ku pi zotëria im, të cilën e përdor me mjeshtëri për të interpretuar oguret?* Keni vepruar me ligësi.’»
6 Kështu ai i arriti dhe u tha këto fjalë. 7 Por ata iu përgjigjën: «Pse thua kështu imzot? Shërbëtorëve të tu nuk u ka shkuar kurrë ndër mend të bëjnë një gjë të tillë. 8 Ne t’i kthyem nga vendi i Kananit paratë që gjetëm në grykën e thasëve.+ Si mund të vidhnim vallë argjend ose ar nga shtëpia e zotërisë tënd? 9 Nëse kupa gjendet te ndonjë nga skllevërit e tu, të dënohet me vdekje, kurse ne të tjerët do të bëhemi skllevër të zotërisë tonë.» 10 Prandaj ai tha: «U bëftë si thoni ju! Ai tek i cili do të gjendet, do të bëhet skllav, kurse ju të tjerët do të jeni të pafajshëm.» 11 Menjëherë secili e uli me të shpejtë thesin e vet dhe e hapi. 12 Ai kontrolloi me kujdes thasët e secilit, duke nisur nga vëllai më i madh deri te më i vogli. Si përfundim, kupa u gjend në thesin e Beniaminit.+
13 Në çast ata shqyen rrobat, ngarkuan thasët në gomarë dhe u kthyen në qytet. 14 Kur Juda+ dhe vëllezërit e tij hynë në shtëpinë e Jozefit, ai ishte ende atje dhe ata u përkulën para tij.+ 15 Jozefi u tha: «Ç’është kjo që bëtë? A s’e dini që një njeri si unë mund të interpretojë me mjeshtëri oguret?»+ 16 Juda iu përgjigj: «Çfarë t’i themi zotërisë tonë? Si të tregojmë se jemi të pafajshëm?* Perëndia i vërtetë i ka zënë në faj skllevërit e tu.+ Tani jemi skllevër të zotërisë tonë, ne dhe ai të cilit iu gjet kupa.» 17 Megjithatë Jozefi tha: «As më shkon kurrë ndër mend një gjë e tillë! Njeriu të cilit iu gjet kupa, ai do të bëhet skllavi im.+ Ju të tjerët, shkoni në paqe te babai juaj.»
18 Juda iu afrua dhe i tha: «Të përgjërohem imzot, lejoje skllavin tënd të thotë një fjalë e mos u zemëro me skllavin tënd, sepse ti je si faraoni.+ 19 Imzot i pyeti skllevërit e tij: ‘A keni baba ose vëlla?’ 20 Dhe ne iu përgjigjëm: ‘Kemi babanë të moshuar dhe djalin e pleqërisë së tij, më të voglin.+ Por vëllai i tij ka vdekur+ dhe vetëm ai ka mbetur nga nëna e tij,+ prandaj i ati e do shumë.’ 21 Më pas, ti u the skllevërve të tu: ‘Ma sillni këtu që ta shoh me sytë e mi.’+ 22 Por ne i thamë zotërisë: ‘Djali s’mund të largohet nga i ati, përndryshe babai me siguri do të vdesë.’+ 23 Atëherë ti u the skllevërve të tu: ‘Mos më dilni më përpara po s’më sollët me vete vëllanë tuaj të vogël.’+
24 Prandaj u kthyem te skllavi yt, babai ynë, dhe i thamë fjalët e zotërisë tonë. 25 Më vonë babai ynë tha: ‘Kthehuni dhe na blini ca ushqim.’+ 26 Por ne iu përgjigjëm: ‘S’mund të shkojmë. Do të shkojmë vetëm nëse vëllai i vogël vjen me ne, sepse s’mund t’i dalim më përpara atij njeriu nëse vëllai i vogël s’është me ne.’+ 27 Atëherë skllavi yt, babai ynë, na tha: “Ju e dini mirë se gruaja më lindi vetëm dy djem.+ 28 Por njëri më la, dhe unë thashë: ‘Me siguri do ta ketë shqyer ndonjë kafshë grabitqare!’+ Dhe s’e kam parë më. 29 Nëse ma largoni nga sytë edhe këtë tjetrin dhe nëse i ndodh ndonjë e keqe,* atëherë do të më shtini në Varr*+ flokëzbardhur e të mjeruar.”+
30 E meqë ai e do djalin sa jeta e vet,* po të shkoj pa të te skllavi yt, babai im, 31 ai do të vdesë sapo të shohë se djali nuk është. Atëherë skllevërit e tu do ta shtien në Varr* flokëzbardhur e të pikëlluar skllavin tënd, babanë tonë. 32 Skllavi yt doli garant për djalin dhe i thashë tim eti: ‘Nëse nuk ta sjell përsëri këtu, atëherë do të jem fajtor* ndaj teje përgjithnjë.’+ 33 Ndaj të lutem, le të rri unë si skllav i zotërisë tim në vend të djalit, që ai të kthehet me vëllezërit e tij. 34 Si të shkoj tek im atë pa djalin? S’do të duroja dot po ta shihja tim atë t’i ndodhte një tragjedi e tillë.»
45 Atëherë Jozefi nuk mund ta mbante më veten para gjithë shërbëtorëve,+ prandaj thirri: «Nxirrini jashtë të gjithë!» Askush nuk qëndroi kur Jozefi u dha të njohur vëllezërve të tij.+
2 Pastaj qau aq fort, sa e dëgjuan edhe egjiptianët, dhe lajmi mbërriti deri te shtëpia e faraonit. 3 Në fund Jozefi u tha vëllezërve: «Unë jam Jozefi. A është ende gjallë babai im?» Por vëllezërit nuk i përgjigjeshin dot ngaqë mbetën të shtangur. 4 Prandaj Jozefi u tha vëllezërve: «Afrohuni, ju lutem.» Dhe ata iu afruan.
Atëherë u tha: «Unë jam Jozefi, vëllai juaj, që ju e shitët në Egjipt.+ 5 Por mos u trishtoni dhe mos ia hidhni fajin njëri-tjetrit që më shitët, sepse Perëndia më dërgoi përpara jush për të na ruajtur gjallë.+ 6 Ky është viti i dytë i zisë së bukës në vend+ dhe do të ketë edhe pesë të tjera, gjatë të cilave toka as do të punohet, as do të korret. 7 Por Perëndia më dërgoi përpara jush, që t’ju mbante gjallë me anë të një shpëtimi të jashtëzakonshëm e që familjet tuaja të mos shuheshin.*+ 8 Kështu nuk më dërguat ju këtu, por Perëndia i vërtetë, që të më caktonte si kryekëshilltar* për faraonin, zotëri për gjithë shtëpinë e tij dhe sundimtar mbi gjithë vendin e Egjiptit.+
9 Kthehuni shpejt tek im atë dhe thuajini: “Kështu thotë yt bir, Jozefi: ‘Perëndia më ka caktuar zotëri mbi gjithë Egjiptin.+ Eja tek unë e mos u vono,+ 10 se do të banosh në vendin e Goshenit,+ ku do të jesh afër meje—ti, djemtë, nipërit, kopetë, tufat dhe çdo gjë që ke. 11 Unë do t’ju siguroj ushqim, sepse zia e bukës do të zgjatë edhe pesë vite të tjera.+ Përndryshe skamja do të të pllakosë ty, shtëpinë tënde dhe çdo gjë që ke.’ ” 12 Ju dhe vëllai im, Beniamini, tani mund të shihni me sytë tuaj se jam vërtet unë ai që po ju flet.+ 13 Prandaj tregojini babait tim gjithë lavdinë që kam fituar në Egjipt dhe çdo gjë që keni parë. Nxitoni, pra, dhe silleni këtu tim atë.»
14 Pastaj iu hodh në qafë të vëllait, Beniaminit, dhe shpërtheu në lot; edhe Beniamini qante teksa e përqafonte.+ 15 Jozefi i puthi gjithë vëllezërit e vet dhe qante teksa i përqafonte, e pas kësaj vëllezërit filluan të bisedonin me të.
16 S’kaloi shumë kohë dhe lajmi shkoi deri në shtëpinë e faraonit: «Kanë ardhur vëllezërit e Jozefit!» Kjo i pëlqeu faraonit dhe shërbëtorëve të tij. 17 Kështu faraoni i tha Jozefit: «Thuaju vëllezërve të tu: ‘Ngarkoni kafshët e barrës dhe shkoni në vendin e Kananit. 18 Merrni babanë tuaj me gjithë familjet tuaja dhe ejani këtu tek unë. Do t’ju jap gjithë të mirat e Egjiptit, dhe do të hani* prodhimet më të mira të vendit.’+ 19 Gjithashtu po të urdhëroj që t’u thuash edhe këtë:+ ‘Merrni karroca+ nga Egjipti për fëmijët e gratë tuaja, silleni babanë tuaj në një prej tyre dhe ejani këtu.+ 20 Mos u bëni merak për zotërimet tuaja,+ sepse gjithë të mirat e vendit të Egjiptit janë tuajat.’»
21 Prandaj djemtë e Izraelit bënë ashtu, dhe Jozefi u dha karroca siç urdhëroi faraoni, si edhe ushqime për rrugën. 22 Të gjithëve u dha nga një palë rroba, kurse Beniaminit i dha 300 monedha argjendi dhe pesë palë rroba.+ 23 Ndërsa babait të tij i dërgoi dhjetë gomarë të ngarkuar me gjëra të mira nga Egjipti dhe dhjetë gomarica me drithë, me bukë e me ushqime që t’i kishte për rrugën. 24 Kështu i përcolli vëllezërit dhe, kur ata u nisën, u tha: «Mos u mërzitni me njëri-tjetrin rrugës.»+
25 Kështu dolën nga Egjipti dhe arritën në vendin e Kananit te babai i tyre, Jakobi. 26 Atëherë i thanë: «Jozefi është ende gjallë dhe sundon mbi gjithë vendin e Egjiptit!»+ Por kjo nuk ia ngrohu zemrën Jakobit, ngaqë nuk u besonte.+ 27 Mirëpo, kur i thanë gjithë fjalët e Jozefit dhe kur pa karrocat që ai kishte dërguar për ta marrë, Jakobi* nisi të gjallërohej. 28 Atëherë Izraeli tha me zë të lartë: «Kaq më mjafton! Jozefi, im bir, është ende gjallë! Duhet të shkoj e ta shoh para se të vdes!»+
46 Kështu Izraeli mori gjithë ç’kishte* dhe u nis. Kur mbërriti në Ber-Shebë,+ i bëri flijime Perëndisë së babait të vet, Isakut.+ 2 Atëherë Perëndia foli me Izraelin në një vegim* natën: «Jakob, Jakob!» Ai iu përgjigj: «Urdhëro, zotëria im!» 3 Ai tha: «Unë jam Perëndia i vërtetë, Perëndia i atit tënd.+ Mos ki frikë të shkosh në Egjipt, sepse atje do të të bëj një komb të madh.+ 4 Unë vetë do të vij bashkë me ty në Egjipt e do të të kthej prapë këtu,+ dhe Jozefi do të t’i mbyllë sytë me dorën e vet.»*+
5 Pas kësaj Jakobi u nis nga Ber-Sheba dhe djemtë e Izraelit e morën babanë bashkë me fëmijët dhe gratë e tyre në karrocat që kishte dërguar faraoni për të. 6 Morën me vete edhe kopetë dhe zotërimet që kishin grumbulluar në vendin e Kananit; kështu Jakobi dhe gjithë pasardhësit e tij mbërritën në Egjipt. 7 Ai mori me vete në Egjipt djemtë dhe nipërit, vajzat dhe mbesat—gjithë pasardhësit e tij.
8 Këta janë emrat e bijve të Izraelit që erdhën në Egjipt,+ të Jakobit dhe të bijve të tij: i parëlinduri i Jakobit ishte Rubeni.+
9 Bijtë e Rubenit ishin: Hanoku, Palui, Hezroni dhe Karmi.+
10 Bijtë e Simeonit+ ishin: Jemueli, Jamini, Ohadi, Jakini, Zohari dhe Shauli,+ biri i një kananiteje.
11 Bijtë e Levit+ ishin: Gershoni, Kehathi dhe Merari.+
12 Bijtë e Judës+ ishin: Eri, Onani, Shelahu,+ Perezi+ dhe Zerahu.+ Por Eri dhe Onani vdiqën në vendin e Kananit.+
Bijtë e Perezit ishin Hezroni dhe Hamuli.+
13 Bijtë e Isaharit ishin: Tola, Puvahu, Jobi dhe Shimroni.+
14 Bijtë e Zabulonit+ ishin: Seredi, Eloni dhe Jahleli.+
15 Këta janë bijtë e Leas, që ajo i lindi Jakobit në Padan-Aram përveç Dinës, së bijës;+ pasardhësit e tij nga Lea ishin gjithsej 33 veta.
16 Bijtë e Gadit+ ishin: Zifioni, Hagi, Shuni, Ezboni, Eri, Arodi dhe Areli.+
17 Bijtë e Asherit+ ishin: Imnahu, Ishvahu, Ishvi, Beriahu, dhe Sera ishte motra e tyre.
Bijtë e Beriahut ishin Heberi dhe Malkieli.+
18 Këta janë bijtë e Zilpës,+ të cilën Labani ia dha së bijës, Leas; pasardhësit e Jakobit nga Zilpa ishin gjithsej 16 veta.
19 Bijtë e Rakelës, gruas së Jakobit, ishin Jozefi+ dhe Beniamini.+
20 Në vendin e Egjiptit, Asenata,+ bija e Potiferait, priftit të Onit,* i lindi Jozefit Manaseun+ dhe Efraimin.+
21 Bijtë e Beniaminit+ ishin: Belahu, Bekeri, Ashbeli, Gerau,+ Namani, Ehiu, Roshi, Mupimi, Hupimi+ dhe Ardi.+
22 Këta janë pasardhësit e Jakobit nga Rakela: gjithsej 14 veta.
23 Biri* i Danit+ ishte Hushimi.+
24 Bijtë e Neftalit+ ishin: Jahzeli, Guni, Jeseri dhe Shilemi.+
25 Këta ishin bijtë e Belhasë, të cilën Labani ia dha së bijës, Rakelës; pasardhësit e Jakobit nga Belhaja ishin gjithsej shtatë veta.
26 Gjithë pasardhësit e Jakobit që vajtën me të në Egjipt, përveç grave të djemve të Jakobit, ishin gjithsej 66 veta.+ 27 Jozefit i kishin lindur në Egjipt dy djem. Gjithë njerëzit e shtëpisë së Jakobit që shkuan në Egjipt ishin 70 veta.+
28 Jakobi dërgoi përpara Judën,+ që të njoftonte Jozefin se ishte rrugës për në Goshen, e kur mbërritën në vendin e Goshenit,+ 29 Jozefi kërkoi që t’i bënin gati karrocën dhe shkoi për të takuar Izraelin, të atin, në Goshen. Kur e takoi, iu hodh menjëherë në qafë dhe qau gjatë.* 30 Pastaj Izraeli i tha Jozefit: «Tani le të vdes, sepse e kam parë fytyrën tënde dhe e di se je ende gjallë!»
31 Atëherë Jozefi u tha vëllezërve dhe njerëzve të shtëpisë së babait: «Po shkoj që t’i them faraonit:+ ‘Vëllezërit e mi dhe njerëzit e shtëpisë së babait tim, që ishin në vendin e Kananit, kanë ardhur këtu tek unë.+ 32 Ata janë barinj+ e rritës bagëtish+ dhe kanë sjellë këtu kopetë, tufat dhe gjithë ç’kanë.’+ 33 Kur faraoni t’ju thërrasë e t’ju pyesë: ‘Me çfarë merreni?’, 34 përgjigjjuni: ‘Që nga rinia e deri tani, shërbëtorët e tu kanë rritur bagëti, siç kanë bërë paraardhësit tanë.’+ Kështu do t’ju lënë të banoni në vendin e Goshenit,+ sepse barinjtë e dhenve janë të neveritshëm për egjiptianët.»+
47 Kështu Jozefi vajti dhe i tha faraonit:+ «Im atë, vëllezërit e mi, kopetë, tufat dhe gjithë ç’kanë, erdhën nga vendi i Kananit dhe janë në vendin e Goshenit.»+ 2 Ai mori me vete pesë nga vëllezërit e tij dhe ia prezantoi faraonit.+
3 Faraoni i pyeti: «Me çfarë merreni?» Ata iu përgjigjën: «Shërbëtorët e tu janë barinj dhensh, siç ishin paraardhësit tanë.»+ 4 Pastaj shtuan: «Kemi ardhur të banojmë si të huaj në këtë vend,+ ngaqë s’ka më kullota për kopetë e shërbëtorëve të tu, sepse zia e bukës ka pllakosur vendin e Kananit.+ Të lutemi, lëri shërbëtorët e tu të banojnë në vendin e Goshenit.»+ 5 Atëherë faraoni i tha Jozefit: «Meqë babai yt dhe vëllezërit e tu kanë ardhur te ti 6 dhe vendin e Egjiptit e ke ti në dorë, caktoji të banojnë në pjesën më të mirë të vendit.+ Të banojnë në vendin e Goshenit dhe, nëse mes tyre ka burra të zotë, lëri bagëtitë e mia nën kujdesin e tyre.»
7 Atëherë Jozefi e solli të atin, Jakobin, dhe ia prezantoi faraonit, dhe Jakobi e bekoi faraonin. 8 Faraoni e pyeti Jakobin: «Ç’moshë ke?» 9 Ai iu përgjigj: «Kam banuar në dhé të huaj* për 130 vjet. Vitet e jetës sime+ kanë qenë të pakta e plot vuajtje, por nuk janë asgjë në krahasim me vitet që u endën në dhé të huaj etërit e mi.»+ 10 Pastaj Jakobi e bekoi faraonin dhe u largua.
11 Kështu Jozefi u dha një pronë në Egjipt babait dhe vëllezërve të tij, në pjesën më të mirë të vendit, në vendin e Ramsesit,+ dhe i çoi të banonin atje, ashtu siç urdhëroi faraoni. 12 Jozefi u siguronte ushqim* babait, vëllezërve dhe gjithë shtëpisë së të atit, sipas fëmijëve që kishin.
13 Ndërkaq, në gjithë vendin nuk kishte ushqim,* sepse zia e bukës ishte shumë e rëndë. Po, zia e bukës e dërrmoi vendin e Egjiptit dhe vendin e Kananit.+ 14 Gjithë paratë e vendit të Egjiptit dhe të Kananit, që populli sillte në këmbim të drithit,+ Jozefi i mblidhte dhe i çonte në thesarin e faraonit. 15 Me kalimin e kohës, paratë e vendit të Egjiptit dhe të Kananit u harxhuan, prandaj gjithë egjiptianët nisën të shkonin te Jozefi e t’i thoshin: «Na jep bukën e gojës! Do të na lësh të vdesim vetëm se na mbaruan paratë?» 16 Atëherë Jozefi u tha: «Nëse ju kanë mbaruar paratë, sillni bagëtitë tuaja dhe unë do t’ju jap ushqim në këmbim.» 17 Prandaj ata filluan t’i çonin Jozefit bagëtitë, dhe Jozefi u jepte ushqim në këmbim të kuajve, të bagëtive, të gjedhëve dhe të gomarëve; atë vit ai u siguroi ushqim në këmbim të të gjitha bagëtive.
18 Mbaroi ai vit, kështu vitin pasues ata filluan të shkonin tek ai dhe t’i thoshin: «Nuk ta fshehim dot zotëria ynë që të kemi dhënë tashmë gjithë paratë dhe bagëtitë. Tani s’na ka mbetur gjë tjetër për zotërinë tonë veç trupave tanë dhe tokës sonë. 19 Do të na lësh të marrim fund ne dhe toka jonë? Na bli qoftë ne, qoftë tokën tonë në këmbim të ushqimit; ne dhe toka jonë do të bëhemi skllevër të faraonit, veç na jep farë për të mbjellë, që të jetojmë e të mos vdesim, dhe toka jonë të mos shkretohet.» 20 Atëherë Jozefi bleu gjithë tokën e egjiptianëve për faraonin, sepse të gjithë e shitën arën e vet, ngaqë zia e bukës ishte shumë e rëndë; kështu toka u bë e faraonit.
21 Pastaj i shpërnguli njerëzit nëpër qytete, nga njëri skaj i Egjiptit, në skajin tjetër.+ 22 Vetëm tokat e priftërinjve nuk bleu,+ sepse ata e merrnin racionin e tyre nga faraoni dhe jetonin me atë që u jepte ai, prandaj ata nuk i shitën tokat. 23 Atëherë Jozefi i tha popullit: «Siç e shihni, sot ju kam blerë ju dhe tokën tuaj për faraonin. Ja ku e keni farën që do të mbillni. 24 Kur të japë prodhim, një të pestën do t’ia jepni faraonit,+ ndërsa katër të pestat do t’i mbani për vete, si farë për arat dhe si ushqim që të hani ju, njerëzit e shtëpisë suaj dhe fëmijët tuaj.» 25 Prandaj i thanë: «Ti na shpëtove jetën!+ E nëse kemi miratimin e zotërisë tonë, ne do të bëhemi skllevër të faraonit!»+ 26 Atëherë Jozefi nxori një dekret, i cili vlen sot e kësaj dite në gjithë vendin e Egjiptit, që një e pesta e të korrave i përket faraonit; vetëm tokat e priftërinjve nuk u bënë të faraonit.+
27 Shtëpia e Izraelit banoi në vendin e Egjiptit, në Goshen;+ ata u vendosën atje dhe ishin të frytshëm e u shtuan shumë.+ 28 Jakobi jetoi 17 vjet në vendin e Egjiptit; kështu Jakobi jetoi gjithsej 147 vjet.+
29 Kur iu afrua dita e vdekjes,+ Izraeli thirri djalin e vet, Jozefin, dhe i tha: «Nëse kam miratimin tënd, të lutem vëre dorën nën kofshën time* dhe tregomë dashuri* dhe besnikëri. Të lutem, mos më varros në Egjipt.+ 30 Kur të vdes,* mos më lër në Egjipt, por më varros në varrin e etërve të mi.»+ Prandaj Jozefi iu përgjigj: «Do të bëj si thua ti.» 31 Atëherë ai i tha: «M’u beto.» Kështu ai iu betua.+ Pastaj Izraeli u mbështet në kokën e shtratit dhe u përkul përpara Perëndisë.+
48 Pas këtyre gjërave i thanë Jozefit: «Babai yt po përkeqësohet.» Me të dëgjuar këtë, ai mori me vete dy djemtë e tij, Manaseun dhe Efraimin.+ 2 Atëherë i thanë Jakobit: «Ka ardhur të të takojë yt bir, Jozefi.» Kështu Izraeli mblodhi forcat, u ngrit dhe ndenji ulur në shtrat. 3 Jakobi i tha Jozefit:
«Perëndia i Plotfuqishëm m’u shfaq në Luz, në vendin e Kananit, më bekoi+ 4 e më tha: ‘Ja, unë do të të bëj të frytshëm, do të të shumoj, dhe nga ti do të vijnë shumë fise.+ Këtë vend do t’ia jap pasardhësit* tënd si zotërim të përhershëm.’+ 5 Dy djemtë që të lindën në vendin e Egjiptit para se të vija te ti në Egjipt, tani janë të mitë;+ Efraimi dhe Manaseu do të jenë të mitë, ashtu si janë Rubeni dhe Simeoni.+ 6 Por fëmijët e tjerë që do të të lindin pas tyre, do të jenë të tutë, e për sa i përket trashëgimisë, do të thirren në emër të dy vëllezërve.+ 7 Më kujtohet se kur po vija nga Padani, Rakela vdiq+ në krahët e mi në vendin e Kananit kur kishim ende goxha rrugë për të vajtur në Efratah,+ prandaj e varrosa rrugës për në Efratah, domethënë në Betlehem.»+
8 Pastaj Izraeli vuri re djemtë e Jozefit dhe e pyeti: «Fëmijët e tu janë këta?» 9 Jozefi iu përgjigj: «Po, janë djemtë që më fali Perëndia në këtë vend.»+ Atëherë ai i tha: «Të lutem, m’i sill këtu që t’i bekoj.»+ 10 Izraelin e kishin lënë sytë nga pleqëria dhe me zor shihte. Prandaj Jozefi i afroi, dhe Jakobi i puthi e i përqafoi. 11 Izraeli i tha Jozefit: «Nuk ma merrte mendja kurrë se do ta shihja përsëri fytyrën tënde,+ por Perëndia më la të shihja edhe pasardhësit* e tu.» 12 Kështu Jozefi i largoi fëmijët që ishin aty te gjunjët e Izraelit dhe u përkul me fytyrë përtokë.
13 Pastaj Jozefi i afroi përsëri pranë të atit; mori Efraimin+ me dorën e djathtë dhe e vuri në të majtë të Izraelit, kurse Manaseun+ e kapi me dorën e majtë dhe e vuri në të djathtë të Izraelit. 14 Megjithatë Izraeli zgjati të djathtën dhe e vuri mbi kokën e Efraimit, ndonëse ishte më i vogli, ndërsa të majtën e vuri mbi kokën e Manaseut. I vuri qëllimisht duart kështu, edhe pse i parëlinduri ishte Manaseu.+ 15 Pastaj e bekoi Jozefin dhe i tha:+
«Perëndia i vërtetë, të cilit i shërbyen etërit e mi, Abrahami dhe Isaku,+
Perëndia i vërtetë që është kujdesur për mua si një bari gjatë gjithë jetës sime e deri më sot,+
16 Ai që më ka shpëtuar* nga gjithë të këqijat nëpërmjet engjëllit të tij,+ i bekoftë djemtë!+
Mbajtshin emrin tim, si dhe emrin e etërve të mi, Abrahamit dhe Isakut,
dhe u shtofshin shumë në tokë!»+
17 Jozefit nuk i pëlqeu që i ati e vuri dorën e djathtë mbi kokën e Efraimit, prandaj u përpoq t’ia hiqte nga koka e Efraimit dhe t’ia vinte mbi kokën e Manaseut 18 dhe i tha: «Jo kështu baba, sepse i parëlinduri është ky.+ Vëre dorën e djathtë mbi kokën e tij.» 19 Por i ati nuk pranoi dhe i tha: «E di, biri im, e di. Edhe ai do të bëhet një popull, edhe ai do të bëhet i madh. Mirëpo vëllai më i vogël do të bëhet më i madh se ai,+ dhe pasardhësit* e tij do të shtohen aq shumë, sa do të formojnë kombe të tëra.»+ 20 Atë ditë i bekoi dhe u tha:+
«Populli i Izraelit bekoftë në emrin tuaj:
‘Perëndia të bekoftë si Efraimi dhe Manaseu!’»
Kështu e vuri prapë Efraimin para Manaseut.
21 Pastaj Izraeli i tha Jozefit: «Unë jam në prag të vdekjes,+ por Perëndia me siguri do të vazhdojë të jetë me ju dhe do t’ju kthejë në vendin e paraardhësve tuaj.+ 22 Kurse unë po të jap një copë tokë* më shumë se vëllezërve të tu, atë që u mora amoritëve me shpatën dhe me harkun tim.»
49 Pastaj Jakobi i thirri bijtë e tij dhe u tha: «Mblidhuni që t’ju tregoj ç’do t’ju ndodhë në të ardhmen. 2 Mblidhuni dhe dëgjoni, o bij të Jakobit, dëgjoni Izraelin, atin tuaj.
3 Ruben,+ ti je i parëlinduri im,+ gjallëria ime dhe fillimi i fuqisë sime,* i shquar për dinjitet dhe forcë. 4 Ngaqë u rrëmbeve si ujërat e përmbytjes, nuk do të spikatësh, sepse je shtrirë në shtratin e babait tënd.+ Në atë kohë e përdhose* shtratin tim. Po, po, kështu bëri!
5 Simeoni dhe Levi janë vëllezër;+ ata i përdorin shpatat e tyre për dhunë.+ 6 Mos hyr në shoqërinë e tyre, o shpirti* im! Mos u bashko me grupin e tyre, o zemra ime,* sepse në zemërim e sipër vranë njerëz+ dhe për qejf u prenë dejet demave. 7 Mallkuar qoftë zemërimi i tyre sepse është mizor, dhe furia e tyre sepse është e ashpër!+ Do t’i përhap në vendin e Jakobit dhe do t’i shpërndaj në Izrael.+
8 Ty, o Judë,+ vëllezërit do të të lëvdojnë.+ Dora jote do të jetë mbi qafën e armiqve të tu*+ dhe bijtë e babait tënd do të përkulen para teje.+ 9 Juda është një këlysh luani.+ Biri im, me siguri do të zësh pre e do të kthehesh. Do të shtrihesh e do të shtriqesh si një luan. E kush guxon ta zgjojë një luan?! 10 Skeptri* nuk do të largohet nga Juda,+ as shkopi i komandantit nga këmbët e tij, derisa të vijë Shilohu,*+ dhe këtij do t’i binden popujt.+ 11 Ai e lidh gomarin te një hardhi dhe kërriçin te një hardhi e zgjedhur. Ai do t’i lajë rrobat me verë dhe mantelin e tij me lëngun e rrushit. 12 Sytë i ka në të kuqe të errët nga vera dhe dhëmbët të bardhë nga qumështi.*
13 Zabuloni+ do të banojë në bregdet, pranë bregut ku ankorojnë anijet,+ dhe kufiri i tij do të shtrihet drejt Sidonit.+
14 Isahari+ është një gomar kockëfortë që rri shtrirë me dy torbat e samarit mbi shpinë. 15 Ai do të shohë se vendbanimi i tij është i mirë dhe se toka e tij të kënaq syrin. Ai do t’i ulë shpatullat që të mbajë barrë dhe do të bëjë punë të detyruar.
16 Si një nga fiset e Izraelit, Dani+ do të gjykojë popullin e tij.+ 17 Dani qoftë një gjarpër, një gjarpër me brirë pranë rrugës, që pickon kyçin e thundrës së kalit, që kalorësi të bjerë së prapthi!+ 18 Unë do ta pres shpëtimin nga ti, o Jehova!
19 Gadin+ do ta sulmojë papritur një bandë kusarësh, por edhe ai do t’u sulet këmba-këmbës.+
20 Asheri+ do të ketë bukë* me bollëk* e do të sigurojë ushqime mbretërish.+
21 Neftali+ është një drenushë e zhdërvjellët. Ai flet me hijeshi.+
22 Jozefi+ është lastari i një peme të frytshme, një pemë e frytshme pranë burimit që i shtrin degët mbi mur. 23 Por harkëtarët e sulmonin pareshtur, e qëllonin dhe ushqenin mëri kundër tij.+ 24 E megjithatë ai e mbajti harkun të palëvizur+ dhe duart e tij mbetën të forta e të zhdërvjellëta,+ falë duarve të të fuqishmit të Jakobit, falë bariut, shkëmbit të Izraelit. 25 Ai* është dhuratë nga Perëndia i atit të tij, i cili do ta ndihmojë. Ai është me të Plotfuqishmin, i cili do të derdhë mbi të bekimet e qiejve, bekimet e thellësive+ dhe bekimet e gjinjve e të barkut.* 26 Bekimet e të atit do të jenë ku e ku më të mëdha se bekimet e maleve të përjetshme dhe ku e ku më të mëdha se të mirat e kodrave të qëndrueshme.+ Ato do të jenë gjithmonë mbi kokën e Jozefit, në majë të kokës së atij që u zgjodh mes vëllezërve të tij.+
27 Beniamini+ do të shqyejë si një ujk.+ Në mëngjes do të hajë prenë dhe në mbrëmje do të ndajë plaçkë.»+
28 Këto janë 12 fiset e Izraelit dhe këto janë fjalët që u tha babai i tyre kur i bekoi. Ai i dha secilit bekimin që i takonte.+
29 Pastaj u dha këtë urdhër: «Unë po bashkohem me popullin tim.*+ Më varrosni me etërit e mi në shpellën që është në arën e Efronit, hititit,+ 30 në arën e Makpelahut, përballë Mamresë, në vendin e Kananit, që Abrahami ia bleu Efronit, hititit, si pronë për varre. 31 Atje është varrosur Abrahami dhe gruaja e tij, Sara,+ atje është varrosur Isaku+ dhe gruaja e tij, Rebeka, dhe atje unë varrosa Lean; 32 ara dhe shpella që ndodhet aty, iu blenë bijve të Hethit.»+
33 Pasi u dha këto amanete bijve të tij, Jakobi u shtri përsëri në shtrat, dha frymë dhe u bashkua me popullin e tij.*+
50 Atëherë Jozefi u lëshua mbi trupin e të atit,+ e puthte dhe qante. 2 Pastaj Jozefi i urdhëroi shërbëtorët e tij, mjekët, që ta balsamosnin.+ Kështu mjekët e balsamosën Izraelin, 3 dhe për këtë harxhuan 40 ditë të plota, sepse kaq ditë duhen për balsamosjen, dhe egjiptianët e qanë Jakobin për 70 ditë.
4 Kur mbaruan ditët e zisë, Jozefi u tha njerëzve të oborrit* të faraonit: «Nëse kam miratimin tuaj, dërgojini faraonit këtë mesazh: 5 “Im atë më vuri në be+ dhe më tha: ‘Ja, unë jam në prag të vdekjes.+ Më varros në varret që gërmova në vendin e Kananit.’+ Prandaj, të lutem, më lër të shkoj e të varros tim atë, pastaj do të kthehem prapë.”» 6 Përgjigjja e faraonit ishte: «Shko dhe varrose babanë, ashtu siç iu betove.»+
7 Kështu Jozefi shkoi që të varroste të atin, dhe bashkë me të shkuan gjithë shërbëtorët e faraonit, pleqtë+ e oborrit, gjithë pleqtë e vendit të Egjiptit, 8 gjithë shtëpia e Jozefit, vëllezërit e tij dhe shtëpia e të atit.+ Në vendin e Goshenit mbetën vetëm fëmijët e vegjël, kopetë dhe tufat e tyre. 9 Bashkë me të shkuan edhe karroca+ e kalorës, dhe kortezhi ishte shumë i madh. 10 Pastaj mbërritën në lëmin* e Atadit, në rajonin e Jordanit, dhe atje qanë shumë të pikëlluar e mbajtën shtatë ditë zi për babanë e Jozefit. 11 Kur i panë që mbanin zi në lëmin e Atadit, banorët e vendit, kananitët, thanë: «Sa zi të madhe po mbajnë egjiptianët!» Ja pse ai vend u quajt Abel-Mizraim;* vendi ndodhet në rajonin e Jordanit.
12 Kështu djemtë e Jakobit bënë ashtu siç u la amanet babai.+ 13 E çuan në vendin e Kananit dhe e varrosën në shpellën e arës së Makpelahut, në arën përballë Mamresë, që Abrahami ia bleu Efronit, hititit, si pronë për varre.+ 14 Pasi e varrosi të atin, Jozefi u kthye në Egjipt bashkë me vëllezërit dhe me gjithë ata që kishin shkuar me të për të varrosur të atin.
15 Pas vdekjes së të atit, vëllezërit e Jozefit thanë: «Mbase Jozefi ushqen mëri kundër nesh dhe do të na e kthejë gjithë të keqen që i bëmë.»+ 16 Prandaj i përcollën Jozefit këtë mesazh: «Para se të vdiste, yt atë urdhëroi: 17 “Thuajini Jozefit: ‘Të përgjërohem që t’ua falësh vëllezërve të tu fajin e mëkatin që kryen dhe gjithë të keqen që të bënë.’ ” Prandaj, të lutemi, falja fajin shërbëtorëve të Perëndisë së atit tënd.» Kur dëgjoi këto fjalë, Jozefi shpërtheu në lot. 18 Pastaj erdhën vetë vëllezërit dhe ranë përmbys e thanë: «Ja ku jemi, si skllevër para teje!»+ 19 Atëherë Jozefi u tha: «Mos kini frikë. Mos jam Perëndia unë?! 20 Edhe pse donit të më bënit keq,+ Perëndia e ktheu këtë të keqe në të mirë, që të ruante gjallë shumë njerëz, siç po bën sot.+ 21 Prandaj mos kini frikë. Unë do të vazhdoj t’ju siguroj ushqim, juve dhe fëmijëve tuaj të vegjël.»+ Kështu i ngushëlloi dhe i qetësoi.
22 Jozefi vazhdoi të banonte në Egjipt bashkë me shtëpinë e të atit; ai jetoi gjithsej 110 vjet. 23 Jozefi pa djemtë e Efraimit deri në brezin e tretë,+ si edhe djemtë e Makirit,+ djalit të Manaseut, dhe i donte si fëmijët e vet.* 24 Me kalimin e kohës, Jozefi u tha vëllezërve: «Unë jam në prag të vdekjes. Mirëpo Perëndia nuk ka për t’ju harruar,+ do t’ju nxjerrë nga ky vend dhe do t’ju çojë në vendin për të cilin iu betua Abrahamit, Isakut dhe Jakobit.»+ 25 Pastaj Jozefi i vuri në be bijtë e Izraelit: «Me siguri Perëndia nuk ka për t’ju harruar, prandaj nxirrini eshtrat e mia që këtej.»+ 26 Pastaj Jozefi vdiq në moshën 110-vjeçare. Atë e balsamosën+ dhe e vunë në një arkivol në Egjipt.
Ose «bosh».
Ose «e ujërave të trazuara».
Ose «fryma».
Ose «burime drite».
Ose «çdo shpirt të gjallë».
Ose «përbindëshat e mëdhenj».
Ose «çdo shpirt të gjallë».
Ose «çdo shpirt i gjallë».
Ose «kafshë që lëvizin», me sa duket kjo fjalë në hebraisht u referohet zvarranikëve dhe krijesave të tjera të vogla, si brejtësve dhe insekteve.
Ose «kultivojeni».
Ose «që është një shpirt i gjallë».
Fjalë për fjalë «dhe gjithë ushtria e tyre».
Shfaqet për herë të parë emri i Perëndisë יהוה (JHVH), që e dallon nga gjithë perënditë e tjera. Shih Shtojcën A4.
Ose «shpirt; person». Hebraisht néfesh, që fjalë për fjalë do të thotë «një krijesë që merr frymë». Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «bëhej katër koka».
Ose «Tigër».
Ose «shpirti».
Ose «do të jetojë».
Ose «më i kujdesshmi; më tinëzari».
Ose «për të mbuluar ijët».
Fjalë për fjalë «farës». Në hebraisht kjo fjalë mund të nënkuptojë edhe shumësin. Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «farës». Në hebraisht kjo fjalë mund të nënkuptojë edhe shumësin. Shih Fjalorthin.
Ose «do të të plagosë; do të të godasë».
Ose «do ta plagosësh».
Do të thotë «njeri i bërë nga toka; njerëzim; racë njerëzore».
Ose «ushqim».
Do të thotë «e gjallë».
Ose «Linda».
Ose «u ngrys në fytyrë».
Fjalë për fjalë «nga faqja e dheut».
Kjo mund t’i referohet një dekreti që shërbente si paralajmërim për të tjerët.
Ose «në vendin e Nodit».
Ose «pipëzës».
Do të thotë «i caktuar; i vënë; i vendosur».
Ose «më caktoi».
Fjalë për fjalë «farë».
Ose «të përdhosnin».
Ose «adam; njerëzim».
Fjalë për fjalë «me Perëndinë». Shih Fjalorthin.
Ka të ngjarë të ketë kuptimin «prehje; ngushëllim».
Ose «lehtësim».
Idiomë hebraike që u referohet bijve engjëllorë të Perëndisë.
Fjalë për fjalë «Fryma ime».
Ose «sepse ai vepron sipas dëshirave të trupit të papërsosur».
Mund të ketë kuptimin «rrëzuesit», pra, ata që i rrëzojnë të tjerët. Shih Fjalorthin.
Ose «Jehovai u brengos».
Ose «u trishtua».
Ose «i paqortueshëm».
Fjalë për fjalë «brezave».
Fjalë për fjalë «çdo mish».
Fjalë për fjalë «kuti»; një mjet të madh lundrimi.
Ose «katran; serë».
Një kut ishte 44,5 cm. Shih Shtojcën B14.
Hebraisht, cóhar. Një pikëpamje tjetër është se cóhar i referohet një çatie me kënd pjerrësie prej një kuti, e jo një të çare ose dritareje për dritën.
Fjalë për fjalë «çdo mish».
Ose «forcën e jetës».
Një mundësi tjetër «merr shtatë çifte».
Një mundësi tjetër «merr shtatë çifte».
Ose «forcën e jetës».
Një kut ishte 44,5 cm. Shih Shtojcën B14.
Fjalë për fjalë «çdo mish».
Ka të ngjarë që kjo fjalë në hebraisht t’u referohet krijesave të vogla që rrinë në tufa të mëdha, të cilat gjenden në ajër, në ujë ose në tokë.
Ose «forcën e jetës».
Ose «kafshët katërkëmbëshe».
Ose «shiu u ndal».
Ose «ku të vinte këmbët».
Fjalë për fjalë «hoqi mbulesën».
Ose «kafshët katërkëmbëshe».
Ose «pajtuese; qetësuese». Fjalë për fjalë «çlodhëse».
Ose «nën autoritetin tuaj».
Ose «me shpirtin».
Ose «për gjakun e shpirtit tuaj».
Ose «shpirt».
Ose «kafshët katërkëmbëshe».
Fjalë për fjalë «çdo mish».
Ose «çdo shpirti».
Ose «çdo shpirti të gjallë të çdo lloj mishi».
Ose «e vendeve bregdetare».
Ose «luftëtar».
Ose «Qytetet e para të mbretërisë së tij ishin».
Një mundësi tjetër «këto përbëjnë qytetin e madh».
Një mundësi tjetër «dhe vëllai më i madh i Jafetit».
Do të thotë «ndarje».
Ose «popullsia e tokës».
Ose «të njëjtin fjalor».
Do të thotë «ngatërrim».
Ose «do të marrin bekime».
Fjalë për fjalë «farës». Në hebraisht kjo fjalë mund të nënkuptojë edhe shumësin. Shih Fjalorthin.
Ose «të jetonte atje si i huaj».
Ose «shpirti im të jetojë».
Fjalë për fjalë «farës». Në hebraisht kjo fjalë mund të nënkuptojë edhe shumësin. Shih Fjalorthin.
Shih Zn 13:15.
Ose «ultësirën».
Domethënë, Detin e Vdekur.
Ose «ultësirën».
Ose «banonte në tenda».
Fjalë për fjalë «vëllanë».
Ose «ultësirën».
Fjalë për fjalë «Ngre dorën».
Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «farë».
Fjalë për fjalë «bir».
Fjalë për fjalë «dikush që del nga pjesët e tua të brendshme».
Fjalë për fjalë «fara». Në hebraisht kjo fjalë mund të nënkuptojë edhe shumësin. Shih Fjalorthin.
Ose «prandaj Ai ia llogariti si drejtësi». Domethënë, e konsideroi të drejtë në kuptimin relativ.
Fjalë për fjalë «fara».
Ky është një term përmbledhës për kananitët.
Fjalë për fjalë «farës». Në hebraisht kjo fjalë mund të nënkuptojë edhe shumësin. Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «në gjirin tënd».
Fjalë për fjalë «farën».
Do të thotë «Perëndia dëgjon».
Disa mendojnë se bëhet fjalë për një zebër. Ka shumë të ngjarë t’i referohet një karakteri të pavarur.
Një mundësi tjetër «ai do të jetë në armiqësi me gjithë vëllezërit e vet».
Do të thotë «pusi i të Gjallit që më sheh».
Ose «i paqortueshëm».
Do të thotë «ati është i lartë (i lartësuar)».
Do të thotë «ati i një shumice (turme); ati i shumë vetave».
Fjalë për fjalë «farës». Në hebraisht kjo fjalë mund të nënkuptojë edhe shumësin. Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «farës». Në hebraisht kjo fjalë mund të nënkuptojë edhe shumësin. Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «fara».
Fjalë për fjalë «fara».
Fjalë për fjalë «të rrethpritni mishin e lafshës».
Fjalë për fjalë «fara».
Ose «ai shpirt duhet ekzekutuar».
Mund të ketë kuptimin «grindavece».
Do të thotë «princeshë».
Do të thotë «qeshje».
Fjalë për fjalë «farën». Në hebraisht kjo fjalë mund të nënkuptojë edhe shumësin. Shih Fjalorthin.
Domethënë, një engjëll që përfaqësonte Jehovain.
Fjalë për fjalë «të forconi zemrën».
Ose «rreth 10 kilogramë». Fjalë për fjalë «tri masa sea». Një sea ishte 7,33 l. Shih Shtojcën B14.
Ose «nuk kishte më as menstruacionet».
Ose «do të marrin bekime».
Ose «janë nën mbrojtjen e çatisë sime». Fjalë për fjalë «nën hijen time».
Domethënë, një engjëll që përfaqësonte Jehovain.
Ose «po tregon shumë dashuri besnike ndaj meje duke ruajtur gjallë shpirtin tim».
Ose «shpirti im do të vazhdojë të jetojë».
Do të thotë «vogëlsi».
Ose «jetonte atje si i huaj».
Domethënë, nuk kishte kryer marrëdhënie me të.
Ose «i drejtë?»
Fjalë për fjalë «frikë nga Perëndia». Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «si vel për sytë».
Ose «e kishte mbyllur krejt çdo bark».
Një mundësi tjetër «do të më përqeshë».
Fjalë për fjalë «Dëgjoje zërin e saj».
Fjalë për fjalë «fara». Në hebraisht kjo fjalë mund të nënkuptojë edhe shumësin. Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «fara jote».
Mund të ketë kuptimin «pusi i betimit; pusi i të shtatëve».
Ose «banoi si i huaj».
Fjalë për fjalë «shumë ditë».
Mund t’u referohet thëngjijve të ndezur.
Fjalë për fjalë «frikë nga Perëndia». Shih Fjalorthin.
Do të thotë «Jehovai do të sigurojë; Jehovai do të kujdeset».
Fjalë për fjalë «farën». Në hebraisht kjo fjalë mund të nënkuptojë edhe shumësin. Shih Fjalorthin.
Ose «qytetet».
Shih Zn 22:17.
Ose «do të arrijnë të marrin bekime».
Shih Fjalorthin.
Një mundësi tjetër «një prijës i madh».
Një sikël ishte 11,4 g. Shih Shtojcën B14.
Një sikël ishte 11,4 g. Shih Shtojcën B14.
Ka të ngjarë të ishte një zakon i lashtë për të vërtetuar një betim.
Fjalë për fjalë «Farës». Në hebraisht kjo fjalë mund të nënkuptojë edhe shumësin. Shih Fjalorthin.
Një sikël ishte 11,4 g. Shih Shtojcën B14.
Një sikël ishte 11,4 g. Shih Shtojcën B14.
Ose «dashuri besnike».
Ka të ngjarë t’i referohet Labanit.
Fjalë për fjalë «para të cilit kam ecur».
Ose «dashuri besnike».
Fjalë për fjalë «të kthehem djathtas a majtas».
Domethënë, tajën që tani ishte shërbyesja e saj.
Fjalë për fjalë «Fara».
Ose «qytetet».
Ose «për të medituar».
Kjo është një shprehje poetike për vdekjen.
Ose «kampeve të tyre të rrethuara me mure».
Kjo është një shprehje poetike për vdekjen.
Ose «Pasardhësit e Ismaelit».
Një mundësi tjetër «jetuan në armiqësi me gjithë vëllezërit e tyre».
Do të thotë «leshtor».
Do të thotë «një që kap thembrën; një që zë vendin».
Fjalë për fjalë «nga e kuqja, kjo e kuqja».
Ose «jam i rraskapitur!»
Do të thotë «i kuq; kuqalash».
Fjalë për fjalë «farës». Në hebraisht kjo fjalë mund të nënkuptojë edhe shumësin. Shih Fjalorthin.
Shih Zn 26:3.
Ose «do të arrijnë të marrin bekime».
Ose «po përqafonte».
Ose «vadin». Shih Fjalorthin.
Do të thotë «grindje».
Do të thotë «akuzë».
Do të thotë «vende të gjera».
Fjalë për fjalë «farën». Në hebraisht kjo fjalë mund të nënkuptojë edhe shumësin. Shih Fjalorthin.
Ose «vrer për zemrën». Fjalë për fjalë «frymën».
Ose «këllëfin me shigjeta».
Ose «shpirti im do të të bekojë».
Ose «shpirti yt të më bekojë».
Ose «shpirti im do të të bekojë».
Ose «shpirti yt të më bekojë».
Do të thotë «një që kap thembrën; një që zë vendin».
Ose «po ngushëllon veten me idenë që të të vrasë».
Fjalë për fjalë «farës». Në hebraisht kjo fjalë mund të nënkuptojë edhe shumësin. Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «farës». Në hebraisht kjo fjalë mund të nënkuptojë edhe shumësin. Shih Fjalorthin.
Shih Zn 28:13.
Ose «do të marrin bekime».
Do të thotë «shtëpi e Perëndisë».
Fjalë për fjalë «vëllai».
Fjalë për fjalë «kocka dhe mishi im».
Fjalë për fjalë «vëllai».
Fjalë për fjalë «e urrente».
Fjalë për fjalë «ia çeli barkun».
Do të thotë «Ja, një djalë!»
Do të thotë «dëgjim».
Do të thotë «lidhje; bashkim».
Do të thotë «i lëvduar; objekt lëvdimi».
Ose «ta ka mohuar frytin e barkut?!»
Fjalë për fjalë «të lindë në gjunjët e mi».
Do të thotë «gjykatës».
Do të thotë «përleshjet e mia».
Do të thotë «mbarësi».
Do të thotë «i lumtur; lumturi».
Ose «pagën time».
Do të thotë «ai është pagë».
Do të thotë «pranim».
Fjalë për fjalë «dhe Perëndia e dëgjoi dhe ia çeli barkun».
Formë e shkurtuar e emrit Josifiah që do të thotë «Jah le ta shtojë (le ta rritë)».
Ose «nga provat».
Ose «Drejtësia».
Shih Fjalorthin.
Ose «perënditë e shtëpisë». Fjalë për fjalë «terafimët».
Domethënë, Eufratin.
Ose «të afërmit».
Fjalë për fjalë «bijtë».
Fjalë për fjalë «frika e Isakut». Shih Fjalorthin, «Frika nga Perëndia».
Shprehje në aramaisht që do të thotë «stivë dëshmie».
Shprehje në hebraisht që do të thotë «stivë dëshmie».
Ose «Mizpah», emër hebraik që do të thotë «kulla e rojës; pikë vrojtimi».
Fjalë për fjalë «për frikën e Isakut, të atit». Shih Fjalorthin, «Frika nga Perëndia».
Fjalë për fjalë «bijtë».
Do të thotë «dy kampe».
Fjalë për fjalë «fushën».
Ose «Kam banuar si i huaj».
Ose «dashurinë besnike».
Fjalë për fjalë «farën». Në hebraisht kjo fjalë mund të nënkuptojë edhe shumësin. Shih Fjalorthin.
Shih Fjalorthin.
Ose «vadit». Shih Fjalorthin.
«Një burrë» i referohet një engjëlli që kishte marrë trup njerëzor.
Do të thotë «ai që ndeshet (ngulmon) me Perëndinë» ose «Perëndia ndeshet».
Do të thotë «fytyra e Perëndisë».
Ose «shpirti».
Ose «Penielin».
Fjalë për fjalë «dellin e nervit të kofshës».
Do të thotë «kasolle; strehë».
Ose «e të takonte».
Fjalë për fjalë «i fliste zemrës së vajzës».
Ose «aleanca martesore».
Fjalë për fjalë «ostracizëm».
Ose «të pështirë».
Ose «në udhën».
Ose «i fshehu».
Do të thotë «Perëndi i Bethelit».
Ose «dadoja».
Do të thotë «lis vajtimi».
Fjalë për fjalë «nga ijët e tua».
Fjalë për fjalë «farës». Në hebraisht kjo fjalë mund të nënkuptojë edhe shumësin. Shih Fjalorthin.
Ose «po jepte shpirt».
Do të thotë «bir i vajtimit tim».
Do të thotë «bir i dorës së djathtë».
Kjo është një shprehje poetike për vdekjen.
Fjalë për fjalë «i moshuar dhe i ngopur me ditë».
Ose «po jetonin si të huaj».
Një sheik ishte kreu i një fisi.
Fjalë për fjalë «bijtë e Izraelit».
Fjalë për fjalë «fushën».
Ose «Mezahabës».
Ose «të gjatë e të bukur».
Ose «ultësira».
Ose «mos ngrini dorë kundër tij».
Fjalë për fjalë «gjakun».
Fjalë për fjalë «mishi ynë».
Shih Fjalorthin.
Ose «Sheol», pra, në varrin e përbashkët të njerëzimit. Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «ai», pra, Juda.
Do të thotë «çarje», ka të ngjarë t’i referohet çarjes së nënvetes.
Fjalë për fjalë «kishin mëkatuar kundër».
Fjalë për fjalë «ditë».
Ose «i shpjegon».
Fjalë për fjalë «do të ta ngrejë kokën lart».
Fjalë për fjalë «që të më fusin në sternë; në gropë».
Fjalë për fjalë «fryma e tij».
Fjalë për fjalë «sterna; gropa».
Ose «vetëm për fronin».
Me sa duket një urdhër për të nderuar dikë.
Fjalë për fjalë «të ngrejë as dorën, as këmbën».
Domethënë, të Heliopolit.
Ose «të përshkonte».
Ose «kur doli përpara».
Domethënë, të Heliopolit.
Do të thotë «një që të bën harraq; një që të bën të harrosh».
Do të thotë «dyfish i frytshëm».
Ose «ushqim».
Ose «aksident vdekjeprurës».
Ose «gjendjen e mjeruar».
Fjalë për fjalë «i frikësohem Perëndisë së vërtetë». Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «Mos mëkatoni kundër».
Ose «aksident vdekjeprurës».
Ose «Sheol», pra, në varrin e përbashkët të njerëzimit. Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «mëkatar».
Fjalë për fjalë «Ata».
Ose «shenjat».
Ose «të drejtë?»
Ose «aksident vdekjeprurës».
Ose «Sheol», pra, në varrin e përbashkët të njerëzimit. Shih Fjalorthin.
Ose «shpirti i vet».
Ose «Sheol», pra, në varrin e përbashkët të njerëzimit. Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «mëkatar».
Ose «që të ruante për ju një mbetje në vend».
Fjalë për fjalë «si atë».
Ose «do të jetoni me».
Fjalë për fjalë «fryma e Jakobit».
Ose «të gjithë ata që ishin me të».
Shih Fjalorthin.
Domethënë, do t’ia mbyllte sytë kur Jakobi të vdiste.
Domethënë, të Heliopolit.
Fjalë për fjalë «Bijtë». Ka mundësi të kishte edhe bij të tjerë, emrat e të cilëve nuk përmenden.
Ose «qau gjatë i përqafuar me të atin».
Ose «Kam jetuar si banor i përkohshëm».
Fjalë për fjalë «bukë».
Fjalë për fjalë «bukë».
Ka të ngjarë të ishte një zakon i lashtë për të vërtetuar një betim.
Ose «dashuri besnike».
Fjalë për fjalë «të shtrihem me etërit e mi».
Fjalë për fjalë «farës». Në hebraisht kjo fjalë mund të nënkuptojë edhe shumësin. Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «farën».
Ose «ka shpenguar».
Fjalë për fjalë «fara».
Ose «një shpat mali». Fjalë për fjalë «një shpatull».
Ose «i fuqisë sime riprodhuese».
Ose «e çnderove».
Shih Fjalorthin.
Ose «o nderi im».
Ose «Ti do t’i mposhtësh armiqtë e tu».
Ose «Shkopi mbretëror».
Do të thotë «ai i të cilit është; ai të cilit i përket».
Këto shprehje tregojnë se Juda do të kishte verë dhe qumësht me bollëk.
Ose «ushqim».
Fjalë për fjalë «të majme».
Domethënë, Jozefi.
Ose «dhe do ta bekojë me shumë fëmijë e bagëti».
Kjo është një shprehje poetike për vdekjen.
Kjo është një shprehje poetike për vdekjen.
Ose «atyre të shtëpisë».
Shih Fjalorthin.
Do të thotë «zia e egjiptianëve».
Fjalë për fjalë «ata lindën në gjunjët e Jozefit».