6Ç Fjala «besëlidhje», e përdorur sipas kuptimit të hebraishtes së lashtë
He 9:16—Gr., διαθήκη (diathéke)
1887 |
|
The Holy Bible, nga Robert Jang, Edinburg. |
1897 |
|
The Emphasised Bible, nga Xh. B. Rotherham, Cincinati. |
1950 |
|
New World Translation of the Christian Greek Scriptures, Bruklin. |
Fjala diathéke shfaqet 33 herë në tekstin grek, përkatësisht, te: Mt 26:28; Mr 14:24; Lu 1:72; 22:20; Ve 3:25; 7:8; Ro 9:4; 11:27; 1Ko 11:25; 2Ko 3:6, 14; Ga 3:15, 17; 4:24; Ef 2:12; He 7:22; 8:6, 8, 9, 9, 10; 9:4, 4, 15, 15, 16, 17, 20; 10:16, 29; 12:24; 13:20; Zb 11:19. Në këto 33 vende Përkthimi Bota e Re e përkthen fjalën greke diathéke me termin «besëlidhje».
Fjala diathéke gjendet shtatë herë te citimet nga Shkrimet Hebraike, përkatësisht, te: Ro 11:27 (nga Is 59:21); He 8:8 (nga Jr 31:31), 9 (dy herë, nga Jr 31:32), 10 (nga Jr 31:33); 9:20 (nga Da 24:8); 10:16 (nga Jr 31:33). Në këto vargje të cituara, fjala hebraike në tekstin M është ברית (beríth, «besëlidhje»), dhe fjala greke në LXX është διαθήκη (diathéke).
Megjithëse në Shkrimet e Krishtere Greke domethënia e fjalës diathéke është si ajo e hebraishtes së lashtë, pra «besëlidhje», shumë përkthyes të sotëm e përkthejnë fjalën diathéke te He 9:16, 17 me termat «vullnet i fundit» ose «testament». Kështu, ata tregojnë se shkrimtari i librit të Hebrenjve kishte ndër mend një kuptim të ndryshëm për këtë fjalë greke.
Gjithsesi, në enciklopedinë Cyclopedia of Biblical, Theological, and Ecclesiastical Literature, nga Xhon Mek-Klintok dhe Xhejms Strong, Grand Rapids, Miçigan, ribotimi i vitit 1981, vëll. II, fq. 544, thuhet: «Meqë në Sept., kudo në DH. V., fjala בְּרִית (që kurrë nuk ka kuptimin vullnet i fundit ose testament, por gjithmonë besëlidhje ose marrëveshje) përkthehej në mënyrë koherente me fjalën διαθήκη, merret me mend natyrshëm se, kur shkrimtarët e DH. R. përvetësuan këtë fjalë, kishin ndër mend që t’u përçonin të njëjtën ide lexuesve, shumica e të cilëve e njihnin mirë DH. V. në greqisht. . . . Në vargjet, pa dyshim të vështira, të Heb. ix, 16, 17, sipas shumë komentuesve fjala διαθήκη kërkon absolutisht kuptimin vullnet i fundit ose testament. Por nga ana tjetër mund të vërehet se, përveç asaj që sapo është thënë për kuptimin e zakonshëm të kësaj fjale në DH. R., ajo shfaqet dy herë në kontekst, ku kuptimi i saj duhet medoemos të jetë njësoj me përkthimin e fjalës בְּרִית, dhe në kuptimin e padiskutueshëm besëlidhje (krahaso διαθήκη καινή [diathéke kainé, «besëlidhje e re»], Heb. ix, 15, me të njëjtën shprehje te viii, 8; dhe διαθήκη, ix, 16, 17, me vargun 20, dhe Dal. xxiv, 8).»
Po kështu B. F. Uestkoti, bashkëbotues i tekstit grek nga Uestkot dhe Hort, në veprën e tij, The Epistle to the Hebrews, Londër, 1892, fq. 300, shkroi sa vijon:
«Dëshmitë biblike, për aq sa janë të qarta, mbështetin tërësisht kuptimin ‘besëlidhje’, me kufizimin e nevojshëm që kuptimi i fjalës të lidhet me besëlidhjen hyjnore. Kur shqyrtojmë kuptimin e fjalës διαθήκη në kap. ix. 15 e më tej, duhet bërë një vërejtje paraprake. Lidhja mes vargjeve 15—18 është shumë e ngushtë: v. 16 ὅπου γάρ [hópou gar, ‘Sepse, aty ku’]. . . : v. 18 ὅθεν οὐδέ [hóthen oudé, ‘Prandaj as’]. . . .
Kjo lidhje e bën shumë të vështirë të mendohet se fjala kyçe (διαθήκη) përdoret në kuptime të ndryshme gjatë vargjeve, dhe sidomos që të supozohet se në v. 16 duhen nxjerrë në pah karakteristika të një lloji të veçantë të fjalës διαθήκη, në thelb të ndryshme nga πρώτη διαθήκη [próte diathéke, «besëlidhja e mëparshme»] e v. 15, 18. Sepse është e pamundur të pohohet se flijimet me të cilat u përurua Besëlidhja e Vjetër, mund të shpjegoheshin me supozimin se ishte një ‘Testament’. As duket se mund të quhej ‘Testament’ në ndonjë kuptim.
Pra, vetëm po të kishte argumente të forta kundër kësaj pikëpamjeje, duket krejt e arsyeshme të nxjerrim përfundimin se fjala διαθήκη ka të njëjtin kuptim kudo, dhe se ai nuk është veçse kuptimi universal i ‘besëlidhjes’.»
Prandaj, te He 9:16, 17 fjala greke diathéke ka të njëjtin kuptim me atë të vargjeve përreth, domethënë «besëlidhje», e cila i korrespondon fjalës hebraike beríth. Këto vargje janë përfshirë në shtjellimin që i bën apostulli besëlidhjes së Ligjit të Moisiut, ndërsa e krahason me antitipin e saj, besëlidhjen e re. Pavli flet për vdekjen e ndërmjetësit (‘atij që bën besëlidhjen’), që besëlidhja të jetë e ligjshme dhe e detyrueshme. Në rastin e besëlidhjes së Ligjit, kafshët e flijuara zunë vendin e Moisiut, ndërmjetësit të besëlidhjes së Ligjit, dhe gjaku i tyre zëvendësoi gjakun e tij, për ta ligjësuar dhe për ta bërë të efektshme besëlidhjen. Ngjashëm në rastin e besëlidhjes së re, Jezu Krishti, ndërmjetësi i saj, dha në të vërtetë jetën e tij njerëzore të përsosur si flijim. Si rezultat i derdhjes së gjakut të tij, besëlidhja e re u bë e vlefshme.—He 9:17.